E hene, 23.02.2026, 10:18 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Lufta në Slloveni – Agresioni Serbomadh

E hene, 23.02.2026, 06:57 PM


LUFTA NË SLLOVENI

AGRESIONI SERBOMADH

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Lufta dhjetëditëshe u zhvillua prej datës 27 qershor 1991 deri në datën 6 korrik 1991. Përfundoi me fitoren e pavarësisë së Sllovenisë; Casus belli (shkas lufte) ishte pavarësimi i Sllovenisë nga RSFJ-ja. Palë ndërluftuese qenë Mbrojtja territoriale e Sllovenisë përballë Armatës Popullore të Jugosllavisë. Në anën sllovene luftonin 16.000 ushtarë dhe 10.000 policë, kurse në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), përkatësisht në anën serbe - 25.000 ushtarë. Pasojat e luftës dhjetëditore ishin: në anën sllovene 19 të vrarë dhe 182 të plagosur; kurse në anën serbe - 44 të vrarë, 146 të plagosur. 4693 ushtarë të APJ-së iu dorëzuan Mbrojtjes territoriale të Sllovenisë. U vrarë edhe 6 të huaj.

*   *   *

Lufta në Slloveni ose Lufta dhjetëditëshe ishte një konflikt i shkurtër i armatosur midis Sllovenisë dhe Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ): Konflikti ndodhi në vitin 1991, pas shpalljes së Sllovenisë si shtet të pavarur nga RSFJ-ja. Njësitë vendore të APJ-së, të plotësuara kryesisht me ushtarë afati, pësuan humbje në konfliktin me Mbrojtjen territoriale sllovene, përpjesëtimisht më të vogël. Në të dyja palët u vranë 66 veta. Sllovenia po ashtu kishte dobi nga skema financiare e ndërlikuar të prillit të vitit 1991 me garanci të Bankës Popullore të Jugosllavisë në Beograd. Për këtë arsye, dinari jugosllav humbi pothuajse 50% të vlerës së vet. Mirëpo, Sllovenia kishte siguruar rezerva të konsiderueshme në valutë të huaj, që e financonte kalimin në pavarësi. Sipas disa burimeve, bisedimet midis Lubjanës dhe Beogradit lidhur me kthimin e një pjese të këtyre fondeve ndihmuan në arritjen e pavarësisë së Sllovenisë.

*   *   *

I ashtuquajturi revolucion antiburokratik i vitit 1989 rezultoi me suprimimin e autonomisë së autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës, kurse udhëheqësit e tyre u zëvendësuan me njerëz luajalë ndaj Slobodan Milosheviqit (1941-2006). E njëjta ndodhi edhe me Malin e Zi. Pas kësaj, Sllovenia filloi ta flakë komunizmin dhe në vitin 1990 i shpalli zgjedhjet e para të lira. Serbia bënte me të “luftë ekonomike”. Në dhjetor të vitit 1990 u mbajt në Slloveni referendumi për pavarësi. Atë e mbështetën 88,5% e popullsisë.

Rrotacionin e rregullt në krye të Kryesisë së RSFJ-së, në të cilën vendin e kryetarit duhej ta merrte kandidati kroat Stjepan Mesiq (Orahovica, Kroaci, 24.12.1934- ), e parandaloi blloku serbo-malazez. Me këtë u shkel seriozisht kushtetuta jugosllave. Udhëheqja serbe e refuzoi propozimin e Sllovenisë dhe të Kroacisë për riorganizimin e Jugosllavisë në konfederatë dhe kërkoi centralizimin më të madhe të pushtetit. Pasuan edhe incidente të armatosura. Në shenjë reagimi, më 25 qershor të vitit 1991 dy republikat shpallën pavarësinë.

*   *   *

Shpërtheu lufta – Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë në Slloveni, shpërthyen konflikte afatshkurtra. Ato zgjatën dhjetë ditë, prej 27 qershorit të vitit 1991 deri më 6 korrik të atij viti. Për ta parandaluar pavarësinë e Sllovenisë, njësitë vendore të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), të plotësuara kryesisht me ushtarë afati, hyrën në konflikt me Mbrojtjen territoriale të vogël të Sllovenisë. Qysh në vitin 1990 APJ-ja u përpoq ta çarmatosë Mbrojtjen territoriale sllovene, por ia doli të konfiskonte 40% deri në 60% të armëve. Ky faktor kontribuo dukshëm në suksesin e mbrojtjes sllovene.

Forcat sllovene e braktisën APJ-në dhe iu bashkëngjitën Mbrojtjes territoriale sllovene të re dhe policisë së saj, Në vitin 1991 serbët dhe malazeztë përbënin 38,8% tëpopullsisë së Jugosllavisë, por përbënin 70% të zyrtarëve të APJ-së. Rezervistë kroatë dhe sllovenë në mënyrë masive e bojkotuan luftën. Si pasojë, APJ-ja kishte probleme për kryerjen e operacioneve. Prej 25.000 ushtarëve, 7900 sish dezertuan ose refuzuan të luftojnë. Qeveria sllovene shpalli se ndodhet në “gjendje lufte” dhe iu lut bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë. Që në mars të vitit 1991 rekrutët sllovenë nuk i paraqiteshin qeverisë federale.

*   *   *

Më 26  dhe 27 qershor të vitit 1991 APJ-ja u nis për t’i shti në dorë vendkalimet kufitare me Italinë, me Austrinë dhe me kufirin slloven me Hungarinë, “për të vendosur regjim kufitar normal dhe për mbrojtjen e integritetit të vendit.” Pasditen e 26 qershorit të vitit 1991, njësitë e Korpusit të 13-të të APJ-së u nisën nga kazerma në Ilirska Bistrica (Bistrica Ilire) drejt kufirit italo-slloven. Gjeneral-nënkoloneli me prejardhje sllovene, Marijan Çad (Maribor, Slloveni, 22.10.1932 – Lubjanë, 14.04.2020) u nis në aksion me 350 ushtarë, 11 tanke, 5 transportues të blinduar dhe 6 mjete kundërtank, pa lejen e gjeneral-kolonelit të APJ-së Konrad Kolshek* (Shibenik, Kroaci, 1933 – Cele, 2009) i cili në atë kohë ishte komandant i Zonës së Armatës së Pestë. Pa miratimin e Beogradit për veprime më të ashpra, njësitë e APJ-së ishin të përmbajtura.

Shënim: Gjeneral-koloneli i APJ-së Konrad Kolshek (1933-2009) me të qëlluar në “hapësirë vakumi” nuk u pajtua as me qëndrimet e udhëheqjes më të lartë shtetërore dhe ushtarake të RSFJ-së në Beograd, as me udhëheqjen politike të Republikës së Sllovenisë në Lubjanë. Me dekretin e Kryesisë së RSFJ-së, të datës 29 qershor 1991 u shkarkua nga detyra e shefit të Shtatmadhorisë së Zonës së Armatës së Pestë. Në tetor të viti 1991 u pensionua.

*   *   *

Në pikëpamje taktike, Mbrojtja territoriale sllovene ia preu APJ-së burimet e furnizimit dhe ia rrethoi kazermat, siç kanë vepruar dikur edhe partizanët. Në mungesë të artilerisë, APJ-ja u ndesh me vështirësi. Mbrojtja territoriale sllovene ia preu kolonën e mjeteve të transportit dhe për ta parandaluar invadimin e mëtejmë, ngriti barriera. Politikanët në Lubjanë mendonin se APJ-ja nuk do të dëshironte një luftë që do të zgjaste shumë gjë që u tregua e sajtë. Beogradi dëshironte t’i orientojë forcat e veta kundër Kroacisë. Nuk donte të luftojë në të dyja anët, përfshi edhe boshnjakët. Deri në mesnatë të 27 qershorit të vitit 1991, APJ-ja i mori të gjitha vendkalimet kufitare në kufirin italo-slloven dhe pothuajse të gjitha vendkalimet në kufirin austriak dhe vendkalimet e reja të krijuara përgjatë kufirit slloven me Kroacinë. Në ditët në vijim, Mbrojtja territoriale e Sllovenisë i merr të gjitha vendkalimet kufitare, duke i shkatërruar plotësisht njësitë e APJ-së në ato zona. U asgjësuan 31 tanke, 2 helikopterë, 230 automjete luftarake. Mbrojtja territoriale nuk pati humbje të mëdha.

Përgjigjja e Kroacisë – Kroacia dëshironte t’i ndihmojë Sllovenisë, ndonëse dobët ishte e armatosur. Posedonte vetëm njësi të vogla pa armë të rënda. Tanket të cilat prej kazermave në Kroaci u nisën drejt Sllovenisë, tentuan t’i ndalin civilët kroatë të cilët protestoni. Në ato protesta, APJ-ja vrau qytetarin kroat Raveno Çuvalo*. Në ato aksione, qytetarët e Zagrebit nuk kishin kurrfarë armësh, përpos mjeteve artizanale. Me “Koktej molotovi” dhe me pajisje të tjera artizanale i sulmonin njësitë tankiste që dilnin nga kazerma “Mareshali Tito” dhe niseshin për në Slloveni. Me këtë rast, disa tanke u dogjën. Në të njëjtën kohë, në Kroaci shpërtheu kryengritje e hapur, pothuajse në të gjitha pjesët e banuara nga popullsia serbe. Në pjesët veriore të Kroacisë nuk kishte qetësi. Posaçërisht reaguan në Megjumurje. Populli doli në rrugë dhe në ura për t’i parandaluar njësitë e APJ-së që u nisën nga Varazhdini për në Slloveni.

Po atë natë, kur më 27 qershor 1991 APJ e sulmoi Slloveninë, kryeministri kroat Josip Manoliq* ((22.03.1920 – 15.04.2024) thirri seancën e fshehtë të qeverisë Kroate. e cila ushtonte prej fjalimeve euforike të solidaritetit. Seanca nuk kaloi pa interesimin e Fuqive të Mëdha: Menjëherë pas kësaj seance gjoja të fshehtë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë ia behu konsulli i përgjithshëm amerikan Mike Einik (M. Michael Einik;  New York State, 1949- ), duke u interesuar për vendimin e qeverisë kroate.

Diplomati kroat Davorin Rudolf* (Omish, 13.02.1934- ) i është përgjigjur për vendimin e qeverisë se Kroacia do t’i ndihmojë ushtarakisht Sllovenisë, por reagimi i mjerueshëm i diplomatit amerikan dëshmoi se ShBA-ja e dinte mirë se Kroacia nuk ka me çka i ndihmon.

Shënim: Raveno Çuvalo (Srednja Dobrava, Radovlica, 06.08.1958 – Zagreb, 02.07. 1991) ishte viktima e parë civile e APJ-së në Kroaci para Luftës për Atdhe.

Davorin Rudolf (Omish, 13.02.1934- ) është dijetar dhe politikan kroat, anëtar i rregullt i Akademisë Kroate të Shkencave dhe të Arteve, i Akademisë Botërore të Arteve dhe të Shkencave (World Academy of Art and Science), profesor universitar i të drejtës publike ndërkombëtare në paqe dhe doktor i shkencave juridike.

Josip "Joža" Manoliq (22.03.1920 – 15.04.2024) politikan kroat dhe revolucionar komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ish-anëtar i shërbimit sekret serb në Jugosllavi. Me rastin e një interviste për mediumin e Bosnjës dhe Hercegovinës, “Dnevni Avaz”, pyetjes së gazetarit në ka në shtetet e dala në ish-Jugosllavia ende krerë politikë që kanë qenë pjesë e UDB-së (Uprava drzhavne bezbednosti / Drejtoria e Sigurisë Shtetërore), ai përgjigjet: “Sigurisht që po dhe ata ndodhen në majat e këtyre shteteve.”

*   *   *

Forcat kroate deri në mbarim të luftës në Slloveni nuk janë lëshuar në kurrfarë operacione të armatosura kundër APJ-së. Këtë do ta bëjë në shtator të të njëjtit vit, gjatë betejës për kazermat. Dokumentet që janë gjetur më vonë kanë dëshmuar se kreu ushtarak i Jugosllavisë ka pritur ndërhyrjen kroate ndaj pushtimit të Sllovenisë, që do t’i shërbente APJ-së si pretekst për t’iu vërsulur me të gjitha forcat Kroacisë, të armatosur dobët.

APJ-ja anembanë Kroacisë demonstronte forcë duke nxjerrë në rrugë kolonat e tankeve dhe mjetet e tjera të blinduara, gjë që i provokonte qytetarët kroatë. Megjithëkëtë, ata nuk u dekurajuan. Më 27 qershor 1991 në Osijek ndodhi një prej ngjarjeve më mbresëlënëse të Luftës për Atdhe. Gjatë agresionit serbomadh, APJ me tanke demonstronte forcë ushtarake nëpër rrugët e qytetit të Osijekut. Skena televizive që u xhirua në atë kohë në udhëkryqin e Rrugës së Vukovarit (sot) Rruga e Tërpimirit, mori dheun. Mbrojtësi kroat Branko Breshkiq* nga Osijeku vërejti një kolonë të tillë tankesh të cilat në Osijek, në rrugën e Vukovarit lëviznin në drejtim  të perëndimit. Pa u hamendur, prej pompës së benzinës ku ishte duke marrë lëndë djegëse për “Fiqon e kuqe”, u rreshtua pas kolonës së tankeve. E tejkaloi kolonën dhe në një largësi të sigurt kërceu prej automjetit, duke e lënë atë në mes të udhëkryqit. Tanku T-55 i APJ-së e shkeli automjetin dhe e shkatërroi. Branko Breshkiqi u bërë simbol i qëndresës së qytetarëve të Osijekut.

Shënim: Vetura Fiqo “e shkel“ tankun ose Fiqo e kuqe është instalim artistik në Osijek. Simbolikisht tregon fitoren kroate mbi APJ-në dhe agresorin serb. Në udhëkryqin e Rrugës së Vukovarit dhe të Tërpimirit, Fiqoja e kuqe hyri në legjendë dhe në kujtesën kolektive të popullit kroat. Në vitin 2011 u vendos në Osijek një përmendore që të përkujton automobilin Fiqo i cili më 27 qershor 1991 u shkatërrua nën vemjet e tankut T-55 të Armatës Popullore të Jugosllavisë.

*   *   *

Konfliktet dhjetëditëshe u ndërprenë më 7 korrik të vitit 1991 me marrëveshjen në Brioni, me ndërmjetësimin e “treshit” evropian, tre ministrave të Punëve të Jashtme, politikani dhe diplomati holandez Hans van den Broek (Henri (Hans) van den Broek; Paris, 11.12.1936 - Bussum, 22.02.2025), politikani nga Luksemburgu Zhak Pos (Jacques François Poos, 03.06.1935 – 19.02.2022) dhe politikani portugez Xhoao de Deus Pinheiro (João de Deus Rogado Salvador Pinheiro; (Lisbonë, 11.07.1945).

Seanca e parë e ardhshme e Kryesisë së RSFJ-së, në vend në ishullin Brioni të Kroacisë, u mbajt në Beograd për arsye se një pjesë e Kryesisë (Serbia, Vojvodina, Mali i Zi) nuk donin të mbanin mbledhje në Kroaci, kinse shumë larg “sigurisë së Serbisë” Mbledhja u mbajt më 18 korrik 1991 në Beograd. Në këtë mbledhje, Kryesia e votoi Vendimin për zhvendosjen e njësive të APJ-së nga territori i Republikës së Sllovenisë. Për këtë vendim votuan 7 anëtarë të Kryesisë, kurse 1 anëtar votoi kundër. Kundër votoi Stjepan (Stipe) Mesiqi (24.12.1934- ) i Kroacisë.

Nëse sllovenët dhe serbët nuk u morën vesh për tërheqje para 25 qershorit, tani u mjaftonin tri javë për marrëveshje me të cilën Sllovenia “u lirua” nga Jugosllavia. Pastaj APJ-ja brenda tre muajve u tërhoq nga Sllovenia. Kështu Sllovenia, tre muaj pas kalimit të vendimit për pavarësi dhe me tërheqjen e APJ-së, u bë shtet ligjërisht i pavarur i cili po ashtu plotësisht e kontrollonte territorin e saj.

*   *   *

Humbjet e palëve ndërluftuese – APJ-së iu vranë 44 deri në 65 ushtarë, iu asgjësuan 31 tanke dhe 230 automjete luftarake. Fondi i të Drejtës Humanitare thotë se në luftë janë vrarë 23 shtetas të Serbisë. Pala sllovene ka pasur 16 ushtarë të vrarë dhe 6 civilë. Ka raste kur numri i të vrarë, nga cilado palë qoftë, del i diskutueshëm.

Politikani slloven, ish-kryetar i Sllovenisë Milan Kuçan (Krizhevc, Slloveni, 14.01.1941- ), më 21 maj 2003, para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte të kryera në rajonin e ish-Jugosllavisë, dëshmoi kundër Slobodan Milosheviqit (1941-2006). Me këtë rast ai tha: “Në vitin 1989, Milosheviqi, në vend të ndryshimeve kushtetuese imponoi ndryshime kadrovike, nëpërmjet mitingjeve masive në të cilat u ndërruan udhëheqjet në Vojvodinë dhe në Mal të Zi. Ishte planifikuar edhe miting në Lubjanë”. E përshkroi edhe përçarjen në Kongresin e 14-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ), kur, siç tha, “propozimet legjitime dhe të drejta të Sllovenisë u mbivotuan në mënyrë brutale.”

Milosheviqi tha se në luftë janë vrarë 44 pjesëtarë të APJ-së, kurse 184 sish janë plagosur rëndë dhe si provë ia ofroi gjykatës “librin e bardhë” për krimet e forcave sllovene. Kuçani saktësoi se në konflikt janë vrarë 37 ushtarë të APJ-së dhe 18 shtetas sllovenë – tetë të Mbrojtjes territoriale sllovene, katër policë, gjashtë civilë sllovenë dhe gjashtë shtetas të huaj, kurse “librin e bardhë” e refuzoi si një “broshurë propagandistike” të APJ-së. Këtë dokument, Kolegji i shqyrtimeve nuk e pranoi.

Më në fund, përkundër konfliktit, Serbia dhe Mali i Zi nuk iu kundërvunë vajtjes së Sllovenisë nga Jugosllavia, për arsye se kjo do ta lente grupin e Kryesisë me shtatë anëtarë. Katër prej tyre do të ishin nën mbikëqyrjen serbo-malazeze. Kësisoj, de facto do të kishin kontroll edhe mbi APJ-në.

Pas mbarimit të luftës në Slloveni, në përputhje me marrëveshjet midis APJ-së dhe Sllovenisë, APJ-ja filloi të tërhiqet nga Sllovenia dhe të vendoset në Serbi. Forcat e APJ-së me gatishmëri të plotë luftarake u tërhoqën nga Sllovenia me kamionë nëpër territorin e lirë kroat. I shoqëronte policia kroate. Mirëpo, kolonat e kamionëve dhe të trenave të APJ-së nuk e vazhduan rrugën për në Serbi, por hyrën nëpër rajonet kroate që ishin nën kontrollin e serbëve të Kroacisë (Banovina, Korduni dhe Sllavonia Perëndimore), ku edhe qëndruan, duke e mbështetur haptazi rebelimin e serbëve në Kroaci, kundër qeverisë kroate. Forcat kroate, duke e ditur se dobët janë të armatosura, vendosën të parandalojnë marrjen e armëve nga APJ-ja, prej kazermave që ndodheshin në Kroaci. I ndalën disa kompozicione dhe konfiskuan sasi të mëdha armësh, duke e shumëfishuar brenda disa orëve armatimin e vet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx