Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes, një akt i domosdoshëm
E marte, 27.01.2026, 06:56 PM
Prof. Blerim Latifi:
Tashmë
po kuptohet qartë: koha në të cilën po jetojmë karakterizohet nga një çarje
rrënjësore e rendit ndërkombëtar liberal që u konsolidua pas Luftës së Ftohtë.
Lufta
e tejzgjatur në Ukrainë, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme,
rivaliteti strategjik SHBA–Kinë dhe dobësimi i institucioneve multilaterale
kanë rikthyer në qendër të politikës botërore një parim të vjetër, por kurrë të
tejkaluar: interesi kombëtar êshtë ligji më i lartë i shtetit.
Në
këtë kontekst, veprimet diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, konkretisht
anëtarësimi në Bordin e Paqes të iniciuar nga presidenti Donald Trump dhe
vizita domethënëse e kryeministrit Edi Rama në Izrael, përbëjnë akte të qarta
të asaj që qysh nga Rishëlje quhet "arsye shtetërore"
Në
historinë e filozofisë politike që nga Tukididi e Ciceroni në antikitet, e deri
te realizmi modern i Thomas Hobsit e Hans Morgenthaut, siguria dhe mbijetesa e
shtetit janë prioritet absolut. Aleancat, vlerat dhe diskurset morale nuk janë
qëllime në vetvete, por mjete që burojnë nga ky prioritet. Shtetet e vogla, më
shumë se kushdo tjetër, janë të detyruara ta kuptojnë këtë ligj të hekurt të
politikës ndërkombëtare.
Pra
anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk duhet lexuar si një
gjest simbolik. Ai duhet kuptuar si një akt i domosdoshëm i lidhjes me qendrën
kryesore të fuqisë globale: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në
një kohë kur Europa është bllokuar nga hezitimi strategjik e ndarjet e brendshe
politike, ndërsa Rusia dhe aleatët e saj, si Serbia, kërkojnë revanshizëm
historik, lidhja direkte me arkitekturën amerikane të sigurisë mbetet garancia
e parë dhe e fundit për sigurinë e hapësirës shqiptare në Ballkan.
Në
të njëjtën linjë duhet kuptuar edhe vizita e Edi Ramës në Izrael. Izraeli nuk
është thjesht një shtet në një konflikt që duket se nuk merr fund kurrë. Ai
është një nyje strategjike ku ndërlidhen interesat e SHBA-së, teknologjia e
avancuar ushtarake, inteligjenca globale dhe diplomacia e fortë. Afrimi me
Izraelin është, në thelb, një investim në siguri, njohje dhe ndikim
ndërkombëtar. Pra për një shtet të vogël, kjo nuk është zgjedhje ideologjike,
por domosdoshmëri strategjike.
Kritikat
e lluzerave majtistë e injorantëve islamistë se këto veprime “cenojnë
ndjeshmërinë morale” ose “rreshtojnë shqiptarët në mënyrë të njëanshme” kanë një të metë thelbësore: ato e
keqkuptojnë natyrën e politikës ndërkombëtare.
Morali,
në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk zhduket, por gjithmonë filtrohet përmes
interesit. Siç do të thoshte Morgenthau, shteti që sakrifikon interesin
kombëtar në emër të një morali abstrakt, përfundon duke i humbur të dyja.
Për
shqiptarët, të ndarë në dy shtete të vogla e të brishta, dhe të rrethuar nga
një histori e gjatë e pasigurive gjeopolitike, universalizmi moral është luks i
papërballueshëm. Pozicionimi dhe besnikëria proamerikane dhe investimi në
aleanca reale janë kusht vendimtar për mbijetesën e tyre në anarkinë
ndërkombëtare që po troket në dyert e botës. Çdo opcion tjetër êshtë rrugë e
sigurtë drejt theqafjes kombëtare, të cilën shpesh e kemi përjetu gjatë
historisë.









