Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: 25 vjet nga rënia e regjimit të zjarrvënësit të Ballkanit – Millosheviqit
E marte, 07.10.2025, 06:59 PM
25 VET NGA RËNIA E REGJIMIT TË ZJARRVËNËSIT TË BALLKANIT - MILOSHEVIQIT
SERBIA SHPRESONTE PËR DEMOKRACI, POR ATËHERË IA
BEHU VUÇIQI
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Më 5 tetot të viti 2000 i erdhi fundi sundimit të kasapit të rajonit,
Milosheviqit. Kaluan 25 vjet nga demonstratat masive në rrugët e Beogradit. Piromani
i Ballkanit ra nga froni, kurse regjimi i tij u shemb. Ky regjim do të mbahet
në mend për luftërat, sanksionet, krizat, inflacionin milionësh dhe
rrokullisjen ekonomike të Serbisë.
Në protestat e 5 tetorit të vitit 2000, në qendër të Beogradit vërshuan
qindra mijë njerëz nga të gjitha anët e Serbisë, të provokuar nga vendimi i
Komisionit Republikan të Zgjedhjeve për të mos e njohur fitoren e kandidatit
për kryetar të Opozitës Demokratike të Serbisë (akronimi në serbisht: DOS) - Vojislav
Koshtunicës (1944- ), në zgjedhjet e 24 shtatorit të të njëjtit vit.
Koalicioni DOS përbëhej prej 19 partive. Nga Slobodan Milosheviqi
(Pozharevac, 1941 - burgu Sheveningen në Hagë, Holandë, 2006) kërkohej që deri
më 5 tetor 2000 të pranojë humbjen në zgjedhjet federative, vendore dhe
presidenciale. U kërkua edhe dorëheqja e drejtorisë së televizionit shtetëror
(RTS) në mënyrë që të krijohet hapësirë për politikë redaktuese objektive të
shërbimit publik, në vend të propagandës lakuriqe të regjimit.
Opozita ngulte këmbë se Koshtunica ka fituar 52,54 për qind të votave dhe
i kundërshtonte përpjekjet e pushtetit të Milosheviqit për të shkuar në rrethin
e dytë të zgjedhjeve.
Besimi në demokraci dhe kthesa
tragjike – Rrugët e Beogradit, sidomos zona para ndërtesës së Kuvendit Federativ
të atëhershëm, më 5 tetor 2000, u vërshuan nga qindra mijë qytetarë të
Beogradit dhe nga njerëz të cilët ende pa gdhirë kishin mbërritur nga të gjitha
anët e Serbisë, me autobusë, me automobila të vet, me kamionë. Ka pasur
demonstrues të cilët bllokadat dhe barrierat e policisë i kanë shembur me
buldozerë.
Protestuesit zotëruan ndërtesën e parlamentit. Ndërtesa pjesërisht u
plaçkit, u dogj dhe u devastua (u shkatërrua). Demonstruesit e morën edhe
ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), drejtorinë e tij ndërkaq, e
dëbuan.
Kah fundi i ditës, policia dhe njësitë speciale të saj kaluan në anën e
protestuesve. Gjatë protestave, humbën jetën dy veta – një protestuese dhe një
polic, ndërsa 65 veta u lënduan.
Më 6 tetor 2000, nën një trysni të tillë, Milosheviqi i pranoi humbjen,
kurse Koshtunicës ia uroi fitoren.
Shumë qytetarë të Serbisë besonin se kjo është humbja përfundimtare e
regjimit autoritar. Shpresonin se tani do të fillonin ndryshimet demokratike
rrënjësore. I besonin qeverisë së kryeministrit reformator Zoran Gjingjiq (1952-2003).
Por, idili i demokracisë zgjati tejet shkurtër.
Kryeministri Gjingjiq u vra në atentat më 12 mars 2003, kurse opozita
demokratike ideologjikisht heterogjene shpejt u shpërbë. Konservatori Vojislav
Koshtunica u tërhoq nga skena politike, Partia Demokratike e Gjingjiqit u
shpërbë në disa fraksione. As ngadhënjyesit e tjerë të 5 tetorit historik të
vitit 2000 nuk ia dolën t’u qëndrojnë premtimeve të dhëna as t’i zbatojnë në
mënyrë konsekuente në vepër.
