E hene, 02.02.2026, 11:21 PM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (2)

E hene, 02.02.2026, 07:00 PM


Shkrime për Ismail Kadarenë nga libri ''Pena të Arta Franceze për Shqiptarët'' i autorit Fotaq Andrea

(2)

ISMAIL KADARE : NJË SFINKS NË DIMËR

Një mjet për të matur magnitudën e një enigme qëndron konkretisht në përllogaritjen e galerive që një mendje duhet të përshkojë para se të dallojë daljen nga labirinti. Për shumë vetë, ata që, për lojë intelektuale apo për arsye të tjera, jepen pas « yçklave kineze », Ismail Kadarea ka qenë dhe mbetet sinonim enigme. Fytyra e tij të kujton shpesh atë « maskë përpikmërie », rezultante e viteve të plumbit, që shkrimtari ua vesh tipareve të funksionarëve të lartë kinezë në faqet më dramatike të romanit të tij Koncerti. Nëse njeriu nuk lind misterioz, është shoqëria që i fut shijen e sekretit, dhe ajo ku Kadarea ka kaluar dyzet e pesë vjet stalinizëm kishte një prirje të fortë komploti. Ashtu si tregimtari i Strofullës së Kafkës, shkrimtari shqiptar ka çelur galeri të shumta për të mbjellë brenda tyre udhëpërshkuesit e tij, dhe vetë duke ndenjur me vështrimin e sfinksit prapa « maskës së përpikmërisë» në brendësi të kështjellës së pamposhtur të Daulleve të shiut. Profesioni : i rrethuar : ky ishte statuti shoqëror i çdo mendjeje të pavarur në vendin totalitar. Me vite, ligji i heshtjes imponuar shkrimtarëve që mund të udhëtonin, detyra e vetçensurimit shndërruar në kusht mbijetese sikur e kishin trashur misterin, duke shkaktuar lindjen e hipotezave. Kush ishte ai, ç’rol luante para se kufijtë të hapeshin ? A luan të njëjtin rol që nga ajo kohë ? Ku dhe deri në çfarë shkalle debatet që troshitin shoqërinë shqiptare kanë kaluar në filtrin e mendimit të tij, çfarë ka vënë në peshë në këtë apo atë fushë ? Të skicohen përgjigje, ky do të jetë synimi i këtyre radhëve, të skicohen sepse është e pamundur të çmontohen deri tek e fundit kukullat zhigonje* të një mendimi. Gjithmonë mbetet një e tillë në brendësi të më së voglës, në pafundësi, pjesë e paepur e misterit që përbën hijeshinë e një mendjeje dhe markën e saj të fabrikimit.

Historianët manikeas** duhet t’i ketë zënë deti duke vëzhguar historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë : vija pluskuese e këtij kombi nuk ka rreshtur së lëkunduri. Sipas yrysheve të kapitenit të saj, anija ka ndërruar shumë herë drejtim. Rreziku i të qenit shkrimtar vinte nga ajo që rreshtat e shtypur në libra mbeteshin, kur, në të njëjtën kohë, vija e Partisë lëkundej ; nga ky çast, i takonte njeriut të zhdërvjelltësohej mjaftueshmërisht për të zbutur palëvizshmërinë e veprës së tij, prej ku mund të shfaqej rreziku nga çasti në çast.  Kështu është dhe me Kadarenë, vepra e të cilit përshkoi, megjithë « duhanin e shumtë të djegur » tërë ato vite stalinizmi, dyzet e pesë, kreshnikëri me sa duket e pashoqe në historinë e Letrave. Perëndimi e mendonte Shqipërinë të shkrirë në klishetë e pjesës së mbetur të bllokut komunist. Vala tronditëse në Lindje e preku Shqipërinë lehtë, me vonesë. Nga 1945 deri më 1990, Shqipëria tregoi, politikisht, një qëndresë të habitshme ndaj valëve përplasëse. Stalinizmi nuk do çrrënjosej veçse nga vitet 1990-1991. Kush ishte Kadarea, humbur në këtë biotop* të çuditshëm ? Një produkt prejardhur nga Haveli apo nga Pasternaku ?

Ndoshta kombet e vegjël kanë privilegjin të prodhojnë shkrimtarë që, sikurse Kadarea, janë trupëzuar më së miri me historinë e tyre. Odisetë e pasluftës shqiptare janë aty, të ritranskriptuara në veprën e tij, në mënyrë realiste apo nëpërmjet marifetit të fabulës. Qëkurse është botuar për herë të parë më 1953, Kadarea parapëlqen të jap llogari për botën sipas tij, sesa të zbatojë vetëvëzhgimin e dëshiruar nga shumë autorë. Nga poemat e para lirike e romatike, kalohet me shpejtësi në poemat e mësimit të botës, përzier me angazhime; pastaj me ngadalë, nëpërmjet një rrëshqitjeje drejt prozës, merr formë vështrimi që do ketë Kadarea për botën fokale tiranike, që shkakton një Weltanschauung, i cili, nga romani në tregim, do të kompozojë me penelata të njëpasnjëshme një portret të Shqipërisë e të botës. Shkrimtari kalon në revistë etapat e mëdha të historisë shqiptare, por pa vepruar si historian : përçarja katolike/ortodokse, dyndja osmane, qëndresa e Skënderbeut, largimi i arbëreshëve drejt Italisë, rënia e Ali Pashës, hapat e para pas pavarësisë, periudha zogiste, lufta, çlirimi i Tiranës prishjet me disa, pastaj me të tjerë, masakrat e Kosovës, rënia e stalinizmit shqiptar… Megjithatë, nuk bëhet fjalë për tekste « shqiptaro-qendërzuese ». Vendi i tij, dhe që këndej Perandoria otomane nuk janë veçse pretekste për të lartësuar debatin, për t’u dhënë librave cilësorin misterioz të gjithanshmërisë. Nëse Kadarea është para së gjithash shqiptar, është në mënyrën e emrave të mëdhenj të Rilindjes** të kthyer drejt Perëndimit, të armiqësuar ndaj një arkaizmi dhe një tradicionalizmi, përgjegjës i të cilëve bëhet Perandoria otomane.

Të shkruarit në « Shqipërinë e re »

Pavarësisht nga cilësia letrare e veprës së tij, Shqipëria, herët a vonë, do duhet t’i rinjohë shkrimtarit të saj më « ndërkombëtar » meritën se në orët më të zeza të vendit ka dashur të hartojë një proçesverbal për atë që, para tij, po rrënohej : për vetë Shqipërinë. Menjëherë pas luftës, brezi në ngjitje që jetonte vitet e veta  më të ndritshme, i kishte kënduar ndërtimit të një Shqipërie të re, bazuar mbi çlirimin e vendit nga partizanët komunistë pa ndihmë të jashtme. Shkrimtarë e artistë kërkoheshin (me të madhe) të bashkonin zërin e tyre në atë kor. Shumë prej tyre tregoheshin të çiltër, sepse më shumë nga aksiomat socialiste, kemalizmi i udhëheqësve të rinj, dëshira e tyre për ta ngritur Shqipërinë në radhën e kombeve evropiane duke i dhënë fund Azisë, dhe lustroja demokratike me të cilën ishin zbukuruar më 1945 dhe 1946, nuk kishin si të mos shkaktonin joshje. Herë pas here, regjimi e lironte disi darën dhe bashkësia e vdekatarëve sikur merrte atëherë frymë më lirshëm ; shtëpitë botuese kalonin në shtypshkronjë dorëshkrime të rikthyera në gjendje të tolerueshme. Frika sikur sprapsej njëfarësoj. Qetësia e përkohëshme e fundit e këtij lloji u shfaq në fillim të viteve 70. Pastaj, u rikthye frika, më 1973, nxitur nga filipiket* e hierarkëve kundër dekadencës borgjeze : duhet vrarë krimbi i Perëndimit futur në frutin e Shqipërisë së re ! Dekada 1973-1983, ishte me sa duket më e ashpra që ka njohur vendi : i sëmurë, me shqetësime kardiake dhe me diabet, tirani korri « miqtë » e tij një pas një, e dërrmoi krejt vendin me ndërtimin e bunkerëve, shpalli më 1976 një Kushtetutë që e izolonte edhe më shumë vendin, ndërpreu marrëdhëniet me aleaten e fundit të Shqipërisë, Kinën. 1973-1983 : pikërisht, gjatë kalimit të këtij tuneli, Kadarea nxori kryeveprat e tij, që buronin nga dashuria që kishte për Shqipërinë në rrezik, sepse  kishte një mision : « të restauronte ikonën », atë ikonë që, nën petkun e progresit, regjimi kishte dashur ta shfytyronte paturpësisht, si arkeologët e Sadam Huseinit, të cilët, pa u merakosur fort për vërtetësinë,  u orvatën të rishfaqin Babiloninë.

Sfida e kujtesës

T’i transmetosh krejt një vendi sëmundjen e Alzeimerit, të shkatërrosh qelizat ku ishin gdhendur kujtimet e tij për ta zëvendësuar jetën e Njeriut me atë të një qenieje të re… për këtë, regjimi nuk i kursente mjetet. Përballë tij, lufta e një shkrimtari për të restauruar ikonën synonte të shpëtonte jetën njerëzore në themelet e saj më kryesore dhe t’i bënte ballë iluzioneve orwelline të pushtetit. Është kjo një nga arsyet për të cilat Dimri i Madh, shfaqur në një çast kritik (në pranverë 1973), pësoi goditjet e regjimit : funksionarët, ish-ët, të dashuruarit e zhgënjyer, një pjesë e tërë aktorësh të « komedisë së vogël njerëzore » luajtur në këtë roman ishin një fyerje përballë njeriut të ri.

Në vitet që pasuan, Kadarea vijoi punën e tij për ruajtjen e kujtesës kolektive. Në klimën mjedisore të paranoiës, ishte jetësore të mos e harroje. Andaj, nëpërmjet Prillit të thyer, shkrimtari shpluhuron Kanunin, të drejtën e lashtë zakonore që, në fillim të shekullit, e shihje ende të vepronte në Veri të vendit. Që këtej, ai nxjerr një nga konceptet e tij madhore besën** (fjalën e dhënë), e cila, nëse s’është me zanafillë krejt shqiptare, përbën një nga degët e fundit të një qytetërimi mesjetar që vishte një pjesë të mirë të krishtërimit. Ashtu sikurse nuk do rreshti më duke iu referuar Kanunit, ai do ta bëjë besën ide kryesore të shumë romaneve1. Në periudhë të plotë izolimi, në një shtet ku çdo kontakt me një të huaj ishte i dyshimtë, Kadarea përmend një kohë kur ishe i lirë të përshkoje Evropën, kur martoheshe përtej kufijëve !

Pak nga pak, në rrjedhë të viteve e të librave, ikona rigjen ngjyrat e veta : Kadarea nuk e shpjegon një pemë nga gjethishtja e saj, por nga rrënjët, nga kripërat minerare që e ushqejnë : ai e ndërmerr analizën në çastin kur, në laboratorët e ideologjisë staliniane, shegertët magjistarë kërkojnë të ndryshojnë përbërjen e kriprave minerare. Duke parodizuar me titullin e një vepre të Enver Hoxhës, mund të përmblidhet një pjesë e mirë e veprës së Kadaresë nën emërimin : « Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së përjetshme ». Duke dashur ta izolojë elementin e përjetshëm, Kadare e thjeshtonte periudhën socialiste në një epifenomen, të përkohshëm por të frikshëm, nëpërmjet pushtetit të vet venitës. Pa dashur të mahnisë kritikët letrarë të një çasti të dhënë, ai regjistrohej në kohë dhe kandidonte për të mëtejshmen. Ikona e restauruar do të ishte garanci për të, ndërsa vetë historia mund të gjykonte mbi pjesët. Por çfarë ikone do merrte për garanci ? A është e sigurt se ajo është restauruar me besnikëri të plotë ? Sepse paradoksi është i tillë që Kadarea nuk pranon në tekstet e tij etiketën e romaneve historikë. Jemi njëqind lega larg natyralizmit.

Para se të jetë estet apo roje i muzeut Shqipëri, Kadarea është një krijues, dhe ngasja duhet të jetë e madhe për të ndërhyrë, për të dhënë shpjegimin e vet të ikonës, madje edhe për ta përdorur mitin në shërbim të përfytyrimit të tij të botës ; dhe Kadarea bën pjesë ndër ata shkrimtarë që kanë krijuar një grilë leximi, nëpërmjet së cilës ata filtrojnë historinë, dukuritë e saj, zbulojnë lëvizjet bazë ku mbështetet evolucioni i gjërave. Ai duhet gjithashtu të joshë, duke u shtuar miteve, herë pas here, një të dhënë, një trup të huaj për të krijuar një mit hibrid, të ripërpunuar. Ka qëlluar që lexuesit shqiptarë të përshëndesin faktin që Kadarea u rijep jetë legjendave, « hambari i lashtë mitik » i Shqipërisë dhe që po këta lexues e kritikojnë në të njëjtën kohë për një trajtim tepër subjektiv të legjendave, për një penelatë tendencioze në përpjekjen për restaurim. Tek rizgjon legjendat, shkrimtari ka ndërmarrë hapin e zvetënimit, të çmistifikimit, të çeljes së tyre para botës, duke përfshirë në debat të dhëna të reja, madje tek Kush e solli Dorintinën ? duke thyer një tabu, inçestin (edhe pse nuk përshkohet veçse si telish), gjë që thjesht do shkaktonte skandal në Shqipërinë e viteve 70. « Variante të tjera sipas Kadaresë » të këtyre miteve pothuaj nuk kanë shkaktuar dallgë. Kadare nuk mund të kënaqet me interpretimet zanafillëse dhe sipas tij, miti, edhe pse mund të vishet me maskën e një tabuje, priret të shpjegojë të tashmen. Debatet, indinjata që shkakton tek disa tregimi i tij Dritë hëne, më 1985, janë një dëshmi e tillë : me t’u botuar, teksti u ndalua, kopjet u tërhoqën nga shitja. Në atë Shqipëri që do varroste Hoxhën dhe ende nuk i kish larë tërë hesapet me njëfarë « turpi shtetëror », Kadarea kishte shkuar tepër larg.

Marrëdhënie të dykuptimta me Partinë

Vija e angazhimit kadarean ka mundur të shfaqet po aq e spërdredhur sa një rrugë shqiptare, për të njëjtat arsye madje, sepse duhej doemos t’u bihej qark disa pengesave të pakapërcyeshme. Megjithatë, ashtu sikurse vetë rruga në njëfarë distance, angazhimi i tij merr më së miri të njëjtin drejtim me vitet, ndjek një fill, pavarësisht nga shmangiet : shkrimtari nuk endet në një labirint ; çka është, à posteriori, me interes për t’u studjuar, është pikërisht rruga që ka përshkuar. Kadarea, që nga mosha dhjetë vjeç, nuk ka njohur veçse komunizmin dhe në atë botë u rrit e mori edukim. Në mbarim të studimeve, ende nuk e ka teserën e anëtarit të Partisë së punës, por shkruan poema lëvduese për Shqipërinë e re, atë që ngre lart propaganda. Si çdo poet filiz, njeh dhe duron rregullin sipas të cilit për të botuar një përmbledhje, duhet t’i kushtosh të paktën një poemë lavdisë së Partisë. Në atë kohë, lirizmi i rinisë së tij shpreh një dashuri për idealet progresiste, por poeti nuk ndihet rehat në kornizat e ngushta të realizmit socialist. Ai parapëlqen t’i këndojë kohës së qëndrimit të tij në BRSS, në Jalta, në Moskë apo mbi bregun balltik ; në vitet 60, shpreh daljet e tij të para në Perëndim nëpërmjet përshtypjeve poetike, ka guximin të flasë për vendin ku një shqiptar nuk shkon dot ; gjetiu, kampet borgjeze e revizioniste që ekzistojnë veç « të diabolizuara », nxirë nga shtypi zyrtar. Ikja ! Kjo ide kthehet në mendim të ngulët për çdo shqiptar, që për nga funksioni mund të marrë pjesë në ndonjë delegacion. Ç’duhet bërë atëherë për të qenë në listën e « të deleguarve ? » Prania e Ismail Kadaresë në disa lista nisësish jashtë shtetit u acaronte nervat disave, ngacmonte smirat, dhe në atmosferën e « rretheve të gjera » si ajo e intelektualëve të Tiranës, një hiç merrte përmasa gjigande. Çuçuritej midis fisnikrucësh të Iluzioneve të humbura të Balzakut : « Kadarea ka një veturë »… apo « një vend në avionin për Zyrih », apo « për në Paris »… E megjithatë, çdo nisje për jashtë shtetit ishte thikë me dy presa dhe kish rrezik të kthehej në drejtim të përfituesit. Një intervistë me ton tepër të lirshëm, apo një artikull tepër mburrës në shtypin perëndimor, do të mjaftonin që në Shqipëri menjëherë të lehnin qentë besnikë dhe të shembeshin marrëdhëniet e ndërtuara. Atëherë, gjaku i shkrimtarit gati sa nuk ngrinte ; një « maskë ashpërsie » zinte vend në fytyrën e tij.

Fati i tij të kujton atë të Shostakoviçit. Rrethuar nga brenda prej pronarit, nga jashtë prej kureshtarëve, vitrinë e bukur, fliste në mënyrë të dykuptimtë për të qenë brenda pa e mbajtur veten kurrë për të parë, detyrohej të tregohej i matur sa herë që i dilte rasti për të marrë një ditë avionin… « Vendi im nuk më duket dhe aq i izoluar sa ç’thonë », do t’i shpjegonte kësisoj gazetës le Monde, më 1986, kur regjimi ende e detyronte të mos merrte pjesë në Apostrophes, për shkak të pranisë të një autori anglo-sakson. Kontakti me shtypin e huaj mund të kthehej në mundim, aq shumë i duhej zhonglonte pa e shitur shpirtin, të vetçensurohej para se të mendonte nga vetvetja, të tregohej më finoku që të mund të dekodohej prej disave, por pa i thartuar të tjerët… Më pas, kthimi në vend ishte si një ushtrim tjetër akrobacie… Megjithatë, në Perëndim, sikurse në Shqipëri, ai që dilte periodikisht nga Vendi i Shqipeve mbahej për i privilegjuar. Më 1972, Kadarea ishte bërë anëtar i Partisë së punës, në moshën tridhjetë e katër vjeçare. Thotë se nuk kish nga t’ia mbante, në fund të viteve 60 – duke shkruar romanin Dasma që tani e hedh poshtë,  – përballë sulmeve të dogmatizmit rrethues. Asnjë entuziazëm nuk e shtyu të marrë teserën e Partisë, por ndoshta thjesht presionet e jashtme dhe një instikt mbijetese, që e shtynin të mendonte se me t’u bërë « anëtar », do kishte më hapësirë, siguri në jetë, në zhvendosje apo për botimin e librave. E ku ka gabuar atëherë, nëse vërtet kjo ishte përllogaritja që bënte ! Sepse, pikërisht, duke filluar nga kjo periudhë, retë e zeza nisin të grumbullohen…

Më 1970, kur ende nuk është anëtar partie, Kadare është zgjedhur deputet i Tiranës. Në Lindje, le ta rikujtojmë, parlamentet nuk ishin veçse dhoma regjistrimi dhe funksioni i deputetit që Kadarea « ka pasur » deri më 1982 nuk i dha mundësi veprimi për kurrfarë gjëje dhe as mundësinë më të vogël pushtetore. Me veprën e tij dhe vetëm me të, ai ka qenë dhe mund të jetë ende dobiprurës për kombin shqiptar. I zgjedhur deputet : pa një ditë të bukur emrin e tij në një listë të të « zgjedhurve » pa e kërkuar ndonjëherë këtë post ; sipas një metode të errët përqindjeje të paracaktuar, regjimi ja që kish nevojë për një shkrimtar, meqë vendet e tjera në Kuvend ishin zënë nga ingjinierë, punëtorë, etj. Ç’duhej bërë ? Të kundërshtonte ? Do ishte gabim i rëndë me pasoja, veprim subversiv ! Kush nuk ish hapur pro, dyshohej thjesht për kundër. Mendimi i Robespierit, futur nga vetë Hoxha, sundonte në vend. Në parathënien e tij për përkthimin frëngjisht të Proçesit të Kafkës, Bernard Groethuysen e përmblidhte tërthorazi, duke folur për Joseph K., atë çka do të ishte rregulli bazë te Kadarea : « Që nuk jeni i lirë, gjithçka e provon këtë. Përpiquni atëherë të thoni jo për çfarë të mundni. Gjithçka të detyrohet, gjithçka është atje. »

Atëherë, pranimi ? Apriori, kjo nuk të zotonte për asgjë, e megjithatë, – po kush mund ta merrte me mend ? – ishte si të fusje një këmbë në grackën që regjimi ngrinte për të kompormentuar të gjithë ata që guxonin të pretendonin për një famë « ekstra-revolucionare ». « Populli dhe Partia ju ngrejnë në majë të Olimpit, por nëse nuk i qëndroni besnikë, ju hedhin në greminë », do t’i ketë thënë një ditë Kadaresë Ramiz Alia. Gremina ! Fare mirë do e kish njohur nga afër pasi i dorëzoi pa kujdes botuesit një poemë titulluar Pashallarët e kuq, më 1975, ata « pashallarë të kuq…që çojnë në varr arkivolin e Revolucionit ». Do qe flakur në të edhe gjatë verës e vjeshtës së vitit 1973, gjatë fushatës së shtypit që shpërtheu kundër Dimrit të Madh, orkestruar nga Enver Hoxha. Lëvizja nisi nga provinca për të mbërritur më pas në Tiranë. Vetë Hoxha u shpreh për romanin në vjeshtë, gjatë një fjalimi në Elbasan. Por kush e ndërpreu befas fushatën ? Një mirësi e papritur e tiranit, që deshi të shmangte në Perëndim dhuratën e një Pastërnaku të ri duke « e hidhëruar » kështu Shqipërinë me një çmim Nobel disident ? Ose të qe vallë, më prozaikisht, infarkti i ri me të cilin u godit diktatori në tetor 1973, që ia largoi Kadarenë nga mendimi ? Nga viti në vit, Kadarea kaloi me sukses një pistë të gjatë me pengesa. Është e vështirë të japësh, në Perëndim, shpirtin « fshataresk » në të cilin ishte zhytur Tirana, ku sundonte një baraspeshë pushteti midis klaneve, ku thashethemnaja kishte shtruar postiqet, përhapur nga vox populi, shërbimet e fshehta apo smirashët e tërë kategorive ; qytet ku inteligjenca, tepër e mbikëqyrur, ishte katandisur të takohej në tre a katër kafene mbushur me mikrofona ; qytet-Janus, po aq sa stalinian edhe mesdhetar, ku mbretëronte kallzimi e dyshimi, qytet ku miqësitë e vërteta ishin nga pasuritë më të çmuara dhe merrnin një vlerë të pazakontë për Perëndimin ; qytet i banuar nga nocionet e besës dhe mikëpritjes, të cilave regjimi donte t’i zëvendësonte vetëm me ksenofobinë ; qytet, ku intelektualët ishin tërësisht të magjepsur pas Perëndimit, Parisit… E pamundur të shprehësh në disa rreshta frymën e këtij kryeqyteti baritor, që nuk munëronte më shumë se 200 000 frymë, përfshirë që atëherë në faqet e Dimrit të Madh dhe të Koncertit.

Drejt  prishjes

Asnjëherë Kadarea nuk ra në greminën që i kurdisnin ndoca. Në sytë e disa funksionarëve të lartë mediokër, ai përbënte një rrezik, por mediokër të tillë, nuk bënin gjë tjetër veçse nënvlerësonin forcën e shkrimeve të tij ; për mendjet e mbara që çanin një shteg drejt sferave të larta, ai mishëronte një vitrinë dobiprurëse për Shqipërinë në sytë e botës së jashtme, por një vitrinë që lypsej të mbikëqyrej nga afër.

Në këtë mjedis të ngushtë, ku të gjithë « haheshin me shoshoq » apo mbështesnin heshturazi njëri-tjetrin, urrejtjet, smirat dhe simpatitë u desh të baraspeshoheshin për të bërë të mundur që Kadarea t’i shpëtonte greminës, edhe pse mjaft herë, e shpunë në buzë të saj për ta kërcënuar me rrezikun që e priste. Megjithëse i qortuar nga kritika, madje dhe nga pushteti (më 1982), i detyruar nga viti 1975 gjer më 1978 të mos botonte romane, shkrimtarit iu propozuan (imponuan) gjithashtu funksione nderi. Ai ishte anëtarësuar në Partinë e punës më 1972. I nderuar jashtë, nuk kish si të jetonte në hije në Shqipëri, por duke qenë gjithnjë « një i dyshimtë » për ministrinë e Brendshme, iu besuan poste nderi. U bë kryeredaktori i Lettres albanaises, botuar në shqip, por edhe në frëngjisht, u emërua gjithashtu nënkryetar i Frontit demokratik, funksion tërësisht përfaqësues në gjirin e kësaj organizate mase që numëronte katërmbëdhjetë nënkryetarë për një presidencë të gjithfuqishme : Nexhmije Hoxha, Lady Makbeth shqiptare, e veja e tiranit. Si të kundërshtonte ? Kur aq shumë do e kish dëshiruar ? Kadarea tashmë e dinte se me kalimin e viteve, rrezikonte veç burgun ; e dinte se një « aksident » ndodh shpejt, se autoritetet mund ta organizonin në fshehtësi… Ah ! sikur edhe ai të kish pasur të drejtën e disa muajve për errësirën e një qelie ! Ndërgjegja e mirë e vetë Perëndimit, kapur pas situatash thjeshtësuese, antikomuniste gjer në palcë, do kish ulëritur në këtë rast kundër poshtërimit që po i bëhej këtij Solzhenicini ballkanik, dhe ndoshta do krijoheshin komitete, do qarkullonin peticione ! Një burgosje e tejzgjatë veç do ngjallte detyrimisht respektin e intelektualëve parizianë… Por burg nuk pati. Atëherë, me artin e skematizmit që karakterizon disa prej tyre, këta intelektualë nuk panë te Kadarea veçse një « të afërm të së vesë [të Enver Hoxhës], deputet nga 1970 gjer më 19821 » dhe konkluduan drejtpërdrejt se në bazë të këtyre fakteve, « Kadarea është pjesë e sarajeve2 ». Çfarë do kish ndodhur nëse shkrimtari do kish hedhur vickla, do kish shpallur hapur armiqësinë ndaj regjimit ? Me siguri vetvrasja e ngadaltë, nëpërmjet mbytjes. Meqë do mbahej përherë e më shumë në një heshtje shterpë, Perëndimi do e kish harruar, duke i qëmtuar gjetiu Havelët dhe Pliuçët e vet. Heshtje shterpë, ndërkohë që me botimin aty-këtu të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, kish filluar të flitej me terma pozitive për Shqipërinë dhe kulturën e saj. Po riflitej për Shqipërinë e përjetshme. Pikërisht ky rezultat e nxiti shkimtarin për « të restauruar ikonën » gjer më 1990.

Një ikje në mërgim, a do t’i kish shërbyer diçkaje më 1983, kur ky mendim i erdhi Kadaresë gjatë një vizite në Paris ? Në gjendjen e atëhershme, mund të mendohet se regjimi shqiptar do e kish « tretur » këtë dezertim nëpërmjet shpifjes. Më 1983, tirani kishte hyrë praktikisht në fazën e vet të agonisë, dhe me të drejtë shpresohej se Ramiz Alia, princi trashëgimtar i nomenklaturës, do të bëhej një despot më i ndritur. Nuk ndodhi kështu, sepse klanet në pushtet përgjonin shoshoqin, neutralizoheshin, dhe në çdo rast mund të tregonin se deri në ç’pikë tjetri qenkësh i korruptuar dhe « social-tradhtar » : llogari në Zvicër, përvetësime të fondeve publike… Kadarea duroi deri në tetor 1990 për të ikur në mërgim (ose më mirë, sipas shembullit të Tomas Manit, nuk u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit). Priti për t’u larguar gjersa regjimi të paraqitej mjaft i dobësuar. Gjatë verës 1990, pas disa hapjeve, pushteti u ashpërsua. Për Kadarenë, kjo ishte një disfatë e re e inteligjencies. Kupa ishte plot me atë çka deri atëherë ai kishte kritikuar ashpërsisht më shumë : me mediokritet dhe zell të shërbenjësve. Mediokritet i aparatçikëve, i përgjegjësve të sigurimit, i intelektualëve rrogtarë, i smirashëve. Sipas këtij shkrimtari të pamëshirshëm ndaj rëndomtësisë, vendi po vdiste nga mediokriteti i udhëheqësve të tij. Ajo çka ai përllogariste me mendje të kthjellët ishte që të shkaktonte një tronditje të domosdoshëm për « rigjallërimin » e vendit. Fare mirë ai mund të qëndronte, përderisa gjendja po fermentonte. Por nuk mund të mohohet megjithatë se largimi i tij luajti një rol katalizatori. Nga njëra ditë në tjetrën, mendjet e zamkosura në pritshmëri, veç kur u gjendën përballë problemeve, dhe të gjithë, nga ishin e s’ishin, u ndodhën përpara urgjencës për t’i bërë ballë. Mërgimi i Kadaresë shpejtoi reformat dhe lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ishte zanafilla e rënies së stalinizmit. Disa e qortuan se u largua në një çast vendimtar : do kish luajtur një rol më të rëndësishëm në vend, thonin ata. Por gjatë lëvizjes studentore të vitit 1990, emri i tij ishte në gojën e tërë kundërshtuesve të regjimit, dhe në euforinë e atyre ditëve të ethshme, disa shihnin tek ai presidentin e një Shqipërie demokratike. Duke u larguar, duke e bërë mbarë botën të flasë për Shqipërinë, Kadarea ruante sërish figurën e vendit të tij. Të restaurohej ikona ! Ngrinte lart krenarinë e atij kombi duke përcaktuar kufijtë e së durueshmes. Por tek disa shkaktonte një shqetësim. Përse po ikën ? Ç’do të bëjë atje? Regjimi kërkonte të jepte për të pamjen e një tradhtari.

Një ambasador jashtë të zakonshmes

I dobishëm në vend vërtet, por nuk është se s’u përpoq. Qëkurse dara kish nisur të lirohej, Kadare kish përdorur ndikimin e tij shumë herë me radhë për ta shtyrë regjimin drejt demokracisë. Duke ndjerë se çka ishte e pamundur dikur, po bëhej pak nga pak e mundur, jepte intervista kritike, takonte politikanë, gjer edhe te presidenti Ramiz Alia, për ta bindur për drejtësinë e reformave. I duhej dhënë fund atij kulti të asketës kombëtare. Në pranverë 1990, takon Ramiz Alinë. Takim tjetër me Alinë, mes intelektualësh, gjatë verës, këtë herë për të kërkuar pluralizmin. Por periudha e hapjes kish përfunduar ; pushteti mblidhet në guaskë, nis të kërcënojë : mos shkoni larg ! Gjatë këtyre muajve të gjatë pritjeje, romanet e Kadaresë, a veprojnë vallë në ndërgjegje, apo mos kemi të bëjmë thjesht me një hamendësim? Dhe duhet të jetë sidoqoftë një pohim pafuqishmërie që e shtyn në tetor 1990 të kërkojë strehim në Francë : e pranon se u largua « duke mos pasur asnjë mjet tjetër për të bërë të njohur qartë dhe plotësisht pikëpamjen [e tij], meqë nuk ekziston në Shqipëri mundësia për opozitë legale […]1 ». Nëse librat do kishin ndikuar mjaft fuqishëm, ai as që do kish nevojë të largohej. Kush mund të masë, dhe me çfarë saktësie, përshtypjen e vërtetë të ikjes së tij në mërgim ? Shpifja ishte zëri i parë që u dëgjua. Kështu, një drejtues i Ministrisë së jashtme shqiptare thoshte : « Kadarea kishte folur për refugjatët si jashtëqitja e shoqërisë shqiptare ; tani, ai vepron si ta. » Pas tre muajve të ikjes të tij në mërgim, dëshirat që ai kish shprehur për vendin u plotësuan : u rivendos liria e kultit, pluralizmi politik, liria e shtypit, fundi i monopolit të Partisë mbi Shtetin… Jashtë shtetit, Kadarea nuk mbetet inaktiv, po kthehet në një lloj ambasadori lëvizës i « Shqipërisë së përjetshme ».

Nëse ky ambasador jashtë të zakonshmes i referohet aq shpesh fondit mitik grek apo ballkanik, nëse i drejtohet aedëve, Eskilit apo Kanunit, këtë e bën jo për mungesë argumentesh, por për njëfarë sprapsjeje që ia dikton mendimi i tij. Për të pasur një grilë leximi të botës lypsen zhalone të tillë që e tejkalojnë kohën. E tashmja nuk është veçse një kursor zhvendosës mbi një ekran të madh. Nëse në ndonjë rast, konkretisht që pas rënies së stalinizmit shqiptar, mund të jetë dukur sikur Kadarea s’ka qenë në sinkron me pragmatizmin e gjithfarshëm të popullsisë shqiptare, kjo vjen ngaqë ai gjykon nga larg, për koherencë, për të mos humbur kohë me epifenomenet. Duke i dhënë fund mërgimit të tij në pranverë 1992, ai vijon ta kalojë shumicën e kohës në Paris, për të përfunduar e lëmuar një vepër përtej-kohës, për të mos qenë i mbërthyer nga luftrat ndikuese, për të mbetur disi mënjanë shpërthimit të etheve. Me vite, ai luan rolin e një balize* që nxjerr rregullisht sinjale, të dukshme për të gjithë. Duke dalë nga forsepsi* i një Evrope për të hyrë në tjetrën, që nuk e do veçanërisht atë, Shqipëria nuk po i jep dot fund mundimeve të veta, dhe megjithë evolucionet politike të kohëve të fundit, disa nyje të lidhura ende nuk janë zhbërë, si ai i Kosovës, së cilës Kadarea i ka kushtuar tregimin Vargu i dasmorëve ngriu në akull, që i bën jehonë ngjarjeve të përgjakshme të Prishtinës në pranverë 1981. Kadare i rikthehet shpesh fatit të këtij rajoni populluar në pjesën më të madhe nga shqiptarë, duke vënë në dukje faktin se në Evropë, nuk ekzistojnë më kombe të tjerë, që të kenë gati gjysmën e popullsisë nën sundimin e një shteti, Serbisë, e cila ia mohon krejt të drejtat. Shkrimtari kërkon të trondisë opinionet, të shmangë harresën dhe nuk ngurron të flasë për « tragjedinë » e Kosovës, për « ferrin që rëndon mbi shpatullat e dy milionë shqiptarëve ». Mbrojtës i flaktë i të drejtave të shqiptarëve, ai e qorton Perëndimin për heshtjen e tij ndaj Kosovës, së cilës serbët i hoqën autonominë më 1989. Ndaj qarqeve pushtetore të Beogradit, ndaj Titos dhe veprimeve të tij mashtruese, ai nuk i kursen fjalët më të ashpra.

Besnik ndaj vetvetes

Qëndrimi i tij, që ka të bëjë me prapsjen, për të analizuar të tashmen nëpërmjet filtrit të së shkuarës, është në fund të fundit shumë koherent me konceptin e kohës që ai zhvillon në veprën e tij, bazuar, për ta përmbledhur, mbi nocionin e rikthimit të përjetshëm. E ardhmja është një formë e së shkuarës, e tashmja nuk është veçse një pllakë e ndjeshme, sikurse çdo tjetër, për të kapur e fiksuar mitin.

Rënia e stalinizmit nuk pati vetëm pasoja pozitive për shkrimtarët shqiptarë. Pasi qenë kërkuar me ngulm – të paktën ata që në shpirt nuk ishin shërbëtorë – pasi qenë përkëdhelur kur shpresa kalonte nëpërmjet tyre, ja tek i shohim të ribien në hije. Statuti i shkrimtarit zhvleftësohet. Të tjera vlera marrin stafetën, më pragmatike, për t’i rënë grepit të peshkimit : paraja dhe pushteti, ëndrrat me çmim të lirë importuar nga Perëndimi. Me zhvillimin e një shtypi « të lirë », secili mund të shajë tjetrin nëpërmjet rrugës së shtypit. Në një botë në hapje të plotë, letrësia nuk është ajo që sjell ëndërrat : ajo sillte atë pjesë të botës që u ishte ndaluar shqiptarëve. Përplasjet e ashpra midis politikanëve e zhgënjejnë shpejt Kadarenë, e bindin në qëndrimin e tij për të mbetur përmbi trazirën. Ashtu sikurse kishte deklaruar në fund të vitit 1990, se mërgimi i tij nuk do të ndikonte pothuaj apo aspak në mënyrën e tij të të shkruarit dhe në « lirinë e tij të brendshme », ai gati s’e ka ndryshuar mënyrën e tij të të menduarit të botës. Disa shpresa janë zhgënjyer, ndër ato që ai shihte tek njeriu. Por fati i tij nuk është i vetëm. Krejt vendet e ish bllokut socialist i zhvleftësuan intelektualët e tyre. Rikthimi i Solzhenicinit u bë në kuadrin e një indiference relative.

Shqipëria nuk u hodh në gjueti shtrigash ndër ata që i llogariste si shkrimtarë apo artistë. Dritëro Agolli, që kryesoi Lidhjen e shkrimtarëve gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve dhe ishte anëtar i Komitetit qendror të Partisë, ruajti një figurë shkrimtari të vlerësuar, si dhe Kadarea. Veçse në këto kohëra, kur ekonomikja dhe politikja janë primare, a lexohet vallë shumë ? Mes katrahurës, Kadarea ndjek me ritëm të barabartë një refleksion për baraspeshat e reja që po vendosen, për atë të shkuar që rizgjohet parreshtur dhe për historinë që përsëritet ; makineria e rikthimit të përjetshëm rrotullohet e rrotullohet. Tregimet Muri i Madh (1993) dhe Kisha e Shën-Sofisë (1994) bëjnë pjesë në atë grilë leximi që e bëjnë Ismail Kadarenë një « ndërgjegje », moskokëçarëse ndaj mënyrave të gatshme-të-mendimit. Cilatdo qofshin dredhat e fatit të tij përmes viteve të plumbta, duhet t’i njihet merita se ka kundërshtuar pushtetin (e vërtetë) kur është shfaqur tek ai, dhe se nuk e ka braktisur rrugës kryqin që ka zgjedhur për ta mbajtur që në rininë e vet.

Shqipëria utopi – Me dyer të mbyllura në Ballkan,

Paris, 1996.

Maurice DRUON*

ISMAIL KADAREA ËSHTË NJË NDËRGJEGJE

Fjala e Z. Moris Dryon, Sekretar i përhershëm i Akademisë Franceze dhe Kryetar i Jurisë për Çmimin Botëror Cino del Duca, gjatë ceremonisë për dhënien e këtij Çmimi Z. Ismail Kadare, më 28 tetor 1992.

Në çastin e parashtrimit të arsyeve që na çuan për dhënien e Çmimit botëror Del Duca Ismail Kadaresë, mendova se s’kish pse të zija e t’i numëroja ato kur gjithçka ishte e qartë. Dhe kjo qartësi e ka një emër : Ismail Kadarea është një ndërgjegje.

Ai mishëron dhe ilustron funksionin më të lartë të shkrimtarit kur ky, me penë për të vetmen armë, ndërhyn në historinë e vendit të tij, pra të njerëzimit, që të bëj të dëgjohet, nën kapën e zezë të shtypjes, fillimisht murmurima, më pas zëri i qartë dhe më në fund klithja e lirisë.

Gjirokastra është një qytet i vogël në Jug të Shqipërisë. Aty lindi Kadarea më 1936, në një shtëpi gjysmë të rrënuar që i ati dhe një fqinj përpiqeshin ta mbanin më këmbë. Ky qytet i vogël mbeti i shtrenjtë në zemrën e Kadaresë, dhe shfaqet shpesh në veprën e tij, si një simbol.

Është tetë vjeç kur diktatura, e vetmja gjatë një historie mijëvjeçare, mbërthen vendin e tij. Ndjek detyrimisht një arsimim dozuar sipas metodës marksiste, makinë konformuese e mendjeve. Por shpejt sheh se ka një botë tjetër, një atdhe tjetër që i duket « më i fuqishëm, i ngjyruar e magjepës ». Kjo hapësirë e lirë, kjo tokë strehuese është letërsia.

Ndjek studimet në Fakultetin e Letrave të Tiranës dhe i përfundon ato në Moskë, në Institutin Gorki, ku formohen shkrimtarët dhe kritikët. Përherë i njëjti kallëp zyrtar e totalitar. Po ku gjetkë do mund të shkonte ? Megjithatë, i hyn letërsisë. Kjo, sipas tij, nuk ka veç një qëllim : të ruajë tempullin. « Për atë tempull, ka thënë ai, shkrimtari duhet të jetë gati për t’i bërë ballë kujdo. Madje edhe kohës së gjithfuqishme. Madje edhe popullit mosmirënjohës. Madje edhe historisë ».  Tempulli, të merremi vesh, është njeriu, individi.

Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçe, Kadare, talent çuditërisht i hershëm, boton vëllimin e tij të parë me poezi, dhe romanin e parë : Kronikë e një qyteti të gurtë**, ku shfaqen tashmë temat dhe procedimet që do formojnë unitetin e veprës së tij.

Pas prishjes midis Shqipërisë dhe Bashkimit sovjetik, Kadare kthehet në tokën e tij të lindjes, ku bëhet gazetar për të jetuar. Shqipëria është atëherë krejt e shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Asnjë këmbim, thuajse, madje as me Lindjen. Ky shtet i vogël kthehet kështu në një botë mbyllur në vetvete dhe nënshtruar ndaj tërë recetave të tiranisë. Megjithatë, revista letrare Les lettres albanaises, që drejton Kadarea, do të shfaqet në frëngjisht, gjë që tregon më së miri se nga Parisi pritet rrezja e dritës që depërton në këtë qilar.

Ismail Kadarea ka shumë të drejtë të besojë në fuqinë e letërsisë. Talenti çan kufijtë.

Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman përkthimi i të cilit botohet në Francë më 1970, i njofton botës letrare të vëmendshme se atje, në Shqipërinë e shtrënguar, është shfaqur  një shkrimtar i madh. Dhe kjo, para njëzet e dy vjetëve.

Që atëherë, rëndësia e Kadaresë dhe fama e tij nuk kanë rreshtur së shtuari, në të njëjtën kohë që zhvillohej vepra e tij, e konsiderueshme dhe e larmishme.

Trembëdhjetë romane, nga Prilli i thyer te Piramida që u botua këtë vit, përmbledhje tregimesh, vëllime me poema, një antologji e prozës shqiptare, një ese e gjatë mbi Eskilin, apo këtë humbës të madh, mjaft tekste të tjerë, të gjitha këto të botuara në dymbëdhjetë vende a më shumë.

Ismail Kadarea është një shkrimtar kontrabande. Dua të them me këtë se fabulën, mitologjinë, legjendat e vjetra turke a shqiptare, apo legjendat e trillëta që i sajonte vetë, ai i ka përdorur si ambalazhe të padëmshëm a të sigurt për të kaluar rrëshqanthi mjetet mendore të lirisë nën hundën e doganës intelektuale.

E dimë nga përvoja, duke qenë se kemi jetuar edhe vetë nën pushtimin, se sa situatat e historisë së largët apo personifikimet e lashta të revoltës mund të jenë, përballë çensurës, mjete ndihmëse për të denoncuar shtypjen dhe për të zgjuar ndërgjegjet.

Nën këto strehëza, dhe falë një përfytyrimi pjellor, Kadarea ka ditur të zbërthejë pamëshirshmërisht mekanizmat me anë të të cilave një pushtet arbitrar mund të rëndojë mbi shpirtrat e të vendosë terrorin.

Kam parasysh librin e tij Pallati i ëndrrave, ku një tiran fabrikon një polici të tërë për të zbuluar deri edhe në gjumin dhe ëndrrat e qytetarëve, të shtetasve, më mirë të themi, çdo shenjë që do mund të kundërshtonte apo kërcënonte pushtetin e tij.

Kam parasysh gjithashtu atë tregim të shkurtër, ku me një urdhëresë shpallej kërkimi dhe eliminimi i të gjithë njerëzve që kanë « syrin e keq ». Dhe gjithkush heton fqinjët, familjen, kalimtarët që kryqëzon në udhë ; dhe kallëzimet lulëzojnë ; dhe arrestimet vijojnë ; dhe ankthi depërton në shpirtra, e gjithsecili veç kur shihet në pasqyrë duke pyetur vetveten nëse edhe vetë ka « syrin e keq ». Përkryerje e tiranisë : ta bësh popullsinë të jetojë nën kërcënimin e përhershëm e hutues të një fajësie të beftë për një krim të papërcaktuar. Mezi mund të flitet për simbol a alegori. E dimë fare mirë se si Stalini dhe tërë konkurruesit e tij në botë kanë shpënë drejt gulakut apo ekzekutimeve kapitale anëtarë të rrethit të tyre thjesht për një këmbim vështrimi.

Kadarea përgënjeshtron – siç e thotë edhe vetë – « klishenë sipas së cilës nuk mund të krijohej letërsi e vërtetë nën një diktaturë komuniste ». Duke e marrë rrezikun në sy, ai krijoi një letërsi klandestine, jo për nga shpërndarja, por për nga vetë përmbajtja ; ai krijoi një mbretëri letrare, duke e ditur fare mirë se « shkrimtari është ndër sovranët më i godituri lehtësisht ». I izoluar, e ka ndjerë veten « si një pemë shënuar me kryq për t’u prerë ».

Nuk i ndodhi kështu.

Historia ktheu.

Dëshmitar i Shqipërisë, dëshmitar për Shqipërinë, Kadarea u bë universal. Këtë çast, jeton në Paris, ku mori strehim politik. Por, tashmë shkon edhe në vendin e tij, ku admirohet dhe, le ta theksojmë, që është një nga vendete Evropës ku frëngjishtja praktikohet më shumë. Dhe Kadarea vijon veprën e tij.

Kjo vepër i përgjigjet më së miri vetë frymës së çmimit Cino del Duca : të nderojë një kontribut që shquhet për humanizmin e kohës.

Andaj, në këtë vit 1992, juria që kam nderin të kryesoj parapëlqeu, i talentuari Ismail Kadare, që ju kam lexuar shumë, por që ju shoh për herë të parë, t’ju zgjedhë për këtë Çmim që do t’ju jepet nga vetë themeluesja e tij bujare.

Alain PLANTEY

Alan Plante (1924), Kryetar i Akademisë Franceze dhe i Institutit të Francës që nga viti 1996, me karierë të ndritur shkencore, juridike, diplomatike dhe autor i mbi njëzet veprave e punimeve akademike.

ROMANCIER I MADH E I HERSHËM

Ceremonia solemne për anëtarësimin e Z. Ismail Kadare në Akademinë franceze të Shkencave Morale e Politike. Seanca e ditës së hënë, 28 tetor 1996, Paris, Pallati i Institutit të Francës.

Fjala e Z. Alain PLANTEY, President i Institutit, Kryetar i Akademisë,

Zoti Ministër,

Shkëlqesia e Tij Z. President i Republikës së Shqipërisë ju ka deleguar për ta përfaqësuar në ceremoninë gjatë së cilës Z. Ismail Kadare do të zërë vendin në cilësinë e anëtarit shok të Akademisë sonë.

Akademia është e ndjeshme ndaj nderit që po i bën Shkëlqesia e Tij Presidenti Sali Berisha dhe nderit që po i bëni ju vetë. Ajo ju përshëndet në mënyrë të veçantë, si dhe Shkëlqesinë e Tij Z. Ambasador të Shqipërisë në Paris dhe kryetarët e tjerë të misioneve diplomatike që nderojnë me praninë e tyre këtë seancë solemne.

Mesazhi që Shkëlqesia e Tij Z. President i Republikës së Shqipërisë na ka dërguar është si më poshtë :

« Zoti President Berisha e konsideron futjen e shkrimtarit të madh Kadare në Akademinë e Shkencave morale e politike si një ngjarje me rëndësi të veçantë për të gjithë kulturën shqiptare dhe si një dëshmi e përpjekjeve fisnike që bën Franca për të bërë të njohur kulturën dhe historinë shqiptare. Shqipëria do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse ».

Akademia është e ndjeshme ndaj kësaj dëshmie dhe falënderon autorin e saj të shquar.

Sipas zakonit, po i drejtohem tani kolegut tonë të ri.

Zotëri,

Akademia e Shkencave Morale e Politike ju ka thirrur kohët e fundit për të pasuar filozofin dhe moralistin e madh Karl Popper, në cilësinë e anëtarit shok. Ju bashkoheni kështu me personalitete të tjera të larta të huaja, sigurisht në numër tepër të kufizuar, duke pasur parasysh internacionalitetin e kulturës dhe shkencës. Sigurisht, Akademia ju njihte tashmë sepse, duke pasur parasysh meritat tuaja të shkëlqyera, ju kishte zgjedhur, më 1989, korrespondent në seksionin e saj të Historië e Gjeografisë. Pas pak, kolegu ynë Henri Amouroux do ketë misionin e madhërishëm të kujtojë karakteristikat kryesore të personalitetit dhe veprës suaj, ku kudo vihen në dukje cilësitë tuaja.

Unë, nga ana ime, do dëshiroja ta shihja këtë anëtarësim tuajin, unanim, në kontekstin e vet ideologjik e historik. Sepse, ndërsa jeni, pamëdyshje, shkrimtar, veprat tuaja në mbarë botën kanë një kuptim të fuqishëm, therrës nga disa aspekte të tmerrshme, që i bën ato të jenë akte politike. Autoritetet tuaja kombëtare nuk kanë gabuar. As edhe turma e lexuesve tuaj, të vëmendshëm për shprehjen e anktheve shekullore të një pjese të Evropës sonë të vjetër dhe të tronditur nga ngjarjet dramatike që po zhvillohen sot atje. Sepse, duke ju zgjedhur ju, ne zgjedhim sigurisht një evropian, por një evropian të një lloji të veçantë, një ballkanik, një shqiptar për më tepër, përfaqësuesin e shquar të një prej kombeve dhe një prej kulturave më saktësisht ballkanike. Nga « Ballkani », domethënë nga malet, nga gadishulli, morfologjia e të cilit është me origjinalitet hutues, tokë kalimi për klima të pamata dhe erëra të egra, kryqëzim rrugësh midis stepës së ashpër dhe butësisë së brigjeve, kryqëzim qytetërimesh. Parë nga avioni, për një aziatik, Ballkani është tashmë Evropë, me horizontet e veta të kufizuara, Evropë me gardhinë, por asnjëherë e padepërtueshme ; për një perëndimor, Ballkani prapë është Evropë, por sa i vështirë për t’u njohur, me fusha të fragmentuara, lugina të ngushta, rrafshina të rrepta, maja honesh, fise të shpërndara. Në Shqipëri, më mirë se kushdo e dini ju vetë, Zotëri. Copëzimit të tokave i përgjigjet copëzimi i popujve. Gjithë vëzhguesit janë në një mendje : duke shkuar madje edhe në neolitik, nuk ekziston njeriu ballkanik, i racës ballkanike. Migrime e invadime mbivendosën shtresa etnike, përzien tipet fizikë, ndërlikuan karakteret njerëzorë dhe marrëdhëniet shoqërore. Pellazgë, dorë, galë, ilirë, skitë, romakë, gotë, bizantinë, hunë, bullgarë, serbë, turq u ndeshën e luftuan. Të gjithë lanë gjurmë, askush nuk unifikoi gadishullin. Feja, si element identiteti popullor, vetëm për këtë fakt ishte një faktor armiqësie, fillimisht midis të krishterësh me bindje të kundërt, më pas e sidomos midis të krishterësh e myslimanësh kur sovraniteti otoman përfitoi nga këto ndarje për t’u ngulur qëndrueshëm nëpërmjet forcës ushtarake, madje dhe në Shqipëri, ku në shekullin XV lufta për pavarësi ngadhnjeu për një çast me Gjergj Kastriotin e ndritur, nën emrin Skënderbe. Që përpara këtij shpërthimi, tërë fuqitë evropiane u joshën nga aventura ballkanike, secila për hesap të vet, natyrisht. Italia romake, sigurisht, pastaj veneciane, dhe më në fund fashiste. Duke ardhur nga Danubi, gjermaniteti austriak e aleman, katolik, por herë-herë aleat me myslimanët, shoqëruar nga dinamizmi hungarez ; thalasokracia angleze që dominonte ishujt dhe portet mesdhetare ; pansllavizmi rus e ortodoks duke u përpjekur të vasalizojë kombet e shfaqura për t’iu afruar porteve ; kultura e lirisë gjithashtu, simbolizuar nga Franca, nga letërsia, drejtësia, filozofia e saj dhe përfaqësuar po ashtu nga sakrifica e ushtarëve të saj, varret e të cilëve janë piketat e përparimit të trupave çlirimtare të Franchet d’Esperey.

Kështu, zënkat që përçajnë popujt ballkanikë i kanë bërë vendet e tyre fusha betejash, ku të huajt kanë ardhur për t’u ndeshur gjatë shekujve. Rivalitetet u shtuan menjëherë pas shpërbërjes dhe shuarjes së mbisundimit otoman. Një çast, sunduesit u quajtën « fuqi me interesa të përgjithshme » dhe u shfaqën si anëtarë të përhershëm të një koncerti evropian, por që shpejt u thye. Problemet strategjike të kësaj pjese të botës janë aq ngulmuese, saqë përballë Ballkanit, nuk ka Evropë të bashkuar. Ballkanikët e dinë, dhe e vënë këtë kartë në veprim.

Përmenda rolin politik, diplomatik e kulturor të Francës në këtë Evropë ende duke u bërë. Me ju, Zotëri, bëhet fjalë pikërisht për një gjë të tillë. Në fakt, popujt ballkanikë, secili në gjuhën e vet ringjallur nga murgjit, poetët, oratorët, në periudhën dhe shembullin e zgjimeve hungareze, polake, çeke, gjetën forcën për të hedhur poshtë sundimin osman. Pas veprës së Sirilit e Metodit, gjuha liturgjike u vendos tek sllavët, dhe më pas gjetiu. Megjithatë, ishin gjuhët e folura Iaike të lashta që, falë letërsisë së shkruar a gojore, u lartuan në godina kulturore gjatë shekullit të kaluar : konkretisht, rumanishtja, serbo-kroatishtja, bullgarishtja, shqipja. Por këto gjuhë të folura jetojnë në mënyrë autonome, aq sa në këtë hapësirë të vogël bashkëjetojnë katër alfabete të ndryshëm, secili në shkrimin e vet. Kështu gjuha, dukuri e natyrshme, erdhi në mbështetje të prirjeve kombëtare në një gëlim të ri, ku Shqipëria dha shembullin. Dukuria kombëtare gjeti shprehjen e vet me shfaqjen e shteteve, të brishtë për aq kohë sa përzjerja e popullsive pengoi pranimin e kufijëve të vërtetë. Fe e gjuhë u bashkuan për të krijuar zënka të pafunda. E vetme, trashëgimtare e popullit ilir të Lashtësisë, por në një hapësirë më të kufizuar nga ajo që zinte, Shqipëria diti, që para Luftës së Parë botërore, të afirmojë në tërësi, identitetin e vet territorial, institucional e gjuhësor mbi themelin e formave organizative dhe shprehëse patriarkale, me origjinë indo-evropiane, dhe ndikuar gjerësisht nga trashëgimia latine.

Megjithatë, kujtesa kolektive e popujve të Ballkanit, dhe konkretisht e popullit shqiptar, mbart gjurmët e shekujve të sundimit otoman, duke qenë se Turqia ushtroi aty një qeverisje politike të ngushtë, tek përzgjidhte drejtues që i vinte në krye të punëve në krejt perandorinë dhe në krye të ushtrive, por edhe tek bënte vjelje taksash, të lashtash si dhe djemsh rekrutë. Me t’u shmangur një shtypje e tillë, pasoi, për fat të mirë jo për një kohë të gjatë, shtypja e konformizmit  komunist, stalnian ose jo, një nga viktimat e së cilës ishte edhe Shqipëria. E krishterë para se të bëhej myslimane në pjesën më të madhe, më pas gjerësisht laike, ky komb kishte ruajtur në gjirin e perandorisë osmane origjinalitetin e vet falë forcës së traditave dhe karakterit të popullit të tij. Romanet tuaja dëshmojnë për këtë. Por atdheu juaj nuk mundi t’i shpëtojë diktaturës së një oligarkie që tregohej maoiste dhe që, më 1967, shkoi gjer aty sa ndaloi praktikat fetare.

Tek ju, Zotëri, shtypja karakterizon njeriun dhe veprën. Ajo ju shtyu përpara, ju dhe talentin tuaj. Ajo ju drejtoi drejt vërtetësisë dhe fuqishmërisë. Romancier i madh e i hershëm, ju lëshuat një mesazh me përmbajtje mobilizuese, duke sjellë në botë, dhe konkretisht këtu, provën e forcës dhe të efektshmërisë së thirrjes drejt lirisë kur është e çiltër dhe gjithë talent. « Vendi i Shqipeve » ishte vendi i diktaturës së fundit marksiste regresive. Këtë diktaturë, ju e luftuat. Vepra juaj e luftoi, vepër tërësisht e drejtuar kundër totalitarizmit, formave të tij të shumta e të ndryshme. Nëse sot, si shumë në Evropën qendrore e ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit liberal, ky Perëndim, prej të cilit në fakt komunizmi kishte frikë, është sidomos falë jush. Këtë thirrje Franca e dëgjoi. Jehona e saj oshëtin në një periudhë turbullire të madhe, kur të gjithë, dhe konkretisht popujt e Ballkanit kërkojnë të dinë se ç’fat mbijetese do njohin pavarësia dhe qytetërimi i këtyre kombeve. Më shumë se gjetiu, në Ballkan përplasjet kulturore kanë qenë nga më mizoret. A nuk na ka trashëguar vetë Greqia e lashtë llahtarën e tragjedive më të këqija ? Por, nga këto drama mizore, a nuk bëri të lindë bukuria më e kulluar ?

Tani, në vend të kultivohen kundërshtitë dhe rivalitetet, le të kërkojmë ngjashmëritë. Të përbërë ose jo në kombe, madje në shtete përreth kryeqytetesh të bukur, popujt ballkanikë nuk kanë bashkëjetuar gjatë shekujsh, madje mijëvjeçarësh, mbi të njëjtën tokë, pa përngjasuar doket dhe zakonet e tyre. Kudo, dashuria për një tokë të vështirë, forca e traditave familjare, kundërvënia midis fshatarëve e qytetarëve, kulti i nderit çuar gjer në krim, shija e lirisë, zelli romantik, lindur pjesërisht nga ilirizmi napoleonian, tërësi karakteresh, ku konstatojmë, mjerisht, fuqinë eksplozive e anarkike, ndërkohë që mund të themelojnë aty paqen, sidomos kur shoqëria moderne e ka zvogëluar forcën e aristokracive dhe të feudaliteteve, ka futur shijen e informacionit të mediatizuar dhe të të mirave të konsumit, ka stimuluar laicitetin në marrëdhëniet midis bashkësive.

E vërteta është se që prej një shekulli, Ballkani ka dhënë e vazhdon të japë shembullin e veçantë të një rizgjimi politik mbështetur mbi ringjalljet kulturore, energjike e spontane. Urrejtja nuk është aty një traditë, ajo është ndërtuar nisur nga një larmi e ligjshme, e respektueshme, për më tepër mbrojtur nga kozmopolitizmi turk. Këtyre popujve të lënduar, elitat e të cilëve ndihen të braktisura, është koha t’u lëshohet një mesazh shprese. Kush më mirë se Franca mund t’u shprehë vlerësimin që meriton secili prej qytetërimeve të tyre, nxitjen në rrugën e lirisë demokratike dhe dashurinë për një Perëndim evropian sot të bashkuar, paqësor e paqësues, po qe se ky vetë nuk bie, nga ana e tij, në njëfarë tribalizmi ngjallur në mënyrë inkoherente ?

Në këtë kuptim gjithashtu, zgjedhja juaj në gjirin e Shoqërisë sonë ka vlerë morale, atë të respektit që secili i detyrohet identitetit dhe origjinalitetit të tjetrit. Qoftë për persona, qoftë për fise apo shtete, parimi është i njëjtë : paqja nuk vendoset as në tokë, as në zemra pa një rikthim në themelet e shoqërive. Në Ballkan, është fjala për atë lidhje pas një qoshku tokeje, për atë zell të solidariteteve tradicionale, por edhe për atë tolerancë të fetarëve e feve, për hapje të rrugëve komunikuese, aq të domosdoshme për mirëkuptimin e ndërsjelltë të njerëzve, për rikthimin e elitave, shumë prej të cilëve janë formuar në Francë, për këmbimin e vlerave dhe ideve.

Cilido qoftë ndërmjetësimi i këtij apo atij institucioni ndërkombëtar, cilado qoftë diplomacia e kësaj apo asaj fuqie të jashtme, vepra nuk mund të jetë veçse sipërfaqësore dhe e përkohëshme nëse përpjekja për disiplinë dhe tejkalim të antagonizmave nuk vjen nga popujt e interesuar dhe veçanërisht nga elitat e tyre. Perandoritë janë zhdukur, por kush nuk e sheh se sa kanë mbetur të ndërvarur popujt e Ballkanit ? Në të ardhmen, fati i tyre do të jetë po aq i lidhur sa në të shkuarën. Fati i tyre i vërtetë është pra të qëndrojnë e jetojnë në harmoni. Ka ardhur pra çasti të sinjalizohet kundërshtia ndaj thjeshtimeve fanatike e të dhunshme, të rikthehet mikëpritja shekullore dhe e shenjtë për të huajin, të bashkohen fiset e kombet brenda respektit të ndërsjelltë të interesave, kulturave dhe feve. Atëherë, origjinaliteti  i gjithkujt mund të përbëjë forcën e aleancës së tyre.

Ju keni treguar, Zotëri, fuqinë etike e politike të mesazhit letrar, kur ky mesazh mbështetet mbi kurajon dhe talentin. Vendi juaj është më së miri mes nesh.



* Nënë Zhigonja apo Zonja Zhigonjë, personazh teatri krijuar më 1602 që përfaqëson një grua gjigande nga palat e fundeve të së cilës dalin një mori fëmijësh. Në formë mbiemërore, thuhet gjithashtu për objekte të ngjashëm, madhësia e të cilave vjen duke u zvogëluar, dhe që mund të futen brenda njëri-tjetrit.

** Që ka të bëjë me manikeizmin, botëkuptimin dualist të së mirës e së keqes.

* Në ekologji, mjedisi biologjik i përcaktuar, që i jep një biosenoze kushte banimi relativisht të qendrueshme.

** Shqip në tekst.

* Fjalim i ashpër.

** Shqip në tekst.

1 Kush e solli Doruntinën?, Muzgu i perëndive të stepës, Hija.

1 Sipas Valeurs actuelles, 12 mars 1990.

2 Po aty.

1 Deklaratë e botuar nga Ismail Kadarea më 25 tetor 1990.

* Shenjë në det për t’u treguar udhën anijeve.

* Instrument obstetrikal në formë pince, që shërben për të kapur kokën e fetusit me qëllim që të lehtësojë daljen e tij në disa raste lindjesh të vështira.  

* Shih f. 630 të këtij vëllimi.

** Titulli në frëngjisht i romanit Kronikë në gur.

© Fotaq Andrea

© Zemra Shqiptare



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët - Ismail Kadare (1) Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Shpatat e “Skënderbeut” në Vjenë nuk janë të Gjergj Kastriotit Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Misteret e Kokës së prerë të «Skënderbeut» Ekskluzive nga Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631 Fotaq Andrea: Botohet antologjia ''Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane'' Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (8) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (7) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (6) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (5) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (4) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (3) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (2) Fotaq Andrea: Pena të arta franceze për shqiptarët (1) Fotaq Andrea: Shën Pali në Durrës Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (3) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2) Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1) Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx