E shtune, 07.02.2026, 08:10 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit

E premte, 06.02.2026, 06:59 PM


Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit

Nga Prof. Blerim Latifi

Në "Fenomenologjinë e Shpirtit", Hegeli e zhvillon konceptin e luftës për pranim si faktor themelor që e përcakton strukturën e marrëdhënieve njerëzore.

Dëshira për pranim, si thelb i qenieve humane, i shtyn individët drejt përplasjes, shpesh deri në forma ekstreme që marrin karakterin luft?s për jetë a vdekje.

Të kërkosh pranim do të thotë të kërkosh të njihesh nga tjetri si subjekt, e jo si objekt apo si qenie inferiore.

Mendimtari amerikan, Joseph S. Nye, JR, e kontekstualizon këtë koncept hegelian në ngjarjet e mëdha të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Teza e tij është se dy Luftërat Botërore shpërthyen sepse fuqitë dominuese të kohës, Britania e Madhe dhe Franca, refuzuan ta pranonin Gjermaninë si fuqi të barabartë në politikën botërore. Në vend që Gjermania, e fuqizuar në çdo pikëpamje, të integrohej në rendin ekzistues ndërkombëtar, ajo u mbajt jashtë tij. Ky përjashtim prodhoi përplasjen e parë të madhe 1914-1918.

Në Versajë, e njëjta logjikë u përsërit, madje në mënyrë edhe më të vrazhdë: Gjermania u poshtërua politikisht, ekonomikisht dhe simbolikisht. Ky refuzim i pranimit krijoi kushtet për lindjen e ideologjisë naziste dhe, në fund, për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Pra këto dy luftëra nuk ishin thjesht konflikte interesash, por një revoltë e një subjekti kundër një rendi që e përjashtonte.

Sot shfaqet një situatë pak a shumë analoge.

Dy fuqi të mëdha kërkojnë t’u njihet statusi i subjekteve të barabarta në rendin ndërkombëtar: Kina dhe Rusia. Por, ndryshe nga rasti gjerman, integrimi i tyre shtron një dilemë themelore ideologjike për Perëndimin. Pyetja nuk është vetëm nëse këto fuqi duhet të pranohen, por me çfarë çmimi normativ.

Integrimi i Kinës dhe Rusisë, dy fuqi autoritariste, nënkupton relativizimin e parimeve mbi të cilat Perëndimi ka ndërtuar rendin e vet pas vitit 1945: demokracinë liberale, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe pretendimin për universalizëm moral të këtyre vlerave.

Pranimi i tyre si subjekte të barabarta do të thotë që Perëndimi nuk do t’i njohë më vetëm si fuqi, por edhe si modele legjitime të organizimit politik, ndonëse autoritare. Në këtë rast, rendi liberal ndërkombëtar rrezikon të shndërrohet në një rend thjesht pluralist fuqish, ku vlerat bëhen relative dhe jo më detyruese.

Por edhe alternativa e mosintegrimit mbart rreziqe të mëdha. Përjashtimi prodhon ndjenjën e poshtërimit historik, veçanërisht në rastin e Rusisë, dhe ambicien për rishkrimin e rendit botëror, siç e kërkonn Kina. Kështu, refuzimi i pranimit ushqen pikërisht ato dinamika revanshiste dhe konfliktuale që rendi liberal pretendon t’i shmangë.

Perëndimi ndodhet, pra, përballë një dileme gati tragjike: ose e pranon Kinën dhe Rusinë, duke e pranuar rrjedhimisht erozionin e hegjemonisë së vet normative, ose i mban jashtë, duke rrezikuar përshkallëzimin e konflikteve dhe një botë gjithnjë e më të dhunshme.

Në terma hegelianë, pyetja bazike mbetet kjo: a mund të ruajë identitetin e vet një subjekt edhe pasi ta pranojë tjetrin si të barabartë?

E thënë ndryshe: A është rendi liberal perëndimor i dënuar të zgjedhë midis pranimit të autoritarizmit lindor që e dobëson dhe përjashtimit të tij që e shtyn drejt betejave të mëdha, si ato që i kemi pa në shekullin e kaluar?

Për Hegelin historia gjithmonë ndjek shtegun e saj të zgjidhjeve. Ai quhet Aufhebung. Forca që i përplasë kontradiktat dhe i sintetizon ato në forma të reja të realitetit historik.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx