E hene, 30.03.2026, 11:23 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Ferri janë të tjerët – Sartrë

E hene, 30.03.2026, 06:57 PM


FERRI JANË TË TJERËT – SARTRË

“Çdo fjalë i ka pasojat e veta, po kështu edhe çdo heshtje” - Sartri

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Refuzimi i çmimit “Nobel” – Në vitin 1964 Sartrit iu dha çmimi “Nobel”. Për arsye morale, e refuzoi. Çmimi iu dha për veprën të pasur me ide dhe të mbushur me frymën e lirisë e që rend të zbulojë të vërtetën. Vepra e tij ka ushtruar ndikim të thellë mbi epokën kur ka jetuar autori.

Sartri e refuzoi çmimin “Nobel” për arsye se konsideronte se shkrimtari nuk duhet të shndërrohet në institucion. Ai dëshironte ta ruajë pavarësinë e vet nga institucionet kulturore perëndimore. Konsideronte se Komiteti i çmimit “Nobel” favorizon ideologji të caktuara. Thotë se është konsekuent në refuzimin e të gjitha nderimeve, duke përfshirë edhe çmimin e mundshëm “Lenin”. Arsyet kryesore të refuzimit të Nobelit kanë qenë:

- Ruajtja e pavarësisë: Sartri mendonte se shkrimtari, për të ruajtur lirinë e shprehjes,  duhet të distancohet nga çfarëdo lloj mirënjohjeje institucionale;

- Qëndrimi politik: Ka qenë kundërshtar aktiv i kolonializmit dhe kapitalizmit, ndërsa çmimin “Nobel” e shihte si një institucion i cili shpesh i shpërfill autorët e bllokut lindor dhe të botës së tretë;

- Principieliteti: Para çmimit “Nobel” e kishte refuzuar edhe Urdhrin Kombëtar Legjioni i Nderit (Ordre national de la Légion d'honneur), kurse më vonë deklaroi se e kishte refuzuar edhe Urdhrin “Lenin” të Bashkimit Sovjetik.

*   *   *

Sartri kundërshtoi kolonializmin francez në Algjeri – Sartri ishte një zë i fortë kundër kolonializmit francez gjatë luftës për pavarësi të Algjerisë në vitet 1954-1962. Dënoi ashpër sjelljen e Francës, duke mbështetur të drejtën e algjerianëve për vetëvendosje dhe duke u bërë një figurë intelektuale kyçe kundër luftës. Denoncoi hapur përdorimin e torturës dhe të dhunës nga ushtria franceze në Algjeri. Mbrojti Frontin për Çlirim Kombëtar (FLN) dhe përpjekjet e tij për çlirim nga sundimi francez. Për shkak të kundërshtimit të kolonializmit francez në Algjeri, Sartri u kërcënua nga grupet e ekstremit të djathtë francez si OAS që mbështetnin një Algjeri franceze. Sartri argumentoi se kolonializmi është një formë e dhunës strukturore dhe se lufta e algjerianëve ishte një reagim i domosdoshëm ndaj asaj dhune.

*    *    *

Filozofia e Sartrit frymëzoi protestat studentore të majit ’68 që tronditën Evropën – Në maj të vitit 1968, në metropolet evropiane shpërthyen demonstratat e studentëve. Një prej frymëzuesve të protestave ishte edhe filozofi dhe sociologu gjerman Herbert Markuze (Herbert Marcuse, 1898-1979). Deri në vitin 1933, veproi brenda Rrethit të Frankfurtit. Aty vepronin edhe filozofët, si: filozofi gjerman Maks Horkhajmer (Max Horkheimer, 895-1973); filozofi dhe sociologu gjerman Teodor Adorno (Theodor W. Adorno, 1903-1969); sociologu, ekonomisti dhe filozofi gjerman Fridrih Pollock (Friedrich Pollock, 1894-1970); filozofi dhe sociologu gjerman Alfred Shmid (Alfred Schmidt, 1931-2012). Shmiti ishte përfaqësues i brezit të dytë të Shkollës së Frankfurtit dhe nxënës i Adornos dhe i Maks Horkhajmerit.

Gjatë protestave studentore maj ‘68, Sorbona u mbyll, presidenti i Francës, gjenerali Sharl de Gol (Charles André Joseph Marie de Gaulle, 1890-1970) e shpërndau parlamentin. Me shpalljen e zgjedhjeve të reja, përfundoi kanosja me revolucion në Francë. Kryeministri Zhorzh Pompidu (Georges Pompidou, 1911-1974) dha dorëheqje.

Në protesta merrte pjesë edhe Sartri. Policia franceze e arrestoi. Me të mësuar për arrestimin e autorit të “Neverisë”, reagoi presidenti De Gol: “Kush është ai që guxon ta arrestojë Volterin e kohës sonë?!” Gjenerali e krahasoi Sartrin me Volterin legjendar (François Marie Arouet Voltaire, 1694-1778).

Shënim: Shekulli XVIII u quajt “shekull i Volterit”.

*    *    *

Siç u tha dhe më sipër, Herbert Markuze ka qenë një prej etërve shpirtërore të protestave studentore të majit ’68. Para ardhjes në fuqi të Adolf Hitlerit, emigron në Zvicër. më pas në Francë dhe në fund të ShBA ku punon si profesor në disa universitete amerikane. Udhëton edhe nëpër Evropë ku angazhohet për organizimin e lëvizjes studentore.

*    *    *

Zhan-Pol Sartri ishte filozof, dramaturg, romancier, skenarist, veprimtar politik, biograf dhe kritik letrar - francez. Konsiderohej figurë kryesore e filozofisë në Francën e shekullit XX, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit. Ateisti më i madhe i shekullit XX. Sipas tij: “ekzistenca i prin esencës”. Njerëzit lindin pa një qëllim të paracaktuar dhe e krijojnë veten nëpërmjet zgjedhjeve të veta. Njeriu është absolutisht i lirë dhe përgjegjës për veprimet e tij. Njihet për idetë mbi lirinë absolute dhe për përgjegjësinë e njeriut.

I mobilizuar në shtator të vitit 1939, i zënë rob në qershor të vitit 1940, ai transferohet në llogoren Trevu. Atje sheh të shoqëruarit, të vëllazëruarit. Lirohet nga robëria në vitin 1941, duke u shtirur se është civil, Sartri kthehet në Paris, i vendosur të veprojë.

*   *   *

Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Charles Aymard Sartre, Paris, 15.04.1905 – Paris, 21.06.1980). Lindi në Paris në vitin 1905. Në moshë të re mbeti pa baba. U rrit në shtëpinë e gjyshit dhe të dajës. Thuhet se që në fëmijëri, shkrimi ka qenë mënyrë e tij e ikjes nga realiteti. Studio në institucionin e arsimit të lartë École Normale Supérieur. Aty e njohu partneren e vet, e cila po ashtu ishte intelektuale, Simon dë Bovuar (Simone de Beauvoir, 1908-1986). Sartri diplmoi në vitin 1929. Me doktoratën e filozofisë, një kohë ligjëroi në Le Havre, në Livon dhe në Paris. Karriera e tij e mësimdhënies u ndërpre pasi në vitin 1939 u zgjodh për shërbim në Luftën e Dytë Botërore. U burgos në vitin 1940, për t’u liruar pas një viti. Pas kësaj, i përhap në vepra idetë e veta etike. Aktivisht është interesuar edhe për lëvizjet politike franceze. Në fazën e parë përqendrohet në ndërtimin e filozofisë së të qenit të njohur si ekzistencializëm. Qëllimi i kësaj filozofie ka qenë të kuptuarit e ekzistencës njerëzore dhe jo botën si të tillë.

Puna e hershme e Sartrit karakterizohen nga analizat fenomenologjike nën ndikimin e filozofit gjerman Edmund Huserl (Edmond Husserl, 1859-1938). Nga ky ndikim rezultoi punimi i tij “Transcendenca e egos” (Transcendance de l'ego, 1936). Një prej punimeve më të rëndësishme të tij në të cilin ndërthuren ndikimet e filozofëve gjermanë Georg Vilhelm Fridrih Hegelit (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831), të Karl Marksit (Karl Marx, 1818-1883) dhe të Martin Hajdegerit (Martin Heidegger, 1889-1976) është “Qenia dhe asgjëja” (L'Être et le néant, essai d’ontologie phénoménologique, 1943) Kjo është e para vepër e ekzistencialistit francez. Kjo vepër filozofike mund të karakterizohet si hulumtim fenomenologjik në natyrën e asaj se ç’do të thotë të jesh njeri. Për këtë arsye mund të konsiderohet si vazhdim dhe zgjerim i temave që janë karakteristike për veprat e hershme.

*   *   *

Është autor i njërit prej romaneve ekzistencialiste më të njohura “Neveria” (La Nausée,   1938). Vepra është shkruar në formë të ditarit fiktiv dhe në periudhën e krizës ekzistenciale të autorit. Tematika kryesore është jeta e vetmuar e protagonistit i cili kërkon kuptimin e jetës.

Vepra të tjera të rëndësishme të tij janë:

- “Ekzistencializmi është humanizëm” (L'existentialisme est un humanisme, 1946); drama në një akt “Pas dyerve të mbyllura” (No Exit). Është një shfaqje ekzistencialiste. U luajt për herë të parë në Théâtre du Vieux-Colombier në maj 1944;

- Drama në tre akte “Mizat” (Les Mouches, 1943);

- “Imagjinata” (L’imagination, 1936);

- Përmbledhja me tregime ekzistencialiste të shkurtra “Muri” (Le mur, 1939), e botuar në vitin 1939. Nëpërmjet një analize të thellë psikologjike të personazheve që përballen me fundin e pashmangshëm, shpesh në kontekstin e luftës dhe të fashizmit, vepra trajton temën e vdekjes, të absurdit të jetës, frikën dhe lirinë;

- Drama ”Djalli dhe Zoti i Mirë” (Le Diable et le Bon Dieu, 1951) është një shfaqje e vitit 1951. Ka të bëjë me zgjedhjet morale të personazheve të saj – të komandantit të luftës Goetz, të klerit Heinrich, të udhëheqësit komunist Nasti dhe të tjerëve gjatë Luftës së fshatarëve gjermanë. Për herë të parë u shfaq në vitin 1951 në Francë. Pra trajton temën e moralit, të religjionit dhe të lirisë;

- Drama “Duar të ndyra” (Les Mains sales, 1948) është shkruar në fillim të Luftës së ftohtë. Përmbajtja e saj është interpretuar si kritikë e metodave me të cilat komunistët atëherë e merrnin pushtetin në bllokut lindor të ardhshëm. Drama nxiti zemërimin e komunistëve francezë ndaj Sartrit;

- “Kritika e arsyes dialektike” (Critique de la raison dialectique, 1960);

- Eseja “Fantazma e Stalinit” (Le Fantôme de Staline, 1956/1957). Është një vështrim kritik i Sartrit ndaj stalinizmit pas Kongresit XX të PKBS. Analizon rrezikun nga rimëkëmbja e metodave dhe e marrëdhënieve staliniste në vendet socialiste. Analizon situatën politike në BRSS dhe në Evropën Lindore, posaçërisht pas ndërhyrjes sovjetike në Hungari në vitin 1956; etj.

- “Fjalët” (Les Mots) - është autobiografia e Sartrit e publikuar në vitin 1963 në një revistë. Në vitin 1964 u botua si libër në Gallimard.

*   *   *

Vitet e fundit të jetës, Sartri shpesh dilte në rrugë për të mare pjesë në trazira. Merrte pjesë në shitjen e literaturës majtiste dhe në veprimtari të tjera të cilat, sipas tij, do të mund të sillnin ndryshime. Pasi iu keqësua shëndeti dhe pasi u verbua, në 15 prill të vitit 1980 vdes nga endemi i mushkërive. Në ceremoninë mbresëlënëse të varrimit morën pjesë aq sa edhe në varrimin e poetit, dramaturgut dhe romancierit francez të periudhës së romantizmit, Viktor Hygo (Victor Hugo, 1802-1885). Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe njerëz të rëndomtë, të drejtat e të cilëve Sartri vazhdimisht i kishte mbrojtur.

*   *    *

Në dramën “Pas dyerve të mbyllura” (No Exit) veprimi kryesor zhvillohet në një hapësirë të mbyllur që paraqet ferrin. Hapësira është në stilin e Perandorisë së Dytë.

Personazhe të dramës ekzistencialiste “Pas dyerve të mbyllura” (No Exit) apo “Pa dalje” janë tre të huaj të vdekur: Joseph Garcin, Inez Serrano dhe Estelle Rigault. Ata ballafaqohen me mallkimin e përhershëm në një dhomë të mbyllur hoteli. Arrijnë të kuptojnë se ferri në të vërtetë është pamundësia e njeriut për t’u ikur shikimeve të të tjerëve si edhe ndërgjegjes së vet.

Zhozef Garsin (Joseph Garcin) është gazetar dhe dezertues lufte. Ai e ka keqtrajtuar gruan e vet. Dëshpërueshëm dëshiron të provojë se nuk është qyqar. Kërkon prej të tjerëve që ta njohin anën njerëzore të tij.

Inez Serrano është një nëpunëse e postës. Ajo e kishte joshur gruan e kushëririt të vet, duke shkaktuar vdekjen e tyre. Vetëm ajo është e vetëdijshme për situatën e tyre dhe me plot kënaqësi u shkakton mundime të tjerëve, duke i ballafaquar me fajet e tyre.

Estel Rigol (Estelle Rigault) është një grua e pasur e shoqërisë së lartë e cila e ka vrarë fëmijën e vet të lindur nga lidhja me dashnorin. Dëshiron kujdesin e mashkullit dhe me gënjeshtra e arsyetime të sipërfaqshme synon të fshehë të vërtetën për veten.

Nëpërmjet dialogëve të tyre dhe “shikimit” të përhershëm, Sartrë e paraqet tezën e njohur të tij “Ferri, janë të tjerët” (L'enfer, c'est les autres), duke theksuar se ne na definojnë të tjerët dhe se ne jemi robër të gjykimeve të tyre për ne.

Ata përpiqen ta zbulojnë mjedisin e tyre të ri dhe të kuptojnë se ç’është ajo që i bashkon. Shpejt mësojnë se ndodhen në ferr  U duket e çuditshme se si nuk shohin karakteristika të paraqitjes standarde të ferrit, siç janë torturat fizike. Në fillim të veprës secili prej tyre e kishte fshehur të vërtetën dhe arsyen e ndodhjes në ferr. Estel (Estelle) thotë se ka vdekur nga pneumonia (ndezje mushkërie). Inezi nga helmimi me gaz në gjumë, kurse Garsini thotë se e kanë qëlluar me plumb. Ende nuk arrijnë të kuptojnë përse ndodhen që të tre në të njëjtën hapësirë. Dy personazhe vazhdojnë të trillojnë histori për të kaluarën e tyre, kurse Inezi është e vetmja e cila arrin t’i kuptojë gënjeshtrat e tyre dhe e cila ballafaqohet me të vërtetën. Midis tyre krijohet edhe trekëndëshi i dashurisë që rezulton me zënka të ndërsjella. Inezi ndjen dashuri të njëanshme ndaj Estelës, ndërsa Estela ndjen dashuri të njëanshme ndaj Garsinit.

Duke shpresuar se do të kenë mirëkuptimin e të tjerëve, ata janë të detyruar t’i pranojnë mëkatet e veta. I pari e tregon të vërtetën Garsini. Ai e pranon se është sjellë keq ndaj gruas së vet të cilën edhe e kishte tradhtuar. Garsinin e kishin vrarë ngase kishte ikur nga lufta. Pastaj flet Inezi. Ajo e kishte joshur Floransën (Florence), gruan e kushëririt të vet i cili e kishte humbur jetën në fatkeqësi. Floransën e kishte vrarë ndërgjegjja, lëshon gazin, helmon edhe atë edhe veten. Pas një hezitimi, edhe Estela e pranon se para dashnorit e kishte vrarë fëmijën e padëshiruar, me ç’rast ishte vrarë edhe vetë ai.

Pas pranimit të mëkatit, Garsini kërkon prej të tjerëve empati*, d.m.th. të vihen në pozitën e tij dhe t’i thonë se nuk është frikacak. Sidoqoftë, të tjerët nuk tregojnë mirëkuptim ndaj tij. E kupton se Estela e kërkon vëmendjen e tij, ndërsa Inezi i thotë se ajo vetë duhet të përballet me veprimet e veta. Pas kësaj vjen në përfundim se në ferr nuk nevojitet torturë fizike për arsye se ferri janë të tjerët. Me fjalë të tjera, ferri nuk ndodhet në ferr, por aty pranë nesh.

Vepra mbaron me refuzimin e Estelës nga Garsini për shkak të pranisë së Inezit. Pas kësaj, plot zemërim, Estela e sulmon me një thikë prej letre. Me këtë, të gjithë e kuptojnë ironinë dhe shpërthejnë në qeshje: Është e pamundur të vrasësh njeriun tanimë të vrarë.

Shënim: Empati - aftësia për ta vënë veten në pozitën e tjetrit;

*   *   *

Ideja ekzistencialiste e veprës është: Çdo person duhet të ballafaqohet me vetveten, me kontaktin e pashmangshëm të të tjerëve të cilët na shërbejnë si kriter për gjykimin tonë.

“Vetëdija njerëzore me lirinë absolute e zgjedh formën e esencës së vet midis mundësive të shumta. “

*   *   *

Sipas filozofisë së ekzistencializmit njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm për ekzistimin e vet dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, që të mundë të formojë esencën (thelbin) e vet. I vetmi personazh që e kupton këtë është Inezi. Ajo është e vetëdijshme për atë se ç’ka bërë dhe pranon të kaluarën e vet. Figura e saj përfaqëson të keqen dhe ballafaqimin e hapur me realitetin.

Sipas parimeve të ekzistencës, njeriu duhet të mbështetet në vetvete dhe jo te të tjerët. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta. Garsini punon në kundërshti me parimet e ekzistencës, ngase tenton të mbështetet te të tjerët.

Personazhi më kompleks i dramës është Estela. Figura e saj pasqyron zbrazësinë dhe vetëmashtrimin. Që në fillim të veprës, tenton të tregohet e lartësuar dhe luksoze, i kushton rëndësi pamjes dhe anës materiale, kritikon çdo gjë që është më pak e vlefshme. Zbrazësinë e vet të cilën përpiqet ta kompensojë me luksin dhe autoritetin, më së shumti e tregon kur thotë se nuk mund të jetojë pa pasqyrë. “Po qe se nuk shikohem në pasqyrë, atëherë më kot rregullohem dhe pyes veten në ekzistoj vërtet.” Nuk u kushton rëndësi gjithaq mëkateve të veta. Për të, njësoj si për Garsinin, ka rëndësi fakti se si duket në sytë e të tjerëve.

Që të dy personazhet, me njërën dorë vetes ia bëjnë ferrin ngase refuzojnë të ballafaqohen me realitetin. Kësisoj shfaqen manipulime të ndërsjella që çojnë në problematikën kryesore të veprës, ngase ata prezantohen ashtu siç do të donin të shiheshin nga të tjerët dhe jo ashtu siç janë në të vërtetë.

Ngjashmëria e vetme midis këtyre tre personazheve qëndron në faktin se në një moment që të tre pajtohen se ndodhen në ferr. Në një moment të caktuar, secili prej tyre u bindet  parimeve ekzistencialiste. Por veprojnë edhe në kundërshti me parimet e sipërthëna.

*   *   *

Sipas filozofisë së Sartrit, vetëm njeriu mund ta përcaktojë qenien apo thelbin e vet. Njerëzit janë të vetmit të cilët kanë mundësinë e zgjedhjes midis asaj që është e drejtë dhe asaj që është gabim. Arsyet përse ata ndodhen në ferr nuk shihen në kuptimin krishterë, por në kuptim të pranimit të përgjegjësisë për veprimet vetanake. Ferri është hapësirë në të cilën njeriu ka kohë të pafund për të menduar për veprimet e veta negative në Tokë. Prej tij varet nëse do t’ia dalë të pajtohet me këtë.

Inezi arrin të dalë nga situata, ndërsa Garsini dhe Estela ballafaqohen me pengesa. Sartrë ka dashur të tregojë se si sjellja jonë dhe veprimet tona nuk janë tipare personale të lindura, por zgjedhje të ditëpërditshme që ne vendosim t’i zgjedhim. Njerëzit, për dallim nga personazhet në ferr, ende kanë mundësi të zgjedhin. Ata duhet të marrin përgjegjësi për jetën e tyre, jo për shkak të frikës nga ferri, por për të arritur paqen shpirtërore. Duke zgjedhur veprimet e drejta të ditëpërditshme  njeriu e zvogëlon mundësinë që të zhytet në kurthin e asaj që është e gabuar. Derisa nuk bëhet tepër vonë, njeriut gjithmonë i ofrohet opsioni i ndryshimit dhe i lirisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx