Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Politika 'bukë dhe argëtim'
E marte, 16.09.2025, 07:05 PM
POLITIKA “BUKË DHE ARGËTIM”
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Panem et circenses (bukë dhe cirk) ose
bukë dhe argëtim, është shprehje
latine që është përdorur në Romën e lashtë.
Një politikë të tillë e zbatojnë ndaj
popujve të vet vendet totalitare, diktatoriale, jodemokratike, kuazi-demokratike
dhe të pazhvilluara. Shtetarët që e zbatojnë këtë politikë, e shtypin popullin
e vet duke e mashtruar atë. Thelbi i politikës
së bukës dhe argëtimit është ta devijojë vëmendjen e rinisë prej problemeve
të mirëfillta dhe të njëmendta të shoqërisë. Me bukë dhe zbavitje, vëmendja e të rinjve përqendrohet në çështje
dytësore, të parëndësishme dhe efemere që nuk e rrezikojnë pushtetin dhe
sundimin e pushtetarëve.
Për ta mbajtur popullin të qetë jepi bukë
dhe argëtim, d.m.th. lojëra cirku. Kjo ka qenë parullë e qarqeve
sunduese në Romën perandorake. Shprehja është marrë nga vargu i 81-të i satirës
X të poetit satirik latin Decim Junije
Juvenal (Decimus Iunius Iuvenalis,
Akvin?, 60 – 130). Juvenali është një prej satirikëve më të njohur në botë. Kësaj
shprehjeje ai i jep kuptim pezhorativ (përçmues). Ai përqesh bashkatdhetarët e
tij të cilët shqetësohen vetëm për stomakun dhe kohën e lirë të tyre për shkak
të shpërndarjes së bukës dhe organizimit të lojërave të cirkut nga perandorët të
cilët synojnë të fitojnë vullnetin e mirë të popullit. Kemi të bëjmë me politikën
e euerzhetizmit (policy of
euergetism):
"Këta romakë, kaq xhelozë, kaq krenarë (...) që dikur
komandonin mbretër dhe kombe (...) dhe sundonin që nga Kapitoli deri në dy
skajet e botës, tani janë shndërruar në skllevër të kënaqësive korruptuese. S’duan
tjetër pos bukë dhe lojëra cirku."
Sot, kjo shprehje përdoret për të
treguar raportet që mund të vendosen midis:
• popullsisë që bie në letargji dhe që nuk
kërkon nga jeta pos të ushqehet dhe të argëtohet, pa u shqetësuar për çështje
më të rëndësishme ose për fatin kolektiv;
• pushtetit që e përdor këtë tendencë
duke promovuar agjenda afatshkurtra, duke lënë mënjanë një perspektivë më të
gjerë.
Jepi popullit bukë, zbavitje të lirë, futboll,
muzikë shund dhe kiç, këngë magjike, pornografi, reality show, shëtitje si në
festën komuniste të “1 Majit”, ceremoni fetare, kazino, bastore, lokale kumari,
lëndë narkotike, ahengje - dhe sundo mbi të si të duash dhe sa të duash. Në
vende të caktuara të botës futbolli ndodhet në krye të listës së argëtimeve.
Qytetarët e atyre vendeve, ndonëse ballafaqohen me probleme ekonomiko-sociale
të theksuara, janë të mpirë nga ky sport, tanimë të shndërruar në biznes. Personi i cili nga sporti krijon zanat, ai
nuk luan - thotë një sociolog.
Nuk duhet ngatërruar thesarin popullor
të një populli me keqpërdorimin e vlerave folklorike të tij. Dikur, kënga e ka
mbajtur gjallë shpirtin e popullit. Sot ajo është bërë mjet përfitimi. Jeta nuk
është vetëm këngë e valle. Zefi më pat thënë: “Profesor, jeta....”
Para shumë vitesh, nën breshërinë e
plumbave, ai kishte ikur nëpër lum a liqen, me të birin 5-6 vjeçar – Torin.
Emri i vërtetë i vogëlushit me sy të përmalluar ishte Hektor. Në përputhje me
konventat ndërkombëtare, grupi prej 3-4 vetave ishte vendosur në hotel. Këta
ishin strehuar në hotel “Astoria”. Pas rreth dy muajve u erdhi përgjigjja prej
dy vendeve tejoqeanik. U përgatitën për nisje. Voglushi i tha të atit: “Atë, të më the se së shpejti do të na
bashkëngjitet edhe nëna.” Burrit me
gjoksin sa një shkëmb, i shkoi ngjyra e fytyrës. Në çastin kur ia përkëdhela
flokët Torit, Zefi më tha “Profesor, jeta ka kusure. Lamtumirë.” “Mirupafshim”,
ia ktheva unë. Regjimet shtypëse duan popuj të fjetur, rini në gjumë.
