Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Tragjedia “Mbreti Lir” – Shekspir
E shtune, 04.04.2026, 06:57 PM
TRAGJEDIA “MBRETI LIR” – SHEKSPIR
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Titulli burimor i
tragjedisë së tragjediografit dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare) është “King Lear”. Ngjarja zhvillohet në Anglia. Është shkruar në gjuhën
angleze. Vepra bën pjesë në llojin e dramës dhe në zhanrin e tragjedisë. Është botuar rreth vitit
1605. Personazh kryesor i tragjedisë është Mbreti Lir. Temat që shtjellohen
janë: drejtësia dhe shqyrtimi i vuajtjes njerëzore.
* * *
Tragjedia „Mbreti Lir“ (King Lear)
është një prej veprave më të njohura të Uilliam Shekspirit (William
Shakespeare, 1564-1616). Bazohet te mbreti Lir (Lear), i cili është një prej mbretërve
mitologjikë të Britanisë. Shkrimet e para për të burojnë nga
shekulli XII. Ato vijnë prej historianit Xhefri i Monmouthit (Geoffrey of Monmouth, rreth viteve 1095-1155).
Xhefri i Monmouthit ka qenë klerik
i krishterë nga Monmouth, Uells dhe një nga personat kryesorë që ndihmuan në popullarizimin e
përrallave të Mbretit Artur. Arthuri (gjermanisht: Artus ) është
mbret mitologjik i keltëve apo i britanikëve, i viteve 500. Në shekujt XVIII
dhe XIX, për kritikat e skenave tragjike dhe të zymta, drama u shndërrua në
roman. Si pasojë e këtij ndryshimi, fundi i veprës në të cilën vdesin shumica e
personazheve kryesore, është zëvendësuar me një fund në të cilin të gjithë
personazhet mbijetojnë, kurse Kordelia (Cordelia) martohet me Edgarin.
Vepra është shfaqur në teatrot e mbarë botës. Ka pësuar edhe
shumë përshtatje televizive dhe filmi. Bazuar në këtë dramë ka lindur edhe
opera me të njëjtin emër. “Mbreti Lir”
ka shërbyer si frymëzim për shumë romane dhe drama tematike të ngjashme të
autorëve të tjerë.
Rolin e mbretit Lir e kanë luajtur shumë aktorë të famshëm, midis të cilëve janë edhe: aktori dhe regjisori anglez Lorens Olivier (Laurence Kerr Olivier, Baroni Olivier, 1907-1989), aktori dhe regjisori amerikan Orson Uells (Georg Orson Welles, 1915-1985), aktori amerikan Xhejmz Erl Xhons (James Earl Jones, 1931-2024), aktori uellsian Entoni Hoplins (Sir Philip Anthony Hopkins, 1937- ), aktori kanadez Kristofer Plamer (Arthur Christopher Orme Plummer, 1929-2021), aktori anglez Jan Mekillin (Sir Ian Murray McKellen, 1939- ), Kevin Klajn (Kevin Kline, ) etj.
Personazhet e tragjedisë “Mbreti Lir”
- Liri (Lear) – mbreti i Britanisë;
- Goneril-(a) – vajza më e madhe
lakmitare e mbretit Lir;
- Regan-(e) – vajza e dytë lakmitare e
mbretit Lir;
- Kordelia – vajza më e vogël e mbretit Lir,
e vetmja që vërtet kujdeset për babanë;
- Mbreti i Francës – një
prej pretendentëve të Kordelias;
- Duka i Burgundisë – pretendent tjetër i
Kordelias;
- Duka
i Albany-t - kunati i Lirit dhe
burrë i Gonerilës, i cili është i zemëruar nga butësia e tij;
- Duka i Cornwallit – burri lakmitar i Regan-(es);
- Konti
i Kentit - shërbëtori besnik
i Lirit. Dëbohet nga oborri mbretëror pasi rebelohet kundër keqtrajtimit të
Kordelias nga Liri. Më vonë kthehet me emrin Caius;
- Konti i Glosterit – baba i dashnorit të vajzave të
mbretit Lir – Goneril-(ës) dhe Regan-(es);
- Edmundi – dashnori i Gonerilës, por edhe i Regan-(es); në fillim ato nuk e dinin një gjë të tillë.
Tragjedia „Mbreti Lir“ ka edhe personazhe dytësore.
Përse flitet në këtë tragjedi? - Drama fillon me vendimin e
mbretit Lir për t'u tërhequr nga froni të cilin ka ndërmend t'ua lërë vajzave
të veta - Gonerilës, Regan-(es) dhe Kordelias. Dy vajzat më të mëdha janë të
martuara, ndërsa Kordelian e lypin mbreti i Francës dhe Duka i Burgundisë.
Mbreti Lir i moshuar propozon garë: Secila prej vajzave do të marrë tokë
varësisht nga dashuria që do të
tregojë ndaj babait. Kordelia refuzon të ndjekë shembullin e motrave dhe t’i
bëjë lajka babait. Për këtë arsye atë e largojnë nga oborri mbretëror. E tërë
pasuria u ndahet Gonerilës dhe Reganes. Konti i Kentit del kundër kësaj mënyre
të ndarjes së pronës. Për këtë arsye mbreti Lir e flak nga oborri mbretëror.
Megjithëkëtë, Mbreti i Francës martohet me Kordelian e privuar nga trashëgimia.
Synon që më vonë, këtë ta shfrytëzojë si pretekst për invadim në Britani.
Me ta lënë fronin,
Liri konstaton se ndjenjat e Gonerilës dhe të Reganes ndaj tij janë ftohur me
të madhe. Konti i Kentit kthehet në pallat i maskuar dhe me emrin Caius, për ta
mbrojtur mbretin të cilit i ka qëndruar besnik.
Midis Gonerilës dhe
Reganes fillon zënka për Edmundin tek i cili të dyja motrat janë të dashuruara.
Në anën tjetër, ato duhet të ballafaqohen me ushtrinë franceze që e udhëheq
Kordelia, qëllimi i së cilës është ta kthejë mbretin Lir në fron.
Konti i Glosterit
ballafaqohet me Dukën e Kornvalit (Cornwall), por e shpëtojnë nga vdekja
shërbëtorët e dukës të cilëve nuk u pëlqente qëndrimi i tij ndaj mbretit Lir.
Duka i Kornvalit ia nxjerr sytë Kontit të Glosterit. Njëri prej shërbëtorëve e
plagos dukën, por Regane e vret shërbëtorin. Duka i Kornvalit vdes prej plagëve
të marra.
Konti i verbuar i
Glosterit tenton të hidhet nga shkëmbi, por e shpëton i biri Edgar. Liri dhe
Kordelia takohen në burgun ku ishte burgosur ai (Liri). Mbreti Lir vdes pak
para se të shpërthente konflikti midis Francës dhe Britanisë.
Atëherë Edmundi
urdhëron që babai dhe e bija të ekzekutohen. Gonerila e helmon Reganen, kurse
Edgari maskohet dhe e plagos për vdekje të vëllain Edmundin. Me ta parë dashnorin
e vet të vdekur, Gonerila vendos të bëjë vetëvrasje.
Urdhri me të cilin anulohet vendimi i Edmundit për ekzekutimin e Lirit dhe të Kordelias mbërrin vonë. Mbreti Lir mban në duart e veta trupin e Kordelias. Pas kësaj, vdes edhe ai.









