Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Përmbytjet dhe Big Brother VIP Albania
E hene, 12.01.2026, 06:59 PM
PËRMBYTJET DHE BIG BROTHER VIP ALBANIA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Do të ishte mirë që me rastin e fatkeqësive të
natyrës, organizuesit e Big Brother Vip Albania, si në Shqipëri, ashtu edhe në
Kosovë, të parashikojnë – për arsye humane - pezullimin e përkohshëm të këtij Reality
show
* * *
Më 4 janar të vitit në vazhdim, Shqipëria
u godit nga moti i keq. Reshje të dendura shiu, përmbytje, rrëshqitje dherash,
ngrica, reshje dëbore përfshinë zona të ndryshme të saj. Qytetarët u
ballafaquan me katastrofë. U përmbytën shtëpitë e tyre. Përmbytje në Durrës,
Lezhë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Pogradec dhe në shumë zona të tjera. Mijëra
hektarë sipërfaqe në ujë. Një numër i madh personash të evakuuar. Nga moti i keq, në Durrës u
regjistrua edhe një viktimë. Dëmtime ka edhe nëpër akset rrugore. Në disa zona
të qarkut të Shkodrës, dëbore ka arritur një lartësi prej një metri. Dëmet e
shkaktuara arrijnë në miliona euro.
* * *
Me vërshime dhe përmbytje përmasash të
këtilla, Shqipëria nuk ka kapacitet të duhur për t’u ballafaquar. Për t’i
zbutur dëmet dhe për t’i tejkaluar pasojat e kësaj fatkeqësie të natyrës, është
vënë në veprim i tërë aparati shtetëror: makineritë e pastrimit të shtretërve
të lumenjve, hidroforët, borëpastruesit, ekskavatorët, pirunët, zjarrfikësit,
qytetarët, organet e rendit, njësitë e ushtrisë.
Në zona të caktuara, ka ndërprerje
energjie elektrike, defekte të largpërçuesve. Ka rajone që ballafaqohen me ujë
të pijshëm. Si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe shkatërrimit të rrugëve,
disa fshatra kanë mbetur të veçuara. (të izoluara). Për bagëtinë, të imët dhe
të trashë, ka mungesë bimësh foragjere, mungesë ushqimesh.
Uji ka hyrë nëpër shtëpi, në dhoma, në
bodrume, në oborre, në stalla, në tregtiza, në dyqane, në magazina. Janë
dëmtuar mallrat e bizneseve. Si rrjedhojë, është pezulluar dhe është ndërprerë
puna, shitblerja, tregtia, biznesi i qytetarëve. Janë dëmtuar themelet e
shtëpive, mobiliet, pajisjet shtëpiake elektrike. Një numër banorësh janë strehuar
jashtë shtëpive të veta të pabanueshme. Një numër kafshësh kanë vdekur, qoftë
nga uria, qoftë nga të ftohtit. Kjo katastrofë natyrore i shkaktoi dëm të
konsiderueshëm degës së bujqësisë. Mijëra hektarë toke bujqësore kanë mbetur
nën pushtetin e ujit.
* * *
Në rrethana të tilla, mbase do të kishte qenë e
arsyeshme që Reality television dhe Big Brother Vip Albania të pezullojnë
show-n. Nuk është humane që një pjesë e
popullsisë të heqin të zitë e ullirit, kurse shumë të tjerë të zbaviten dhe të
argëtohen. Personat që ndodhen në shtëpinë më të shikuar të Shqipërisë, me t’i
parë dhomat nën ujë të rajoneve të përmbytura - u përlotën. Kjo tregon se ata
janë të ndërgjegjshëm për dhimbjen e banorëve të mbetur pa kulm mbi kokë.
Në zonat e përmbytura prononcohen
kryesisht persona të moshuar. Fëmijët e tyre ndodhen në kurbet, në mërgim. Ata
gjallojnë vetë, jetojnë të vetmuar. Ata s’kanë forcë të ballafaqohen me
realitetin. Një kanape s’mund ta lëvizin nga vendi.
* * *
Në raste fatkeqësish natyrore, nevojitet
një mobilizim i përgjithshëm, veprim i pushtetit qendror, i pushtetit vendor, i
popullatës, i qytetarëve. Rruga e zënë nga dëbora nuk pastrohet me traktor.
Megjithëkëtë, një malësor i ndërgjegjshëm i ishte rrekur punës që ta lehtësonte
qarkullimin rrugor, duke e vënë në përdorim edhe traktorin e vet.
Në këto çaste Shqipëria ka nevojë për
ndihmën e Bashkimit Evropian. Evropa duhet të dërgojë: makineri bashkëkohore
për çeljen e shtretërve të lumenjve, ekskavatorë, pirunë, kamionë të fuqishëm,
borëpastrues, artikuj ushqimorë për popullatën e goditur nga vërshimet dhe
përmbytjet, barna, dru zjarri, lëndë të tjera për ngrohje, veshmbathje, qebe,
batanije, ushqim për kafshët, mjete financiare për kompensimin e dëmeve
banorëve të goditur. Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë kujdesin dhe
vëmendjen e BE-së.
* * *
Vërshime ka pasur qëkur është krijuar
bota. Dhe do të ketë. fatkeqësitë e natyrës janë të llojllojshme: përpos
vërshimeve apo përmbytjeve, njerëzimi është ballafaquar, me tërmete, me zjarre,
me epidemi, me sëmundje ngjitëse, me thatësira, me mungesë reshjesh shiu,
mungesë reshjesh dëbore, mungesë uji të pijshëm etj.
Nuk janë shishet e plastikës që
shkaktojnë përmbytje. In ultima linea, edhe për ato
përgjegjësi mbajnë, sa qytetarët, po aq edhe organet e pushtetit vendor. Përgjegjësi
për fatkeqësitë e natyrës ka edhe faktori njeri. Ka ndërtimtarë që
thonë se ndërtimet nëpër zona urbane, në kundërshti me rregullat e urbanizmit,
mundtë jenë në favor të përmbytjeve. Rregullimi i shtretërve të lumenjve nuk
është punë që bëhet shpejt dhe lehtë. Kjo punë kërkon vite, por s’është punë që
s’bëhet.
Holanda është një vend
gjeografikisht i ulët, me rreth 25 për qind të sipërfaqes së saj dhe 21 %
të popullsisë, të ndodhur nën nivelin e detit. 50 % e tokës së saj ndodhet
më pak se një metër mbi nivelin e detit. Sipërfaqe e konsiderueshme e tokës
është fituar nga deti nëpërmjet pritave.
Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e
tjera të rajonit dhe të Evropës, vërshime dhe përmbytje ka pothuajse çdo vit.
Kjo thekson nevojën që organet e shtetit të punojnë me vite për mbrojtje nga
vërshimet. Nevojiten kanalizime të reja. Kjo kërkon investime të konsiderueshme
dhe nuk bëhet pa mjete financiare, as me pak mjete. Kjo mund të bëhet me
ndihmën financiare të Bashkimit Evropian.
Legjenda thotë se në disa kanalizime të
Francës hyn dhe qarkullon kamioni, kurse kanalizimet në Ballkan janë primitive
dhe t’i përkujtojnë punimet e thjeshta të shekullit XIX.
* * *
Prej vitit 1991 deri më sot, në Makondo ka pasur abuzime. Shqip i thonë
vjedhje. Ka vjedhur shtetin, kush ka mundur. S’ka vjedhur vetëm ai që s’ka
mundur. Vidh kryetari i shtetit, vidh kryetari i kuvendit, vidh kryeministra,
vidh zëvendëskryeministra, vidh ministra, vidh deputetë, vidh kryetarë
bashkish, vidh gjyqtarë, vidh prokurorë, vidh avokatë, vidh porotnikë, vidh
policë, vidh doganierë, vidh inspektorë sektorësh të ndryshëm, vidh shefa të
urbanizmit, vidh zyrat që lëshojnë leje drejtimi automjetesh apo patentë
shoferi, vidh punëtorët e porteve apo të limaneve, vidh mjekë, vidh kirurgë,
vidh infermierë dhe infermiere, vidh profesorë universiteti, shit nota, shit
tituj akademikë, mbylli sytë para kopjimeve apo plagjiaturave.
Paratë që është dashur të investoheshin
për mbrojtje nga fatkeqësitë e natyrës, nga zjarret, nga vërshimet, nga
përmbytjet, parat që duhej të shfrytëzoheshin për ndërtimin e infrastrukturës
bashkëkohore, për ujësjellës modern, për kanalizime fekale, për kanalizime
atmosferike, për argjinatura, për ndërtimin e shtretërve të lumenjve, për
veshjen me gurë të mureve të lumenjve
etj., kanë përfunduar nëpër xhepat e vjedhësve, të vjedhacakëve, të hajdutëve.
Kush janë këta të pabesë që e vjedhin shtetin e vet, popullin e vet, kombin e
vet?! A kanë zemër këta shkretanë, a kanë shpirt?! Këta që kërkojnë përgjegjësi
prej pushtetarëve të sotëm për
përmbytjet dhe i quajnë hajdutë, të mos
harrojnë se dikur edhe vetë ata kanë qenë në pushtet, si në pushtetin qendror,
ashtu edhe në atë vendor. Edhe ata kanë vjedhur, edhe ata s’kanë marrë masa për
mbrojtje nga përmbytjet, nga zjarret, nga shkarja e dherave. Abuzim gjatë
gjithë periudhës së pluralizmit, abuzim gjatë gjithë periudhës së tranzicionit.
Akulli i trashë një
metër nuk është bërë për një natë
– thotë një fjalë popullore kineze. Përmbytjet e ditëve të fundit e kanë
historinë e vet të trishtueshme.
Këta hajdutë çdo ditë i sheh nëpër
televizor, në mediume, në gazeta, në parlament, në zyrat e bashkive, në
kabinetet qeveritare, në spitale, në universitete etj. Ku s’i sheh?! Që të
gjithë, për një, hiqen të mëdhenj, të ditur, të mençur. Këta s’çajnë kokën se
rreth gjysma e kombit shqiptar në rajon është shpërngulur për në Gjermani dhe
kjo tendencë s’ka të ndalur.
Në shërbim të këtyre samurajve janë edhe
mediume të caktuara - gazeta, revista, portale dhe studio televizive. Në
shërbim të këtyre që bëjnë punë të paligjshme dhe të kundërligjshme janë edhe
të ashtuquajturit analistë politikë, gazetarë, moderatorë, moderatorë,
udhëheqës emisionesh, redaktorë, kryeredaktorë, pronarë shtëpish informative.
Kjo tregon se në Makondo mungon mendimi
kritik, mungon kritika politike, mungon kritika sociale. Në Makondo mbizotëron censura.
Kuaziintelektualët janë në shërbim të partive politike, janë shërbëtorë të tyre,
janë në shërbim të qeveritarëve, të pushtetarëve, janë oportunistë,
konformistë, kërmij, pakurrizorë, poltronë, synimi i tyre është të realizojnë
për vete ndonjë interes meskin. Mendojnë mirë për fëmijët e vet, për bijtë dhe
bijat, për rejat dhe dhëndurët, për nipat dhe mbesat. Ideal i tyre është t’i sigurojnë fëmijët. Këta nuk çajnë
kokën se bota shqiptare zbrazet dhe në vend të tyre vijnë njerëz nga Nepali.
* * *
PËRMBYTJET NË KOSOVË - Më 6 janar të vitit
në vazhdim pati vërshime në disa qytete dhe rajone të Kosovës. Instituti
Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar se reshjet e shiut do të vazhdojnë
edhe më 7 janar 2026. Për t’u mbrojtur nga vërshimet dhe për t’u dalë në ndihmë
autoriteteve civile, u angazhua edhe Forca e Sigurisë e Kosovës. Me kërkesën e Qendrës së
Situatave Emergjente të Republikës së Kosovës, ekipet e FSK-së kanë ndërhyrë për shpëtimin e jetëve të njerëzve. Për shkak
të kushteve të vështira klimatike, reshjeve të shumta dhe vërshimeve,
disa komuna të Kosovës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Rajone më
të prekura janë: Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica,
Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova. Janë vërshuar oborre, bodrume dhe rrugë të
caktuara. Shumë lumenj në Kosovë, e sidomos ata në pjesën perëndimore dhe
qendrore të saj, më 5 dhe 6 janar 2026 kanë pësuar ngritje të nivelit të ujit. Disa
prej tyre kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje.
* * *
Do
të kishte qenë e arsyeshme që edhe Big Brother Vip Kosova që organizohet në Kosovë, në shenjë solidariteti me të
goditurit nga përmbytjet në botën shqiptare, përkohësisht të pezullojë Reality
show-n.










