E marte, 11.11.2025, 10:08 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: VMRO-ja synon dekapitacionin e faktorit politik shqiptar

E marte, 11.11.2025, 06:59 PM


VMRO-ja SYNON DEKAPITACIONIN E FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Skena politike shqiptare në Maqedoni nuk identifikohet me VLEN-in, por me Bashkimin Demokratik për Integrim. Faktori politik sllavo-maqedonas, sidomos VMRO-ja, është e interesuar ta nxjerrë nga skena politike faktorin politik shqiptar, përkatësisht Bashkimin Demokratik për Integrim. VMRO-ja synon ta nxjerrë nga skena BDI-në deri në eliminimin e saj. Këtë qëllim synon ta arrijë, së pari duke e zhveshur atë, d.m.th. BDI-në nga pushteti vendor dhe qendror. Sipas VMRO-së, e lënë pa pushtet apo jashtë pushteteve, BDI-ja mund të dobësohet dhe të marrë rrugën e zhbërjes, të shpërbërjes dhe të eliminimit. Në hapësirën politike shqiptare nëpër një proces të ngjashëm kanë kaluar edhe subjektet paraprake, si Partia për Prosperitet Demokratik e udhëhequr në krye të herës nga profesori i anglishtes Nevzat Halili (f. Poroj, Tetovë, 15 shtator 1946- ) si dhe Partia Demokratike Shqiptare, e udhëhequr nga Arbën Xhaferi.(Tetovë, 24 janar 1948 – Tetovë, 15 gusht 2012). Në hapësirën politike shqiptare ka vepruar edhe Partia Demokratike Popullore. Edhe kjo nuk është më.

Përse faktori politik sllavo-maqedonas, sidomos VMRO-ja, i është vënë Bashkimit Demokratik për Integrim të udhëhequr nga Ali Ahmeti (f. Zajaz i Kërçovës, 5 janar 1959- )?! Sipas partisë sllavo-maqedonase të sipërthënë, “BDI-ja është parti e korruptuar, ndaj patjetër të mbetet jashtë pushtetit dhe jashtë politikës”. Akuzat e VMRO-së se BDI-ja na qenkësh parti e zhytur në korrupsion, nuk është veçse pretekst për ta lënë jashtë procesit politik një parti historike të dalë nga lufta.

Duhet shtuar se që nga viti 1991 e deri më sot, s’ka parti politike në Maqedoni, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut, që nuk është korruptuar. Shkurt e shqip, s’ka parti në këtë vend që nuk i ka vjedhur paratë e qytetarëve, mjetet e buxhetit. Askush s’e di saktë me sa para ka ikur nga vendi për në Budapest ish-kryeministri Nikola Gruevski. (Shkup, 1970- ). Të mos harrojmë se prej 27 marsit të vitit 2020 ky vend është edhe anëtare, e tridhjetë, e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që tani pretendon të hyjë edhe në Bashkimin Evropian.

Duke marrë parasysh faktin se gjatë periudhës së pluralizmit, përkatësisht gjatë periudhës së tranzicionit veprime të paligjshme apo të kundërligjshme kanë bërë pothuajse të gjitha partitë në pushtet, atëherë del se qëndrimet e VMRO-së kundër BDI-së nuk kanë të bëjnë me abuzimet që i paskësh bërë ajo. VMRO-ja së pari duhet të flasë për abuzimet që i ka bërë vetë, e pastaj të kalojë te të tjerët.

