Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Intelektuali
E marte, 06.01.2026, 06:58 PM
INTELEKTUALI
Intelektualët janë persona të cilët në
pikëpamje klasore janë të pavarur dhe nga ajo pozitë shoqërore buron forca
kritike e tyre që i bën promotorë të ndryshimeve shoqërore –
Karl Manhaim
* * *
Intelektualët janë “prodhues” të ideve, kurse
pjesëtarët e inteligjencies janë ideologë të cilët idetë dhe idealet i
shfrytëzojnë për qëllime konkrete praktike dhe politike - Zigmunt Bauman
*
* *
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Intelektual
– (në latinishten e
vonë: intellektualis, nga
latinishtja: intellektus: konceptim,
arsye, mendje); (lat. intellectus,
intellectualis - intelektual; intellegere - të kuptosh).
1. Intelektualët janë
persona që merren me punë mendore, që shquhen me arsimim, me dituri dhe me
aftësinë e të menduarit.
2. Në sociologji, intelektualë
janë njerëzit që krijojnë ide dhe që jetojnë në to.
Në kuptim të gjerë,
intelektualë konsiderohen ata të cilët kontribuojnë në krijimin, në konfirmimin
dhe në përhapjen e vlerave, të botëkuptimeve dhe të njohurive, sidomos të atyre
që përmbajnë konsekuenca aksiologjike* dhe filozofike.
Shënim: Aksiologjia – shkenca për
vlerat.
* * *
Në të folmen publike,
termi “intelektualët” ka hyrë për
herë të parë në vitin 1898 me aferën Drajfys (Dreyfus affair, 15 tetor 1894 - 1906) në Francë, kur një grup krijuesish
eminentë, siç ishin romancieri natyralist francez me prejardhje italiane Emil Zola (Émile Zola, Paris, 1840 –
Paris, 1902) dhe romancieri francez Marsel
Prusti (Marcel Proust, Paris, 1871 – Paris, 1922), dolën kundër politikës
së intolerancës dhe e publikuan Manifestin
e intelektualëve (Manifeste des intellectuels) në mbështetje të Drajfysit.
Intelektualët nënkuptonin kategorinë shoqërore
të cilët në shekullin XVI quheshin “humanistë”, kurse në shekullin
XVIII - “filozofë”. Në këtë vështrim, intelektualët qenë ata të cilët,
duke u mbështetur në prestigjin dhe në autoritetin krijues të vet në lëmenjtë e
artit, të letërsisë dhe të shkencës, tentonin të shprehin dhe të afirmonin
vlera të reja apo të mbronin vlerat e vjetra.
Për dallim nga
klerikët e mesjetës, dijetarët dhe mendimtarët e kohës së revolucionit shkencor
të shekullit XVII siç ishin teoricieni, fizikani, matematikani dhe studiuesi i
shkencave të natyrës - italiani Galileo Galilei
(1564-1642), filozofi anglez Frensis
Bekon (Francis Bacon, 1561-1626), si dhe filozofi, matematikani e fizikani
francez Rene Dekart (Renè Descartes
/ Cartesius Renatus, 1596-1650) - gjithnjë më tepër ndërlidheshin me shkencën
dhe me ideologjinë e saj.
Sipas analizave
sociologjike të sociologut dhe shkencëtarit social hungarez-gjerman Karl Manhajm (Karl Mannheim ose Károly
Mannheim 1893-1947), intelektualët janë persona të cilët në pikëpamje klasore janë të pavarur dhe nga ajo pozitë shoqërore
buron forca kritike e tyre që i bën promotorë të ndryshimeve shoqërore.
Revolucionari dhe teoricieni italian Antonio Gramshi (Antonio Gramsci,
1891-1937) mbronte tezën se të gjithë njerëzit janë intelektualë, por jo të
gjithë ushtrojnë funksion intelektual në shoqëri. Intelektualët i përkufizonte si
funksionarë të superstrukturës. Me fjalë të tjera, rëndësia e intelektualëve
buronte nga rëndësia e funksionit intelektual për shoqërinë. U ngjishej roli i
integrimit shoqëror dhe kulturor, pavarësisht nga fakti në e kanë kryer duke koji
se kundërshtuar apo duke u pajtuar.
Në analizat
sociologjike bashkëkohore, roli i intelektualëve studiohet nga aspekti i
situatave të caktuara historike. Në vend të intelektualëve universalë të cilët i
mbrojnë vlerat transcendentale*, absolute dhe të pakufizuara në
kohë (arsyeja, e vërteta dhe drejtësia), flitet për intelektualë specifikë të
cilët angazhohen për qëllime reale dhe të llojllojshme që janë karakteristike
për shoqëritë pluraliste moderne, siç janë drejtësia sociale, të drejtat e
njeriut, përpjekjet për paqe, të drejtat e grave, të drejtat e pakicave,
përdorimi etik i shkencës, përgjegjësia ekologjike etj.
Shënim: transcendente – që i
tejkalon kufijtë e përvojës; që ndodhet jashtë kufijve të botës natyrore; që e
tejkalon zonën e vetëdijes njerëzore; e tejbotëshme, e tejanëshme, mbinatyrore,
e pakuptueshme, që nuk mund të njihet, e paqartë, e pakuptueshme, që i tejkalon
konceptet e njeriut, fantastike.
* * *
Në këtë vështrim, sociologu
francez Alen Turen (Alain Touraine,
1925-2023) intelektualëve ua jep funksionin e ndërmjetësimit kulturor-politik
midis lëvizjeve shoqërore dhe institucioneve.
Mbizotëron mendimi se
rolet dhe statusi i intelektualëve ndërlidhen me ndryshmet e përhershme dhe të
thella të kanë të bëjnë me zhvillimin teknologjik, me kushtet tregtare të
prodhimit dhe të këmbimit, me marrëdhëniet politike dhe institucionale të
forcës si dhe me krizën e përkatësisë ideologjike tradicionale.
Dikur më tepër
përdorej termi “inteligjencia” me të cilin përgjithësisht dhe në mënyrë tejet
të papërcaktuar nënkuptohej shtresa shoqërore e arsimuar, e përqendruar në ide.
Ky nocion lindi në Rusi në vitet 1860 e këndej dhe kishte të bënte me elementet
e deklasuara të shtresave të larta. Në fillim, inteligjencia ka pasur pozitë margjinale
midis autokracisë cariste dhe masave fshatare. Përfshirja e intensifikuar e saj
në jetën publike bazohej në shprehitë aristokrate dhe në kualifikimet arsimore
të larta të cilat gradualisht i zëvendësonin statuset ushtarake dhe statuset e
tjera. Këto dy karakteristika e dallonin atë nga pjesa kryesore e shoqërisë dhe
ndikuan që t’i takojë asaj (inteligjencies) një rol me përgjegjësi të veçantë
në jetën shoqërore dhe kombëtare.
Sipas filozofit, teologut dhe
ekzistencialistit të krishterë rus, i cili theksoi rëndësinë shpirtërore
ekzistenciale të lirisë njerëzore dhe personit
njerëzor, Nikolai
Berdjajev (Nikolai Alexandrovich
Berdyaev, Obukhiv, Ukrainë, 1874 – Clamart, Francë, 1948), inteligjencia është një shtresë
shoqërore e shekullarizuar e cila kuptimin
e ekzistimit të vet dhe të synimeve të veta e shihte në luftën për përparim
social dhe intelektual.
Sociologu
hungarez-gjerman Karl Manhaim thotë se
në çdo shoqëri ekziston një grup që merret me krijimin e konceptimit të caktuar
të botës. Këtë shtresë njerëzish ai e ka quajtur inteligjencie.
Sipas sociologut dhe
filozofit polak-britanik Zigmunt Bauman*
(Zygmunt
Bauman, Pozna?, Poloni, 1925 – Lids, Mbretëri e Bashkuar, 2017), në shoqëritë
komuniste roli i inteligjencies ka qenë ta
shtyjnë para ideologjinë dhe t’ia bëjnë
me dije popullit bindjet e drejta. Këtu disa e bëjnë dallimin midis
intelektualëve dhe inteligjencies: intelektualët janë “prodhues” të ideve,
kurse pjesëtarët e inteligjencies janë ideologë të cilët idetë dhe idealet i
shfrytëzojnë për qëllime konkrete praktike dhe politike.
Shënim: Gjatë krizës politike në Poloni
në vitin 1968, Zygmunt Bauman u
dëbua nga vendi i vet. U detyrua të
hiqte dorë nga shtetësia polake. Emigroi në Izrael. Pas tre vjetëve u vendos në
Mbretërinë e Bashkuar.
* * *
Intelektual është personi me intelekt dhe mendim
analitik shumë të zhvilluar; përfaqësues i punës intelektuale. Ky term
ndonjëherë përdoret gabimisht - nëse i referohet arsimit - si sinonim i një
akademiku. Personi inteligjent ka një gamë të gjerë njohurish dhe mund të
konkurrojë në shumë aspekte. Bazuar në leximet e veta, ai është në gjendje të nxjerrë përfundimet e
veta dhe të marrë qëndrime të cilat
shpesh janë analitike dhe kritike.









