Speciale » Alia
Lutfi Alia: Bala, poeti i parë arbëror në shekullin XV (2)
E hene, 05.09.2022, 08:05 PM
KËNGA E SPRASME E BALËS (2)
Nga Lutfi
ALIA
Poema epiko - lirike “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril
Dara i Riu, nuk është riprodhim saktësisht i varjantit origjinal të këngëve që
mblodhi Gavrili Plaku dhe i ati Andrea Dara, por është risistemim me shtim të
disa këngëve të tjera, pra është një vepër si pikturë e restauruar, megjithatë
kjo nuk ia heq Balës të drejtën e autorësisë si poeti i parë, madje askush nuk
mund të thotë se nuk janë këngët e tij dhe pse pasardhësit mund t’i kenë hequr,
ose i kanë shtuar diçka nga nga vetja, si veproi Gavrili i Ri, i cili shtoi
“Këngën e zogut” me 260 vargje, ashtu si ka bërë dhe disa ndryshime gjatë
renditjes të disa pjesë kënge. Ndryshime në strukturën e kësaj poeme kanë
ndodhur gjatë transkriptimit nga gjuha shqipe e vjetër (dialekti arbëresh) dhe
nga përkthimi nga italishtia, por shtoj dhe faktin se disa ndërprerje dhe
ndarje në pjesë të këngëve, janë bërë gjatë sistemimit nga të tre Darët, andaj
shpesh rezultojnë përzierje ngjarjesh dhe beteja të ndryshme në të njejtën
këngë të poemës, si rezulton në pjesën e katërt. Gavrili i Ri, ka përfshirë
këngët pleqërishte, mes tyre këngën e Plakut Bala, të kënduara nga
bashkatdhetarët arbereshë dhe e mbledhur herët nga gjyshi Gavril Dara, që
përbënë dhe zanafillën e kësaj poeme, por ka shtuar dhe këngët që mblodhi i ati
Andrea, këngët që i këndonin arbëreshët e ardhur nga vise të ndryshme arbërore,
pra kuptohet se nuk ishin të gjitha të Plakut Bala.
Poema e mirënjohur
“Kënga e sprasme e Balës” përmbanë 1640 vargje të strukturuar në katër pjesë,
sejcila me disa këngë të veçanta, që evokojnë ngjarje dhe histori të betejave
të arbërorëve, të udhëhequra nga kryetrimi Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Në këtë
poemë përshkruhen ngjarje të lidhura me dy betejat e Vajkalit (Gavrili i Ri e
shkruan herë Vajkali e herë Valkali), me betejat e Nishit, Tulovazit dhe
Wlassagh (Vlasag), me masakrën e ushtrisë osmane në fshatin Shkallë të Matit,
me rrethimin e Beratit etj, por thelbi i kësaj poeme epiko - lirike ështa
ballada e Nik Petës me të bukurën Mara dhe me Pal Golemin.
Të dy heronjtë Niku
dhe Pali kanë veçori dalluese. Niku del më i plotë si personazh, është i
ndjeshëm dhe ëndërrimtar, poet e këngëtar i talentuar, djal bukurosh, i aftë
për një dashuri të madhe e të thellë, siç e shohim në marrëdhënie me Marën,
është luftëtari krenar, por dhe gjaknxehtë. Po aq krenar dhe gjaknxehtë është
Pal Golemi, te i cili shfaqet dhe sedra klasore e feudalit, që gjen shprehje në
qëndrimin e tij përbuzës ndaj Nikut, të cilin e fyen rëndë, duke e quajtur
"zot i dy zallishteve", "ushtaruci ballukedredhur". Pal
Golemi, pa asnjë ngurrim, e flijon lumturinë e vet familjare për hir të
atdheut, ndërsa në prag të vdekjes, gëzimi për fitoren ia shuan dhëmbjen për
rininë, që iu shua në lulëzim. Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë në
betejën e Vajkalit, ku ai futet thellë në prapavijat e armikut dhe bie vetëm
pasi ka arritur të zbrapsi turqit. Ato shkëlqejnë veçanërisht në amanetin
kuptimplotë që ai i lë Darës duke kërkuar, që armët e tij të varen në një pemë
dhe të vazhdojnë t'u kallin tmerrin armiëve osmanë. Në Këngën e sprasme të
Balës, Pal Golemi paraqitet më i vendosur në krahasim me Milosaon e Jeronim De
Radës.
Këto dy personazhe i plotëson Bala, këngëtari, rrëfimtari
dhe zëdhënësi i autorit, por Bala ka dhe një jetë të vetën, jetën e luftëtarit
të pamëshirshëm me armiqtë, ashtu si shprehet me plot ndjenja të buta njerëzore
me bashkëluftëtarët, me Nik Petën, me Marën dhe me Pal Golemin.
Në të katër pjesët e poemës, Gavrili i Ri pasqyron
tragjiken e luftës së pabarabartë të arbërorëve kundër një fuqie të madhe ushtarake të Pernadorisë Osmane, të shprehur përmes
përshkrimit të tablove rrënqethëse të betejave
dhe fatit tragjik të herojve kryesorë, në përshkrimin e
natyrës të pikturuar me ngjyra të errta, si sfondin dhe skena ku zhvillohej
lufta, por Gavrili poet e vë theksin dhe te qëndresa e madhërishme e atdheut,
te fitorja. Heroikja këtu jepet nëpërmjet tablove të betejave të cilat kanë
edhe bazë objektive historike, si beteja Vajkalit, lufta në Berat etj.
Dhe mbirja e pemëve në fund të veprës (e mollës dhe e
selvisë në varret e Nik Petës dhe Marës dhe e lisit në varrin e Pal Golemit),
janë simbole që shprehin vitalitetin e pashtershëm, vitalitetin e një populli
në luftë të përher-shme me hordhitë osmane, më ata që kërkonin ta shuajnë.
Gavrili i Ri, nëpërmjet kësaj poeme shpreh dhe tragjedinë
e arbëreshëve të mërguar jashtë atdheut duke i dhënë letërsisë sonë përmes
figurës së plakut Balë një tip të ri personazhi, tipin e arbërorit ikanak në
dhè të huaj, që jeton me mallin përvëlimtar për atdheun e braktisur. Idetë e
veta patriotike autori i ka mishëruar te personazhet kryesore, si te Nik Peta e
Pal Golemi, te Bala, te Dara, te Gjergj Mirëshpia, te Vrana Konti, te Moisi
Golemi dhe te Gjergj Kastrioti, i cili, ndonëse personazh episodik, ka një rol
të veçantë heroik dhe historik në këtë poemë.
Ideali atdhetar i
Gavril Dara i Riu spikat në përshkrimin e figurës të Skënderbeut, duke e
përshkruar si prijës ushtarak, strateg dhe luftëtar, ndaj e vendos në skena, që
i bëjnë të dalin në dritë më qartë këto anë të figurës së tij; si në këshillin
e luftës dhe në betejat. Gjithashtu, Skenderbeu zbulohet në marrëdhënie me të
tjerët, duke theksuar ndikimin e fjalëve dhe veprimeve të tij mbi
bashkëluftëtarët. Skënderbeu i Gavril Darës del më tepër strateg autoritar, i
veprimit dhe i fjalës, vigjilent e largpamës (porosia që i jep Balës për të
kontrolluar rojet, qëndrimi i tij ndaj plakut Harun, të cilin nuk e la të ikte
menjëherë, duke dyshuar për pabesi nga ana e tij, andaj ia dorëzon Pal Golemit
që ta ruaj; me fjalët që i thotë Nikut kur e lejon të shkojë për të çliruar
Marën; di të fali dhe gabimet kur e kërkon e mira e atdheut (skena kur fal
gabimin e Moisi Golemit). Në luftë me armiqtë ai është i rreptë dhe i tmerrshëm,
kurse në marrëdhëniet me ushtarët i dashur dhe i kujdesshëm. Skënderbeu i Darës
është me karakter të fortë dhe më afër me realitetin historik, sesa paraqitet
në veprat e rilindasve të tjerë.
Gavril Dara i Riu, i
jep personazhet kryesisht përmes veprimit dhe herë pas here përmes zbulimit të
portretit të tyre fizik dhe shpirtëror, si rasti i Nikut dhe i Marës. Në
përshkrimin e të bukurës Mara, ndonëse çuditërisht e paraqet si të huaj - greke
nga Morea (!?), por në figurën e saj ka mishëruar disa nga cilësitë dalluese të
gruas shqiptare. Mara është e bukur, e urtë, e mençur, e zjarrtë dhe e
qëndrueshme në dashurinë e saj. Ajo shquhet për trimëri të rrallë, në kohën kur
i ati i pa besë e dorëzoi te Ballbani, mbrohet nga turqit me thikë në dorë, kësisojë
Gavrili i Ri, nëpërmjet Marës jep edhe një portret kolektiv të grave shqiptare
duke i perkufizuar:
Tisi i nderit i
mbështjell…
kanë si dasëm
luftrat,
andej syresh lindin
trima.
Personazhet negative
janë vizituar me vija të lehta, po shprehëse. Lala Kaurri është njeriu që, për
të kënaqur lakmitë, shkel mbi detyrimet prindërore; është i pabesë që të vret
pas shpine, është zemërgurë dhe i pashpirt, sepse e vrau dashurinë e Marës me
Nik Petën, për të plotësuar kërkesën mizore të Ballaban Pashë Baderës.
Ndikimi i poezisë
popullore, si burim i pashtershëm për autorët arbëreshë, në këtë vepër është i
dukshëm. Gavrili Ri mori nga poezia popullore heronjtë kryesorë, Nik Petën dhe
Pal Golemin, figurën heorike të Gjerjgj Kastriotit dhe figurën e Ballabanit
tradhëtar.
Në këtë poemë
epiko-lirike, Gavrili i Ri ndërthur shumë motive nga poezia popullore arbëreshe
dhe shqiptare, si ndarja e dy të dashurëve, që na kujton legjendën e
Kostandinit të vogëlth; motivin e rrëmbimit të vajzës nga "qeni
turk", dukuri e shpeshtë në ato vite; ritin e shkëmbimit të unazave të
bashkëshortëve kur burri niset për luftë ose vritet; motivi i vjehrrës që e
qorton nusen për parandjenjat ndjellakeqe (motivi i Kasandrës); motivi i
amanetit të trimit që e shoqja të martohet në se mbetet i vrarë në luftë;
motivi i vdekjes të njerëzve të afërt; motivi i mbirjes të pemës mbi varr, që
dhe e mbyll këtë poemë.
Këtyre motiveve
popullore Gavrili i Ri u jep një formë origjinale, duke i lidhur ngushtë
ngjarjet e treguara me idetë romatike të veprës dhe duke plotësuar e forcuar
ato tipare që iu dedikon folklori shqiptar heronjëve të vet. Pra, në thelb,
Gavril Dara i Riu mori thjeshtësinë dhe frymën e thellë heroiko - patriotike të
poezisë popullore arbëreshe – shqiptare, të cilën e ndërthuri me Këngët e
Balës, duke na dhënë poemën epiko-lirike “Kenga e sprasme e Balës”, një vepër
origjinale e romantizmit arbëresho – shqiptar.
Në realizimin e
formës të poemës, Gavril Dara i Riu përdor vargun karakteristik trokaik pa rimë
e me larmi ritmike, përdor figuracionin e gjallë, epitetet e shumta, metafora,
përdor stilin dhe muzikalitetin e rallë, që të tërheq e të përfshinë në
rrjedhën e ngjarjeve që përshkruan. Gavril Dara i Riu është poeti piktor, në
veprën e të cilit shkrihen muzikaliteti me ngjyrat e gjalla. Ai shquhet si në
përshkrimin e tablove të ashpra të betejave, ashtu dhe në vizatimin e skenave
lirike. Mjeshtërisë së poetit i shërben figuracioni i pasur e konkret, të cilat
Dara i shpreh në përdorimin e antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve. E
fuqishme është antiteza e këngës së dytë midis trimave të Skënderbeut, që
gëzojnë pranë zjarrit, dhe Moisi Golemit, që rri mënjanë "Te hija e lisit
të helmit". Me një antitezë tronditëse flitet për trimat e rënë në sheshin
e betejës. Krahasimet e poetit dallohen nga forca përshkruese dhe nga ndjenjat
e holla, kurse epitetet-kompozite janë sintetike. Me një epitet të vetëm ai
shpreh një karakter të tërë p.sh., Moisiun e përshkruan
"ballëfshehur", Vrana Kontin "zemër e krah
lisi", Darën fjalë-urtë etj.
Si të gjithë
romantikët, Gavrili i Ri e përshkruan me ndjenja të thella natyrën, të cilën e
përdor si element të gjallë, që shoqëron veprimin e personazheve dhe ndalet në
anët e saj më të ashpra e më të rrepta, që përputhen me peshën tragjike të
epokës së madhe që përshkruan, por i shpreh me bukuri romantike kur evidencon
perosnazhe të veçantë si Marën, Nik Petën dhe dashurinë e zjarrtë të dyve.
Ndikimi i poezisë
antike dhe i poemave kalorsiake, nga një anë e kanë disiplinuar vrullin e
poetit romantik, dhe nga ana tjetër, kanë sjellë në vepër disa shenja të
veçanta në ndërtimin e saj dhe në përdorimin e figurave letrare dedikuar
kalorësve të kësaj poeme.
Në këtë poemë, në
krahasim me veprat e mëparshme të letërsisë arbëreshe, janë rritur fryma
luftarake dhe patriotizmi aktual në pasqyrimin e epokës së Skënderbeut, kështu
Gavrili i Ri shprehet me ngjyra epizmi dhe unitet veprimi. Unitet është i
dukshëm në poemë dhe pse vetë poeti, për ta paraqitur veprën popullore me një
mistifikim të zakonshëm romantik, bënë disa ndërhyrje të veçanta duke dhënë
iluzionin e copëtimi, të ndarjes, ikjes të arbërorëve (emigrimi masiv i arbërorëve
pas pushtimit nga Perandoria Osmane).
PJESA E PARË.
Kënga e parë –
Bala.
Është preludi i poemës epiko – lirike “Kënka e sprasme e
Balës”, që fillon me rrëfimin e plakut Bala, me kujtimet për të bijën e Lalës,
të bukurës së trishtuar, që e nxiti të rrëfejë historitë e moçme. Ndonjë
studiues ka shtruar pyetjen në se Bala ishte emri, apo mbiemëri i luftëtarit
rrëfimtar. Për mendimin tim, ky aspekt nuk ka rëndësi, sepse në popullatën
arbërore të asaj kohe, Bala rezulton emër dhe mbiemër personi ashtu dhe toponim
(Bala emër fashti dhe emër lagje), por rëndësi ka fakti
se ishte personazh historik dhe pjesmarrës në shumë beteja në rradhët e
ushtrisë të Gjergj Kastriotit, si tregon në vargjet:
Pse ky krah, tashti i dobët,
Shum`herë ushtën e vërtiti ...
E një rëndësie të veçantë është fakti, se Bala përmend
shumë toponime preçize në trojet arbërore, krahas atyre që vijnë nga kujtesa
kolektive e arbëreshëve, madje toponomia në këtë poemë ka një lokalizim të
caktuar, që sugjeron dhe origjinën e plakut Bala, çka del qartë në vargjet e
fillimit të këngës së parë, ku përmend Malin me Gropa dhe lumin, që zbret
rrëmbyer nga mali i egër me lisa madhështorë, mal që shtrihet në pjesën
veri-perëndimore të Fushë Bizës në trevën e Kunavisë.
Sa lind dielli malit t`Gropës,
Tundet, qesh i thelli shpat.
Lerja plakut, lerja Balës
T`errtët lisa, zhurm`n e lumit,
Që, rrëmbyer malit t`egër,
Thellon shtratin me përrenjtë ...
Origjina e Balës shprehet në këngët e tjera, si do të
trajtohen në vazhdim, sidomos kur përmend toponime vendbanimesh dhe fushën e
betejës të cilën Gavrili i Ri herë e quan Vajkal e herë Valkal. Toponimia në
këtë poemë dëshmon për origjinalitetin e këngëve arbërore të mbledhura nga
Gavril Dara Plaku, të atyre që mblodhi Andrea Dara dhe që u ruajtën nga Gavrili
i Riu, kur përfundoi renditjen e këngëve në varjantin përfundimtar të poemës,
si rezultojne në dorëshkrimin origjinal, që dhuroi prof. Marina Spinedi.
Ndonëse nuk përmendet emri i lumit, duke iu referuar lidhjes me Malin me Gropa
dhe Fushë Bizën, rezulton se janë dy lumenjë në këtë trevë malore, ku rrjedhin
rrëmbyeshëm në shtrate të thella si lumi i Erzenit dhe lumi i Matit.
Plaku Bala rrëfen se kishte 40 vite që jetonte në Siçili
dhe si ikanak i pafat, shpreh dhimbjen dhe mallin për atdheun, të cilin e
kujton çdo ditë, andaj ngjitej në çikat e maleve duke vështruar dhe duke u
falur për Albaninë, që për të fundit herë e kishte parë nga deti në ikje.
Dyzet herë krahu i dimrit
Ra mbi Honin e mbi Brinjën .....
Në këtë pjesë të poemës Gavrili i Ri shpreh ndjenja të
thella për natyrën, të cilën e përdor si element të gjallë, që i shoqëron
veprimet dhe ngjarjet, duke u ndalur në anët e saj më të ashpra e më të rrepta,
që përpu-then me peshën tragjike të ngjarjeve dhe të epokës që përshkruan.
Plaku Bala ishte ndër ikanakët që u vendosën në disa
komuna të Siçilisë, që ishin të pabanuara, si pasojë e vdekjeve të shumta të
popullatës nga epidemia e murtajës së zezë. Ndër vendbanimet e para ku u
vendosën arbërorët ishte komuna e Mezzojuso. Kur Bala thotë: “Dyzet herë krahu
i dimrit / ra mbi Honin e mbi Brinjën ...” tregon se prej 40 vitesh banonte në
komunën e Mezzojuso, e cila shtrihet në këmbët e dy kodrave, më e larta Brigna
(Brinja), më e ulta Dirrachion (Durrësi) dhe ndërmjet tyre gryka e quajtur
Honi. [Lufi Alia. Kronika e eksodeve dhe vendbanimet arbëreshe në Itali.
Botime 2M. Durrës 2016].
Më pas, Plaku Bala bashkë me Gjergj Mirëshpinë e me
bashkatdhetarët e tjerë shkuan në Palazzo Adriano, si e tregon Andrea Dara:
“Bala, ai që i shkroi këto vargje, ishte një ushtar i madh, prej atyre që
bashkë me Gjergj Mirëshpinë ndërtuan këtë katund”.
Kujtimet e Plakut Bala për të bukurën Mara, e nxisnin të
harronte trishtimin shpirtëror dhe t’i tregonte rinisë arbëreshe historitë e
moçme, historinë e asaj vajze “si lule delikate mali, më e bukura ndër vajzat,
plot gëzim rinor, që e ngrohte zemrën me ëndërra të dlirta mengjezi”. Mara, e
bija e Lalës e nxiti plakun Bala të kujtonte vitet kur luftohej kundër hordhive
osmane, ku dhe kjo vashë bëhet protagoniste e një dashurie të zjarrtë, por dhe
e një kurthi mizor, që i kurdisi i ati Lala Kaurri dhe e fundit tragjik në
fushën e Valkalit, si shprehet me dhimbje Plaku Bala në dy vargjet e fundit të
këngës së parë:
Emri Yt këtu m`kujton
Një përrallëzë plot lotë.
Kënga e dytë – Rrëfenja
(Në italisht Novella, në varjantin shqip është përkthyer – përrallza).
Në këtë këngë tregohet situata para fillimit të betejës
në fushën e Valkalit, me luftëtarët arbëror të mbledhur
mbi kodrën e Balshës, rreth zjarrit bashkë me kryetrimin
Gjergj Kastrioti.
Skënderbeu po gëzonte,
Me ata trima vëllezër,
Se në zemër-o i fliste,
Fuqia e rritur syresh,
Mbi krah`t e së zezës zhkabë.
Në këtë atmosferë paralufte, Gavrili i Ri përshkruan dy
figura kontrastante, ushtarin e vjetër të Llazit, Darën të parin e Darëve, i
urtë dhe i fortë si degë lisi dhe tjetrin Moisi Golemin të ulur maje Gurit të
Madh, i veçuar, ballëfshehur, me sytë ngulur përdhe. Pas gabimit të rëndë,
dragoi i Dibrës rrinte i turpëruar dhe kokulur, por Gjergj Kastrioti, e
kuptonte gjendjen e tij shpirtërore, andaj duke vlerësuar pendimin e tij, e
inkurajonte duke i kujtuar trimëritë dhe aktet heroike që kish kryer në betejat
kundër hordhive turke.
Në vazhdim, Gavrili i Ri e ndërpret përshkrimin e
ngjarjeve dhe të personazheve që ndodheshin në Valkal dhe kalon në rrëfimet e
Plakut Bala, i cili tregon për betejën mizore të 31 majit 1415 kur Gjon
Kastrioti u thye nga hordhitë osmane në fshatin Shkallë të Matit. Kjo betejë ka
mbetur e pashlyer në kujtesën arbëreshëve të komunës Mezzojuso, që e kujtojnë
çdo 31 maj në festën e Pentekoste me shprehjen “e shtuna e Scialla, mos ardhtë
kurrë” [Ernesto Schirò. Origine degli insediamenti albanesi in Itala,
Palermo 2009].
Pikërisht këtë thirrje dhimbje të Plakut Bala, Gavrili i
Ri e shpreh në vargjet e kësaj kënge:
Nata e helmi të mbuloftë,
Ditë vrasje, ditë dhune!
Gjithë të shtunat le të vijnë,
E shtun`e Scialla mos ardht`kurrë! (Scialla është
transkriptim i emrit Shkalla në Mat)
Arbëreshët e komunës Mezzojuso, ditën e shtunë të
Pentekoste, pas meshës ngjiten në majat e dy kodrave Brinja dhe Durrësi, me
fytyrën të kthyer nga lindja dhe këndojnë këngë malli dhe dashurie përvëlimtare
për atdheun dhe me thirrjen e dhimbëshme: “E shtuna e Shkallës mos ardhtë
kurrë”.
Në lidhje me vendin ku u zhvilluan dy betejat e Vajkalit,
janë bërë hamendësime të ndryshme dhe kjo sepse emri i fushës së betejës është
dhënë në disa varjante si: Vajkal (Barleci dhe Beçikemi), Valkhaila
(Biemme), disa autorë të më vonshëm e shkruajnë Valikardha, ndërsa
Gavril Dara i Riu e shkruan si Vajkal
dhe Valkal. Duke iu referuar këtyre emrave kuptohet se i përkasin vendit
ku u zhvilluan dy betejat më të ashpra kundër turqëve. Në se i analizojmë në
veçanti këto toponime, rezulton se janë të pranishme në trevën e Kunavisë, ku
ndodhen fusha e Vajkalit në Bulqizë; Valikardhi dhe Kroi i Ballabanit në
Martanesh, Vau i Valit dhe Valkali në luginën ku kalon përroin që përshkon
Fushën e Bizës mes Shengjergjit dhe Martaneshit. Ndofta beteja e parë u
zhvillua në Vajkal të Bulqizës, ndërsa e dyta në Valkal të Fushë Bizës, çka
sugjerohet nga toponimet që përmenden në poemë si Mali me Gropa, Vau i Valit,
Valkali, Përroi i Shtogut, Mokreu, fshati Gjon etj, të cilat janë dhe në këngët
e pleqërisë të mbledhur nga Gavril Dara Plaku, në ato të ruajtura nga i ati
Andrea dhe natyrisht nga Gavrili i Ri në krijimin e tij poetik.
Në betejën e parë në prill 1465 në fushën e Vajkalit në
Bulqizë, u shqua kapidani Pal Manesi i Martana, i cili e zëvendësoi Gjergj
Kastriotin në duelin me Ballaban Pashën, një dyluftim i ashpër, ku si tregon
Marin Barleci, Ballabani e braktisi duelin, duke përfituar nga mjergulla e
dendur, që mbuloi fushën e betejës. Ndonëse ushtria e Ballabanit u thye dhe me
humbje të rënda, gjatë tërheqies, asqeret e tij kapën robër kapedanët arbërorë:
Moisi Golemin, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Vladan Gjurica, Gjon Perlati,
Nikolla Erizi, Gjergj Kuka dhe Gjin Manësi, të cilët i dërgoi në Stamboll. Me
gjithë kërkesat insistuese të Skenderbeut për t’i këmbyer me çfarëdo lloj çmimi
e me kthim të robërve, Ballabani nuk pranoi, as Sulltan Mehmeti II nuk pranoi,
madje urdhëroi dënimin e tyre me vdekje, me rjepjen të gjallë para popullit të
Stambollit. Kësisoj u martirizuan dy trimat e Kunavisë, konti Muzaka i
Angjelinës dhe kapedanin Gjin Manësi i Martana. Këto heronjë arbëror janë
përfshirë dhe në poemën “Kënga e sprasme e Balës”, si do të trajtohen ne këngët
në vazhdim.
Ka shumë gjasa që beteja e dytë u zhvillua në luginën e
Valit dhe këtë mendim e bazoj në toponominë e ketij fshati, që evokon luftimet
kundër pushtuesve osmanë si Rrëkeja e Taborit, Përroi i Asqerit, Gjami i
Shtogut (Përroi i Shtogut), Shkëmbi i Skenderbeut para kështjellës në Qytezën e
Valit, Guri i Turkut me varret e turkut, Vau i Valit dhe Valkali në pjesën ku
fillon lugina mes malit Snoi i Madh dhe malit të Sponës, ashtu si dhe toponimi
Varri i Kaurrit në Ndërbalë të fshatit Gjon. Këtij mendimi i shtoj dhe faktin
se rënia heroike e Nik Petës dhe e Pal Golemit, në poemën e Gavrilit të Ri,
tregohet e shkëputur nga tragjedia e shtatë kapedanëve arbëror në betejën e
Vajkalit të Bulqizës.
Kënga e tretë – Kënga
e hënës.
Është kënga e Nik Petës, për të cilin Bala thotë se është
“Zot i këngëve të bukura / i larti vllastar i Petës dhe
zerin si ai nuk e ka njeri... Kënga e hënës është një
balladë dashurie, e shprehur nga Nik Peta duke iu drejtuar hënës, që rend në të
pafundmen kaltërsi dhe në qetësinë qiellore, është këngë që shkon larg te e
bukura që e kujton me mall, ndërsa ai rri i rrethuar nga shkëmbenj dhe lisa dhe
pret të nesërmen të ndeshet me armikun në sheshin e luftës, andaj kjo situatë e
kishte penguar lidhjen e tyre martesore. Për të kapërcyer këtë trishtim, Nik
Peta i kërkon hënës – zonjë së natës, të shkoi ta përqafoi me rrezet e
argjendëta bijën kryelartë të Kaurrit, zogën e Lalës gërshetprishur dhe me
gjinjtë e bardhë si tallazi.
Në subjektin e kësaj kenge ka një mospërputhje
rrethanash. Nik Peta jetonte në fshatin Gjon të Martana, si e thekson Gavril
Dara i Riu në këngën “Dita e Valkalit” në pjesën e katërt të poemës:
Gjoni natën seç renkoi,
maje kullave të Petës ...
Pra Gjoni ishte shumë larg nga Morea, madje kjo distancë
nuk e justifikon njohjen e dy të rinjëve. Gavril Dara i Riu, në këtë pjesë ka
përfshirë një fragment kënge me të njejtin subjekt të arvanitasve të ardhur nga
Morea dhe që banonin në disa komuna të Siçilisë, këngë që mund ta ketë dëgjuar
Andrea Dara, ose vetë Gavrili i Ri, i cili e përshtati dhe e integroi në
subjektin e rrëfimeve të Plakut Bala.
Rrëmbimi i grave dhe i vajzave të bukura arbërore ishte
veprim i zakonshëm i ushtrisë osmane, që i merrnin si skllave, ose i mbyllnin
në haremet e pashallarëve. Pikërisht një veprim të tillë kreu Ballaban Pasha, i
cili i kërkoi Lala Kaurrit t’i dorëzonte të bijën Marën, që do ta çonte në
haremin e Sulltan Mehmetit II.
Kënga e katërt – e
bija e Lalës.
Këtë këngë Gavrili i Ri e ka thurur si rrëfim i Nik Peta,
që tregon për ditën që u nis për gjueti dhe kur takoi Marën dhe që e dashuroi
menjëherë atë lule mali, të cilën e përshkruan me epitete dhe metafora, që
shprehin bukurinë e rrallë të saj. Një ditë në mengjes herët, së bashku me një
grup luftëtarësh, pas një udhëtimi të gjatë arrijtën në Malin e Lalës, ku
takuan Pal Golemin, i cili u bashkua me ata për të gjuajtur kaprolla. Aty në
mal ata takuan Marën, të bijën e Kaurrit të shoqëruar me shërbëtoret e saj, e
cila i ftoi në shtëpi, duke iu thënë se ishte e hapur përherë për miqtë (norma
kanunore e shqiptarit: shtëpia është e mikut dhe e Zotit).
Të nesërmen në darkën e shtruar për nder të miqëve të
shquar për akte heroike kundër turqëve, Nik Peta i kërkoi Kaurrit të martohej
me Marën, por ky veprim e revoltoi Pal Golemin, i cili me që ishte më i madh në
moshë, kish pëparësi ndaj Nikës, për të kërkuar dorën e të bijës së Kaurrit.
Këto qëndrime i ndezën gjakrat e dy trimave, të cilët nxorrën shpata për
dyluftim, por ndërhyri Kaurri dhe i ndau, duke iu thënë se të nesërmen në
mengjes do të vendoste cili prej tyre do të martohej me Marën, ndërsa me vehte
mendoi t’i vriste të dy pretenduesit. Mara e kuptoi mendjen e keqe të atit,
andaj rendi dhe i njoftoi Nikën dhe Palin, duke iu lutur të iknin se iu
rrezikohej jeta. Kur po përshëndeteshin para se të ndahen, Nik Peta i shprehu
dashurinë Marës:
Më dëgjo, e bardha vajzë!
Për sa mote të jem gjallë,
Ti gjithmon`do m`jesh uratë...
dhe i tha se kur të kthehej pas tre viteve, do të
martohemi dhe kundër vullnetit të atit e në se nuk kthehem, do të thotë se kam
mbetur i vrarë ne fushën e betejës (motivi i vdekjes në luftë).
Ky rrëfim në monolog të gjatë, ndërpretet në çastin kur
Nik Peta i shpreh dashurinë Marës dhe në vazhdim Gavril Dara i Riu, tregon
rrjedhën e ngjarjeve të tjera që pasuan.
Nik Peta shkoi në rradhët e ushtrisë të mbretit Janko të
Hungarisë (Giovann Mattia Corvino, mbreteroi 1458
- 1490), ku u shqua në luftimet në Nish, Tulovaz dhe
Wlassagh (Vlasag) kundër hordhive turke. Pasi përfundoi këtë mision, në kohën e
duhur u kthye në Albania, përsëri në rradhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit,
ku u takua me Pal Golemin. Ky takim i rindezi tensionet e pretendimeve për t’u
martuar me Marën dhe në këtë atmosferë gjakrash të ndezur nxorrën shpata, por
atë kohë arrijti Gjergj Kastrioti, i cili i urdheroi të ndalojnë dyluftimin.
Më këtë pjesë të këngës, Gavril Dara nënvizon autoritetin
e Skënderbeut, i cili me një vështrim dhe një fjalë i detyroi Nikun dhe Palin
të ndahen të turpëruar dhe të largohen “me bisht ndërshalë”. Ky përshkrim
ngjanë me një skenë te "Skënderbeu i pafat" i De Radës, por kjo e
Gavrilit të Ri është më origjinale.
PJESA E DYTË.
Kënga e parë – Plaku.
Kënga nis me rrëfimin e Balës, të cilin Skenderbeu e
kishte ngarkuar me detyrën të kontrollonte rojet në një natë pa yje dhe ndër të
tjera tregon se në Vajkalin e shkretuar kishin përgatitur shkëmbenj për t’i
rrokullisur në se sulmoheshin nga armiqtë në befasi.
Si desh mbreti, unë veja,
Vetëm, heshtur, me hap t`gjatë,
Duke zgjuar rojet e natës .......
O qetë andej u ktheva
Drejt Vajkalit të shkretuar,
Ku shkëmbenj të rrokullisur,
Udh`n armiqvet u gatitnin, po të vinin n`befasi.
Në fushën e gjërë të Vajkalit në Bulqizë, nuk ka
shkëmbinj të lartë, nga ku mund të organizohen prita, ndërsa në Valkal të
luginës së ngushtë në veri të fushës së Bizës, ngrihen shpate malesh të
thepisur, nga ku mund të rrokulliseshin gurët mbi ushtarët trurqë. Në tekstin e
këngëve në vazhdim, Dara shkruan Valcalli, pra Valkali, çka sugjeron se i
referohet dy vende të ndryshme betejash.
Gjatë shërbimit, Bala kapi plakun Harun, i cili kërkoi me
insistim të fliste me Skënderbeun dhe i tregoi se mbi Mokreun kishte parë
Ballaban Pashën me dymijë ushtarë, që shkonte për në More, për të rrëmbyer
Marën, që do ta çonte në haremin e Sulltanit. Pasi e dëgjoi Harunin, Skënderbeu
nuk e la të ikte, por ia dorëzo ta ruante Pal Golemi, ndërkohë miratoi kërkesën
e Nikut, të shkonte të merrte Marën, para se të arrinte Ballabani, por ngjarjet
rrodhën ndryshe, madje u ndërlikuan.
Në këtë këngë ka një pasaktësi historike, sepse Ballaban
Pasha nuk ka luftuar në More, ndërsa në fakt pas betejës së Vajkalit, vjeshtën
e vitit 1465 u zhvillua beteja në Meçad, ku ushtria turke u shpartallua e ky
Meçadi (mali Mëcek mbi Shëngjergj) është afër Valkalit të Valit dhe Vajkalit të
Bulqizës, çka justifikon udhëtimin e Nik Petës, për të shkuar në ndihmë të
Marës, ndërsa nodhej shumë larg dhe lajmet prej andej dhe udhëtimi për në More
do të zgjaste mbi një javë.
Si dihet rrëmbimi i grave dhe vajzave arbërore, ishte
dukuri e zakonëshme në ato vite. Këto robina i bënin skllave, ose i dërgonin në
haremin e sulltanit dhe të pashallarëve. Dokumenta historike dëshmojnë se shumë
gra dhe vajza arbërore, për të mos rënë në duart e ushtarëve turq,
vetëflijoheshin duke u hedhur në gremina, si ndodhi në Krujë, në Dibër, në
Martanesh, në Sulin e ?amërisë etj, por shumë
prej tyre reagonin me guxim si Mara trimëreshë, kur i ati i pabesë ia dorëzoi
Ballabanit, ajo u mbrojt nga turqit me thikë në dorë.
Një histori të ngjashme e përshkruan James M. Ludlow në
veprën “The captain of the Janizaires. Harper & Brothers Publishers.
1890”, i cili tregon se Ballaban Pashë Badera (nga fshati Batra e Vogël e
Matit), kur pushtoi Valin, rrëmbeu një vajzë të bukur me emrin Morsinia dhe e
dërgoi në Stamboll, por Morsininë e shpëtoi Kostantini, vëllai i madh i
Ballabanit, i cili ishte luftëtar në rradhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit.
Në këtë këngë Bala tregon dhe për kapedanët e
Skenderbeut, bujarët Manesi (Gjini) burrë veprash dhe jo fjalësh rrinte
mbështetur mbi kordhë; mbi lëkurë ariu ulur Lleshi flokëziu, pranë tij Muzaka
(Gjini) edhe trimi i Angjelinës (Muzaka) dhe me rradhë Kuqi (Vladan Gjurica),
Berrezi (Nikolla Erizi), Gjon Perlati zoti i Zendës së Madhe dhe në këmbë me ta
bisedonte Arianit këshillmiri (Moisi Golemi), i ulur afër mbretit
(Skenderbeut), i cili fjalë me mend nga goja nxirrte.
Ky kuvend kapedanësh të shquar përshkruhet nga Bala me
një atmosferë madhështie, por duke përshkruar terrin dhe mjergullën e natës, që
rri pezull duket se parandillte fatin e tyre tragjik në betejën e Vajkalit në
Bulqizë. Bala tregon dhe për Vrana Kontin - zemër e krah lisi, me gunën e kuqe
që i mbulonte parzmoren e artë dhe me fuqinë e fjalës se tij, që me një thirrje
mblidhte njëqint fise në këngë lufte dhe njëmijë luftëtarë gati të nxjerrin
kordhat nga mylli, për t’u hedhur në sulm kundër hordhive turke.
Në këtë këngë Bala nuk harron mikun e tij Gjergj
Mirëshpinë, me të cilin dhe bashkë me bashkatdhetarët ikanakë, shkuan të
banonin në Palazzo Adriano.
PJESA E TRETË.
Kënga e parë – Humbja
e kusarit. (në origjinal: la valle di Masnadiero – Lugina e Kusarit).
Kjo këngë i dedikohet udhëtimit të Nik Petës me shokë, që
shkuan të shpëtojnë Marën. Gavrili i Ri e tregon këtë udhëtim të Nikut me
shokët që rendin nëpër male, gryka dhe fusha dhe kur arrijtën në Luginën e
Kusarit, aty panë se Ballaban Pasha me ushtrinë kishte arrijt para tyre.
Ballabani shkoi në shtëpinë e Lala Kaurrit dhe i transmetoi urdhërin e
Sulltanit, që t’i dorëzonte Marën e bukur, “hardhinë e bardhë, që kish mbirë në
kopshtin e tij dhe në se nuk bindej do t’i ikte koka dhe pronat”. Lala Kaurri,
babai shpirtzi, burri me karakter të dobët, u nënshtrua, pranoi t’i dorëzoi
Ballabanit të bijën Marën e bukur dhe të mençur.
Në kontrast të thellë me këtë vendim mizor të atit,
Gavrili i Ri përshkruan figurën dinjitoze të Marës, reagimin e saj,
kundërshtimin e hapur:
Vajza qau, gjirin rrahu,
Shkuli flokët e u vesh në zi,
Por, si e urtë, që me ish,
Helmin mbylli mu në zemër,
Dhe veç zoguthit iu trua,
Zoguthit të malit-o ......
Duke iu drejtuar zogut të malit, Gavril Dara i Riu shpreh
në mënyrë alegorike, mesazhin e Marës drejtuar të dashurit të saj Nik Petës, që
të vinte në ndihmë dhe ta shpëtonte nga duart e Ballaban Baderës tradhëtarit.
Kënga e dytë – Kënga
e zogut të vogël (Canto di uccellino – augelletto).
Këngën e zogut, Gavril Dara i Riu ia shtoi këngëve të
Balës, të mbledhura nga tradita gojore arbëreshe nga Gavril Dara Plaku, që i
kishte rradhitur në dorëshkrim në dy pjesët: “Këngë pleqërishte” dhe “Rënkimet
e Nik Petës dhe të Pal Golemit”. Këtij koleksioni këngësh, Gavrili i Ri i shtoi
dhe ato të mbledhura nga Andrea Dara, që si thekson ishin po të njejtat këngë,
që i përkisnin epopesë që tregonte Bala, ndonëse mungonin pjesë lidhëse mes tyre. I bindur për këtë fakt, Andrea
ishte impenjuar në kërkim të pjesëve munguese, por pa rezultate.
Në gjurmët e gjyshit dhe të atit, Gavrili i Ri takoi
shumë të moshuar arbëreshë, të cilëve iu kërkoi t’i tregonin këngë të vjetra.
Në Palazzo Adriano, Gavrili i Ri takoi një arbëreshe, zonjën e madhe fisnike
Maria Ribera, e cila i tregoi këngën e zogut, që ia kishte mësuar gjyshja Maria
Sulioti, që pasi e këndonte i kish thënë se “Bala nuk thuri vetëm këngën e
zogut (augelletto), por dhe shumë të tjera, që tregonin për Skenderbeun kur u
kthye në atdhe, tregonin për betejat e shumta, deri në betejën e fundit në
Dibër”. [Gabriele Dara Junior.1906, p. 37].
Duke iu referuar rrëfimeve të Maria Ribera, Gavrili i Ri
e quajti “Kënga e fundit e Balës”, pra i dha një titull që shpreh kultin dhe
respektin e traditës gojore arbëreshe të rrëfimit të këngëve të Balës. Gavrili
i Ri i dedikoi vehtes vetëm meritat e përkthimit në italisht të Këngës së
Balës, madje e përktheu fjalë për fjalë në dialektin siçilian dhe e sistemoi në
dorëshkrim me dialektin arbëresh, për të cilën Ai thotë, “Kjo është gjuha që
flitej në Albania në kohën e Skenderbeut, e ruajtur nga ne prej katërqint
vitesh”. [Gabriele Dara Junior.1906, p. 59r].
Studiuesi Giuseppe Schirò Junior, duke iu referuar
tekstit të këngës që mblodhi Dara i Ri thekson: “Gjuha te Kënga e fundit e
Balës, pra te kënga e zogut, sigurisht është më e pastra, me tingëlluese, më e
thjeshtë, duke pas parasyshë vjetërsinë e saj, madje është e lexueshme
lehtësisht në dialektin tosk të shqipes”. [Giuseppe Schirò Junior. Storia
della litteratura albanese, Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63].
Me titullin Kenga e zogut, Dara i ri është u mbështet në
legjendat popullore, ku zogu është simbol i lirisë, ashtu si është dhe
lajmëtari që përcjell mesazhe, andaj Mara robinë e Ballabanit, i kërkoi zogut
të shkontë e të njoftonte të dashurin e saj Nikun, që të vinte ta shpëtonte:
Shko edhe te trimi im,
Te ai trimi im i bukur,
T`i rrëfesh helmet e mia,
Mallin tim-o të pasosur....
Niku me trimat e tij rendi në ndihmë të Marës dhe e
arrijti Ballabnin me njerëzit e tij në një qafë mali dhe në këtë çast zogu
filloi të këndoi dhe kënga e tij jehoi nëpër tërë luginën duke e njoftuar Marën
se arrijti trimi i saj. Ballaban Badera i ndodhur përballë Nikut me shpatë në
dorë, i urdhëroi ushtarët ta vrisnin Marën. Kur njeri prej turqëve ngriti
shpatën të vriste Marës, zogu këndoi një këngë sa malet u drodhën dhe mbi çdo
shkrep dolën trimat e Nikut. Mara si një drenushë zbriti nga kali, rendi si
zanë mali dhe u ngjit mbi një shkëmb me thikën në dorë.
Mbi një shkëmb kërceu
Dhe që andejza thikën hequr,
Thikëzën e gjirit-o
E kanosur iu kthye,
Hundëhapur, syshkreptimë,
Buzëfryrë, faqendezur,
Me gershetat shprishur-o,
Me fustanin marrë erës,
E me thikëzën në grusht.
Trimat e Nikut sulmuan turqit, ndërsa vetë u ndesh me
Ballabanin, i cili i ndodhur përballë forcës të Nikut, u tërhoq nga dyluftimi
dhe iku i tmerruar bashkë me ushtarët e tij. Me këtë skenë dyluftimi, ndofta
Gavrili i Ri evokon dyluftimin e kapedanit Pal Manesi me Ballaban Pashën në
betejën e Vajkalit, ku Ballabani u largua,
sepse nuk e përballoi sulmin e fuqishëm të Palit.
Në përfundim të luftimeve dhe fitoren e arbërorëve, Mara
si flutur zbriti nga shkëmbi, me sytë e përlotur e plot gëzim, si një re e
ndriçuar në qiell, përqafoi Nikun e saj të dashur. Në dorëshkrimin origjinal
janë fshirë vargjet e fundit, pra mungon pjesa finale e kësaj kënge të bukur.
PJESA E KATËRT.
Kënga e parë –
në dorëshkrimin origjinal: Il giorno di Valcalle - Dita e Valkalit - intermexo
lirike.
Në këtë këngë, më e shkurtëra e poemës, Gavrili i Ri
tregon për betejën e Valkalit. Në vargjet e para tregon se Nik Peta ishte nga
fshati Gjon, ku nata rënkonte maje kullave të Petës dhe mengjezi lindi pa diell
dhe i kuq si gjaku, çka shpreh situatën e krijuar pas betejës së ashpër në
Valkal, ku arbërorët dolën fitimtar mbi hordhitë turke, por aty humbën dhe
shtatë kapedanët, që tradhëtisht u kapën nga asqerët e Ballabanit, i cili i
dërgoi në Stamboll, ku me urdhër të Sulltanit u dënuan me vdekje mizore, duke i
rjepur të gjallë nga xhelatët e sulltanit.
Gjoni natën seç rënkoi,
Maje kullavet të Petës,
E të gjith` bishat e malit,
Për së largu iu përgjegjën.
Lindi dielli pa një rreze,
Shum` i kuq, ngjyer në gjak,
Në një qiell porsi hi.
Betejën e Valkalit Gavrili i Ri e përshkruan si një ditë
në atmosferë të zymtë, nuk tregon ngjarje dhe luftime, por nëpërmjet të natyrës
evokon tragjedinë të shprehur me figura allegorike si hutini që rënkonte në
çatinë e shtëpisë, me kumërinë që lëngonte në pyll, me zë të hollë si këmborë e
argjendët, që tringëllon mbi çardhak.
Kënga e dytë - Kënga
e Beratit.
Në dorëshkrimin origjinal kjo këngë fillon me vargjet:
“se Prat, se Prat, këndon Mara që me natë”; ndërsa në varjantin shqip dhe në
studimin e Giuseppe Schirò Junior, shkruhet Berat, pra është këngë dedikuar
betejës ne kështjellën e Beratit në vitin 1455, ku ushtria e arbërorëve nuk
arrijti të mposhti ushtrinë turke, që shkaktoi mbi 5000 të vrarë ndër arbërorët
dhe repartet katalane dhe napolitane. Pasojat e kësaj beteje, përshkruhen nga
Bala me dhimbje të thellë, ku qielli dhe retë, uji dhe toka, gurët dhe sokakët
ishin ngjyer me gjakun e të rënëve.
Në këtë betejë u kap rob dhe u vra nga turqit konti Muzak
Topia, komandanti i arbërorëve dhe bashkëshorti i Mamica Kastriotit, motrës të
Gjergj Kastriotit. Këtë ngjarje tragjike, Bala e përshkruan në vajin e Mamicës:
Zonj`Mamica atë natë
Pa një ënderr të keq të gjatë,
Se iu duk i shoqi i verdhë,
Me gjith` kurmin copëtuar
.....................................
Hoq unazën e martesës
E ia ndau me dy pjesë,
Një e mbajti , një ia dha.
Natë e ditë ajo vajtoi,
Por nga varri dot s`e çoi.”
Pas këtyre vargjeve, Gavrili i Ri bën një kapërcim
ngjarjesh, ndërpret tregimin për dramën e Beratit dhe duke bërë analogji me
pasojat e rënda në Berat, fillon të rrëfejë për betejën e Vajkalit.
Ashtu si në këngët e tjera, i tregon ngjarjet e Vajkalit,
duke filluar me një ëndërr ndjellakeqe të Marës, ëndërr që ia tregon zonjës
Lena, nënës të Nik Petës:
Ashtu Mara më këndoi,
Nuk këndoi, por rënkoi;
Që nga oda e dëgjoi
Zonja Lena e më qortoi:
E përzishme, zonja nuse,
T`u çel kënga që me natë;
Mos ndonjë ëndërr të keqe
A të vdekur ti ke parë?
Pas kësaj bisede, Mara dhe Lena u ngjitën në kodër, për
të pritur Nik Petën të kthehej nga luftimet. Në këtë
kohë arrijti një pelegrin që kthehej nga Vjakali, i cili
me lotë në sy tregoi se i njihte të gjithë, të gjallët Gjergj Kastriotin dhe
Lek Dukagjini, që luftuan heroikisht dhe heroizmin e të vrarëve. E me ankth dhe
me zemër të ngrirë, Mara dhe Lena e pyetën në se ndër të rënët a ishte dhe Niku
i tyre, por ai nuk u përgjigj saktë, por nga fjalët plot dhimbje la të
nënkuptohej se mes tyre ishte dhe Nik Peta.
Në vazhdim Gavrili i Ri e ndërpret tregimin dhe kalon në
rrëfimin e Balës, i cili ashtu si në prologun e kësaj poeme epiko – lirike,
fillon te tregoi për fatin e Nik Petës dhe të Pal Golemit dhe të përshkruaj
shtegun nëpër Valkal pas betejës, që ishte mbushur me të vrarë, me korba dhe
huta, me qentë me turinjtë të lyer me gjak .....
Afër vaut në Vajkal,
Ku u ndez e ashpër lufta,
Ishin t`vdekurit mal - mal ......
Duke kërkuar në fushën e betejës, Bala gjeti Pal Golemin
të plagosur rëndë, i cili duke rënkuar i tha: “Lermë të flë në shtratin e
nderit tim dhe pasi i dorëzoi flamurin i kërkoi t’i thotë mbretit: Pal Golemi
dhe i vdekur i tmerroi armiqtë me sy dhe t’iu thuash shokëve se Pal Golemi nuk
ka vdekur dhe tashti ti Balë, mburojën dhe parzmoren time vari në atë lis e
shkreptimat e tyre të tmerrojnë armiqtë ... Pali vdiq në krahët e Balës, të
cilin e varrosi në anë të një lëndine. Kur po kontrollonte më tej, pa që po sillnin
një të plagosur, ishte skifteri Nik Peta në gjëndje të rëndë, i cili iu drejtua
Balës t’i transmetonte Marës amanetet: “Nuses time, të bukurës së Lalës t’i
falesh e t’i dorëzosh këtë unazë e ti thuash se Niku yt u martua me një plakë
të zezë dhe ti e bukura Mara tani me një tjetër martohu”. Sa mbaroi këto fjalë,
zëri iu shua dhe si nje lule e fishkur iku në amshim. Ndërkohë që Bala po
varroste Nik Petën, arrijti duke rendur Mara flokëprishur, me sy në ujvarë
lotësh dhe sapo e pa Nikun pa jetë, ra mbi të dhe e përqafoi. Bala me dhimbje e
duke iu dridhur zemra tregon: e prekëm vashën e nuk lëvizi, i folëm e nuk u
përgjigj, e ngritëm, por e ftohtë si bora ra pa jetë.
Këtë rrëfim të gjatë me dhimbje drithëruese, Bala e
përfundon me një epilog elegjik emocionues:
Jan`dy varre ne Vajkal;
Fle te njeri Pal Golemi
E mbi të mbiu një lis,
Me gjith` gjethet në blerim.
Fle te tjetri Niku i Petës,
Vasha e Lalës i fle pranë,
Se, si u deshën përmbi dhe;
Ashtu duhen dhe nën dhe;
Atje mbiu një qiparis,
Mbiu dhe një mollë e bardhë!
Kur të thahet qiparisi,
Do thahet edhe molla e bardhë!
Mori bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m`kujtove mot`n e shkuar?
Në mbyllje të këtij shkrimi po citoj konkluzionin e
studiuesit Prof Giuseppe Schirò Junior, i cili shkruan: Bala është autori i
shkëlqyer i kësaj poezie heroike, është këngëtari i ngjarjeve të epokës së
madhe të Skenderbeut, është poeti i parë arbëror i diasporës, i pari ndër
kolonitë arbërore në Itali dhe i letërsisë shëiptare. Schirò Junior thekson se
personaliteti historik i plakut Bala nuk mund të vihet në dyshim, as nuk mund
t’i hiqet përkatësia e këngëve të tij, me vlera dhe aktuale për historitë që
tregonte si kujtime personale.