Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shqiptarët në studimet gjermane
E marte, 17.02.2026, 08:00 PM
SHQIPTARËT NË STUDIMET GJERMANE
Shkencëtarët gjermanë ishin Prometheu që nxori
dritën e së vërtetës nga terri i mosdijes. Para monumentit që ata kanë ngritur
në fushën e historisë dhe të gjuhës shqipe, shqiptarët vënë lule dhe tregojnë
mirënjohje të përhershme.
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Historia dhe gjuha e shqiptarëve,
një terra incognita për
Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë
objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria
ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe
kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të
Perandorisë Osmane. Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe
shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e
shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor.
Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të
shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Vilhelm Gotfrid Lajbnicin (Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716) dhe
me historianin suedez Hans Erih Tunman (Hans
Erich Tunmann, 1746-1778), profesor në universitetin e Halles në Gjermani).
Tunmani është
një nga albanologët e parë. Në veprën e tij Hulumtime për historinë e
popujve të Evropës Lindore (1774) bëhen orvatjet për të shpjeguar
prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sipas tij, bazuar në
dokumentet e lashta greko-latine e bizantine, del se shqiptarët mesjetarë janë
vazhdues autoktonë të ilirëve. Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian,
rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të
madh të kohës së tij - Lajbnicit.
Këtë përpjekje ia kishte kërkuar bibliotekari i Bibliotekës Mbretërore të
Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për
prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri letra që tanimë njihen
si "Letra shqiptare" të cilat ai i dërgonte
bibliotekarit të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit.
Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici
e quan shqipen "gjuhë e
ilirëve të lashtë". Enciklopedisti i gjuhëve -
Lajbnici - thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës
shqipe, të cilët dihet se janë "Doktrina e kërshtenë" (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe "Fjalori
latinisht-shqip" ("Dictionarium latino-epiroticum") (1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në
etimologjinë e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej
shkencërisht rreth një shekull më vonë.
Shekulli XVIII është shekull i
iluminizmit. Më 1774 u botua në Lajpcig libri i Tunmanit “Kërkime
për historinë e popujve të Evropës Lindore” kushtuar historisë dhe
prejardhjes së shqiptarëve dhe të rumunëve. Tunmani del si eksploruesi i parë i
Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Tunmani kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit dhe përkthimin shqip të “Katekizmit të Belarminit” nga Pjetër Budi.
Koncepti i familjes gjuhësore
indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga matematikani
uellsian Uiliam Xhons (William Jones; Llanfihangel Tre’r Beirdd,
Anglesey, Wales, 1675 – Londër, 01.07.1749) rreth 80 vjet pas letrës së
Lajbnicit. Gjuhëtari gjerman, një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e
pavarur Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) është i
pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve
indoevropiane.
* * *
Filozofi gjerman, shkrimtar dhe teoricien
i historisë së shekullit XVIII Johan Gotfrid Herder (Johann
Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij "Ide për historinë e
njerëzimit", 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm
të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë: "Shqiptarët
nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes
evropiane". Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë
e popullit shqiptar. Për Herderin, shqiptarët janë popull me
histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve.
Në vitin 1850, profesori i Universitetit
të Berlinit August Shlajheri (August Schleier, 1821-1868) vërtetoi karakterin
indoevropian të shqipes. Në veprën e tij “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” u përpoq të
rindërtonte gjuhën proto-indoevropiane. (Compendium
der vergleichenden Grammatik der indogermanischen Sparchen; Comparative Grammar
of the Indo-Europian languages).
Studiuesi dhe albanologu gjerman Jozef
Riter fon Ksilander (Josef von
Ritter Xylander,1794-1854) është autor i veprës “Gjuha
e shqiptarëve” (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren,1835). Në kohën kur është
botuar vepra në fjalë e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur
edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe
prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik
Halkokondilit (rreth 1425-1490,
i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine) dhe
historianit kishtar dhe teologut dominikan francez Mishel Lë Kyen (Michel Le Quein; Boulogne-sur-Mer, 08.10.1661 –
Paris, 12.03.1733) dhe historianit
kishtar Assemani-t, që
i bënin shqiptarët të ardhur gjatë
mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e
Kaukazit.
Johan Gotfrid Herderi është
autori i tretë gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të
prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve
hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve autonome shqiptare,
sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë
Tepelena (1740-1822),
një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm
autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të
shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht
autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë
së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri
të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën
shkencore.
Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u
vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të mëdha,
fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet
shqiptare të bashkëkohësisë dhe të kaluarës, duke lënë vepra interesante.
Konsull i përgjithshëm i Francës në Janinë
u emërua Pukëvili. Ky ndoqi nga afër e për
shumë vite veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Në veprat e tij jepen
të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Vepra e tij përshkohet nga
një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.
Përfaqësues politik i Anglisë në Janinë u
emërua Uilliam Martin Lik. Me
këto punime bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për
Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij.
Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti
romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Baroni Xhon
Kameron Hobhaus* (John
Cameron Hobhouse, Lord
Broughton, 1786-1869) deri te etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami
Bue (Ami Bué, 1794-1881) dhe
arkeologu francez Leon Hëzej* (Léon Heuzey, 1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së vet “Shtegtimet
e Çajld Haroldit” (1812-1818) Bajroni
vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e
shqiptarëve.
Shënim: 1. Baroni
Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse, Lord
Broughton, 1786-1869) ishte një personalitet
politik dhe letrar, mik i ngushtë dhe shoqërues i poetit romantik anglez Xhorxh Gordon Bajronit gjatë udhëtimit të tij në
Shqipëri. Hobhaus është autor i librit “Një
udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi, deri
në Kostandinopojë”, botuar për herë të parë në 1817.
2. Në vitin 1861 Leon Hëzej (Léon Heuzey) vizitoi Shqipërinë për të
studiuar terrenin ilir dhe maqedonas të përshkuar nga Cezari* në luftë
me Pompeun*.
3. Gaj Jul Cezari (Gaius Julius Caesar, 100-44
para K.) – një nga ushtarakët dhe burrat e mëdhenj shteti në botën antike.
4. Pompeu i Madh (Gnaeus Pompeius Magnus, 29.09.106
p. K. – 28.09.48 p. K.) - gjeneral dhe burrë shteti romak i shquar në dekadat e
fundit të Republikës Romake. Si i ri, ai ishte partizan dhe i mbrojtur nga
diktatori Sulla, pas vdekjes së të cilit ai arriti shumë sukses ushtarak dhe
politik vetë.
* * *
Rreth problemit të prejardhjes së
shqiptarëve u shprehën vetëm historiani dhe arkeologu francez Fransua Pukëvil (François Charles Henry
Louis Pouqueville, 1770-1838) dhe ushtaraku anglez, përfaqësues politik i
qeverisë angleze pranë oborrit të Ali
pashë Tepelenës në fillim të shekullit XIX; Uiljam Martin Lik (William
Martin Leake, 1777-1860). Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta.
Studiuesi francez pranon pikëpamjen fantastike të shprehur nga historianët
kishtarë Le Quien dhe prefekti i Bibliotekës së Vatikanit Josif Simon Asemani (1687-1768) nga mesi i shekullit XVIII.
Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe
dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në
atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla
ekspansioniste në rajon. Por në "klubin" osman të fuqive evropiane
shpejt do të futet Austria. Që nga
vitet ‘40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e
saj konsullorë.
Në fillim të shekullit XIX çështja e prejardhjes
dhe e gjuhës së shqiptarëve u bë objekt i hetimit shkencor për arbëreshët
e Italisë, të cilët tani kishin hyrë në etapën e një zgjimi të vetëdijes
për kombësinë e lashtë së cilës i përkisnin.
Së pari Nikollë Keta (1742-1803) në
veprën "Etimologji të gjuhës shqipe" argumentonte
autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen ilire të tyre. Në "Annales
des Voyages" (vol. III, 1809)
(Analet e udhëtimeve) të botuar nga gjeografi dhe gazetari
danez-francez Konrad Malte-Brun,
studiuesi arbëresh Engjëll Mashi (1758-1821) botoi punimin "Ese për
prejardhjen e zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar" duke
argumentuar prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve.
Shënim: Konrad Malte-Brun (Conrad Malte-Brun, Thisted, danimarkë,
12.08.1775 – Paris, 14.12.1826)
* * *
Kur më 1835 ushtaraku anglez Uilliam
Martin Lik (William Martin Leake,
1777-1860) nisi të botonte në Londër veprën e tij "Udhëtime
në Greqinë e veriut", në Frankfurt-mbi-Majn doli nga shtypi libri
i gjuhëtarit bavarez Jozef Riter fon Ksilander “Die
Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835) në të cilin duke u
mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të
mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë
pikëpamjen për prejardhjen tartare ose kaukaziane të
saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët
- pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga
ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane. Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe
arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore.
Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe
shqiptarët. Ksilanderi ishte oficer bavarez në shërbim të mbretit të Greqisë. U
mor edhe me studimin e gjuhës shqipe.
Studiuesi dhe albanologu gjerman, njëri
nga themeluesit e shkencës së albanologjisë Johan Georg fon Han (Johan
Georg von Hahn, 1811-1869) i lindur në Jenë, gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe
Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në
Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t'i kushtojë thuajse tërë jetën e
tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur
arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe
botën shqiptare në përgjithësi "Studime shqiptare" (Albanesische Studien, Jenë, 1954). Më
vonë botoi veprën “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit” (1867-1869).
Në veprën “Studime shqiptare” Hani
thotë: "Meqë shqiptarët nuk janë
sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë
burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij
sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar
se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të
atij vendi.”
Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën Udhëtim
nga Beogradi në Selanik. Ai riformulon pikëpamjen e tij për
autoktoninë e shqiptarëve. "Ne mund të pranojmë në mënyrë të
padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve
të lashtë" (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan
vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen
dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej
tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i autoktonisë së
shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e
kundërshtarëve të autoktonisë.
Më 1855 u botua teza e doktoratës e
studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të
cilën nga pozita antishkencore ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të
ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte
paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje
shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti i shquar gjerman i mesit
të shekullit XIX – Jakob Filip Falmerajeri (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861),
i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Në
veprën e tij në tri pjesë Elementi shqiptar në Greqi, 1857, Falmerajeri
përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve,
duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi
atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të
argumentimit.
Falmerajeri zbulon vitalitetin e
lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit
kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë
të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë
rrebesheve më të egra të historisë. Falmerajeri është edhe autor i veprës Historia
e gadishullit të Moresë. Ky ishte i pari që dëshmoi në
mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi.
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe
u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë
krahasimtare siç ishin Franc Bopi (Fraz Bopp, 1791-1867), profesor në
Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri (1821-1868). Më 1843 Franc
Bopi shqyrtoi numërorët dhe përemrat e shqipes dhe arriti
në përfundimin mbi karakterin indoevropian të shqipes, duke konfirmuar
përfundimin e gjuhëtarit bavarez Jozef
Riter fon Ksilander (Josef Ritter von Xilander, 1794-1854).
Shënim: Franc Bopi (Franz Bopp, 1791-1867) është gjuhëtar gjerman,
albanolog, themelues kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane,
profesor në Universitetin e Berlinit.
* * *
Më 1850, gjuhëtari gjerman August
Shlajheri*, i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane
dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, kishte provuar karakterin
indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten. Më
1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të
shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen
patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument
shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një
lidhjeje të lashtë prejardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me
grekët.
Qysh në vitin 1861 arkeologu francez Lëon
Hezej (Léon Heuzey) vizitoi
dhe përshkroi një sërë qendrash të lashta, ish-koloni greke të lashtësisë. Edhe
studimet për gjuhën shqipe filluan të dalin përtej kufijve të Gjermanisë.
Shënim: August Shlajher (August Schleicher; Meinigen, Gjermani,
19.02.1821 – Jena, Gjermani, 06.12.1868) - gjuhëtar gjerman; studioi gjuhën
proto-indoevropiane
dhe shpiku teori lidhur me gjuhësinë
historike. Është autor i veprës “Përmbledhje e gramatikës krahasuese të
gjuhëve indoevropiane” në të cilën u përpoq të rindërtonte gjuhën proto-indoevropiane.
*
* *
Gjuhëtari slloven Franc
Miklosiç (1813-1899),
profesor në Universitetin e Vjenës, nga vitet 60-70 të shekullit XIX u mor me
historinë e shqipes (së cilës ai i njohu prejardhjen ilire) dhe me problemet e
marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera në fushë e leksikut.
Po kështu nga vitet 80 të shekullit XIX
gjuhëtari çek Jan Urban (1848-1923) u
mor me problemet e gjuhës e të folklorit shqiptar.
Nga mesi i shekullit XIX në
historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej
historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor Memzen*. Në
punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai
arriti
në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen.
Në veprën madhore të tij “Historia e Romës”, epirotët
e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan "shqiptarë të lashtësisë".
Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin
formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.
Shënim: Teodor Momzen (Christian Matthias
Theodor Mommsen, 30.11.1817 – 01.11.1903) - studiues i klasikëve, historian,
jurist, gazetar, politikan dhe arkeolog gjerman. Konsiderohet si një nga studiuesit
më të mëdhenj të klasikëve. Në vitin 1902, për shkrimet e tij historike,
përfshirë edhe historinë e Romës, mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ishte i nominuar
nga 18 anëtarë të Akademisë së Shkencave të Prusisë.
* * *
Për shqipen ky moment arrin kulmin me
botimin në vitin 1891 të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe” nga
profesori dhe albanologu austriak Gustav Majer (1850-1900).
Majeri hapi rrugën e studimit të fonetikës historike të gjuhës shqipe
në të cilën më vonë do të jepnin kontribute themelore figura të tilla të
gjuhësisë si: gjuhëtari dhe dijetari
danez, albanologu Holger Pedersen (1867-1953; pedagogu dhe studiuesi
austriak, albanologu Norbert Jokli (1877-1942; deri te Eqrem
Çabej (1908-1980) dhe
studiues të sotëm, si gjuhëtari amerikan, një nga indoevropianistët e
sotëm më në zë, keltologu dhe albanologu Erik P. Hemp* (Eric P. Hamp, 1920/21-2019), Martin
Huldi etj. Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët. Fillon antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës
në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së
shekullit XIX, patologu dhe antropologu gjerman Rudolf Ludvig Karl Virhov* (Rudolf
Ludwig Carl Virchow,1821-1902) i njohur si themeluesi i
patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi kraniologjinë e ilirëve”. Shqiptarët,
kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirë.
Shënim:
Erik P. Hemp* (Eric P. Hamp; Londër,
16.11.1920/21 – Grand Traverse Pavilions, Traverse City, Michigan, ShBA,
17.02.2019), gjuhëtar amerikan, autoritet
kryesor në gjuhësinë indoevropiane me interes të veçantë për gjuhët kelte dhe për shqipen. Ka qenë anëtar i jashtëm i AShSh dhe i AShAK.
Rudolf Ludvig Karl Virhov
(Rudolf Ludwig Carl Virchow, 1821-1902) - mjek gjerman, antropolog, patolog, studiues
i parahistorisë, biolog, shkrimtar, redaktor dhe politikan.
* * *
Nga fundi i shekullit të kaluar, arkeologu
gjerman Volfgang Helbig (Wolfgang Helbig, 02.02.1839 – 06.10.1915) zbuloi se
emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape
në shumë raste janë thuajse të njëjtë me
antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut. Mesapët ishin një fis
joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të siujdhesës apenine, kishin
emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të
popullit ilir. Për t'i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta
shfrytëzojnë shqipen.
Shënim: Volfgang Helbig (Wolfgang Helbig; Drezden, 02.02.1839 – 06.10.1915) -
arkeolog klasik gjerman. Është i njohur për studimet e tij që përfshijnë
pikturat murale të Pompeit.
* * *
Studiuesi gjerman S. Buge në
vitet 90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja dhe shqipja” ku
ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë
dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.
Në fillim të shekullit XX pasuan studime
të tjera si ai i glotologut dhe arkeologut italian Françesko Ribeco (Francesco Ribezzo; Francavilla
Fontana, 08.05.1875 – Lecce, 19.10.1952 ).
Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan
studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon Blumental (Albrecht von Blumenthal; Staffelde në
Vorpommern, 10.08.1889 – 28.03.1945), kurse në vitet ‘60 të atij
shekulli - studimet e O. Has-it.
Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një
konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të
shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga
fillimi i shekullit XX formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur
si ilirologji.
Një ndër përpjekjet më të hershme për ta
parë gjuhën e ilirëve në një kontekst të dyfishtë, si paraardhëse të shqipes dhe
në marrëdhëniet e saj indoevropiane, u bë nga gjuhëtari i shquar gjerman, indoevropianist
dhe helenist i madh
- Paul Kreçmer (Paul
Kretschmer, 1866-1956) në kryeveprën e tij “Hyrje në historinë e gjuhës
greke” (1896), ku problemet e ilirishtes trajtohen në
unitetin e tyre me shqipen dhe mesapishten.
Shkencëtarët gjermanë
ishin Prometheu që nxori dritën e së vërtetës nga terri i
mosdijes. Para monumentit që ata kanë
ngritur në fushën e historisë dhe të gjuhës shqipe, shqiptarët vënë lule dhe
tregojnë mirënjohje të përhershme.
SHQIPTARËT DHE AMI BUE, FRANSUA PUKËVIL,
MARTIN LIK
Me shqiptarët dhe me Shqipërinë janë marrë
edhe studiues të tjerë, si për shembull etnografi, natyralisti dhe udhëtari
francez Ami Bue (Ami
Boué, 1794-1881). Ky bëri udhëtime në Evropë dhe në Ballkan,
e në veçanti në Shqipëri. Me interes për çështjet shqiptare janë veprat: “Turqia
evropiane”, Paris 1840 (Esquisse géologique de la Turquie
d’Europe) në katër vëllime dhe “Përmbledhje udhëtimesh në
Turqinë evropiane”, Vjenë 1854, në dy vëllime.
Në to paraqet të dhëna për historinë
politike dhe ekonomike të Shqipërisë si dhe për demografinë, për veçoritë e
kulturës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ndonëse ka dhënë disa
vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë njohëse historike.
Me shqiptarët dhe Shqipërinë është marrë
edhe ushtaraku anglez Uilliam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860). Ky
ishte përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë
Tepelenës në fillim të shekullit XIX. Është autor i dy veprave në
gjuhën angleze: “Kërkime në Greqi” (Researches
in Greece, 1854) dhe “Udhëtime në Greqinë e Veriut” (Travels
in Northern Greece, 1835) në
katër vëllime. Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me
karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik, me interes për Shqipërinë, jep edhe
shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga
mësuesi Jan Evstrat Vithkuqari (1755-1822) si dhe mbi një fjalor të gjuhës shqipe.
“Udhëtime nëpër Greqinë e Veriut” e Likut është një vepër themelore për historinë e
Shqipërisë jugore, nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, me informacione
historike, gjeografike, ekonomike, gjuhësore, etnografike, arkeologjike etj. që
shtrihet në kohë - nga e sotmja deri në lashtësinë klasike. Këtu bie në sy
njohja e burimeve të lashta greke e romake lidhur me trojet e Shqipërisë
së jugut.
Liku arriti në përfundimin se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre
qysh nga fillimi i epokës historike.
Shqiptarët kanë qenë objekt interesimi i
studiuesit francez Fransua
Pukëvilit (François
Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ky ishte mjek,
natyralist, diplomat, historian dhe arkeolog. Ishte konsull i përgjithshëm i
Perandorisë e më pas i Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra. Ndoqi nga
afër veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Njihet si historiani më i
rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës.
Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në
Shkodër.
Në veprat e tij “Udhëtim nëpër Greqi” (Voyage
de la Grèce, Paris 1820) dhe “Historia
e ringjalljes së Greqisë” (Histoire de la regénération de la Grèce) jep
të dhëna të çmueshme për vendin, për popullin si dhe për shtresat shoqërore të
Shqipërisë jugore. Ndonëse armik politik i vezirit të Janinës, provoi
më së miri synimet e Ali pashë Tepelenës për shkëputje nga Perandoria Osmane.
Duhet shtuar se vlerësimet e Pukëvillit që
nxin personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar
kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Pukëvilli ishte një filogrek apo grekoman i përbetuar. Me
shkrimet e veta ai e mbështeti pavarësinë e Greqisë nga Perandoria Osmane dhe u
konsiderua si arkitekt i filohelenizmit në Evropë e sidomos në Francë.
* * *
Më 26 dhe 27 tetor 2017 u mbajt në
Prishtinë Konferenca shkencore e studimeve albanistike ku u trajtuan studimet e studiuesve gjermanë dhe
të studiuesve në vendet ku flitet gjermanisht.
* * *
Me studimin e gjuhës shqipe janë marrë
edhe albanologë të tjerë, si:
Historian dhe albanologu hungarez Ludovik Talloçin (Ludwig Thallóczy; Buda,
1854 – Herceghalom, 1916). Në bashkëpunim me historianin çek Konstatntin Jireçek (1854-1918) dhe me
historianin kroat Milan Shuflaj përgatiti
dhe botoi veprën madhore me dokumente në dy vëllime “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe
dokumente që ilustrojnë punët e Shqipërisë mesjetare); albanologu dhe
diplomati austro-hungarez Teodor
Anton Ipen (Theodor Anton Ippen, 1861-1935); artistja, antropologia
dhe shkrimtarja britanike Meri Edit
Durham (Mary Edith
Durham, 1863 – 1944); gjeologu, paleontologu, dhe etnografi hungarez,
Baroni Franc fon Nopça (Baron Franz von
Nopcsa, 1877-1933); historiani kroat, studiues i historisë mesjetare
shqiptare Milan Shuflaj (Milan
Shufflay, 1879-1931); gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini,
1903-1982); studiuesi gjerman me prejardhje kanadeze, i specializuar në
letërsinë dhe në folklorin shqiptar, Robert
Elsie (Vankuver, 29.06.1950 – Berlin, 02.10.2017); filologia ruse Agnia Vasiljevna Desnickaja* (Sednev ,
23.08.1912 – Shën Petersburg, 18.04.1992)
Shënim: Agnia Desnickaja - linguiste ruse e ish-Bashkimit Sovjetik,
pedagoge, specialiste e disa fushave të gjuhësisë, sidomos e gjuhësisë
krahasimtare-historike dhe e gjermanistikës,
albanologe, njohëse e mirë e literaturës dhe e folkloristikës
shqiptare, e ballkanologjisë dhe e shumë gjuhëve indoevropiane. Themeluese e
shkollës së albanologjisë në ish- Bashkimin Sovjetik.