VMRO-së i pengon Bashkimi Demokratik për Integrim për arsye se:

- Në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, BDI-ja ka qenë dhe mbetet faktor politik kryesor;

- Bashkimi Demokratik për Integrim është parti e dalë nga lufta e vitit 2001;

- Bashkimi Demokratik për Integrim konsiderohet parti e luftës;

- Lufta e viti 2001 e solli Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar në Ohër më 13 gusht 2001. Marrëveshja u nënshkrua prej udhëheqësve të katër partive politike të vendit, si dhe prej kryetarit të shtetit, pasi ndërmjetësit ndërkombëtarë kërkuan angazhimin e tyre për ratifikimin dhe zbatimin e saj brenda një periudhe katërvjeçare. E nënshkruar prej lehtësuesve ndërkombëtare, politikanit francez Fransoa Leotar (François Gérard Marie Léotard, 1942-2023) dhe diplomatit amerikan Xhejms Perdju (William Pardew Jr; 1944–2021), kjo marrëveshje ka vlerë ndërkombëtare;

- Në kohën kur BDI-ja ishte pjesë e bashkëqeverisjes, më 17 qershor 2018, midis Maqedonisë dhe Greqisë u arrit Marrëveshja e Prespës. Me këtë marrëveshje zgjidhej konflikti ndërmjet tyre rreth emrit të Maqedonisë. Ajo ia hapi rrugën asaj për t’u anëtarësuar në NATO; kjo ndodhi, siç u tha edhe më lartë, më 27 mars 2020;

- Në kohën kur BDI-ja ishte pjesë e bashkëqeverisjes, u arrit edhe zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës të themeluar më 4 qershor 1994. Universiteti u zyrtarizua në janar të viti 2004 me miratimin në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë të Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Seancat e Kuvendit zgjasnin deri në orët e hershme të mëngjesit. Për t’i bërë obstruksione procesit, deputetët e VMRO-së u binin me lugë tenxhereve.

- VMRO-së i pengon BDI-ja për arsye se ky subjekt gjatë qëndrimit në pushtet prej vitit 2001 e këndej, me përjashtim të viteve 2006-2008, kur në qeveri hyri – si humbëse – PDSh-ja, u angazhua për zbatimin, jetësimin apo implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pjesë e implementimit të saj ishte krijimi i komunave me shumicë shqiptare, që nga Struga, Dibra, Kërçova e deri në Likovë. Pjesë e zbatimit të saj ishte përfshirja e shqiptarëve në administratën publike, përkatësisht në institucionet shtetërore; pjesë e marrëveshjes ishte e drejta e përdorimit të flamurit shqiptar, e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, si një prej gjuhëve zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, aty ku shqiptarët janë mbi njëzet për qind. Shqipja në Maqedoninë e Veriut, që nga Struga deri në Likovë, është gjuhë zyrtare. Për fat të keq, ka raste kur vetë nëpunësit dhe funksionarët shqiptarë, si të nivelit vendor ashtu edhe të nivelit qendror, nuk e zbatojnë shqipen ashtu si e parashikon ligji;

- VMRO-së i pengon fakti se gjatë Luftës së viti 2001 në Maqedoni, Ali Ahmeti ka qenë Përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK);

- VMRO-së i pengon fakti se Ali Ahmeti ka qenë udhëheqës i Luftës së vitit 2001 në Maqedoni dhe kryekomandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;

Duke u bazuar në punën e lartpërmendur të Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë të qenët e tij në qeveri apo në pushtetin vendor, VMRO-ja e cilëson dhe e konsideron BDI-në si parti nacionaliste shqiptare. Për këtë arsye, sipas kryetarit të partisë VMRO-DPMNE, kryeministrit Hristian Mickovski (1977- ), BDI-ja dhe Ali Ahmeti duhet të mbeten në margjinat e politikës në këtë vend, të margjinalizohen dhe  përgjithmonë të mbeten në opozitë.

VMRO-ja e Mickovskit e ëndërron margjinalizimin e BDI-së për arsye ky është i vetmi subjekt politik shqiptar që ka një shtrirje të gjerë në Maqedoninë e Veriut, që nga Struga dhe Ohri deri në Likovë. Ky subjekt politik shqiptar shtrihet edhe në rajonet ku shqiptarët përbëjnë pakicë etnike.

Me fjalë të tjera, VMRO-së i pengon një parti shqiptare me një shtrirje të tillë, ndaj parapëlqen parti shqiptare pa shtrirje apo me ndikim të reduktuar dhe të kufizuar. VMRO-ja dëshiron që në hapësirën politike shqiptare të ketë parti pseudo-politike që nuk janë veçse kompozim apo arnim copësh dhe fragmentesh politike të cilat lehtë kontrollohen.

Çdo qytet shqiptar në Maqedoninë e Veriut është i rëndësishëm dhe e ka historinë e vet kombëtare. Po kështu edhe qyteti rrëzë Sharrit – Tetova. Shumë parti politike e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë selinë e tyre në këtë qytet. Aty ndodhen edhe dy universitet shqiptare. Përveçse qendër politike dhe intelektuale, Tetova është edhe qendër ekonomike, sociale dhe kulturore. Në kohën e pluralizmit politik, pothuajse të gjitha proceset politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore u zhvilluan në Tetovë. Në këtë qytet ndodhet edhe selia e BDI-së. Duke tentuar që këtë subjekt politik ta mbajë jashtë procesit politik edhe atëherë kur i fiton zgjedhjet, VMRO-ja synon që ta relativizojë edhe rolin e Tetovës si një prej qendrave politike të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ta defaktorizojmë Tetovën për ta faktorizuar një komunë shqiptare të Shkupit. Askush s’mund ta anashkalojë, ta nëpërkëmbë dhe ta shpërfillë potencialin demografik, territorial, ekonomik, social, intelektual, biologjik, prodhues, riprodhues dhe mbrojtës të Tetovës. Qyteti i Sharrit ka qenë i hapur dhe vazhdon të jetë i tillë për të gjithë shqiptarët në Maqedoni si dhe për çdo shqiptar të botës shqiptare. Gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998-1999, në Maqedoni u vendosën rreth 360 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre – në tetove. Themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994 tentuan ta parandalojnë forca të shumta të Maqedonisë, të armatosura deri në dhëmbë. Me ta u ballafaqua populli, në krye me Profesor Fadil Sulejmanin (f. Bozovcë, Tetovë, 05.12.1940 – Prishtinë, 11.02.2013; u varros në Tetovë). Gjatë këtyre përleshjeve mbeti i vrarë martiri i arsimit shqiptar në Maqedoni Abdylselam Emini (1969-1995).

*   *   *

Partitë politike lindin në momente historike apo në kohë krizash politike, ekonomike, sociale dhe morale të mëdha. Bashkimi Demokratik për Integrim lindi në momentin historik të Luftës së vitit 2001. Si e tillë, kjo parti është historike. Atrofizimi, regjimi apo dobësimi i saj nuk është në dobi të shqiptarëve në Maqedoni, as në favor të shqiptarëve në rajon. Në vitin 2001 lufta shqiptarëve iu imponua. Çdo kërkesë primordiale (e dorës së parë) e shqiptarëve, nga faktori politik sllavo-maqedonas, në veçanti nga VMRO-ja, pritej në tehun e shpatës. Gjatë gjithë historisë së tyre, shqiptarët kanë ecur në tehun e shpatës. Gjithmonë në luftë për mbrojtjen e qenies etnike, për dritë dhe liri. Dhe ja ku janë, të fortë si kurrë më parë. Hienat me të cilat rrethohen, nuk ia dolën t’i shqyejnë shqiptarët dhe t’i flakin nga harta politike e Ballkanit.

Duke u bazuar në sa më sipër, nuk është mirë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti (Prishtinë, 24 mars 1975- ) të mbajë anë në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni. Ndër shqiptarët e kësaj ane Albini gëzon respekt të konsiderueshëm, ndaj lidhur me zhvillimet  politike këtu, ai duhet të jetë i paanshëm, asnjanës dhe faktor bashkues. Ndryshe rrezikon të shndërrohet në faktor përçarës. VLEN-i duhet të ketë kapacitet të formohet, të ndërtohet, të ngrihet dhe të rritet vetë dhe jo të presë t’i vijë dikush nga jashtë, qoftë ky edhe një si Albini.

Në zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të implikohen njëanshëm as politikanë të Shqipërisë. Ndaj zhvillimeve politike këndej kufirit, qendrat politike shqiptare të vendosjes, Tirana dhe Prishtina, duhet të jenë të paanshëm. Ato kanë të drejtë dhe për detyrë të interesohen për gjendjen e bashkëkombësve të këtyre anëve, por jo edhe të anojnë nga njëra parti apo nga tjetra.

Për ndërhyrje të tilla, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë nevojë. Shqiptarët këndej kufirit kanë tre universitete: Universitetin e Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, si dhe Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Këndej kufirit, shqiptarët e kanë edhe inteligjencien e vet. Këtu ka vepruar edhe njëri prej ideologëve të mendimit politik bashkëkohor kombëtar, Arbën Xhaferi. Shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e procesit politik gjatë periudhës së pluralizmit politik dhe tranzicionit. Shqiptarët e këtyre anëve kanë faktor politik, kanë subjekte politike, kanë parti politike, kanë përvojë politike, kërkesat kombëtare i formulojnë dhe i artikulojnë në rrugë politike, paqësore dhe demokratike. Shqiptarët në Maqedoni kanë kulturë politike, e adhurojnë demokracinë, nuk janë ksenofobë, janë për paqe dhe qëndrueshmëri, synojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Shqiptarët në Maqedoni janë atdhetarë. Ata e duan botën shqiptare, e duan Shqipërinë, Kosovën, Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), i duan shqiptarët në Mal të Zi, i duan çamët, i duan shqiptarët në diasporë- në Evropë dhe në ShBA. Ka vdekur koha e etërve të kombit, e baballarëve të kombit. Etër kombi krijojnë popujt e prapambetur.

*   *   *

Shkrimtari Jakov Xoxa ( ) thotë: “Nuk duhet parë vetëm si rrjedh lumi, po edhe ku derdhet”. Me fjalë të tjera, nuk mjafton të thuhet “e mundëm BDI-në”. Çka pas kësaj?!

Thelbi i çështjes është:

“A ka kush i del zot kauzës shqiptare, a do të ketë kush t’i dalë zot kauzës kombëtare, apo do ta lëmë që ajo të nëpërkëmbet dhe të zhbëhet”?!

Po qe se në hapësirën politike shqiptare roli i BDI-së reduktohet dhe relativizohet, atëherë shtrohet pyetja: “Kush e zëvendëson atë? A ka kush ta zëvendësojë atë”?

A ka VLEN-i kapacitet të duhur dhe të mjaftueshëm për ta zëvendësuar një parti historike siç është BDI-ja? A ka VLEN-i ndikim të duhur në proceset politike dhe sa është ai ndikim. Nuk duhet harruar se disa prej udhëheqësve të VLEN-it kanë dalë prej BDI-së. Kryesori i VLEN-it, Izet Mexhiti (Shkup, 1977- ) rreth njëzet vjet ka qenë nënkryetar i BDI-së. Po qe se BDI-ja ka pasur devijime, atëherë ky nënkryetar duhej të ishte larguar nga kjo parti dhjetë-pesëmbëdhjetë më parë dhe par 20 vjetëve.

*   *   *

Nuk është mirë që në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni të kemi parti me shtrirje të vogël. Në skenën politike, partitë e tilla kanë rol, peshë dhe ndikim të reduktuar. Shoqërisë shqiptare nuk i duhen parti lagjesh apo mëhallash, S’ka dyshim se pala sllavo-maqedonase i adhuron grupet shqiptare që pandehin se janë politike. Këto grupe mëhallash bashkohen dhe thonë: “Ne jemi parti, ne e përfaqësojmë popullin”.

Duhet dalluar luftën për pushtet nga ideali kombëtar. Armiku lehtë manipulon me pseudo-partitë. Gjurmë në histori nuk lënë lakmitarët, por idealistët. asnjë proces në histori nuk zhvillohet pa bazë materiale, por të përjetshëm mbeten idealet.

*   *   *

Shqiptarëve në Maqedoni u nevojiten jo më shumë se dy parti: Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VLEN-i. Të gjitha partitë tjera, varësisht nga programi politik, duhet të inkorporohen, ose te njëra ose te tjetra.

Asgjë në histori nuk ndodh rastësisht. Rastësisht s’ka lindur as VLEN-i. Këtë duhet ta analizojnë këta të BDI-së. VLEN-i është reaksion ndaj gabimeve të BDI-së. Në çdo parti, faji kryesor i bie kryetarit të saj. Në rastin konkret, përgjegjësia i bie Ali Ahmetit. Sidoqoftë, nuk është në interes të shqiptarëve që ai të japë dorëheqje. Ai është lider historik. Kundërshtari i tij Izet Mexhiti i cili edhe e kërkon dorëheqjen e tij, ka qenë rreth njëzet vjet pranë tij. Në zgjedhjet vendore të 12 nëntorit të vitit 2025, në votimet për këshilltarë komunalë Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ku bën pjesë edhe BDI, ka marrë 29004 vota më shumë se oponenti politik VLEN.

Shpesh ndodh që liderët të jenë të rrethuar prej: oportunistëve, konformistëve, karrieristëve, poltronëve, demagogëve, lakmitarëve, të pangopurve, personave me arsimim të kufizuar, me njohuri dhe dituri të reduktuar, personave të etshëm për pushtet, të etshëm për pasuri, të etshëm për para, sankilotëve, pseudopatriotëve, mashtruesve, matrapazëve, materialistëve. Nëpër partitë e Ballkanit Perëndimor ka materialistë të cilëve do t’ua kishte zili edhe babi i materializmit, filozofi gjerman me prejardhje hebraike Karl Marksi (1818-1883). Sipas një teorie.

Sipas një teorie politike, “çdo pushtet të prishë”. Partitë politike në botën shqiptare janë parti liderësh. Nëpër partitë e tilla, fjalën e parë dhe të fundit e ka lideri i partisë. Në të tillat parti fjala demokraci nuk është veçse diçka fiktive dhe aparente. Nëpër partitë e tilla strukturat partiake figurojnë formalisht. Ato nuk luajnë kurrfarë roli. Ato s’i pyet dot kush, ndonëse çdo gjë bëhet në emër të tyre.

Procesin e reformimit BDI-ja s’duhet ta ndalë. Reformimi i një subjekti politik është proces permanent, i vazhdueshëm, i pandërprerë. Reforma nënkupton përfshirjen e të rinjve në parti, ushtrimin, stërvitjen dhe trajnimin e tyre, avancimin e tyre deri në pozita vendimmarrëse. Duhet të përfshihen dhe të angazhohen të rinj të shkolluar, të arsimuar, të profesioneve të ndryshme, studentët e dalluar, përfshi edhe ata që studiojnë apo që kanë studiuar jashtë. Një subjekt i mençur kurrë s’ua mbyllë derën të parëve të tij, atyre që e kanë themeluar atë, që janë angazhuar qysh në ditët e para të themelimit. Ata që hyjnë në parti për t’u pasuruar, BDI-ja dhe kryetari i saj duhet ta largojnë sakaq. Partia nuk është institucion që të mundëson të pasurohesh. Detyra parësore e një partie është të punojë për interes të përgjithshëm. Në hapësirat tona, një subjekt politik duhet të punojë për avancimin e çështjes kombëtare. Ky proces s’ka fund, s’ka të ndalur. BDI-ja dhe cilado parti e botës shqiptare, me përjashtime të caktuara, nuk duhet ta mbajnë në funksion politik, më shumë se dy mandate, asnjë person të saj. Ka një teori që thotë: “Nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm”. Liderët e partive të botës shqiptare duhet t’i përgatisin zëvendësit e tyre. Për të përgatitur një zëvendës nevojiten rreth katër vjet. Po të dalë nga skena një lider i përtashëm, partia që drejton ai mbetet pa kokë.

Ka shumë raste kur një subjekt politik të njëjtin person e angazhon në disa komisione ose borde, kurse personin apo anëtarin tjetër të partisë – në asnjë komision. Po të ketë konkurrencë politike, ai subjekt humbjen e ka të pashmangshme. Asnjë person në botën shqiptare nuk duhet të jetë deputet më shumë se dy herë. Ndryshe, aty ku ka konkurrencë politike, humbja e asaj partie është e mundshme.

Puna e parë që duhet të bëjë BDI-ja është të luftojë korrupsionin (eventual) në radhët e veta si dhe në shkallë shteti. Këtë duhet ta bëjnë të gjitha partitë e botës shqiptare.

BDI-ja duhet ta luftojë nepotizmin në radhët e veta. Këtë duhet ta bëjë çdo subjekt politik, kudo që vepron. Një parti që zhytet në nepotizëm humbjen e ka të sigurte.

BDI-ja duhet të bëjë luftë të vazhdueshme për të ndërtuar shtet ligjor. Lideri i BDI-së kurrë nuk duhet të harrojë se jemi në një kohë kur kërkohet retorikë evropiane dhe jo retorikë e vjetruar.

Partitë e botës shqiptare duhet t’u kushtojnë rëndësi normave etike brenda partisë. Femrat që veprojnë nëpër parti janë nëna të dikujt, bashkëshorte të dikujt, motra të dikujt, vajza të dikujt, të fejuara të dikujt, mbesa të dikujt. Maniakët seksualë që dëgjohen nëpër përgjime s’e kanë vendin nëpër parti.

Partitë politike kur janë në qeveri thonë: “E ruajmë qëndrueshmërinë e vendit dhe të rajonit”, kurse kur dalin në opozitë, qoftë edhe si fitues të zgjedhjeve, thonë: “Ne mund ta destabilizojmë shtetin”. Asnjë parti s’mund ta destabilizojë shtetin pas një qëndrimi njëzetvjeçar në qeveri. Këtë s’do ta lejonte as faktori ndërkombëtar influent, Uashingtoni dhe Brukseli.

Brenda partive të botës shqiptare duhet të ekzistojë frymë demokratike. Një frymë e tillë u mungon pothuajse të gjitha partive të botës shqiptare. Për çdo gjë pyetet dhe vendos lideri. S’ka kush i del para atij. Fjala e tij është ligj. Liderët partiakë të Ballkanit Perëndimor kanë dalë nga turma. Si të tillë, ata janë liderë të turmës. Me të marrë pushtet, ata shndërrohen në politikanë të turmës. Liderët e tillë janë: autokratë, autoritarë, despot, tiranë, diktatorë dhe totalitarë. Ata s’mund ta marrin me mend të jetojnë pa pushtet dhe jashtë pushtetit. Ata s’kanë shumë dallim nga mbreti i Francës Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715) i cili më 13 prill 1655 paska thënë: “Shteti jam unë” (L’État c’est moi).

Faktori politik shqiptar në rajon duhet ta trimërojë dhe ta nxitë mendimin kritik, kritikën politike, mendimin ndryshe, lirinë e fjalës, lirinë shtypit, shtypin e pavarur. Në Perëndim, partia e shpërblen intelektualin që të shkruajë një artikull kritik ndaj saj. Vetëm mendimi kritik e çon shoqërinë para. Shtëpia nuk mbahet me analistë mercenarë dhe me kalemxhinj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx