Speciale » Alia
Lutfi Alia: Vitet e fundit të Gjonit II Kastrioti
E diele, 03.09.2023, 08:05 PM
VITET E FUNDIT TË GJONIT II KASTRIOTI
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Në vitin 1500,
mbreti Federiko Aragona, u ndodh përballë komplotit të kushëririt Ferdinandi II
Aragon, i cili më 11 nëntor 1500 kish firmosur në Granata traktatin sekret me
mbretin francez Luigji XII, për shpërbërjen e mbretërisë së Napolit, të cilën e
ndanin mes tyre. Kampanja, Abruco dhe natyrisht Napoli i kalonin Luigjit XII,
ndërsa Pulja dhe Kalabria ishin destinuar për Ferdinandin Katolikun. Ndonëse
nuk kishte dijeni për traktatin e Granada, mbreti Federiku ia dorëzoi
spanjollëve fortesat kalabreze, por kur u njoh me komplotin e kushëririt dhe
për ta sfiduar, bëri marrëveshje me francezët, duke ia dorëzuar mbretërinë
Luigjit XII, ndërsa ai mori kontean e Maine, ku do të banonte me familjen dhe
do të merrte një pension nga francezët. Në fakt traktati i Granada nuk u
realizua, por Ferdinandi II Katoliku, në vitin 1504 e mori me forcë mbretërinë
dhe deklaroi aneksimin e mbretërisë nga spanjollët. [Bastian Bianciardi. Le
vite de Re di Napoli. Napoli, F. Pitteri, 1737].
Në këto situata të
ndërlikuara, Gjoni II u tregua pragmatist, u rradhit me palët, që nuk i preknin
interesat e tij, pra që nuk i cënonin pronësinë e feudeve. Në fakt, Gjoni II
nuk ishte nga të parët në trojet Otrantine që u lidh me spanjollët, por kur
situata u ndërlikua menjeherë i braktisi francezët dhe në shkurt 1503 ngriti
flamurin e Spanjës dhe në se nuk do të kishte vepruar kësisoj, me siguri do t’i
kishte humbur pronat. Kalimi me spanjollët vertetohet me listën e baronëve
filospanjollë të 22 dhe 27 prillit 1503 të hartuar në Barleta, ndërmjet të
cilëve rezulton emri i Gjonit II Kastrioti, Duka I i Galatina. [Sanudo.
Diarii, vol. IV col. 801] [Monti, La spedizione p. 299, con riferimento
a Volpicella Federico p.89].
Natyrisht njihej
dhe nga venecianët, lidhja e Gjonit II me francezët, që si është theksuar nga
shumë autorë, ishte nxitur nga mbreti Federiku I, madje më 28 prill 1503 Gjoni
II Kastrioti mori pjesë dhe në betejën e Cerniola, ku mbeti i vrarë miku i tij
duka i Nemours.
Në këtë periudhë,
Gjon Granai Kastrioti kishte shfaqur armiqësi të hapur kundër Gjonit II
Kastrioti, madje më 9 korrik 1504, ushtria spanjolle e nxitur nga Gjon Granai
Kastrioti, plaçkiti banorët dhe pronat e Gjonit II Kastrioti në San Pietro -
Gallatina, si rezulton në një dokument të 29 gushtit 1504, ku theksohet:“.. in
questo mese in Puglia ... messono a sacho il loco di San Pietro in Galatina e
fé damni assai...”. [Sanudo, Diarii vol. VI col. 53. A prescindere dagli
eruditi galatinesi riferirsi a quest’episodio anche Ferrari Apologia pp.
389-390. Ne parla anche il filosofo galatinese Zimara: Nardi Marcantonio Zimara
p. 326]
Për plaçitjet e
pronave të Gjonit II Kastrioti, njihemi dhe nga letra e 8 marsit 1505 e
Andronika Kastrioti dhe nga letra e Gjonit II Kastrioti, dërguar sindakos dhe
bashkësisë të San Pietro në Galatina në verën e vitit 1505, ku akuzon ushtarët
spanjollë të urdhëruar nga Gjon Granait “hanno fatto l’opera de Juda e hanno
desfatto questo reame – kanë kryer veprën e Judës, shkatërruan mbretërinë”, pra
ishin ata që grabitën pronat e banorëve dhe të Kastriotëve. [Giancarlo
Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg In Italia, 2018, pp. 99]
Në këto vite,
prestigji i Gjonit II Kastrioti ishte ulur në rrethet e arbërorëve ikanakë në
Itali, madje si thekson Floristan [J.M. Floristan, Los contactos de la
Chimarra con el reino de Naples in Erytheia 11-12 (1990-1991) pp. 133-139]
dhe historianë të tjerë [Petta, Despoti p. 32] [Passero, Storie p.
126 (al 31 luglio 1501)] [Sanudo Diarii vol. IV col. 801],
patriotët albanezë kishin shprehur besim dhe kërkonin, që kryengritja antiturke
në Albania të komandohej nga Gjon Granai Kastrioti (Gran Capitano) dhe jo nga
Gjoni II Kastrioti.
Xhiankarlo
Vallone, duke iu referuar Trojeve të Otrantos, ndër besnikët e spanjollëve prezanton
Gjonin II Kastrioti, duka i Solito dhe Shen Pietri në Galatina, i cili i kishte
feudet në fqinjësi me Terranova, pronat e Gjon Granai Kastriotit (djali i
Bernard Granai, nipi i Vrana Kontit) – Gran Capitano, i cili ishte shpallur
armik i Gjonit II Kastrioti. [Canellas Lopez Documentación napolitana, 1981,
pp. 283-284: 283, 319, 326, 329]
Armiqësia ndërmjet
dy fisnikëve arbëror Gjoni II Kastrioti dhe Gjon Granai Kastrioti, që ishin në
lidhje fisnore mes tyre, është një faqe e trishtueshme dhe e turpëshme e
historisë të familjes Granai. Gjon Granai Kastrioti, Gran Capitano, e ndëshkoi
Gjonin II Kastrioti për qëndrimin e mëparshën antispanjoll dhe lidhjen me
francezët, madje urdhëroi që në Galatina të vendoseshin me banim njerëzit e
aleatit spanjoll Don Pietro de Ariano dhe urdhëroi banorët e këtij feudi të
paguanin shpenzimet, që kishin bërë për forcat ushtarake. [ASN, Licterarum
Partium vol. 15 cc.146r-146v (dokument i botuar nga Vallone në Aspetti p. 79)].
Pas letrës të
Andronika Kastriotit, dërguar mbretit Ferdinandi II Katoliku, ku i ankohet për
plaçkitjet në feudet e Gjonit II, mbreti tentoi ta afroi Gjonin II Kastrioti,
por tashmë ishte tepër vonë, atij i kishin mbetur edhe pak muaj jete. [Vallone,
Aspetti pp. 67-68 e nt. 77; 79] [Petta Despoti, pp.
30]
Për vitet 1500 –
1505 ka pak të dhëna për Gjonin II Kastrioti, kryesisht janë ngjarje
fragmentare, ose të dhëna dokumentare të lidhura direkt ose indirekt më atë
vetë ose me familjen.
Vitet e fundit të
jetës të Gjonit II Kastrioti u karakterizuan me ngjarje të rënda dhe të
dhimbëshme. Më 8 prill 1500, vdiq papritur djali Kostantin Kastrioti, ipeshkëvi
i Irsenia dhe pak muaj më pas vdiq papritur djali tjetër Federiku dhe ai
klerik, të cilin mbreti kishte vendosur ta emëronte ipeshkëv në vend të
Kostantinit, por nuk arrijti, sepse dhe Federiku vdiq papritur. [Vallone, Famiglie nobili albanesi pp.
30-32].
Në vitin 1501,
djali i madh Gjergji II Kastrioti, i joshur nga kërkesat insistuese të priftit
arbëror Don Françesk Kruja (Francesco di Croja), me miratimin dhe inkurajimin e
të ëmës Jerina Kastrioti, i nxitur dhe i mbështetur nga Serenisssima, zbarkoi
në Albania dhe u vu në krye të kryengritjes të 20 mijë arbërorëve kundër
pushtuesve otomanë, por kryengritja u shtyp egërsisht nga ushtria osmane dhe
Gjergji II Kastrioti u kthye i dëshpruar në Pulja. [Volpicella L. Federico
d’Aragona e la fine del regno di Napoli. Napoli 1908, p. 29]
[Cordignano F, Valentini G. Saggio di un regesto storico
dell'Albania. Shkoder, 1937-1940, n. 1252]
Në vitin 1503 vdiq
aksidentalisht në Valencia djali tjetër Alfonso Kastrioti, të cilin e varrosën
në kapelën e Shen Mikele në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Valencia.
Me Gjonin II dhe Erinën në feudet e San Pietro në Galatina mbetën Ferrante Kastrioti, i cili trashëgoi pronat dhe mori titullin Duka II i Galatina dhe vajza Maria Kastrioti, e cila u shqua në rradhët e fisnikërisë puljeze, për bukurinë, mençurinë dhe si poete e shkrimtare.
Nuk njihet data e saktë, as shkaku i vdekjes në moshën 51 vjeçare i Gjonit II Kastrioti, por frati Alessandro Tommaso Arkudi, në një relacion rreth ngjarjeve në Galatina, thekson se Gjoni II vdiq në Canosa (Kanoza) të Puljes më 7 korrik 1505. [Alessandro T. Arcudi Relazione di S. Pietro in Galatina. Dorëshkrim me transkriptim të viteve ‘800 në pronësi të Giancarlo Vallone].
Në studimin “Famiglie
nobili albanesi pp. 30, 69”, Vallone thekson se Arkudi thotë se Gjoni II
vdiq, më 7 korrik 1505, ndërsa në një tjetër dokument rezulton se vdiq më 12
korrik 1505, megjithatë, këto diferenca me pak ditë nuk kanë rëndësi, përderisa
flitet për të njëjtin muaj dhe të njejtin vit.
Nga një
informacion i Loris Kastriota Skenderbeg, pasardhës i linjës të Gjergj
Kastrioti, i cili i referohet relacionit të Arkudit, thekson se Gjonin II
Kastrioti e varrosën në kishën e Kuvendit Domenikan në Galatina (Urdhër i
Fretënve Predikatorë OP). Domenikanët u vendosën në Galatina në gjysmën e dytë
të shekullit XV ku me kontributin e familjes Kastrioti, ngritën kuvendin dhe
kishën në vitin 1508. Në këtë kishë Kastriotët
kishin dhe kapellën e tyre. Në këtë kishë varrosën dhe bashkëshorten
Erina Kastrioti e cila vdiq në vitin
1514, si dhe vajzën Maria Kastrioti, e cila vdiq më 29 tetor 1569. Në këtë
kuvend, në vitin 1702 u zgjodh prior Frati Alessandro Tommaso Arcudi, i cili
themeloi dhe librarine, ku mblodhi libra dhe dokumenta të shumta, mes tyre dhe
për familjen Kastrioti, të cilat i bëri publike në veprën “Relazione”.
Në mesin e
shekullit XVIII, kisha u shemb dhe në vendin e saj u ndërtua kisha e Shen Maria
Delle Grazie, një kishë e stilit barok, që bënte pjesë në kompleksin e
manastirit Domenikan, ku ndodhen varret e Kastriotëve.
[Vincenti G. Galatina tra storia dell'arte e
storia delle cose Congedo editore Galatina 2009]
Edhe pas vdekjes
të Gjonit II Kastrioti, rivali i tij Gjon Granai Kastrioti i vazhdoi qëndrimet
armiqësore dhe keqtrajtimet e kushërinjëve Kastrioti, sidomos ndaj
bashkëshortes, të vesë Erina Brankoviç Kastrioti. Në një dokument të 24
dhjetorit 1505, Gjon Granai urdhëroi rikuperimin e shpenzimeve të ushtrisë
spanjolle, duke e detyruar banorët dhe Erina Kastriotin, të paguanin 1164.4.10
dukate, që për atë kohë ishte shumë e madhe. [ASN, Licterarum Partium vol.
15 cc.146r-146v (pjesërisht i botuar nga Vallone në Aspetti p. 79] [ASN,
Significatorie dei relevi vol. 11/I. 22v. 1505: Croce La Spagna 249- 250].
Gjon Granai
Kastrioti (Gran Capitano), e informoi mbretin Ferdinandi II Katoliku, se kishin
marrë një informacion nga Venecia, rreth udhëtimit të një arbërori (un
albanese) në Turqi, të cilin Dukesha Erina e kishte dërguar me letër për
Sulltanin. Këtë arbëror e kishin arrestuar, por letrën nuk ia kishin gjetur dhe
dyshonin se Dukesha Erina po përgatiste diçka me truqit kundër mbretit. Në këto
rrethana dukeshën Erina e thërritën në Napoli dhe e vendosën në izolim në të
njëjtën banesë me mbretëreshën e trishtuar Beatriçe Aragona. Pas izolimit urdhëruan
kontrollin e kështjellës së vogël në Galatina ku jetonte me të birin Ferrante
dhe me të bijën Maria. [Giancarlo Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg
in Italia, 2018, pp. 99].
Kjo situatë u
zgjidh shpejt, sepse motra Xhiovanna IV që ndodhej në Spanjë, i dërgoi një
letër mbretit Ferdinandi II Katoliku me sqarimet e nevojshme dhe Ai urdhëroi
lirimin e Erina Kastriotit dhe kthimin asaj të feudeve të Galatinës, duke e
motivuar urdhërin: “En esto reyno no tiene tierras de tal importancia que la
pudiesen inclinar a fazer semejante caso” - .... të mos i dërgonte letër tjetër
turqëve. [Correspondencia de los Reyes Catolicos pp. 282-283]. Ky
dokument është prezantuar dhe komentuar nga Giovanni Vincenti me një referat në
Copertino, më 20 tetor 2018, në konferencën: Immigrazioni levantine in Terra
d’Otranto.
Rreth kësaj
ngjarje ka shumë komente dhe interpretime, por kronistët dhe historianët e
mesjetës shtrojnë disa pyetje, që vejnë në dyshime qëndrimet e Gjon Granait
Kastriotit, si p. sh; “përse Gjon Granai kishte frikë nga Erina? Për çfarë
dyshonte Gjon Granai, çfarë mund të bënte Erina në kështjellën e vogël në
Galatina? Dyshonte se mund të strehonte ushtarë turqë? Mos vallë qëndrimi i tij
lidhej me të birin Gjergji II Kastrioti? Apo duke akuzuar Erinën, mbulonte
shkatërrimet dhe plaçkitjet në feudet e Kastriotëve? Apo pretendonte të merrte
në zotërim feudet e Gjonit II Kastrioti?
Këto ngjarje u
mbyllën me letrën e mbretit Ferdinandi II Aragon – Katoliku më 6 gusht 1505 [Vallone
Aspetti pp. 67-68 e nt. 77; 79] [Petta Despoti 30], e cila i
referohet ngjarjeve të ndodhura disa muaj më parë. Pra është e qartë se Erina,
letrat ua kishte derguar turqëve kur kishte vdekur bashkëshorti Gjoni II
Kastrioti. Si e theksojnë Arkudi dhe
Vallone, dukesha Erina trimëreshë, lufton vetë për mbrotjen e t ëdrejtave dhe
ruajtjen e pronësisë të feudeve të Kastriotëve, madje më 24 dhjetor 1505, i
kërkon Dhomës të Përmbarimit në Napoli, rikthimin dhe pjesërisht të pagesave që
kishte bërë sipas urdhërave të padrejta të Gran Capitano. [Giancarlo
Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia, 2018, pp. 99].
Me qendrimet
luftarake dhe konseguente Dukesha Erina Kastrioti, arrijti t’i ruaj pronësitë e
feudeve Puljeze dhe ia la trashëgim të birit Ferrante Kastriota, Duka II i
Galatina. Sipas një dokumenti që ndodhet në arkivin Galatinez, dukesha Erina
Brankoviç Kastrioti vdiq më 2 qershor 1514 dhe e varrosën në kishën Domenikane
në Galatina. [Arkudi, Relazione, p. 30, ku thekson: qui nel coro sta
sepolta la madre del duca Ferrante, Irene Paleologa, (e) il figliolo che mancò
giovinetto].
Historia e
dinastisë Kastrioti në Itali, vazhdoi me Dukën II Ferrante Kastrioti dhe me
pasardhësit e tij të shumtë.