Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Vrasja e disidentëve kroatë dhe e veprimtarëve shqiptarë nga shërbimi sekret jugosllav
E enjte, 02.04.2026, 07:00 PM
VRASJA E DISIDENTËVE KROATË DHE E VEPRIMTARËVE SHQIPTARË NGA SHËRBIMI SEKRET JUGOSLLAV
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Drejtoria e Sigurisë Shtetërore ka qenë polici sekrete gjatë
Jugosllavisë së dytë. U themelua në vitin 1946, me shndërrimin e OZNA-s në
shërbim informimi ushtarak KOS dhe në UDB civile. Prej vitit 1966, zyrtarisht
është përdorur termi Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (ShSSh; serbisht: SDB;
kroatisht SDS). Me ndihmën e një numri të madh të spiunëve, ka shërbyer edhe si
mjet i frikësimit dhe terrorit kundër disidentëve
dhe kritikëve të regjimit.
UDB-ja ka qenë
e organizuar në nivel njësish federale, kështu që shtetet e dala nga shpërbërja
e ish-Jugosllavisë vazhduan t’i përdorin ato struktura shtetërore në territoret
e veta. Sot në Serbi vepron agjencia e riorganizuar me emrin Agjencia Informative e Sigurisë (BIA). Në
Maqedoninë e Veriut, në vitin 1995, shërbimi u riemërua në “Agjenci Informimi.” Në prill 1991, Shërbimi i Sigurisë Shtetërore
u riemërua në “Shërbim të Mbrojtjes së
Rendit Kushtetues” që mori pjesë në Luftën për Atdhe (Domovinski rat)
Pas rënies së
komunizmit, një pjesë e madhe e udbashëve
në Kroaci, nën mbikëqyrjen operative të politikanit jugosllav dhe kroat Josip
Manoliq (Kalinovac, Kroaci, 1920 – Zagreb, 2024) kaloi në shërbimet
sekrete kroate të sapoformuara. Në Kroaci, sipas të dhënave të vitit 2011,
mesatarja e pensionit “të punëtorëve në punë të caktuara” (në UDB), të cilët
kanë pasur pensione të favorizuara ka qenë 3.736.47 kuna. Pensione të tilla
kanë marrë 16.314 veta punëtorë të UDB-s. Shumë ish-agjentë të UDB-s janë
pranuar në Kroacinë e pavarur në shërbime sigurie dhe informimi.
Prej vitit
1966, UDB-ja vazhdon të veprojë me emrin Shërbim i Sigurisë Shtetërore, me
ç’rast janë përdorur emërtimet kolokviale Shërbimi
dhe UDB-ja.
Një pjesë e publikut në Kroacinë e sotme
fjalën UDB-a e përdor në një kuptim të ri, si emërtim për gjoja një mjedis
ndikues të cilin e kanë formuar pjesëtarët e sistemit të informimit të
ish-regjimit komunist. Për ta, UDB-ja është “rrjet joformal ndër vite i
fshehtë, i depërtuar në sekrete, me shumë lidhje të rëndësishme në vend dhe në
botën e jashtme dhe financiarisht plotësisht i siguruar, që i mbikëqyr dhe i udhëheq
prapa skene të gjitha proceset e rëndësishme të shtetit.
UDB-a ka qenë e organizuar në përputhje
me strukturën federale të Jugosllavisë komuniste, kështu që kanë ekzistuar “shërbimet”
republikane, kurse “Shërbimi” federativ kryesisht e ka bashkërenduar punën e
shërbimeve republikane të cilat i mbanin drejtpërdrejtë agjentët e tyre edhe
jashtë vendit. Në njëzet vitet e para të qeverisë komuniste, UDB-a ka pasur mbi
një milion dosje personale të qytetarëve kroatë.
UDB-a u formua në mars të vitit 1946,
pas riorganizimit të OZNA-s, shërbimit nën mbikëqyrjen dhe bashkërendimin e të
cilit janë kryer krime ndaj civilëve kroatë dhe të burgosurve të luftës pas
Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1966 UDB-a u transformua në Shërbim të Sigurisë Shtetërore. Si
shërbim civil i kundërzbulimit ndodhej në përbërje të Sekretariatit Federativ
të Punëve të Brendshme (SFPB). Në atë kohë, ajo që në shumë vende të botës
quhej “ministri”, në Jugosllavi quhej “sekretariat”. Shërbimi i Sigurisë
Shtetërore përbëhej prej katër sektorëve kryesorë që janë marrë:
- me armiqtë e brendshëm (nacionalizmi,
Kisha etj.);
- me emigracionin (kroat, shqiptar, serb
etj.);
- me shërbimet e huaja të informimit;
- me teknikën e përndjekjes dhe të
përgjimit.
Që nga fillimi i vet, UDB-a ka qenë
instrument i regjimit të Titos. Detyrë kryesore e saj ka qenë të ndjekë dhe të përgjojë personat të cilët kanë
paraqitur rrezik për regjimin e atëhershëm, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë
tij. Shpeshherë zbatonte edhe terror shtetëror nëpërmjet vrasjeve, kryesisht të
disidentëve – emigrantëve nga ish-Jugosllavia, pavarësisht nga përkatësia
kombëtare, të cilët panë paraqitur rrezik për Jugosllavinë.
Në vitin 1960 e këndej, personat me
interes të veçantë “nga pikëpamja e
kundërzbulimit dhe e sigurisë” kanë qenë të sistemuar në dy kategori
kryesore – ata që jetojnë në Jugosllavi dhe ata që jetojnë jashtë vendit. Midis
atyre që jetojnë jashtë vendit, kanë qenë “interesantë” sidomos ata të cilët e
kanë braktisur vendin gjatë kohës së luftës apo menjëherë pas saj. Pasojnë
personat të cilët më vonë ilegalisht e kanë braktisur Jugosllavinë. Deri në
fund të vitit 1960 ka qenë shumë vështirë të emigrosh ilegalisht, kështu që ka
qenë e përhapur “ikja” nga vendi. Prej personave që kanë jetuar në Jugosllavi,
me interes kanë qenë ish pjesëtarët e formacioneve ushtarake dhe paraushtarake
të cilët në Luftën II Botërore kanë qenë në anën e Fuqive të Boshtit. Pasojnë
personat e organizatave politike të lidhura me ato formacione, personat e
dënuar për veprimtari kundërshtetërore, personat që janë kthyer nga bota e
jashtme, personat në lidhje “të çuditshme” me botën e jashtme, personat që kanë
pasur lidhje personale apo nëpërmjet letërkëmbimit me diplomatë të huaj,
personat që kanë poseduar armë, personat me sjellje “të paparashikueshme” dhe
personat të prirë për t’u paraqitur ankesa udhëheqësve më të lartë. Duke
përcjellë kontaktet sociale të personave “me sjellje të çuditshme”
identifikoheshin persona të tjerë të cilët viheshin nën mbikëqyrje. Kur ka qenë
e mundshme, disa prej personave “të çuditshëm” i nënshtroheshin “përpunimit”
sigurues. Ata janë shfrytëzuar si konfidentë
(të besueshëm). Nëpërmjet tyre janë mbledhur të dhëna për veprimtaritë e
personave të tjerë. Përpos prej spiunëve (informatorëve) llojesh të ndryshme,
informata për “armiqtë” janë grumbulluar duke përgjuar telefonat, duke vendosur
pajisje përgjuese në hapësira, duke kontrolluar postën, duke kryer kontrolle
sekrete me ç’rast janë fotografuar dokumentet e gjetura, nëpërmjet ndjekjeve
sekrete, duke thirrur në biseda informative etj. Në bazë të informatave të
mbledhura, UDB-a ka vendosur se cilat metoda
pune eventualisht do t’i ndërmarrë më vonë ndaj personave të mbikëqyrur –
burgosje, komprometim në mjediset e veta duke përhapur dezinformata, konfiskim
i pasaportave deri në përpjekje për rekrutim.
Në periudhën e viteve 1946-1990, UDB-a
ka vrarë 69 disidentë kroatë, kurse tetë disidentë janë zhdukur pa
gjurmë. Këto janë të dhëna të Komisionit për përcaktimin e viktimave të luftës
dhe të pasluftës, përkatësisht të Këshillit për përcaktimin e viktimave të
pasluftës të sistemit komunist të vrarë në botën e jashtme.UDB-a ka kryer 24
atentate të pasuksesshme ndaj emigrantëve kroatë, viktima që kanë
përjetuar plagosje trupore të lehta apo të rënda. Tre disidentë kroatë janë
rrëmbyer, kurse katër të tjerë ia kanë dalë të shpëtojnë nga rrëmbimi. Krimi më
i njohur i këtij shërbimi jugosllav është vrasja në Paris e emigrantit dhe
udhëheqësit kroat Ante Bruno Bushiq (Donji
Vinjani, Kroaci, 06.10.1939 – Paris, 16.10.1978) më 16 tetor 1978 si dhe
vrasja në Wolfratshausen e ndërmarrësit, shkrimtarit dhe publicistit – disidentit
kroat Stjepan Gjurekoviq (Bukovac,
Serbi, 08.08.1926 - Wolfratshausen, Gjermani, 28.07.1983) më 28 korrik 1983.
Në vitin 1960 në Buenos-Aires, në sallën e Shtëpisë kroate u aktivizua një bombë. Nga shpërthimi i saj humbi
jetën edhe vajza trevjeçare Dinka
Domançinoviq. Ky aksioni ishte ndërmarrë kundër fëmijëve. Në sallën e
sipërthënë kremtohej dita e fundit e vitit shkollor. Dinka ka qenë viktima më e
vogël e UDB-s, përkatësisht e komunizmit jugosllav.
Sipas njoftimeve të Shërbimit kroat të Sigurisë Shtetërore, në
periudhën e viteve 1979-1980 preokupime kryesore kanë qenë ndjekja e
disidentëve politikë dhe e personave që vijnë në kontakt me ta, përcjellja e
punës së bashkësive fetare si burim i përhershëm i mospajtimit me sistemin
komunist, përcjellja e veprimtarive të “emigracionit armiqësor” dhe e punës së
shërbimeve të huaja të informimit.
Struktura
e UDB-së – Historiani kroat, pjesëmarrës vullnetar i Luftës së Atdheut, Dr. Prof. Josip Jurçeviq (1951- ), në
librin “Rasti Perkoviq: shpëtimi i së
ardhmes kriminale” thotë se 90 për qind e veprimtarëve të Shërbimit të
periudhës komuniste jugosllave të vitit 1990 kanë vazhduar të punojnë edhe në
strukturat e Kroacisë së pavarur.
Shënim: Josip
Jurçeviqi është autor edhe i veprës “Libri
i zi komunizmit në Kroaci”.
*
* *
Kah fundi i vitit 1989 në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore – në
degën kroate të UDB-së, kanë qenë të punësuar 854 veprimtarë. Prej tyre, 750
kanë vazhduar të punojnë edhe pas rënies së komunizmit, kurse vetëm dhjetë për
qind kanë kërkuar të pensionohen. Në rajonin e Zagrebit, në vitin 1978 UDB-a
(Shërbimi i Sigurisë Shtetërore) ka pasur 297 agjentë, të ashtuquajtur “punëtorë operativë.” Prej tyre, 186
kanë qenë të përfshirë në “përpunime
operative” kundër “mbartësve të
veprimtarisë armiqësore”. Secilit prej 186 agjentëve i takonin mesatarisht
nga 11 “persona për përpunim”, përkatësisht persona të dyshimtë. Rrjeti “i bashkëpunëtorëve” të cilët për kohë
më të gjatë kanë qenë të angazhuar për t’u ndihmuar “punëtorëve operativë” ka pasur 862 veta. Përpos kësaj, është
vendosur edhe bashkëpunim ad hoc me “lidhjet operative”, me personat të
cilët për kohë më të shkurtër kanë qenë të angazhuar për të mbledhur informata
për shërbimin.
Objekt interesimi në zonën e Zagrebit pikësëpari kanë qenë grupet
e personave të cilët kanë qenë ithtarë të nacionalizmit kroat si dhe kleri
katolik. Objekt interesimi të Shërbimit ka qenë disi edhe personat të
cilët e kanë adhuruar Bashkimin Sovjetik, të ashtuquajturit “mbartës
të veprimtarisë burokratike-dogmatike” si dhe “informbiroistët”,
përkatësisht personat të cilët qysh në vitin 1940 e këndej kanë qenë të
evidencuar si adhurues të BRSS-së. Pasojnë ithtarët e nacionalizmit serb, kleri
i Kishës Ortodokse Serbe. Janë përcjellë edhe të ashtuquajturit “anarkoliberalët”,
përkatësisht intelektualët që kanë anuar nga Perëndimi, të cilët, për dallim
nga nacionalistët kroatë, nuk e kanë konsideruar të nevojshme shpërbërjen e
Jugosllavisë. Krahas kësaj, është përcjellë edhe veprimtaria e shërbimeve të
huaja të inteligjencës të cilat kanë vepruar për grumbullimin e informatave për
gjendjen në Jugosllavi, kurse agjenturat e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të
tjera të Evropës Lindore kanë përhapur propagandë permanente. Është ndjekur
edhe rrethi i udhëheqësve komunistë kroatë të shkarkuar, siç kanë qenë
politikania dhe ekonomistja Savka
Dabçeviq-Kuçar (Korçullë, 06.12.1923 – Zagreb, 06.08.2009) dhe politikani
jugosllav e kroat Miko Tripalo (Sinj,
Kroaci, 16.11.1926 – Zagreb, 11.12.1995).
Një prej drejtimeve kryesore të UDB-së ka qenë shkaktimi dhe
thellimi i përçarjeve dhe i zënkave brenda grupeve që kanë qenë objekt i
përpunimit informativ (inteligjent). Ka pasur edhe raste që emigrantë politikë
të jenë eliminuar.
Lloje bashkëpunëtorësh
t UDB-së – Në agjenturën e UDB-së kanë ekzistuar
tre lloj bashkëpunëtorësh:
-
informatorët – kanë njoftuar
për veprimtaritë armiqësore, kudo të jenë paraqitur;
- rezidenti – ka qenë bashkëpunëtor
sekret i Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore (i UDB-së), i cili i ka mbajtur në
lidhje një numër të caktuar informatorësh
dhe drejtpërsëdrejti i ka udhëhequr ata. Rezidentin e gjen dhe e
rekruton punëtori operativ;
- agjenti – ka qenë bashkëpunëtor i
kualifikuar i UDB-së i cili për nga pozita në rrethimin antipopullor, për nga
vetitë dhe aftësitë informuese ka mundësi të depërtojë thellë në rrethin
armiqësor dhe plotësisht ta zbulojë veprimin e tij. Agjentët janë lloji më i
vogël i bashkëpunëtorëve, por për nga aftësitë e tyre informuese, mundësitë për
punë dhe rezultatet e punës - janë më të dobishëm.
“Armiqtë e shtetit” UDB-a i ka vrarë, i
ka rrëmbyer, ndaj tyre ka organizuar atentate i ka zhdukur.
Vrasjet e kryera nga
UDB-a – Për vrasjet ka vendosur Komiteti
Ekzekutiv i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga republika të cilës
i ka përkitur personi që është dashur të vritej. Vendimet në Republikën
Socialiste të Kroaci i ka marrë sekretari i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit
Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë.
Spiunët dhe
agjentët e UDB-s në vende të ndryshme kanë kryer një numër të madh vrasjesh të
disidentëve kroatë. Ndaj politikanit, mjekut dhe publicistit kroat Branimir “Branko”
Jeliq (Donji Dolac afër Omishit, 28.02.1905 – Berlini Perëndimor,
31.05.1972) UDB-a ka kryer katër atentate. Në tre prej tyre ka mbijetuar. Në
atentatin e katërt të vitit 1972 – e kanë vrarë. Të rrallë janë ata që kanë
mundur t’u shpëtojnë atentateve. Një prej tyre që i ka shpëtuar atentatit ka
qenë emigranti politik kroat Nikolla Shtedull (Reshetarevo, 02.12.1937 - vdiq në Kroaci, 15.03.2022). Atentati ndaj
tij u krye nga bashkëpunëtori apo agjenti i UDB-së Vinko Sindiç (Stara
Gradishka, Kërk, Kroaci, 29.09.1943 - ) në
vitin 1988 në Skoci, në Kirkcaldyj. Viktima i shpëtoi sulmit.
Në Kroaci ende
nuk janë zbatuar procedurat juridike kundër bashkëpunëtorëve kriminelë të
UDB-së. Jurisprudenca gjermane ka zhvilluar procedurë gjyqësore kundër disa
ish-bashkëpunëtorëve të policisë sekrete për shkak të vrasjes së emigrantit
kroat Stjepan Gjurekoviq (1926-1983).
Në aktgjykimin për atë vrasje Gjykata e Lartë e Vendit në Munih, në vitin 2008
e dënoi Krunosllav Prates me dënim
të përjetshëm. Në aktgjykim thuhet se “në
Gjermani, që nga koha e luftës e deri në vitin 1989, për shkaqe politike janë
vrarë 67 kroatë. 22 vetë janë vrarë në atentate të kryera pas vitit 1970. Duke
marrë parasysh faktin se ndërkohë të gjitha motivet e tjera përjashtohen, mund
të konstatohet se atentatet janë organizuar nga aparati i sigurisë i
Jugosllavisë.”
Agjenti i
UDB-s Josip Perkoviq (Liçko Novo Selo, 17.05.1945- ) është kërkuar për shkak të dyshimit për
përfshirje në vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit në vitin 1983. Josip Perkoviqi
dhe Zdravko Mustaç (Zagreb, 23.01.1942- ), më 3 gusht 2016, në gjykatën
e Munihut u shpallën fajtorë për përfshirje në vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit
në Gjermani në vitin 1983 dhe u dënuan me dënime të përjetshme.
Shënim: Zdravko Mustaç (1942- ) ka qenë ish-shef i
shërbimit sekret jugosllav – UDB dhe agjent kroat i nivelit të lartë i viteve
1990 e këndej.
Obstruksionet dhe trysnitë mbi dëshmitarët - Për asnjë nga këto krime, në Kroaci deri më tani nuk
është zhvilluar procedurë gjyqësore. Jurisprudenca kroate ka refuzuar
bashkëpunimin me autoritetet gjermane. Sipas analizës së shoqatës joqeveritare,
përkatësisht Klubit të kroatëve të kthyer nga emigracioni, hetimin dhe gjykimin
e Krunosllav Prates-it e kanë
penguar persona të ndryshëm të afërt me strukturat e UDB-s. Bernd von Heintschel-Heinegg (1945- )
si kryetar i Gjykatës Vendore Supreme të Bavarisë, në vitin 2008 në Munih e
akuzoi kryetarin e atëhershëm kroat Stjepan
Mesiq (Orahovica, Kroaci, 1934- ) për përzierje në procedurën gjyqësore për
vrasjen e disidentit Stjepan Gjurekoviq.
Sipas Heintschel-Heinegg, Mesiqi ka ushtruar trysni mbi dy dëshmitarë që
jetojnë në Kroaci. Krimet komuniste edhe më tej mohohen, relativizohen ose
arsyetohen si ‘antifashiste.’
Vrasja e veprimtarëve
shqiptarë që punonin dhe vepronin në Perëndim
– UDB-ja ka kryer krime të rënda ndaj
shqiptarëve. Prej krimeve të këtij shërbimi sekret famëkeq kanë pësuar shumë
shqiptar. Në vitin 1981 u vra në Belgjikë Vehbi
Ibraimi. Në vitin 1982 u vranë në RF Gjermane Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Në vitin 1990 u vra në Belgjikë Enver Hadri.
Shënim:
Vehbi Ibrahimi (Margesh, Gjilan, 23 maj 1938 - 10 tetor 1981) ishte
kryetar i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare me seli në Bruksel të
Belgjikës.
Jusuf Gërvalla (Pejë, 1 tetor 1943 - Untergruppenbach,
Gjermani, 17 janar 1982) ishte veprimtar, shkrimtar, muzikant, themelues i Lëvizjes Kombëtare
për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Autoritet shtetërore gjermane kanë lajmëruar se janë vrarë
tre shqiptarë të Kosovës. Pas kroatëve në mërgim, UDB-ja jugosllave u ka
shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve të Kosovës që jetojnë dhe
punojnë në Perëndim.
Bardhosh Gërvalla (Dubvik të Deçanit, 23 shkurt 1951 – Untergruppenbach,
Gjermani, 17 janar
1982);
Kadri Zeka (fshati Poliçkë, Malësi e Dardanës/Kamenicës, 25 prill 1953 – Untergruppenbach,
Gjermani, 17 janar 1982)
Enver
Hadri (Lindi në Kosovë më 2 prill 1941, ndërsa u vra në
atentat në Bruksel nga UDB-ja jugosllave, më 25 shkurt 1990).
* * *
Dosjet e UDB-s –
Bashkëpunëtorët e UDB-s dyzet e pesë vjet kanë mbledhur të dhëna për të
ashtuquajturit “armiq të popullit/” Në
periudhën e viteve 1945-1990 UDB-ja ka ndjekur të paktën 66.870
qytetarë. Dhjetëra mijë dosje tani ndodhen në Arkivin Shtetëror Kroat. Çdo
qytetar që dëshiron një gjë të tillë, pas një procedure të caktuar mund ta
shohë dosjen e vet.
Qytetarët e ish-Gjermanisë
Lindore, rumunët dhe çekët mund
t’i shohin dosjet si edhe emrat e agjentëve prej të cilëve janë ndjekur, kurse
në Kroaci mund të shihen vetëm emrat me kode të agjentëve.
Parlamenti Evropian, në pikën 16 të Rezolutës për
bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor
(2021/2002(INI) të datës 15 dhjetor 2021 ka theksuar “se lidhjet midis krimit të organizuar, politikës dhe ndërmarrjeve kanë
ekzistuar para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ato vazhdojnë prej viteve ’90 të
shekullit XX”.
Duke qenë se të dhëna të rëndësishme për lidhjet e
tilla ndodhen në arkivat e shërbimeve sekrete jugosllave, Parlamenti Evropian “e dënon mospasjen e vullnetit të organeve
kompetente për t’i hapur arkivat e ish-Jugosllavisë, ndaj përsëri bën thirrje
për hapjen e tyre, e sidomos të mundësohet qasja dosjeve të ish-shërbimit
sekret jugosllav (UDB-s) dhe të Shërbimit të Kundërzbulimit të Armatës
Popullore Jugosllave (KOS) dhe ato dosje t’u kthehen qeverive përkatëse po qe
se e kërkojnë një gjë të tillë.”
UDB-ja sot – Njëzet vjet pas shpalljes së pavarësisë së
Republikës së Kroacisë asnjë prej udbashëve
të dikurshëm nuk është përgjigjur për krimet e kryera. Duke marrë
parasysh faktin se në organet ekzekutive, në gjykata dhe në organizatat e tjera
shtetërore nuk kanë mundur të punësohen njerëz që nuk kanë qenë të besueshëm
për UDB-në dhe që nuk janë verifikuar, ish-udbashët
kanë vazhduar t’i mbajnë pozitat e rëndësishme në organet e pushtetit apo ato t’ua
lënë pasardhësve të vet.









