Speciale » Alia
Lutfi Alia: Mirënjohje për dy miqtë e mi, Dr. Karmina Bitri Haxhiu dhe Artan Haxhiu
E diele, 07.05.2023, 08:00 PM
MIRËNJOHJE
PËR
DY MIQTË E MI, Dr. KARMINA BITRI HAXHIU DHE ARTAN HAXHIU
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Shkrimet historike
të kohëve vjetra, domozodoshmërisht duhet te shoqërohen me dokumenta, që
dëshmojnë vërtetësinë e ngjarjeve e të personazheve dhe kur është e mundur, të
shoqërohen me fotografi të objekteve të lidhura me jetën dhe aktivitetin e tyre,
si dhe me portretet të tyre, të realizuara nga piktorë dhe grafistët e kohës.
Në dy shkrimet dedikuar Princeshës Andronika Arianiti, bashkëshortes të Gjergj
Kastriotit, botuar në portalin Zemrashqiptare (i pari në mars të vititi 2022
dhe i dyti më 15 janar 2023), prezantova dokumenta dhe fotografi, që lidheshin
me jetën e Andronikës, kur shërbente në Napoli damë shoqëruese e
nënësmbretëreshë Xhiovana III dhe dama shoqëruese dhe mentore e të bijës
Xhiovana IV, ashtu dhe më pas rrëfeva kur u transferua në Valencia, gjithmonë
në shërbim të kurorës si dama shoqëruese e të dy Xhiovanave.
Në dy botimet e mëparëshme,
fotografitë me objektet në Valencia, që shoqëronin shkrimin nuk ishin të plota,
andaj iu kërkova disa miqëve të mi, që prej vitesh jetojnë në Spanjë, në se
mund të me ndihmonin me fotografi të kapellës në Manastirin Triniteti i Shenjtë
në Valencia, ku ishin varrosur Andronika Arianitit Kastriotit dhe nipi i saj
Alfonso, i biri i Gjonit II Kastrioti. Prita shumë nga ata “miqtë” dhe megjithë
premtimet entuziaste dhe euforike, asnjeri prej tyre nuk iu përgjigj kërkesave
të mia.
Në këto rrethana, mikesha ime Dr
Ana Lito më sugjeroi t’iu drejtohem për ndihmë Dr. Karmina Bitri Haxhiu dhe
bashkëshortit të saj Artan Haxhiu, banues në Bilbao, kryeqyteti i Paesi Baschi,
të cilëve iu parashtrova kërkesën në se njihnin ndonjë person në Valencia, që
të impenjoheshin të fotografonin dy kapellat ku ishin varrosur Andronika
Arianiti Kastrioti dhe nipi i saj Alfonso.
Karmina dhe Artani banojnë në Bilbao, më se 800 kilometra larg nga Valencia, megjithatë duke respektuaar kërkesën tim, kryen një udhëtim të gjatë e mundues dhe shkuan vetë në Valencia, pikërisht në Manastirin Triniteti i Shenjtë dhe ndonëse aktualisht ishte kuvend klauzure, murgeshat i ftuan t’i vizitojnë të dy kapellat, të bëjnë fotografi të cilat m’i dërguan menjëherë. Dr Karmina dhe Artani nuk kishin asnjë detyrimi të shkonin në Valencia, por të nxitur nga ndërgjegjia atdhetare, vendosën të kryejnë vetë këtë mision fisnik. Sapo i mora këto fotografi, vendosa t’i botoj në këtë shkrim dhe çka është më e rëndësishme, lexuasi duhet të njihet me faktin se bëhen publike për herë të parë në shtypin shqiptar.
Sinqerisht u befasova për këtë
shërbim fisnik dhe tepër miqësor të Karminës dhe Artanit, një kontribut me
vlera të rralla shoqërore dhe patriotike, që më ndihmoj t’i pasuroj shkrimet
për Kastriotët me fotografi me vlera dokumentare. Për këtë akt sublim që kryen,
e ndjej detyrim moral, t’i falenderoj me mirënjohje dhe me respekte Dr Karmina
Bitri Haxhiu dhe Artan Haxhiu, për impenjimin e admirueshëm dhe për këto
fotografi-dhurata që m’i dërguan në këtë fillim viti, por dhe t’i përgëzoj se
janë dy shqiptarët e parë, që vizituan dhe njohën këto objekte të Manastirit
Mbretëror Triniteti i Shenjtë, ku ruhet besnikërisht një pjesë e historisë të
Kastriotëve, por dhe e Shqipërisë.
Andronika, kur u
transferua në Valencia, mori dhe nipin 15 vjeçar Alfonso Kastrioti, djali i
Gjoni II Kastrioti dhe i Erina Brankoviç. Alfonsi jetoi pak vite në oborrin
mbretëror të Valencia, sepse vdiq aksidentalisht në vitin 1503 dhe e varrosën
në lokulo (varr) në murin e kapelës të Shen Mikele në Manastirin e Santa
Trinidad në Valencia.
Gjyshja Andronika
e adhuronte nipin Alfonso, i cili shquhej për inteligjencë ndër moshatarët e
oborrit mbretëror të Valencia. Vdekja e Alfonsit e trishtoi shumë Andronikën, e
cila i dedikoi një epigraf në lapiden e varrit, ku thekson: “Këtu pushon
Alfonso, nipi i të famshmit Gjergj Kastrioti, mbreti i Albania, që luftoi
kundër turqëve në mbrojtje të krishtërimit....”
Kapella e Shen Mikele në Manastirin Mbretëror Triniteti i
Shenjtë në Valencia dhe lapide me epigrafin e Andronika Kastrioti dedikuar
nipit Alfanso Kastrioti.
(Fotografi dhuruar nga Dr. Karmina Bitri Haxhiu dhe Artan Haxhiu).
Në verën e vitit 1506, Andronika pati probleme
shëndetësore dhe megjithë mjekimet e mjekëve të oborrit aragonez, më 15 shtator
1506, Andronikë ndërroi jetë në moshë 78 vjeçare.
Korona mbretërore e Valencia organizoi ceremonitë dhe
nderimet për zonjën fisnike Andronika Arianiti Kastrioti, dama shoqëruese e nënësmbretëreshë
Xhiovana III dhe e të bijës Xhiovana IV Aragona.
Mesha e organizuar në kishën Shen Nikolla të Manastirit,
u drejtua nga ipeshkëvi i Valencias imzot Pedro Luis De Borja Llançol de
Romani. Ne meshë morën pjesë përfaqësues të koronës mbretërore të Valencias,
Maria Zardari Granai me vajzat dhe vëllai i Andronikës Kostantin Komnen
Arianiti, i cili i shoqëruar me një grup kalorsish stratiotë arbëror, lundruan
dhe shkuan në Valencia për t’i bërë nderimet motrës.
Princeshën Andronika Arianiti Kastrioti e varrosën
provizorisht në kriptën Sant Angelo, në Manastirin Mbretëror Triniteti i
Shenjtë i Valencia, kuvend klauzure i motrave Klarisa. Varrimi ishte provizor,
sepse ishte parashikuar ta transferonin trupin në Kapellën Mbretërore të
Kuvendit San Domingo të Valencia. Në kriptën ishte varri monumental me mermer
të bardhë, me dy engjëj dhe dy skude me shqiponjën dykrenare të stemës
heraldike të Kastriotëve, në ballë ishte vendosur ikona Zonja e Jonë e
Rifuxhios të Mëkatarëve e Andronika Kastriotit, si shihet në fotografi. [Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la
virgen del refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod.
ArsLonga, Nr. 29. 2020, p. 45 - 60]. [Hebrera, Joseph Antonio de, 1705 (véase nota 58), p.
424].
Ky varrim në kriptën e Sant Angelo ishte provizor dhe për
faktin se nënambretëreshë Xhiovana III e Napolit, në testamentin e
saj kishte lënë porosi, që eshtrat e mikes së saj të shquar, të transferohen në
kapellën që po ndërtohej në Manastirin e Shen Maria Koncepsion, të murgeshave
Klarise të Shën Kiarës në Napoli, por kjo porosi nuk u realizua. [Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la
virgen del refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod.
ArsLonga, Nr. 29. 2020, p. 45 - 60]. [Parisi R, Catalogo Scritture. Archiv. Municipale
Napoli, III, Napoli, Tipo-grafia Giannini, 1916, p. 162].
Ikona Zonja e Jonë e
Rifuxhios të Mëkatarëve në qendër të baldakino (tendë me kolona mermeri) në
kriptën Sant Angelo në Manastirin Shen Triniteti i Valencia. Ikona e
Virgjëreshës është e vendosur në kornizë të artë, me dy engjëj në dy anët e
pjesës së poshtme të ikonës.
(Fotografi dhuruar nga Dr.
Karmina Bitri Haxhiu dhe Artan Haxhiu).
Goerlich dhe studiues të tjerë theksojnë se Andonika
Kastrioti, dama e madhe shqiptare, e vlerësonte shumë atë ikonë. Aktualisht kjo
ikonë e rrallë ndodhet në Manastirin e Shen Trinisë në Valencia e urdhërit Shen
Kiara e motrave Klarisse e vendosur në qendër të baldakinit (tendë me kolona
mermeri), me dy engjëj mbrojtës në të dy anët e ikonës. Përsa i përket
rrethanave si kishte mundur Andronika ta sigurojë këtë ikonë të çmuar dhe të
vjetër me stil bizantin, nuk ka informacion, vetëm mund të hamendësohet. Mbase
kërkimet në të ardhëmen, do të zbulojnë të dhëna dhe dokumenta për origjinën e
kësaj ikone. [D. B. Goerlich. El Real
monasterio de la Santísima Trinidad de Valencia. Historia y Arte. Valencia:
Consell Valencià
de Cultura, 2008].
Këtë ikonë të Andronika Kastriotit, e realizuar me stil
bizantin e përmend dhe Frati françeskan Joseph Antonio de Hebrera, në veprën “Chronica
serafica de la Santa Provincia de Aragona. En Zaragoza, a?o MDCCIII - kronikat
e Provincës së shenjtë të Aragonës, të botuara në Saragoza, viti 1703).
Zonja e Rifuxhio e Mëkatarëve, është pikturuar në një
tabletë druri me përmasa 129 x 73 x 3,5 cm, lehtësisht e plasaritur në formë të
germes “V” në pjesën e sipërme, në të dy anët e fytyrës të Virgjëreshës. Kjo
ikonë është e stilit klasik të traditës bizantine dhe pa mëdyshje është me
origjinë arbërore, pa çka se nuk njihet autori. Kjo ikonë është restauruar në
çerekun e parë të shekullit XIX, ku janë përmirësuar ngjyrat, sidomos kurora
hyjnore e Maries dhe Jezu Krishtit, veshja e poshtëme ngjyrë violet, manteli
(tipi maphorion) ngjyrë blu e fortë e Maries dhe tunika e Jezu Krishtit me
ngjyrë të kuqe. [Donadeo María. Iconos de la Madre de Dios, Madrid, Ed.
Paulinas, 1991, p37].
Studiues, kritikë të artit kishtar dhe historianë,
shprehen njëzëri se ikona Zonja e Rifuxhio e Mëkatarëve në Manastirin e Shen
Triniteti i Valencia, ishte pronë e Andronika Kastrioti – Skenderbega, dama e
shquar albaneze. Kjo ikonë që ndodhet në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë,
dëshmohet dhe nga testamenti i nënës-mbretëreshë Xhiovana III, e cila kishte
kërkuar që bashkë me eshtrat e Andronikës, të transferohej dhe ikona e
famëshme. [Vigier Françoise. Cuestion
de amor, Introduction, edition et notes, Textes et documents du Centre de
Recherche sur l’Espagne des XVIe y XVIIe siècles, nº IX. Presses Sorbonne
nouvelle, París: 2006].
Ndonëse studiuesit dhe kritikët e artit kishtar nuk
shprehen për origjinën e kësaj ikone të famëshme, kjo nuk na ndalon të shprehim
dhe mendime për prejardhjen e saj. Në principatën e Kastriotëve ishin shumë
kisha të tipologjisë Mariane. Andronika Kastrioti e
adhuronte Shen Kiarën, e konfirmuar në testamentin e Xhiovana III e Napolit, e
cila kishte kërkuar, që eshtrat e mikes së saj të shquar, të transferoheshin në
Napoli, në kapellën që po ndërtohej në Manastirin e Shen Maria Koncepsion, të
murgeshave Klarise të Shën Kiarës. Në testament, Xhiovana III thekson dhe
transferimin e ikonës, duke theksuar se Andonika ishte e pandashme nga Shen
Maria e Rifuxhio e Mëkatarëve. Vullneti i Xhiovana III nuk u zbatua dhe trupi i
Princeshës Andronika Kastrioti ndodhet ende në varrezën monumentale të
Manastirit Shën Trinitetit i Valencia, ashtu si dhe ikona mbeti në këtë
manastir. [Daniel B. Goerlich. La stirpe
albanesa de la virgen del refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi
olivadod. ArsLonga Nr. 29. 2020, p. 45-64].
Ekziston dhe një dokument tjetër
i vitit 1517, i Xhiovana IV, e cila kur u kthye në Valencia, prezantoi varjantin
definitiv të testamentit të nënës Xhiovana III, që trajtonte çështjen e
transferimit të eshtrave të Andronikë Kastriotit të cilën e cilëson mentoria,
mikia e ngushtë, e devotshëshmja Madama Skenderbega.
Nënambretëreshë Xhiovana III
“urdhëronte”, që eshtrat e Andronikës të dërgoheshin në Manastirin Shen Maria
Koncepsion, i urdhërit françeskan të Klarisave në Napoli, së bashku me ikonën e
saj të preferuar. Rrethanat e atyre kohëve të turbullta, e penguan transferimin
e eshtrave të Andronikës në Napoli. [Perugini Carla; Martínez
Gázquez, José (véase nota 4), 1992, p. 89].
Ky adhurim i Andronikës për Shen
Kiara lidhet me Arbërinë. Në Principatën e Kastriotëve bënte pjesë dhe dioqeza e Kunavisë, ku ishte dhe kuvendi i Shen Kiara me
murgesha Klarise, i vetmi kuvend me murgesha në trojet Arbërore. Historiani
Andrea di Giuseppe, thekson se manastiri i Shën Kiara u themelua nga Mamica, e
motra e Gjerjgj Kastriotit - Skënderbeut. [Andrea di Giuseppe. Velaria Picta
Albanica, Hylli i dritës, XXXVIII, 2, 2018, pp. 78 - 79]. Manastiri i Shën
Kiara frekuentohej nga familja Kastrioti, natyrisht dhe nga Andronika, e cila e
adhuronte Shen Kiarën. Nuk përjashtohet varjanti, që ikona Zonja Jonë e Rifuxhio e Mëkatarëve, të ishte marrë nga
nga ky manastir, ashtu si mund ta ketë marrë në ndonjë kishë të Shën Maries, të
cilat ishin të shumta në Principatën e Kastriotëve, ashtu si në tërë Arbërinë
ishin mbi 300 kisha me këtë titull.
Nuk ka dyshime, që kjo ikonë e vjetër
është arbërore, si e theksojnë shumë studiues, kritikë arti dhe klerikë, që e
përshkruajnë ikonë cilësore e realizuar me stil bizantin, por dhe kritikët e artit dhe studiuesit
shqiptar, duhet të japin mendimin e tyre.