| E diele, 28.09.2025, 06:58 PM |
PJATALARËSIT DHE POLITIKA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Çdokush mund të jetë i mirë dhe i dobishëm në punën e vet,
në profesionin e vet apo në zanatin që ushtron.
Politika është veprimtari komplekse që kërkon përgatitje të
madhe, nivel të lartë arsimimi, tradita familjare, përvojë të madhe dhe vlera
etike. Politika nuk është rrenë as mashtrim. Për politikën ka dhjetëra
përkufizime. Njeriu mund të jetë atdhetar apo patriot pa u marrë me politikë,
pa qenë deputet, ministër apo kryetar komune, përkatësisht bashkie. Politika
bazohet në normat etike. Politika që i nëpërkëmbë vlerat morale nuk është veçse
tregti politike.
Çdo njeri është i rëndësishëm në profesionin që ushtron. Çdo
zejtar apo zanatçi është i rëndësishëm për shoqërinë dhe për komunitetin. I
vlefshëm është berberi, floktari, këpucari, zdrukthëtari, poçari, nallbani,
automekaniku, bojaxhiu, tregtari, tyxhari, shitblerësi, agjenti tregtar,
rrobaqepësi, rrobalarësi, nallexhiu, zhguntari, teneqexhiu, teneqepunuesi,
bravapunuesi, gomisteri, rabaxhiu, jorganxhiu, jorganpunuesi, xhamaxhiu,
qelqpunuesi, hamaxhiu, orëndreqësi apo sahatçiu, pjatalarësi, djathëshitësi,
ëmbëltori, byrekshitësi, simitçiu, bukëpjekësi, bozaxhiu, qebaptori,
valëvitësi, leshpunuesi, vorbari, shtambari, sharrëxhiu, samarxhiu, basmaxhiu,
daullexhiu, dajrexhiu, farkëtari, druprerësi, drushitësi, ndërtimtari, pllakangjitësi,
gurpunuesi, gurgdhendësi, drugdhendësi, ksilografi, muratori, taksisti, pulari,
traktoristi, shoferi, ngasësi, ngasësi i kamionit, kazanxhiu, kazanpunuesi,
lëkurëtari, kopshtari, vreshtari, bujku, blegtori, bariu, çobani, lopari,
abaxhiu, dyqanxhiu, artari, argjendari, derrari, makinisti, elektricisti,
auto-elektricisti, mobilieri, dyqanxhiu, autolarësi, libralidhësi, hidrauliku,
rojtari, pastruesi, higjieniku, gjuetari, kuzhinieri, varrmihësi, kasapi,
mishshitësi, kamerieri, postieri, asfaltuesi, gazetashitësi etj.
Pa mjeshtrit apo ustallarët e sipërthënë, një shoqëri nuk
mund të ekzistojë. Zanatet e sipërthëna, në forma bashkëkohore, ekzistojnë edhe
në vendet e industrializuar.
Por, bozaxhinjtë, djathëshitësit, pjatalarësit dhe taksistët
duhet ta dinë se nuk mund të jenë udhëheqës apo prijës politikë të popujve të
tyre. Ata nuk duhet të lodhen e të merren me ideologji politike për arsye se
çështja e ideologjisë kërkon shkollë të madhe.
Ka bozaxhinj dhe ngasës kamioni që thonë: “Nëse nuk mund të vihem në krye të kauzës
kombëtare, të paktën të jem pranë liderit partiak aktual.”
Shumë shqiptarë, me dekada kanë punuar në Perëndim. Një
pjesë e tyre janë vënë edhe në shërbim të zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në Maqedoni e kanë ndihmuar dhe e
kanë mbështetur në forma të ndryshme. Kjo pjesë e kombit meriton respekt dhe
mirënjohje. Për fat të keq, ka raste kur ndodhin edhe keqpërdorime.
Atdhetarizmi apo patriotizmi nuk janë mall që blihet apo që shitet. Atdhetarizmi
apo patriotizmi nuk duhet të jenë pronë e dikujt. Ata janë detyrim i çdo
shqiptari, i popullit shqiptar. Atdhetarizmi nuk duhet të jetë çështje
partiake. Atdhetarizmi i përket tërë popullit shqiptar. Çdo shqiptar,
atdhetarizmin e ka detyrë dhe imperativ të kohës. Secili i kontribuon çështjes
në mënyrën e vet. E hamë bukën e shqiptarit, ndaj medoemos të jemi në shërbim
të tij.
Përçarjet në botën shqiptare nuk i shërbejnë shqiptarisë. “Unë jam më patriot se ti ngase unë kam
kontribuar, me dekada, më shumë se ti, ose shumë më tepër se ti.” Madje ka
raste kur grupe të caktuara e shpallin njëri-tjetrin tradhtarë.
Por, ka diçka që duket, e kjo është lufta çlirimtare në
Kosovë e viteve 1998-1999, lufta çlirimtare në Maqedoni e viti 2001 dhe lufta
çlirimtare e UÇPMB-së në Kosovën lindore. Ajo që shihet është çlirimi i Kosovës
prej pushtuesve serbomëdhenj dhe shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të
viti 2008. Historia nuk do të merret me veprime johistorike.
S’ka pasur lëvizje politike kombëtare në historinë e botës
ku s’ka pasur përplasje dhe mosmarrëveshje, madje edhe përplasje luftarake
brenda të njëjtës lëvizje. Ka ndodhur shpesh kur përplasjet brenda një
lëvizjeje e kanë penguar arritjen e objektivit. Luftërat e shqiptarëve gjatë
shekullit XX paraqesin vazhdim të idealeve të Lidhjes së Prizrenit (10 qershor
1878).
Historia duhet ta respektojë çdo veprimtar të kauzës
kombëtare, çdo luftëtar të lirisë, çdo dëshmor, çdo të plagosur, çdo shqiptar
që është dënuar nga politika fashiste serbe. Luftëtarët e lirisë duhet të
nderohen në rrugën institucionale dhe jo në rrugën partiake.
Veprimtarët e lirisë dhe çlirimtarët janë historia vetë. Ata
janë më shumë se një parti, janë pjesa
më e çmuar e kombit. Askush s’i del dot historisë para. Askush s’është mbi
historinë. Vlerësimin e proceseve historike s’e bëjnë dot bozaxhinjtë dhe
ngasësit e kamionëve. Vlerësimin e figurave historike s’e bëjnë dot enëlarësit.
Këtë e bëjnë akademitë dhe akademikët. Personalitetet historike nuk duhet të
manipulohen për qëllime partiake. Partitë shkojnë e vijnë, kurse figurat e
tilla mbeten. Figurat historike nuk duhet të përdoren për qëllime të politikës
ditore. Politika ditore sot është, nesër s’është.
Shqiptarët duhet të shkojnë në hap me tendencën historike. Ideologjitë totalitare në botën
shqiptare kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë. Sot shqiptarët synojnë integrimin
e NATO dhe në BE. Aleate e shqiptarëve është Amerika.
* * *
S’ka dyshim se personat që i ushtrojnë veprimtaritë e
sipërthëna mund të jenë dhe duhet të jenë pjesë e proceseve politike kombëtare,
por jo edhe të pretendojnë të vihen në krye të kauzës kombëtare. Mbreti
jugosllav Josip Brozi (1892-1980) nuk kishte shkollë. Ishte bravapunues, d.m.th.
bravar. Në krye të shtetit ishte në vitet 1944-1980. Në vitet 1991-1995 shteti që kishte drejtuar me dekada u shpërbë
me njëqindmijë të vrarë. Një kohë, zëvendës i tij ishte serbi Aleksandar
Rankoviq (1909-1983). Edhe ky ka qenë partizan dhe pa shkollë. Me zanat ka qenë
zhguntar. Shumë udhëheqës të shteteve
komuniste kanë qenë pa shkollë.
Ka edhe akademikë pa shkollë. I tillë ka qenë shkrimtari
Dobrica Qosiq (1921-2014) i quajtur baba
i kombit serb. Ka pasur të kryer shkollë
të mesme bujqësore. Vajza e tij, historiane e letërsisë, Dr. Ana Qosiq
Vukiq (1954- ) deklaron: „Dobrica ka qenë babai im dhe jo babai i kombit“.
* * *
Ka raste kur individë apo grupe krijojnë raporte me
pushtetarë apo me faktorë të caktuar. Pas një kohe, i prishin raportet me ata
për t’u lidhur me të tjerë. Kjo kategori njerëzish nuk duan ta shohin veten të
margjinalizuar, ndaj gjithmonë tentojnë të jenë në krah të grupit “politik” apo
“kombëtar” të caktuar.
Ka pasur raste kur një teneqepunues
e ka mohuar dhe e ka denigruar një figurë kombëtare të shquar. Jo të gjithë
kanë qenë teneqexhi. Midis denigruesve ka pasur edhe “personalitete” politike
dhe kombëtare. Kanë tentuar ta denigrojnë edhe personalitetin historik, në
varrimin e të cilit kanë marrë pjesë qindra mijë veta. Pas njëzet vjetëve, denigruesit
kanë marrë nga një tufë lule dhe “tradhtarëve
të kombit” u kanë shkuar te varri për t’u bërë homazh.
Madhështinë e personaliteteve të kombit e matin historianët
dhe akademikët dhe jo bozaxhinjtë.
* * *
Nuk duhet harruar se ka njerëz që nuk kanë shkollë të madhe,
por janë bujarë, fisnikë, dorëdhënë, solidarë, kontribuues, humanë, altruistë,
trima, të guximshëm, sakrifikues, të besës, të punës, të zgjuar, të ndershëm,
inteligjentë etj. Në rrethana të caktuara, ata janë më të vlefshëm se shumë të
tjerë që hiqen sikur kanë shkolla, sikur janë intelektualë, me tituj akademikë.
Ajo që dikush e quan diasporë, nuk duhet të shërbejë për
shfrytëzim apo eksploatim. Të gjithë ata meritojnë të respektohen nga
bashkëkombësit e tyre kudo në trojet shqiptare.