Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Holokausti
E shtune, 31.01.2026, 03:59 PM

HOLOKAUSTI
Fajësia
është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji
– Franc Kafka
Nga
Prof.
Xhelal Zejneli
* * *
Holokausti ka ndodhur gjatë Luftës së
Dytë Botërore. Në hyrje të shumë kampeve naziste të përqendrimit ndodhej
slogani Arbeit macht frei (Puna të bën të lirë). Holokausti ka
ndodhur në vitet 1941-1945 në Rajhun e Tretë dhe në shtetet evropiane nën
pushtimin nazist. Krimi i kryer prej nazistëve është cilësuar si gjenocid
sistematik, vrasje masive dhe pastrim etnik. Gjatë holokaustit kanë humbur
jetën rreth 6 milionë hebrenj. Motiv i vrasjeve kanë qenë antisemitizmi dhe
racizmi.
* * *
Në Rajhun e Tretë ("Drittes Reich" ose
"Third Reich"), hebrenjtë ishin të detyruar të
mbanin “Yllin Hebraik” të verdhë (gjermanisht: Judenstern).
Holokaust ose shoa (hebraisht:
HaShoah përkthehet si “katastrofë”). Janë terma për përndjekjen shtetërore sistematike dhe për gjenocidin ndaj grupeve të ndryshme etnike, fetare dhe politike
gjatë Luftës së Dytë Botërore nën udhëheqjen e Reich-ut gjermanomadh dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shembuj të hershëm
holokausti janë “Nata e kristaltë” dhe programi eutanazik “Aksioni T4” që më vonë u
shndërrua në veprim të njësive të vdekjes dhe në kampe përqendrimi, si dhe në veprime të organizuara masive dhe
qendrore për vrasjen e çdo pjesëtari të mundshëm të grupeve që kanë qenë
shënjestër e nazistëve. Në radhët e viktimave bëjnë pjesë edhe 1,5
milionë fëmijë. Me holokaust janë përfshirë rreth dy të tretat e
hebrenjve të cilët më herët kanë jetuar në Evropën kontinentale.
Shënim: “Nata e kristaltë” (Kristallnacht) njihet edhe me
emërtimet Reichskristallnacht dhe Pogromnacht (Nata e xhamave të thyer; Nata e pogromit). Me këta terma
nënkuptohet pogromi i hebrenjve në Gjermaninë naziste dhe në Austri që ka
ndodhur më 9 dhe 10 nëntor të vitit 1938. Me urdhër të Adolf Hitlerit të datës 28 tetor 1938, mbi 12.000 hebrenj me
prejardhje polake, midis tyre edhe filozofi dhe rabini Abraham Joshua Heshel (Abraham Joshua Heschel; Varshavë, Poloni,
11.01.1907 – New York City, Nju-Jork, ShBA, 23.12.1972) si dhe kritiku letrar i
ardhshëm Marsel Rajh-Ranicki (Marcel
Reich-Ranicki; Uloklavek, Poloni, 02.06.1920 – Frankfurt mbi Majnë, Gjermani,
18.09.2013) – dëbohen nga Gjermania. Ranicki ishte kritik letrar gjerman me
prejardhje polake, përkatësisht hebraike.
Konsiderohej si një nga kritikët letrarë bashkëkohorë më me ndikim në lëmin e
letërsisë gjermane. Në Gjermani e quanin edhe Literaturpapst (Papa i letërsisë).
*
* *
Studiuesit e japin foton e tregtizës së
një pronari hebre në Magdeburg, të shkatërruar gjatë “Natës së kristaltë” (Natës së xhamave të thyer) në nëntor të viti
1938. Në prill të vitit 1945 japin edhe foto kufomash të viktimave në varrin masiv të kampit të përqendrimit
Bergen-Belsen.
*
* *
Deri në kufirin polak u
deportuan me trena. Kufitarët polakë refuzuan t’i pranojnë. U detyruan të
presin ditë të tëra në kushte të rënda, para se autoritetet polake i lejuan të
hyjnë.
Hershel Grynspani (Herschel Feibel Grynszpan; Hanover, Gjermani,
28.03.1921 – 08.05.1945) ishte një emigrant polako-hebre, i lindur dhe i rritur
në Weimar të Gjermanisë. Prindërit e këtij 17-vjeçarit po ashtu ishin depërtuar
drejt Polonisë. Në shenjë hakmarrjeje, më 7 nëntor 1938 ai e vrau diplomatin e
ambasadës gjermane në Paris, Ernst von
Rath (Frankfurt mbi Majnë, Gjermani, 03.06.1909 – Paris, 09.11.1938). Këtë
vrasje, nazistët e shfrytëzuan si pretekst për të kryer atë që u quajt “Natë e kristaltë” apo “Natë e xhamave të thyer” (Kristallnacht).
Partia naziste e cilësoi vrasjen si vepër të komplotit botëror të hebrenjve dhe
e përdori si shkas për organizimin e pogromit.
*
* *
Përkufizimi i gjerë i holokaustit i përfshin edhe viktimat johebraike të fushatës naziste
për vrasjet masive, siç janë romët, polakët, grupet e tjera etnike sllave
dhe pacientët
e Aksionit T4 të cilët kanë qenë me të meta mendore apo fizike.
Një përkufizim më i gjerë i përfshin edhe rusët,
të burgosurit e luftës, homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait, zezakët,
disidentët dhe kundërshtarët
politikë të nazistëve, anëtarët e
grupeve të tjera minoritare.
Prej vitit 1941 deri në vitin 1945 janë kryer
përndjekje dhe vrasje sistematike të pjesëtarëve të popujve të ndryshëm.
Nën bashkërendimin e Schtzstaffel-it (SS-it),
me udhëzime nga udhëheqja më e lartë e Partisë Nacionalsocialiste Punëtore
Gjermane (NSDAP), çdo degë e burokracisë në Gjermaninë e atëhershme ka qenë e
përfshirë në logjistikën dhe kryerjen e vrasjeve masive. Vrasjet janë kryer në
mbarë Evropën që ka qenë nën pushtimin gjerman, si dhe në Gjermaninë naziste.
Vrasje masive janë kryer edhe në të gjitha rajonet që kanë qenë nën
administrimin e aleatëve të saj.
Viktima të tjera të krimeve naziste kanë qenë polakët,
ukrainasit dhe popujt e tjerë sllavë, qytetarët sovjetikë,
të burgosurit sovjetikë të luftës,
komunistët, homoseksualët, dëshmitarët e
Jehovait dhe të tjerë.
Vlerësohet se në përndjekje kanë qenë të angazhuar
rreth 42.500 institucione arrestimi. Sipas disa vlerësimeve, në zbatimin e
përndjekjeve kanë qenë të përfshirë mbi 200.000 veta.
Hebrenjtë e Evropës kanë qenë viktima kryesore të
holokaustit, kurse planin për gjenocidin sistematik ndaj hebrenjve nazistët e
kanë quajtur “zgjidhje përfundimtare të çështjes hebraike”.
Për përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe për holokaustin, u mbajtën procese gjyqësore në Nyrnberg (Nürnberg). Nazistët përgjegjës u dënuan për krimet e kryera gjatë luftës. Si revolucion kulturor, u krye edhe denacifikimi (Entnazifizierung). U arrit marrëveshje edhe për reparacionet midis Izraelit dhe Gjermanisë Perëndimore. Gjatë procesit në Nyrnberg kishte tendenca për mohimin e holokaustit. Disa prej të dënuarve synonin t’i zvogëlonin përmasat e holokaustit apo ta paraqesin atë si “vepër të arsyeshme”.
Etimologjia, përkufizimi dhe prejardhja e shprehjes nocionit holokaust – Holokaust (greqisht olokauston: “krejtësisht i djegur”, nga parashtesa olo dhe kauston – “i djegur”) është viktima që digjet për perënditë ose për shpirtrat e të ndjerëve te grekët dhe te romakët, me ç’rast, për dallim nga llojet e tjera të viktimave, rëndom digjeshin të gjitha kafshët e viktimizuar. Te izraelitët e lashtë ka ekzistuar rituali i ngjashëm i djegies së të gjithë qengjave. (hebraisht olam kalil: “asgjësim me djegie”).
Fjalën holokaust i pari për këtë gjenocid e ka përdorur kuvendi kishtar i kishave
protestante të Gjermanisë Perëndimore të atëhershme. Kjo fjalë gradualisht ka
hyrë në përdorim të përgjithshëm dhe sot e ka domethënien themelore të saj.
Termi gradualisht ka hyrë në përdorim në gjuhë të ndryshme deri në vitet 1970 e
këndej. Fjalën holokaust hebrenjtë e
shënojnë me shprehjen hebraike shoa, HaShoah
që do të thotë “katastrofë”.
Ekzistojnë dallime në masën e përdorimit
të nocionit. Në kuptim të gjerë, përfshin edhe gjenocidin që ka zbatuar shteti
nacionalsocialist ndaj romëve dhe sllavëve, si dhe vrasjen
e gupeve të tjera - homoseksualëve, të sëmurëve mendorë apo fizikë, kundërshtarëve
politikë, kriminelëve polakë dhe sovjetikë të luftës, dëshmitarëve të Jehovait
etj.
Përkufizimi i holokaustit – Përkufizimi restriktiv i holokaustit është gjenocidi nazist ndaj hebrenjve. Përkufizimi i gjerë i holokaustit përfshin disa apo të gjitha viktimat johebraike të fushatave naziste të vrasjeve masive. Manuali kolumbian për holokaustin, përkufizimin e holokaustit e lidh me hebrenjtë, me romët dhe me pacientët e Aksionit T4 të cilët kanë qenë me të meta mendore apo invalidë. Autorët e tij i shënojnë “që të tre grupet dhe vetëm këto grupe kanë qenë viktima të barabarta të racizmit dhe të gjenocidit nazist”. Ata po ashtu ofrojnë tre përkufizime shtesë që i përfshijnë pikëpamjet e historianëve të cilët identifikojnë disa grupe të tjera viktimash. Njëra thotë se holokausti ka të bëjë vetëm me hebrenjtë, tjetra thotë se ka pasur holokauste të ndryshme ku secili prej tyre ka goditur grup të veçantë njerëzish, kurse i treti i përfshin të gjitha krimet e nazistëve të motivuara mbi baza raciste. Historiani amerikan i specializuar për historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore, për historinë e Bashkimit Sovjetik dhe për holokaustin Timoti Dejvid Shnajder (Timothy David Snyder; Ohio, ShBA, 18.08.1969 - ) shkruan: “Ka raste kur termi holokaust përdoret në dy mënyra të ndryshme: i shënon të gjitha politikat gjermane të vrasjes gjatë luftës, apo i shënon të gjitha represionet ndaj hebrenjve nga regjimi nazist”.
Përkufizimi i gjerë i të ashtuquajturit “holokaust paralel” i përfshin:
- Të burgosurit sovjetikë të luftës që
kanë vdekur si rezultat i keqtrajtimi të shkaktuar nga politika raciste e
nazistëve;
- Pjesëtarët johebraikë polakë që kanë
vdekur për shkak të kushteve tejet të këqija të krijuara si pasojë e pushtimit
nazist të Polonisë;
- Qytetarët sovjetikë të cilët kanë
vdekur për shkak të kushteve të ngjashme në pjesët e pushtuara të Bashkimit
Sovjetik;
- Personat, me të meta mendore apo
fizike të cilët i kanë vrarë në kuadër të programit të eutanazisë të Reich-it
gjermanomadh;
- Romët apo romd-ët dhe sintët,
homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait dhe disidentët e tjerë fetarë.
* * *
Tri motrat
e Franc Kafkës - Gabriele (Ellie, 1889-1944), Valerie (Valli, 1890-1944) dhe Ottilie (Ottla, 1892-1943) vdesin në kampet
naziste. Otla u mbyt në dhomë gazi në
Aushvic, më 7 tetor 1943. Shkrimtari mitik, autor i “Procesit” legjendar, Franc Kafka, po të ishte jetëgjatë, me siguri
do të kishte përfunduar në ferrin nazist, njësoj si tri motrat e tij.
Kafka thotë: “E gjithë
jeta ime është një histori e mbylljes së syve”.
* * *
Albanologu
Norbert Jokli, viktimë e holokaustit - Në kampet naziste të përqendrimit humbi jetën edhe gjuhëtari
austriak me prejardhje hebraike
Norbert Jokli (1877 – 6 maj 1942). Ishte indoevropianist dhe një ndër
themeluesit e albanologjisë. Lindi në Bzenec të Moravisë*. Diplomoi drejtësinë
në Universitetin e Vjenës dhe më pas gjuhësinë (1908). Më 1907, si autodidakt filloi të studiojë shqipen.
Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi
Shqipërinë. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, por duke e vendosur djepin e
parë të tyre në Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme).
Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste
më 1938, u përndoq. U arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë
dhe u dërgua në një kamp përqendrimi, ku edhe vdiq. Disa studiues austriakë
thonë se vdiq në kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë
pohojnë se vdiq në kampin e përqendrimit të Maly Trostinec-it, një lokalitet
rreth 12 km në juglindje të Minskut. Datë zyrtare e vdekjes së tij
konsiderohet 6 maji i vitit 1942.
Shënim: Moravia është rajon historik në
lindje të Republikës Çeke dhe një nga tre tokat historike çeke, krahas Bohemisë
dhe Silezinës çeke.
* * *
Karakteristikat e
holokaustit - “Shteti gjenocidal” – E tërë
shoqëria e atëhershme gjermane ka qenë e përfshirë në veprimtaritë që janë
ndërlidhur me gjenocidin, duke e shndërruar Rajhun e Tretë në atë që hulumtuesi
i holokaustit, Mihael Berenbaum e ka
quajtur “shtet gjenocidal”.
Shënim:
Mihael Berenbaum (Michael Berenbaum;
Newark, New Jersey, ShBA, 31.07.1945 - ) është studiues, profesor, rabin,
shkrimtar dhe regjisor amerikan i specializuar për studimin e holokaustit.
* * *
Burokratët kanë marrë pjesë në gjetjen e
evidencës për identifikimin e hebrenjve, për konfiskimin e pasurisë dhe për
planifikimin e orarit të trenave me të cilët janë deportuar hebrenjtë. Fabrikat
i kanë larguar nga puna punëtorët hebraikë, kurse më vonë i kanë punësuar
hebrenjtë si fuqi punëtore robërish. Studentët dhe profesorët me prejardhje
hebraike i kanë përjashtuar prej universiteteve. Fabrikat gjermane të farmacisë
i kanë testuar barnat te të burgosurit. Fabrikat e tjera kanë ndërtuar krematoriume.
Me rastin e hyrjes së të burgosurve në kampet e vdekjes, u është urdhëruar t’i
dorëzojnë të gjitha sendet personale që janë regjistruar para se të dërgoheshin
në Gjermanin - për përdorim të serishëm dhe për riciklim. Nëpërmjet llogarive të rrejshme, Banka Kombëtare
Gjermane ka ndihmuar në larjen e gjërave të çmueshme që u janë konfiskuar
viktimave.
Historiani çek me prejardhje hebraike,
profesor emeritus i historisë në UCLA, Saul
Fridlender (Saul Friedländer; Pragë, Çeki, 11.10.1932 - ) shkruan:
“Asnjë grup shoqëror, asnjë bashkësi fetare, asnjë
institucion shkencor apo asociacion profesional në Gjermani dhe në mbarë
Evropën nuk e ka treguar solidaritet për hebrenjtë”. “Disa kisha
krishtere kanë deklaruar se edhe
hebrenjtë e konvertuar do të duhej konsideruar si pjesë e kopesë, por edhe
atëherë me rezervë”.
Fridlenderi
thotë se kjo e bën holokaustin të veçantë për arsye se politika e antisemitizmit ka mundur “të zbatohet deri në nivelet më ekstreme të saj pa përfshirjen e
pikëpamjeve kompensuese të rëndësishme”.
* * *
Në vitin 1945 historianët
i paraqesin kufomat e kampit të përqendrimit Buhenvald (Buchenwald). E
paraqesin edhe hartën e getove në Evropë në të cilat hebrenjtë kanë qenë të
burgosur para dërgimit në llogoret e vdekjes.
*
* *
Holokausti bazohej në
ideologji – Historiani çek me prejardhje hebraike
dhe studiues i holokaustit, Jehuda Bauer
(Yehuda Bauer, Pragë, Çeki, 06.04.1926 – Jerusalem, 18.10.2024) thotë se
holokausti ka qenë i bazuar në ideologji
dhe në mite dhe jo në analiza
praktike.
Shënim:
Jehuda Bauer ka qenë profesor i studimeve të holokaustit në Institutin e
Hebrenjve Bashkëkohorë “Avraham Harman” në Universitetin hebraik të
Jerusalemit.
* * *
Historiani gjerman Eberhard
Jackel (Eberhard Jäckel;
Bremahafen, Gjemani, 29.06.1929 – Shtutgart, Gjermani, 15.07.2017) thotë: “Karakteristikë e veçantë e holokaustit
është se për herë të parë një shtet e ka përdorur tërë forcën e vet për ta
realizuar politikën e asgjësimit të një populli të tërë.”
Shënim: Në vitin 1980 e këndej, historiani gjerman Eberhard Jackel (Eberhard Jäckel) ishte
protagonisti kryesor në mosmarrëveshjen e historianëve për mënyrën e
përfshirjes së Gjermanisë naziste dhe të holokaustit në historiografinë
gjermane dhe për synimet e Adolf
Hitlerit.
*
* *
Vrasjet janë zbatuar
sistematikisht pothuajse në të gjitha rajonet e Evropës së pushtuar, në mbi 20
vende të pushtuara. Rreth tre milionë hebrenj janë vrarë në Poloni, kurse në
Bashkimin Sovjetik janë vrarë midis 700.000 dhe 2,5 milionë hebrenj. Qindra
mijë hebrenj të tjerë janë vrarë në pjesë të tjera të Evropës që ishin nën
pushtimin gjerman. Nga debatet në konferencat në Vanse (Wannse)* shihet qartë se “zgjidhja përfundimtare e
çështjes hebraike” përfshin edhe Mbretërinë
e Bashkuar dhe të gjitha shtetet asnjanëse të Evropës, siç janë Irlanda, Zvicra, Turqia, Suedia, Portugalia
dhe Spanja. Vlerësohet se numri
i kryerësve të holokaustit ka qenë mbi 200.000.
Shënim: Van-i (frëngjisht: Vannes, anglisht: Gwened)
është qytet në Francën veriperëndimore. Ndodhet në bregun jugor të Bretanjës,
450 km larg Parisit.
*
* *
Vrasje e
industrializuar – Përdorimi i kampeve të përqendrimit
apo i llogoreve të vdekjes, të pajisur me dhoma gazi për shfarosjen masive
sistematike të njerëzve, ka qenë karakteristikë unike e holokaustit. Janë
ndërtuar me qëllim vrasjeje sistematike të miliona njerëzve, në radhë të parë
me ndihmën e gazit helmues. Objektet stacionare që janë ndërtuar për
shfarosje në masë, janë rezultat i eksperimentimit nazist të mëhershëm me gaz
helmues gjatë programit sekret të eutanazisë së pacientëve me të meta
mendore.
Zbatimi i holokaustit në Gjermaninë naziste prej viti
1933 deri në vitin 1942 – Sapo e morën pushtetin në Gjermani, nazistët e
fillojnë realizimin e njërit prej qëllimeve të tyre programore më të
rëndësishme: çrrënjosjen e çfarëdo
ndikimi të hebrenjve në politikën, në ekonominë dhe në kulturën gjermane.
Fushata kundër hebrenjve është kryer nëpërmjet radios dhe gazetave,
kurse në të gjitha shkollat dhe në fakultete u përfshi si lëndë e detyrueshme “mësimi mbi racat”. Ky farë mësimi
ishte pseudoshkencor. U miratuan edhe një sërë aktesh nënligjore kundër
hebrenjve që arrijnë kulmin me shpalljen e ligjeve të Nyrnbergut (Ligji
për qytetarët e Perandorisë dhe Ligji
për mbrojtjen e gjakut gjerman dhe të nderit gjerman).
Në 15 shtator
1935 hebrenjtë e humbin shtetësinë
gjermane, privohen nga e drejta për të ushtruar çfarëdo shërbimi publik,
gjë që i godet sidomos intelektualët dhe shkencëtarët, profesorët, mjekët,
avokatët, gazetarët etj. As fëmijët e tyre nuk kanë të drejtë të ndjekin
shkollat publike. U ndalua qëndrimi i hebrenjve në vende publike – në parqe, në
biblioteka, në muze etj. U ndaluan
lidhjet e martesave midis arianëve dhe hebrenjve si dhe
marrëdhëniet seksuale me hebrenj. U ndalua punësimi i arianëve nëpër shtëpitë e hebrenjve, etj. Më vonë këto ligje do të zbatohen pothuajse
në të gjitha vendet e aneksuara dhe në rajonet e pushtuara.
Nën trysninë
gjermane, në vitin 1938 edhe Italia filloi të aplikojë legjislacion
antihebraik. Nën trysninë gjermane, masa kundër hebrenjve ndërmarrin edhe
vendet e Evropës Lindore, me përjashtim të Çekosllovakisë të cilën Gjermania e
mori në vitet 1938-1939. Prej këtyre shteteve emigruan një numër i madh i
hebrenjve.
Në vitin 1933
në Gjermani kanë jetuar rreth 500.000 hebrenj. Prej tyre, deri në vitin 1939
rreth 300.000 kanë emigruar.
Me nismën e
presidentit të ShBA-së Franklin Delano Ruzvelt (Franklin Delano
Roosevelt, 30.01.1882 – 12.04.1945), në pranverë të vitit 1938, në Evian
(Évian) të Zvicrës është mbajtur konferencë ndërkombëtare për refugjatët, por
pa rezultat. Asnjë vend nuk i ka hapur dyert e veta për refugjatët hebrenj.
Shumë prej tyre vendosen në Palestinë. Mirëpo, në korrik të vitit 1939
qeveria britanike, e ballafaquar me qëndresën
e arabëve, vendosjen e hebrenjve në Palestinë e kufizon në jo më shumë se
15.000 në pesë vitet vijuese.
Getoja e Varshavës – Mbajtja e detyrueshme e shenjës në rroba u
caktua për herë të parë për hebrenjtë në Poloni. Kjo ndodhi në nëntor të vitit
1939. Më vonë kjo masë nisi të zbatohet edhe në Gjermani dhe në shtete të
tjera. Hebrenjtë përsëri u vendosën në pjesë të veçanta të izoluara të qyteteve
(nëpër
geto). Getoja më e madhe ndodhej në Varshavë. Atje ndodhi edhe e
vetmja rezistencë e organizuar dhe masive e hebrenjve.
Në vjeshtë të viti 1941 filloi realizimi
i planit që të gjithë hebrenjtë nga Gjermania dhe nga rajonet e zaptuara të
Evropës Qendrore dhe Perëndimore të deportohen në lindje. Hebrenjtë
grumbulloheshin dhe transportoheshin me vagonë mallrash. Gjatë transportit
vdiqën mijëra prej tyre. Me vendimin për “zgjidhjen
përfundimtare”, ky plan shpejt u ndërpre.
* * *
Industrialistit
dhe humanistit gjerman Oskar Shindler (Oscar Schindler; Svitavy,
Çeki; 28.04.1908 – Hildeshaim, Gjermani,
09.10.1974) i njihet merita për shpëtimin e jetës së 1200 hebrenjve gjatë
holokaustit, duke i punësuar ata në fabrikat e tij të enëve të smaltit dhe të
municioneve në Poloninë e pushtuar. Oskar Shindleri ka qenë anëtar i Partisë Naziste. Fëmijë të
tij janë Emily Schlegel dhe Oskar Jr. Schlegel.
Rezistenca ndaj masave
kundër hebrenjve – Rezistencë kundër këtyre masave ka
pasur në shumë vende të pushtuara. Qëndresa më e fuqishme ka qenë në Danimarkë ku, pas masave të para kundër
hebrenjve, mbreti deklaron në radio se vetë ai do ta mbante në rrobat e veta
yllin hebraik, po qe se cilido qytetar e vendit të tij detyrohej për një gjë të
tillë. Në vitin 1943 gjermanët e vendosin administratën e vet të drejtpërdrejtë
në këtë vend. Urdhërojnë arrestimin e të gjithë joarianëve. Është
organizuar dërgimi sekret me anije i hebrenjve për në Suedi, ndaj të gjithë kanë shpëtuar. Në shkurt të vitit 1941, për
ta parandaluar deportimin e hebrenjve, në Holandë
është organizuar grevë e përgjithshme.
Rezistencë të fuqishme ndaj përndjekjes së hebrenjve ka pasur në Itali. Janë pranuar refugjatë prej France
dhe prej vendeve ballkanike. Mijëra refugjatë hebraikë kanë shpëtuar prej
kampeve të përqendrimit të Shtetit të
Pavarur Kroat (akronimet në kroatisht: NDH). Sipas disa studiuesve, Bullgaria nuk ka deportuar asnjë hebre, po ashtu edhe Finlanda. Në Austrinë që
i është bashkangjitur Perandorisë Gjermane në vitin 1938 (Anschlus), ka pasur
shumë protesta kundër trajtimit të hebrenjve. Ka pasur edhe thirrje që ndaj
ndonjërit prej tyre të ketë përjashtim.
Në vendet e Lindjes ku regjimi pushtues
nazist ka qenë shumë më rigoroz (sllavët janë konsideruar racë inferiore, të
përshtatshëm për robër), një lloj rezistence të organizuar dhe masive
ka qenë i pamundur. Persona të caktuar i rezistuan zbatimit të masave kundër
hebrenjve duke shpëtuar ilegalisht një numër të caktuar. Simbol është bërë Oskar Shindleri (Oskar Schindler). Më
vonë Izraeli, për individët e tillë vuri në përdorim mirënjohjen Njeriu i drejtë midis popujve. Ndihmë të
tillë kanë dhënë edhe lëvizjet e organizuara antifashiste të
qëndresës në vende të ndryshme. Ndër ideologët nazistë ka pasur të
tillë që kanë thënë: “Do të vrasim njëqind
milionë sllavë dhe me kufomat e tyre do t’i plehërojmë arat e Evropës.”
„Zgjidhja
përfundimtare e çështjes hebraike“
– Suksesi i ekspeditës ushtarake në BRSS i nxiti nazistët të marrin vendim që
në vend të deportimit në Lindje, të planifikuar më herët, të zbatohet “zgjidhja
përfundimtare e çështjes hebraike”, d.m.th. likuidimi fizik i të gjithë
hebrenjve në Evropë. Në konferencën sekrete në Berlin-Wannse të mbajtur më 20
janar 1942 (Konferenca e Wannse) këtë e paraqiti SS-Obergruppenführer Rajnhard Tristan Eugjen
Hedrih (Reinhard
Tristan Eugen Heydrich,
07.03.1904 – 04.06.1942), shef i Policisë së
Sigurisë dhe i Shërbimit të Sigurisë. Ai ka qenë i autorizua personalisht nga Hitleri për ta jetësuar atë plan. Të
gjitha shërbimeve shtetërore u ishte dhënë urdhri të marrin pjesë në shfarosjen
e hebrenjve nën administrimin e SS-it. Ishte dhënë urdhri që të
paaftët për punë të vriten menjëherë, kurse të tjerët të dërgohen në
punë të detyrueshme me kushte minimale jetese, derisa nuk vdesin nga
rraskapitja. Si formë e likuidimeve masive ishte dhënë urdhri i vrasjes me gaz
dhe pushkatim.
Rajnhard Hedrih u vra në atentat në Çeki.
Pas vrasjes së tij, për zbatimin e
planit u ngarkua Oto Adolf Ajhman (Otto
Adolf Eichmann; Soligen, Gjermani, 19.03.1906 – Ayalon Prison, Ramla, Izrael,
01.06.1962). U kap në Argjentinë nga Mossad-i më 11 maj 1960. U shpall fajtor
për krime lufte në një gjykim të publikuar gjerësisht në Jerusalem. Më 1962 u
ekzekutua me varje.
Në bazë të vendimit për “zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebraike” u themeluan kampe përqendrimi dhe
llogore vdekjeje - të posaçme. Derisa në kampet e përqendrimit (të
grumbullimit) të burgosurit punonin, i vetmi funksion i llogoreve të vdekjes ka
qenë shfarosja sistematike e të burgosurve, më së shpeshti nëpërmjet një
organizimi tejet të sofistikuar. Për shembull, kanë ekzistuar njësi të burgosurish
të cilët do të kujdeseshin që krematoriumi
të djegë kufoma pandërprerë. Llogore vdekjeje janë ndërtuar më së shumti në
rajonin e Polonisë së pushtuar: Aushvic / Auschwitz (Oswiencim), Birkenau (Brzezinka), Treblinka, Mauthausen, Majdanek, Sobibor, Izbica e të tjerë.
Kur ushtria sovjetike gjatë vitit 1944 e
pushton Poloninë, likuidimet kanë vazhduar në llogoret në tokën gjermane: në Dahau (Dachau), në Bergen-Belsen dhe në
Buhenvald (Buchenwald).
Në shtator të vitit 1944, Hajnrih Luitpold Himleri (Heinrich
Luitpold Himmler, Munih, Gjermani, 07.10.1900 – Lyneburg, Gjermani, 23.05.1945)
jep
urdhër për ndërprerjen e likuidimeve. Por, deri në çlirimin e kampit
prej Aleatëve, nga uria dhe nga sëmundjet ngjitëse kanë vdekur në to edhe
dhjetëra mijë veta. Një pjesë të të deportuarve, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq
i vrisnin sapo mbërrinin në kampe. Një pjesë tjetër, përkohësisht i mbanin në
jetë si fuqi punëtore robërish. Një numër i caktuar vdisnin nga rraskapitja. Të
tjerët, më vonë po ashtu i vrisnin. Në fillim qindra dhe mijëra viktima, nëse
nuk i kishin pushkatuar, i vrisnin me gazin që lëshonin kamionët në lëvizje:
pesëdhjetë viktima i fusnin në një hapësirë të mbyllur hermetikisht. Në atë
hapësirë futej gypi nga ku dilte gazi i lëshuar nga kamioni. Si pasojë, të
gjithëve u zihej fryma.
Më vonë, vrasja masive u përkrye:
fabrika DEGESCH – Shoqëria gjermane për
luftë kundër dëmtuesve – livronte gaz
ciklon B që vepronte shpejt.
Shënim:
Himleri ka qenë komandanti kryesor i policisë gjermane, i SS-it, i SD-së, i
Gestapo-së dhe i RSHA-së. Ishte njëri prej njerëzve më të fuqishëm të
Gjermanisë naziste. U bë një prej organizuesve kryesorë të holokaustit. Në maj
të viti 1945, me dokumente të rrejshme, zgjoi dyshimin e një njësiti britanik
në Bremen. U arrestua më 22 maj 1945. Duhej të gjykohej në Nurnberg bashkë me
komandantët e tjerë të mëdhenj gjermanë, por bëri vetëvrasje në Lyneburg
(Lüneburg), duke kafshuar ampulën e cianidit
të kaliumit para se të fillonte marrja në pyetje nga hetuesit.
* * *
Me ndihmën e këtij gazi gjakpirësit e
SS-it kanë organizuar vrasje masive “racionale” në vagonët hekurudhorë apo në hapësirat e kamufluara si banja me dushe. Kjo ka bërë të mundur që
viktimat e mashtruara të zhvishen vetë, kështu që u janë marrë edhe rrobat dhe
gjësendet që ende i posedonin. Pas vdekjes, para se t’i hidhnin në furra për
t’i djegur, u janë shkulur dhëmbët e arit. Prej protezave të arit, prej
gjerdanëve dhe unazave nazistët kanë grumbulluar 17 tonë ar.
Përpos vrasjes në llogore, shfarosjen
sistematike të hebrenjve dhe të të tjerëve e kanë zbatuar njësitë e veçanta, të
ashtuquajturit SS-Einsatzgruppen. Njësi të tilla ka pasur çdo
armatë e posaçme gjermane për veprim në prapavijë. Në to kanë marrë pjesë edhe
policë ndihmës lituanë, letuanezë,
bjellorusë dhe ukrainas.
Përveç dërgimit në kampe dhe likuidimit, në zona të ndryshme janë kryer edhe
pushkatime individuale dhe masive.
Pas atentatit ndaj Hendrit
(Heyndrich), i tërë
procesi ka qenë në kompetencë të Adolf
Ajhmanit (Adolf Eichmann), i cili ka treguar aftësi organizative të mëdha
dhe ka ndikuar me të madhe që vrasja të rrjedhë gjithnjë më shpejt dhe të jetë
gjithnjë më efikase.
Pavarësisht përpjekjeve të tij, me
kalimin e kohës holokausti filloi të thithë resurse logjistike të mëdha të Rajhut,
duke
ndikuar tërthorazi në zhvillimet në fushëbetejë. Sipas disa
vlerësimeve, kjo ka qenë një prej arsyeve përse aleatët perëndimorë dhe
BRSS-ja, edhe pse kanë pasur të dhëna për atë se ç’ndodh nëpër kampet e
vdekjes, nuk kanë bërë përpjekje të qenësishme për ta ndaluar holokaustin. Ai
ka vazhduar deri në mbarim të luftës, përkatësisht deri në shpartallimin e
Gjermanisë naziste.
Holokausti në Shtetin e Pavarur Kroat (ShPK) – Në Jasenovac, i
vetmi kamp i vdekjes në Evropë që nuk ka qenë nën administrimin gjerman, sipas të dhënave kroate, janë vrarë
midis 70.000 dhe 100.000 të burgosur serbë,
romë, hebrenj, komunistë. Sipas të dhënave serbe, në Jasenovc janë
vrarë 500.000 veta. Komisioni shtetëror i Kroacisë ka konstatuar në raportin e Gjykatës
Ushtarake Ndërkombëtare në Nyrnberg se numri i viktimave është midis 500.000 dhe 600.000. Kampi i vdekjes i Jasenovcit u
ndërtua në vitin 1941, për t’u mbyllur në vitin 1945.
Holokausti në Serbi- Karakteristika të kampit të vdekjes ka pasur edhe kampi Sajmishte afër Beogradit që ka qenë nën administrimin gjerman. Në pjesën e kamionit për ngarkimin e mallrave futej gypi që lëshonte gaz i cili i helmonte njerëzit që ndodheshin aty. Kamioni ka qarkulluar edhe nëpër Beograd.
Tabela e profesor Dejvid M. Krou (David M. Crowe)*
|
Shteti |
Numri i hebrenjve para luftës |
Numri i viktimave të holokaustit |
|
Austria |
185.000-192.000 |
48.767-65.000 |
|
Bashkimi Sovjetik |
3.020.000 |
700.000-2.500.000 |
|
Belgjika |
55.000-70.000 |
24.000-29.902 |
|
Bullgaria |
50.000 |
7.335 |
|
Çekia dhe Moravia |
92.000-118.310 |
78.150-80.000 |
|
Danimarka |
7.500-7.800 |
60-116 |
|
Estonia |
4.500 |
1.500-2.000 |
|
Finlanda |
2.000 |
0 (7-8 shtetas tëhuaj i janë dorëzuar Gjermanisë) |
|
Franca |
330.000-350.000 |
73.320-90.000 |
|
Greqia |
77.380 |
58.443-67.000 |
|
Gjermania |
523.000-525.000 |
130.000-160.000 |
|
Holanda |
140.000 |
98.800-120.000 |
|
Hungaria |
725.000-825.000 |
200.000-569.000 |
|
Italia |
42.500-44.500 |
5.596-9.000 |
|
Jugosllavia |
78.000-82.242 |
51.400-67.438 |
|
Letonia |
91.500-95.000 |
60.000-85.000 |
|
Lituania |
168.000 |
130.000-200.000 |
|
Luksemburgu |
3.800 |
720-2.000 |
|
Norvegjia |
1.700-1.800 |
758-1.000 |
|
Polonia |
3.300.000-3.500.000 |
2.700.000-3.000.000 |
|
Rumania |
756.000 |
270.000-287.000 |
|
Sllovakia |
136.000 |
68.000-100.000 |
|
Shqipëria |
/ |
! |
|
Gjithsej |
9.702.930 – 10.169.332 |
4.707.056 – 7.442.390 |
Duhet cekur se në raste të caktuara Tabela e historianit amerikan Dejvid M. Krou (David M. Crowe) nuk përputhet me të dhënat e studiuesve të tjerë që janë marrë me numrin e viktimave të holokaustit në vendet evropiane. Për shembull, sipas disa studiuesve, Bullgaria nuk ka dorëzuar asnjë hebre, kurse sipas Tabelës së Dejvid M. Krou, numri i viktimave të holokaustit nga ky vend është 7.335.
Të dhëna për
numrin e viktimave të holokaustit në shtetet evropiane japin edhe studiues të
tjerë. Duhet cekur se të dhënat për numrin e viktimave jo gjithherë përputhen
me njëra-tjetrën.
*
* *
Shqipëria në kohën e antisemitizmit apo të holokaustit
– Për
Shqipërinë jep të dhëna të caktuara edhe historiani amerikan Dejvid M. Krou
(David M. Crowe). Të dhënat, ai i ka paraqitur edhe në Tabelën e tij. Por, ka
studiues që të dhënat e profesorit amerikan lidhur me Shqipërinë në kohën e
holokaustit - i vënë në dyshim. Për këtë arsye, ato nuk janë pasqyruar në
Tabelë.
Gjithë bota e
di se gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët nuk u dorëzuan nazistëve
gjermanë as edhe një hebre të vetëm. Shqiptarët janë popull me virtyte të
larta. Ata shquhen për besën,
mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë, trimërinë, guximin, drejtësinë, vitalitetin
e racës etj. Sipas kodit etik të tyre, shtëpia e shqiptarit
është e Zotit dhe e mikut. Shqiptari rrezikoi jetën e vet, por hebreun nuk ia
dorëzoi GESTAPO-së apo SS-ve. Mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri në kohën e
holokaustit e kanë dëshmuar dhe vazhdojnë ta dëshmojnë edhe vetë hebrenjtë të
cilët kanë qenë të strehuar dhe të fshehur në shtëpitë e shqiptarëve. Këtë e dëshmojnë
e hebrenjtë të cilët në kohën e strehimit te shqiptarët kanë qenë të vegjël.
Kjo tregon se mbrojtja e hebrenjve prej shqiptarëve gjatë LDB-së nuk është
legjendë apo mit. Mikpritja që e kanë gjetur hebrenjtë në Shqipëri dhe
gjithandej në trojet arbërore, është dëshmuar dhe është provuar edhe me fakte
apo me argumente historike, si prej historianëve shqiptarë, ashtu edhe prej
studiuesve të huaj. S’ka hebre në rruzullin tokësor që nuk e di se gjatë
LDB-së, në kohën e antisemitizmit apo të holokaustit, hebrenjtë në Shqipëri
kanë gjetur strehim të sigurt.
Edhe
autoritetet më të larta të Izraelit sot, thonë: “Shqipëria është i vetmi vend në botë ku numri i hebrenjve gjatë Luftës
II Botërore është rritur”.
Shënim: Dejvid M. Krou (David M. Crowe, Jr.; lindi në
Norfolk, Virginia, ShBA më 20 shtator.1943) historian amerikan. Ka qenë anëtar
i Kryesisë së Universitetit Chapman dhe profesor emeritus i historisë dhe i
drejtësisë në Universitetin Elon. Ka qenë specialist i të drejtës penale
ndërkombëtare, i holokaustit, i historisë së popullit rom në Evropën Lindore,
në Rusi dhe në Kinë në shekullin XX
* *
*
Holokausti ka lënë pas vetes pasoja afatgjata.
Supozohet se në të janë vrarë 5,29 deri 6 milionë hebrenj, përkatësisht një e treta e të gjithë hebrenjve që
kanë jetuar në botë para Luftës së Dytë Botërore. Pasqyra demografike e Evropës
është ndryshuar dukshëm, sidomos në Evropën Lindore dhe Qendrore në të cilat
bashkësitë hebraike nuk kanë ekzistuar më. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve
kanë emigruar në ShBA, përkatësisht në Palestinë ku u krijua
shteti kombëtar hebraik – Izraeli.
Romët janë grupi i dytë që ka qenë objekt i gjenocidit. Numri i viktimave të tyre
është vështirë të vlerësohet. Jepen shifra midis 200.000 dhe 800.000, që përbën
një të katërtën apo gjysmën e numrit të përgjithshëm të tyre në Evropë.
Me të gjitha grupet e tjera që janë
shfarosur sistematikisht, numri i viktimave të holokaustit, në kuptimin e gjerë
të fjalës, duke mos i përfshirë vetëm hebrenjtë, zakonisht vlerësohet në 9 deri
në 11 milionë. Disa vlerësime shkojnë deri në 26 milionë.
Njësoj si Lufta e Parë Botërore,
holokausti ka paraqitur shok të madh për qytetërimin perëndimor të atëhershëm.
Shumë njerëz kanë pyetur: “Si është e mundur që për vrasjet në ato
përmasa janë shfrytëzuar arritjet më moderne të shkencës. Si ka qenë i mundur
një nivel i tillë i pandjeshmërisë në shekullin XX, sidomos kur krimet janë
kryer në një shtet kaq të përparuar, të arsimuar dhe të qytetëruar siç është
Gjermania.”
Për këtë arsye holokausti shpesh
përshkruhet si ngjarje unike e historisë së botës. Përgjegjësia për të i
ngjishet një numri të kufizuar njerëzish, kryesisht Adolf Hitlerit dhe rrethit të ngushtë të ithtarëve të tij si dhe
ndërthurjes specifike të rrethanave të cilat nuk pritet të përsëriten edhe
njëherë të tjera.
Mirëpo jepen edhe teza se holokausti nuk
do të kishte qenë i mundur, së paku jo në përmasa aq masive, sikur nazistët të
mos e gëzonin mbështetjen e heshtur apo të hapur të popullatës johebraike,
madje edhe në vendet e pushtuara siç është Polonia, të motivuar nga lakmia dhe
nga antisemitizmi i hapur ose latent.
* * *
Kancelari gjerman Vili
Brant bie në gjunjë – Në dhjetor të vitit
1970, kancelari gjerman Vili Brant
(Willy Brandt, Lybek, Gjermani, 18.12.1913 – Unkel, Gjermani, 08.10.1992)
vizitoi Poloninë. Kjo ndodhi 25 vjet pas pushtimit gjerman të këtij vendi dhe
vrasjeve gjermane. Më 7 dhjetor 1970, në orët e paradites, para përmendores së
kryengritjes në geton e Varshavës, Branti vuri kurorë. Pasi e vuri kurorën, u
tërhoq nja-dy hapa pas dhe priti një çast. Sakaq, kokulur ra në gjunjë në
granitin e fortë dhe të lagët. Kjo zgjati jo më shumë se 30 sekonda. E bëri
këtë akt në emër të popullit gjerman. Për gjysmë minute hyri në histori.
Fotografia e kësaj skene përnjëherë e mori dheun. Në Poloni kishte të tillë të
cilët këtë akt të Brantit nuk e mirëpritën. Në vitin 1971 iu dha çmimi “Nobel”
për paqe.
* * *
Gjermania ia
ka dhënë njerëzimit kolosët e qytetërimit perëndimor: shkrimtarin Johan
Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, Frankufurt mbi Majnë, 1749 – Weimar,
1832), filozofin e filozofisë idealiste klasike gjermane Georg Vilhelm
Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770 – 1831), filozofin e
filozofisë klasike idealiste klasike gjermane Imanuel Kant (Immanuel
Kant, 1724 – 1804), filozofin dhe poetin Fridrih Niçe (Friedrich
Nietzsche, 1844 – 1900). Është për t’u habitur se si ka qenë e mundur që
holokausti të ketë ndodhur te ky popull.
Adolf Hitleri bëhet kancelar i Gjermanisë
në vitin 1933. Ai ka qenë ideologu kryesor i politikës raciste të Gjermanisë
naziste gjë që e ka paralajmëruar qysh në librin “Mein Kampf” (Lufta ime, 1924).
Nën pushtetin e tij është kryer shfarosja e mbi pesë milionë hebrenjve dhe
romëve në holokaust.
Është për t’u
habitur se si ideologjinë naziste nuk e kundërshtuan sa duhet dhe si duhet edhe
një pjesë e inteligjencies
gjermane. Mund të përmendet rasti i filozofit të famshëm gjerman të drejtimit ekzistencialist Martin Hajdeger (Martin
Heidegger, 1889 - 1976).
Kur filozofi i
madh gjerman Edmund Huserl (Edmund Husserl, 1859 – 1938), për shkak të
prejardhjes hebraike u dëbua
nga universiteti, vendin e tij e zuri Hajdegeri. Këtë akt si dhe disa fjalime
të tij dhe paraqitje publike - sidomos Rektoratsrede
i tij – në të cilat në kohën e daljes në skenë të nazizmit e zmadhonte “kushtrimin historik të Gjermanisë”
- ia kanë zënë për të madhe shumë
filozofë të tjerë, pavarësisht nga fakti se më vonë ai e ka ndërprerë
angazhimin e drejtpërdrejtë dhe aktiv për Rajhun e Tretë. Përkundër kësaj,
shumë nxënës dhe apologjetë të tij, por edhe filozofë origjinalë, sidomos në
Francë, e konsiderojnë si njërin nga filozofët më të mëdhenj të botës
bashkëkohore.
* *
*
Dita e përkujtimit të holokaustit – Dita e përkujtimit të holokaustit shënohet në ShBA dhe në të gjitha shtet evropiane. Rëndësi të madhe ka United States Holocaust Memorial Museum (Muzeu Memorial i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara) i hapur në Uashington në prill të viti 1993, në ditën e fillimit të kryengritjes në geton e Varshavës.

Hebrenjtë polakë të kapur nga gjermanët gjatë shtypjes së Kryengritjes së Getos së Varshavës (Poloni) – Foto nga Raporti i Jürgen Stroop për Heinrich Himmler, maj 1943.









