E merkure, 09.10.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Bala, poeti i parë arbëror në shekullin XV (1)

E merkure, 31.08.2022, 08:05 PM


BALA, POETI I PARË ARBËROR NË SHEKULLIN XV (1)

Nga Lutfi ALIA

Studiuesi arbëresh Giuseppe Schirò Junior, profesor në Universitetin e Padova, në veprën “Storia della litteratura albanese, Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 - 63”, në kapitullin III, “Il più antico poeta Bala”, shkruan: Bala është poeti i parë që njihet në literaturën albaneze. Emri dhe këngët e tij u shpëtuan nga harresa nga tre përfaqësuesit e familjes fisnike Dara, banues në Palazzo Adriano – Palermo, respektivisht babai, djali dhe nipi: Gabriele Dara (1765 – 1832), Andrea (1796 – 1872) dhe Gabriello (1826 – 1885), i njohur nga ne Gavril Dara i Riu, shkrimtar, poet, dramaturg, historian, avokat, arkeolog, autori që kompletoi poemën epiko – lirike “Kenka e sprasme e Balës”kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare.

Gavril Dara i Riu, është një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të romantizmit në letërsinë arbëreshe.

Gavril Dara i Riu u lind në Palazzo Adriano - Palermo, më 8 janar 1826. Studimet i kreu në Seminarin arbëresh të Palermos, më pas mbrojti doktoraturën në drejtësi. Më 1858 botoi fletoren letrare “Palingenesi” (Përtëritja e jetës), ndërsa në vitet 1871-1874 drejtoi në Romë gazetën “La Riforma”. Më 1864 shkroi poemënme 1300 vargje me titull “Ana Maria“. Pasioni i tij ishin poezia dhe folklori, të ushtruara në vazhdim të traditës të gjyshit Gavrilit Plakut dhe të atit Andrea Dara.

Gavril Dara i Riu tregon: “Prindët tanë, që kur ikën nga Arbëria, erdhën në vitin 1485 dhe stisën katundin Palazzo Adriano. Ata ruajtën ndezur në zemër kujtimin dhe dashurinë për atdheun. Gjyshi im mblodhi së pari “Këngët e pleqërisë”, të cilat më pas u botuan pjesërisht nga peshkopi Krispi dhe nga Dhimtër Kamarda, që kuptonin sa vlen nderi i kombit. Në mes të dorëshkrimeve të gjyshit, Ati im Andrea gjeti të fshehura, ato më të shtrenjtat, këngën “Rënkimet e Nik Petës dhe të Pal Golemit” dhe në fund të fletës kishte vënë shënimin: Këto duhet të quhen Kënga e sprasme e Balës”. Sipas Gavrilit të Ri, Andrea, “zuri të endej lart e poshtë, a thua se kish dalë për gjah, duke pyetur pleqtë dhe plakat nëse i dinin këngët e Balës; ca këtu e ca atje mblodhi gojë më gojë pjesën më të madhe që mungonte në shkrimet e të atit (Gavril Dara Plaku) dhe i shtoi ato. Pas zbulimit të dorëshkrimeve të Gavril Darës Plakut dhe zbulimit të këngëve të reja, i hyri shkrimit të një vepre, i shtyrë nga fakti se këto vargje ishin fragmente pak a shumë të arrira,porduke i lexuar kuptoi se mungonin disa pjesë.Në fakt dorëshkrimi përmbante vetëm gjashtëdhjetë vargje në pjesën e parë, po aq në pjesën e dytë dhe diçka më shumë në të tretën, gjithësej 280 vargje.[Albansk Samling, Theca. II.17, fashikulli VIII (A-3)]

Në vazhdim të kontributeve të gjysh Gavrilit dhe të babait Andrea, Gavril Dara i Riu këto dorëshkrime i sistemoi, i renditi së bashku dhe fillimisht i botoi pjesë – pjesë në periodikun “Arbëri i Ri” i Giuseppe Schirò- Plaku, ndërsaduke filluar nga viti 1900, pjesë më të plota u botuannë italisht dhe në shqip në revistën “La Nazione Albanese”. Si libër më vete, poema epiko - lirike“Kënga e sprapsme e Balës”, e ndarë në katër pjesë me 1640 vargje, u botua e plotënë vitin 1906. Kjo vepër u shqipërua nga Razi Brahimi dhe është ribotuar disa herë në Shqipëri.

Në parathënie e dorëshkrimit Gavril Dara i Riu, ishte shprehur në një mënyrë, që disa studiuesve skeptikë, iu ishte dukur si histori jo krejt e vërtetë, e konsideruannjë trillim i ndikuar nga miti Osianik. Përjashtim nga këto septikë, bënte studiuesja ruse Agnia Desnickaja, e cila në vitin 1989, duke hedhur poshtë hipotezën se shkrimet e Gavril Darës ishin “fund e krye një trillim”, i përdori me largpamësi në vlerësimin ekrijimtarisë letrare të familjes Dara.Kështu u arrit të identifikohen tri fazat e hartimit të poemës, që përkojnë me kontributin e tre autorëve të familjes Dara. 1.Punimii parë me shkrimin e bërthamës së poemës u krye nga Gavril Dara Plaku, gjyshi i poetit, i ciliishte i pari që mblodhi Këngët e Pleqërisë. 2. I dyti ishte i biri Andrea, i cilimes letrave të Gavril Darës Plakut, në poemën“Vajet e Nik Petës dhe Pal Golemit “, gjeti një këngë tjetër, që në dorëshkrim mbante titullin Kënga e sprasme e Balës. Ishin vargje që i prekën zemrën sepse përmbanin një rrëfim të plotë e të përkryer në të gjitha pjesët, më mirë se Këngët e Kostandinit dhe Doruntinës.3. Me Gavrilin e Ri“Kënga e sprasme e Balës”mori formë,kompletuar në të gjitha pjesët e saj, paçka se ende mungon ndonjë copëz. Me përfundimin e poemës Gavrili i Ri shprehet: “Unë mbërrita i treti dhe i fundit kur tashmë gjindja e moçme nuk ishin më gjallë, pak gjeta dhe pak shtova,saktësisht shtova vetëm Këngën e Zogut, një dorëshkrim i vjetër me historinë e dy të rinjëve të dashuruar. Në këtë vepërs’bëra gjë tjetër veçse i ndreqa paksa gjuhën. Me fjalë të tjera, historia ishte shkruar prej të tjerëve dhe i përkiste një periudhe të shkuar historike.[Gavril Dara i Riu, dsh. , fl. 59r]

Në vitin 2016, revista “Shêjzat, serie nova, nr. 3-4, 2016, ff. 172-196” njoftoi gjetjene një dorëshkrimi të pabotuar, me autograf të Gavril Darës i Riu dhe me titull autorial. Ky dorëshkrim ruhej nga një trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Gavril Darës, profesoresha Marina Spinedi, e cila ia dhuroi Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, që nga ana e vet ia dorëzoi arkivit të pasur të Laboratorit të Albanologjisë të Departamentit të Kulturave dhe Shoqërive [Culture e Società] në Palermo.

Dorëshkrimi përmban versionin e parë të poemës “Kënga e sprasme e Balës”, madje ka rëndësi vendimtare për zgjidhjen përfundimtare të problemeve të vjetra filologjike mbi gjenezën dhe autorësinë e kësaj kryevepre të letërsisë romantike shqipe, si edhe për rindërtimin e plotë të historisë së shkrimit të saj.

Prof. Spinedi ka dhuruar dhe dy forografi të Gavril Dara i Riu, njërën prej të cilave po e botoj në shkrim.

Edhe dokumentat e zbuluara në fondin “Albansk Samling” në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës kon-firmojnë veprimtarinë e mbledhjes të këngëve popullore nga Gavril Dara Plaku, i cili ishte ndër të parët që i kushtoi vëmendje folklorit arbëresh në epokën pararomantike, ndërsa i dyti ishte Andrea Dara, që e plotësoi e i dha dorën e parë kësaj poeme. Teksti i hartuar nga Andrea Dara përbëhet nga 280 vargje në të cilat emri i heroit të poemës është Dufë. [Albansk Samling, Theca. II.17, fashikulli VIII (A-3)].

Duke analizuar strukturëndhe gjenezën e traditës dorëshkrimore dhe të shtypur të kësaj vepre, disa autorë flasin për një mistifikim, që synonte të fshihte autorin, por jo zanafillën historike të rrëfimit. Tek e fundit, nëse e shohim nga pikëpamja kritike, epopeja e përshkruar nga Gavrili i Ri bazohet në të dhëna historike të dokumentuara, që autori i sjell duke cituar historianë të shumtë dhe në këto të dhëna mbështetej për të afirmuar njësimin e reales me idealen. Është fjala për një konceptim të ri, që rrjedh natyrisht prej frymës romantike, por që dallohet prej asaj fryme dhe nga orvatja për të paraqitur “idealen të lidhur harmonikisht me realen”. Ky parim estetik dhe ideologjik e përshkon teje e anë poemën epiko – lirike të Gavril Dara i Riu.

Duke iu referuar Benedetto Croce-s , që komenton sintezën në një formulë kompleksiteti historik të një vepre letrare dhe të një a më shumë autorëve, mund të themi se Jeronim De Rada ishte modernizuesi i një letërsie të sapolindur prej vetë penës së tij, ndërsa Gavril Dara i Riu ishte ithtari i tij më besnik, që ia doli të njësoi autorin me veprën, kështu arriti të përvijoi ante litteram një nga kanonet e postmodernizmit të ardhshëm të letërsisë arbëreshe. Mirëkuptimi dhe miqësia e sinqertë mes këtyre dy kolosëve të letërsisë romantike shqipe është dëshmia më e mirë e këtij vizioni të përbashkët, që ata kishin për letërsinë.

Një koment meriton transkriptimi i saktë i emrit të protagonistit Plakut Bala. Në të gjitha botimet e kryera pas botimit të vitit 1906 ka mbizotëruar forma me lexim të gabuar nga ana e botuesve.Këtë gabim e vuri re së pari Aleksandër Xhuvani në vitin 1927 kur e transkriptoi titullin e poemës “Kënga e Sprasme e Balës”, duke i dhënë grafemës vlerën fonetike. Bazuar në të dhënat e përshkruara më lart si edhe të fakteve të rindërtuara në  dritën e të dhënave të dorëshkrimeve të gjetura në Kopenhagen dhe së fundi më i sakti që dhuroi profesoresha Marina Spinedi, mund të davaritim përfundimisht dyshimet e derisotme dhe të mbërrijmë në përfundimin e mëposhtëm: Nëse nga njëra anë Gavrilit të Ri i duhet njohur doemos autorësia e poemës në formën që na është përcjellë nga tradita dorëshkrimore dhe ajo e botuar, nga ana tjetër duhet t’i njohim të atit Andreas, meritën e konceptimit fillestar të poemës. Nuk ka dyshim se Gavrili i Ri, duke përmendur ngjarje të vërteta dhe persona realë, e rindërtoi në mënyrë origjinale gjenezën e kësaj poeme. Megjithatë ky mistifikim nuk u shpik prej tij.Më shumë se nga miti i Osianit (poet legjendar irlandez), Gavrili i Ri u ndikua nga teoria estetike që përpunoi Aleksandro Manzoni, autori më i dashur i tij, qysh nga vitet e rinisë së herëshme. Siç dihet, Manzoni mbi bazën e mëtimit se kishte gjetur rastësisht disa shkrime të vjetra, shkroi të parin roman historik me peshë të letërsisë italiane. Manzoni tha se e kishte gjetur në Stemma codicum, që e kishtelexuar kur ishte i vogël dhe këtë dëshmi Gavrili i Ri e komenton duke theksuar: ”Kur lexova Këngën e Balës m’u duk e lindur nga mendja që krijoi këngët e tjera dhe se i përshtatet vetvetiu rrugës që unë ndoqa. Unë mendoj se as im gjysh, as im atë, nuk e njihnin këtë këngë, sepse po ta kishin njohur, nuk do ta kishin lënë pa shkruar, sikurse shkruan dhe m’i lanë amanet këngët e tjera”.

Autor i vërtetë i poemës deri më sot është konsideruar vetëm Gavrili i Ri,mirëpo hulumtimet pranë fondit Albansk Samling në Kopenhagen, nxorrën në dritë dorëshkrimin e Andrea Dara.Pra mund të themi se është jashtë çdo dyshimi fakti që Gavrili i Ri përdori disa “të dhëna” të vërteta për të bindur lexuesin se zanafilla e veprës së tij ishte në fakt krijim popullor, i përcjellë gojë më gojë dhe brez pas brezi, derisa i gjyshi dhe i ati e mblodhën dhe e shkruan. Versioni i poemës që përmban dorëshkrimi i gjetur në Kopenhagen, dëshmon kalimin e versionit të pjesshëm të pabotuar që i atribuohet Andrea Darës në versionin e dorëshkrimit, që shpreh dhe karakterizon emrin e personazhit kryesor që shfaqet në titullin Kenga e sprasme e Balës. Është e vërtetë se Gavrili i Ri, e ndryshoi emrin e heroit, duke fshirë emrin Dufè, që kishte vënë Andrea Dara, duke e zëvendësuar atë me Bala. Kjo duket qartë nga faqet e dorëshkrimt (fl. 59r), madje ndryshimi i emrit bëhet në të gjitha rastet në versionin shqip (fl. 59r, 59v, 60r, 56v) dhe në versionin e pjesshëm italisht në vargje njëmbëdhjetërrokëshe (fl. 20r, 21r). Veç kësaj, fakti se në fl. 56v rreshti 11, emri lexohet qartë, dëshmon se ndryshimii emrit Dufè u krye më pas, kur thuajse i kishte dhënë dorën e parë poemës. Në të gjitha botimet e kryera pas botimit të vitit 1906 ka mbizotëruar forma me një lexim të gabuar të emrit nga ana e botuesve, gabim që e konstatoi i pari Aleksandër Xhuvani në vitin 1927 kur e transkriptoi titullin e poemës “Kënga e Sprasme e Balës”, duke i dhënë grafemës vlerën fonetike.

Bazuar në të dhënat e përshkruara më lart dhe në dritën e të dhënave të dorëshkrimit të sapogjetur, mund të heqim përfundimisht dyshimet e derisotme dhe të mbërrijmë në përfundimin e mëposhtëm: Nëse nga njëra anë duhet t’i njohimGavrilit të Ri autorësinë e poemës në formën që na është përcjellë nga tradita dorëshkrimore dhe ajo e botuar, nga ana tjetër duhet t’i njohim të atit Andreas, meritën e konceptimit fillestar të veprës.

Ndryshimi i emrit nga Dufè në Bala nga Andrea Dara nuk është rastësi dhe as krijim fantazie, por i bazuar në “Këngët pleqërishte” të të atit Gavril Dara Plaku, i cili përfshinë dhe këngën e Balës, që ishte pjesa fillestare e këngëve që kishte mbledhur, andaj Andrea në fund të dorëshkrimit ka vënë shënimin: “Këto duhet të quhen Kënga e sprasme e Balës”.

Gavril Dara i Riu, duke iu referuar shkrimeve të atit Andrea Dara shkruan: “Bala, ai që shkroi këto vargje, ishte një ushtar i madh, prej atyre që bashkë me Gjergj Mirëshpinë ndërtuan këtë katund, pasi erdhën këtu pas vdekjes të Skënderbeut dhe pasi ranë në duart e turkut Kruja me gjithë Arbërinë. Pleqtë dhe plakat arbëreshe edhe në ditët e sotme tregojnë se Bala ishte një plak i shëndetshëm, i ashpër, i vetmuar, që i kalonte ditët dhe muajt duke u ngjitur në çukat e maleve, duke vështruar dhe duke iu falur Albanisë, ose shetiste nëpër pyjet duke folur me vehte dhe duke kujtuar shokët e rinisë së tij, që derdhën gjakun për lirinë e atdheut. Në ditët e dimrit, kur bora mbulonte malet dhe fushat, plaku Bala ulej pranë zjarrit dhe iu tregonte djemëve dhe vajzave arbëreshe historitë e asaj kohe të shkuar, që ai e quante epoka e madhe. Këtë përshkrim për poetin Bala e tregonte im atë Andrea Dara, i cili ishte inspiruar edhe nga një pikturë në Kishën Nënë (Chiesa Madre) në Palazzo Adriano, ku Bala prezantohet me ngjyra të ndezura, me hundën me majë, me helmetë të kuqe, me një majë të artë në kreshtën e perkrenares dhe me parzmoren si e luftëtarëve tonë. [Andrea Dara. Inter. 1906, p. 29 – 31].

Pra, Bala kishte qenë një ndër luftëtarët e epokës Kastriotiane, ikanak në Siçili, kur vendlindja e tij u pushtua nga turqit dhe i vendosur me banim në Palazzo Adriano. [Giuseppe Schirò Junior. 1959, f. 53]. [Nikola Keta, Tesoro di Notizie su de’ Macedoni”, botuar në vitin 2002 në kujdesin e komunës Kontesha Entellina dhe Universiti i Studimeve të Palermos, faqe 242].

Bala ishte ndër arbërorët, që vuante ikjen nga atdheu, çka e shprehu në poezitë e tij. Giuseppe Schirò Junior thekson se personaliteti historik i plakut Bala nuk mund të vihet në dyshim, as nuk mund t’i hiqet përkatësia e këngëve të tij, me vlera dhe aktualisht për historitë që tregon si kujtime personale.

Poema që kemi trashëguar nga Gavrili i Ri, nukriprodhon saktësisht varjantin origjinal, por është si një lloj pikturee restauruar, megjithatë kjo nuk ia heq Balës të drejtën e autorësisë si poeti i parë, madje askush nuk mund të thotë se nuk janë këngët e tij edhe pse pasardhësit mund t’i kenë hequr, ose i kanë shtuar diçka nga nga vetja, si veproi Gavrili i Ri, që shtoi “Kengen e zogut” me 260 vargje. Natyrisht ndryshime në strukturën e kësaj poeme kanë ndodhur gjatë transkriptimit nga gjuha shqipe e vjetër dhe nga përkthimi nga italishtia, por shtoj dhe faktin se disa ndërprerje dhe ndarje në pjesë të këngëve, janë bërë gjatësistemimit nga të tre Darët, andaj shpesh rezultojnë përzierje ngjarjesh nga beteja të ndryshme.

Poema e mirënjohur “Kënga e sprapsme e Balës” përmbanë 1640 vargje të strukturuar në katër pjesë, sejcila me disa këngë të veçanta, që evokojnë historitë e betejave të arbërorëve, të udhëhequra nga kryetrimi Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Në këtë poemë përshkruhen ngjarje të lidhura me dy betejat e Vajkalit, me betejat e Nishit dhe Vazait, me masakrën e ushtrisë osmane në Shkallë të Matit, me rrethimin e Beratit etj, por thelbi i kësaj poeme heroike ështa ballada e Nik Petës me të bukurën Mara dhe me Pal Golemin.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora