E diele, 28.09.2025, 10:13 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Pjatalarësit dhe politika

E diele, 28.09.2025, 06:58 PM


PJATALARËSIT DHE POLITIKA

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Në botën shqiptare ka pjatalarës që pretendojnë të merren me politikë. Në mesin e tyre ka edhe të tillë që e konsiderojnë veten edhe ideologë të kauzës kombëtare. Në mos ideologë, të paktën shokë dhe miq të politikanëve apo të etërve të kombit.

Çdokush mund të jetë i mirë dhe i dobishëm në punën e vet, në profesionin e vet apo në zanatin që ushtron.

Politika është veprimtari komplekse që kërkon përgatitje të madhe, nivel të lartë arsimimi, tradita familjare, përvojë të madhe dhe vlera etike. Politika nuk është rrenë as mashtrim. Për politikën ka dhjetëra përkufizime. Njeriu mund të jetë atdhetar apo patriot pa u marrë me politikë, pa qenë deputet, ministër apo kryetar komune, përkatësisht bashkie. Politika bazohet në normat etike. Politika që i nëpërkëmbë vlerat morale nuk është veçse tregti politike.

Çdo njeri është i rëndësishëm në profesionin që ushtron. Çdo zejtar apo zanatçi është i rëndësishëm për shoqërinë dhe për komunitetin. I vlefshëm është berberi, floktari, këpucari, zdrukthëtari, poçari, nallbani, automekaniku, bojaxhiu, tregtari, tyxhari, shitblerësi, agjenti tregtar, rrobaqepësi, rrobalarësi, nallexhiu, zhguntari, teneqexhiu, teneqepunuesi, bravapunuesi, gomisteri, rabaxhiu, jorganxhiu, jorganpunuesi, xhamaxhiu, qelqpunuesi, hamaxhiu, orëndreqësi apo sahatçiu, pjatalarësi, djathëshitësi, ëmbëltori, byrekshitësi, simitçiu, bukëpjekësi, bozaxhiu, qebaptori, valëvitësi, leshpunuesi, vorbari, shtambari, sharrëxhiu, samarxhiu, basmaxhiu, daullexhiu, dajrexhiu, farkëtari, druprerësi, drushitësi, ndërtimtari, pllakangjitësi, gurpunuesi, gurgdhendësi, drugdhendësi, ksilografi, muratori, taksisti, pulari, traktoristi, shoferi, ngasësi, ngasësi i kamionit, kazanxhiu, kazanpunuesi, lëkurëtari, kopshtari, vreshtari, bujku, blegtori, bariu, çobani, lopari, abaxhiu, dyqanxhiu, artari, argjendari, derrari, makinisti, elektricisti, auto-elektricisti, mobilieri, dyqanxhiu, autolarësi, libralidhësi, hidrauliku, rojtari, pastruesi, higjieniku, gjuetari, kuzhinieri, varrmihësi, kasapi, mishshitësi, kamerieri, postieri, asfaltuesi, gazetashitësi etj.

Pa mjeshtrit apo ustallarët e sipërthënë, një shoqëri nuk mund të ekzistojë. Zanatet e sipërthëna, në forma bashkëkohore, ekzistojnë edhe në vendet e industrializuar.

Por, bozaxhinjtë, djathëshitësit, pjatalarësit dhe taksistët duhet ta dinë se nuk mund të jenë udhëheqës apo prijës politikë të popujve të tyre. Ata nuk duhet të lodhen e të merren me ideologji politike për arsye se çështja e ideologjisë kërkon shkollë të madhe.

Ka bozaxhinj dhe ngasës kamioni që thonë: “Nëse nuk mund të vihem në krye të kauzës kombëtare, të paktën të jem pranë liderit partiak aktual.”

Shumë shqiptarë, me dekada kanë punuar në Perëndim. Një pjesë e tyre janë vënë edhe në shërbim të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në Maqedoni e kanë ndihmuar dhe e kanë mbështetur në forma të ndryshme. Kjo pjesë e kombit meriton respekt dhe mirënjohje. Për fat të keq, ka raste kur ndodhin edhe keqpërdorime. Atdhetarizmi apo patriotizmi nuk janë mall që blihet apo që shitet. Atdhetarizmi apo patriotizmi nuk duhet të jenë pronë e dikujt. Ata janë detyrim i çdo shqiptari, i popullit shqiptar. Atdhetarizmi nuk duhet të jetë çështje partiake. Atdhetarizmi i përket tërë popullit shqiptar. Çdo shqiptar, atdhetarizmin e ka detyrë dhe imperativ të kohës. Secili i kontribuon çështjes në mënyrën e vet. E hamë bukën e shqiptarit, ndaj medoemos të jemi në shërbim të tij.

Përçarjet në botën shqiptare nuk i shërbejnë shqiptarisë. “Unë jam më patriot se ti ngase unë kam kontribuar, me dekada, më shumë se ti, ose shumë më tepër se ti.” Madje ka raste kur grupe të caktuara e shpallin njëri-tjetrin tradhtarë.

Por, ka diçka që duket, e kjo është lufta çlirimtare në Kosovë e viteve 1998-1999, lufta çlirimtare në Maqedoni e viti 2001 dhe lufta çlirimtare e UÇPMB-së në Kosovën lindore. Ajo që shihet është çlirimi i Kosovës prej pushtuesve serbomëdhenj dhe shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të viti 2008. Historia nuk do të merret me veprime johistorike.

S’ka pasur lëvizje politike kombëtare në historinë e botës ku s’ka pasur përplasje dhe mosmarrëveshje, madje edhe përplasje luftarake brenda të njëjtës lëvizje. Ka ndodhur shpesh kur përplasjet brenda një lëvizjeje e kanë penguar arritjen e objektivit. Luftërat e shqiptarëve gjatë shekullit XX paraqesin vazhdim të idealeve të Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878).

Historia duhet ta respektojë çdo veprimtar të kauzës kombëtare, çdo luftëtar të lirisë, çdo dëshmor, çdo të plagosur, çdo shqiptar që është dënuar nga politika fashiste serbe. Luftëtarët e lirisë duhet të nderohen në rrugën institucionale dhe jo në rrugën partiake.

Veprimtarët e lirisë dhe çlirimtarët janë historia vetë. Ata janë më shumë se një parti,  janë pjesa më e çmuar e kombit. Askush s’i del dot historisë para. Askush s’është mbi historinë. Vlerësimin e proceseve historike s’e bëjnë dot bozaxhinjtë dhe ngasësit e kamionëve. Vlerësimin e figurave historike s’e bëjnë dot enëlarësit. Këtë e bëjnë akademitë dhe akademikët. Personalitetet historike nuk duhet të manipulohen për qëllime partiake. Partitë shkojnë e vijnë, kurse figurat e tilla mbeten. Figurat historike nuk duhet të përdoren për qëllime të politikës ditore. Politika ditore sot është, nesër s’është.

Shqiptarët duhet të shkojnë në hap me tendencën historike. Ideologjitë totalitare në botën shqiptare kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë. Sot shqiptarët synojnë integrimin e NATO dhe në BE. Aleate e shqiptarëve është Amerika.

*   *   *

S’ka dyshim se personat që i ushtrojnë veprimtaritë e sipërthëna mund të jenë dhe duhet të jenë pjesë e proceseve politike kombëtare, por jo edhe të pretendojnë të vihen në krye të kauzës kombëtare. Mbreti jugosllav Josip Brozi (1892-1980) nuk kishte shkollë. Ishte bravapunues, d.m.th. bravar. Në krye të shtetit ishte në vitet 1944-1980. Në vitet 1991-1995  shteti që kishte drejtuar me dekada u shpërbë me njëqindmijë të vrarë. Një kohë, zëvendës i tij ishte serbi Aleksandar Rankoviq (1909-1983). Edhe ky ka qenë partizan dhe pa shkollë. Me zanat ka qenë zhguntar. Shumë udhëheqës të shteteve komuniste kanë qenë pa shkollë.

Ka edhe akademikë pa shkollë. I tillë ka qenë shkrimtari Dobrica Qosiq (1921-2014) i quajtur baba i kombit serb. Ka pasur të kryer shkollë të mesme bujqësore. Vajza e tij, historiane e letërsisë, Dr. Ana Qosiq Vukiq (1954- ) deklaron: „Dobrica ka qenë babai im dhe jo babai i kombit“.

*   *   *

Ka raste kur individë apo grupe krijojnë raporte me pushtetarë apo me faktorë të caktuar. Pas një kohe, i prishin raportet me ata për t’u lidhur me të tjerë. Kjo kategori njerëzish nuk duan ta shohin veten të margjinalizuar, ndaj gjithmonë tentojnë të jenë në krah të grupit “politik” apo “kombëtar” të caktuar.

Ka pasur raste kur një teneqepunues e ka mohuar dhe e ka denigruar një figurë kombëtare të shquar. Jo të gjithë kanë qenë teneqexhi. Midis denigruesve ka pasur edhe “personalitete” politike dhe kombëtare. Kanë tentuar ta denigrojnë edhe personalitetin historik, në varrimin e të cilit kanë marrë pjesë qindra mijë veta. Pas njëzet vjetëve, denigruesit kanë marrë nga një tufë lule dhe “tradhtarëve të kombit” u kanë shkuar te varri për t’u bërë homazh.

Madhështinë e personaliteteve të kombit e matin historianët dhe akademikët dhe jo bozaxhinjtë.

*   *   *

Nuk duhet harruar se ka njerëz që nuk kanë shkollë të madhe, por janë bujarë, fisnikë, dorëdhënë, solidarë, kontribuues, humanë, altruistë, trima, të guximshëm, sakrifikues, të besës, të punës, të zgjuar, të ndershëm, inteligjentë etj. Në rrethana të caktuara, ata janë më të vlefshëm se shumë të tjerë që hiqen sikur kanë shkolla, sikur janë intelektualë, me tituj akademikë.

Ajo që dikush e quan diasporë, nuk duhet të shërbejë për shfrytëzim apo eksploatim. Të gjithë ata meritojnë të respektohen nga bashkëkombësit e tyre kudo në trojet shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx