Speciale » Alia
Lutfi Alia: Shqiponja në stemat heraldike të familjeve dinastike arbërore (II)
E merkure, 16.08.2023, 09:00 PM
SHQIPONJA NË STEMAT HERALDIKE TË FAMILJEVE DINASTIKE ARBËRORE
(PJESA
II)
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Flamuri i Kastriotëve në
hartat portolane në shekujt XIV – XV.
Si rezulton në kronikat dhe dokumentat e
shekujve XIV – XV, Kastriotët, ashtu si gjithë fisnikët e kohës, kishin stemën
heraldike (mburoja me shqiponjën dykrenore me kurorat mbi kokat dhe me yllin gjashtëcepash);
si referon Barleci kishin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe, që
shpalosej mbi bedenat e kështjellave dhe në krye të repartëve të arbërorëve në betejat
kundër hordhive të Perandorisë Osmane. Përgjithësisht, flamujt e reparteve të
ushtrisë arbërore, ishin pasqyrim i heraldikës të principatavë të origjinës,
pra repartet e Arianitëve kishin flamurin e tyre, Balshajt flamur tjetër,
Muzakët flamur të ngjashëm me Kastriotët, Topiat në flamur kishin luanin etj.
Marin Barleci, në veprën “Historia de
Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis ... faqe 15”, thekson se Gjergj
Kastrioti kishte flamurin e kuq me shqiponjë të zezë dykrerëshe “Rubea vexilla
nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. [Marinii
Barletii Scodrensis. Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm
Principis..., Impressum Rome per Bernardino de Vitali, s.d. (Maggio 1522), fol.
XV, CLIX c].
Po kështu shkruan dhe J. Lavardin, në veprën
e tij dedikuar Skenderbeut, por e bazuar në veprën e Barlecit. [Lavardin
Jacques, Histoire de Georges Castriota, surnommé Scanderbeg, Roy d’Albanies. A Franche-Ville,
pour Iean Arnavld. Paris 1597, 1604]
Biemmi
(1708 – 1784), në vepran dedikuar Gjergj Kastriotit, të cilën e hartoi bazuar
në shkrimet e Dhimiter Frangut, thekson: “L’insegna di Skanderbegh era
un’aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso - Flamuri i Skënderbeut
ishte me shqiponjë të zezë me dy krerë në shesh të kuq”. [Giammaria Biemmi. Istoria di Giorgio Castriota detto
Scander-begh, Brescia, 5 marzo 1756, pp. 12]
Në shekujt XIII – XV, heraldika e mbreterive, principatave
dhe e fisnikëve europianë pasqyrohej edhe në hartat e kohës, ndër ato dhe në
hartat portolane, manuale të bregdetit të vendeve, që përcaktonin topografinë e
porteve dhe drejtimet e lundrimit të anijeve, të hartuara fillimisht në Itali e
më pas në Spanjë. Në këto harta pasqyrohet bregdeti i Arbërisë dhe krahas
qyteteve bregdetare është Kruja (Croya). [Heinrich Winter: Catalan Portolan Maps and their place in the total view
of cartographic development, Petrus
Roselli1447-1468; Berlin.
1958. Vol.11, p. 1 - 12]
Njoftimin e parë
të pasqyrimit të Arbërisë në hartat portolane e dha Prof. Shyqyri Nimani, i cili botoi hartën Portolane të Mesdheut
të vitit 1456, me autor Petrus Roselli, ku pasqyrohet flamuri i
Kastriotëve me fushën të verdhë, me shqiponjën dykrenore të kuqërremtë, pa
yllin me gjashtëcepa, me shtizën të vendosur në Krujë. Prof. Shyqri Nimani
shkruan: “Në vitin 1980, vizitova ekspozitën Art & Cartography në Çikago,
të organizuar nga The Art Institute of Chicago dhe
biblioteka The Newberry Library, ku ishin ekspozuar hartat unikale nga
mbarë bota. Aty ishte dhe një hartë portolane, që më tërhoqi
vëmendjen: Harta portolane e Mesdheut, e vitit 1456, e pikturuar me ngjyra
në pergamen, e katologuar në bibliotekën The Newberry Library në Çikago. Harta
ishte pronë e koleksionit te Edward E. Ayerit, (Manuscriptus Map. Nr. 3) dhe
mbante shënimin: “Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate Maioricarum
anno domini MCCCCLVI - Petrus Roselli e vizatoi hartën në qytetin
Majorka në vitin 1456”. Kjo hartë portolane, tipike e pikturuara me
dorë në pergamenë, u shërbente navigatorëve në shekullin XV dhe prezanton
Detin Mesdhe, Detin e Zi, bregdetin europian nga Danimarka, në ujëdhesat
Britanike e Skoceze, bregun Veriperëndimor të Afrikës, ujëdhesat Kanare,
Medeirën dhe ujëdhesat Azure në Oqeanin Atlantik. [Shyqyri Nimani Harta
portolane e Mesdheut. Gazeta ZËRI-t, 8. II. 1992]
Me rëndësi në këtë hartë është fakti se ndër
41 flamujtë me ngjyra, është flamuri i Kastriotëve, me shtizë të
ngulitur në Krujë (Croya), për të treguar se ky flamur i përket zotërimeve të
Kastriotëve. Flamuri ka sfond të verdhë (i artë) me shqiponjën dykrerëshe të
kuqe të vendosur në qendër. Kuadrati i flamurit të verdhë, ka thekë anësore dhe
dy vijëzime horizontale të holla ngjyrë të zezë, njëra mbi dhe tjetra nën
shqiponjën. Pra flamuri ka tri ngjyra – fusha e verdhë (e artë), ka vetëm një
figurë (simbol) – shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe dhe kornizën me thëkët
ngjyrë të zezë.
Në hartën e Roselli të vitit 1456, shqiponja e kuqe dykrerëshe në flamurin me sfond të verdhë, ka ngjashmëri me shqiponjën e afreskut në Kishën e Shën Antoni në Kepin e Rodonit, çka na nxit të hamendesojmë, se është vepër e atyre viteve, pasi dihet se kjo kishë e lashtë ishte rindërtuar nga Gjergj Kastrioti. Shqiponja në absiden e kishës së Shën Antonit nuk është rastësisht e kuqe, sepse askush nuk do ta ndryshonte ngjyrën e shqiponjës nga ç’ishte ngjyra e vërtetë, sepse kishte të bënte me autoritetin shtetëror të Gjergj Kastriotit, asi kohe Zot i Albanisë (Dominus Albaniae). Në se Barleci, Lavardin, Biemmi, Padiglioni etj, thonë se Kastriotët kishin flamurin me fushë të kuqe dhe shqiponjën me ngjyrë të zezë, kuptohet se flamuri i verdhë, me shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe, i vizatuar në hartat e Petrus Roselli, ishte flamuri i anijeve të dinastisë Kastrioti.
Nga verifikimi i hartave portolane, rezulton
se së paku nga shekulli XIV, kur sundimtar i principatës të Arbërit ishte
princi Gjon Kastrioti, flamuri i Kastriotëve me sfondin e verdhë dhe shqiponjën e kuqe është pasqyruar në Mapa Mundi e vitit 1339 me autor Angelino
Dulcert me origjinë gjenoveze, i cili ka punuar
në Palma Majorka. Kjo hartë me përmasa 75
x 102 cm ndodhet në Bibliothèque Nationale de France, Paris. Kartografit
Angelino Dulcert, i dedikohen dy harta portolane, njera e vitit 1325 (ruhet
në Koleksionin Korsini - Firence), e konsideruar ekzemplari i parë i
“Shkollës Majorka” dhe harta e vitit 1339, me flamurin me sfond të verdhë,
me në qendër shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe, me shtizën
të ngulitur në Krujë (Croya). [Julio Rey Pastor e E. G. Camareiro. La Cartografia
Mallorquina. Madrid 1960].
Në muzeumin “Maritimo” ne Barcelona, ruhet një hartë portolane manuskrit në pergamenë, e vitit 1439 me
autor kartografin Gabriel di Vallseka i
“Shkollës Majorka”
dhe dy harta po të Valleska njëra e vitit 1440 dhe një e vitit 1447, të ruajtura në
Bibliotekën Nacionale Paris. Në të tre
këto harta, Valleska ka vizatuar
flamurin e Kastriotëve me sfond të verdhë, me shqiponjën dykrenore me ngjyrë te kuqe, me shtizën të ngulur në Krujë.
Në vitin 1447, Gabriel de Valeska e riprodhoi duke e pasuruar me elemente maritime dhe përsëri e vizatoi flamurin e Kastriotëve, me sfond të verdhë dhe shqiponjë të kuqe. Një kopje e kësaj harte është në Bibliotekën Nacionale Franceze në Paris. Një hartë të vitit 1447, e vizatuar nga Gabriel de Valseka, ishte në pronësi të nje marinari nga Piza dhe në vitin 1480 e kishte blerë Amerigo Vespuçi, duke paguar 130 dukate. [Gerald Roe Crone, Origin of Early Marine Charts, in The Geographical Journal, vol. 128, nº 1, 1962, p. 114]. [Sabrina Muzi, Amerigo Vesspucci. Esploratore colto 2018].
Ekzistenca e hartave portolane të vitit 1339
me autor Angelino Dulkert dhe tre hartat e
viteve 1439, 1440 dhe 1447 të Gabriel di
Vallseka, dëshmojnë se anijet e princit Gjon Kastrioti mbanin flamurin e verdhë
me shqiponjën e kuqe, madje këtë flamur e përdorën dhe anijet e Gjergj
Kastriotit pas vitit 1444.
Hartat preçedente të Angelino Dulkert dhe tre
hartat e Gabriel de Valeska, kanë shtruar pyetjen: Mos vallë Petrus Roselli kartograf i shkollës Majorka, e
ka kopjuar nga Angelino Dulkert dhe Gabriel
de Valeska ??
Petrus Roselli ishte me origjine italiane, i emigruar në Majorka - Spanjë, ku zhvilloi aktivitetin si kartograf, duke krijuar gjashtë harta portolane të viteve 1449, 1456, 1462, 1464, 1465 (në British Library) dhe 1466 (University of Minnesota, Twin Cities. James Ford Bell Library). Në hartën e vitit 1449, ndërmjet 36 flamujve, Roselli ka vizatuar flamurin e Kastriotëve, të shpalosur djathtas, me sfond të verdhë në të hirtë, me shqiponjën dykrerëshe të kuqe, me shtizën të vendosur në Krujë (Croya).
Në vitet 1456 - 1468, Roselli realizon harta më cilësore, me topografi më të saktë, madje shumë prej tyre jane kopjuar nga kartografë të tjerë dhe janë perdorur në lundrim nga marinarët edhe në shkullin XVI. Krahas këtyre vlerave, hartat e Angelino Dulkert, të Gabriel de Valeska dhe të Petrus Roselli janë me rëndësi për historinë e vendit tonë, pasi të gjitha kanë flamurin e Kastriotëve, i prezantuar me të njejtat karakteristika, sfond i verdhë, shqiponja dykrerëshe e kuqe.
Flamuri i dinastisë patronomike Kastrioti,
ashtu si flamujt e mbretërive, principatave dhe republikave mejetare europiane,
i prezantuar në këto 10 harta portolane, ka vlera juridike dhe historike
ndërkombëtare.
Moikom Zeqo, studiuesi kompetent dhe i
apasionuar i historisë tonë kombëtare dhe i Kastriotëve, shtron pyetjen: “Pse
në kohën kur ishte në jetë Skënderbeu, flamuri i tij i njohur ndërkombëtarisht
jepet në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjë të kuqe dykrerëshe?” Ne
vazhdim Moikomi, si çdo studiues serioz, shpreh një pikëpyetje, që kërkon një
përgjigje të vërtetë dhe të argumentuar. Aq më tepër që substanca e kësaj
pyetjeje bëhet më e fortë, kur dimë tashmë se në absidën e Kishës së Shën Andonit,
në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Gjergj Kastriotit,
është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe. Kjo shqiponjë nuk
është bërë rastësisht e kuqe, por është bërë si ishte në flamurin e verdhë të
Kastriotëve. Moikom Zeqo me shumë të drejtë thekson: “Flamuri i Kastriotëve
është me sfond të verdhë e me shqiponjë dy krerëshe ngjyrë të kuqe. Duke thënë
këtë, nuk behet blasfemi, por një saktësim historik”. [Moikom Zeqo. Harta e 1456, e vërteta për
flamurin e Skënderbeut, Dita, 12 mars 2018].
Nga këto të dhën mund të sugjerojmë disa konkluzione
të bazuara në kritere
shkencore:
1. Faktet historikisht autentike, që në të
gjallë të Skënderbeut, ekzistonin 10 harta portolane me flamurin me sfond të verdhe, me shqiponjën dykrereshe me ngjyre t e kuqe, ashtu
si është fakt i pakontestushëm dhe afresku me shqiponjën dykrerëshe me
ngjyrë të kuqe në Kishën e Shën Antonit në kepin e Rodonit.
2. Në veprën e Barlecit, përsëritur nga historianë të tjerë të më vonshem, flitet për flamurin me sfond të kuq e me shqiponjën e zezë dy
krenore, që iu printe arbërorëve në beteja, pra ky ishte flamuri i ushtrisë të Lidhjes së Arbërit.
3. Moikom Zeqo thote: “Barleci nuk është
dëshmitari okular, por dëshmi e metamorfizuar, gati gjysëm shekull më vonë pas
vdekjes të Skenderbeut, andaj Barleci duhet shikuar me rezervë, jo me
absolutizem”. Studiuesit nuk mund të marrin dëshmi të vona dhe të
transformuara, por duhet të bazohen në dokumentat e kohës, andaj është i besushëm
flamuri me sfond të verdhe dhe me shqiponjë dykrerëshe të kuqe, sepse
dokumentohet në harta portolane, të kartografëve të Shkollës së Marinës në
Majorka të Spanjës.
Çështja e flamurit të Kastriotëve bëhet më
intriguese, nga përshkrimet që bën Karlo Padiglione në veprën “Di Giorgio
Castriota Scanderbech e de’ suoi discendenti – narrazione. Napoli 1879,
Stabilimento Tipografico del Cav. Francesco Giannini, Via Cisterna dell’Olio, 6”.
Skenderbeut i janë dedikuar shumë vepra, një ndër ato është dhe kjo e Karlo Padiglione, i cili pasi trajton dallimet ndërmjet pasardhësve të Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të Vrana Kontit (Vrana Granai Kastrioti), përshkruan edhe stemat heraldike dhe sidomos flamurin e Gjergj Kastriotit, duke prezantuar të dhëna historike dhe dokumentare të shumë autorëve të mesjetës. Madje kjo vepër ka shumë surpriza, që do t’i prezantoj në shkrimin e ardhshëm.