Speciale » Alia
Lutfi Alia: Xhubleta iliro-arbërore-shqiptare (I)
E hene, 29.01.2024, 09:00 PM
XHUBLETA ILIRO – ARBËRORE – SHQIPTARE. (pjesa I)
Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Veshjet tradicionale janë një
ndër komponentet më të fuqishëm të traditës popullore shqiptare, shumica e tyre
janë trashëgime të veshjeve të lashta ilire dhe të arbërve të mesjetës, të
cilat gjatë zhvillimit historik kanë pësuar
modifikime të diktuara nga progreset e shoqërisë shqiptare, por shprehje
dhe e marrëdhënieve kulturore mes popujve. Në kompleksitetin e tyre, veshjet
popullore shqiptare kanë fituar tipare origjinale, me vlera si tregues etnik,
që i dallon nga ato të popujve fqinjë. Vendi ynë shquhet për shumëllojshmëri
veshjesh popullore, kësisoj rezulton se janë mbi 500 lloje veshjesh për burra e
gra. Në mënyrë të veçantë dallohen veshjet e grave si për shumëllojshmërinë e
formave, për ngjyrat e shumta dhe kompozimin me shumë estetikë. Ndër veshjet e
grave dhe të vajzave shquhen xhubleta; kostumi me këmishë të gjatë dhe xhokë
shajaku, kostumi me fund me pala, me jelek (mitan) dhe me gunë, e cila në disa
treva eshtë e bardhë me zbukurime me gajtana, në të tjerat ngjyrë kafe, të kuqe
të errët, ose e zezë. Të gjitha tipat e veshjeve të grave shoqërohen me shaminë
që vihet mbi kokë e lidhur në gushë me një formë elegante, pa e mbuluar bukurinë
e fytyrës, ashtu si shoqërohen me stoli të shumta metalike, të cilat krahas
finksioneve estetike përdoreshin dhe me funksione magjike.
XHUBLETA
Xhubleta është veshje tipike e grave dhe e vajzave të malësisë së
Shqipërisë Veriore. Prejardhja e emrit është nga latinishtja Iuba
(xhiuba) - veshje me xhufka, me jele, e shqipëruar në Xhubleta, emëri i lashtë
i kësaj veshje të fisme iliro – arbërore – shqiptare. Xhubleta
është veshje me prejardhje të lashtë, çka dëshmohet me ngjashmërinë me veshjen
në disa figurina terrakote të gjetura në Bosnje, dikur të banuar nga fiset
ilire, si dhe në Kretë dhe vise të tjera të mesdheut, që i përkasin
mijëvjeçarit të dytë para K. Studiuesit shqiptarë dhe të huaj, njëzëri
theksojnë se xhubleta është veshje me origjinë të lashtë katërmijë vjeçare, e
ruajtur nga malësoret e Shqipërisë veriore, të malësisë të Kosovës perëndimore
dhe të pjesës verilindore të Malit të zi të banuar nga shqiptarët. Xhubleta
vishet nga gratë dhe vajzat e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Dukagjinit,
Shalës, Shoshit, Nikaj - Mërturit, Pukës,
Mirditës, Rugovës dhe nga shqiptaret e Malit e Zi (Plavë, Guci, Hot, Grudë, Tuz etj). Me
migrimin e familjeve malësore në trevat fushore shqiptare, gratë dhe vajzat e
ruajtën xhubletën kur u vendosën me banim në Bregun e Bunës, në Zadrimë, në Thumanë, ashtu u ruajt edhe nga malësoret që
zbritën në qytetin e Shkodrës.
Xhubleta është kryevepra e
kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori,
është
kulturë shekullore, është mit,
është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale dhe gjeometrike me
plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe dhe mistike, është
vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal shqiptar unikal. Si çdo trashëgimi
kulturore dhe etnografike edhe xhubleta ka historinë e saj me zanafillë 2000
vite para K, në lashtësinë proto-ilire dhe ilire, me vazhdimësi në mesjetën
arbërore, e ruajtur dhe në 2000 vite pas K, e cila ka arrijt deri në ditët tona
me bukurinë dhe vlerat e saj të shumta historike, kulturore, etnografike,
antropologjike dhe estetike.
Xhubleta është një veshje
komplekse e grave e përbërë nga pjesa kryesore fundi i shajakut ngjyrë të zezë,
i qepur në formë këmbane, me buzën e poshtëme të valëzuar, sidomos në pjesën e
pasme. Fundi i xhubletës varet në supe me dy rrypa të gjërë shajaku. Të gjitha llojet e xhubletës, në buzën
e poshtëme të palave të fundit kanë një shirit të ngushtë shajaku ngjyrë të
bardhë. Fundi me ngjyrë të zezë, me me praninë e simboleve të ndryshme.
prezanton misteret e kësaj veshje unikale, madje shkëlqen nga të gjitha
pikpamjet, si nga pamja monumentale, nga teknika e endjes në tezgjah e stofës
së shajakut, nga zbukurimet e shumta që kompletojnë estetikën e saj dhe
bashkëshoqërimi me stolitë.
Një lloj tjetër
xhublete, është ajo e vajzave – çikave, e thurur me mbizotërim të shiritave
shajaku të bardhë dhe me shirita shajaku ngjyrë të zezë.
Fundi prej shajaku
kompletohet me anekset e tjera, që janë xhoka me xhufka thekësh me ngjyra,
këmisha e bardhë, rizja (shamia e
bardhe me thekë e grave, me ngjyra e vajzave),
kraholina, përparsja, kallmat, çorapet e gjata të thurur me penjë shumëngjyrëshe, shputat, brezi i gjërë i zbukuruar me rruaza dhe gajtanë,
i quajtur kërdhokla, guna treçerekshe me kapuç, që vishet ditët me shi dhe në
periudhën e dimrit, si dhe opingat elegante me lëkurë lope, të thurura me lidhëse
lëkure etj.
Fundi i xhubletës dhe veshjet
e tjera plotësuese zbukurohen me motive
magjepse me karakter natyror, hyjnor dhe fisnor, të shprehura me figura floreale dhe gjeometrike, me simbole
atropozoomorfe dhe magjie, të gjitha të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe; madje
në zbukurimet integrohet dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod
misterioz i trashëguar nga lashtësia, i pasqyruar me simbole të ndryshme, ndër
të cilët mbizotëron shqiponja. Në misterin e
xhubletës pasqyrohen një seri simbolesh pagane, që kanë ekzistuar para besimeve monoteiste dhe ndër më të përdorurit
janë simbolet e diellit,
të hënës, të yjeve, të gjarpërit, të shqiponjës, të dragoit dhe simboli i
lashtë magjiko – fetar i svastikës (në gjuhë sanskrite do të thotë fat, lumturi,
mirëqenie), ndërsa sipas J. Dechelette svastika karakterizon diellin në lëvizje, andaj
quhet dhe dielli svastik.
Në kompleksin e veshjeve me xhubletë janë dhe varëse ari, ose argjendi, ose bakri, bronxi etj,
gjerdanët me rruaza, pafta të vogla filigrane, shirita me fije ari, shogëza në vend të rrypit të mezit,
që në bashkësinë e tyre plotësojnë kostumin hirosh të xhubletës, si pjesë
plotësuese e bukurisë natyrale të vajzave dhe grave shqiptare. Kësisoj e
kombinuar, xhubleta përfaqëson një institucion të lashtë kulture matriarkale,
që ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj historike dhe
kulturore.
Karahas karakteristikave
kostumografike unike, që e njësojnë si kostum me funksionet dhe me bukurinë e
saj, xhubletat kanë veçori dalluese njera nga tjetra, të shprehura me
variacione sipas moshës, funksionit dhe në kompozimin e zbukurimeve me penjë me
ngjyra të ndryshme, në qendisjen e figurave floreale, gjeometrike dhe
atropozoomorfe, me praninë e simboleve të ndryshme, në mesazhet dhe në
prezantimin e kodit misterioz të pemës së fisit dhe të familjes. Në këto
aspekte, pavarësisht nga struktura standarte, xhubletat kanë veçori individuale,
pra kanë dallime njëra nga tjetra, janë prodhime të personalizuara.
Etnografët, kostumografët theksojnë se xhubleta është
veshje e veçantë, komplekse dhe ndër më të vështirat në punim, madje nuk gjen
paralele me asnjë nga tipat e tjera të veshjeve për vajzat dhe gratë në
Shqipëri, në Ballkan dhe me gjërë.
Xhubleta realizohet nga gratë malësore, mjeshtre të shquara
për aftësi në krehjen e leshit të dhenëve, në tjerrjen perit të leshit dhe
ngjyrosjen me ngjyrë të zezë me gjethe arre, në thurjen në tezgjah të shajakut,
në larjen dhe kompaktësimin e stofit në valanicë, në prerjen dhe qepjen e
pjesëve të fundit, sidomos të palave të fundit, për t’i dhënë formën e
këmbonës, në qepjen e xhokës estetike, në thurjen e çorapeve, të përparseve dhe
në realzimin e zbukurimeve në raporte harmonike mes tyre.
Gratë mjeshtre në prodhimin e xhubletës i përmbahen traditës
të prodhimit të kësaj veshje komplekse, i pasqyrojnë me saktësi dhe besnikëri
elementet përbërës, punojnë me fantazi në kombinim estetik të zbukuri-meve, por
shquhen dhe për novatorizëm në kombinimin e të vjetrës së tashëguar me të rejat
që i dikton koha.
Kësisoj gratë malësore mjeshtërisht realizojnë xhubletën,
këtë veshje unikale me vlera estetike dhe vepër arti.
Fundi i xhubletës formohet me qepjen e rripave të shajakut,
konkretisht duhen 25 deri në 30 copa shirita shajaku të prera me gjërësi të ndryshme.
Këto shirita për gratë janë me ngjyrë të zezë, ndërsa për vajzat të kombinuara shiritat
me ngjyrë të bardhë dhe ngjyrë të zezë. Gjithashtu përdoren dhjetra metra spik
të përgatitur në shtëpi me teknologji artizanale, duhen penjë të fortë leshi
për qepjen e shiritave të shajakut, ashtu si dhe shumë lloje penjësh me ngjyra
të ndryshme për qendisjen e zbukurimeve dhe të simboleve.
Konfeksionimi i xhubletës është padyshim një provë e vërtetë
aftësie profesionale, sepse duhen njohuri, shkathtësi dhe teknika të veçanta për
tjerrjen e fijes, thurjen në tezgjah të shajakut, për t’i montuar së
bashku të gjitha ato copa, aq më tepër ka vështirësi të bashkohen njëra me
tjetrën kordonat e shajakut, bashkim që nuk bëhet midis gjatësishë të barabarta,
sepse disa janë më të shkurtëra, sidomos ato të pjesës së belit dhe më të gjata
ato të pjesës së poshtëme të fundit të xhubletës. Kështu një rrogzinë e gjatë 180
cm, duhet të bashkohet me një tjetër të gjatë 200 cm dhe kjo të formoi
valëzimet e pjesës së poshtëme të fundit. Po kështu rasti i xhokës, për të cilën copa e stofit të
zi për gratë dhe e stofit të bardhë për vajzat, që formon pjesën e poshtme,
duhet të mblidhet me pala të dendura dhe me estetikë, për t’ia përshtatur
perimetrit të belit të gruas apo të vajzës, një proçedurë teknike e vështirë, por
e realizuar me mjeshtëri të admirueshme nga gratë malësore duararta. Në
xhubletë, të gjithë komponentët janë kombinuar në perfeksion teknik dhe
estetik.
Xhubletat e grave të
Malësisë së Madhe
Fundi i xhubletës, xhoka, përparësja e xhubletës; çorapet
plotësohen me një sistem të veçantë zbukurimesh, me figura floreale,
gjeometrike dhe antropozoomorfe, me simbole, shumica të lashta pagane, madje
vendoset dhe kodi i pemës së familjes dhe i fisit. Këto zbukurime mbizotërojnë
në xhubletat e grave, ndërsa në xhubletat e vajzave janë më të pakta, madje dhe
mund të mungojnë, pasi bukuria e xhubletave të çikave, shprehet me kombinim
estetik të shiritave të shajakut të bardhë me shiritat e zi dhe me bukurinë
natyrale të vajzave.
Gratë malësore pasi e qepin fundin me shajak të zi të
xhubletës, e zbukurojnë duke shtuar figura floreale, gjeometrike, antropozoomorfe dhe simbole të
ndryshëm, të prezantuara me spektër shumëngjyrash si ngjyrë të kuqe (shpreh energji,
vitalitet, kurajo, entusiazëm), shumica realizohen me ngjyrë të verdhë (simbolizon
hyjnoren, shpresën, optimizmin), të tjerat me ngjyrë rozë (simbol i shpresës), të
gjelbër (harmoni, ekuilibër), blu (qetësi, paqe); ngjyrë lejla aristokratike, e
cila shpreh mistere e magji; ngjyrë të bardhë (shpreh pastërtinë, lealitetin
dhe virgjërinë e vajzave, andaj në xhubletat e vajzave mbizotëron ngjyra e
bardhë) si dhe me ngjyrën e zezë të shajakut të xhubletës, të xhokës, të përparëses,
të gunës, të brezit etj. Ngjyra e zezë, krahas mistereve të territ e të
panjohurës, shpreh elegancë, seriozitet, prestigj, pavarësi, energji të
brendëshme, autoritet, siguri dhe impulse krijuese. Sfondi i zi i xhubletës dhe
i anekseve kompletohet me elemente shumëngjyrash, kësisoj realizohet veshja unikale
iliro-arbërore - shqiptare me bukuri të rrallë magjepse, që bashkëshoqëron
bukurin natyrale të vajzave dhe grave malësore.
Në aspektin kostumografik xhubleta është model veshje e standartizuar dhe e personalizuar sipas moshave, funksioneve, andaj prodhohen disa lloje me veçori në përmasa, në ngjyra dhe me variacione në zbukurimet e fundit dhe të anekseve.
Në vartësi të permasave të trupit
të grave xhubleta peshon 15 – 20 kg, kësisoj për nga përmasat dhe pesha, nuk
vishet si rrobat e tjera, andaj gratë e veshin me një proçedutë praktike, e
varin dhe e ngrejnë lart xhubletën dhe futen nga poshtë, deri sa dy rrypat e
gjera të shajakut mbështeten mbi supet e grave.
Xhubletat e vajzave
Xhubletat mund të prezantohen në katër
grupe:
1. Xhubleta e vajzave – e çikave. Vishet kur vajza mbush moshën 10 vjeç. Fundi i xhubletës qepet me mbizotërim
të shiritave të shajakut të bardhë, dhe më pak shirita të zi më të ngushtë.
Buza e fundit të shajakut është gjithomnë me ngjyrë të bardhë, më e gjërë në
pjesën e poshtëme të ngrirë me formë këmbane, pra është xhubletë më e
thjeshtuar, por hyjnore e me bukuri tërheqëse.
Edith Durham, në veprën “The struggle for
Scutari. London Edward Arnold, 1904, f, 35 shkruan:
“Vajzat vishen me një rrobë të trashë, të ngrirë prej leshi të bardhë me
shirita horizontal me ngjyra të bardha e të zeza. Fundi vjen e bashkohet me
pjesën e sipërme të rrobës, e cila është e kapur anash. Çorapet e gjata janë të
thurura me figura me fantazi, me kompozime gjeometrike me kombinim ngjyrash të
bardha, të zeza, të kuqe etj … “
Xhubletën e çikave, ose
xhubletën e bardhë, poetja dhe koleksionistja Luljeta Dano e cilëson një veshje
e jashtëzakonshme dhe mrekullisht e bukur për cilësitë e punimit dhe të
qëndisjes dhe që dallohet në shprehjen e simboleve të fertilitetit. Vajza
e vishte këtë tip xhublete, deri në ditën e dasmës të martesës.
2. Xhubleta e grave të martuara. Vishej ditën e dasmës dhe më pas kjo
xhubletë ruhej në arkë druri. Në varësi të gjendjes ekonomike dhe marrëveshjeve
mes dy familjeve për martesën, gruaja malësore merrte në pajë 5 - 7 xhubleta, të prodhuara me shajak ngjyrë të zezë dhe me
zbukurime të shumta. Edith Durham rrëfen: “Gratë e martuara mbajnë veshur një fund në formë këmbane prej
leshi të rëndë dhe të ngrirë, me shirita ngjyrë kërmizi të shuar (të lyera vetë),
ose me ngjyrë të purpurt”.
Këtë xhubletë
gratë e ruanin në arkë dhe mes palave vendosnin gjethe duhani që të mos
dëmtohej nga tenja dhe borzilok mali, për t’i dhënë aromë të pëlqyeshme. Xhubletën e nusërisë që e vishnin
ditën e dasmës, gratë e ruanin me vite me fanatizëm dhe besnikëri të jetës
bashkëshortore, madje kjo xhubletë nuk dhurohej, nuk shitej, nuk prishej, por do
të përdorej vetëm në varrimin kur gratë vdisnin. Etnografia Afërdita Onuzi, tipat e xhubletave të grave të
moshuara i klasifikon në dy kategori: a. xhubleta e parakeqe, b. xhubleta e
keqe. Ky cilësim në fakt nuk i referohet xhubletës, por moshës të grave në
fazën e pleqërisë dhe në prag dhe në fund të jetës, sepse kur vdisnin, gratë
varroseshin me xhubletën e martesës, me atë që kishin veshur ditët e dasmës.
Në ditët e zakonëshme,
gratë përdornin xhubletata “rezervë”, që zevendësonin atë që konsumohej tepër.
3. Xhubleta cubele. Vishej nga gratë gjatë punëve të ndryshme shtëpiake, pra
ishte xhubletë pune, natyrisht me më pak zbukurime, më e shkurtër dhe më e
lehtë se sa xhubletat tipike.
4. Xhubleta për festat. Me xhubleten më të bukur, me më shumë
zbukurime, gratë e vishnin në ditë festash, në gëzime familjare dhe fisi,
në dasma dhe në vizita në familjet e miqëve. Në Malësinë e Madhe, xhubletën më
të bukur, gratë dhe vajzat e vishnin më 26 korrik në ditën e Shen Prendës, kur
organizohej dhe festa e Logut të Bjeshkëve një festë tradicionale që zhvillohej në Lëpushë
të Kelmendit. Pas argëtimeve me këngë, me valle, me lojra popullore dhe garave
me kuaj, pjesëmarrësit mblidheshin në pjesën qendrore të livadheve dhe ndiqnin
paradën e grave e të vajzave të veshura me xhubletat më të bukura. Një mrekulli
dhe paradoks i rrallë i malësisë shqiptare, kur mendojmë sa i egër dhe i
mbyllur ishte Kanuni ndaj të drejtave dhe lirisë të gruas malësore, nga ana
tjetër, ky Kanun dhe ajo pleqësi konservatore, na shfaqen liberalë, sa pranonin
një manifestim të tillë të femrave. Në festën e Logut të Bjeshkëve, të gjithë
pjesëmarrësit përqëndrohen në zhvillimin e paradës të grave dhe çikave të
veshura me xhubletën e bukur të malësisë dhe në përfundim, zgjidhnin çikën me
xhubletën ma të bukur, e thënë thjeshtë, zgjidhnin “Miss malësia”, ose si e
quajnë malësorët, atë ditë zgjidhej “Miss bukuria”.
Festa e Logut të
Bjeshkëve eshte manifestim imponent dhe madhështor i malësoreve, e cila
organizohej në vite të shkuara, shumë kohë më herët, aq sa nuk mbahet mend, por
është ruajtur ndër shekuj dhe pasi u ndalu padrejtësisht nga regjimi komunist, nga
viti 1992 u ripërtëri me të gjithë vlerat dhe forcën e shpirtit të malësoreve,
duke u bërë protagoniste e shprehjes të vlerave kulturore, artistike, shpirtërore
dhe qytetare të grave dhe të vajzave të Malësisë së Madhe.
Malësori nuk është
përpjekur ta fshehë bukurinë e femrës, përkundrazi ka dashur që nëpërmjet saj
të shprehë vlerat fizike dhe shpirtërore të grave dhe vajzave, sigurisht brenda
normave dhe kufizimeve të kohës.
Xhubleta
është studiuar nga etnologë, albanologë, historianë, arkeologë, antropologë,
sociologë vendas e të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë, teknikën e
punimit, për bukurinë, për figurat, simbolet, kodet dhe mesazhet që shpreh
xhubleta. Ndër studiuesit shqiptarë janë shquar Bernardin Palaj, Rrok Zojzi,
Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Abaz Dojaka, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, S.
Shkurti, Agim Bido, Luljeta Dano, Aleksender Stipçeviç, Fahri
Xharra, Ikbale Kalaja, Sokol P. Lulgjuraj, Flamur Doli etj, etj,
ashtu si dhe studiues të huaj ndër të cilët po rendis Daniel Kornidez, George
von Hahn, Franz Nopcha, Rosel de Fontanes, Edith
Durham, J. Dechelette, Hoernes, Wide, Evans, Vasits, Edwin E Jacques etj.
Vijon në numërin e ardhshëm .....