Çerek shekulli nga ajo datë e rëndësishme
e historisë më të re të Serbisë, sot janë të rrallë ata që objektivisht dhe
bindshëm do të pohojnë se ai “shkëlqim
historik i demokracisë” e ka shtyrë atë vend me hapa të mëdhenj në familjen
evropiane të kombeve të çmuara.
* * *
Për shkak të akuzave për krime lufte, Milosheviqi
iu dorëzua gjykatës në Hagë, në kohën e qeverisjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq, i pari i zgjedhur në
mënyrë demokratike. Milosheviqi vdiq në vitin 2006 në burgun Sheveningen, pa e
përjetuar aktgjykimin. Në pushtet ishte pak më shumë se dhjetë vjet. Serbia
priste demokraci, por pasoi një kthesë tragjike.
OGLAS
* * *
Zoran Gjingjiqi donte një Serbi
normale. Ai kishte do virtyte që vështirë të gjenden në botën politike. I kuptoi
lojërat e pushtetit, por në fund edhe vet u bë viktimë e tyre. Cili ka qenë
roli i tij 20 vjet pas vrasjes? Kur u vra
pas gati dy vjet në detyrën e kryeministrit të Serbisë, shumë gazetarë në
nekrologjitë e tyre e përshkruan atë si një "politikan
të jashtëzakonshëm". Por ai nuk
donte të ishte i jashtëzakonshëm. Atributi i dyshimtë i një personi përjashtues
dhe të jashtëzakonshëm i shkonte më shumë kundërshtarit të tij politik të asaj
kohe, Milosheviqit.
Përkundrazi, Gjingjiqi donte të ishte
një njeri normal i cili nuk noton mbi valët e
miteve kombëtare, por merret me probleme ekonomike dhe sociale, njeri që
kërkon modele që mund t'i zbatojë në jetën e përditshme dhe jo të nxisë trazira.
Por Gjingjiqi mbeti një përjashtim. Në
vend që ta ndiqte atë në rrugën drejt Evropës, Serbia ishte një vend i rraskapitur,
me lëvizjet midis Lindjes dhe Perëndimit. Një kurs i tillë në kohë lufte kërkon
më shumë shkathtësi sesa kishte vetë Gjingjiqi.
Farkëtari i 5 tetorit -
Si personalitet, kreu i atëhershëm i Partisë Demokratike, Gjingjiqi, vërtet
ishte një fenomen i jashtëzakonshëm. Tejet i shkolluar, depërtues dhe i pajisur
me një energji politike të konsiderueshme, njeri me integritet dhe i sjellshëm,
ai kishte do virtyte që në politikë s’i gjen dot lehtë.
Akti me rëndësi i tij ishte revolucioni
që e orkestroi kundër Milosheviqit, e që kaloi pa një gjakderdhje të madhe.
Autokrati Milosheviq pa dyshim u dobësua pas luftës së fundit të humbur, luftës
në Kosovë. Por ai ende kishte pas vete një aparat efektiv pushteti. Reputacioni
i Milosheviqit në popull ishte i lartë, por Gjingjiqi krijoi në qetësi një
koalicion të gjerë.
Për të parandaluar ndërhyrjen më 5 tetor
të Beretave të Kuqe, Gjingjiq u takua
edhe me komandantin e Njësisë së Operacioneve Speciale, Milorad Ulemek “Legia” (1968- ) i cili më vonë u bë xhelati i tij.
Shënim:
Milorad Ulemek “Legia” (Beograd,
1968- ) ka qenë një prej organizuesve kryesorë të vrasjes së kryeministrit të
Serbisë Zoran Gjingjiq dhe të
ish-kryetarit të Kryesisë së Serbisë, Ivan
Stamboliq (1936-2000). Ulemeku katër herë u dënua nga 40 vjet në formë të
prerë. Është në vuajtje vetëm të një dënimi prej dyzet vjetësh. Vrasës i
Gjingjiqit ka qenë Zvezdan Jovanoviq (Pejë,
1965- ).
* * *
Qeveria që formoi Gjingjiqi pas
përmbysjes së Milosheviqit nuk e kishte aparatin e duhur të forcës. Ushtria,
policia dhe do pjesë të burokracisë nuk ishin besnike ndaj shtetit, por ndaj
ish-presidentit Milosheviq. Kur Milosheviqi u largua nga skena, këto struktura u
dhanë pas interesave të veta.
Opozita demokratike e Serbisë ishte një tufë e polarizuar disidentësh, nga e
djathta e skajshme deri tek e majta e skajshme, e cila kurrë më parë nuk ishte
paraqitur para votuesve në atë përbërje. Gjingjiqi me karizmën e tij arriti të krijonte
një unazë rreth këtij grupi. Parullat i diktonte ai. Në kartën evropiane
investoi gjithçka. Vendimi më i vështirë i tij ishte ekstradimi i Milosheviqit
në Tribunalin e Hagës. Për t’u afruar Serbia me Bashkimin Evropian, ky ishte një
çmim që duhej të paguante ajo. Gjingjiqi e dinte këtë.
Politikisht Gjingjiqi u rrit si një i ri
në protestat e studentëve në maj të vitit 1968 Beograd dhe në Evropë. Si
student në Beograd, i përvetësoi veprat e
anarkistëve rusë dhe kundërshtoi brezin e thinjur të partizanëve, të
udhëhequr nga Josip Broz Tito i cili e ka drejtuar ish-Jugosllavinë për dekada
të tëra.
Në vitin 1978, me një bursë, Gjingjiqi mori
doktoratën në filozofi në Konstanz të Gjermanisë. Më pas shkoi të punonte me filozofin gjerman dhe
teoricienin social në traditën e teorisë kritike dhe të pragmatizmit, Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, 1929- ) i cili ishte ikonë e
Shkollës së Frankfurtit.
Në qarqet intelektuale, ai merrte pjesë
me lehtësi në debatet teorike në gjermanisht. Kur u kthye në Beograd në fund të
viteve ’80 të qindvjeçarit XX, ai nuk ishte më një utopist social, por një pragmatist liberal. Gjingjiqi kurrë s’e
fshehu se sa i ndikuar ishte nga konceptet universitare gjermane të viteve ‘70.
Lufta për pushtet - Pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2000, Gjingjiqi u
angazhua në çështjen e rregullimit të pushtetit, përfshi edhe kushtetutën që për
të s’ishte veçse një mbetje e epokës së Milosheviqit. Ai besonte se në Serbi
kishte ndodhur një revolucion i vërtetë.
Por për presidentin e ri Vojislav Koshtunica, një legalist anglofil, protestat në rrugë
nuk ishin gjë tjetër veçse një korrigjim i zgjedhjeve të vjedhura më parë. Brenda
pak javëve, dy liderët e Serbisë së re u bënë rivalë të ashpër. As pas vrasjes,
Koshtunica nuk ka shkuar të nderojë Gjingjiqin, s’ka bërë homazh në vendin ku
prehet ai.
Viktima e politikës së vet të denjë - Në Serbi nuk
kanë munguar kurrë ofendimet ndaj Gjingjiqit. E kanë quajtur "Shvaba” (gjermani). Kundërshtarët
e tij në Serbi thoshin se ai është i manipuluar nga Gjermania, është instrument
në duart e gjermanëve, spiunë i Berlinit, njeri i padenjë. Kur ai solli një fabrikë amerikane
duhani në vendin pa industri siç qe Serbia, kontrabandistët e cigareve e
akuzuan atë për kontrabandë cigaresh. Sakaq u shtruan dilemat: A thua nuk iku
ai në kohën e bombardimeve të NATO-s në vatrën e krimit, në Mal të Zi? Në prag
të 5 tetorit, a nuk bëri një "marrëveshje” të ndyrë me liderin e skuadrës
së vdekjeve si Beretat e Kuqe? A thua
gjatë luftës nuk iu afrua Radovan
Karaxhiqit (1945- ), vetëm për ta dëmtuar Milosheviqin?
Si opozitar, Gjingjiqi nuk nguronte të
mbante kontakte edhe me kriminelët e luftës dhe me bosët e krimit. Por, kur e mori
pushtetin, Gjingjiqi nuk u tërhoq asnjë milimetër në luftën kundër këtyre
strukturave. Ky qëndrim i kushtoi atij me jetë. Plumbi i snajperit i erdhi pikërisht
nga pjesëtarët e njësisë Beretat e Kuqe.
Pas vdekjes së "politikanit të jashtëzakonshëm”, në Serbi u rikthye
dalëngadalë një normalitet paralizues, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
* * *
OGLAS
Pas vrasjes së
Gjingjiqit Serbia udhëhiqet prej bashkëpunëtorëve të Milosheviqit - Pushtetin në Serbi, çerek shekulli më vonë, e ndajnë
pasardhësit politikë të regjimit të Milosheviqit. Partia Socialiste e Serbisë,
e tij, që e udhëheq Ivica Daçiqi (1966-
), është partnere kyçe e koalicionit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS)
dominuese, e cila është derivate e Partisë Radikale Serbe e
të akuzuarit të Hagës dhe partnerit të dikurshëm të koalicionit të
Milosheviqit, Vojislav Sheshel (1954-
).
Aleksandar Vuçiqi (1970-
) dikur ka qenë bashkëpunëtor i afërt i kriminelit të luftës Vojislav
Sheshelit. Në vitin 1999 ka qenë ministër i Informimit i qeverisë nën
Molosheviqin. Vite me radhë ka qenë udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe
(shkurtesa serbe: SNS). Tani është në fund të mandatit të dytë si kryetar i
Serbisë. Mbi dhjetë vjet është alfa dhe
omega e pushtetit në Serbi. Disa herë ka thënë se nuk do të kandidohet për
së treti. Por, vitet e fundit regjimi autoritar i tij është i ngarkuar me shumë
afera, me korrupsion dhe me projekte të dyshimta, me një borxh shtetëror që arrin
mbi 38
miliardë euro dhe me labirintin politiko-ekonomik midis Bashkimit
Evropian, ku synon të anëtarësohet, si dhe Rusisë e Kinës, të cilat i sheh si
miq dhe partnere besnike të tij.
Kriza e pushtetit të
Vuçiqit – Kriza e pushtetit të Vuçiqit u
përshpejtua me tragjedinë që ndodhi më 1 nëntor të vitit 2024 kur me rënien e
strehës së stacionit hekurudhor të rinovuar para do kohësh në Novi-Sad, humbën
jetën 16 veta, kryesisht të rinj, kurse një person është i lënduar dhe ka
mbetur me pasoja të përhershme. Kjo tragjedi shkaktoi protesta masive. Sipas
protestuesve, fajtor kryesor i kësaj tragjedie është pushteti. Punët korruptive
të tij dhe punimet e rikonstruktimit të stacionit, të kryera në mënyrë të
pandërgjegjshme kanë shkaktuar rënien vdekjeprurëse të strehës.
Protestat pothuajse
të përditshme që zgjasin tanimë 11 muaj, i udhëheq lëvizja studentore qëllimet
kryesore të të cilëve janë vendosja e shoqërisë demokratike, ndërtimi i vlerave
evropiane, sundimi i së drejtës dhe i institucioneve, në vend të oligarkisë
partiake të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Protestat dhe
lëvizjen studentore e cila e ka fituar mbështetjen e gjerë të bashkësisë
akademike dhe të qarqeve shoqërore mbizotëruese, pushteti i Vuçiqit i quan “revolucion i ngjyrosur” dhe synon
t’i shuajë me represion gjithnjë më të hapur, me arrestime, me rrahjen e
veprimtarëve si dhe me procese politike në organet e gjyqësisë.
Qendra e
Beogradit para parlamentit të shtetit, e cila më 5 tetor të vitit 2000 ishte
vatër e rënies së regjimit të Milosheviqit, sot është qendër banimi e tendave
të ithtarëve të Vuçiqit, kurse në Parkun e Pionierëve, para zyrës zyrtare të
tij, qysh në prill është ngritur një kamp, gjoja i një grupi studentësh,
kundërshtar të lëvizjes studentore burimore. Në të vërtetë, ata s’janë veçse
persona të cilët kundërshtarët e Vuçiqit i shohin si banditë me të kaluar të dyshimtë dhe si “gardë pretoriane”* e tij.
Shënim: Garda pretoriane ka qenë njësi elitare e ushtrisë perandorake të
Romës, anëtarët e së cilës kanë shërbyer si truproja personale dhesi agjentë të inteligjencës për perandorët
romakë. Gjatë Republikës së Romës, pretorianët kanë shërbyer si shoqërues të zyrtarëve
të lartë, duke përfshirë senatorët dhe guvernatorët e provincave, siç janë prokuratorët.
Në legjionet romake kanë shërbyer edhe si truproja të oficerëve të lartë.
Policia serbe ka qenë dhe mbetet polici e regjimit dhe
e partisë.