Speciale » Alia
Lutfi Alia: Shqiponja në stemat heraldike të familjeve dinastike arbërore (I)
E marte, 15.08.2023, 07:55 PM
SHQIPONJA NË STEMAT HERALDIKE TË FAMILJEVE DINASTIKE ARBËRORE
(PJESA
I)
Nga Lutfi ALIA,
Siena – Itali
Në shekujt IX – XV, Albania – Arbëria
përjetonte qytetërimin perëndimor, ishte pjesë integrale e Europës, por ishte e
ndikuar edhe nga kultura lindore Bizantine. Albania – Arbëria ishte porta
lidhëse mes perëndimit dhe lindjes. Kulturat europiane dhe ajo bizantine ishin
të mishëruars dhe në heraldikën arbëror, e cila ishte sa origjinale dhe
pasqyrim i heraldikës europiane dhe bizantine, e shprehur me titujt e
fisnikërisë, me stemat, me flamujt, me medaljonet dhe me kodikët e fisnikëve.
Në shekujt IX – XV, fisnikët e familjeve
patronomike arbërore kishin tituj perëndimor (princ, konta, duka, markez etj),
por kishin dhe tituj bizantinë (arhond, sevast, sevastonkrator, protosevast,
panhypersevast etj). Çdo familje kishte stemën e vet heraldike, si rezulton me
familjet dinastike Progoni, Muzaka, Arianiti, Balsha, Topia, Dukagjini, Shpata,
Skura, Zaharia, Golemi, Spani, Kastrioti, Granai, Martaseos, Gropa, Jonima,
Blinishti, Manesi, Gazuli, Matranga, Engjëlli, Frangu, Zenebishti, Losha, Bua
etj, etj. Ndër familjet fisnike arbërore vetëm pesë prej tyre kishin stemë
heraldike me shqiponjën dy krenore: Muzaka, Arianiti, Kastrioti, Granai dhe
Engjëllorët.
Në shekujt IX – XII, sipas Ataliatit, bashkësia krahinore
e Arbërisë, apo arkondìa krahinore e Arbërisë ishte shkëputur si nga bashkësia
politike e romejve dhe nga bashkësia fetare ortodokse e në këto rrethana u
shndërrua në arkondì autonome arbërore, por kurdoherë nën vasalitetin e
Perandorisë Bizantine. [M. Attaleiates, Historia, Edition Bonn, 1839, pp. 8
-10]. Varësia administrative dhe ushtarake ndaj Perandorisë Bizantine e
Arkondive, Themave, Dukateve dhe Principatave arbërore dhe kur fituan autonominë
relative, u shpreh me individualitet të heraldikës, me stema dalluese për çdo dinasti
patronomike. Disa familje fisnike arbërore përdorën në stemat e tyre shqiponjën
me një kokë, disa të tjera shqiponjën dykrenore të Perandorisë Bizantine, ndërsa
të tjerat përdorën simbole të ndryshëm, si luanin (Topia), ujkun (Balsha) etj.
Shqiponja dy krenore është me origjina bizantine e përdor së pari nga Kostantini i Madh në vitin 330 pas K, si
simbol i pushtetit që ushtronte në dy gjysmat e perandorisë në atë Romake dhe Biznatine
(Kostantinopoja - Roma e Re), pra njera kokë pasqyronte
perandorinë e lindjes dhe tjetra perandorinë romake. Shqiponja dykrenore është
përdorur si simbol heraldik nga të gjithë perndorët bizantinë. [Georg Ostrogorsky, Storia dell'Impero bizantino, Milano, Einaudi, 1968].
Shqiponja dykrenore bizantine u përvehtësua dhe nga disa dhespotë
arbëror, por këtë të drejtë e kishin vetëm fisnikët me lidhje gjaku me familjen
perandorake dhe natyrisht me aprovimin e perandorit. Studiuesja
Simonetta Angelo Comnena, duke iu referuar dokumentave të Arkivit të Vatikanit,
të Venecias e të Kostantinopjës, tregon se nga familja perandorake bizantine
Angelo – Komneno Flavio Duka, e përfaqësuar më disa perandorë dhe dhespota, e
kanë origjinën tre familje fisnike arbërore,
të cilat janë Jure sanguinis me origjinë perandorake Muzakët, Arianitët, Engjëllorët
e Drishtit. [Simonetta Angelo Comnena.“Storia e genealogia della Imperiale
famiglia Angelo Comneno Flavio Ducas”, Roma 2007, p. 6].