* * *
Në një perspektivë më të gjerë,
reflektimi i Fjodor Dostojevskit (1821-1881) mbi temën e manipulimit të popujve është
detajuar në parabolën e Inkuizitorit të Madh.
Në këtë histori të marrë nga romani “Vëllezërit
Karamazov”, Inkuizitori i Madh mbron tezën se është e nevojshme të
sigurohet "në mënyrë efektive"
lumturia e popullit. Për këta avokatë të "efikasitetit"
shoqëror nuk është çështje sigurimi i lirisë për njerëzit, me shpresën se ata
do të jenë në gjendje ta përdorin atë, por më tepër të udhëheqin një tufë të
shoqërueshme dhe pasive drejt lumturisë, nën udhëheqjen e "barinjve" të cilët janë të aftë vetëm për gjykim dhe
dinë si t'i udhëheqin turmat duke përdorur në mënyrë inteligjente "misterin",
"mrekullinë" ose "autoritetin".
Kjo ide u paraqit edhe në shekullin XIX
nga orientalisti dhe studiuesi semit francez
që shkruante për gjuhët dhe qytetërimet semite, historiani i fesë, filologu,
filozofi, studiuesi biblik dhe kritiku Ernest Renan (Joseph Ernest Renan; 27.02.1823, Tréguier, Francë
– 02.10.1892, Paris), por në formën e frikës, në shkrimin
e tij “Dialogë filozofikë” (Dialogues philosophiques, 1876). Në shekullin XVI kjo ide ishte paraqitur në një mënyrë cinike
nga politikani, diplomati, filozofi,
historiani dhe poeti italian Nikolo
Makiaveli (Niccolò Machiavelli, 3
maj 1469 – 21/22 qershor 1527) në veprën “Princi”
(Il Principe, 1513, botuar më 1532). Megjithëkëtë, roli i sportit si një
mjet i fuqishëm për depolitizimin dhe
alienimin e masave duhet të merret në konsideratë pasi pa këto lojëra cirku
që tërheqin audienca të mëdha, mund të kishin trazira publike dhe demonstrata
politike.
Në esenë e tij "Mesazhi dhe masazhi" (Message and massage), filozofi kanadez Herbert Marshall MekLuhan (Herbert Marshall McLuhan; Edmondton,
Kanada, 21.07.1911 – 31.12.1980, Toronto, Kanada) thotë se televizioni nuk e ka
këtë pengesë. MekLuhan është personi që i
ka vënë bazat e studimit të teorisë së mediave. Mediumet përcjellin mesazhe apo e
bëjnë masazhin e trurit të njeriut?! Libri “Mediumi është Mesazh:
Inventar i efekteve” (The
Medium is the Massage: An Inventory of Effects,) është shkruar nga analisti mediatik Marshall McLuhan dhe dizajneri grafik Quentin Fiore (12.02.1920 – 13.04.2019).
U botua në vitin 1967 dhe u bë bestseller.
Për më tepër, këshilltari i Presidentit
amerikan Xhimi Karter (Jimmy Carter,
01.10.1924 – 29.12.2024) dhe
anëtar i Komisionit trepalësh, Zbignjev
Bzhezhinski (Zbigniew Brzezi?ski; Varshavë, Poloni, 28.03.1928 – 26.05.2017,
Inova Fairfax Medical Campus Woodburn, Virginia) e propozoi
një koncept të ngjashëm: "argëtim me gjinj" (tittytainment) që i referohej një nënsistemi të mbështetur apo të
zbatuar, për të parandaluar kritikën
politike prej personave që kanë mbetur pas nga liberalizmi dhe globalizmi. Sipas
këtij koncepti, ky lloj argëtimi duhet
të përhapet kudo që t’ua mpijë mendjet njerëzve dhe t’u ofrojë atyre kënaqësi të
mjaftueshme që t’i plotësojnë nevojat themelore.
Një koncept i ngjashëm “i zbavitjes me gjinj” (tittytainment) është marrë edhe nga filozofi
francez Zhan-Klod Mishea (Jean-Claude
Michéa; Guéret, 1950 - ). Mishea
është autor i eseve kushtuar veprës së romancierit anglez Xhorxh Oruel (George Orwell, 1903-1950).
Shënim: Xhorxh Orueli
(25.06.1903 – 21.01.1950) është romancier,
poet, eseist, gazetar dhe kritik anglez. Emri i vërtetë i tij është Eric Arthur
Blair. Vepra e tij karakterizohet nga kritika sociale, kundërshtimi i çdo lloj
totalitarizmi dhe mbështetja e socializmit demokratik.