Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Doktrina e Monrosë
E enjte, 08.01.2026, 06:58 PM
DOKTRINA E MONROSË
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Doktrina e Monrosë (The Monroe
Doctrine) – është
parim i politikës amerikane që e ka formuluar në vitin 1823 presidenti i
ShBA-së Xhejms Monro ( James Monroe,
1759-1831) kund ndërhyrjes së shteteve evropiane në marrëdhëniet e kontinentit
amerikan.
Shkaku i
drejtpërdrejtë për proklamimin e këtij parimi ndodhi në vitin 1821, kur Rusia të cilës atëherë i takonte Alaska*, ua ndaloi hyrjen të gjitha anijeve
të huaja në bregun veriperëndimor të Amerikës.
Shënim: ShBA-ja e bleu Alaskën nga
Rusia në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë.
* * *
Në të
njëjtën kohë Aleanca e Shenjtë (aleancë
e lidhur midis Prusisë, Austrisë dhe Rusisë), meqë sapo e kishte shuar revolucionin
spanjoll, përgatitej për ndërhyrje kundër lëvizjeve që luftonin për
pavarësinë e kolonive të Spanjës dhe të Portugalisë në Amerikës Jugore. .
Me këtë
rast, presidenti i ShBA-së Xhejms Monro (James Monroe), në letrën dërguar
Kongresit më 2 dhjetor 1823, deklaroi se kontinenti amerikan në të ardhmen nuk mund
të konsiderohet zonë kolonizimi e cilitdo shtet evropian. Çdo
përpjekje të atyre shteteve që sistemin e tyre të qeverisjes i cili dallohet
nga sistemi amerikan, ta përhapin në hemisferën perëndimore, ShBA-ja do ta
konsiderojë të rrezikshme për paqen dhe sigurinë e vet.
Ndërhyrja
e Francës
në Meksikë në vitin 1860 dhe ndihma që ua jepte Anglia shteteve të jugut
amerikan gjatë luftës civile të viteve 1860-1864 – e vunë në dyshim
Doktrinën e Monrosë. Pas mbarimit të luftës civile, ShBA-a insistoi për
zbatimin e saj. Më në fund, francezët u tërhoqën nga Meksika.
Më vonë,
Doktrina e Monrosë u zbatua në ndërtimin e kanalit
të Panamasë. Marrëveshja Clayton-Bulwer e viti 1850 e cila parashikonte
kontrollin e përbashkët anglo-amerikan të kanalit, në vitin 1899 u zëvendësua Marrëveshjen
Hay-Pauncefote, me të cilën, për kanalin e Panamasë pranohet vetëm
kontrolli i ShBA-së.
Në vitin
1896, presidenti i ShBA-së Stivën Grover
Kleveland (Stephen
Grover Cleveland, 18 mars 1837 – 24 qershor 1908) deklaroi se Doktrina
e Monrosë i jep të drejtë ShBA-së të vendosë në kontestin kufitar midis Guajanës Britanike dhe Venezuelës.
Në vitin
1902, kur Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia ndërmorën bllokadën e
përbashkët të Venezuelës, për ta detyruar t’i shlyejë borxhet, presidenti amerikan
Teodor Ruzvelt (Theodore Roosevelt, 27
tetor 1858 – 6 janar 1919) e zgjeroi Doktrinën Monro asisoj që ShBA-ja të mundë
të ndërmarrë edhe aksion preventiv, për ta pamundësuar ndërhyrjen apo
intervenimin evropian të planifikuar.
Me
kalimin e kohës, kjo doktrinë u bë parim i përbashkët i të gjitha republikave
të Amerikës dhe jo vetëm politikë e njëanshme e ShBA-së.
Me Deklaratën
e vitit 1942 më Limë,
shtetet anëtare të Unionit Panamerikan shprehën vendosmëri për t’u mbrojtur bashkërisht
nga çdo ndërhyrje e jashtme. Në Marrëveshjen e Rio de Zhaneiros (RioTreaty) të vitit 1947, ranë dakord
se sulmi mbi cilindo prej tyre, do të konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Në vitin
1954, sekretari shtetëror i ShBA-së Xhon
Foster Dalles (John Foster Dulles, 25 shkurt 1888 – 24 maj 1959) deklaroi:
“krijimi
i një qeverie komuniste apo prokomuniste në ndonjë shtet të Amerikës Latine,
qoftë edhe me vullnetin e lirë të popullsisë, do të kishte qenë në kundërshti
me Doktrinën e Monrosë, për arsye se një qeveri e tillë për nga natyra e vet do
t’i nënshtrohej ndikimit të huaj”.
Në
fillim, Doktrina e Monrosë ka qenë një dokument i politikës kundër përzierjes së
shteteve të huaja në punët e shteteve të tërë hemisferës perëndimore (Amerika
Veriore dhe Amerika Latine), me të cilin njëherazi
evitohet politika e përzierjes në punët evropiane.
Për këtë arsye, asaj i referohen edhe izolacionistët
amerikanë. Më vonë kjo doktrinë mori karakter shumë më ofensiv.
* * *
Izolacionizmi ka qenë rrymë politike në ShBA e cila i kundërvihej përzierjes së
Amerikës në problemet botërore. Kjo rrymë kërkonte sidomos që ShBA-ja
sa më shumë të izolohet nga politika evropiane, të qëndrojë larg problemeve
evropiane. Izolacionizmi nuk kishte të bënte me Azinë dhe me Amerikën Jugore.
Deri në Luftën e Parë Botërore, izolacionizmi
përbënte një prej parimeve themelore të politikës së jashtme amerikane. Vërtet
Amerika mori pjesë në Luftën e Parë Botërore, por pas mbarimit të luftës,
përsëri u bë izolacioniste dhe
refuzoi të hyjë në Lidhjen e Kombeve. Sidomos Partia Republikane angazhohej
për politikë të jashtme izolacioniste.
Izolacionistët u bënë tejet aktivë në vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe u
ngritën vendosmërisht kund ndihmës amerikane për aleatët.
Kjo zgjati derisa ShBA-ja nuk hyri në luftë pas sulmit të Japonisë në Perl
Harbur (Pearl Harbour) më më 7 dhjetor 1941. Me fjalë të tjera, izolacionizmi
amerikan shkoi në favor të fuqive të boshtit. Pjesëmarrja e
Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, si dhe lidhjet ekonomike dhe politike pas
luftës midis ShBA-së dhe Evropës, ndikuan në rënien e theksuar të numrit dhe të
ndikimit të izolacionistëve në jetën politike të ShBA-së. Në vitet ’60 të
shekullit XX, izolacionizmi si program politik në ShBA – u shua. Deri në Luftën e
Dytë Botërore, tendenca izolacioniste, në njëfarë mase, kanë ekzistuar edhe në
Britani të Madhe. Ato kanë kërkuar mospërzierjen në punët e kontinentit
evropian, sidomos mospërzierjen në pjesën lindore të Evropës. Kohë pas kohe,
tendenca izolacioniste paraqiteshin edhe në disa dominione britanike.
Sapo erdhi në krye të administratës, presidenti Donald Tramp përcaktoi Strategjinë
e re amerikane të sigurisë. Kjo strategji paralajmëron “shlyerje
civilizuese” në Botën e
Vjetër. Në këtë dokument që u publikua më 9 dhjetor 2025, administrata e
Trampit i vë në dyshim marrëdhëniet e afërta midis Evropës dhe ShBA-së, si ato
të pas Luftës së Dytë Botërore. I kritikon vendet evropiane se në lëmin e
mbrojtjes vazhdojnë të varen nga Amerika. Kur është fjala për konfliktet
globale, Trampi u jep përparësi apo prioritet interesave amerikane. Strategjia e re amerikane ndaj Evropës të
përkujton kohën e izolacionizmit amerikan.
* * *
Ministria
Amerikane e Punëve të Jashtme (State Department), një ditë pas kapjes së Nikolas Maduros (Nicolás Maduro, 23 nëntor 1962 - ), publikoi në platformën X,
bashkë me fotografinë e presidentit Donald
Tramp (Donald Trump, 14 qershor 1946 - ), mbishkrimin:
“Kjo është hemisfera JONË dhe presidenti Tramp nuk do të
lejojë të rrezikohet siguria jonë”.









