Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Romani
E marte, 04.11.2025, 06:57 PM
ROMANI
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Romani është tekst i gjatë narrativ i shkruar në prozë. Sipas ndarjes në
gjini letrare, romani i takon epikës, më saktë konsiderohet lloj letrar në
poezinë epike në prozë. Veçoritë formale të romanit është vështirë të
përkufizohet me përpikëri, por në parim bëhet fjalë për formë narrative voluminoze, të përbërë, si në
pikëpamje të sasisë së tekstit, ashtu edhe në pikëpamje të vëllimit të
ngjarjeve që i përshkruan.
Ky zhanër është përshkruar si
formë e cila ka një “histori të
pandërprerë dhe të gjithanshme prej rreth dymijë vjetësh”, që e ka
prejardhjen prej Greqisë klasike dhe Romës së lashtë, nga romantika mesjetare
dhe romantika moderne e hershme si dhe prej traditës së novelave. Më vonë, një
fjalë italiane është përdorur për tregimin
për të bërë dallimin nga romani. Një tendencë e tillë është e pranishme në
gjuhën angleze që prej shekullit XVIII. Në vitin 1957, kritiku letrar,
historian i letërsisë dhe profesor i anglishtes në Universitetin e Stanfordit, Ian
Vat (Ian Watt; Windermere, Mbretëri e Bashkuar, 1917 - Menlo
Park, Kalifornia, ShBA, 1999) në punimin e tij “Ngritja e romanit” (The Rise of the Novel)
thotë se romani për herë të parë ka lindur në fillim të shekullit XVIII. “Romani si formë letrare lind dhe zhvillohet
në përputhje me zhvillimin dhe dinamikën e kapitalizmit. Në këtë pasqyrë të
thjeshtësuar, romani si formë e shprehjes letrare paraqet kapitalizmin liberal
të pasqyruar në mënyrë letrare, karakteristikë kryesore e të cilit është individualizmi
i theksuar”.
Romanca
është e lidhur ngushtë me narrativin (rrëfimin) e gjatë në prozë. Romancieri
dhe poeti skocez Uolltër Skot (Walter Scott, 1771-1832) e ka përkufizuar
atë si “narracion (rrëfim) fiktiv në
prozë apo në vargje, që shfaq interesim për incidentet e çuditshme dhe të
pazakonta”, ndërsa në roman “ngjarjet
vendosen në rrjedhën e zakonshme të ngjarjeve njerëzore dhe në gjendjen
bashkëkohore të shoqërisë”.
Mirëpo,
edhe shumë romanca, duke përfshirë edhe romancat historike të Skotit, “Lartësitë e stuhishme” (Wuthering
Heights, botuar në vitin 1847) të
prozatores dhe poetes angleze Emili Xhein
Brontei (Emily Jane Brontë, pseudonim Ellis Bell, 1818-1848) dhe “Mobi-Dik ose balena e bardhë” (Moby-Dick, or
the Whale, 1851) të romancierit,
tregimtarit dhe poetit amerikan Herman Melvil
(Herman Melville, 1819-1891) - shpesh quhen novela kështu që Skoti e
përshkruan romancën si “term i ngjashëm”.
Romanca,
siç është përkufizuar këtu, nuk duhet të përzihet me zhanrin e fiksionit të romancave erotike apo me romanin romantik.
Gjuhët e tjera evropiane nuk bëjnë gjithmonë dallim midis romancës dhe novelës:
“novela është le roman, der Roman, il romanzo”.
Etimologjia – Emërtimi i këtij lloji
letrar – “roman”- në shumë gjuhë vjen
nga fjala “romancë”, që në mesjetë,
kur gjuhë zyrtare ka qenë latinishtja,
ka qenë emërtim për veprat e shkruara me gjuhën laike. Kështu, ky lloj letërsie
shërben si materie e lehtë e destinuar për lexuesit me shije “të ulët”, të prirë
për trillime apo për imagjinimin e ndonjë komploti dashurie, për aventura të
tmerrshme, me një fund fatlum. Që nga periudha e helenizmit të vonë (shekujt
I-III) deri më sot, romancat voluminoze në prozë janë formësuar pikërisht në
këtë mënyrë.
Përballë kësaj,
emërtimi anglez dhe spanjoll është “novelë”
që të çon të mendosh për aktualitetin e rrëfimit, duke theksuar pretendimin
ndaj vërtetësisë jetësore, siç janë krijuar shumë më thuktë novelat prej
shekullit XIII e këndej.
Kërkesa për sajim, në
një anë dhe kërkesa për autenticitet, në anën tjetër, me shekuj ekzistojnë
pranë njëra-tjetrës, për t’u bashkuar jo më parë se në shekullin XVIII, që
konsiderohet periudhë e lindjes së romanit, në kuptimin e sotëm të fjalës.
Përkufizimi i zhanrit – Romani është rrëfim fiktiv i
gjatë që i përshkruan përvojat njerëzore intime. Romani në epokën moderne
zakonisht e përdor stilin e prozës letrare, kurse zhvillimi i romanit në prozë
në atë kohë ka qenë i nxitur me inovacionet në shtypje dhe me vënien në
përdorim të letrës së lirë në shekullin XV.
Fjala e tashme
angleze (dhe spanjolle) për punën afatgjatë të fiksionit në prozë rrjedh prej
fjalës italiane novella për “nov”, “vest” ose “tregim i shkurtër
për diçka të re”, prej fjalës latine
novella, emër në njëjës që përdor
shumësin jogjinor të fjalës novellus,
të diminutivit të fjalës novus, me
kuptimin “i ri / e re”.
Shumë gjuhë evropiane
e përdorin fjalën romance (siç është
në frëngjisht, holandisht, rusisht, rumanisht, kroatisht, danisht, suedisht dhe norvegjisht “roman”; në finlandisht romaani; në gjermanisht Roman; në portugalisht romance dhe në italisht romanizo) për narracionet (rrëfimet) e
gjata.
Tregimi i sajuar –
Përqendrimi në tregimin fiktiv më së shpeshti citohet si karakteristikë e
dalluar e romanit në raport me historiografinë. Mirëpo ky mund të jetë një
kriter problematik. Gjatë periudhës moderne të hershme autorët e rrëfimeve
historike shpesh i përfshinin gjetjet e rrënjosura në besimet tradicionale për
të zbukuruar përmbajtjen e tekstit apo për t’i dhënë besueshmëri mendimi. Historianët shpiknin dhe hartonin
edhe fjalime për qëllime didaktike. Nga ana tjetër, romanet mund ta pasqyrojnë realitetin
shoqëror, politik dhe personal të një vendi dhe periudhe me qartësi dhe detaje
që nuk ndodhen në veprat historike.
Proza letrare – Derisa proza, para se vargjet,
është bërë standard i romanit modern, paraardhësit e romanit modern evropian,
epikën e vargjeve e përfshijnë në gjuhët romane të Francës jugore, posaçërisht
ato të poetit dhe shkrimtarit mesjetar francez Kretjen dë Troa (Chrétien
de Troyes)* të shekullit XII
të vonë dhe në anglishten e mesme të poetit dhe filozofit anglez Xhefri Çoser, 1343-1400), autor i përmbledhjes me tregime “Tregime të Kenterberit” (The Canterbury Tales) ku e paraqet
laramaninë e shoqërisë mesjetare angleze me një gjuhë të gjallë dhe të
diferencuar.
Shënim:
Kretjen dë Troa supozohet të jetë lindur në vitin 1135, kurse në pikëpamje letrare ka
qenë veprues rreth viti 1160 deri në vitin 1190.
Xhefri Çoser (Geoffrey Chaucer; Londor,
1339 dhe 1343 - Londër, 25.10.1400) ka qenë poet dhe filozof mesjetar anglez.
* * *
Madje edhe në shekullin XIX, narracionet (tregimet) fiktive në vargje siç
janë: epi komik i papërfunduar “Don
Zhuani” (Don Juan, 1819-1824) i
poetit anglez Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, Londër, 1788 –
Missologhi, Greqi, 1824); romani në vargje “Eugjen
Onjegini” (1833) i poetit, tregimtarit dhe dramaturgut rus Aleksandar
Sergejeviç Pushkin (Moskë, 1799 – Shën-Pjetrëburg, 1837); dhe romani në
11.000 vargje “Aurora Li” (Aurora Leigh, 1857) i poetes angleze Elizabet Baret Brauning (Elizabeth
Barret Browning, 1806 – Firence, 1861) garojnë me novelat në prozë; “Porta e artë” (The Golden Gate, 1986) i
përbërë prej 590 strofave onjegiane* të romancierit dhe
poetit indian Vikram Set (Vikram Seth, Kalkutë,
Indi, 1952- ) është shembull i ri i romanit në vargje.
Shënim: Aleksandar Sergejeviç
Pushkini krijoi strofë onjegiane të
përbërë prej 14 vargjeve.
Përmbajtja e romanit:
Përvoja intime
– Edhe në Japoni në shekullin XII edhe në Evropë në shekullin XV fiksioni
prozaik krijoi situata intime lexuesish. Në anën tjetër, vargjet epike, duke
përfshirë “Odisenë” dhe “Eneidën” i recitoheshin publikut të
zgjedhur, edhe kjo ka qenë një përvojë më intime nga shfaqja e pjesëve në
teatër.
Bota e re e modës
individuale, e mirësjelljes dhe e sjelljes galante, e
qëndrimeve personale, e ndjenjave intime dhe e sekretit të ankthit u
përhapën në romane dhe në romancën e lidhur.
Historia e romanit – Gjeneza e romanit si zhanër
është tejet komplekse dhe mund të shkohet deri edhe në disa forma të letërsisë
antike. Megjithëkëtë konsiderohet se romani fillon t’i ngjajë formës moderne të
tij në epokën e Rilindje (Renesancës), si
pasojë e dominimit gjithnjë më të madh të prozës dhe zhvillimit të shtypit.
Romani i periudhës antike (Letërsia antike greke) – Lindi
qysh në Greqinë e lashtë në shekulli II dhe ndërlidhet me zhvillimin e
filozofisë. Tematikën e jetës private dhe të ndjenjave intime e trajton forma e re të cilën teoricienët
antikë e kanë quajtur tregim për persona që
sot e ka marrë emrin roman. Prej romaneve greke janë ruajtur kryesisht
ato që shtjellojnë tematikë dashurie: rëndom përshkruhen personazhe të sajuara,
e pikërisht një çift i dashuruar që duhet të ndahet. Pastaj, pas shumë
aventurave dhe vuajtjeve përsëri e gjejnë njëri-tjetrin për ta vazhduar jetën e
lumtur. Romane antike greke më të rëndësishme që janë ruajtur janë: "Historia e Kaereas dhe Kallirhoë"
i romancierit grek Hariton* (shekulli I - II); “Tregime të Efesit për ngjarjet në
Antiok dhe Abrokom”.të romancierit grek Ksenofonti nga Efesi* (shekulli II). Kah mesi
i shekullit II romani bëhet një prej formave të prozës sofistike, siç shihet më
së miri nga vepra e shkrimtarit grek Longo (Longos, shekulli II ose
fillimi i shekullit III) nga ishulli Lezbos, autor i romanit baritor dashurie “Dafnisi dhe Hloja” (Poimenikà katà Dáphinin kaì Khló?n).
Shënim:
Haritoni (Afrodisias,
Karia, Azi e Vogël) romancier grek. Lulëzoi në shekullin I pas K. Autor i romanit
“Historia e Kaereas dhe Kallirhoë"; ndoshta romani më i hershëm romantik i plotë
në letërsinë perëndimore.
Ksenofonti
nga Efesi (Efez, shekulli II.) romancier
grek. Për
jetën e tij nuk ka të dhëna. Është autor i
njërit prej pesë romaneve antike të
dashurisë “Tregime të Efesit për ngjarjet në
Antiok dhe Abrokom”.
* * *
Risia në pasqyrimin e ngjarjeve të dashurisë qëndron në faktin se për
prapavijë të veprimit është marrë mjedisi baritor dhe se në vend të bredhjeve
të zakonshme dhe aventurave përshkruhen etapat e zbulimit të ndjenjave të
dashurisë. Në grupin e romaneve sofistike
bëjnë pjesë edhe “Tregime etiopike për
Teagenin dhe Harekleun” të Heliodorit* dhe “Tregime për Leukipin dhe Klitofonin” të shkrimtarit antik grek Akile
Tati (shekulli II)..
Shënim:
Heliodorus
Emesenus ose Heliodorus i Emesa është autor i romanit të lashtë grek “Aethiopica ose
Theagenes dhe Chariclea” ; supozohet se u përket viteve 220 ose 370 pas K.
Akil
Tati (Achilleus Tatios) i Aleksandrisë; shkrimtar grek i epokës romake i
shekullit II pas K. Fama e tij lidhet me veprën e tij të vetme që ka mbijetuar,
romanin ose romancën e lashtë greke “Aventurat
e Leukipit dhe Klitofonit”.
* * *
Në antikë janë shkruar romane historike (romani për Trojën, për
Aleksandrin e Madh), romane utopiste (roman për Pitagoreanët) dhe romane
aventurore dhe dashurie që kanë ndikuar më së shumti në zhvillimin e mëtejmë të
romanit. Romanet komike-satirike pasqyrojnë realitetin, e kritikojnë atë dhe e
parodizojnë, si dhe letërsinë ekzistuese, siç është romani satirik “Satirikon” (Satyricon ose Saturae, d.m.th. Satira) i satirikut romak Gaj Petronie (Gaius Petronius
Arbiter, Romë, ? - 66 pas. K.; i dha
fund jetës duke bërë vetëvrasje) dhe romani “Gomari
i artë” (Asimus aureus) i romancierit,
poetit dhe filozofit romak Apulej (Apuleus, Madaur, 125 – Kartaga?, pas
viti 170). Ka lindur në Numidie (Afrika veriore). Ka shkruar në latinisht dhe
në greqisht.
Shënim: Nga
romani “Satirikon” i Gaj Petronies
janë ruajtur vetëm fragmente nga librat 15 dhe 16.
* * *
Romani mesjetar – Në
mesjetë ekziston romani në vargje, zakonisht me tematikë dhe stil të lartë antik
dhe kalorësiak. Disa prej tyre janë: “Romani
për Tristanin dhe Izoldën”, “Aleksandrida” (Roman për Aleksandrin e Madh),
Roman për Trojën). Gjatë Humanizmit dhe Rilindjes (Renesancës) shfaqën romani
kalorësiak, romani pikaresk dhe romani baritor (pastoral).
Romani kalorësiak e ka
prejardhjen nga Mesjeta. Personazh kryesor është një kalorës i cili e respekton
kodin e nderit dhe kapërcen një sërë pengesash për të bërë një vepër fisnike
kushtuar zotit të tij ose zonjës së tij të zgjedhur.
Romani pikaresk zhvillohet
në shekullin XV. Personazh është njeriu anonim i zakonshëm, endacak dhe
mashtrues (picaro) i cili jeton me
dinakëri dhe zgjuarsi.
Romani baritor (pastoral)
shfaqet në fillim të shekullit XVI. Themelues i tij është shkrimatri apo poeti
italian i Rilindjes Jakopo Sanazaro (Jacopo Sannazaro; Napoli, 1458 –
Napoli, 1530) me veprën e tij “Arkadia”
(Arcadia, 1504). Supozohet se familja e tij fisnike kishte origjinë spanjolle.
Romani i Rilindjes (Renesancës) arrin kulmin me “Sojliu mëndjemprehtë Don Kishoti i Mançës” (El
ingenioso hidalgo don Quijote
de la Mancha, pjesa I 1605; pjesa II 1615) e shkrimtarit spanjoll Muguel de Servantes Saavedra (Migues de
Cervantes Saavedra, 1547 - 1616). Për shkollimin e tij nuk dihet asgjë.
Shënim:
“Tristani
dhe Izolda” është një histori dashurie tragjike mesjetare. Motivi i dashurisë fatkeqe ose të pamundur është i
njohur në shumë variacione në letërsi dhe si model për shumë vepra të tjera
arti prej të cilave më të njohura janë opera “Tristani dhe Izolda” e kompozitorit gjerman Rihard Vagner (Richerd
Wagner)* dhe filmi i vitit 2006 i regjisorit dhe skenaristit
amerikan i filmit Kevin
Rejnold (Kevin Hal Reynolds, 1952- ) edhe ky me
emërtimin “Tristani dhe Izolda”.
Rihard Vagner (Wilhelm Richard Wagner; Lajpcig, Gjermani, 22 maj 1813 – Ca’Vendramin Calergi, Venecie, Itali, 13 shkurt 1883)
kompozitor, regjisor teatri, eseist dhe dirigjent gjerman.
* * *
Po ashtu paraqitet
edhe romani fantastiko-satirik, si “Gargantua
dhe Pantagruel” i romancierit francez Fransua
Rable (François Rabelais, 1484-1553). Janë pesë libra (cinq livres) për jetën dhe bëmat e
Gargantuas dhe Pantagruelit. Titulli citohet i shkurtuar si “Gargantua dhe Pantagruel”. Këta pesë
libra janë shkruar në shekullin XVI. Në to flitet për aventurat e dy
gjigantëve, Gargantuas dhe djalit të tij Pantagruelit.
Romani në kohën moderne – Në romanin “Princesha dë Klevë” (La Princesse de Clèves, 1678) të prozatores franceze Konteshës dë La Fajet (comtesse de
Marie-Madeleine La Fayette, 1634-1693), mike e afërt e eseistit francez Fransua dë La Roshfuko (François de La
Rochefoucauld, 1613-1680) flitet për gruan e cila jeton për dashurinë e vet dhe
lufton për të, pavarësisht nga çmimi. Është i pari roman psikologjik dhe një
prej romaneve të para moderne. Ngjarja zhvillohet në Francë në mes të
shekullit XVI. Vepra ishte konceptuar si roman historik, por me kohën dhe
hapësirën e veprimit dallohej prej krijimeve që atëherë ishin tipike për
zhanrin e që merrnin tematikë greke dhe romake. Për këtë arsye, rrëfimi për
gruan e re të martuar e cila për shkak të ndjenjës së detyrës dhe virtytit të
vet e ngulfat afshin e vet për fisnikun e ri, mund të konsiderohet edhe reagim
klasik ndaj konceptit barok të romanit. Ndikimi i kësaj vepre ndihet në
shekullin XVIII.
Në romanin “Historia e kalorësit de Gri dhe e Manon
Lesko” (Histoire du chevalier des
Grieux et de Manon Lescaut, 1731) romancieri francez
Antuan Fransua Prevo (Antoine François Prévost d’Exiles, 1697-1763) flet
për dashurinë e pathyeshme të fisnikut të ri ndaj vashës së bukur, por
moralisht të paqëndrueshme Manon, për të cilën e flijon pozitën, familjen dhe
autoritetin. Me këtë vepër ushtroi
ndikim edhe te shkrimtari dhe filozofi francez Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques
Rousseau, 1712-1778); te romancieri francez
Stendal (emri i vërtetë Marie-Henri Beyle, 1783-1842), te prozatori,
dramaturgu dhe publicisti rus Leon Nikolajeviç
Tolstoj (1828-1910) - “Ana Karenina” 1875-1877), te prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Vulf (Virginia Woolf,
1882-1941), te prozatori amerikan,
laureat i çmimit “Nobel” (1949), Uilliam
Fokner (William Faukner, 1897-1962), te prozatori dhe poeti irlandez Xhjemz Xhojs (James Joyce, 1882-1941) e
të tjerë.
Realizmi – Romani qytetar pasqyron jetën e
përditshme të një familjeje pa thurje të posaçme. Kjo paraqet fillimin e
romanit realist (romancieri francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac, 1799-1850); novelisti dhe dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov, Taganrog, 1860 – Badenweiler,
Gjermani, 1904).
Romani komik si roman
familjar ose parodi (Sharl Soler, “Bariu pervers” / Perverted shepherd – heroi mendon se është bari dhe
i kritikon dukuritë në shoqëri)..
Në shekullin XVIII
romani i kthehet njeriut – individit, lartëson jetën e
rëndomtë. Shkruhet si biografi,
autobiografi ose si histori e jetës së dikujt. Në gjysmën e dytë të shekullit
XVIII. me Zhan-Zhak Rusonë, romani
bëhet zhanër dominues në formën e një rrëfimi – ekzaminimi i vetvetes në mënyrë
që çdo individ të mund të takohet me vetveten. Proza satirike “Udhëtimet e Guliverit” (Gulliver’s Travels, 1726) e prozatorit anglez-irlandez Xhonata Suift (Jonathan Swift, Dublin,
1667 – Londër, 1745; pseudonim Isaac Bickerstaff) dhe romani filozofik dhe
parodia e romanit aventuresk-sentimental “Kandid”
(Candide, 1759) i shkrimtarit dhe filozofit francez Volter (emri i vërtetë François-Marie Arouet, Paris; 1694 – Paris,
1778) janë romane në të cilat bashkohen zhanre të ndryshme.
Me kombinimin e
romanit panoramik dashurie dhe psikologjike, lind romani arsimor tema e të
cilit është zhvillimi i personalitetit të njeriut. Kjo është risi në shekullin
XVIII. Heronjtë janë të individualizuar, të kushtëzuar nga prejardhja, nga mjedisi,
nga personaliteti, si dhe nga koha e vendi i veprimit që janë caktuar.
Prozatori anglez Semjuel Riçërdson (Samuel Richardson,
1689-1761) krijon roman epistolar (në
formë letrash), kurse prozatorit anglez Henri Filding (Henry
Fielding; Sharpham Park, Somerset, 1707 – Lisbonë, 1754) i intereson fenomeni i
rrëfimit dhe shtron çështjen e dy kohëve – kohën e tregimit dhe kohën e
rrëfimit. Prozatori anglez Daniel Difou (Daniel
Defoe, Londër, 1660- Londër, 1731) i pari krijon heroin i cili është përgjegjës për fatin e vet.
Shënim: Romani epistolar i Semjuel
Riçërdsonit (Samuel Richardson) “Pamela
ose virtyti i shpërblyer” (Pamela: or, Virtue Rewarded, 1740).
* * *
Është pikëpamje e
popullarizuar se “Don Kishoti” i Servantesit është i pari roman modern, por zhvillimi bashkëkohor i
zhanrit është shumë më kompleks dhe nuk mund të ndërlidhet me një tekst.
Zakonisht konsiderohet se format në prozë, sikur ato që zakonisht quhen roman,
janë zhvilluar gjatë shekullit XVI dhe XVII, për të ardhur në ngritjen e
vërtetë të romanit në shekullin XVIII, duke filluar prej abatit romancieri
francez Prevo (Antoine François Prévost
d’Exiles, i mbiquajtur abati Prevo; 1697-1763) në Francë dhe prozatori anglez Daniel Difou (Daniel Defoe, 1660-1731) në Angli; pastaj në veprat e
shkrimtarëve siç janë prozatori anglez Henri
Filding (Henry Fielding, 1707-1754); prozatori anglez me arsimim modest, Senjuel Riçërdson (Samuel Richardson, 1689-1761); romancieri anglez i
shkolluar në Cambridge, Lorens Stern (Laurence
Strene, 1713-1768); dramaturgu dhe romancieri francez Marivo (Pierre Carlet de Chamblain de Marivaux, Paris, 1688 –
Paris, 1763); shkrimtari dhe filozofi francez
Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778) etj. Në shekullin XIX romani bëhet pa
dyshim formë letrare dominuese.
Në zhvillimin e më
tejmë të romanit tregimtari bëhet “udhëheqës
i iluzionit” dhe krijues i tij, “zot
i gjithësisë së tij”, kurse zëri i tregimtarit vazhdimisht komunikon me
lexuesin. Edhe autori edhe lexuesi janë të udhëzuar në tekst.
Llojet e romanit – Ekzistojnë shumë lloje
romanësh: autobiografik, biografik, fantastik, fantastiko-shkencor, aventuror,
aventuresk, kriminalistik, roman dashurie (erotik), roman për fëmijë, historik,
humoristik, publicistik, satirik etj.
Romani klasik – Në
epokën e Rilindjes (Renesancës) romani vjen në shprehje më tepër, kështu që
plotësisht zhvillohet ashtu si e njohim sot si roman klasik. Romani klasik më i
njohur është “Don Kishoti” i
shkrimtarit spanjoll Miguel de Servantes i vitit 1605. Në të vërtetë, ky
roman është parodi ndaj romaneve kalorësiake që në atë kohë kanë qenë të
popullarizuar.
Karakteristikat
- fabul e fortë
- renditje kronologjike e ngjarjeve
- kohë më e gjatë e veprimit
- thjeshtësi
- narrator (tregimtari) i gjithëdijshëm në vetën e tretë
Ndarja
- sipas temës:
shoqëror, familjar, psikologjik, historik, aventuror, dashurie, kalorësiak,
kriminalistik, roman detektiv, roman për fëmijë,
- sipas tonit:
humoristik, satirik, didaktik, heroik, sentimental
- sipas ekzistimit:
klasik, modern dhe bashkëkohor
. - sipas formës:
- roman personazhi – në strukturë mbizotërojnë personazhet e
lidhur (ose një personazh)
- roman ngjarjeje – ngjarja e bashkon atë që e përpunon romani
- roman hapësire – lidhje e rëndësishme është ndonjë hapësirë e
imagjinuar ose ndonjë hapësirë reale
- zinxhiror
(shkallëzor) – rrëfimet si pjesë e
romanit lidhen njëri me tjetrin; me mbarimin e njërit fillon tjetri
- unazor – një rrëfim i futur në kornizë që i përfshin të
gjithë të tjerët, ndonjë ngjarje mundëson kornizë brenda së cilës tregohet i
tërë romani
- paralel – disa tregime zhvillohen paralelisht
- roman-lumë – përfshin ciklin e romaneve të lidhura
Romani modern - Romani modern paraqitet në
shekullin XX dhe rrënjët i ka te vepra “Krim
dhe ndëshkim” (1866) të romancierit dhe novelistit rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (Moskë, 1821 – Shën-Pjetërburg,
1881). I pari roman modern i vërtetë është cikli “Në kërkim të kohës së humbur” (A
la recherche du temps perdu, 1913-1927)
të romancierit francez Marsel Prust (Marcel
Proust, Paris, 1871 – Paris, 1922). I përktheu veprat e estetëve anglezë. Në
veprën e vet krijon një lloj të veçantë
romani (romanin monologjik-asociativ –
romanin ese dhe romanin e përroit të ndërgjegjes), hyn në botën e nënvetëdijes dhe zhvillon teknikën e
solilokviumit, d.m.th. të monologut (monologu i brendshëm, duke folur për veten
objektivisht dhe në mënyrë të ftoftë). Po ashtu përdor kohën
psikologjike (të brendshme, ndryshe nga ajo reale).
Karakteristikat
- koha psikologjike (subjektive) (në realitet zakonisht disa ditë ose
orë)
- riprodhim i vetëdijes njerëzore
- monologu (sililokviumi) i brendshëm, i narracionit (i të rrëfyerit)
- fokusi është te personazhi dhe jo te ngjarja (për të zbuluar sa më mirë
botën e brendshme të njeriut)
- defabulizimi (zhdukja e fabulës); fabula dobësohet ose zhduket, veprimi
nuk ka lidhje shkak-pasojë, varet prej përjetimeve subjektive të personazhit)
- tema të shpeshta janë kërkimi i kuptimit të jetës, të menduarit për
vetveten, pyetjet për botën dhe për kuptimin e saj
- narratori (tregimtari) nuk është i besueshëm dhe është subjektiv,
rrëfen në vetën e parë njëjës
- gjuha e filozofisë, e simboleve (metagjuhë)
Ndarja
- roman-ese - lloj romani modern në të
cilin rrëfimi epik plotësohet nga ndjenja dhe asociacione
- roman i përroit të ndërgjegjes - roman modern që nuk ka veprim të vërtetë,
narratori (tregimtari) është në vetën e parë dhe flet për botën e tij të
brendshme në monolog
- roman idesh - e çliruar nga
nënshtrimi realitetit, në të hyn gjithçka
- roman filozofik - filozofia
popullarizohet me ndihmën e veprës letrare në të cilën është derdhur
- roman eksperimental – hulumtohen
dhe realizohen mënyra të ndryshme të shprehjes dhe të strukturimit, çdo gjë i
nënshtrohet riinterpretimit konstruktiv dhe destruktiv
Romani bashkëkohor apo postmodern
- Romani bashkëkohor apo postmodern lind në vitet ’60 dhe ’70 të
shekullit XX. Vepra fillon të trajtohet si diçka e ndryshueshme,
shumë-kuptimore, strukturë që është plotësisht e hapur për lexuesin dhe për
interpretimin e tij. Në romanin postmodern rrjedha
historike hiqet, kurse rrëfimi ndërtohet prej fragmenteve dhe tregimeve e zhanreve të tjera, ndërlidhen drejtime
të ndryshme të mëhershme të stilit. Autori i shmanget fundit absolut, humbin
kufijtë, rrëfimi qëndron midis reales dhe imagjinares. Kështu lindin shumë
drejtime të vogla, zakonisht kombëtare, varësisht nga zgjedhja e zhanreve dhe
stilit.
Proza e xhinseve -
Termi prozë e xhinseve (proza jeans)
u shkrua në Kroaci si lloj proze e
viteve ’60 të qindvjeçarit XX, në kufirin midis romanit modern dhe atij
bashkëkohor. Është lloj i veçantë i romanit urban i lindur sipas romanit "Gjuetari në drithë" (The Catcher in the Rye, 1951) të tregimtarit amerikan Xhëroum
Deivid Saelinxher (Jerome David Salinger, Manhattan, Nju-Jork, 1919 – New
Hampshire, ShBA, 2010). Ky është roman i vetëm i tij. U shfaq si kundërshti
ndaj intelektualizmit të fuqishëm problematik të romanit
modern. Karakterizohet nga një i ri si personazh kryesor i cili është atipik,
pasiv, pa qëllime, i lënë në margjinat e jetës urbane i cili i kundërvihet botës
së të rriturve. I përket një grupi të vogël,
bashkërisht i sfidojnë vlerat tradicionale dhe krijojnë kulturën e tyre
(veshje, muzikë, gjuhë). Në romanet e këtilla, të rriturit zakonisht dëgjojnë
muzikë klasike dhe flasin në gjuhën standarde, që është në kontrast me heroin e
ri. Xhinset nuk janë më vetëm artikull
veshjeje. Ato bëhen një lloj botëkuptimi, pikëpamjeje mbi botën. Ngjarjet
ndodhin kryesisht në mjedis urban, zhargonizmat
janë të shpeshta, kjo më nuk e folme filozofike, por e folme e rinisë së
çarshisë.
Romani grafik – Romani grafik apo novela
grafike është formë letrare sintetike e cila bashkon tekstin dhe figurat, apo
siç thotë vetë emërtimi – roman vizatimor.
Në pikëpamje teknike, romani grafik më së shumti i ngjan strupit, por termi më së shpeshti ka të bëjë me tregimin komplet të
botuar në një libër dhe jo me tregimin që publikohet në mënyrë periodike.









