E enjte, 04.12.2025, 10:12 PM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (3)

E enjte, 04.12.2025, 07:29 PM


SHEN NËNË ANGJELINA ARBËRORE (3)

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Familjet fisnike arbërore Arianiti, Muzaka, Kastrioti, Gropa, Bua, Matrenga, Zenevishti etj., ishin të besimit ortodoks dhe një ndër pjestarët e këtyre familjeve ishte i shugruar prift, ose murg, që shërbenin në kishat dhe manastiret ortodokse në trojet e principatave të tyre, madje ndër ata ishin dhe ipeshkëv e Patriark Ekumenik të Kostantinopojës. Jo vetëm burrat, por dhe gratë fisnike arbërore u shquan në ruajtjen e besimit ortodoks, si Mamica Kastrioti e cila rindërtoi kishën e Shen Antonio në Kepin e Rodonit, ku kaloi vitet e fundit të jetës, si dhe ndërtoi manastirin e Shen Kiara i vetmi manastir me murgesha në trojet Arbërore. Edhe Andronika Kastrioti kontribuoi me ndihma për kishat ortodokse, sidomos në kishën e Shen Mehillit, të cilën e frekuentonte shpesh me dhurata. Andronika kishte në pronësi ikonën bizantine Zonja e Jonë e Strehës të Mëkatarëve, të cilën e mbante në dhomën e saj, madje e mori me vehte kur shkoi në Pulja, në Napoli dhe në Valencia. Kjo ikonë e famëshme ruhet në kriptën e Sant’Angeli në manastirin e Trinitetit të Shenjtë të Valencias. Edhe princesha Irena Dushmani, pasi i vranë të fejuarin Lek Zakaria, me ndihmën e françeskanëve të Shkodrës, iku në Sardenja ku u shugrua murgeshë.

Ndër gratë fisnike arbërore, në veçanti u shqua Angjelina Arianiti, e shuguruar murgeshë dhe e shpallur shenjëtore nga kisha ortodokse bizantine: Shen Nënë Angjelina, admirohet dhe nderohet nga besimtarët hungarezë, vllahë, sllovenë, serbë, boshnjakë, rumunë, austriakë, italianë, grekë, kosovar dhe shqiptarë.

Shugurimi murgeshë ortodokse e Angjelinës nuk ishte rastësi, por një vokacion shpirtëror me zanafillë në vitet e fëmijërisë. Nëna e Angjelinës, Maria Muzaka Arianiti shkonte shpesh në kishat në trojet e dinastisë Arianiti dhe gjithmonë merrte Angjelinën e vogël, të cilës i kishte mësuar lutjet dhe pjesë nga ungjilli. Këtë edukim fetar, Angjelina e rrëfen në kujtimet e saj: “Nëna na mbronte me besim në fe dhe me forcë në jetë. Gjithmonë më mbante pranë, më mësonte sekretet e jetës, më merrte në kishën e Shen Marisë në Sopot, ku faleshin para ikonës të Zonjës së Papërlyeme, ndërsa në Kaninë frekuentonin Qishë-Bardhën, ku ishte celebruar martesa e motrës time Andronika me Gjergj Kastriotin. Së bashku luteshim, merrnim pjesë në liturgjitë hyjnore dhe në meshat që organizoheshin në këto kisha”.

Në vitet 1456 – 1462 Angjelina jetoi në Durrës. Në vitin 1461, u martua me Stefanin III Brankoviç. Dasma u zhvillua në Durrës dhe martesa u konsakrua në kishën ortodokse Shen Maria të Durrësit. Në mars të vitit 1463, Stefani III, Angjelina me djalin Gjergji që ishte lindur në vitin 1462 në Durrës, emigruan në Venecia, me shpresë se Serenissima do t’i ndihmonte, sepse Stefani III, ishte patric venecian dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të Gjergj Arianitit me Dozhën Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Në Venecia, fillimisht bujtën në kuvendin Shen Françesku i Dezerto, ku me porosi të Selisë së Shenjtë, i vizitoi Ipeshkëvi i Modena Jakopo Antonio della Terra. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovi?. Enciclopedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 - 94].

Në Venecia, Stefani dhe Angjelina nuk gjetën përkrahjen që shpresonin. Në këto rrethana, u detyruan të shpërngulen në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit në jug-perëndim të Udine, në periferi të qytetit Varmo pranë lumit Taliamento, kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina, ia kishin blerë kontit Leonardo i Gorizia. [Aleksandar Fotic. Despina Mara Brankovi? and Chilandar: Between the Desired and the Possible. Beograd 2000, pp. 91 – 96]

Në kështjellën e Belgradit u lindën tre femijë: vajza Milica (1464 – 1554; u martua me Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë); djali Jovani (1465 – 1502; u martua me Jelena Jakši?) dhe vajza Maria (u lind më 1466, u martua me baronin Bonifaci III i Monferrato. Maria vdiq më 27 gusht 1495). [Biandrate di San Giorgio, Ragionamento familiare f. 473r-v; Goria 1971; Fasolio 2023, p. 519 sgg].

Djali i madh Gjergj Brankovi?i, ishte lindur në Durrës në vitin 1462. Në vitin 1487 u martua me Isabella del Balzo, e bija e Angilberto del Balzo Orsini, duka i Nardò, konti i Ugento dhe Presiçe. Nëna e Isabellës ishte arbëreshia Jelisaveta Milica Spani. Isabella vdiq në vitin 1498. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje kjo ishte arsyeja që e nxiti të dorëzohet murg me emrin Maksim dhe t’i dedikohet jetës manastiriale bashkë me nënën Angjelina. Murgu Maksim ishte dhe metropoliti i Beogradit. Maksimi vdiq më 18 janar 1516 dhe pak vite më pas kisha ortodokse e shpalli shenjëtorë. [Franca Petrucci. Angilberto del Balzo: Dizionario biografico degli Italiani. Volume 36, 1988].

Angjelina me fëmijët jetoi 12 vite në kështjellën e Belgradit. Megjithë premtimet, Republika Oligarkike Veneta nuk e ndihmoi familjen Brankovi?, e cila po kalonte situata të vështira ekonomike. Në një dokument të Arkivit të Shtetit të Venecia, përshkruhet skena kur Stefani III Brankoviç u preznatua para dozhës për t’i kërkuar ndihma: “Il 15 maggio 1472, nella magnifica sala del palazzo ducale di Venezia, il doge si apprestava a concludere la mattina delle udienze e fece cenno al valletto affinché introducesse l'ultimo dei postulanti. Si stagliò, nel riquadro della porta altissima la figura di un vecchio ossuto le cui mani, tese in avanti, denotavano il procedere di un cieco. Con voce querula, propria dei vecchi, egli rammentò di essere fin dal 1453 (30 dicembre) «patrizio veneto» ed inginocchiandosi davanti al doge chiese aiuto e sussidio per la propria famiglia. Si seppe poi che il principe veneto aveva dato disposizioni affinché fossero erogati 25 ducati all'anno al cieco ed alla sua famiglia”. “Më 15 maj 1472, në sallën Madhështore të Pallatit Dukal në Venecia, Dozha vendosi ta mbylli udiencën e mëngjezit dhe i bëri shenjë shërbyesit, të ftonte personin e fundit që kishte bërë këkrkesë për takim. Në portën e lartë të sallës spikati figura e një të moshuari trupmadh, me duart e shtrira përpara, si vepron një person i verbër. Me zërin rënkues si i të moshuarve, rikujtoi se nga fundi i vitit 1453 (30 dhjetor) ishte Patric Venecian dhe duke u ulur në gjunjë para Dozhës i kërkoi ndihmë dhe mbështetje financiare për familjen e tij. Më pas u konfirmua se princi venecian i akordoi 25 dukate në vit për të verbërin dhe familjen e tij”. Në vitin 1475, Stefani III, përsëri i kërkoi ndihmë dhe Venediku i dha 20 dukate nga arka e Udines, por më pas Serenissima ia ndërpreu ndihmat. [Archivio di stato di Venezia, Fondo archivistico del Luogotenente della Patria del Friuli, busta 271, registro F, c. 81 t.]

Më 9 tetor 1476, vdiq dhespoti Stefani III Brankoviç. E varrosën provizorisht në kapellën e Shen Maria në kështjellën e Belgrado në Udine. Angjelina, së bashku me fëmijët qëndroi dhe dy vite në kështjellën e Belgradit, por krahas vështirësive ekonomike, iu desh të përballet dhe me armiqësinë e fqinjëve. Rreth kësaj kështjelle banonin gruppe etnie të ndryshme si italianë, gjermanë, sllovenë dhe arbërorë. Në veçanti, banorët italianë kishin krijuar raporte konfliktuale me Angjelinën, sidomos shqetësimet u shtuan pas vdekjes të Stefanit. Herë pas here ata kryenin veprime provokuese dhe megjithë lutjet e Angjelinës, ata vazhdonin ta bezdisnin. Për të shuar këtë konflikt të nxitur nga banorët italianë, konti Leonardo i Goricia i kërkoi Vendikut, të ndërhynte që këta banorë agresivë të ndërprisnin provokimet ndaj fisnikes Angjelina, sepse ata nuk po e kuptonin se po shqetësonin një simbol të dy kombësive, që ishin pushtuar dhe po masakroheshin nga egërsia e ushtrisë të Perandorisë Osmane. [Mario Giovanni Battista Altan. Stefano Brancovic, Despota Di Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli (Sec. XVI), Venezia 1981, pp. 15 - 28].

Pas vdekjes të Stefanit III, gjendja ekonomike e familjes u përkeqësua. E informuar për këtë situatë, Serenissima urdhëroi luogotenencën e Friulit, t’i dorëzoi Angjelinës dhe katër fëmijëve 10 dukate të artë në vit, për tre vite në vazhdim. [Milko Kos, I Brancovic di Serbia e i conti di Gorizia. "Casopis zaslovenski jezik, knjizevnost in zgodovino», Izdala «Matica Slovenska» v Ljubijani, 1920, pg. 92 e segg.]

Duke parë se ndihmat e Serenissima ishin të pa mjaftushme dhe të përkohëshme, Angjelina dhe kunata e saj Katarina Brankoviç vendosën ta shesin kështjellën e Belgradit. Së pari i kërkuan kontit Leonardo i Goricia ta riblente, por ai refuzoi. Në këto rrethana u detyruan ta hypotekojnë kështjellën fisnikut bizantin Matteo Spaduxhino, kavalier dhe kont palatin, burri i Endokia, kushërira e Katarinës. Konti Spadaxhino ishte në shërbim të perandorit të Austrisë Frederiko III i Absburgëve. Problemet me këtë kështjellë vazhduan dhe në vitet e më pasme, kështu rezulton se Teodori, i biri i Spadoxhino hoqi dorë nga pronësia, situatë që e shfrytëzoi konti Leonardo i Goricia, i cili në vitin 1494 e shiti kështjellën për 3000 dukate të artë, por në një dokument tjetër të më vonshëm rezulton se e ribleu. [Miotti T, Castelli del Friuli, voI. n°, (Il castello di) Belgrado, Castelli del Friul/~ Gastaldie e giurisdizioni del Friuli centrale, Ed: Del Bianco, Udine, 1979, pg. 54 e sgg]. [Franz Babinger, Le vicende del castello friulano di Belgrado sul finire del medioevo, Atti dell'Accademia di Udine, serie VII", voI. Ilo (1957-1960), pgg. 247-248].

Në vitin 1478, Angjelina i dërgoi letër dhe i kërkoi ndihmë Perandorit të Austrisë Frederikut III, i cili e ftoi dhe i dhuroi një kështjellë në Dukatin e Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe me Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi rreth 10 vite në Stiria, me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III. Në Stiria, mori dhe arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III Brankovi?. Në vitin 1485, Perandori Frederiku III Absburg, ndërmjetësoi te Angjelina për martesën e vajzës Maria, me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur. Bonifacio III ishte 61 vjeç, ndërsa Maria 19 vjeçe. Nga kjo martesë, lindën dy djem. Maria jetoi në mirëqenie. Pas vdekjes të Bonifacit III më 1494, bashkë me dajën e vet, Kostantin Arianitin administruan pronat në Monferrato që trashëgoi, por pas dy vite, gjendja shëndetësore e Maries u keqësua dhe në vitin 1496 vdiq. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni: Issue.com, Mars 2014].

Në Stiria, Angjelina frekuentonte rregullisht kishën Shen Maria e Abacisë Benedektine Admont, aty kreu noviciatin dhe në vitin 1480 u shugurua murgeshë. Në vitin 1485, rezulton një letërkëmbim i murgeshës Angjelina me Hirësinë e tij Nikolla Nefoni II, Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës, i cili e kishte të atin arbërore. Angjelina i lutej Patriarkut Nifon, ta ndihmonte për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike. Nefoni II, ndikoi te princi i pasur i Vllahisë Vlad Kalugarul, të mbështeste me ndihma finan-ciare murgeshën Angjelina. Ndihmat e princit, Angjelina i përdori për të hapur disa manastire në Stiria. Nefoni II vdiq në vitin 1508 dhe kisha ortodokse e shpalli shenjëtor në vitin 1517. [Historia politica et patriarchica Costantinopoles, Capitolo X: Patriarca Nipho, (trans. Martin Crusius), 1564, pp. 12].

Në janar të vitit 1486, Angjelina mori një letër nga mbreti i Hungarisë, Mattia Korvino, i cili e ftonte të jetonte në Hungari, por me kusht që të merrnin trashëgimin dinastike dhe djali Gjergji të pranonte dinjitetin e dhespotit të Serbisë, ani se Serbia ende ishte pushtuar nga Perandoria Osmane, por në këtë mënyrë të nxitej populli për të luftuar kundër pushtuesve. Angjelina pranoi ftesën dhe së bashku me dy djemtë, me arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III, nga Stiria shkoi në Vjenë dhe nga aty me anije lundruan në Danub për në Buda dhe vazhduan lundrimin për në distretin e Srem-it në Vojvodina, asi kohe në zotërim të mbretërisë Hungareze. Në shkurt të vitit 1486 u sistemuan në kështjellën e qytezës Kupin (aktualisht Kupinovo), kështjellë që ndodhej në një ishull të lumit Sava. Në Kupinovo Angjelina, tashmë murgeshë, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, serbë, sllovenë e boshnjakë. Një vit më pas ndërtoi manastirin e Obed dhe manastirin në Sretenje ku shërbeu murgeshë. Pranë kishës të Shen Luka, Angjelina ndërtoi një kishë të vogël, të cilën banorët vendas e quajnë Kisha e Shen Angjelinës, e cila u rikonstruktua në vitin 1858, kishë që funksionoi deri në vitin 1930. Edhe në komunën Zakuti (Gruža) është një kishë tjetër e dedikuar Shen Nënë Angjelinës. [Slobodan Mileusni?, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].

Në Srem, në vitin 1498 vdiq Isabella. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje abdikoi titullin e dhespotit dhe atë vit u shugurua murg, sipas rregullave manastiriale mori emrin Maksim dhe shërbeu fillimisht krah nënës Angjelina. Murgu Gjergj Brankoviçi, nga viti 1508 deri në vitin 1516, ishte Metropolitan i kishës ortodokse Hungaro - Vllahe dhe më pas Metropolitan i Beogradit. Në vendin e Gjergjit, titulli dhespot i Serbisë i kaloi Johanit, djalit të dytë. Në një kronikë të Bosnjës, dëshmohet një betejë e madhe e kryengritësve hungarezë, bosnjakë, vllah dhe serbë kundër forcave të Perandorisë Osmane, betejë e udhëhequr nga djali i Angjelinës, dhespoti Johan, i cili në këtë kronikë theksohet si ushtarak i aftë dhe strateg lufte. [Mom?ilo Spremi?. 2004. La famille serbe des Brankovi?, considerations et hèraldiques. Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. 41; pp. 441 - 452]

Më 10 dhjetor 1502, dhespoti Johan vdiq dhe e varrosën në kishën e Shën Luka pranë të atit Stefani III. Pas vdekjes të djali Johani, titullin dhespot e mori Ivani, nga familja kroate Berislavi?. Në këtë situatë, Angjelina dhe murgu Maksim humbën të drejtat e pronësisë, që i ishin njohur me kusht nga mbreti Mattia Korvino, andaj u detyruan të braktisin Hungarinë dhe shkuan në Vllahi, të ftuar nga e bija Milica dhe dhëndërri Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë. Në Vllahi qëndruan 7 vite, ku Angjelina u impenjua në organizimin e kishës ortodokse vllahe, ku ndërtoi disa kisha dhe manastire.

Duke parë se ajo vetë nuk ishte në gjendje të mbante të gjithë manastiret, i shkruan një letër prekëse Princit Vasili III Ivanovi? - Grand Duka i të gjitha Rusive, të cilit i kërkoi të ndihmonte për mbarëvajtjen e këtyre manastireve. Në këtë letër Angjelina i shkruan: “Pushtetit tonë po i vjen fundi, ndërsa i tëndi sa vjen e rritet, prandaj ju kërkoj të marrish përsipër detyrën, për tu kujdesur e për të ndihmuar kishat dhe manastiret e shenjta, të ngritura prej të parëve tuaj të përshpirtshëm dhe nga të parët e mi”. Natyrisht Vasili III Ivanoviç e mirëpriti kërkesën e murgeshës Angjelina dhe i dërgoi ndihma, që i garantuan mbarëvajtjen dhe aktivitetet e kishave dhe të manastireve, që ajo kishte ngritur në Vojvodina dhe në Vllahi, si dhe më pas i përdori në ndërtimin e Lavrës të Krušedolit. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovi?. Enciclo-pedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 - 94].

Në vitin 1509, me ndihmën e nipit Jakši? Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia në malin Fruška Gora të Vojvodinës, ku në Krušcedol ndërtuan manastirin e murgeshave. Në vitin 1512, në kishën e këtij manastiri u varrosën lipsanet e Stefanit III dhe të Johanit, të cilët ishin kanonizuar shenjëtorë nga kisha ortodokse. Katër vite më pas, në këtë manastir u varros dhe djali Maksim - mitropoliti i Beogradit, i cili vdiq më 8 janar 1516 dhe ai u shpall shenjëtor nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol është santuar i rëndësishëm dedikuar Virgjëreshës Maria. Manastiri quhet dhe “Fari shpirtëror” i orto-doksisë. [Mom?ilo Spremi?, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4].

Litografi e Manastirit në Krušedol, realizuar në vitin 1775 nga Zaharija Orfelin.

Fotografi aktuale e Manastirit me kishën në qendër, ku janë vendosur lipsanet e Shën Angjelinës, të Shen Stefanit, të Shen Johanit dhe të Shen Maksimit.

Në manastirin e Krušedol, Nëna Angjelin hapi një mencë dhe ndërtoi një fjetore për pelegrinët e shumtë që vizitonin dhe luteshin në kishën e Manastirit. Aty krijoi një bibliotekë të pasur me libra. Në një dokument dioqezian, Ipeshkëvi i Dioqezës të Srem-it, thekson: “Angjelina, nga prindërit kishte marrë edukim arsimor të shkëlqyer, çka e shprehte me dashuri për librat dhe me bibliotekën e pasur që kishte krijuar në Manastirin e Krušedol. Angjelina ishte grua e bukur, e mençur, kurajoze dhe me dashuri të madhe për librat”.

Një ndër veprimtaritë e veçanta të Nënë Angjelinës ishte mbledhja e bimëve mjekësore dhe përgatitja e çajrave të shumtë, që i përdorte për kurimin e të sëmurëve, që frekuentonin manastirin dhe të banorëve të kësaj zone. Me boçet e trëndafilave të egër, të pasura me vitamina C, Angjelina përgatiste një çaj që ua jipte fëmijëve dhe pelegrinëve të sëmurë, ndërsa me gjethet e trëndafilave përgatiste shirupin aromatik dhe të shijshëm, që murgeshat, banorët dhe pelegrinët e quanin “Shirupi i Nënë Angjelinës”. Çdo vit në manastirin e Oreškovica, në nderim të Shen Nënë Angjelinës, tradicionalisht prodhojnë shirup trëndafili dhe çajra të ndryshëm me bimë mjekësore, ndërsa me frutin e trëndafilave (boçia e kuqe) përgatisin marmallata, shirupe, çaj dhe likò me emrin e Shen Nënë Angjlinës. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Brankovi? Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 - 14].

Krahas rolit si Badessa - kryemurgesha në organizimin e aktiviteteve në manastire, për lutje, liturgjitë ungjillore dhe meshat me murgeshat, Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje besimtarët vendas dhe pelegrinët që vinin nga trevat e tjera, insistonin ta takonin të merrnin bekimin nga kryemurgesha. Si murgeshat dhe besimtarët që vizitonin manastiret e saj i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e përkushtuar.

Në një dorëshkrim të një murg anonim që shërbente në manastirin e Krushedol në shekullin XVI, për krymurgeshën Nënë Angjelina thekson: “Në shërbimet e të adhuruarës Angjelina shpreheshin virtytet e krishtera të jetës së saj askete, mëshirmadhësia, durimi dhe mençuria, përkushtimi i saj si bashkëshorte dhe sakrificat e Nënës, sepse ajo i ishte e përkushtuar tërësisht Zotit”. Në një paragraf tjetër, murgu anonim shkruan: “Nënë Angjelina ishte burrneshë, trime, këmbëngulëse, e papërkulur para vëshirësive, e përkush-tuar besimtarëve që e takonin, e lidhur shpirtërisht më pjestarët e familjes, andaj i mori me vete lipsanet e bashkëshortit Stefani III dhe të djalit Johani dhe i vendosi bashkë në manastirin Krušcedol, ashtu si dikur vepronin rreth Testamentit të Vjetër, me bindjen se lipsanet e tyre do të ndihmonin në shërimin e të sëmurëve, kësisoj do të bënin mrekulli”. [Franz Babinger, Das Ende der Arianiten, Miinchen, bei CB. Beck (Accademia di Scienze lettere e arti di Monaco di Baviera), Wien Verlag 1960 pg. 15].

Gjatë viteve të shërbimit të devotshëm si murgeshë, vetëm rreth Fruška Gora, Nënë Angjelina ngrijti 35 manastire, të cilët shtrihen në një territor 50 km të gjatë e 10 km të gjërë. Në shekujt XV – XVII në këto manastire strehoheshin klerikët dhe banorët e përndjekur nga pushtuesit osmanë. Ndër 10 manastiret në luginën dhe në malin Ov?ar, me i preferuari nga besimtarët ishte manastiri i Trinitetit të Shenjtë dhe Anuncionit në Sretenje, sepse aty Nënë Angjelina organizonte festën e ditës të Purifikimit të Virgjëreshës dhe të takimit të Jezu Krishtit me Simonin.

Mosha dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion nga murgeshat.

Më 30 korrik 1520, e adhuruara dhe shumë e dashura Nënë Angjelina ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat, murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina. Një vit më pas, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krushedol, i vendosën krah varrit të Stefanit, Johani dhe Maksimit. Një vit më pas, Kisha Ortodokse e shpalli shenjëtore Shën Nënë Angjelina.

Pjesa IV vijon në numërin e ardhshëm



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (2) Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (1) Lutfi Alia: Kongresi XVI mbarëkombëtar i pneumologjisë shqiptare Lutfi Alia: Prof. Luan Tashi në artet pamore, muzikore dhe në studimet historike Lutfi Alia: Mbretëresha Teuta dhe lufta e parë romako-ilire Lutfi Alia: E drejta romake dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit (IV) Lutfi Alia: Ritet e vajtimit dhe të gjamës - Apologjia e jetës në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe në kanunet e tjera shqiptare (III) Lutfi Alia: Elemente të ligjeve të Gortyna helene të Kretës, të pranishme në Kanunin e Lekë Dukagjinit (II) Lutfi Alia: Elemente të drejtës antike helene dhe romake në Kanunin e Lekë Dukagjinit (I) Lutfi Alia: Meditime – Jonufër, korrik 1966 Lutfi Alia: Bektashizmi Lutfi Alia: Tempulli Diana i Kandavias (II) Lutfi Alia: Andronika Arianiti Komnena Kastrioti, jeta në oborret e Mbretërisë së Napolit dhe të Spanjës Lutfi Alia: Kandavia - Treva, malet, rruga dhe tempulli Diana Lutfi Alia: Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe Andronika Arianiti Kastrioti, në tre operat muzikale të shekullit XVIII Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (III) Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (II) Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (I) Lutfi Alia: Xhubleta iliro-arbërore-shqiptare (2) Lutfi Alia: Xhubleta iliro-arbërore-shqiptare (I)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx