E enjte, 12.02.2026, 10:45 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Kryekriminelët serbomëdhenj të përgjigjen për masakrën e Reçakut

E enjte, 12.02.2026, 07:00 PM


KRYEKRIMINELËT SERBOMËDHENJ TË PËRGJIGJEN PËR MASAKRËN E REÇAKUT

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Masakra e Reçakut ishte një “incident” që solli në ndërhyrjen e NATO-s gjatë Luftës në Kosovë. Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Kosovës u vranë 45 shqiptarë. Midis të vrarëve ka qenë edhe një vajzë 18-vjeçare, një fëmijë 12-vjeçar dhe një plak 99-vjeçar.

Ngjarjet dhe faktet që janë vërtetuar nga OSBE-ja flasin për ndëshkime arbitrare, për vrasje pa gjyq dhe për masakrim të civilëve të paarmatosur nga forcat e sigurisë të Republikës Socialiste të Jugosllavisë. Serbët thonë se masakrën e Reçakut e kanë bërë vetë shqiptarët. Në anën tjetër thonë se sulmi serbë ka qenë përgjigje ndaj vrasjes së katër policëve serbë që paska ndodhur disa ditë më parë.

Përgjithësisht konsiderohet se masakra në Reçak “e ka mbushur kupën”, d.m.th. e ka tejkaluar durimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj qeverisë së Milosheviqit: e ka shkaktuar indinjatën dhe pezmin e bashkësisë ndërkombëtare duke e kthyer vëmendjen te gjendja në Kosovë. Ndryshoi edhe perspektiva e bashkësisë ndërkombëtare ndaj RS të Jugosllavisë dhe ndaj pushteteve në Beograd. Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në rajonin e ish-Jugosllavisë (ICTY) u ftua të fillojë hetim të ngutshëm për krimet e kryera në Reçak, por ekipit hulumtues të saj iu refuzua hyrja në Kosovë. Qëndrimi zyrtar i Beogradit ishte se të vrarët kanë qenë terroristë të rëndomtë të UÇK-së dhe jo civilë, por bashkësia ndërkombëtare sqarimin e tillë e hodhi poshtë.

*   *   *

Reçaku është një fshat i vogël, gjysmë kilometri në jug të Shtimes i cili atëherë ka pasur rreth 2.000 banorë. Në korrik të vitit 1998 ushtria serbe bëri bastisje në atë rajon. Me këtë rast i plaçkiti dhe i dogj shtëpitë dhe punëtoritë. Shumë fshatarë u shpërngulën për t’u vendosur në Shtime dhe në Ferizaj. Në janar të vitit 1999, në Reçak mbetën jo më shumë se 350 banorë. Atje ka qenë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e strehuar në afërsi të centralit elektrik.

Kronologjia e ngjarjeve – OSBE-ja ka njoftuar për këtë rrjedhë të ngjarjeve që sollën në vrasje: Më 8 janar policia serbe e njofton OSBE-në për UÇK-në, për sulmin ndaj automjeteve të policisë paranë vendit të quajtur Dule, në komunën e Suharekës ose Therandës (Shtime perëndimore).

Sipas palës serbe: “Patrulla e OSBE-së e cila në atë kohë ka qenë në atë zonë i ka  dëgjuar krismat dhe gjatë atij hetimi është konstatuar se automjetet e policisë kanë rënë në pritë. Dy policë janë vrarë, kurse dy të tjerë janë plagosur. Më vonë, vdes në spital edhe njëri prej tyre. Gjatë sulmit janë plagosur edhe tre civilë shqiptarë të cilët rastësisht, gjatë udhëtimit me taksi, pa dashje kanë rënë në pritë. Prita ka qenë e përgatitur mirë: aty ka qenë e fshehur pozicioni i zjarrit për deri 15 veta. Karvani i policisë është gjuajtur me armë këmbësorie, me mitraloza dhe me granata raketore.”

Më 10 janar është raportuar për pritë tjetër në Slivovë, në jug të Shtimes, në komunën e Ferizajt. Me këtë rast është plagosur një polic i cili më vonë vdes në spital. OSBE-ja ka evidencuar një konflikt të armatosur të vogël por nuk ka mundur të vërtetojë nëse ka pasur pritë. Rreth 100 civilë kanë ikur në mal. Ata janë kthyer vetëm pasi 50 forca të policisë serbe janë tërhequr nga vendi i incidentit.

Prej 12 deri më 15 janar forcat serbe janë grumbulluar rreth Shtimes. Është shtuar edhe qarkullimi i automjeteve të blinduara, përfshi edhe tanket dhe artilerinë e bashkëngjitur. Policia serbe ka raportuar se ndodhet në gjendje të gatishmërisë së lartë. Më 14 janar, në afërsi të fshatit Javor dhe Luzhnicë si dhe në komunën e Suharekës, OSBE-ja ka regjistruar të shtëna me armë të rënda mitralozi dhe armë të lehta këmbësorie. Mirëpo, OSBE-së i qe ndaluar hyrja në atë zonë. Një oficer deklaroi se pati një përleshje me rebelët e UÇK-së.

*   *   *

Më 15 janar, OSBE-ja njofton se situata në Shtime është përkeqësuar në mënyrë serioze. Fshati Reçak, Malopolce Petrovë dhe Belince janë goditur pandërprerë. Misioni i verifikimit ka parë se si digjen shtëpitë në Reçak dhe në Malopolce, se si tanket dhe automjetet e blinduara i goditin drejtpërsëdrejti shtëpitë në afërsi të vendbanimit Malopolce dhe Petrovë. Më vonë po atë ditë, kur misioni ia ka dalë të arrijë në Reçak, kanë parë një shqiptar të vrarë dhe pesë civilë të plagosur. Ata janë njoftuar edhe për vrasje të tjera. Banorët e Reçakut kanë treguar se forcat serbe i kanë ndarë prej grave dhe fëmijëve 20 burra shqiptarë, i kanë arrestuar dhe i kanë deportuar. Mirëpo, OSBE-së i është ndaluar të afrohen dhe t’i intervistojnë të mbijetuarit. Për këtë arsye u kanë paraqitur autoriteteve të RSJ-së notë proteste.

Sipas policisë serbe, përleshja me UÇK-në ka zgjatur katër orë. Më në fund, forcat e RSJ-së kanë hyrë në Reçak dhe kanë gjetur tre mitraloza. Sipas dëshmive të fshatarëve shqiptarë, policia serbe ka hyrë në Reçak qysh në orën 9.00. Janë dëgjuar të shtëna deri në orën 16.00. Policia është larguar nga Reçaku rreth orës 16.30.

Më 16 janar, OSBE-ja dhe vëzhguesit e BE KDOM (The Kosovo Diplomatic Observer Mission / KDOM (Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës) kanë vajtur t’i hulumtojnë raportet për vrasjen e civilëve. Sipas deklaratave të banorëve që kanë mbijetuar, një ditë më parë, pas sulmit të ushtrisë dhe të policisë jugosllave, forcat serbe të sigurisë kanë hyrë në Reçak rreth orës 07.00 të mëngjesit. Disa kanë qenë të veshur me uniforma policie, të tjerë me uniforma të zeza dhe maska skijimi. Të mbijetuarit kanë pohuar se forcat serbe disa banorë i kanë vrarë, kurse disa të tjerë i kanë burgosur. Përpos kësaj, të mbijetuarit kanë treguar se disa policë kanë qenë nga Shtimja, kurse disa sulmues kanë qenë civilë serbë nga Shtimja të veshur me uniforma policie. Në lokacione të ndryshme, OSBE-ja ka gjetur gjithsej 40 trupa. Mbi 20 kufoma i kanë gjetur në hendek. Pesë viktima i kanë larguar nga vendi i vrasjes anëtarët e familjeve. Shumica e të vrarëve janë qëlluar nga disa herë me armë zjarri. Midis viktimave ndodhen edhe 20 meshkuj të cilët i kanë paraqitur se janë arrestuar nga forcat serbe një ditë më parë. Të tjerët si duket i kanë gjatë tentimit të ikjes. Shumë kufoma kanë qenë të masakruara. Ka pasur edhe kufoma pa kokë, d.m.th. me koka të prera. Katër meshkuj që ishin fshehur në një stallë, policia serbe i kishte nxjerrë jashtë dhe i kishte rrahur. Sipas pohimeve të caktuara, gratë dhe fëmijët nuk i kanë sulmuar. Disa kanë gjetur njëzet kufoma më Kodrën e Babushit, por nuk i kanë prekur ngase e kanë pritur misionin e verifikimit.

*   *   *

Raportet e dëshmitarëve - Human Rights Watch ka intervistuar disa dëshmitarë. Sipas një gruaje, ditën e sulmit, rreth orës 7.00 të mëngjesit, tridhjetë anëtarë të familjes Beqaj kur e kanë dëgjuar britmën e policisë serbe, kanë tentuar të ikin dhe të fshihen në pyllin e afërt. Dyzet policë serbë që kanë qenë 20 metra larg tyre, kanë filluar të qëllojnë me armë zjarri nga kodra e afërt. Djali dhe bashkëshorti i gruas janë qëlluar në qafë dhe kanë vdekur në vendin e ngjarjes. Një dëshmitar tjetër i moshës 70-vjeçare, e ka përshkruar vrasjen e nipit të tij 22-vjeçar, kurse mbesa dhe nëna e saj janë plagosur. Dëshmitari M.B. i cili ishte fshehur në shtëpinë e vet pohon se Bajram Mehmeti dhe e bija Hanumshahe janë vrarë me granatë gjatë vrapimit nëpër qendër të fshatit.

Hetimi i masakrës së Reçakut dhe reagimet – OSBE-ja dhe zyrtarë të ndryshëm e kanë hetuar vendin e krimit, kanë mbledhur prova, kanë marrë deklarata prej dëshmitarëve dhe prej të mbijetuarve. Vendin e krimit e kanë dokumentuar plotësisht me skica, me harta, me fotografi dhe me videokaseta. Pas kësaj, trupat e të vrarëve fshatarët i kanë vendosur në xhami në Reçak.

Vendin e krimit e vizitoi udhëheqësi i misionit të OSBE-së, ambasadori Uilliam Voker (William Graham Walker, 01 qershor 1935- ). Ai e dënoi vrasjen masive dhe i bëri thirrje Beogradit që ta hetojë krimin. Kontaktoi me qeverinë e RSJ-së dhe kërkoi prej saj që t’i tregojë emrat e të gjithë personave që kanë qenë të përfshirë në operacion rreth Shtimes për të përcaktuar se kush ka dhënë urdhër për vrasjen e civilëve. Të njëjtët duhej të arrestoheshin.  Autoritetet në RSJ i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat se bëhet fjalë për vrasjen e civilëve. Sipas Beogradit, në përleshjet me ushtrinë jugosllave (serbe) janë vrarë vetëm luftëtarët e UÇK-së dhe jo edhe civilët.

Kamerat televizive e kanë xhiruar Uilliam Vokerin (William Walker) se si ecën pranë kufomave të shqiptarëve. Pas kësaj, ai mbajti një konferencë në të cilën e dënoi aktin e përgjakshëm.

Ja si i përshkruan ambasadori Voker (Valker) ngjarjet e asaj dite:

Në humbellën (përroin pa ujë) sipër fshatit, pashë trupin e parë. Ishte i mbuluar me qebe. Kur ia hoqën mbulesën, vërejta se trupi i të vrarit ishte pa kokë. Pashë vetëm qafën të mbuluar në një det gjaku. Dikush më tha se nofulla ndodhet në anën tjetër të humbellës (përroit). Më pyeti në doja ta shihja. I thash: ‘Jo, mendoj se e kam kuptuar mjaft mirë se përse bëhet fjalë.’ [U gjetën edhe tre trupa]. Dukej se ishin të moshuar. me flokë të përhimët apo të thinjur... Në kokë kishin plagë. Në rrobat e tyre kishte gjak. [Pastaj një grumbull kufomash.] Nuk mund t’i numëroja. Sapo e pash edhe një kufomë. Në maje të kresë dhe në qafë kishte disa vrima... Më thanë se më tutje, më lartë dhe mbi kreshtën e kodrës ka edhe trupa të tjerë. Edhe gazetarët edhe inspektorët më pyetën në do të doja personalisht të shkoj lart për t’i parë kufomat e tjera. U thash: mjaft kam parë.”

Më 18 janar, kryeprokurori i ICTY-së (The International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia / ICTY) (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), kanadezi Luiz Arbur (Louise Arbour; Montreal, Kanada, 1947- ) tentoi të hynte në Kosovë nëpër Maqedoni, “për t’u hetuar krimet e paraqitura në Reçak.”

Autoritetet e Beogradit nuk e lejuan të hyjë në atë zonë. Më vonë ajo deklaroi se do t’i hulumtonte vrasjet masive në Reçak “qoftë brenda zonës ku janë kryer krimet, qoftë jashtë saj.” Po atë ditë, forcat serbe të armatosura me armatime të rënda hyjnë në Reçak dhe i largojnë të gjitha kufomat nga xhamia, duke përdorur edhe forcën. Kufomat i dërgojnë në kapelën (morgun) e Prishtinës. Kur forcat serbe i larguan kufomat prej xhamie, OSBE-së përsëri iu ndalua qasja në to. Në kapelë, patologët serbë filluan obduksionin e 40 trupave, përkundër kërkesës së OSBE-së që kjo të shtyhet deri në ardhjen e patologëve ndërkombëtarë.

Në mungesë të ekspertëve ndërkombëtarë të forenzikës, kontrollet e kufomave i kanë dokumentuar nëpunësit e OSBE-së për të drejta të njeriut, derisa nuk ka mbërritur ekipi finlandez i forenzikës.

Në raportin përfundimtar të publikuar në fund të janarit nga Serbia dhe nga ekipi bjellorus, thuhet: “Në Reçak nuk ka pasur masakër dhe as ekzekutime masive, kurse kufomat janë gjymtuar pas vdekjes.” Ky raport nuk është pranuar nga ekipi finlandez. Sipas ekipit finlandez ka qenë shumë herët dhënia e ndonjë rezultati për arsye se analizat histologjike, toksikologjike dhe të ADN-së duhej të ishin kryer në Helsinki. Në fund, raporti finlandez ka theksuar se “pa dyshim bëhet fjalë për kufoma civilësh të paarmatosur.”

Duke iu përgjigjur pohimit serb se shqiptarët janë vrarë duke mbajtur uniforma të UÇK-së të cilat më pas u janë zëvendësuar me rroba civile, në raport thuhet:

“.... rrobat (e të vdekurve) nuk posedojnë shenja të çfarëdo njësie ushtarake. Është më se e qartë se nuk ka indikacione të heqjes së shenjave apo të gradave. Në bazë të konstatimeve të autopsisë (p. sh. vrimat e shkaktuara prej plumbave, gjaku i mpiksur) dhe fotografive nga vendi i ngjarjes, pothuajse është e pamundur që rrobat e kufomave të jenë zëvendësuar ose të jenë hequr.”

*   *   *

Në ngjarjen tragjike të Reçakut, të kryer nga kriminelët serbo-çetnikë, forcat e krimit, të territ dhe të ferrit e kanë angazhuar edhe forenziken finlandeze Meri Helena Ranta. Kjo  ka qenë një mercenare në shërbim të politikës serbo-fashiste të Beogradit.

Në vitin 2008, “ekspertja” finlandeze e forenzikës, dentiste mjekoligjore Meri Helena Ranta (Kajaani, Finlandë, 11.06.1946- ), në librin autobiografik thotë se raportin për ngjarjen Reçakut e ka shkruar nën trysninë e shefit të atëhershëm të misionit të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Voker (William Walker) dhe të Ministrisë së Jashtme të Finlandës.

Helena Ranta  shkruan se në dimrin e vitit 1999 Vokeri (Walker) paska kërkuar prej saj që “në raport të jetë më bindëse për gjoja krimet serbe në Reçak; tre nëpunës civilë të Ministrisë finlandeze kanë kërkuar që raporti të ketë ‘konkluzione më të thella.”

Forenzikja finlandeze shkruan në librin e vet se Vokeri (Walker) e paska thyer lapsin e drunjtë për gjysmë dhe ka gjuajtur me copat e tij ngase lidhur me pasqyrimin e krimeve serbe, ai nuk kishte qenë i kënaqur me pjesët në të cilat autorja nuk kishte përdorur “gjuhë sa duhet bindëse.”

Në filmin dokumentar “Fundi – të dënuar të përndiqen”, autorëve rusë Jevgenij Baranov-it dhe Akeksandar Valerii Zamislov, Helena Ranta u thotë:

“Vokeri (Walker) ishte i tmerruar me rezultatet e hetimit tonë. Kam qenë e hutuar dhe nuk kam qenë në gjendje t’i përgjigjem. Ato kanë qenë trupa të terroristëve, të ushtarëve serbë dhe të vendasve. Ky raport që po jua tregoj kurrë nuk është publikuar, kurse përmbajtjes e tij pakkush e di. Për rezultatet e hetimit tani jam e gatshme të flas publikisht.” Para kamerave të filmit dokumentar të dy rusëve, Ranta e tregon edhe raportin origjinal.

Shënim: Gazetari Jevgenij Baranov (Evgenij Aleksandroviç Baranov; Moskë, 1970- ) është drejtor i Shtëpisë Ruse në Beograd, d.m.th. i Qendrës për Kulturë dhe Shkencë të Rusisë në Serbi. Ky farë gazetari nuk është tjetër përpos spiun rus në Beograd.

Zamislov Valerii Aleksandroviç (27.12.1937 – 02.09.2011) – veprimtar kulturor rus, njëri prej autorëve të filmit dokumentar për masakrën e Reçakut. Ky film dokumentar për gjakderdhjen e Reçakut e shtrembëron të vërtetën dhe është në shërbim të gënjeshtrave serbomadhe, serboçetnike dhe serbofashiste.

*   *   *

Emrat e viktimave - Lute Asllani, Banush Azemi, Ragip Bajrami, Halim Beqiri, Rizah Beqiri, Zenel Beqiri, Lutfi Bilalli, Ajet Emini, Bujar Hajrizi, Myfail Hajrizi, Skënder Halili, Haqif Hysenaj, Hajriz Ibrahimi, Hakip Imeri, Murtez Imeri, Nazmi Imeri, Mehë Ismajli, Muhamet Ismaji, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Hajriz Jakupi, Mehmet Jakupi, Xhelal Jakupi, Jashar Jashari, Raif Jashari, Shukri Jashari, Fatmir Limani, Nexhat Limani, Salif Limani, Bajram Mehmeti, Hanumshah Mehmeti, Arif Metushi, Haki Metushi, Ahmet Mustafa, Asllan Mustafa, Muhamet Mustafa, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Shukri Salihu, Bajrush Shabani, Ahmet Smajlaj, Sheremet Syla, Shyqëri Syla, Bajram Xheladini, Njazi Zymeri.

*   *   *

Masakra e Reçakut ndikoi në bombardimin ushtrisë, të policisë dhe të njësive paramilitare serbe nga NATO-ja në vitin 1999. Masakrën e Reçakut e dënoi Këshilli i Sigurimit i KB-ve. Në Gjykatën e Hagës Slobodan Milosheviqi (1941 – burgu Scheveningen, Hagë, Holandë, 2006) përpos tjerash u fajësua edhe për krimin e luftës në Reçak, gjë që ai e mohoi në gjyq.

Ndihmësshefi i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Kanadasë, Jozef Omer Mishel Mezonev (Joseph Omer Michel Maisonneuve, 1953- ) i cili ka qenë shef i Misionit të verifikimit në Kosovë, për kinse praninë e terroristëve në Reçak, deklaroi në gjykatë:

“Po qe se në një anë keni pothuajse 50 të vrarë, kurse në anën tjetër vetëm një të plagosur, atëherë po del se ai vend nuk paska qenë i mbrojtur mirë”.

Gjatë dëshmimit është paraqitur edhe gjenerali britanik Xhon Drevinkieviç (John Drevienkievich, 1946- ) i cili për masakrën e Reçakut e fajësoi drejtpërsëdrejti Milosheviqin. Xhon Drevinkieviçi (John Drevienkievich) tha se: “nuk e kishte ditur se Reçaku kishte qenë fortesë e UÇK-së, se OSBE-ja nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për aksionin policor në fshat”, por vëzhguesit kishin ardhur në zonën e fshatit sapo i kishin dëgjuar të shtënat. Sipas tij, viktimat e Reçakut kanë qenë fshatarë të thjeshtë.

Drevinkieviçi “... mund të pohoj se në hendeqet pas fshatit nuk ka pasur përleshje të armatosura. Filmi tregon se është përdorur armatim i rëndë që e kanë pasur vetëm forcat tuaja, dëgjohet zjarr nga armë këmbësorie të cilën sekush ka mundur ta përdorë, kurse policia juaj ka ndaj çdo gjëje që ka lëvizur. Është e mundur që UÇK-ja në fillim të ketë qenë në fshat dhe të jetë larguar shpejt dhe aty të kenë hyrë tuajt. Me fjalë të tjera, tuajt kanë shtënë pavarësisht nga fakti se nuk ka pasur UÇK.”

I akuzuari e pyet dëshmitarin: “Ngjarja e Reçakut interpretohet në mënyra të ndryshme dhe kundërshtuese. Atëherë përse OSBE-ja nuk ka ngritur një hetim të gjithmbarshëm për Reçakun?” Dëshmitari përgjigjet: “Të gjithë që kanë qenë atje kanë qenë të njëmendimi se ata njerëz janë vrarë prej njerëzve tuaj dhe se nuk ka pasur rezistencë. Kemi kërkuar hetim të përbashkët, keni mundur të jepni pëlqim dhe derisa zgjat hetimi keni mundur ta pezullonit komandantin e atyre forcave. Por ju s’keni ndërmarrë asgjë.”

Për masakrën e Reçakut, ICTY (The International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia / ICTY) (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë) ka nxjerrë këtë aktgjykim:

Më 15 janar 1999, në orët e hershme të mëngjesit, fshatin Reçak (komuna Shtime) e kanë sulmuar forcat e RS të Jugosllavisë dhe të Serbisë. Pasi Ushtria Jugosllave e ka granatuar fshatin, policia serbe ka hyrë në vendbanim në mëngjes dhe ka filluar bastisjen shtëpi më shtëpi. Personat që kanë tentuar të ikin, janë qëlluar anembanë fshatit. Një grup prej rreth 25 meshkujsh ka tentuar të fshihet në një objekt, por policia serbe i ka gjetur. I kanë rrahur dhe i kanë dërguar deri te kodra e afërt ku policët i kanë ekzekutuar dhe i kanë vrarë. Forcat e RS të Jugosllavisë dhe të Serbisë, në rrethinën e Reçakut dhe brenda tij kanë vrarë rreth 45 shqiptarë të Kosovës

*   *   *

Për gjakderdhjen e Reçakut drejtësia ndërkombëtare nuk e ka kryer punën e vet si duhet dhe sa duhet. Në vend që të ballafaqohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,  kryekriminelët serbë në Beograd e qeverisin Serbinë dhe përkëdhelen nga Brukseli. Çfarë absurditeti.

Në vend të tyre, në bankën e të akuzuarve i kanë ulur luftëtarët e lirisë, çlirimtarët, personat që luftuan kundër pushtuesve, kolonialistëve, hegjemonistëve, ekspansionistëve, vrasësve, plaçkitësve, shfrytëzuesve serbomëdhenj, kundër atyre që kanë kryer gjenocid ndaj shqiptarëve, kundër atyre që i kanë dëbuar dhe deportuar shqiptarët për në Anadolli, kundër atyre që burgosën, që arrestuan, që torturuan, që dënuan shqiptarë me dënime drakonike.

*   *   *

Pas Ushtrisë Gjergj Kastriotit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më e madhe e kombit shqiptar. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx