Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Krasznahorkai është laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2025
E diele, 12.10.2025, 06:58 PM
KRASNAHORKAI LAUREAT I ÇMIMIT “NOBEL” PËR LETËRSI PËR VITIN 2025
Shkrimtar hungarez, nga babai hebre - halë në
sy të Viktor Orbanit
Nga Xhelal
Zejneli
Çmimi “Nobel” i sivjetshëm për
letërsi iu dha shkrimtarit, romancierit dhe skenaristit hungarez
Laslo Krasnahorkai (László
Krasznahorkai, 5 janar 1954). Ka lindur në qytetin
Gjula (Gyula) të Hungarisë. Babai i tij ka qenë hebre, me profesion
avokat. E ëma, administruese e sigurimit social.
Veprat
e tij, para disa javësh u tërhoqën nga programi mësimor i shkollave në Hungari.
Çmimi për letërsi ndahet që nga viti 1901. Krasnahorkai është hungarezi
i dytë që vlerësohet me këtë çmim. Para tij, në vitin 2002, ky çmim iu dha letrarit
Imre Kertes (Imre Kertész, 9.11.1929 – 31.3.2016).
Gjurmëve
të Franc Kafkës – Në
arsyetimin e vendimit të sivjetshëm, Akademia Suedeze në Stokholm bëri të ditur
se çmimin ia ndan shkrimtarit 71-vjeçar hungarez për shkak të “veprës mbresëlënëse dhe vizionare, e cila
në mes të terrorit apokaliptik e forcon fuqinë e artit”. Në vijim thuhet
se Krasnahorkai është një “tregimtar epik i madh” i cili
i përket traditës së Evropës Qendrore që shtrihet prej Franc Kafkës* deri te Tomas
Bernhard*, “dhe që karakterizohet nga ekzagjerime absurde dhe
groteske.”
Shënim: Franc Kafka (Franz Kafka, Pragë, 1883 –
Kierling, Vjenë, 1924) tregimtar austriak me prejardhje hebraike.
Tomas Bernhard (Thomas
Bernhard, 1931-1989) dramaturg dhe tregimtar austriak.
* * *
Krasnahorkai jeton në Budapest,
në Vjenë, kurse kohët e fundit edhe në Trieste. ku, siç shkruan revista
britanike Magazine në hyrje të
intervistës me shkrimtarin, “është
strehuar për të mos jetuar nën regjimin e Viktor Orbanit”.
Shënim: Viktor Orban (Viktor
Mihály Orbán, 1963- ) kryeministër i Hungarisë.
* * *
Në vitin 2008 Krasnahorkai qëndroi në Berlin si profesor në Universitetin e
Lirë (FU). Lajmi për çmimin “Nobel” e gjeti në Frankfurt.
Ka
kohë që është favorit për këtë çmim prestigjioz – Krasnahorkai vite me radhë ndodhet
në rrethin më të ngushtë të favoritëve për çmimin “Nobel” për letërsi. Studioi
drejtësinë dhe gjuhën e letërsinë hungareze. Kah mesi i viteve ’80 të
qindvjeçarit XX, e botoi romanin “Satantango”. Veprat e tij shpesh cilësohen si postmoderne
dhe apokaliptike, nën ndikimin e fuqishëm të gjigantëve letrarë si Franc Kafka dhe romancieri e dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes frënge, Semjuel Beket (Samuel Beckett;
Dublin, 1906 - Paris, 1989).
Pretendues për çmimin “Nobel” për
letërsi në vitin 2025 kanë qenë edhe australiani Xherald Mirnejn (Gerald
Murnane; 25 shkurt 1939- ), japonezi Haruki Murakami (1949- ) dhe zvicerani Kristian Kraht (Christian Kracht, 1966- ).
Vitin e kaluar çmimi iu dha
shkrimtares së Koresë së Jugut, Han Kang
(1970- ). Kishte të tillë që u befasuan nga ky vendim i jurisë së Nobelit
për letërsi. Sivjet pritej që çmimi t’i jepej ndonjë shkrimtari të rrethit
kulturor perëndimor.
Këtë vit Krasnahorkai e mori në
Austri Çmimin shtetëror për letërsi evropiane.
Me këtë rast u tha se veprat e tij, sikurse ato të nobelistit Imre Kertes, janë flakur nga
plan-programet mësimore të Hungarisë.
Çmimi “Nobel” për letërsi ka një
vlerë prej rreth një milion eurosh. Çmimi do të dorëzohet në Stokholm më 10 dhjetor
2025.
* * *
Prej vitit 1901, çmimi “Nobel” për letërsi është ndarë 117 herë.
Laureatë kanë qenë 121 shkrimtarë apo shkrimtare. Midis laureatëve, 18 kanë
qenë femra. Laureati më i ri ka qenë prozatori dhe poeti anglez Radiard Kipling (Rudyard Kipling;
Bombei, 1865 – Londër, 1936) i cili çmimin e ka marrë në vitin 1907, në moshën
41-vjeçare. Laureatja më e moshuar ka qenë prozatorja angleze Doris Lesing (Doris Lessing;
Kermanshah, Iran, 1919 – Londër, 2013, pseudonim i Jane Somers) e cila e mori
çmimin në vitin 2007, në moshën 87-vjeçare. Çmimi nuk është ndarë shtatë herë:
në vitet 1914, 1918, 1935, 1940, 1941, 1942 dhe 1943.
* * *
Romancieri dhe
skenaristi Laslo Krasnahorkai është mjeshtër
i apokalipsit. Sipas librave të tij janë xhiruar edhe filma. Veprat e tij
na japin pasqyrën apokaliptike dhe ironike-parodike* të botës bashkëkohore. Romani
i parë i tij është “Satantango” (1985).
Pasojnë romani “Melankolia e
rezistencës” (1989) dhe përmbledhje me 21 tregime të shkurtra “Bota shkon”. Regjisori hungarez Bela Tar (Bela Tarr, 21 korrik 1955- ),
disa vepra të tij, përfshi edhe romanet e sipërthëna, i ka shndërruar në filma
artistikë.
Është një prej shkrimtarëve bashkëkohorë hungarezë më të njohur dhe më
të përkthyer. Inspirim ka gjetur në veprat e Franc Kafkës, të kitaristit,
këngëtarit dhe kompozitorit amerikan
Xhimi Hedriks (James Marshall
"Jimi" Hendrix, 1942-1970) dhe në qytetin japonez Kjoto.
Shënim: Parodi
– greqisht: parodeo – këndoj në
mënyrë të shtrembëruar; tallem; 1. imitim tallës dhe hokatar i një vepre
letrare duke ruajtur formën dhe tonin e jashtëm të saj; travesti-a: vepër letrare
në të cilën përmbajtjes serioze i jepet formë tallëse;
* * *
Me t’i kryer studimet
universitare, Krasnahorkai deklarohet si autor i pavarur. Në vitin 1985, romani
i tij i parë "Satantango" korr
sukses. Autori sakaq del në plan të parë të jetës letrare hungareze. Është një
roman distopik i vendosur në atdheun e tij, në Hungari. Konsiderohet vepër më e
njohur e tij.
Në vitin 1989 boton romanin “Melankolia e rezistencës”, i cili në vitin
1993 vlerësohet me çmimin gjerman “Bestenliste”, si vepër letrare më e mirë
e vitit. Në qendër të këtij romani të mjegullt dhe fantazmë është një qytezë e
Panonisë, në dukje e vetmuar dhe e përgjumur, në fakt thellësisht e tronditur
dhe në pritje të diçkaje që po vjen – diçkaje që është e padukshme, por që
është e pashmangshme. Ardhja e një trupe cirku udhëtuese me "balenën gjigante më të madhe në
botë" paralajmërohet si një atraksion sensacional, por sakaq rezulton
të jetë një guaskë e zbrazët, metaforë mashtrimi dhe skenë për ekspozimin e
frikës njerëzore, kaosit dhe instinkteve
të ndrydhura. Pas kësaj fasade vepron Princi – një figurë enigmatike që
simbolizon një forcë shkatërruese të padukshme, por gjithëpërfshirëse që e çon
qytetin në gjendje anarkie dhe shthurjeje morale.
Krasznahorkai
shkruan me fjali të gjata, hipnotike pa ritëm dhe shenja pikësimi klasike, gjë
që akoma më shumë e thekson atmosferën e tensionimit të vazhdueshëm, mendimet e
trazuara dhe mungesën e shpresës.
Për herë të parë
del jashtë Hungarisë komuniste në vitin 1987. Një vit qëndron në Berlinin
perëndimor si shfrytëzues i bursës DAAD. Që nga shkatërrimi i bllokut Sovjetik, ka jetuar në lokacione të
ndryshme. Në vitin 1990, për herë të parë mundi të kalonte një periudhë të
rëndësishme në Azinë lindore. Për ta shkruar veprën “Të burgosurit e Urgës” dhe udhëtimin jofiktiv “Shkatërrim
dhe trishtim nën qiell” u mbështet në përvojat e veta në Mongoli dhe Kinë. Në
këtë udhëtim jofiktiv, bashkëbiseduesit i drejtohen narratorit me “zotëri Laslo”. Me hidhërim e kupton se
iluzionet e tij për ekzistimin e njëkohshëm të “dy Kinave” dalëngadalë po shuhen. Në kinë është kthyer disa herë.
Derisa e
përfundonte romanin “Lufta dhe lufta”,
udhëtoi nëpër Evropë. Për ta përfunduar romanin, i ndihmoi shumë poeti dhe
shkrimtari amerikan Alen Ginzberg*. Krasnahorkai një kohë
ka qëndruar në banesën e Ginzbergut në Nju-Jork.
Shënim: Alen Ginsberg (Irwin
Allen Ginsberg, 1926–1997), në vitin
1940, si student në Universitetin
e Kolumbisë u lidh me shkrimtarët Lucien Carr*, William S. Burroughs* dhe Jack
Kerouac (Zhak Keruak)* dhe vuri
bazën e Brezit Beat (The Beat
Generation) *.
Lucien Carr (1925-2005) ka
qenë anëtar kyç i rrethit të Nju-Jorkut të Brezit të Beat. Në vitet 1940 u
dënua për vrasje nga pakujdesia.
William Seward Burroughs II (1914-1997) është shkrimtar dhe artist vizual amerikan. Konsiderohet figurë kryesore e Brezit Beat, autor i madh postmodern.
Zhan-Lui Lebri Keruak (Jean-Louis
Lebris de Kérouac, 1922-1969) i njohur si Jack Kerouac, poet dhe shkrimtar
amerikan, me prejardhje franceze-kanadeze. U rrit në një shtëpi
frëngjisht-folëse në Lowell, Massachusetts. Bashkë me William S. Burroughs dhe
Allen Ginsberg, kanë qenë pionierë të Brezit
Beat (Bit).
* * *
Gjatë viteve 1996, 2000. dhe 2005 Krasnahorkai i kaloi gjashtë muaj
në Kjoto. Kontakti i tij me estetikën dhe me teorinë e letërsisë të Lindjes së
Largët rezultoi me ndryshime të rëndësishme në stilin e tij të të shkruarit dhe
me tema të sistemuara. Shpesh kthehej në Gjermani dhe në Hungari, por jetonte
edhe nëpër vende të tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Spanjën, Greqinë
dhe Japoninë të cilat e frymëzonin për romanin e tij “Seiobo ka qenë poshtë”(Seiobo járt odalent) që u vlerësua me Çmimin për
librin më të mirë të përkthyer në vitin 2014.
Në një intervistë e kanë
pyetur përse prej “temave të vendlindjes”
ka kaluar Lindje të Largët, Krasnahorkai është
përgjigjur: “Mos vallë keni pritur që
tërë jetën të shkruaj për pijanecët e humbur dhe të dështuar që zvarriten nëpër
baltën hungareze?”
Mjeshtër i apokalipsit – Duke
filluar prej vitit 1985, regjisori me renome dhe mik i autorit Bela Tar (Bela Tarr, 21.07.1955- )
xhiroi filma kryesisht të bazuar në veprat e Krasnahorkait, duke përfshirë romanin “Satantango” dhe “Harmonitë e Verkmajsterit” (Werckmeister
harmóniák). Laslo Krasnahorkai ka thënë se filmi “Kali i Torinos” i vitit 2011 do të jetë bashkëpunimi i tyre i
fundit.
Krasnahorkai u vlerësua lartë
prej kritikëve ndërkombëtarë. Prozatorja dhe eseistja amerikane Suzan Sontag* (Susan Sontag, Nju-Jork,
1933 - ) e përshkroi si “mjeshtër hungarez bashkëkohor të apokalipsit që frymëzon krahasimin me
Gogolin* dhe me Melvilin*”.
Shënim: Susan Lee Sontag (New
York City, 1933 - New York City, 2004) - shkrimtare dhe kritike amerikane. Më së
shumti shkroi ese. Ka botuar edhe romane. Në vitin 1964 botoi veprën e saj të
parë madhore, esenë "Shënime mbi
'kampin”. Është varrosur në Montparnasse Cemetery, Paris. Është vlerësuar
me çmimin Peace of the German Book Trade
etj.
Nikollaj Vasileviç Gogol (Soroçinci, 1809 –
Moskë, 1852) tregimtar dhe komediograf rus;
Herman Melvil (Herman Melville;
Nju-Jork, 1819 – Nju-Jork, 1891) romancier, tregimtar dhe poet amerikan.
* * *
Në vitin 2015 Krasnahorkai u
vlerësua me Çmimin Ndërkombëtar Buker.
Ishte i pari autor hungarez që vlerësohej me këtë çmim.
Shënim: Çmimi
Ndërkombëtar Buker (The
International Booker Prize)është çmim letrar që jepet për veprën
më të mirë të shkrimtarit të huaj të përkthyer në anglisht dhe të botuar në
Britani të Madhe. Është plotësim i Çmimit
Buker dhe ka filluar të ndahet prej vitit 2005.
* * *
Pas një
qëndrimi disavjeçar në Berlin, ku gjashtë muaj ishte profesor mysafir i S.
Fisherit në Universitetin e Lirë në Berlin, Krasnahorkai qëndron “si eremit në kodrat Sentlaslo” në
Hungari. Pas shkurorëzimit nga gruaja e vet e parë Anikó Pelyhe, me të cilën ishte martuar në vitin 1990, në vitin 1997 u martua për së
dyti. Grua e dytë e tij ishte Dóra
Kopcsányi. Ajo ishte sinolog* dhe dizajnuese grafike. Kanë tre fëmijë: Katu, Agnes dhe Emu.
Shënim: Sinolog
– kinezolog, studiues i
vlerave kineze. Sinologjia është një fushë akademike ndërdisiplinore që merret me
studimin e historisë, kulturës, gjuhës dhe letërsisë kineze.