Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Gadishulli Ballkanik
E diele, 07.12.2025, 12:59 PM
GADISHULLI BALLKANIK
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Termi apo nocioni “Ballkan” është
i ngjyrosur me kuptime negative, si: dhunë, mosdurim fetar dhe etnik,
prapambetje e përgjithshme, korrupsion dhe ndarje. Në gjuhën angleze, fjala balkanisation (ballkanizim) ka kuptimin
e copëzimit dhe të intolerancës midis fraksioneve brenda ndonjë grupi.
* * *
Gadishulli Ballkanik
është emërtim i rajonit gjeografik dhe politik të Evropës. Varësisht nga
autorët, në veriperëndim ai kufizohet me
Gjirin e Kvarnerit, Gjiri i Triestes ose me ndonjë vend tjetër në detin
Adriatik. Në lindje kufizohet me grykën
e Danubit në Detin e Zi ose deri në portin e Odesës në Ukrainën e sotme. Duke
pasur parasysh gjerësinë dhe pasigurinë e vendndodhjes së kufijve të rajonit të
përcaktuar kështu ndaj pjesës tjetër të Evropës kontinentale, nga pikëpamja e
profesionit gjeografik nuk është mirë të flitet për një "gadishull".
I pari që e përmendi
historinë e "Gadishullit Ballkanik" ishte natyralisti gjerman Johan August Zene (Johann August Zeune, 12 maj
1778 –14 nëntor 1853), i cili në vitin
1808 sugjeroi të flitet për një gadishull, të kufizuar në veri me Malet
Ballkanike që shtrihen në territorin e Bullgarisë së sotme paralelisht me lumin
Danub. Zene shkroi gabimisht se malet shtriheshin deri në detin Adriatik. Mendimi
i tij më vonë u hodh poshtë njëzëri nga ekspertët gjeologjikë dhe gjeografikë.
Megjithëkëtë, gjatë shekullit XIX termi "Ballkan" u përdor si një
përcaktim gjeopolitik që përfshinte
pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, kufijtë shtetërorë të së cilës gjatë
atij shekulli u tërhoqën gradualisht drejt jugut.
Gjeografi serb, themelues
i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve,
Jovan Cvijiq (1865–1927) është një prej krijuesve të konceptit të
Gadishullit Ballkanik në fillim të shekullit XX. Interpretimet e tij ishin në
përputhje me pretendimet territoriale të Serbisë të fillimit të shekullit XX. Ai
propozoi që edhe Sllovenia të konsiderohej pjesë e Ballkanit. Kufijtë perëndimorë
gjeopolitikë të Ballkanit ai i identifikoi me hapësirën etnike të banuar nga
"serbo-kroatët". Aty i përfshiu edhe sllovenët. Duke qenë se ky është
një koncept gjeopolitik dhe jo
gjeografik, pas ndërprerjes së pranisë së konsiderueshme turke në këto hapësira
gjeografike, për zonat e “Gadishullit Ballkanik” përdoret përgjithësisht termi
"Evropa Juglindore". Kjo zonë, varësisht nga burimet, përfshin edhe pjesë
të Rumanisë e të Moldavisë dhe Qipron. Por, ndonjëherë e përjashton Slloveninë,
Kroacinë dhe Greqinë.
Termi "Gadishulli
Ballkanik" u përdor në hartografi në shekullin XX, por në atë kohë nuk përfshinte zona të Bosnjës dhe
Hercegovinës dhe të Kroacisë.
Rajoni e ka marrë
emrin sipas malit Ballkan të cilin bullgarët e quajnë Mal i Vjetër. Fjala „ballkan“ në turqisht do të thotë mal. “Mal i Vjetër” i bullgarishtes, në
gjuhën turke do të përkthehej si „Koxha Ballkan“.
Realizimi i plotë i
idesë gjeopolitike të "Ballkanit" dukej i arritshëm në vitet 1940. Së
pari, nën patronazhin britanik, në vitin 1941, qeveritë në mërgim të Mbretërisë
së Jugosllavisë dhe të Greqisë ranë dakord për krijimin e një konfederate
ballkanike. Ideja britanike ishte që kjo konfederatë të përfshinte edhe Shqipërinë,
Bullgarinë dhe Rumaninë. Sipas disa historianëve, pas përfundimit të Luftës së
Dytë Botërore, autoritetet komuniste të Jugosllavisë, të Shqipërisë dhe të Bullgarisë
iu afruan realizimit të një ideje të tillë. Ata planifikonin të zgjeronin
federatën jugosllave duke bashkuar Bullgarinë dhe Shqipërinë si republika të
reja. Po qe se do të ishte e mundur, krijimit të një federate të madhe
ballkanike do t'i bashkohej edhe Greqia. Lufta civile greke u zhvillua në vitin 1940 e këndej. Komunistët, të
mbështetur nga shtetet komuniste fqinje, u përpoqën që atë vend ta vinin nën
kontrollin e vet.
Planet për bashkimin
e Ballkanit ranë në ujë kur BRSS pushoi së mbështeturi një ide të tillë në
kohën e Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948. Pas kësaj, synimet e
jugosllavëve për bashkim me Bullgarinë dhe Shqipërinë pushuan.
* * *
Për shkak të
përkufizimit të gadishullit, shumë ekspertë e mohojnë ekzistimin e Ballkanit si
një zonë gjeografike. Sipas disa studiuesve, përkufizimi gjeografik i Ballkanit
bazohet në vargmalet që përfshijnë Dinaridet, Malet Ballkanike, Rodopet, malin Sharr
dhe malin Pind. Ky përkufizimi e përjashton Slloveninë, përjashton pjesë të
Kroacisë dhe të Rumanisë, pjesët veriore të Serbisë, veriun e largët të
Bullgarisë dhe Greqinë jugore.
Ndonjëherë, e tërë
masa tokësore quhet „Gadishull Ballkanik“ për arsye se në jug, në jugperëndim
dhe në juglindje rrethohet nga deti Adriatik, nga deti Jon, nga Deti Egje, nga
deti Marmara dhe nga Deti i Zi. Edhe pse nuk kemi të bëjmë me gadishull të
mirëfilltë, ky emërtim shpesh përdoret për rajonin e gjerë.
* * *
Kufijtë veriorë dhe
perëndimorë të Ballkanit janë të diskutueshëm. Fushat e Danubit dhe të Panonisë
shpesh nuk konsiderohen pjesë e Ballkanit. Ka të tillë që besojnë se pjesët në
veri të lumit Sava dhe të lumit Danub, siç janë Sllovenia dhe pjesa më e madhe
e Rumanisë, nuk janë pjesë e Ballkanit.
Ballkani nuk paraqet
tërësi për shkak të vargmaleve por për shkak të historisë së përbashkët dhe
shpesh të dhunshme të popujve të tij. Kjo histori është shënuar kryesisht nga
shekuj nënshtrimi ndaj Perandorisë Osmane ose luftërash kundër saj, si dhe konfliktesh
të ndërsjella në shekullin XX. Ballkani më shpesh përdoret si një term politik sesa gjeografik ku përfshihen vendet, kulturat e të cilave kanë qenë të
ndërthurura ndër shekuj me kulturën dhe me politikën osmane.
Termi apo nocioni “Ballkan”
është i ngjyrosur me kuptime negative, si: dhunë, mosdurim fetar dhe etnik,
prapambetje e përgjithshme, korrupsion dhe ndarje. Në gjuhën angleze, fjala balkanisation (ballkanizim) ka kuptimin
e copëzimit dhe të intolerancës midis fraksioneve brenda ndonjë grupi.
Për këtë arsye, kjo
fjalë nuk përdoret shpesh në rajonet periferike dhe nganjëherë konsiderohet
përçmuese. Për Ballkanin ekziston edhe një term më neutral siç është “Evropa Juglindore”. Ky nuk është një
term gjeografik për arsye se nuk e përfshin Rumaninë. Ky term përdoret gjithnjë
e më shumë për të për të mjegulluar përfshirjen e vendeve të caktuara në
Ballkan. Për shembull, një nismë e Bashkimit Evropian e vitit 1999 quhet Pakti
i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Në vitin 2003 gazeta online Balkan Times u riemërua në Southeast European Times.
* * *
Ka vende që janë
vendosur në Gadishullin Ballkanik sipas vijës Danub-Sava-Kupa
Me tërë sipërfaqen e tyre, pa ishujt, ndodhen në Ballkan vendet, si: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe
Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Vetëm
pjesërisht në Ballkan ndodhen vendet, si: Serbia 60%, Turqia (Trakia lindore),
Rumania 9% e zonës midis Detit të Zi dhe Danubit, Kroacia me pjesën më të madhe
(në jug të lumit Sava).
Natyra
dhe burimet - Pjesa më e madhe e
rajonit është e mbuluar nga vargmalet. Vargmale kryesore janë Dinaridet në
Bosnje dhe Hercegovinë që vazhdojnë në masivin Sharr-Pind në Shqipëri, Maqedoni
dhe Greqi. Bullgaria e ka Malin Ballkan dhe Rodopet në kufi me Greqinë. Maja më
e lartë është Musala në Bullgari, me lartësi 2925 m.
Në detin Adriatik dhe
në detin Egje klima është mesdhetare. Në brigjet e Detit të Zi klima është oqeanike
e lagësht dhe nëntropikale, ndërsa në brendësi është mesatarisht kontinentale.
Veriu i gadishullit dhe malet kanë dimra të ftohtë dhe me dëborë si dhe verë të
nxehtë dhe të thatë. Në jug, dimrat janë më të butë.
* * *
Në jug dhe në bregdet
rriten dru halorë. Në brendësi ka pyje tipike të Evropës Qendrore (lisi dhe
ahu, në male rriten pishat dhe bredhi). Kufiri i shtrirjes së pyjeve është 1800
deri në 2000 m.
Toka në Ballkan është përgjithësisht
e varfër, përveç fushave ku bari natyror, toka pjellore dhe verat e nxehta janë
të përshtatshme për t’u shfrytëzuar si tokë e punueshme. Në pjesën më të madhe
të gadishullit, bujqësia është e dobët për shkak të maleve, verave të nxehta
dhe tokës së varfër e cila është e përshtatshme vetëm për disa kultura
bujqësore, siç janë ulliri dhe rrushi.
Burimet
e energjisë janë të rralla. Ka qymyr sidomos në Bullgari, në Kosovë, në
Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Depozitat e linjitit janë më të përhapura. Nafta
është e rrallë, ndonëse në Shqipëri dhe në Serbi ka depozita të vogla.
Gjithashtu nuk ka shumë gaz natyror. Ka
një numër të madh hidrocentralesh.
Prej lëndëve të para,
ka sasi të konsiderueshme metalesh. Hekuri
është i rrallë, por disa vende të rajonit kanë sasi të konsiderueshme bakri, zinku, kallaji, kromi, mangani,
magnezi dhe boksiti. Disa metale eksportohen.
E
kaluara dhe e tashmja - Një hartë gjeografike të Kroacisë turke, të
Bosnjës dhe Hercegovinës turke dhe të rajoneve të tjera deri në Stamboll, në
hartën e pushtimeve osmane në Evropë e ka punuar në vitin 1827 hartografi
amerikan Entoni Finlej (Anthony Finley, 25 gusht
1784 - 9 qershor 1836).
Ballkani është rrugë tokësore e drejtë midis Evropës Perëndimore dhe
Azisë Jugperëndimore (Azia e Vogël dhe Lindja e Afërt). Prandaj gjithmonë ka
pasur rëndësi strategjike të madhe.
Dikur pjesa më e madhe e Ballkanit politikisht ka qenë e bashkuar nën Bizantin,
pastaj edhe nën Perandorinë Osmane, kurse qendra e të dy perandorive ka qenë në
Anatoli, e cila sot bie në pjesën aziatike të Turqisë.
Edhe pse nën Bizantin u takonte pjesëve më të përparuara të Evropës, 550
vitet e fundit Ballkani ka qenë pjesa më e pazhvilluar e kontinentit, për arsye
se politika dhe tregtia evropiane i është kthyer oqeanit Atlantik, kurse
Perandoria Osmane ka qenë relativisht e izoluar prej rrjedhave ekonomike dhe
politike kryesore.
Vendet ballkanike nisën të fitojnë pavarësi në shekullin XIX, kështu që
Lidhja Ballkanike e viteve 1912-1913, në Luftërat Ballkanike e dëboi Turqinë
deri në kufijtë e tashëm të saj.
Lufta e Parë Botërore
shpërtheu në vitin 1914 për shkak të vrasjes në Sarajevë të trashëgimtarit të fronit Franc Ferdinad (Franz
Ferdinand Carl Ludwig Joseph Maria of Austria; 18 dhjetor
1863 – 28 qershor 1914). Pas
mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe të Luftës së Dytë Botërore, ndikim të
fuqishëm në Ballkan ushtruan edhe Bashkimi Sovjetik dhe komunizmi.
Gjatë Luftës
së Ftohtë(, shumica e vendeve të Ballkanit ishin nën diktatura
komuniste dhe ishin anëtare të Paktit të Varshavës. Megjithëkëtë, Jugosllavia në
vitin 1948 dhe Shqipëria në vitin 1961, u ndanë nga Bashkimi Sovjetik dhe u
përpoqën të distancoheshin. Jugosllavia u përpoq të afrohej me Perëndimin. Themeloi
edhe Lëvizjen e të Painkuadruarve (e të Paangazhuarve). Shqipëria në fillim iu
drejtua Kinës, kurse më vonë i prishi marrëdhëniet me Pekinin. Të vetmet vende
jokomuniste të Ballkanit ishin Greqia dhe Turqia të cilat atëherë, siç janë
edhe sot, ishin anëtare të NATO-s.
Shënim: Lufta e Ftohtë ishte
konflikt politik midis aleancës së NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja dhe
Traktatit të Varshavës, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Filloi në vitin
1945 dhe u mbyll në vitin 1991.
* * *
Rajoni u prek rëndë nga
luftërat në ish-Jugosllavi që shpërthyen në fillim të viteve 1990. Këto luftëra
çuan në ndërhyrjet e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë dhe në Maqedoni.
Ndërkohë, të gjitha vendet e Ballkanit vendosën marrëdhënie të mira me BE-në
dhe me SHBA-në. Shikuar në përgjithësi, çështja shqiptare në Ballkan ende është
pjesërisht e hapur. Shqiptarët synojnë bashkimin e trojeve historike dhe
krijimin e Shqipërisë etnike.
Anëtarësimi
në Bashkimin Evropian - Greqia
ka qenë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1981. Bullgaria dhe Rumania u
bashkuan në vitin 2007, kurse Kroacia - në vitin 2013. Maqedonia është bërë
kandidate zyrtare, por bisedimet po ecin shumë ngadalë dhe nuk dihet se kur do
të pranohet. Turqia aplikoi për anëtarësim qysh në vitin 1963, por deri në
vitin 2016 nuk arriti të bëhet anëtare. Duke marrë parasysh lëvizjet e
ngadalshme, përkatësisht inekzistente, edhe gjatë nuk do të mund të
anëtarësohet. Edhe pse janë lidhur marrëveshje doganore të caktuara. Edhe vende
të tjera kanë shprehur dëshirën të hyjnë në BE, por ende nuk dihet se kur do ta
arrijnë këtë.
Qëndrimet
e popullit dhe të elitës politike në Kroaci mbi (mos)përkatësinë Ballkanit - Historia e kohëve të
fundit e Kroacisë u shënua së pari nga shembja e Austro-Hungarisë si një kuadër
shtetëror i Evropës Qendrore dhe pranimi i saj në Jugosllavinë e vjetër dhe në
Jugosllavinë e re, shtete me një karakter "ballkanik" të qartë. Pas
përpjekjeve për të zgjidhur çështjen kombëtare brenda kornizës jugosllave
përmes Banovinës së Kroacisë dhe Republikës Socialiste të Kroacisë, trazirat
gjeopolitike në Evropë në vitet 1940 çuan në krijimin e Shtetit të Pavarur të
Kroacisë që ekzistoi vetëm pak kohë dhe në rrethana tragjike. Elitat kroate e
shfrytëzuan më mirë paqëndrueshmërinë gjeopolitike të shkaktuar nga rënia e murit
të Berlinit, nga shpërbërja e BRSS-së dhe nga ngjarje të tjera gjeopolitike dramatike
në Evropë në vitet 1990. Pasoi “Lufta për
atdhe” e viteve 1991-1995. Kroatët arritën ta shkëpusnin përgjithmonë
Republikën e Kroacisë nga Jugosllavia, pra "nga Ballkani". Megjithëkëtë, gjurmët dhe arsyet për
lidhjen me rajonin e Evropës Juglindore pjesërisht ende ekzistojnë. Në vitin 2021
u tha se kufijtë kulturorë të kroatëve
shtrihen në Evropën Qendrore, në "Ballkan" dhe në Mesdhe. Popullsia
identifikohet më lehtë me rrethin kulturor dhe qytetërues mesdhetar, pastaj në
një masë disi më të vogël me Ballkanin, domethënë me "rrethin kulturor dhe
qytetërues të Evropës Juglindore" dhe vetëm pas kësaj, me Evropën
Qendrore. dilema të ngjashme lidhur me identifikimin e përkatësisë rretheve
kulturore dhe qytetëruese vërehen edhe te popujt e vendeve të tjera
post-socialiste të Evropës.
Integrimi
i tregtisë së jashtme të "Ballkanit Perëndimor" brenda kornizës së
CEFTA-s -
Pas rënies së bllokut Lindor, Bashkimi Evropian mbështeti integrimin e
ndërsjellë ekonomik të vendeve deri vonë socialiste në Evropë, brenda kornizës
së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të
Evropës Qendrore (CEFTA). Pasi shumica e vendeve anëtare të CEFTA-s u bënë
anëtare të plota të Bashkimit Evropian, pas vitit 2013, Shqipëria, Kosova, Bosnja
dhe Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mbetën
brenda kornizës së CEFTA-s. Me fjalë të tjera, u krijua një zonë e tregtisë së lirë, kryesisht me
"karakter ballkanik". Në vitin 2022, tregtia e jashtme e Republikës
së Kroacisë realizohej kryesisht me Italinë, Slloveninë, Hungarinë, Gjermaninë
dhe Austrinë. Shkëmbimi tregtar i Kroacisë me vendet e CEFTA-s dhe me vendet anëtare
të BE-së që i përkasin "Ballkanit", arrin më pak se 20%.
Popuj
të Ballkanit - Popuj kryesorë të
rajonit janë: shqiptarët, grekët, malazezët, maqedonasit, serbët, bullgarët,
boshnjakët, kroatët, turqit.
Fetë
kryesore të rajonit janë: krishterimi (ortodoksia) dhe islami, që u përhap
gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.
Ortodoksia
është e përhapur në
Bullgari, në Mali të Zi, në Greqi, në Rumani, në Serbi, në Maqedoni, në
Shqipëri.
Feja islame
është e përhapur në Turqi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë, në Maqedoni,
në Shqipëria, në Serbi, në Bullgari.
Katolicizmi është i përhapur në Kroaci dhe në
Slloveni. Serbët e Kroacisë i përkasin fesë ortodokse. Në Kroaci ka edhe
shqiptarë katolikë që kanë vajtur aty nga Kosova si dhe shqiptarë të fesë
islame, që kanë vajtur aty kryesisht nga Maqedonia. Një numër boshnjakesh
(myslimanë) janë vendosur në Kroaci dhe në Slloveni.
Vendet
me një përzierje të theksuar të feve:
- Shqipëria: feja katolike, feja
ortodokse dhe feja islame; si në vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri
ka individë ateistë;
- Bosnja
dhe Hercegovina: feja islame, islame, feja ortodokse dhe feja katolike;
- Qiproja
(ishull): feja ortodokse dhe feja islame. Grekët janë kryesisht ortodoksë (70-72%
e ishullit); turqit janë kryesisht myslimanë (28–30% e ishullit);
- Maqedonia
e
Veriut: Maqedonasit janë kryesisht ortodoksë, shqiptarët në Maqedoni janë
kryesisht myslimanë. Në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë shqiptarë
katolikë. Në rajonin e Rekës që ndodhet midis Gostivarit dhe Mavrovës, kanë
jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarë të fesë ortodokse. Aty ka lindur poeti,
publicisti dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare Josif Bageri (Nistrovë të Rekës, sot Maqedoni e Veriut, 1868 –
Prishtinë, 1915)
- Kosova
ka një popullsi shumicë absolute shqiptare. Pjesa më e madhe i përkasin fesë
islame, por ka edhe një përqindje të konsiderueshme shqiptarësh katolikë.
Serbët e Kosovës janë të fesë ortodokse.
Siç u pa edhe më
lartë, rreth 30 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë. Greqia
veriore dhe Bullgaria jugperëndimore kanë një pakicë maqedonase. Trakia
(provincë në Greqinë lindore) ka një pakicë myslimane. Greqia ka një bashkësi shqiptare
e cila përbëhet kryesisht nga shqiptarë që emigruan në vitin 1990 e këndej dhe
një komunitet ortodoks të quajtur arvanitë që janë vendosur në Greqi
gjatë Mesjetës. Shqipëria jugore ka një pakicë ortodokse greke në zonën e
Epirit të veriut.
Në Kosovën lindore
(Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) jetojnë shqiptarë. Janë të fesë islame. Në
Sanxhak të Serbisë jetojnë boshnjakë (myslimanë), kurse në Vojvodinë jetojnë
hungarezë katolikë. Në Vojvodinë ka edhe malazezë. Kuptohet, ata i përkasin
fesë ortodokse. Boshnjakë (myslimanë)
jetojnë edhe në Mal të Zi. Në veri të Rumanisë ka hungarezë katolikë. Në Rumani
dhe në Bullgari ka turq.
Sikundër shihet,
Ballkani është përzierje gjuhësh, përkatësish etnike, kulturash, traditash,
zakonesh, dokesh, adetesh, ushqimesh, veshjesh, vallesh, këngësh popullore,
lojërash popullore, instrumentesh dhe veglash muzikore, psikologji, mendësi,
vese, virtyte, vlera, etj. Popujt kanë marrë nga njëri-tjetri dhe i kanë dhënë
vlera njëri-tjetrit. Ballkani në paqe dhe në luftë, fuçi baruti. Mitet dhe
legjendat e lashta ballkanike, Ismail
Kadareja ia përçoi Perëndimit, si asnjë artist tjetër.
Duke u përfshirë në
familjen e botës demokratike, Ballkani do t’i jepte fund Bellum omnium in omnes.