Në vitet 1230 – 1271, trojet arbërore ishin
nën sundimin e Mikeli II Angelo Komneni, i cili ishte dhespoti i Epirit, i
Thesalisë, i Etolisë, i Akarnania, i Selanikut; duka dhe princi i Maqedonisë,
Konti i Drishtit, sundimtari i Durrësit. [Gallupi Ar, et
all, De
Arbore Genealogica Familiae Angelorum de gente
Comnena Thessaliae et Epiri Principorum, Rivista Penale Nr 1, Roma 1961, p.177]
Në shekujt XII – XV, disa familje fisnike arbërore,
kishin stemat e tyre heraldike me shqiponja dykrenore bizantine, ose me
shqiponjën me një kokë.
Stema heraldike e
dinastisë Progoni.
Stema heraldike më e herëshme në Arbëri është
e shekullit XII, e princave dinastikë Progoni të Principatës të Arbërit, e
prezantuar me shqiponjën me një kokë të kthyer nga e djathta, me krahët e
hapura e të ngritura lart. Stema e Progonëve e gdhendur në gurë brenda një
kornize kuadrate, u gjet në fshatin Gëziq të Mirditës. [Kristo Frashëri, Principata e Arbërisë,
1190 – 1215. Botimet M&B, Tiranë 2012, faqe 12 - 31]
Në stemën e Progonëve, prezantohet shqiponja me një kokë e
kthyer nga e djathta, me krahët e ngritur lart, pra krejt ndryshe nga shqiponja
romake me ngjyrë të artë – simbol i Jupiterit, e cila ka kokën nga e majta dhe
me krahët e hapur anash. Shqiponja romake me një kokë të kthyer majtas ishte
pasqyruar në flamujt me sfond të kuq dhe në mburojat e legjionarëve romakë. [Conolly
P. L’esecito romano, Milano 1976. pp. 12 - 18]
Stema heraldike e
dinastisë Dukagjini.
Familja dinastike Dukagjini, sunduesit e
Principatës së Dukagjinëve, kishte stemën heraldike me shqipo-
njën e bardhë, të vendosur në qendër të
mburojës, me kokën kthyer djathtas, me krahët e shpalosur në fluturim.
Dukagjinët kishin në zotërim pjesën më të madhe të
trojeve të Principatës të Arbërit dhe trashëguan shqiponjën e stemës të
Progonëve të Shtetit të Arbërit. [Edmond Malaj, The Noble
Dukagjinis during the Middle Ages. Their Territories and some Characteristics,
Stdime historike, 1 - 2, 2016, f. 29 - 60]
[Gjin Varfi, Heraldika Shqiptare, Shtëpia botuese Dituria,
Tiranë 2000, faqe 45]
1. Stema heraldike e Principatës të Arbërit e dinastisë
Progoni.
2. Stema heraldike e dinastisë Dukagjini.
Stema heraldike e
dinastisë Muzaka.
Gjon Muzaka, në kujtimet e tij shkruan: ”Parardhësit tonë
erdhën nga Kostantinopoja për të dominuar trojet e Epirit në Albania. Muzakët
janë pasardhës të Perandorit Bizantin Kostantinit IV (668 – 685 pas K).
Fillimisht zotëronin trojet e Molosëve, andaj u quajtëm Molossakët – Mozakët –
Muzakët. [Giovanni Musachio, “La breve memoria de li discendenti de nostra
casa Musachi, 1510, pp. 282 – 283, botuar nga Karl Hopf, në veprën
“Chroniques greco – romanes inédites ou peu connus pubbliées avec notes et
tables généalogiques (Famille de Musachi – Despotes d‘Epire), pp. 270 – 353,
Berlin: Weidman 1873]
Në shekujt XI – XIV Muzakët ishin në shërbim të
Perandorisë Bizantine. Perandori Mikele Paleologu, i akordoi prijësit të
Muzakëve titullin sebastoncrator dhe e emëroi Dhespot i Epirit. Këto tituj i
trashëgoi Gjoni I Muzaka me pasardhësit Andrea I dhe Andrea II Muzaka. Fitoret e
Muzakëve kundër bullgarëve dhe dyndjeve serbe, e entuziasmuan Perandorin e
Bizantit, i cili krahas titullit sevastokrator i njohu të drejtën Muzakëve të
përdorin stemën perandorake me shqiponjën dykrenore.
1. Stema heraldike e dinastisë Muzaka, sipas përshkrimeve
të Gjon Muzakës.
2. Skema e shqiponjës dykrenore e Muzakëve, me tre
gjethet e dushkut e gdhendur në një rrasë guri.
Gjon Muzaka në kujtimet e tij e përshkruan stemën e
familjes: “Shqyta me sfond te kuq, me shqiponjën
dykrenore me ngjyrë të verdhë (e artë) me krahët e
hapura, me kurorat mbi kokat dhe yllin gjashtëcepa në trekëndëshin blu mbi
kokat e shqiponjës. Për merita dhe forcimin e pozicionit politik dhe ushtarak
të Andrea II Muzaka, perandori i dha titullin Dhespot i Epirit dhe i njohu
privilegjin të përdori vulën e artë me stemë perandorake (shqiponja dykrenëshe)
dhe i dhuroi një fron dhespotal, që kishte në pjesën e sipërme të shpinores
shqiponjën dykrenore të qendisur me perla. [Giovanni Musachi, Breve memorie,
p. 282]. Në një nga stemat e Muzakëve të gdhendur në një rrasë guri, në gjoksin e shqiponjës
janë tre gjethe dushku, simbol hyjnor i lidhur me tempullin e Dodonës. Gjon
Muzaka në kujtimet e tij, tregon se Perandori i Bizantit iu kishte dhënë të
drejtën të vendosnin në stemën e tyre dhe “Burimin e jetës”. Sipas Rosario
Jurlario, kjo e drejtë lidhet kryesisht me vazhdimësinë e bashkëpunimit të
Muzakëve me familjet perandorake. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti
d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8]
Stema e familjes Muzaka, u ruajt nga Gjon Muzaka dhe
pasardhësit e tij kur u vendosën në trojet Puljeze të Mbretërisë së Napolit. Aktualisht
kjo stemë ruhet në fasadën e pallatit të Muzakëve (aktualisht quhet pallati
Argjenitna) në rrugën S. Giovanni, Nr. 13, komuna e Francavilla Fontana dhe në një bazoriliev në murin anësor të kishës Shën
Maria Mëshirëmadhe në komunën e Mesagne - Provinca e Brindizit – Pulja.
1. Stema e familjes Muzaka, në fasadën e pallatit
në rrugën S. Giovanni, Nr. 13, Francavilla Fontana.
2. Basorilievi me stemën e Muzakëve në kishën
Shen Maria Miserikordioza në komunën Mesagne – Brindizi.
Në bazorilievin në kishën Shen Maria Mëshirëmadhe, janë bashkuar
dy stema, e Muzakëve me shqiponjën dy krenore me kurorat dhe me yllin
gjashtëcepash, ndërsa në gjysmën e majtë është stema e familjes të Gjon Granai
Kastrioti, me luanin në këmbë, me shpatë drejtuar zambakut. Në të dy anët e
stemës janë armët e asaj kohe, që shprehin pushtet dhe autoritet të dy
familjeve. Kombinimin e stemave të dy familjeve fisnike arbërore, historianët
Rosario Jurlaro dhe Anselmo Leopardi, spjegojnë se ky bazoriliev është element
i varrit të Gjon Granai Kastriotit (nipi i Vrana Kontit), i cili vdiq në
Mesagne më 2 gusht 1514 dhe e varrosën në kishën Shen Maria Mëshirëmadhe, e
ndërtuar në shekullin XVI me kuntributet bujare të familjeve Granai dhe Muzaka.
[Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito,
1970, p. 8] [Anselmo C. Leopardi, Mesagne: città dalle
50 chiese; Santuario della Misericordia; Barocco Pugliese, La chiesa della
Misericordia, Radici-online.com. 28 febbraio 2020].
Stema heraldike e
dinastisë Arianiti.
Në shekujt IX – XV u shqua dinastia e
Arianitëve, sunduesit e principatës të Arianitëve. Në shekujt X – XIII,
fisnikët Arianiti u ngarkuan me funksione të larta ushtarake dhe administrative
nga perandorët e Bizantit. Në vitin 1253, Gulem Arianiti u martua me Irena
Komnena, kushërira e gruas të Perandorit të Bizantit Angelo Komneni Dukas,
sundimtar i Thesalisë dhe Epirit. Fëmijët e lindur nga kjo martesë përdorën dhe
mbiemërin Komneni, si vazhdoi ta përdori princi Arianit Komneni dhe i biri i
tij Gjergj Arianiti Komneni. [Aurel Plasari, Arbni, Tiranë 2020, f 136 - 137]
[Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni. Siena 2018, f. 5 - 20]
Krahas përdorimit të mbiemërit Komneni,
Arianitët fituan të drejtën të vendosin shqiponjën dykrenare të Perandorisë
Bizantine, në stemën e tyre heraldike, e prezantuar me mburojën me sfond të
kaltërt, me në qendër shqiponjën dykrenore me ngjyrë të artë. Gjergj Arianiti
vdiq në vitin 1462 në Durrës. Guaja e dytë Petrina Forkoni me djemtë dhe
vajzën, në vitin 1463 emigruan në Venecia. Djali i dytë Kostantin Arianiti
shkoi në Romë dhe hyri në shërbimin e Papa Sisto IV,
ku për aftësi dhe merita, i dhanë detyrën e protonotario apostolik. Në vitet
1483 dhe 1486, Senati i Venecies ia rikonfirmoi Kostantinit titullin e patricit
venecian. [Arch. Stato. Veneto,
Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c. 117v, vol. XXXI, c. 228v, vol. XXXII,
cc. 2, 29, Venezia 1486]. Në
vitin 1486, Kostantini e la detyrën e protonotario apostolik ne Vatikan dhe
kaloi në shërbim të mbesës Maria, markezia e Monferrato, madje Kostantini ishte
personi më i besueshem i Markezit Bonifaci III. Pas vitit 1492, Kostantini përdori
titujt Princi Maqedonisë dhe Duka i Akaja. Historianët Babinger dhe Fiori,
theksojnë, se këto tituj, ia rritën prestigjin dhe shkëlqimin në rradhët e
fisnikërisë italiane. [Franz Babinger, Giorgio Fiori. Rivista di storia, arte,
archeologia per le Province di Alessandria e Asti, CVIII:1999, pp. 67]
Në vitin 1494 vdiq markezi Bonifaci III
Paleologo, duke e lënë pushtetin në duart e Maries si regjente dhe
të Kostantin Arianitit si administrator me
titullin markez dhe me të drejtat e feudalit të shtetit të Monferrato. Kostantin
Arianiti Komneni e modifikoi stemën
heraldike të atit Gjergj Arianitit, duke prezantuar një varjant të ri me mburojën
me dy shqiponja dykrenëshe ngjyrë të verdhë, në sfond të kuq në kuadrate diagonale
dhe dy kuadrate me sfond blu me kryqin ortodoks; dy kuadrate me sfond të artë
me tre këmbana, nën kryqin në kuadrate diagnonale. Me ndonjë modifikim të vogël, kjo stemë ruhet në një kontradë në
Montefiore Konka, në provincën e Rimini.
1. Stema e princit Gjergj Arianit Komneni.
2. Stema heraldike e Kostantin Arianiti
Komneni në Montefiori Konka dhe Monferrato - Itali.
Stema heraldike e
Engjëllorëve.
Pas vdekjes të ipeshkëvit Pal Engjëlli më
1469 dhe pasi ranë Shkodra dhe Drishti në vitin 1478, pjestarët e familjes
Engjëlli të Drishtit, emigruan në Itali, fillimisht në Venecia e më pas në Romë
dhe qytete të tjera.
Në gjeanologjinë e Engjëllorëve hartuar nga
Andrea Engjëll Komneno dhe botuar në vitet 1551, 1553 dhe 1555, theksohet
se Engjëllorët dhe Muzakët janë me origjinë nga familja perandorake e Bizantit.
[Andrea Angelo Komneno, Geanologia Imperatorum Ac Regum Alio. RMVQ,
Principum et illlvstrium Virorum. Roma MDLV].
Nuk ka të dhëna cila ishte stema heraldike e
Engjëllorëve në shekujt XIII – XV, por bazuar në veprën e Andrea Engjëllit e
vitit 1551, i cili thekson lidhjen me familjen perandorake, natyrisht stema
heraldike ishte me shqiponjën dykrenore si rezulton në gjysmën e dytë të
shekullit XVI, kur Engjëllorët u prezantuan me stemën heraldike me shqiponjën
dy krenore, me kurora mbretërore mbi kokat e shqiponjës.
Në kopertinat e botimit të gjeanologjisë të Engjëllorëve
në vitet 1553 dhe 1555, Andrea Engjëlli prezanton stemën e Engjellorëve me
shqiponjën dy krenore, me një kurorë mbretërore mbi kokat e shqiponjës dhe me
një mburojë në gjoks. Historianët theksojnë: “Engjëllorët
vepruan për t’u dukur mbi të gjithë dhe për realizimin e qëllimeve të tyre u
angazhuan në evidencimin e të kaluarës, fillimisht nëpërmjet Mikele Engjëllit e
më pas përmes krushqive dhe aleancave, duke gjetur hallkat që familja të dukej
e lidhur me oborret princore dhe ato mbretërore të Europës”. [Merturi
G.J, I principi albanesi Angeli Kom-neni sepolti a Roma, në Lajmtari i
Shcypnies, An. I – 1904, Nr. 4, f. 20 - 21]
Studiuesi Ilia Karanxha me të
drejtë thekson:“Kryesisht për interesa familjare, por dhe si përgjigjie
djallzore kundër Barletit, Engjëllorët u pleksën me historiografinë
Kastriotiane, duke iu dhënë merita të tepruara Pal Engjëllit, emri i të cilit
bashkohet artificialisht me të Gjergj Kastriotit”. [Ilia Karanxha, Barleti
apo Beçikemi,
Tiranë 2020, faqe 211 -
229]
Në shekullin XVII, Engjëllorët e modifikuan
stemën, duke i shtuar në këmbë shpatën, si simbol i forcës dhe në këmbën tjetër
skeptrin, si simbol pushteti. Kjo stemë ndryshon me pararendëset, çka sugjeron
seme të vërtetë Engjëllorët, përdornin të gjitha mënyrat për t’u prezzantuar si
familje fisnike me lidhje perandorake.
1. Kopertina e Gjeanologjia e familjes
Engjëll, botuar nga Andrea Engjëlli në vitin MDLV (1555)
2. Stema heraldike e Engjellorëve në
shekullin XVI
3. Stema heraldike e Engjëllorëve e
modifikuar në shekullin XVII
Stemat heraldike të
dinastisë Kastrioti.
Në shekujt XIII - XV forcohet pushteti i
Kastriotëve, që kishin nën sundim Dibrën, Matin dhe Krujën.
Andrea Engjëlli, në “Genealogia
imperatorum...”, prezanton disa të dhëna për origjinën e familjes Kastrioti. I
pari përmendet Johani dhespoti i Myzeqes së poshtëme (Ioannem Myssie inferioris
Despothum), i cili kishte djalë Kostantin Kasturi, me titullin konti i Kasturit
(Casturie, e njohur dhe Mazreka - Maserechium). Kostantin Kasturi – Mazreku
kishte djalë Gjergj Kasturi, mbiemër që u ndryshua në Kastrioti. [Andrea Angelo Komneno, Geanologia Imperatorum Ac Regum Alio. RMVQ,
Principum et illlvstrium Virorum. Roma MDLV, 22v -23r].
Në këtë gjeanologji rezulton se Johani - Gjoni ishte
dhespot, por nuk dihet me cilën u martua, ç’origjinë kishte gruaja e tij, a kishte
lidhje me familje perandorake, ashtu si nuk ka të dhëna për gratë e Kostantinit
e të Gjergjit. Këtë renditje të pararendësve të dinastisë Kastrioti e plotëson
Gjon Muzaka, i cili thekson si djali i Gjergjit ishte Pal Kastrioti, i cili
zotëronte vetëm dy fshatra Sinja dhe Gardhi i Poshtëm në Dibër. Pali kishte
vetëm një djalë Gjon Kastriotin, i martuar me Vojsava Tribalda, nga familje
fisnike e Tribaldëve dhe lindën katër djem e pesë vajza. Gjoni i zgjeroi trojet
dhe krahas dy fshatrave në Dibër mori në zotërim Matin e më pas Krujën. [Giovanni
Musachio, “La breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 1510, p.
301].
Princi Gjon Kastrioti kishte stemën heraldike, me
mburojën me sfond në gjysmën e djathtë ngjyrë e verdhë (e artë) dhe gjysma e
majtë e kuqe me shqiponjën dykrenore në qendër, me kurora mbi kokët. Nuk ka të
dhëna në se kjo stemë ishte bazuar në lidhje më familjet e Perandorisëë së
Bizantit, por argumenti më bindës është se kjo stemë simbolizon lidhjen
martesore të Gjon Kastriotit me familjen fisnikë të Vojsava Tribalda, praktikë
që është zbatuar nga disa mbretër, princa me lidhje martesore mes dy
mbretërivë, ose dy principatëve.
Princi Gjon Kastrioti, ishte aleati i Venecias dhe bashkë
me djemtë, kish nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën.
Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjon Kastrioti
titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e
gëzonin edhe djemtë e tij. Sudiuesja Dorit Raines thekson se edhe në vitin 1416, familja Kastrioti
ishte në listën e patricëve të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i rinjeh Gjon
Kastriotit dhe djemëve të tij të drejtat dhe privilegjet e patricit venecian. [Dorit
Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior
Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. Storia di Venezia, I,
2003]. [Marin Sanudo. Vitae dei Dogi 1423 – 1473. Venezia
1999, Tom. 1. p. 183]
Stema heraldike e Princit Gjon Kastrioti e
vitit 1413 kur u shpall “Qytetar Nderi i Veneto”, ruhet në arkivin e
Biblioteka Marciana – Venecia. [Fotaq Andre. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës 1413-2017 Album – Antologji, Tirana 2017, f. 19]
Stema e Princit Gjon Kastrioti me shqiponjë dykrenëshe
konfirmohet në hartën portolane të Dulcert e vitit 1339 [Angelino Dulcert Mapa Mundi 1339, Bibliothèque Nationale de France, Paris] si dhe në harta portolane
të Gabreil Valeska të viteve 1439 dhe 1440, që ndodhen në Muzeun Maritim në
Barcelona.[Gabriell de Valsequa la feta en Malorcha, any
MCCCC.XXX.VIIII]
Princi Gjon Kastrioti vdiq më 1442,
Principata e Arbërit ra nën pushtimin otoman. Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u
kthye në Krujë dhe i rimori zotrimet e principatës të Kastriotëve, ndërsa tre
djemtë e tjerë të Gjonit, vdiqën në moshë të re. Reposhi, murg në manastirin
Hilandarit në Malin e Shenjtë, kishte vdekur në vitin 1431; Stanisha vdiq në
vitin 1446; Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura para vitit 1443.
1. Stema heraldike e Gjon Kastriotit e vitit
1413, ndodhet në arkivin e Bibliotekës Marciana - Venecia.
2. Stema heraldike e Kastriotëve në vulën
zyrtare të Gjergj Kastriotit.
Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, u mblodh
kuvendi i prijsave të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike - ushtarake
për të mbrojtur atdheun ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Lidhjes,
zgjodhën Gjergj Kastriotin Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae) dhe kryekomandant
i ushtrisë arbërore. Për kontributet në rezistencën dhe luftimet kundër
pushtuesve otomanë, në vitin 1445 Senati i Serenisima, e shpalli Gjergj
Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të
Serenissima të vitit 1463, rezulton
dhe familja Castriotto -
Kastrioti. [Dorit Raines.
“Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio:
le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003,
p. 18].
1, 2. Stema heraldike e Gjergj Kastriotit.
Pas beslidhjes në Lezhë, Gjergj Kastrioti me
pozicionin e ri si Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae) e ndryshoi stemën
heraldike të familjes, duke i dhënë shprehje më individuale, e prezantuar me
mburojën me sfond të kuq, me në qendër shpqiponjën dykrenare më kraah të
shpalosur dhe me kurorat mbi kokat. Në pjesën e sipërme mbi kokat e shqiponjës
në nje trekëndësh me sond blu vendosi yllin gjashtëcepash, që si kuptohet e
huazoi nga stema e Muzakëve.
Marin Barleci, ne vepren “Historia de
Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis..., Impressum Rome per
B.Vitali, s.d. Maggio 1522, (fleta XV,) thekson:”Skënderbeu e kishte
flamurin e kuq me shqiponjën të ezë dykrerëshe - Rubea vexilla nigris et
bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“.
Për stemën heraldike dhe flamurin e dinastisë
Kastrioti, një grup historianësh italianë, japin varjante të tjera, që
ndryshojnë me këtë të përshkruar nga Marin Barleci, si do të trajtohen në
shkrimin e ardhshëm.