Speciale » Alia
Lutfi Alia: Illyrii Proprie Dicti – Ilirët e Vërtetë
E enjte, 08.06.2023, 09:00 PM
ILLYRII PROPRIE DICTI – ILIRËT E VËRTETË
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Banorët
më të hershëme në trojet tona, janë shfaqur rreth 210 000 vite më parë, të
zbritur nga Europa veriore. Prania
e njeriut primitiv në trojet tona, konfirmohet me veglat e
punës prej stralli të gjetura në fshatrat Rusinjë dhe
Peshtan të Fierit etj. Në periudhat e paleolitit të lartë (35 000 – 10 000 vjet
para K), banorët u përhapën në thellësi të trojeve tona, duke ndjekur luginat e
lumenjëve. Objektet e gjetura në shtresat e shpellës së Konispolit I, të
analizuara me metoden radiometrike (sasia relative e izotopeve të karbonit - C14),
dëshmojnë se i përkasin periudhës 26 370 vjet më parë dhe janë vegla pune prej
stralli të bardhë me retush të varfër, kocka kafshësh të egra, fara rrushi të
egër dhe thjerëza të karbonizuara, gjetje tipike në trojet e Mesdheut Lindor
paraneolitik.
Në epokën e mezolitit
(10 000 - 6000 vjet para K), si pasojë e shkrirjes të akullnajave,
ndodhën ndryshime të mëdha klimatike, ndryshuan flora dhe fauna e kontinentit
europian, e gadishullit dhe e trojeve rreth mesdheut. Në kushtet e reja, njeriu
i mezolitit kaloi nga gjuetia e kafshëve të egra, në mbledhjen e produkteve të
gatëshme, filluan bujqësinë dhe mbarshtrimin e blegtorisë dhe u vendosën në
vendbanime të qëndrushme. Vendbanimet mezolitike në trojet tona i përkasin
periudhës 10 000 - 8500 para K, të zbuluar në shpellat e Konispolit dhe të
Kryegjatës (Sarandë), në fushën e Korçës, në Vlush (Skrapar) etj.
Neoliti i hershëm (6000 - 4500 para K): Përfaqësohet me kulturat e Vlushës në Skrapar, të Podgorës në Korçë, të Kolshit në Kukës etj.
Neoliti i mesëm:
Është
identifikuar në
kulturat e Dunovenit në
Korçë, në Cakran - Fier, në
luginën e Matit.
Neoliti i vonshëm. Përfaqësohet me kulturat Maliqit dhe
Barçit në Korçë, e Kamnikut në Kolonjë, e
Nezirit në Mat etj.
Kulturat
neolitike, dëshmojnë se trojet tona ishin të populluara gjërësisht. Këta banorë primitivë, përbënin thelbin e qytetërimit neolitik, që u konsolidua gjatë epokës së bakrit, të verifikuara në vendbanimet e Maliqit 2° dhe
Trenit në Korçë, Kamnik dhe Gradec në Dibër, në Konispol, Gajtani në Shkodër,
Neziri në Mat etj. Në periudhën e neolitit, fillimisht
u shfrytëzuan shpellat, ndërsa nga fundi i kësaj epoke, lindën
vendbanimet e para, të rrethuara me mure gurësh të palatuar dhe të lidhur në të
thatë. Në këtë periudhë, për të parën herë prodhohen vegla dhe objektet
prej bakri.
Epoka e bakrit (eneolitike). Shënon fillimet e
metalurgjisë në trojet tona, që u zgjeruan në periudhën
e bronzit (3500 - 1200 para K), madje tributë prehistorike
që popullonin trojet tona, u vendosën kryesisht në vende të ngritura kodrinore
dhe malore, në terrene me mbrojtje natyrore dhe me burime të mjaftueshme
jetese. Bashkësitë e gjëra kulturore, kultike dhe etnogjuhësore parailire, të formuara në trojet tona në epokën e bronzit, në mënyrë konvencionale quhen Kultura
Pellazgjike. Qeramika dhe kultet, si elemente
të popujve primitivë, me që i nënshtrohen më pak ndikimeve të jashtëme,
provojnë vazhdimësinë etnike të grupeve parailire dhe protoilire në trojet
tona. Sipas
Edwin Jacques, në fund të periudhës së bronzit, parailirët u organizuan në
shtete. Rreth vitit 1225 para K,
krijohet mbretëria e parë ilire me mbret Hylli,
i cili i bashkoi fiset ilire të shpërndara gjatë bregut të Adriatikut, nga
Trieste në veri, deri në lumin Vjosa në jug.
Në antikitetin parahelen, emri i lashtë i trojeve ilire ishte Kandavia
(N. Ceka, L. Papajani), e shprehur me emërtimin e trevës Candavia, me emër mali
(Candavii Mons), emër tempulli (Diana Candaviense) e në shekujt e më pasëm me emërin
e rrugës transperandorake Via Candaviense, që fillonte në Durrës dhe arrinte në
Bizanc.
Emri Kandavia është me origjinë të lashtë mitologjike, i lidhur me
legjendën e Dardanit, të Kandavias dhe të Kadmo. Sipas mitologjisë, mbreti
Korito i Tegea dhe Elektra (e bija e Atlasit me Pleiona), kishin katër djemë:
Iasio, Dardani, Italo, Sikano dhe vajzën Kandavia (Harmonia). [Giovanni
Boccaccio. De Geneologia Deorum Gentilium. Tradotta ed adornata Messer
Giuseppe Betussi da Bassano.1547, libri VI, f. 107].
Diodor Sikulo tregon tjetër varjant. Pasi lindi Italon, Elektra pati
lidhje të fshehta dashurore me Jupiterin, me të cilin lindi tre fëmijët Iasio,
Dardani e
Kandavia. Pavarësiht nga këto varjante, autorët e antikitetit të hershëm,
historinë në vazhdim të familjes të mbretit Korito dhe gruas së tij Elektra e
tregojnë me të njëjtin subjekt. Pas vdekjes të mbretit Korito,
pretendent i fronit ishte Iasio, por Dardani ambicioz, për të zënë fronin, e
vrau vëllanë. Ky akt kriminal e revoltoi popullin e Tegea, që u ngrit kundër
Dardanit, i cili për t’i shpëtuar ndëshkimit, mori disa anije dhe së bashku me
motrën Kandavia dhe me mbështetësit e tijë besnikë, zbarkuan në Samothraka. [Diodoro Siculo. Bibliotheca
Historica, libri V, f. 47].
Në vazhdim Dardani zbriti në Helespont dhe trojet që i pushtoi, morën
emërin Dardania. Aty ndërtoi qytetin dhe një kështjellë të madhe. Peruxhino, bazuar në kronikat e
Eusebio, ipeshkëvi i ?esares (265 - 340 pas.K) [Chronicon
id est temporum breviarium] thotë se këto ngjarje ndodhen në
kohën e Moisiut, kur mbretëronte Argo, vëllai i Pellasgos dhe kur Tantalo mbretëronte në
Frigia. [Paolo
Perugino. Collectiones.
Trattato Di Mitologia.
Edizione anno 1340] [La leggenda
di Dardano: Rivista Aufidus. Università di Bari; CNR 2000].
Atë kohë,
Kadmo, i biri i Agenore mbreti i Tiro dhe i Telefassa, ishte nisur në kërkim të
motrës Europa, që e kishte rrëmbyer Zeusi. Kur arriti në Samothraka, Kadmo
njohu dhe u dashurua me Kandavian, të motrën e Dardanit. Këtë lidhje dashurie e
shfrytëzoi Zeusi, i cili i propozoi Kadmos martesën me Kandavian, me kusht, që
t’i ndërpriste kërkimet për të motrën Europa. Kadmo e pranoi këtë kompromis dhe
u martua me Kandavian. Në dasmën e tyre, Zeusi dërgoi 12 hyjnitë e Olimpit. [Pierre Grimal & A. R.
Maxwell-Hyslop, The Dictionary of Classical Mythology, 1996, pp. 230]. [Roberto Calasso. Le nozze di Cadmo
ed Armonia. Milano, 1991, pp. 20 – 280].
Nga martesa e
Kadmos me Kandavian, lindën katër vajza (Ino, Agave, Autone, Semele). Kur Samotraka u shkatërrua nga
Dionisi, Kadmo me Kandavian dhe fëmijët, u detyruan të ikin dhe pas një
udhëtimi mundues, arrijtën te fiset ilire të Enkelejve, që atë kohë ishin në
luftë me fqinjët. Gjatë lutjeve të enkelejve në tempull, orakulli u tha se me
në krye Kadmon, do ta fitonin luftën e atëhere populli e emëroi komandant të
ushtrisë dhe pas fitores, Kadmo u bë sovrani i Enkelejve. Në nderim të
bashkëshortes së tij, malet dhe trevën malore të shtrirë në veriperëndim të
mbretërisë, e quajtën me emërin Kandavia. [D. Siculo.
Biblioteca Storica, IV, 2: V, f. 48] [Karl Patsch. Ilirët. 1923. Përkthim i Karl
Gurakuqi. 1925].
Në moshë të
avancuar, Kadmo me Kandavia lindën një tjetër djalë, Ilirin. Sipas mitologjisë, Iliri (greqisht I???????
– Illyrios, latinisht Illyrii) u bë mbreti i fiseve ilire Liburne, me
kryeqendër Rizonin, ndërsa Dyrrachi, djali
tjetër i tyre, u bë mbreti i Durrësit. Sipas legjendës, dy bashkëshortët Kadmo dhe Kandavia kur
vdiqën u shndërruan në gjarpërinj dhe me këtë legjendë, spjegohet përse ilirët
e nderonin kultin e gjarpërit. [Francis Vian. Les Origines des Thèbes. Cadmos et les
Spartes, Klincksieck, Paris 1963]
Ovidi, tregon varjant tjetër të kësaj
legjende, që sipas tij kishte ndodhur në shekullin XVI para K. Kadmo dhe gruaja
Harmonia (Kandavia), e bija e Afërditës me Ares (Marsi), të lodhur nga
peripecitë dhe fatkeqësitë në fisin e tyre, e braktisën Tebën dhe shkuan në
Kadmea (???????), fortesa antike e Tebës, kryeqendra e Beocia. Pas shkatërrimit
të pallatit mbretëror nga Dionisi, të dy shkuan në Iliri. [Publio Ovidio
Nasone. Metamorphosis: IV, 562 – 603]. Në ditët e fundit të jetës, Kadmo
mori përsipër mëkatet dhe gabimet që kishte kryer, andaj si vetëndëshkim kërkoi
të shndërrohej në gjarpër, si e kish parathënë orakulli Febo i Delfit, pasi
Kadmo kishte vrarë gjarpërin gjigand (draguan). Kandavia nuk e braktisi
bashkëshortin, por shkoi pas duke u shndërruar dhe ajo në gjarpër dhe të dy së
bashku, shkuan të jetonin në thellësi të pyjeve të Ilirisë. [Roberto
Calasso. Le nozze di Cadmo ed Armonia. Milano,
1991, p. 20 – 280].
Apiani i Aleksandrisë, tregon varjant
tjetër, që evokon gjeanologjinë e ilirëve të lidhur me ciklopin Polifemo dhe
nimfën Galatea. Sipas Apianit, tre djemtë e tyre Kelti, Gali dhe Iliri, u
larguan nga Siçilia dhe shkuan të jetojnë në vende të tjera, ku sunduan dhe nga
rrodhën popullatat kelte, gale dhe ilire. Iliri u vendos në brigjet qendrore të
Adriatikut, ku u martua me një vajzë vendase dhe lindën fëmijët Autarieus,
Dardanos, Parthó, Daorthó, Dassaró, të cilët u shpërndanë në trojet perëndimore
të gadishullit Ilirik, ku i dhanë emërat fiseve ilire Autariate, Dardane,
Parthine, Daorthe, Dasarete. [Apiano
Alessandrino. Historia romana: de rebus Macedo-nicis et de
rebus Illyricis. IX. Primiceri Editore, 2021, p. 112 – 120]
Bazuar në Apianin e Aleksandrisë, Daniele Farlati në veprën
madhore “Illyricum Sacrum”, vëllimi I, botuar
në
vitin 1751, në kapitullin “Pars prima prolegomenon de Illyrico; De pelasgis
condisoribus Gentis Illyricar”- Hyrje mbi Ilirikun” përshkruan origjinën e
Ilirëve dhe mbretin e parë ilir Hylli. Në fillim të këtij kapitulli, Farlato
shkruan: “Përpara se të nis e të shkruaj për Dalmacinë dhe për kishën e
Salonës, është e nevojshme të them disa gjëra në mënyrë të përmbledhur për
universin ilirik, pjesë e rëndësishme dhe shumë e dëgjuar e të cilit ka qenë
gjithmonë Dalmacia. Shpjegime të mëtejshme e më të hollësishme për këtë çështje
do t’i japim në shënimet që do të shoqërojnë historinë kishtare të Ilirikut.
Kjo trevë ka qenë e quajtur Ilirik si nga grekët dhe nga latinët, por grekët e
quajnë atë edhe Iliridë”. Historianët latinë si Pomponius Mela në librin “De
chorographia, de situs orbis”, kreu 3 shkruan: “Anën e Adriatikut e zë Ilirida.
Këtë vend e quan Iliri dhe autori grek Stefan Biznatini. Banorët e atij vendi i
quajnë grekët i quajnë Ilir (I???????), ashtu edhe latinët (Illyrii). Ndër autorët
grekë që i quajnë ata ilirë është edhe Eustathi, në shënimet e tij mbi
Periegetin.
Gjithçka
që lidhet me ilirët apo emërtimet që lindin nga emri i këtij fisi, quhen
ilirike, si p.sh. grykat ilirike, apo ushtritë ilirike, si përmenden te Taciti.
Mbishkrimet dhe monedhat e vjetra na mësojnë se ata quhen edhe ilirikanë, si
pretorët ilirikanë dhe ushtria ilirikane. Këtë e konfirmon edhe perandori
Valerianus Nobilissimus Caesar, në një letër dërguar Zosimionem në të cilën
shkruan: “Në krye të legjionit të pestë, ndër më të zgjedhurit, vumë si tribun
Klaudin, burrë me origjinë ilire”. Në vazhdim Farlato citon Appian Aleksandrinin
i cili thotë se Ciklopi Polifem pati nga gruaja e tij Galatea tre fëmijë Kelti,
Gali dhe Iliri, të cilët pasi u larguan nga Sicilia, sunduan në vise të
pafundme, prej nga kanë ardhur emrat e keltëve, galëve dhe ilirëve.
Autori Stefan
Bizantini mendon se, emrat ilirik dhe ilirë vijnë nga emri i djalit të Kadmit,
Ilirit. Të njëjtën gjë pohon edhe Eustathi në konsideratat e tij mbi Dionisin: “Në
të djathtë ndodhen vendet e ilirëve, që quhen kështu prej emrit të djalit të
Kadmit, Ilirit”. Këtë mendim e ndan edhe Apollodori, i cili, në librin 3
shkruan: “Iliri ishte djalë i Kadmit, mbreti i Ilirëve, Ilirët i sundoi Kadmi
dhe këtij i ka lindur një djalë me emrin Ilir”. Gjithsesi, një shpjegim i tillë
kundërshtohet nga Samuel Bochard, sipas të cilit “Fjala Ilir s’ka të bëjë fare
me gjuhën e Fenikasve apo të Amoritëve, që përdorej nga Kadmejtë, por lidhet me
vendet e quajtura Iliri, pra ky emër i këtyre trojeve ekzistonte para se të
arrinte Kadmi dhe para se të lindte djali i tij që e quajti Ilir. As në doket dhe në institucionet e ilirëve dhe as në
gjuhën e tyre të hershme (gjuha ilire) dhe te sotme apo vulgare, nuk ndeshet
ndonjë gjurmë e origjinës nga Fenikia, ku u lind Kadmi, çka na shtyn të
mendojmë se emri dhe origjina e tyre duhen kërkuar në vendin që ka emër Iliria dhe
me zakone të tjera”.
Rreth
këtij argumenti na jep një provë bindëse fragmenti i përmendur nga Apollodori, i
cili thotë se Kadmi sundonte mbi Ilirët përpara se t’i lindte djali Ilir. Por,
meqenëse historianët e mëvonshëm nuk e dinin emrin e tij, menduan ta quajnë
sipas emrit të vendit ku kishte lindur ose ku sundoi, i cili në kohën kur ata
shkruanin quhej Iliri.
Iliria
ekzistonte shumë më herët dhe banorët e këtyre trojeve si thotë Plini Plaku (Gaio
Plinus Secondus) quheshin ilirë, Illyrii Proprie Dicti - Propriamente illirici – ilirët e vërtetë. Sipas Edwin Jacques, në fund të periudhës së
bronzit, parailirët u organizuan në shtete. Rreth vitit 1225 para K, krijohet mbretëria e parë ilire me mbret Hylli, i cili i bashkoi fiset ilire të
shpërndara gjatë bregut të Adriatikut, nga Trieste në veri, deri në lumin Vjosa
në jug.
Duke iu
referuar disa autorëve, Farlati e lidh emrin e ilirëve me të birin e Herkulit,
kështu thekson se sipas
mitografit
grek Palaephatus (shek. IV para K) në veprën “Histori të pabesueshme”, Herkuli
kishte dy djem me emrin Hylli, njerin të lindur nga Dejanira dhe tjetrin nga
Melita, bijë e Nausithës, mbret i Feakasve, madje këtë histori e theksojnë edhe
Apolloni i Rodit, Skylaksi, Skymi, Festus, Avieni etj. Sipas tyre, kur Herkuli
mbërriti në Iliri rreth vitit 1237 para K, aty sundonte mbreti ilir Dyraku
(Dyrrhachus), i cili e kishte selinë mbretërore në qytetin e themeluar nga
gjyshi i tij Epidamni. Dyrraku kishte dy vëllezër, të cilët të shtyrë nga etja
për pushtet, nxitën një kryengritje për të dëbuar vëllain dhe për të marrë
pushtetin. Ardhja e Herkulit i shkoi mjaft për shtat Dyrakit, i cili në atë
kohë rrezikonte jetën dhe mbretërinë e tij. Duraku e priti mikun dhe iu lut atij
ta ndihmonte kundër vëllezërve, duke i premtuar një pjesë të mbretërisë, në
rast se do t’ia dilnin mbanë. Nuk e refuzoi Herkuli, që kishte lindur për të
shtypur tiranë e për të ndihmuar njerëzit e varfër e fatkkeqë. Ai nxori në
fushën e betejës luftëtarët, që e kishin shoqëruar në udhëtimet dhe në 12
mundimet e tij, u ndesh me armiqtë e pasi i shpartalloi i dëboi vëllezërit, i
siguroi Dyrakit sundimin në mbretërinë e trashëguar nga të parët. Ky nuk e
harroi premtimin për të shpërblyer nderin e bërë, ndaj shkëputi një pjesë nga
zotërimet e tij dhe ia dhuroi Hyllit të Herkulit. Këto ngjarje Appiani i
përmbledh me pak fjalë: “Në kohën kur Dyrakit i kishin shpallur luftë
vëllezërit e tij, mbërriti Herkuli, i cili i ofroi ndihmë, me kusht që t’i
jepte një pjese të zotërimeve; duke u bërë bashkëpjestar i Mbretërisë”.
Megjithëse Appiani nuk sqaron se cilat ishin trojet, që Herkuli i pranoi nga
Dyraki si shkëmbim për aleancën e tij, nuk ka arsye të dyshohet nëse ishte apo
jo pjesë e Mbretërisë ilire të Dyrakit, që në anën e perëndimit përfshinte
viset e ilirisë midis Drinit dhe Naronës.
Ndonëse
ndërthurja e bëmave të Herkulit lidhet me historinë ilire, fiset dhe trojet
ilire ekzistonin para tij.
Në vitet e epokës së hekurit
(1200 – 500 para K), popullatat ilire morën tipare dallues, të organizuar ne
fiset kryesore ilire. Kjo periudhë u karakterizua me zhvillimin e metalurgjisë,
prodhimin cilësor të veglave të punës, të armëve prej hekuri, me përmirësimin e
bujqësisë, me zgjerimin tregëtisë, me forcimin e sistemit skllavopronar dhe
organizimin shtetëror. Në periudhën e hekurit, në trojet ilire u shfaqën
mbretëri të shumta të njëpasnjëshme.
Progresi i shoqërisë ilire në epokën e hekurit, u shoqërua me lindjen e vendbanimeve të fortifikuara me mure guri megalitike. Në këtë periudhë ishin të zakonëshme luftat midis fiseve ilire për zgjerimin e trojeve dhe luftat me fqinjët helenë, i detyruan ilirët t’i ngrinin fortifikime mbrojtëse në vende të larta strategjike. Një nga qendrat e para ilire të fortifikuara në periudhën e hekurit është Qyteza e Gajtanit në Shkodër, ndërsa në shekujt e më pasëm u ngritën qyteza të tjera në luginat e Drinit, Matit, Fanit, Shkumbinit, Vjosës dhe në thellësi të trojeve si në Trafandinë, Tropojë, Dardani, Lezhë, Dibër, Kandavia, Tiranë, Elbasan, Gramsh, Bylis, Korçë, Kostur, Berat, Vlorë, Mallakastër, Sarandë, sidomos në Çamëri ku u ngritën shumë qyteza etj.
Fiset ilire ishin popullata me masive e
gadishullit, si shkruan Plini Plaku, ata ishin Propriamente illirici, Illyrii Proprie Dicti, pra banorët e
këtyre trojeve ishin pikërisht ilirët,
të quajturit ilirët e vërtetë, që
kishin krijuar mbretëri të shumta në këto troje. [John
Wilkes. The Illyrians. The Peoples of Europe, 1996, p. 21]
Zhvillimi dhe diferencimet
ekonomiko-shoqërore të popullatave ilire, u shoqëruan me krijimin tribuve të mëdha
dhe federatave të fiseve ilire, të cilët i bashkonte territori, e njëjta gjuhë
ilire dhe e njëjta kulturë. Ilirët përbënin popullatën më të madhe të
gadishullit Ballkanik. Papazoglu, në studim për shtetet
Ilire dhe Islami në librin “Historia e
ilirëve”, japin koordinata mbretërishë ilire, vijimësi dinastishë centrifugale,
si shtete konvencionalisht të tipit helenistik, të formuara në pjesën
perëndimore të gadishullit të Ballkanit.
Fiset e herëshme ilire janë Thesprotët, Kaonët, Molosët,
Amantët, Bylinët, Atintanët, Taulantët, Ardianët, Paonët, Liburnët, Dardanët,
Dalmatët, Enkelejtë, Autariatët etj, të cilët ku më shumë e ku më pak luajtën,
rol me rëndësi në ngjarjet historike të asaj kohe. Në periudhat e vonëshme, në
rrethana të reja historiko-politike, u shfaqën bashkësi të tjera ilire, si
Parthinët, Dasaretët, Albanët etj, disa prej të cilave luajtën rol në
zhvillimin e ngjarjeve politiko-ushtarake të shteteve ilire.
Në periudhën protourbane (shekujt VIII - V para K), në trojet ilire nisi
jeta qytetare (civitates). Njeri pas tjetrit lindën qytetet Durrësi, Shkodra,
Rizoni, Lissus (Lezha), Apollonia, Dimali, Demastioni, Nissus etj., etj.
Në shekullin VIII para K, mbreti i Durrësit ishte Dyrrachium.
Në
shekullin VII para K, mbreti i qytet-shtetit ilir Gylaceia,
ishte Gylax (Gylaksi), por pasi u pushtua nga kolonët helenë në shekullin VI para K, mori emrin e ri Apollonia, për nder të hyut
Apollon.
Sipas Herodotit, në shekullin V para K, ilirët shtriheshin në
territore të gjëra dhe në lindje arinin deri te lumi Morava, ndërsa
Pseudo-Skylax shkruan: “Ilirët shtriheshin buzë Adriatikut, duke filluar në
veri me Liburnët dhe deri te Kaonët në jug”. Këtë shtrirje të gjërë të ilirëve
e jep dhe Apiani i Aleksandrisë, i cili duke mbledhur gjithëçka ishte thënë
përpara tij mbi ilirët, shkruan: “Helenët quanin ilirë, popujt që banonin mbi
Maqedoninë dhe Thrakinë, nga kaonët dhe thesprotët në jug, deri tek lumi Istër
në veri.”
Në shekullin V para K, u fuqizua mbretëria e Enkelejve, me mbretin Bardhyl, i
cili pushtoi Epirin dhe Maqedoninë perëndimore, duke provokuar reagimin e
fuqishëm ushtarak të Filipit II të Maqedonisë, i cili e sulmoi dhe e theu ushtrinë
ilire. Në vitin 335 para K, dy
djemtë e Bardhylit - Kliti dhe Glauku, tentuan t’i rimarrin trojet e humbura,
por kushëriri i tyre, Aleksandri i Madh i Maqedonisë, i theu në betejën e
ashpër, që u zhvillua në grykën e Devollit.
Në shekullin IV para K, u fuqizua mbreti Monun i Taulantëve, i cili pushtoi dhe
trevat malore në lindje dhe në veri deri në lumin Drin. Në vitet 350 - 340 para K, Monuni emetoi monedha,
çka dëshmon fuqinë ekonomike të Taulantëve.
Në shekullin IV para K, fiset Ardiane të shtyrë nga dyndjet kelte, që vinin nga
veriu, u tkurrën në bregun e djathtë të lumit Narona, përballë ishullit Far, në
jug të Dalmatëve përfshi Shkodrën, Bassania dhe Lezhën. Mbret i shtetit të Ardianëve
ishte Skerdilaidi. Në shekujt IV - III para K, aristokracia skllavopronare e Ardianëve, u
fuqizua me një organizim të mirë shtetëror, ekonomik dhe ushtarak. Në vitin 340
para K, në fronin e Ardianeve hypi Pleurati I, i biri i Skerdilaidit.
Kryeqyteti i Ardianëve ishte Rizoni. Pleurati I ndoqi politikën e të Atit,
vazhdoi bashkëpunimin e ngushtë me Romën, por në dëm të interesave të
Maqedonisë fqinje, që ato vite ishte fuqizuar.
Në vitin 280 para K, erdhi në fuqi mbreti Pleurati II.
Sipas Polibit, me ardhjen në pushtet të Pleuratit
II, nisi një nga faqet më të lavdishme të shtetit ilir. Pozita dhe madhështia e shtetit Ardianëve, kushtëzuan tërë kompozimet politike dhe ushtarake me
fiset ilire fqinje, me Maqedoninë, me Lidhjen Ajakide në jug dhe me Romën. Pleurati
II i zgjeroi kufijt e mbretërisë dhe iu imponoi pushtetin e tij fiseve ilire
fqinje dhe të Ilirisë së Jugut, duke krijuar një mbretëri të re, më të gjërë,
që shtrihej nga lumi Narona në veri, përfshi Epirin në Jug.
Pas vdekjes te Pleurat II, në krye të mbretërisë
erdhi i biri Agroni, (250 – 231 para K) i cili i zgjeroi kufijt me aneksimin e fiseve Dokleate dhe
Labeate. Në vazhdim Agroni pushtoi trojet e Parthinëve dhe të Taulantëve. Sipas Tit Livit: “Parthinët ishin inkuadruar në formacione harkëtarësh
në ushtrinë ilire të Agronit. Parthinët nderonin dhe kishin ngritur një tempull në
nderim të Jupiter Parthinus”.
Mbretëria e Agronit, shtrihej nga Narona në veri, deri në lumin Vjosa në jug, me përjashtim të Dyrrahut dhe
Apollonisë, që vazhdonin të ishin koloni helene. Qytetet e veriut Lissus,
Shkodra, Olcinum dhe Risonium, me portet dhe gjiret e mbrojtura, strehonin
anijet e flotës së fuqishme ilire. Sipas Polibit dhe Dion
Kassi: “Agroni, kishte fuqinë detare dhe tokësore, më të madhe, nga ajo që
kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”.
Pas
vdekjes të Agronit, sundimin e Ardianëve e mori gruaja e parë Teuta, e
përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të aristokracisë ilire. Kryqyteti i Teutës ishte Rizoni, i cili njëkohësisht
ishte dhe qendra religjioze pagane e hyut Medaur, për nder të cilit, ilirët
kishin ngritur një tempull madhështor në Rizon, tempull që u ruajt dhe pesë
shekuj pas vdekjes së Teutës. Teuta,
mbretëresha autoritare e ardianëve, u bë shëmbëlltyra arketipale e pushtetares
trime, që e sfidoi superfuqinë romake, çka çoi në fillimin e konflikteve
politiko-ushtarake ndërmjet Romës dhe Shtetit Ilir të Ardianëve. Konfliktet e Teutës me
Romën, në vitet 229 - 228 para K, çuan në shpërthimin e luftës së parë
romako-ilire, që përfundoi me fitoren e romakëve.
Në vitin 228 para K,
mbretëresha Teuta e mundur dhe e tradhëtuar nga Dhimitër Fari dhe nga fiset e
tjera
ilire, dërgoi një delegacion
në Romë, të cilët firmosën armëpushimin dhe paqen me Republikën e Romës. Kushtet e kësaj paqe ishin të rënda për Teutën,
e cila u detyrua t’i paguante një tribut të madh, i dorëzoi Romës
pjesën
më të madhe të trojeve ilire dhe u detyrua të pranoj daljen në detin Adriatik
jo më shumë se dy anijeve.
Në vitin 226 para K, mbretëresha Teuta vdiq. Polibi
thote se ajo vrau vehten nga dëshprimi i shkatërrimit të mbretërisë dhe nga
tradhëtia e bashkëpuntorëve. Në krye të shtetit të Ardianëve, Roma vendosi
Dhimitër Farin, i cili u përkrah nga Skerdilaidi, ish-komandanti i ushtrisë të
Teutës dhe vëllai i vogël i Agronit.
Teuta, mbretëresha e
Ardianëve, e vetmja mbretëreshë në botën antike europiane e asaj kohe, është
metafora ilire, krenaria e heroinës semantike ndër shekuj, e ruajtur në
kujtesën e historisë shqiptare dhe botërore.
Pas Dhimitër Farit,
mbreti i Ardianëve ishte Pleurati III, i cili vdiq në vitin 180 para K dhe në
krye të shtetit të Ardianëve erdhi Gentius (Genci), djali i Pleuratit III dhe
Euridiçes. Në pesë vitet e para të mbretërimit, Genci krijoi
një shtet të fuqishëm politik, adminsitrative, ushtarak dhe ekonomik. Pushteti
i Gencit mbështetej në ekonominë e përparuar skllavopronare. Sistemi autonom
financiar dhe i taksave të larta, i kishte garantuar rezerva të mëdha monetare.
Genci e kishte centralizuar dhe pushtetin politik.
Drejtimin dhe administrimin e qyteteve dhe të trevave rurale, ua besoi “dinastëve”, princa që emëroheshin nga
mbreti, por gëzonin të drejtën e trashëgimit të pushteti. Në dokumentat romake,
“dinastët” njihen “Principae Illyriorum - Princa ilirë”.
Edhe mbreti Genci u përfshi në konflikte me Romën,
që çoi në zhvillimin e luftës së tretë romako-ilire. Në vitin 168 para K,
Senati Romak urdhëroi pretorin Lucio Anicio të pushtonte shtetin e Ardianëve dhe
Lucio Emilio Paolo të pushtonte Epirin. Më 12 qershor 168 para K, Shkodra u pushtua nga romakët. Mbreti Genci u dorëzua dhe romakët e internuan në Gubbio të Umbrias, ku
vdiq në vitin 166 para K. Familjarët dhe banorët vendas, e varrosën me
nderime në Mauzoleun e ngritur për nder të tij në Gubbio të Umbrias.
Pas pushtimit, pretori Lucio Anicio, shpalli
vendimet e senatit romak, për ndarjen e shtetit Ardianëve në tri njësi
administrative: E para me kryeqendër Lissus, shtrihej deri në lumin Mat, pjesa
e dytë me kryeqendër Shkodrën, përfshinte trojet e labeatëve dhe pjesa e tretë
me kryqendër Rizonin shtrihej nga Ulqini deri në Narona në veri. Parthinët dhe
Atintanët, si aleatë, mbetën nën protektoratin e Romës, ndërsa të tjerët, që
nuk u implikuan në luftë kundër Romës, si Bylinët, Amantët, Dasaretët, u lanë
si njësi administrative autonome.
Mbreti
i fundit i shtetit të zvogëluar të Ardianëve ishte iliri Ballaeus, i cili
sundoi në vitet 167 - 135 para K. Mbreti Ballaues emetonte monedha me portretin
e tij dhe në pjesen e pasme me hyjneshën Diana.
Në trojet ilire të pushtuara, për funksionimin e
municipium, romakët aplikuan ligjin e quajtur lex Flavia Municipalis, i
cili e detyronte popullatën ilire të zbatonte të drejtën romake dhe gjuhën
latine. Duke
zyrtarizuar gjuhën latine, romakët ndikuan që shumë fjalë latine të hynin në
gjuhën ilire, ashtu si disa toponime ilire të përktheheshin në latinisht.
Përdorimi i emërave latine provohet nga shumë studiues, por po i referohem
vetëm njerit, Stadtmuller, i cili shkruan se disa toponime arbërore janë me
origjinë nga gjuha latine, si p.sh Bisaku (Bitiacum), Kastrati (Castrum),
Shurdhah (Sarda), Petrela (Petrula), Kunavia (Cunavia), Guri i Bardhë
(Petralba), Plava (Flavia), Mansi (Mansiones) etj. Gjithashtu disa kështjella, të shkatërruara gjatë tre
luftave të gjata dhe të ashpëra romako-ilire, u rindërtuan nga romakët dhe
morën emëra latine si p.sh kështjella Scampus etj. Krahas rindërtimit dhe
ndërtimit të kështjellave të reja, romakët përmirësuan gjendjen e rrugëve
ekzistuese, kështu vazhduan punimet me riparime dhe zgjatjen e rrugës Kandavia
deri në Bizanc, të cilën romakët e quajtën Via Egnatia (Egnacia), ndërtuan dhe
përmirësuan shumë rrugë të tjera ekzistuese, të cilave iu dhanë emëra latine si
Via
Lissus Naisus, me zanafillë në portin e Medea (Shëngjini i Lezhës), e cila kalonte
nëpër Pukë, Kukës, vazhdonte në Prizren dhe zbriste në Shkup; rruga Salaria; Via Iliana, që e merrte zanafillën nga
Apollonia kalonte në Amantia, në Hadrianopol, në Janinë dhe përfundonte në Selanik etj., nga ku vazhdonte dhe
bashkohej më rrugën Egnacia.