Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Albanologët e huaj dhe Norbert Jokli
E shtune, 14.02.2026, 07:00 PM
ALBANOLOGËT E HUAJ DHE NORBERT JOKLI
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Norbert Jokli ishte albanolog. Me albanologjinë
nënkuptohet tërësia e studimeve për historinë, gjuhën dhe kulturën e
popullit shqiptar. Shqipëria dhe populli shqiptar, historia, gjuha dhe kultura
e tij prej shekujsh kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Ata janë bërë objekt
kërkimesh nga albanologë të shquar të vendeve të ndryshme. Albanologjia lindi
si një drejtim i veçantë studimesh për Shqipërinë dhe për shqiptarët në fund të
shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. U konsolidua sidomos në gjysmën
e dytë të shekullit XIX. Në fillim, albanologët u morën kryesisht me historinë
e lashtë të shqiptarëve, sidomos me çështjen e prejardhjes së popullit shqiptar
dhe të gjuhës shqipe.
Një nga figurat kryesore të fillimeve albanologjike ka
qenë historiani suedez Jan Tunma (Hans
Erich Thunmann, 1746-1778). Ky është një nga albanologët e partë, profesor në
Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Në veprën “Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker”
(Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore”, Lajpcig, 1774) Tunman bëri përpjekjen e parë
shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre.
Në fillim të shekullit XIX studimet albanologjike u
zgjeruan. Studiuesit si: ushtaraku anglez dhe përfaqësuesi politik i qeverisë
angleze pranë oborrit të Ali pashë
Tepelenës (Tepelenë, Shqipëri, 1740 – Janinë, Greqi, 24.01.1822) në fillim
të shekullit XIX Martin Uiljam Lik* (William
Martin Leake, 1777-1860); mjeku,
natyralisti, diplomati, historiani dhe arkeologu francez Fransua Pukëvil (François Charles Louis Pouqueville, 1770-1838); etnografi, natyralisti dhe udhëtari
francez Ami Bue (Ami Boué,
1794-1881); konsulli i Francës në vilajetin e Shkodrës në vitet 1853-1862 Lui Jasin Hekard (Louis Hyacinth
Hecquard, 1814-1866) bënë përpjekje
për të njohur më nga afër rrugën e formimit dhe të zhvillimit të popullit
shqiptar, traditat e tij etnokulturore, duke trajtuar edhe probleme të
historisë mesjetare të Shqipërisë.
Shënim: Uiljam Martin Lik është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, kate
vëllime, 1835).
* * *
Në mesin e shekullit XIX vepra që shënoi një etapë të
rëndësishme në fushën e albanologjisë qe “Albanesische
Studien”, Jenë, 1854 (Studime shqiptare, 1853-1854) në tre vëllime, e
albanologut gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë Johan Georg fon Han (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869). Vepra e
Hanit konsiderohet si një nga punimet shkencore më me vlerë shkruar nga të
huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Në vitet 1847-1850 Hani
ishte nënkonsull i Austrisë për “Shqipërinë e Poshtme”, në Janinë, ku punoi për
zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe me ndihmën e lëvruesit dhe studiuesit të
gjuhës shqipe, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të
kulturës, Kostandin Kristoforidhit (1827-1895)
dhe të mjekut nga Labova e Madhe (Gjirokastër) Apostol Meksit (1825-1879). Kur Meksi mësonte në gjimnazin
“Zosimea” të Janinës, u njoh me albanologun Johan Georg fon Han, i cili e
cilëson si “mësuesin e tij toskë” të
gjuhës shqipe.
Hani përshkroi në veçanti Tepelenën, Luginën e
Gjirokastrës, Kurveleshin dhe Malësinë e Shkodrës. Dha njoftime për bujqësinë,
blegtorinë, mjeshtëritë popullore, qendrat qytetare, rrugët dhe shkëmbimet tregtare
të krahinave të Shqipërisë së brendshme dhe me shtete të Evropës. Trajtoi
historinë dhe dha statistika edhe për arbëreshët në Greqi dhe në Itali.
* * *
Pas Johan Georg fon Hanit, studiues të tjerë trajtuan një
varg çështjesh të historisë mesjetare dhe të historisë së re të popullit
shqiptar. Arkeologjia dhe etnografia në këtë periudhë fillojnë të përvijohen si
degë të veçanta në gjirin e shkencave historike. Gjetjet arkeologjike bëhen
objekt studimi të mirëfilltë vetëm në fillim të shekullit XX. Në qendër të
vëmendjes të këtyre studimeve ishte kultura antike. Me këtë çështje janë
marrë sidomos arkeologu dhe historiani austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë
ilire, Karl Paç (1865-1945) dhe arkeologu austriak, pjesëtar i
grupit të gjashtë dijetarëve austro-hungarezë që u dërguan në vitin 1916 në
Shqipëri për të kryer hulumtime në disa degë të shkencave historike, Kamilo Prashniker (Camillo Praschniker,
1884-1949). Prashnikeri është autor i librit “Archäologische
Forschungen in Albanien und Montenegro”, Vjenë, 1919 (Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe në Mal
të Zi) si dhe i librit “Muzakhia und
Malakastra” Vjenë 1920 (Myzeqeja dhe
Mallakastra).
U bënë përpjekje për të zbuluar kulturën materiale dhe
shpirtërore të shqiptarëve dhe për t’i vështruar ato në planin ballkanik, në
lidhje me kulturën e popujve fqinjë. Në këtë fushë shquhen gjeologu,
paleontologu dh e etnografi hungarez, baron Franc Nopça (Franz Nopcsa,
1877-1933) dhe artistja, antropologia
dhe shkrimtarja britanike Edit Durham (Mary
Edith Durham; Londër, 08.12.1863 – Londër, 15.11.1944). Ajo ishte shkolluar në
Bedford College, Londër në vitet 1878-1882. Njihet për rrëfimet e saj
antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit XX.
Nga viti 1903 deri në vitin 1922 Franc Nopça erdhi disa herë në malësitë e veriut të Shqipërisë. U
mor me studimin e ndërtimit gjeologjik të Shqipërisë Veriore.
Në lëmin e gjuhësisë trashëgimia
albanologjike është më e pasur. Lindja e gjuhësisë historike-krahasuese, që
prej mesit të shekullit XIX e vuri studimin e shqipes mbi baza shkencore. Një
nga themeluesit e kësaj gjuhësie, gjuhëtari gjerman Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) provoi në mënyrë të argumentuar
karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Bopi është albanolog,
themelues kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në
Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane
studio edhe gjuhën shqipe. Që më 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit
analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi
karakterin indoevropian të tyre. Në vitin 1854 botoi studimin “Über das Albanesische in seinen
verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së
saj) ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës
gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Bopi zbuloi një varg elementesh të
përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë
përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë
një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Bopit qe një gur themeli në studimin e
historisë së gjuhës shqipe.
Pas tij, një varg dijetarësh të njohur të shkollave të
ndryshme gjuhësore, ndër të cilët u shquan Gustav
Majeri, Holger Pedersen, Norbert Jokli – dhanë ndihmesë me
rëndësi për studimin e aspekteve të veçanta të gjuhës shqipe.
Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900)
është albanolog austriak, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe
turkolog, profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e
Gracit. Në fushën e studimeve për shqipen u mor me etimologji, fonetikë dhe me
gramatikën historike. Më 1891 botoi veprën “Etymologisches
Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe).
Botoi gjithashtu 6 vëllime me studime shqiptare (Albanesische
Studien, I-VI; Vjenë 1883-1897). Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga
ilirishtja dhe përcaktoi shkencërisht pozitën e saj si një gjuhë që zë një vend
më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane. Vuri në dukje praninë e një
numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke.
Holger Pedersen (1867-1953) është gjuhëtar
danez, indoevropianist, keltolog dhe albanolog. Ka botuar studime për gjuhë të
caktuara, përfshi edhe shqipen. Gjatë një qëndrimi në Korfuz në vitin 1893 u
interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore shqiptare dhe me atë rast
bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë dhe Delvinë. Materialin e mbledhur e
botoi në vitin 1895 në veprën me titull “Albanesische
Texte mit Glossar” (Tekste shqiptare me fjalor). Pederseni ka botuar disa studime me vlerë për gjuhën shqipe: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894),
“Tingujt l dhe ll të gjuhës
shqipe” (1897), “Asnjanësi i shqipes”
(1899), “Grykoret në gjuhën shqipe”
(1900), “Albanesisch 1905” (Shqip 1905) etj. Mbrojti tezën e prejardhjes së
shqipes nga ilirishtja. Sipas
Pedersenit “Dallimi midis dy
dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël sesa dallimet dialektore që
vihen re në shumë gjuhë të tjera.”
Studimet dhe artikujt e tij për gjuhën shqipe janë
përkthyer dhe janë përmbledhur në një vëllim të veçantë me titull “Studime për gjuhën shqipe”, botuar nga
AShAK, Prishtinë 2003.
* * *
Norbert Jokli (Norbert Jokl, 25 shkurt
1877 – 6 maj 1942) është gjuhëtar austriak me prejardhje hebraike. Filolog,
indoevropianist dhe një ndër themeluesit e albanologjisë. Lindi në Bzenec të
Moravisë. Ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave. Studioi për
gjuhësi indoevropiane, sllavistikë dhe romanistikë. Diplomoi për drejtësi në
Universitetin e Vjenës. Në vitin 1908 diplomoi edhe për gjuhësi. Në vitin 1907
filloi ta studiojë shqipen si autodidakt. Punoi si
kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës, duke dhënë njëkohësisht mësim si
pedagog i jashtëm për shqipen dhe për baltishtën. Me aneksimin e Austrisë nga
Gjermania naziste (1938) u përndoq dhe u dërgua në një kamp përqendrimi ku edhe
vdiq. Krejt jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Pyetjes përse nuk
martoheni, i ishte përgjigjur: “Jam
martuar me gjuhën shqipe”. Punoi sidomos në fushën e etimologjisë dhe të
fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për
fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete botoi:
- “Studien zur
albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe
- “Linguistisch
kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”,
Berlin-Lajpcig 1923 (Gjurmime gjuhësore
dhe historike-kulturore nga lëmi i shqipes”.
Hartoi studime të shumta që u botuan në përmbledhje dhe
në organe shkencore, disa edhe pas vdekjes. Me artikullin “Naim Be Frashëri e pasunimi i gjuhës shqipe” (1925) vlerësoi punën
e Naimit dhe të rilindësve për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe dhe
ndikoi për vijimin e saj me baza filologjike. Mbajti rubrikën e bibliografisë
për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indigermanisches Jahrbuch (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht,
me vlerësime dhe analiza, të gjitha botime albanologjike të atyre viteve.
Në punimet e tij Norbert
Jokli trajtoi çështje të rëndësishme të historisë së jashtme dhe të
brendshme të gjuhës shqipe. Hulumtoi çështjen e burimit të gjuhës shqipe.
Shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten
dhe trakishten dhe shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së gjuhës
shqipe, duke u përpjekur të bëjë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti
autoktoninë e shqiptarëve, por duke e vendosur djepin e parë të tyre në
Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme). Vëmendje të madhe i kushtoi
elementit vendës, në radhë të parë elementit trashëgimor indoevropian. I çoi
përpara gjurmimet etimologjike shqiptare. Rishikoi mjaft etimologji dhe hodhi
dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës
të shumë elementeve të mbajtura si huazime.
Mbante lidhje të rregullta me gjuhëtarë shqiptarë
bashkëkohës. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë,
vizitoi Shqipërinë.
* * *
Fundi tragjik i albanologut të shquar – Duke qenë hebre, Jokli
ishte shënjestër e nazistëve gjermanë. Ish-studenti i tij, poeti lirik Lasgush Poradeci (1899-1987, pseudonim
letrar i Llazar Sotir Gushos) i drejtoi një letër qeverisë shqiptare të kohës
për ta ftuar që të punonte në Shqipëri. Përpjekja e tij u ndërpre nga pushtimi
italian. Pas pushtimit, autoritetet shqiptare dhe filologu italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini,
Bolonjë, Itali, 18.06.1903 – Bolonjë, Itali, 31.05.1982) u angazhuan ta ftonin
në Shqipëri duke i ofruar punësim, ku do ta merrte edhe bibliotekën e vet. Jokli u arrestua më 4 mars 1942 në
banesën e tij në Vjenë. Disa studiues austriakë pohojnë se vdiq nën tortura në
kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa
të tjerë thonë se vdiq në kampin e përqendrimit të Maly Trostinec-it,
rreth 12 kilometra në juglindje të Minskut. Datë
zyrtare e vdekjes së tij konsiderohet 6 maji i vitit 1942.









