Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Zgjedhja e kryetarit të Kosovës
E marte, 03.03.2026, 06:59 PM

ZGJEDHJA E KRYETARIT TË KOSOVËS
Vjosa
Osmani është e Kosovës, e qytetarëve të saj dhe jo e një partie politike. Ajo i
tejkalon përmasat e një subjekti politik. Do të ishte mirë që të mërkurën, më 4
mars të vitit në vazhdim, atë ta votojnë deputetë të të gjitha partive
politike, të tërë spektrit politik.
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Të mërkurën, më 4 mars të vitit në
vazhdim, Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë kryetarin e shtetit. Kandidaturën e
ka paraqitur kryetarja e përtashme, Zonja Vjosa
Osmani.
Për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës,
në raundet e para nevojiten 80 vota. Me fjalë të tjera, duhet të votojnë dy të
tretat e 120 deputetëve të Kuvendit. Në rastet kur një zgjedhje bëhet në
raundin e tretë, atëherë mjaftojnë 61 vota.
Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka 57 deputetë; Lidhja
Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr
nga Lumir Abdixhiku ka 15 deputetë,
ndërsa minoritetet joserbe kanë dhjetë deputetë.
Po t’i bashkojnë deputetët subjektet e
sipërthëna, do të arrihej numri prej 82 deputetëve. Ky numër do të mundësonte
që Vjosa Osmani të rizgjidhet kryetare e Republikës së Kosovës.
Zgjedhja e kryetarit të vendit është
interes i të gjithë qytetarëve të tij. Moszgjedhja e kryetarit e çon Kosovën në
zgjedhja të reja. Nga zgjedhjet e reja nuk përfiton askush. Përkundrazi, të
gjithë humbin. Kosova s’e ka dot luksin të shkojë në zgjedhja të reja.
Qytetarët e saj janë lodhur prej tyre, d.m.th. prej zgjedhjeve. Përveç kësaj,
ato janë edhe të kushtueshme.
Edhe po të shkohet në zgjedhje të reja,
do ta kemi po këtë rezultat që e kemi tani, do ta kishim të njëjtin raport të
forcave.
Vjosa Osmani
e gëzon mbështetjen e shumicës dërmuese të qytetarëve të republikës. Ajo është
e shkolluar, është familjare, komunikon rrjedhshëm në disa gjuhë të huaja, ka
vizituar shumë vende të botës, është takuar me shumë liderë botërorë, me
kryetarë shtetesh, me kryeministra, me politikanë të Bashkimit Evropianë, të
ShBA-së etj.
Bashkimi Evropian ia hoqi sanksionet
Kosovës. Nga kjo, ajo do të përfitojë një shumë monetare të konsiderueshme.
Zvarritja e zgjedhjes së kryetarit të shtetit, do të ndikonte edhe në
prolongimin e dërgimit të ndihmave financiare nga Brukseli. Kjo do t’u
shkaktonte vuajtje dhe mundime qytetarëve të Dardanisë.
Kryetarja e përtashme, Vojsa Osmani ka mbajtur raporte
korrekte me të gjitha partitë politike në Kosovë, me Partinë Demokratike të
Kosovës (PDK-në), me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK-në), me Aleancën për
Ardhmërinë e Kosovës (AAK-në), me Nismën, partitë e minoriteteve joserbe, me
Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Po të rizgjidhet, ajo edhe në mandatin e
ri do të mbante raporte të mira me partitë politike të vendit.
Vjosa Osmani gëzon
respekt edhe ndër shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovën
Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Mal të Zi, ndër çamë.
Ajo gëzon mbështetje edhe te shumica e shqiptarëve
në diasporë, ndër shqiptarët që jetojnë dhe që punojnë në Evropë, si
dhe te shqiptarët që jetojnë dhe që punojnë në ShBA.
Si kryetare e shtetit të Kosovës dhe si
politikane, kurrë s’ka ndodhur që ajo ta ketë fyer dikë, ta ketë shpërfillur
apo ta ketë anashkaluar.
Vjosa Osmani
ka fituar një reputacion të konsiderueshëm, si në planin kombëtar, ashtu edhe
në atë ndërkombëtar. Si politikane, është treguar e baraspeshuar apo e
ekuilibruar.
Vjosa i ka nderuar personalitetet historike të kombit, përkatësisht të Kosovës. Midis tyre Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, heroin legjendar Adem Jasharin. Ka treguar
respekt të thellë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Vjosa Osmanin e kemi parë në tubimin “Liria
ka emër” të organizuar nga kryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës
së UÇK-së , Hysni Gucati.në mbrojtje
të drejtësisë për të akuzuarit nga Gjykata Speciale.
Vjosa u angazhua për
mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, të tërësisë së tokave të saj si dhe të
sovranitetit të saj. U angazhua për integrimin e Kosovës në organizmat
euroatlantik – Në NATO dhe në BE. Veproi për ruajtjen e paqes dhe të
qëndrueshmërisë së Republikës dhe të mbarë rajonit. Pikërisht për këto vlera
dhe virtyte të saj, ajo është e papranueshme nga udhëheqja politike e
Beogradit.
Vjosa Osmani deri tani ka punuar pa
reshtur për zhvillimin e proceseve demokratike në Kosovë, për ndërtimin e
shtetit ligjor apo të shtetit të së drejtës, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave
të njeriut, për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve të Republikës.
Ajo nuk është arrogante, megalomane as
mendjemadhe. Atë e shquan modestia dhe gjykimi racional. Paraqitjet e saj në
publik dëshmojnë për transparencën e politikës që ndërton dhe që ndjek.
Ajo vazhdimisht ka treguar interesim
për problemet ekonomike dhe sociale me të cilat janë ballafaquar segmente të
caktuara të shoqërisë kosovare. Para problemeve të nevojtarëve, nuk ka ndenjur
indiferente. Përkundrazi, është përpjekur që brenda mundësive dhe kompetencave
të saj, t’i sensibilizojë organet e shtetit për t’u dalë në ndihmë shtresave të
brishta të shoqërisë.
Me veprimin dhe sjelljen integruese dhe
të palodhshme, Vjosa Osmani u
shndërrua në një personalitet relevant në skenën politike të Republikës së
Kosovës. Ajo u dëshmua si një faktor bashkues dhe jo si një shtetar përçarës
apo çintegrues. Ajo u tregua racionale, trime dhe e guximshme. Nuk ka pranuar
asnjë marrëveshje në dëm të interesave të Kosovës.
Kosova për të është
një rezultante historike, për lirinë dhe për pavarësinë e së cilës janë
sakrifikuar nëpër shekuj breza të tërë.
Qëndrimet politike dhe kombëtare të
Vjosa Osmanit kanë qenë konzistente dhe të paluhatshme. Ajo ka treguar
konsideratë të theksuar edhe ndaj aleatëve të Kosovës, pa të cilët ekzistenca e
Republikës mund të rrezikohet prej hienave.
* * *
Vjosa Osmani është e
Kosovës, e qytetarëve të saj dhe jo e një partie politike. Ajo i tejkalon
përmasat e një subjekti. Do të ishte mirë që të mërkurën, më 4 mars të vitit në
vazhdim, atë ta votojnë deputetë të të gjitha partive politike, të tërë
spektrit politik.









