E merkure, 01.04.2026, 11:25 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: A jam unë poet – shqetësimi i një krijuesi

E merkure, 01.04.2026, 06:57 PM


A JAM UNË POET - SHQETËSIMI I NJË KRIJUESI

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Zeni ishte ulur mbi barin pranë manit. Larg në horizont shiheshin zabelet, kodrat, bjeshkët, gërxhet dhe kreshtat e Sharrit. Ai mendohej por edhe meditonte: “Ka kohë që thuri vargje. A thua jam poet, a i lexon kush poezitë e mia, a ka dikush që më quan poet. A kanë ndonjë vlerë artistike krijimet e mia?!

Në Makondo numri i atyre që thurnin rreshta, nuk ishte i vogël. Një babëzi kishte thënë në një ndejë: “Në gropën tonë, s’mbeti njeri pa shkruar vjersha. Askush s’i lexon dot. Krijuesit e baltës sonë kurrë s’kanë për të zënë vend në historinë kombëtare të letërsisë. Kush s’i merr për vargëzues! A s’e vëreni se me ju, domethënë me shkrimet tuaja s’merret kush, s’humb kohë kush. Sidoqoftë, është e drejta juaj të krijoni, të mendoni se krijoni, të mendoni se bëni një punë, është e drejta juaj të mendoni se krijoni vlerë.”

Makondos i kishin veshur lloj-lloj epitetesh pezhorative. E quanin baltë, lloç, gropë, moçal, kënetë, provincë, qytezë, kasaba, varosh.

Zeni fliste mendueshëm: “Kam botuar, jo një libër me poezi, por nja dhjetë sish. Madje të njëmbëdhjetin e kam në rrugë. Disa prej librave të mi kanë parë edhe dritën e përurimit, të promovimit. Shumë prej vëllimeve poetike të mi janë shoqëruar edhe me recensione.” Fjalët: “promovime” dhe “recensione” i shqiptoi thekshëm dhe i përsëriti nga dy herë. Madje në do promovime përmbledhjesh poetike ishte shtruar edhe koktej për pjesëmarrësit.

Shumë poetë të Makondos e ngushëllonin veten, duke thënë: “Vërtet s’na lexon kush, pakkush na lexon, por kjo s’duhet të na brengosë fort ngase në vitet e fundit leximi është në krizë në përmasa globale, Teknika dhe teknologjia digjitale e kanë bërë të veten. Lehtë e kanë pasur poetët e dikurshëm kur s’ka pasur kompjuter as internet.”

Një poet tjetër, i afërt me Zenin kishte pyetur pak si me zemërim: “Ku janë strukur studiuesit letrarë, ku janë fshehur kritikët letrarë. A i përcjellin ata krijimet tona, vargjet tona, apo i zënë gjumi dimëror?!”

Një poet i tretë i qerthullit - në Makondo qerthuj kishte sa të duash - kishte bërtitur si me të keq: “Kritikët e nivelit akademikë ne na konsiderojnë çapaçulë dhe mediokër. Ata merren me krijimet e vargëzuesve që i konsiderojnë të mëdhenj. Për mendimin tim, kjo është padrejtësi dhe shkuar padrejtësisë.”

Duhet shtuar se në Makondon të quajtur baltë, lloç, kënetë, moçal, gropë, qytezë, kasaba, provincë, varosh nuk kishte as kritikë letrarë të mirëfilltë. Terri i Makondos nuk mund të nxjerrë studiues letrarë. Terri nuk nxjerr tjetër pos errësirës, injorancës, analfabetizmit, mosdijes, padijes, mediokritetit. Në moçal dhe në kënetë notojnë furishëm dhe plot vrull, provincialët, snobët, arrogantët, megalomanët, mendjemëdhenjtë. Një mjedis i tillë vlon prej tyxharëve, pseudoatdhetarëve, mercenarëve. Është kohë e kalemxhinjve, llojit më të ligë të gjinisë njerëzore.

Më kot brengoset poeti Zen. Më mirë të mbetet në margjinat e krijuesve letrarë sesa të bëhet objekt analize të përciptë të ndonjë kalemxhiu apo intelektuali të rrejshëm.

Me të mësuar për shqetësimin e poetit, Gjini kishte ndërhyrë për të dhënë ca sugjerime. Në një ndejë vargëzuesish kishte thënë: Të krijuarit e poezisë, nuk është thjesht renditje vargjesh. Këtë mund ta bëjë çdokush. Vargëzimi është çështje prirjeje, por edhe përgatitjeje teorike në lëmin e artit dhe të letërsisë. Me sa mend ulesh e thur vargje pa e ditur si duhet dhe sa duhet gjuhën amtare?! Para se të nisim e të krijojmë vargje, duhet t’i kemi lexuar dhe studiuar krijimet e hershme, siç është poema epike e Mesopotamisë së lashtë “Epi i Gilgameshit” që daton rreth 2100 vjet para K. dhe që konsiderohet si vepra e parë e madhe e letërsisë. Duhet lexuar dhe studiuar epin e madh indian me rreth 200.000 vargje “Mahabbharata” të krijuar midis shekullit IV para K. dhe shekullit IV pas K. Para se t’i qasemi krijimit letrar, nuk duhet anashkaluar poetikën homerike, as “Poetikën” e filozofit dhe teoricienit letrar grek, Aristotelit (384-322 para K.). Aristoteli ndikoi fuqishëm në zhvillimin e estetikës dhe të teorisë (shkencës) së letërsisë. Vjershëtorët duhet të marrin njohuri për shkencën mbi letërsinë – teorinë e letërsisë, historinë e letërsisë, për kritikën letrare. Njohuri edhe për letërsinë krahasuese apo komparative. Të thurësh vargje, nuk mjafton të kesh ambicie dhe dëshirë për afirmim. Pajisu me dituri dhe kulturë letrare, pastaj ulu e krijo art. Ndryshe, do të krijosh kuazi-art. Lila i lagjes së Epërme kishte thënë: S’mbet kush nuk na u bë poet! Bile edhe Shaqa i Sylës. Sidoqoftë, Gjini kishte reaguar dhe e kishte qortuar: Shaqë, mos i fut hundët aty ku s’e ke vendin, aty ku s’merr erë! Gjini e kishte vazhduar ligjëratën rreth krijimit dhe vlerësimit artistik. S’ka tekst shkollor që të bën poet, prozator, dramaturg, tragjediograf, komediograf, eseist. S’ka formulë që të bën artist. Artist bëhesh në saje të talentit, domethënë dhuntisë natyrore apo gjenetike, por edhe pajisjes me njohuri në lëmin e artit dhe të letërsisë. Nxënësi që ka lexuar vepra letrare të letërsisë shqiptare si dhe të letërsisë së huaj, krijon bazë për t’u bërë edhe vetë krijues. Artistët e mëdhenj i lind koha, i lind momenti historik dhe rrethanat historike. Mos harro poet se arti vlerësohet me kritere estetike dhe jo me kritere jashtë-letrare. Simbolisti francez Sharl Bodleri (Charles Baudelaire, 1821-1867) kishte njohuri teorike mbi artin. Me fjalë të tjera, ishte i shkolluar. Të tillë ishin të gjithë simbolistët francezë. Ai ka botuar vetëm një vëllim poetik me 101 poezi - “Lulet e së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857). Botimi i dytë i vitit i zgjeruar i vitit 1861 përmban 126 poezi. Xhuvi i Mëhallës së Poshtme deri tani ka botuar mbi njëzet vëllime poetike. Askush s’e merr për poet, askush s’ka lexuar as edhe një poezi të tij, e jo më ndonjë vëllim poetik apo përmbledhje me vjersha. Poetët duhet të marrin njohuri edhe për modernen, për estetizmin, për aristokratizmin, për formalizmin, për dekadencën.

Në një rast, Xhema i Përroit të Keq kishte folur me zemërim: Ne pakkush na lexon, për të mos thënë askush. Si është e mundur kjo?! Shumë vepra tona janë të pajisura me recensione, me parathënie, me prolog, me pasthënie, me jetëshkrime, me fotografi, me ilustrime. Shumë vepra tona me vjersha, janë promovuar para publikut. Madje jemi kujdesur që përurimi i librave tonë të bëhet para një auditori të zgjedhur, pra jo para një publiku dosido. Midis nesh ka edhe poet që janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Ndër ka edhe krijues që kanë marrë pjesë nëpër manifestime letrare, kombëtare por edhe ndërkombëtare. Përpos kësaj, shumë prej nesh poetëve kemi marrë edhe mirënjohje për krijimtari, kemi marrë edhe certifikata. Bile ka raste kur mirënjohjen për poet të shquar na e ka dhënë edhe kryetari i komunës. Kemi marrë pjesë edhe në manifestime në nivel kombëtar – në Kumanovë, në Podujevë, në Kukës, në Bujanoc. E ku s’kemi marrë pjesë. Tash e kemi ndërmend të gjejmë sponsor dhe të shkojmë në diasporë, të deklamojmë para bashkatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në Gjermani. Përkundër gjithë kësaj, shumë pak na lexojnë, për të mos thënë aspak. Shumë pak na vlerësojnë, për të mos thënë hiç. Ç’kërkon ky popull më shumë nga ne, as ne s’e dimë?!

Gjini e kishte vazhduar ligjëratën e vet: Poetët duhet ta dinë se simbolistët ishin kundër përshkrimit në poezi, poezia nuk mund të jetë përshkrim ngjarjesh apo skenash, poezia nuk është këshillë, sugjerim apo mësim, poezia nuk është deklamim. Arti nuk mund të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me shoqërinë. Ka pasur teoricienë që kanë krijuar edhe teori letrare të papranueshme. Ata kanë sugjeruar që arti të ndahet nga shoqëria, kurse artisti tëmbyllet në kullën e fildishtë. Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) parapëlqente poezinë e kulluar (La poésie pure). Krijonte edhe poezi hermetike. S’ka dyshim se arti duhet të jetë i kapshëm nga lexuesi dhe jo të jetë i mbyllur e të mos e kuptojë kush përpos snobëve të cilët hiqen se e marrin vesh. Të krijosh art është mirë, por paraprakisht nuk është e tepërt të dish edhe për epokat dhe periudhat letrare, për drejtimet letrare, për shkollat dhe rrymat letrare. Janë rreth dyzet drejtime letrare. Poeti i Kepit të Shpresës Largët pandeh se ekzistojnë vetëm dy drejtime – romantizmi dhe realizmi. Nuk duhet harruar se poezia nuk është mesazh, është formë. Poetët e rinj që do t’i rreken krijimit artistik nuk do të ishte keq t’i dinin ca parime të  Artit për art (L’Art pour l’art): Arti duhet të jetë i lirë nga çfarëdo qëllimi; Në art nuk mund të ndikojnë as morali, as politika, as religjioni; Për ta kuptuar artin mjafton vetëm qëllimi i tij që buron nga ligjet e tij; Arti duhet të kuptohet vetëm nga ideja e së bukurës, domethënë prej atyre parimeve që ndodhen në poetikë dhe në ligjet e saj. Çdo gjë tjetër është jothelbësore, është dytësore. Me fjalë të tjera, arti nuk është filozofi, as sociologji, as politikë, as ideologji, as moral, as didaktikë, mësim. Misioni i artit nuk është t’i zgjidhë problemet sociale në shoqëri. Këtë e bëjnë institucionet e shtetit. Artisti nuk është në shërbim të pushtetit, të pushtetarëve, të qeveritarëve, të oligarkëve, të tiranëve, të diktatorëve, të despotëve, të sundimtarëve, të autoritarëve, të autokratëve. Arti është në kundërshti me ideologjinë naziste, raciste, fashiste, staliniste. Arti është kundër ksenofobisë, hegjemonisë, pushtimit, ekspansionit, mizogamisë. Arti është kundër dënimit me vdekje.

Sot, në kohën e nëpërkëmbjes së vlerave dhe relativizimit të sistemit të vlerave, nuk është vështirë të botosh libër me vjersha, pavarësisht nga fakti në kanë ato vlerë ose jo. Gjeje një sponsor partiak dhe boto. Fare s’është vështirë të gjesh një të ashtuquajtur recensues i cili autorin mediokër e ngre në qiell. Nuk është vështirë të gjesh edhe shtëpi botuese. Jemi në kohën e një kapitalizmi të egër si ai i kohës së tregimtarit dhe romancierit anglez të epokës viktoriane të letërsisë angleze Çarlz Dikinz (Charles Dickens, 1812-1870). Po qe se një poet ka marrë pjesë në një manifestim të organizuar në një shtet të huaj, kjo nuk do të thotë se krijimet e tij vërtet kanë ndonjë vlerë artistik. Nuk është dëshmi vlere as edhe përkthimi i një përmbledhjeje në gjuhë të huaj. S’është dëshmi vlere as botimi i një libri me vjersha në ndonjë shtet të huaj. Shpërblimi i një poeti brenda hapësirave shqiptare nuk paraqet kurrfarë dëshmie se krijimet e autorit të vlerësuar kanë ndonjë vlerë. Po kështu edhe shpërblimi i vjershëtorit në botën e jashtme nuk paraqet kurrfarë dëshmie se autori vërtet është krijues i mirë. Arti dhe letërsia nuk janë propagandë apo reklamë. Me zor nuk bëhesh dot, as shkrimtar, as poet, as artisti. Arti as blihet me para as shitet me para. Arti nuk është punë mercenarësh, as ekzibicionizëm. Shumë vlerësime, çmime letrare, shpërblime, certifikata, mirënjohje jepen pa kritere estetike. Ata janë artistë të përkohshëm të cilët shpejt i harron koha ngase nuk lënë gjurmë në histori. Krijuesit mediokër nuk lënë gjurmë në kohë. Është bizare dhe groteske kur sheh se si dikush e konsideron veten intelektual, kurse librin e fundit e ka lexuar para plot tridhjetë e pesë vjetëve. Është e tmerrshme kur vëren se si “intelektuali” ynë, dhjetë rreshta i shkruan me një det gabimesh. Gojën plot, thotë se ka kryer shkollë, është me arsimim universitar, ka edhe titull akademik.

Arti dhe kultura nuk duhet të shndërrohen në biznes. Ai i cili krijimin artistik e shndërron në përfitim material, atë shpejt e shkel koha. Në një kohë pa kohë ke edhe pseudointelektual i cili mbi baza partiake shpërblehet, merr mirënjohje, i jepen shpërblime, sponsorohet botimi i veprave të tij, i jepen pozita të shoqëri, në politikë, në universitet, i mundësojnë të mbajë ligjërata para një auditori. Historia e dëshmon se shërbëtorët e politikës, të ideologjisë dhe të partisë nuk zënë vend në histori.

De Rada, Naimi, Noli, Fishta, Lasgushi, Migjeni, Kadareja lindin njëherë në një shekull.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx