Speciale » Alia
Shtëpia Botuese “Streha”, ka botuar monografinë “Andronika dhe Gjoni II Kastrioti”, të autorit Lutfi Alia
E marte, 02.05.2023, 07:55 PM
Lexuesit që e dëshirojnë këtë libër mund të telefonojnë në numërin 068 202 6582.
Andronika
Arianit Komnena, vajza e Gjergj Arianitit dhe e Marie Muzakës, në vitin 1451 u
martua me Gjergj Kastriotin. Gjatë 17 viteve jetesë bashkëshortore me Gjergj
Kastriotin, Andronika u shqua si zonja e parë e Arberisë, si nënë shembullore,
si zonjë fisnike trime, që kishte fituar admirimin dhe respektin e mbarë
arbërorëve. Gjergji dhe Andronika kishin një djalë Gjonin II, lindur më 26
prill 1454.
Vdekja
e papritur e Gjergj Kastriotit më 17 janar 1468, e tronditi Andronikën, djalin
Gjonin II, të afërmit dhe mbarë popullin arbëror. Në shkurt 1468, Andronika i
kërkoi mbretit Ferrante I i Napolit, ta ndihmonte të transferohej në Itali, në
feudet e tyre, që Ferrante I ia kishte dhuruar Gjergj Kastriotit në vitin 1464.
Nga marsi i vitit 1468 deri në shtator 1477, Andronika me Gjonin jetuan në
Napoli, ndërsa pas martesës të Ferrante I me Xhiovana III Aragona, Andronika
ishte dama shoqëruese e mbretëreshës. Periudhën e adoleshencës Gjoni II e kaloi
në Napoli, ku frekuentoi shkollat më të mira të qytetit. Në vitin 1472 u martua
me Erina Brankoviç. Pas martesës Gjoni II dhe Erina shkuan në feudet e Monte
Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo. Në vitin 1481 Gjoni II organizoi
kryengritjen për çlirimin e Arbërisë nga pushtuesit osmanë, por nuk mundi të
përballonte forcat e shumta turke dhe u detyrua të kthehet në trojet e veta në
Pulja. Në vitin 1485, mbreti Ferrante I i dha Gjonit II feudet e SanPietro në
Galatina, në shkëmbim me feudet Monte Sant’Angelo e San Giovanni Rotondo.
Në
korrik të vitit 1502, Andronika shoqëroi Xhiovanën IV në Valencia, dhe jetuan
së bashku në rezidencën e mbretit Ferdinandi II të Spanjës. Në oborrin
mbretëror të Napolit dhe të Valencias, Andronika u prezantua zonjë fisnike me
kulturë, me dinjitet dhe me autoritet, duke fituar adhurimin dhe nderimin e të
dy kurorave mbretërore. Në letrat dhe dokumenta të kohës, Andronikën e
cilësojnë e madhërishmja madama Andronica Castriota; madama Donika, gruaja e
Skenderbeut; Zonja e shkëlqyer Andronika, ndërsa sekretarët e mbretit, në letrat
që i dërgonin i drejtohen me emërin Skenderbega, ashtu si shumë historianë dhe
kronistë e quajnë Skanderbega, çka shpreh vlerësime të personalitetit të
Andronikës si bashkëshorte e denjë e Gjergj Kastriotit. Gjoni II vdiq në vitin
1505 në Kanoza të Puljas dhe e varrosën në kishën Shen Maria delle Grazie në
Galatina, ku ndodhen dhe varret e pjestarëve te tjerë të familjes Kastrioti.
Andronika
ndërroi jetë në Valencia më 15 shtator 1506 në moshën 78 vjeçare dhe e varrosën
në kriptën e kapellës Sant’Angelo në Manastirin Shen Triniteti i Valencia –
Spanjë.