Speciale » Alia
Lutfi Alia: Andronika Arianiti Komnena Kastrioti, jeta në oborret e Mbretërisë së Napolit dhe të Spanjës
E diele, 01.09.2024, 07:00 PM
ANDRONIKA ARIANITI KOMNENA KASTRIOTI,
JETA
NË OBORRET E MBRETËRISË SË NAPOLIT DHE TË SPANJËS
Nga
Dr. Lutfi ALIA
Andronika Arianiti Komnena, e bija e princit Gjergj
Arianiti dhe Maria Muzaka, u lind në vitin 1428. Në moshën 23 vjeçe u martua me Gjergj Kastriotin,
Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae). Dasma vazhdoi një javë. Martesa u celebrua
më 21 prill 1451 me ritin ortodoks në kishën QishBardha në Kaninë. Lidhja
martesore dhe bekimi ungjillor u celebruan më 23 prill 1451 në kishën Shen
Maria të Manastirit ortodoks të Ardenicës. Më 26 prill 1451, martesa u celebrua
me rit katolik në katedralen e Krujës. Në dasëm morën pjesë zevendës-mbreti i
Napolit, ambasadori i Serenissima, përfaqësues të mbretërivë të Spanjës, të
Hungarisë, të Polonisë, të Dukatit të Milanos, të Dukatit të Urbinos, të
Republikave të Firences, të Sienës e të Raguzës etj. Ndër dhuratat për Andronikën,
dallohet një kameo, me portretin e Gjergj Kastriotit, të gdhendur në gurë të
bardhë onyx, dhuruar nga Francesco Foskari, Dozha i Republikës së Venecias.
Nga martesa e
Gjergjit me Andronikën, më 26 prill 1454 lindi djali Gjoni II, të cilin e pagëzuan
më 24 qershor 1454, ditën e festës të Shën Gjon Pagëzorit. Gjoni II u pagëzua
në katedralen e Krujës me ritin katolik nga Raymondo D’Ortosa, i deleguari me
prokurë nga Alfonsi V Aragon, mbreti i Napolit ndërsa kumbari i Gjonit II ishte
Ferrante I, djali i Alfonsit V, mbreti i Napolit.
Andronika, Zonja e
parë e Arbërisë, gëzonte admirimin, stimën, respektin dhe nderimin e mbarë
popullit arbëror, sepse të gjithë shihnin te Andronika zonjën fisnike e
guximtare, nënën e përkushtuar dhe të përzemërt. Ajo shquhej për karakterin e
fortë, për mençurinë dhe dinjitetin, si përshkruhet në mijëra vepra të autorëve
të huaj dhe shqiptarë, të dedikuara Gjergj Kastriotit. Andronika u shqua për
aftësi të admirushme në përballimin e vëshirësive dhe të vuajtjeve që kishin
krijuar sulmet e vazhdushme të ushtrisë barbare të Perandorisë Osmane.
Andronika, bashkëshorte besnike dhe kurajoze, iu ndodh pranë dhe e mbështeti
Gjergjin në rezistencën heroike kundër sulmeve të armiqëve turqë, ashtu
përballoi me kurajo vështirësitë e krijuara nga intrigat e brendëshme dhe nga
tradhëtitë e Hamza Castriotit dhe të Moisi Golemit.
Në vitet 1451 -
1468, gjatë sulmeve të vazhdueshme të hordhive turke kundër Albanisë, Andronika
përballoi një jetë të vëshirë dhe së bashku me te birin, u detyrua të jetonte
në malet arbërore, e bujtun, e mirëpritur me nderime dhe e mbrojtur nga
familjet malësore. Gjatë viti 1467, Andronika dhe djali Gjoni II jetuan në
feudet e tyre San Giovanni Rotondo dhe Monte Sant’Angelo in Puglia. Në janar të
viti 1468 u detyruan të rikthehen në Arbëri, pasi Gjergj Kastrioti ishte sëmurë
nga malaria.
Monografia
“Andronika dhe Gjoni II Kastrioti. Shtëpia botuese “Streha” 2023
Andronika dhe Gjoni II Kastrioti në Mbretërinë e Napolit. (1468 – 1501)
Pas vdekjes të
Gjergj Kastriotit Skenderbeu më 17 janar 1468, Andronika dhe i biri Gjoni II, u
detyruan të braktisnin atdheun e të shkonin në mbretërinë e Napolit të ftuar
nga mbreti Ferrante I. Në letrën e ngushëllimit të 24 shkurtit 1468, mbreti
Ferrante I i shkruante Zonjës Skënderbega: “E përndritura Zonjë, nënë e dashur,
me keqardhje të madhe u njoftuam për vdekjen e shumë të ndriturit Skenderbe,
burrit tuaj, i cili për ne ishte si një baba … Unë kam dërguar te ju, fisnikun
Ieronimo de Carvineo, kushëriri im, te i cili duhet të keni besim, sepse ai do
t’iu ndihmoi të vini e të jetoni në mbretërinë tonë”. [A. S.N.
Cancelleria Aragonese, Reg. Exterorum, I, c. 205 a: cfr. Trinchera, Cod.
Aragonese, pp. 439 - 440].
Në ditët e para të
muajit mars 1468, Ieronimo de Carvineo, me tre anije arrijti në portin e
Rodonit dhe organizoi lundrimin e Andronikës me djalin Gjoni II dhe të familjarëve. Në fund të muajit mars
1468, zbarkuan në portin e Barit. Bashkë me Andronikën dhe Gjonin II, ishin
Brana Konti Granai Kastrioti me bashkëshorten Maria Zardari (kushërira e
Andronikës), personeli i shërbimit dhe reparti i ushtarëve napolitanë, që
kishin shërbyer në mbrotje të kështjellës së Krujës.
Fillimisht,
Andronika dhe Gjoni II u sistemuan në rezidencën mbretërore të Aragonëve në
Napoli, ndërsa në javën e fundit të muajit maj 1468 u transferuan në një shtëpi
në Castel Capuano e më pas në një shtëpi tjetër në Maschio Angoino - Piazza
Municipio e Napolit. Në një dokument të Kancellerisë mbretërore të datës të 23 maji 1468, rezulton
se mbreti Re Ferrante I, i dhuroi Andronikës 1000 dukate, për të përballuar
jetesën bashkë me familjarët. [Barone N, Le cedole di Tesoreria
dell’Archivio di Stato di Napoli dell’anno 1460 al 1504, nt.7, pp. 225, 607 -
608.]
Më 27 gusht 1469,
Andronika dhe Gjoni II u transferuan në shtëpinë e arbërorit Pietro Kola
D’Alessandro, në Piazza di Jesu, pranë kishës Shen Kiara, në qendër të Napolit,
ku banuan deri në vitin 1477. Për të
përballuar jetesën në Napoli, Andronika kishte mbështetjen e mbretit Ferrante
I, i cili e mbështeti me ndihmoi financiare e me favore fiskale, duke e
përjashtuar nga taksat për feudet e San Giovanni Rotondo e di Monte Sant’Angelo
in Puglia. Ndihmat dhe favoret fiskale vazhduan në vitet në vazhdim, si
rezulton në dokumentat e kancellerisë mbretërore që i përkasin madam
Andronikës, si letrat e 1 tetorit 1469,
të 17 shtatorit 1483, të 20 nëntorit 1488, të 5 majit 1492, të 26
nëntorit 1497 etj. [Arch. St. Napoli, Aragonese, Partium, vol. 6,
c. 41 a-b].
Pas martesës të
mbretit Ferrante I, me gruan e dytë Xhiovana III Aragona e Spanjës (më 14
shtator 1476), mbretëresha e re e mori Andronikën dama e parë shoqëruese, madje
e sistemuan në një dhomë në rezidencën mbretërore, ndërsa Gjoni II me
bashkëshorten Erina Brancovi? Kastrioti, shkuan të banojnë e të
administrojnë feudet e San Giovanni
Rotondo dhe të Monte Sant’Angelo në Puglia, feude që ishin në pronësi të
Andronikës.
Mbretëresha
Xhiovana III, krijoi raporte miqësie dhe konfidence me Andronikën si dama e
parë shoqëruese, këshilltare dhe mike besnike. Kur lindi vajza Xhiovana IV,
mbret Ferrante I dhe mbretëresha Xhiovana III, ia besuan Andronikës kujdesin,
rritjen dhe edukimin e vajzës. Gjatë aktiviteteve zyrtare dhe familjare,
Andronika ishte gjithmonë krah mbretëreshës, si përmendet në kronikat e kohës,
kur Alfonso II Aragona Duka i Kalabrisë inauguròi residencën e tij në qershor
1488. [Volpicella L. Federico d'Aragona ...
Ricciardi, 1908, p. 9].
Më 2 gusht 1485,
mbreti Ferrante I me dekret vendosi t’i këmbej feudet Monte Sant’Angelo dhe San
Giovanni Rotondo, me feudet San Pietro në Galatina dhe Soleto, të cilat i dha
në pronësi të Andronikës. Këmbimin e feudeve, mbreti Ferrante I, e shoqëroi me
një donacion finanziar me 1800 dukate ari, për ta ndihmuar Gjonin II Kastrioti
për një integrim fiskal, në rast se rendita e feudeve të reja, do të rezultonte
më e ulët sa parashikohej. Mbreti Ferrante I i akordoi Gjonit II Kastrioti
titujt e fisnikërisë Duka I i Galatina dhe Konti i Soleto. Në një letër të
Pontano më 26 prillit 1492, dërguar mbretit Ferrante I, shkruan: “Sipas
akordeve të tjera të Madhërisëë tuaj…, i konfirmuam Andronika Kastriotit,
pronësinë e feudeve të reja të San Pietro a Galatina dhe Soleto”. [Monti G.
M. La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i suoi feudi della
vedova e del figlio. Palaver 4, 2015, pp 121 - 184]
Më 25 janar 1494,
vdiq mbreti Ferrante I dhe ne fron u ngjit Alfonsi II Aragon, djali i tij me
gruan e parë Isabella Kiaromonte. Në një letër të 20 tetorit 1494, dërguar
Madama Schanderbega, mbreti Alfonsi II shprehet me komplimenta dhe respekte për
vlerat shpirtërore, për miqësinë dhe besnikërinë e Andronikës ndaj
nënës-mbretëreshë Xhiovana III dhe
Xhiovana IV. [A.S.N. Quinternioni, vol. 23, cc. 302 b, 7 b, doc. X. datato
da Castel Nuovo di Napoli e con la rubrica “Illustris Andronice Cominate uxoris
condam Scandaribech”]
Alfonsi II abdikoi
më 23 janar 1495 dhe në fron erdhi i biri Ferrandino. Më 28 shkurt 1496
Ferrandino u martua me Xhiovanën IV, e cila e mori Andronikën dama e parë e
shoqërimit dhe këshilltare, kësisoj respektoi dhe nderoi shoqërinë e mikes të
nënës Xhiovana III. Kur u rindërtua apartamenti i mbretëreshës Xhiovana IV në
rezidencën e Castel Nuovo, Andronikën e sistemuan në dhomën mbi apartamentin e
mbretëreshës.
Ferrandino vdiq
nga malarja më 7 tetor 1496 dhe froni iu besua Federikut I Aragona, vëllai i
Alfonso II. Mbreti Federiku I vazhdoi të respektoi e ta nderoi dama Andronikën,
si rezulton në letrën që i dergoi, me të cilën, ndërmjet të tjerave i kërkon të
bindi Nënëmbretëreshë Xhiovana III, të heqi dorë nga roli i luogotenentes të
mbretërisë dhe të shkoi në Valencia, pranë të vëllait mbretit Ferdinandi II
Aragona. Xhiovana III e vlerësoi këshillën e mikes Andronika dhe më 1 shtator
1499 shkoi në Valencia.
Në një dokument të
kancellerisë mbretërore e 26 nëntorit 1497, Federico I, urdhëron arkëtarin t’i
japi Andronikës 500 dukate nga rendita e Dukës Gjoni II Kastrioti Skenderbeg.
[Filangieri Riccardo. Rassegna critica delle fonti per la storia di Castel
Nuovo, A. S, Province Napolitane vol. 63, 1938, p. 2]
Në fillimet e
viteve ‘500, jeta e Andronikës u trondit nga fatkeqësitë familjare.
Në vitin 1500 vdiq
stërnipi Don Kostantin Kastrioti, ipeshkëvi i Isernia. Don Kostantinin e
varrosën në kiostrën e vogël të kishës në Kuvendin Santa Maria La Nuova në
Napoli. Në pjesën e poshtëme të monumentit
funerar, është një lapide ku ështe gdhendur epitafi, që ia dedikoi gjyshja
Andronika Kastrioti.
Po në vitin 1500,
vdiq stërnipi tjetër Don Federiko Kastrioti, adhe ai klerik, madje mbreti
Federiku I, i kishte propozuar Papës Aleksandri VI, ta emëronte ipeshkëv në
vendin vakant të vëllait Don Kostantini, por ky propozim nuk u realizua, për
shkak të vdekjes të paapritur të Don Federiko Kastriotit.
Në vitin 1501
Andronika Kastrioti ndodhej në Napoli si dama shoqëruese e Xhiovana IV, si
rezulton në një relacion të janarit 1501, i Francesk Morosinit ambasadori i
Serenissima në Mbretërinë e Napolit, i cili informon Senatin: “Mbretëresha Xhiovana IV, pas
vdekjes të burrti Ferrandino, mbetur e ve në moshën 24 vjeçe, ndodhet ende në
Napoli, në shoqërinë e të devotshmes dhe të admirushmes gruaja e Skanderbeut,
një zonjë fisnike e moshuar, dama e parë e shoqërimit dhe mikja e saj intime”.
Më 2 gusht 1501,
vejusha Xhiovana IV e shoqëruar nga dama Andronika Kastrioti, u larguan nga
Napoli dhe shkuan në Palermo, ku u sistemuan në rezidencën mbretërore
Aragoneze, ku qëndruan rreth një vit.
Jeta e Andronikës në oborrin mbretëror të Valencias në Spanjë. (1502 –
1506)
Në javën e parë të
korrikut 1502, Xhiovana IV dhe Andronika, e lan Palermon dhe shkuan në
Valencia, ku i priti nënambretëreshë Xhiovana IV me të vëllanë mbretin
Ferdinandi II Aragona. Pas 34 vite jetese në oborrin mbretëror të Napolit,
Andronika, e shoqëruar nga stërnipi 15 vjeçar Alfonso Kastrioti, filluan një
jetë të re në Valenzia. Si rezulton nga dokumentat e kancellarisë të mbretërisë
spanjolle dhe në kronikat e kohës, në oborrin mbretëror të Valencias, Andronika
u prezantua zonjë fisnike, e admirushme, me dinjitet dhe autoritet dhe dama
shoqëruese e me përkushtim amëtar për Xhiovanën IV.
Edhe në Valencia,
jeta e Andronikës u trondit nga fatkeqësitë familjare, nga problemet në adminsitrimin
e feudeve në San Pietro - Galatina dhe Soleto, si dhe nga problemet
shëndetësore.
Në vitin 1503,
vdiq aksidentalisht stërnipi 15 vjeçar Alfons Kastrioti. Alfonsin e vogël e
varrosën në një lokul anësor në kapellën e Shen Mikelit në Manastirin e
Trinitetit të Shenjtë në Valencia. Andronika i dedikoi një epitaf të gdhendur
në lapiden që mbyll lokulin: “Këtu pushon Alfonsi, nipi i të famëshmit Gjergj
Kastrioti, Mbreti i Albanisë, i cili luftoi me heroizëm kundër turqëve...”
Në korrik 1504,
reparte të ushtrisë spanjolle të komanduara nga kapiteni Korales dhe të
mbështetur nga albanezi Gjon Granai Kastrioti, plaçkitën dhe sekuestruan pronat
e Gjonit II Kastrioti dhe arrestua dhe e izoluan në Napoli Erina Kastriotin,
gruan e Gjonit II Kastrioti. Sapo u njoftua për këto ngjarje, Andronika i
kërkoi mbretit Ferdinandi II Aragon, të ndërhynte që t’i riktheheshin të birit
Gjonit II pronat e San Pietro në Galatina si dhe të lirohej menjëherë
bashkëshortja e djalit Erina Kastrioti.
Më 8 mars 1505,
Andronika i dërgoi letër guvernatorit të San Pietro në Galatina, të cilit i
kërkoi të respektoi të drejtat e pronësisë të familjes kastrioti:
Sindico,
Universitati Sancti Petri nobis dilectissimis.
Magnifici viri
nobis dilectissimi.
… Ishte e
pabesueshme çka më njoftuan e shkëlqyera nusja e djalit si vajza e ime dhe nipi
im Don Ferrando, andaj ju lutem të qeverisni me rregullat dhe mënyrat e
përshtatëshme dhe çka ndodhi të përfundojë mirë e të rikthehen pronat familjes
tonë.... Presim nga ju lajme të mira ...
Ju përqafoj me
dashamirësi të përzemërt.
Valencia VIII mars
1505.
Me trishtim,
Andronika e të Shkëlqyerit Skenderbe.
[G. Vallone.
Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia. Rivista storica delle terre
adriatiche, 2015, p. 105]
Gjatë vitit 1505
Andronika vazhdonte në shoqërinë e nënësmbretëreshë Xhiovana III e të bijës
Xhiovana IV. Për pozicionin e Andronikës në oborrin mbretëror të Spanjës,
informon ambasadori i mbretërisë ingleze Thomas Bradley, i cili pas takimit në rezidencën
mbretërore me dy mbretëreshat Xhiovana III dhe Xhiovana IV, në relazionin e 23
qershorit 1505 dërguar mbretit Enriku VIII Tudor, përshkruan dhe pozicionin
zyrtar të Andronikës: “Në krahun e majtë të nënësmbretëreshë Xhiovana III, si
gjithmonë ishte ulur dama e shoqërimit,
zonja dinjitoze dhe këshilltaria besnike Andronika Kastrioti, ndërsa në krahun
e djathë ishte kamerlengu Bernard Granai Kastrioti, një burrë dinjitoz, duka i
moshuar me mjekër të gjatë”.
Në korrik 1505,
jeta e Andronikës u trondit nga një tjetër fatkeqësi e rëndë. Në moshën 51 vjeç
i vdiq djali Duka Gjoni II Kastrioti, një humbje e dhimbëshme, që i shkaktoi
vuajtje, dëshpërim e trishtim Andronikës dhe
tërë familjes Kastrioti, si dhe komunitetit të madh të arbëreshëve të Italisë.
Dukën Gjoni II Kastrioti e varrosën në kapellën e familjes në kishën e Kuvendit
Domenikan të Urdhërit të Fretënve Predikues në Galatina. Po në këtë kishë, krah
varrit të Gjoni II, në vitin 1514 u varros dhe gruaja e tij, dukesha Erina
Brankovi? Kastrioti.
Në muajt e verës
të vitit 1506, Andronika u sëmurë me bonkopneumoni. Megjithë mjekimet dhe
kujdesin e mjekëve të oborrit mbretëror, gjendja shëndetësore u përkeqësua dhe
më 15 shtator 1506, në moshë 78 vjeç Andronika Arianiti Kastrioti vdiq.
Kurora Mbretërore
e Spanjës dhe Ipeshkëvia e Valencisa, organizuan ceremoninë funebre në
katedralen e Valenzia. Mesha për
Andronika Kastriotin u zhvillua nga Ipeshkëvi i Valencias Pedro Luis De Borja
Llançol de Romani. Në meshë dhe në funeral morën pjesë familia mbretërore e
Spanjës, dy miket Xhiovana III dhe
Xhiovana IV, Maria Granai Kastrioti me të bijat dhe i vëllai i
Andronikës Kostantin Arianit, i shoqëruar me një grup stratiotësh albanezë, si
dhe shumë banorë të Valencia, që kishin njohur Andronikën.
Princeshën
Andronika Kastriotin e varrosën në kriptën e kapellës Sant’Angelo në Manastirin
e Santa Trinità të Valencias. Varri në dyshemenë e kapellës, ishte i mbuluar me
pllakë mermeri të bardhë, ku ishte gdhendur shqiponja dykrenëshe dhe epitafi:
“Këtu pushon princesha Andronika Kastrioti, bashkëshortja e të famëshmit mbreti
i Albania Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i cili luftoi me heroizëm kundër
turqëve...” Përballë me varrin e Andronikës, në qendër të baldakinit të
kapellës të familjes Sant’Angelo, u vendos ikona e Zonja e Jonë e Rifuxhios të
Mëkatarëvee (Nostra Signora del Rifugio dei Peccatori), e mbajtur anash nga dy
engjëj. Kjo ikonë ishte e Andronikës dhe aktualisht ndodhet ende në qendër të
baldakinit të kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në
Valencia.
Varrimi në
kapellën e Sant’Angelo ishte i përkohshëm, sepse mbreti Ferdinandi II Aragon,
kishte vendosur që eshtrat e Andronikës të transferoheshin në varrezat e
Kuvendit Shen Domeniko, ku ndodheshin varret e familjes mbretërore. Ky vendim
nuk u zbatua sepse mikja e saj e ngushtë Xhiovana III, kërkoi që eshtrat e
Andronikës të transferoheshin në Napoli, si e shpreh në testamentin e saj:
“Eshtrat e mikes time të adhuruar Andronika Kastrioti, të transferohen në
kapellën e Manastirit Santa Maria Concezione, të motrave Klarisse të Santa
Kiara të Napolit. Për transportin nga Valencia në Napoli te eshtrave të
Andronikës dhe ndërtimin e varrit në kapellën e këtij manastiri, ve në
dispozicion 12 000 dukate ari. Bashkë me eshtrat, të transferohet dhe ikona
Nostra Signora di Rifugio dei Peccatori, ikona e pandashme e mikes time
Andronika.” [Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la Virgen del
Refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod. ArsLonga, Nr. 29.
2020, p. 45 – 60].
Rrethanat
polititike të ndërlikuara në ato vite në Napoli, e penguan transferimin e
eshtrave të Andronikës, të cilat mbetën në varrin në dyshemen e kapellës
Sant’Angelo në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia Varri i
Andronikës vizitohej dhe nderohej nga arbërorët që jetonin në Valencia, nga
pjestarët e familjes mbretërore, nga klerikët e manastirit dhe nga banorët e
Valencias.
Gjatë 12 - 14
tetorit 1957, në Valencia ranë reshje të dedura dhe ujrat vërshuan vrullshëm
nëpër rrugët, hynë nëpër shtëpitë si dhe përmbytën varrezat dhe Manastirin
Triniteti i Shenjtë. Nga këto përmbytje masive, ujrat shkatërruan varrezat e
Manastriti, ndër ato dhe varrin e Andronika Kastriotit në kapellën Sant’Angelo.
Nga këto përmasa përmbytjeje dhe shkatërrimesh të varreve të manastirit,
murgjit u detyruan t’i mbledhin eshtrat, mes tyre dhe eshtrat e Andronika
Kastriotit dhe t’i groposin në një varr të përbashkët.
Në vitin 1457,
varri i Andronika Kastriotit u shkatërrua, por në Valencia Ajo vazhdon të
kujtohet dhe të nderohet si zonja e parë e Arbërisë, si bashkëshorte besnike e
Gjergj Kastriotit, andaj e quanin dhe Senderbega, kujtohet si dama shoqëruese, këshilltaria dhe
mikja e ngushtë e mbretëreshave Xhiovana
III dhe Xhiovana IV, kujtohet me ikonën Nostra Signora di Rifugio dei
Peccatori, e njohur historikisht ikona albanese në pronësi të Andronika
Kastriotit.
Princesha Andronika Arianiti Kastrioti përfaqëson modelin
ideal të gruas fisnike arbërore, zonjë e shquar dhe e nderuar në të njëjtin
nivel me fisnikërinë europiane të mesjetës, si e ka përkufizuar Johann Theodor de Bry (1561–1623):
“Mbretëresha e Epirit, mençurinë dhe bukurinë tënde do ta kishte pëlqyer edhe
Jupiteri. Meritat e tua janë aq të mëdha, aq sa fama e burrit tënd, njëlloj si
Deidamia i dha burrit të saj Akilit”.