Speciale » Alia
Lutfi Alia: Imzot Mark Skura
E diele, 17.09.2023, 08:00 PM
IMZOT MARK SKURA O. F. M
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Mendohet
se ka lindur në Skuraj të Kurbinit në vitin 1593. Ishte frat i urdhërit
françeskan. Fillimisht shërbeu ndihmësi i ipeshkëvit Gjon Kolesi dhe pas
vdekjes së tij, u emërua Ipeshkëv i dioqezës se Arbërit (Albanisë), ku shërbeu
deri në fund të vitit 1635 dhe ishte ipeshkëvi i fundit i kësaj dioqeze. Në një
letër të 27 tetorit 1636, imzot Mark Skura shkruan: “Më duhet të kthehem në
Raguzë për shugurim...”, ndërsa më parë e konsiderohej viti 1635 si vit
shugurimi. Në vitin 1635, ipeshkëvi Mark Skura dha lejen për botimin e veprës
të Frang Bardhi: “Ditionarium latino-epiroticum una cum nonnullis loquendi
formulis, per R. D Franciscum Blanchum. Epirotam Coll. de Propag. Fide Alumnum
Romae, Typis Sacra Congreg. De Propog. Fide 1635”. (Fjalori latinisht – shqip).
Kjo letër mban datën 30 Maj 1635 dhe është e nënshkruar nga imzot Mark Skura,
ipeshkëv i Shtjefnit (Episcopus Stephaniensis). [Kastriot Marku. Kishat e
Kurbinit, Geer 2008, f 78].
Me
bulën e viti 1640, Papa Urbani VIII e emëroi imzot Mark Skurën Kryeipeshkëv i
arkipeshkëvisë të Durrësit dhe administratori apostolik i dioqezave të
Kunavisë, Bendës, Lisit, Krujës dhe Stefaniakës. [Farlato
et Coleti. Illyrici Sacrii: 1751 - 1819.
V. 7, faqe 409]
Në
një periudhë 14 vjeçare (1636 – 1650), imzot Mark Skura, nga Kurbini dhe nga
Kunavia i dërgoi Propogandës Fide disa relacione dhe shumë letra si ato më 27
tetor dhe 22 dhjetor 1636 (dy letra); më 20 janar dhe 29 maj 1637; relacionin e
20 dhjetorit 1641; letra më 12 janar, 2 shkurt (dy letra), 4 shkurt, 10
qershor, 16 tetor dhe 16 nëntor 1643; më 2 shkurt 1644; si dhe relacionet e
viteve 1644 dhe 1645; në vazhdim letrat e 29 qershor 1648; pesë letra më 12
qershor 1650 etj. [Kastriot Marku. Kishat e Kurbinit, Geer 2008, f 78]
Në
shekullin XVII, regjimi agresiv osman e intensifikoi shtypjen dhe persekutimin
e popullatës katolike dhe të klerikëve, çka i detyroi ipeshkëvët të ndërronin
shpesh selinë, si veproi imzot Mark Skura, i cili u transferua herë në Kurbin
dhe herë ne Kunavi, që ishin dy treva të sigurta malore, ku mbroheshin dhe nga
banorët.
Farlato dhe Koleti
në “Illirici Sacrii”, theksojnë se në një relacion të imzot mark Skura, i
ruajtur në arkivin e Propogandës Fide, rezulton se në vitin 1641, në dioqezën e
Kunavisë shërbenin shtatë meshtarë për 1700 besimtarë katolikë, por në këtë relacion
nuk ka të dhëna për numërin e banorëve ortodoksë, që ishin më të shumtë se
katolikët. Sipas Koletit, të ardhurat vjetore të dioqezës të Kunavisë në vitin
1641 ishin 250 monedha argjendi, që i shfrytëzonin për meremetimin e çatisë të
katedrales të Shen Gjon Pagëzorit, e cila dëmtohej shpesh gjatë dimrit të egër.
[Farlato et Coleti. Illyrici Sacrii:
1751 -
1819. V. 7, faqe 409].
Katedralia
e Shen Gjon Pagëzorit ishte aktive dhe Imzot Mark Skura shkonte shpesh në
Martanesh, ku pritej, nderohej, respektohej dhe mbrohej nga malësorët. Si
dëshmi autentike e vizitave në Martanesh është dhe toponimi i quajtur Kroi i
Markskurës, në fshatin Lena.
Në
relacionet e imozt Mark Skura të 20 dhjetorit 1641, si dhe të viteve 1643 e
1645, dërguar Propogandës Fide, pas vizitave në dioqezat shufragane të
arkipeshkëvisë të Durrësit dhe kur ishte i detyruar të spostonte selinë në Kurbin dhe në Kunavi,
në dy zona malore të sigurta, imozt Mark Skura përshkruan gjendjen e tur-bullt të dioqezave dhe të kishave, të mbetura pa drejtim
shpirtëror, me kisha të rrënuara, të braktisura dhe me pak besimtarë.
Në relacionin e 20 dhjetorit 1641, dërguar nga Kurbini, mes
të tjerash shkruan: „Kurbini ka një shkollë me 12 gjakoj, që
arkipeshkëvi i ushqen me mjetet e veta për të rrit subjekte, që pastaj të
shugrohen meshtarë, kur të jetë koha. [Injac Zamputti, Relacioni Mark Skura
drejtue Kongregacionit te Propogandes Fide, per viziten e kryeme neper
dioqezaet e Shqipnise se Mesme. Vol. II. Dokument nr. 36, f. 240 - 241] [Kastriot
Marku. Kishat e Kurbinit, Geer 2008, f 236].
Udhëtimet
në trevën e Kunavisë ishin me rreziqe, andaj Ai e informon kongregacionin e
shenjtë se ishte ndeshur me shumë vështirësi për të kryer vizitat dhe shërbimet
në kishat e dioqezës të Kunavisë, që ishin larg e me rreziqe nga persekutimet e
turqëve. Këtë situatë e trajton dhe në dy letra dërguar Propogandës Fide në
vitin 1643 gjatë kohës, që e kishte transferuar selinë në Kurbin.
Më
4 shkurt 1643, imzot M. Skura në letrën dërguar Propogandës Fide, krahas
vështirësive në udhëtimet, i prezanton dhe pengesat që i dilnin për të ushtruar
misionin e ipeshkëvit në dioqezën e Kunavisë, andaj kërkon të emërojnë një
ipeshkëv ndihmës e pikërisht propozon françeskanin arbëror Simeon Suma. Në
letër shkruan:
“Shumë
të naltit kardinalë etj....
Në
muejt e kaluem, me rasën e ardhjes atje t’atë fra Simeon Sumës, ish Provincial
i Minorëve Osservantë në Albania, dhashë llogari për shkarkim të ndërgjegjies
sime, se për shkak t’udhëtimeve të gjata dhe për shpenzimet e mëdha, që lypen
për të bamë vizitën e dioçezit të Kanovisë pranë maleve (sufragne e Durrësit)
dhe për rreziqet e randa, nuk kamë mundësi t’iu vij në ndihmë atyre
shpirtënave, që kanë shumë nevojë për një bari të zellshëm dhe ndihmës, andaj u
lutesha naltësive tueja, që të ngarkonit atje po atë atin Simeon. Tashti
përsëri ju lutem (të kini mirësinë), të më lehtësoni nga kjo barrë kaq e madhe,
sepse e shoh se me të vërtetë nuk mundem me u kujdesun për ato shpirtënat e
shkretë dhe këtë detyrë t’ia jepni atit të thanun, i cili jo vetëm asht njeri
me jetë shembullore, me shkollë të mirë, por dhe njohës i mirë i vendit dhe me
predikimin e vet, jam i sigurtë se ka për t’u vleftë shumë atyne popujve, aq më
tepër sepse ai ka farefis të pasun nga të cilët mund të ndihmohet sa i mjafton
vjet për vjet, për nevojët që i dalin, përveç se dioqeza mundet me e mbajtë
ipeshkëvin, si asht zakoni i atyne popullsive. Për çdo gja po ju çoj llogari N.
T, për njohjen e vendit si dhe për përvojën që kam për atin e thanun,
bashkatdhetari im dhe i urdhërit tim, sepse gjithmonë asht sjellë mirë ndër
detyrat që i kanë qenë ngarkue, as nuk ka dhanë kurrë një skandal, por me çdo
përplotësi të jetës ka jetue në urdhnin e vet dhe asht tregue shumë i zellshëm
në kujdesin e shpirtnave.
Ma
në fund me përulje N. T u baj përnderime.
Kurbin
4 shkurt 1643.
[Letra
e Mark Skurës: SRCG, v. 179, fleta 281 – 281 v]
Me që po vonohej
vendimi për emërimin e atit Simeone Suma si ipeshkëv ndihmës në dioqezën e
Kunavisë dhe me që Propoganda Fide nuk i kishte dërguar ndihma financiare për
të përballuar shpenzimet e udhëtimeve apostolike, Imzot Mark Skura, më 10
qershor 1643, dërgoi një letër tjetër, të cilën po e prezantoj shkurtimisht:
I përndritshmi Zot
etj...
Nuk do të doja të
vija të trazoj Zotëninë tuaj të përndershëm, me letrat e mija kaq shpesh, mbasi
shpirti im dëshiron ma parë të ju shërbej, se sa t’ju jap mërzi. Asgjamangut
nevoja po më shtër-ngon dhe mirësia e juej më lejon, që t’ju përlutem të
denjoheni me bamë që të më paguhen 25 skude të holla dhe të keni mirësinë me ia
dhanë zotit Gjon Verusio; për dy afate ... e të arrijnë gjithë-sej nandëdhjetë
e gjashtë skude të holla nga të cilat .............. etj.
Rreth çashtjes
t’ipeshkëvit të Kanovias, zotnisë tuaj të përnderëshme, denjoheni për hatrin
tim, të propozoni të ndertin Atin Simeon Suma, ish minsitër i Provincës së
Albanisë dhe, sikurse radhët e tjera, kështu tash po i shkruej Kongregacionit
të Shenjtë të cilit, pa asnjë kundërshtim po ia kthej dhe ia dorëzoj dioqezën e
Kanovias, jo i shtërnguem, por me vullnet të plotë e vetëm tue e ruejt të
ruajtunën. Kjo asht që përmbahet në dëshminë time.
I lutem qiellit
për jetën tuej shumë të gjatë dhe shumë të lume.
Kurbin 10 qershor 1643.
Fra Mark Skura
[Letra e Mark Skurës: SRCG, v. 179, fleta 279 v]
Pas letrave insistuese të imzot Mark Skura, në vitin 1643, më së fundi Propoganda Fide e miratoi emërimin e imzot Simeon Suma ipeshkëv ndihmës në dioqezën e Kunavisë. Frati françeskan Simeon Suma, si e thekson imzot Mark Skura ishte prelat arbëror i shkolluar dhe njohës i mirë i vendit, sepse kishte shërbyer në manastirin e Shen Martinit në Martanesh dhe me meshat dhe predikimet do t’i ndihmonte shumë banorët që i njihte. Imzot Mark Skura thekson, se Imzot Simeon Suma kishte farefis të pasun, që do ta ndihmonin financiarisht për nevojat e tij, por dhe besimtarët e kësaj treve e njihnin, e nderonin, do ta përkrahnin dhe do ta ndihmonin ipeshkëvin e ri, sipas traditave të mikëpritjes dhe të besës, virtyte të malësorëve të kësaj treve.
Kontributi i imzot
Simeon Suma në ruajtjen e fesë katolike në trevën e Martaneshit, konfirmohet me
faktet se shumica e banorëve vazhdonin të ishin të krishterë, si rezulton dhe
në regjistrin osmano-turk të viteve 1642 – 1643 të Vilajetit të Elbasanit, i
botuar nga historiani Thoma Kacorri në revistën Studime Historike në vitin
1966. Në këtë regjistër, në Martanesh janë 53 familje të besimit të krishterë,
të cilave iu shërbenin priftërinjtë Stuhe Prifti, Prifte Boshko, Prifte Pepa,
Prifte Deda, Prifte Kali, Gjon Prifte, Laska Prifte dhe Prift Piteri. Si
kuptohet nga emërat gjashtë prej tyre janë arbëror, çka përbënte një mbështetje
të fuqishme shpirtërore për banorët dhe për aktivitetet ekleziastike të imzot
Simeone.
Në një relacion tjetër të vitit 1644, imzot Mark Skura rithekson: „Kurbini ka një shkollë me 10 gjakoj, që arkipeshkevi i ushqen per xhep të vet dhe i vesh, për të rrit subjekte, që pastaj, kur të vij koha me u shugrue meshtarë”. [Injac Zamputti, Relacioni Mark Skura drejtue Kongregacionit te Propogandes Fide, per viziten e kryeme neper dioqezaet e Shqipnise se Mesme pas vitit 1644. Vol. II, Dokument nr. 36, f. 324 - 325]
Në
relacionin e imzot Mark Skurës të vitit 1645 theksohet: "Martaneshi ka
Shën Martinin në tokën e quajtur Shmërtin. Motit ishte abaci me rentë të madhe,
asht e plotë në gurë dhe ka dy kumbona, disa vreshta dhe ara për tu mbjellë, që
qesin 25 reale në vit". Në relacion, imzot Mark Skura informon dhe për
abacinë e Shen Aleksandrit në Val, madje prezanton një hartë ku e vendos mes
maleve në perëndim të lumit Mati. [Relacione Marco Scura, Arkivio Storico di
Propoganda Fide. SOCG, volume 266, 264, fleta 34r - 48r, 1645].
Këtë
hartë e ka botuar Fulvio Kordignano në veprën Geografia Ecclesiastica
dell’Albania, Pont. Instit. Orientalium Studiorum. Roma 1934.
Relacioni
i Mark Skura (Arkivio Storico di Propoganda Fide. SOCG, volume 266, 264, fleta 1r
- 9r, 1645)
Në vitin 1644, kur
ishte ipeshkëv imzot Simeone Suma, dioqeza e Kunavisë kishte 1040 banorë
katolikë,
por nuk dihet sa
ishin ortodoksë. [Injac Zamputi. Relacion
mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme në shekullin XVII. Tiranë 1963, f. 337]
Imzot Mark Skura e
ngriti popullin e Kurbinit dhe të treva fqinje kundër pushtuesve osmanë. At
Klement Miraj shkruan: Një Kurbijas, Emzot Mark Skura, kryeipeshkëv i Durrësit,
françeskan, i qiti punë për do vjet të mira qeverisë Otomane në shekullin XVII.
Numëri i kryengritësve nën drejtimin e tij arrijti 15 000 vetë” [Klement
Miraj, Kontributi i krahinës së Kurbinit për çështjen kombëtare. Hylli i
dritës, Shkodër 1937, f, 562]
Imzot
Mark Skura ishte organizatori i kryengritjes të Kurbinit me 6000 luftëtarë,
kundër pushtuesve turqë. Këtë kryengritje kavalieri venecian Françesk Bolica, e
tregon në letrën kardinalit Kaponi, dërguar nga Kotorri më 25 korrik 1650, të
cilin e porosit:”T’i kryhet kërkesa në ndihmë arqipeshkëvit të Durrësit Mark
Skura, i cili asht ngushtuem nga turqit, sepse ka marrë pjesë në luftimet
kundër tyne. Si vrejti prandej ashpërsinë e vendeve ndër malet e Kurbinit, i
bashkoi 6000 luftëtarë, të nënshtruemit e vet në punët shpirtënore e tokësore
dhe me këta, me forcë dhe me trimëri të madhe, ruajti një sasi të tillë
besimtarësh deri në ditët tona, tuj ndejt syhapun në roje e në drejtim të tyne,
sa mund të thuhet se asht shtylla e vetme e atyne të kishtenëve, në kaq shumë
rrethana”. [Relazione ... Vep. Cit. Vol II. Letra e Francesc Bolica, 25
luglio 1650. Documenti Nr. 99, f. 562]
Në një letër të vitit 1650, imzot Mark Skura i shkruan Prpogandës Fide:
“Tash 22 vjetë e ushtroj detyrën baritore vetëm me bukën e mundimit, pa asnjë
ndihmë. Me që kam arrit moshën e pleqënisë dhe të mundimëshme dhe të
nënshtruemit janë në gjendje të mjerë, nuk mundem me qëndrue ma gjatë në ato
anë që me i mbajtë të ngulun në fe ata popuj, me e ruejt kishën e vet nga
persekutimet e barbarëve otomanë dhe me e mbajt shkollën e 12 gjakojve .... [Kastriot Marku. Kishat e Kurbinit, Geer
2008, f 236]
Në një relacion të
Imzot Mark Skura të vitit 1654, me njoftime rreth vizitës në dioqezën e
Kunavisë, i ruajtur në arkivin e Propogandës Fide, rezulton se në Martanesh
ishin 800 malësorë katolikë, pra po pakësohej numëri i katolikëve, por nuk
jipet numëri i banorëve ortodoksë në këtë trevë. [M. Scura, S. R. C. G. anni 1652- 1656, Vol. 206, f.
4-13]
Mark
Skura vdiq në Romë, në Kolegjin Urban të Propogandës Fide më 27 prill 1656, ku
kishte shkuar për vizitë Ad Limina Apostolorum, në takimin e të gjithë
ipeshkëve, aktivitet që organizohej çdo pesë vjet në Vatikan. [Farlato,
Illiricum sacrum, vol 7, f, 407] [Eubel. Hierarchia catholica, vol 4, f
74]