E marte, 30.04.2024, 05:01 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, 1522 – 1592 (II)

E shtune, 07.10.2023, 09:00 PM


XHIOVANA GRANAI KASTRIOTI KARAFA (1522 – 1592)

(Pjesa II)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Shipione De Monti mblodhi sonetat e 181 poetëve italianë, dedikuar Xhiovana Granai Kastrioti Karafa dhe ia dorëzoi Sertorio Kuatromani, erudit dhe kritik letrar, të cilit i kërkoi t’i sistemoi për botim. Në vëllimin “Rime in lode...” me 215 faqe, janë prezantuar në italisht sonetat në Rime Toskane të 135 poetëve, poezi - dialog të Scipione De Monti me 53 poetë, që i shkruanin letra në vargje, me lëvdata për kontrubutin e tij në mbledhjen e sonetave dhe një cikël me 31 poezi në latinisht, të vendosura në kapitullin e fundit të kësaj vepre imponente, krijime të poetëve që kishin thurur soneta në italisht dhe të disa poetëve që kidhin thurur soneta vetëm në latinisht. Në botimin e veprës “Rime in lode ....” kontribuoi edhe poeti Galezzao di Tarsia, fisnik Kozentino, i martuar me Kamilla Karafa. Këngët (Canzionere) e Galeazzo di Tarsia, i mblodhi dhe i botoi kavalieri Basile, i Akademisë Otiosi.

Përmbledhja e sonetave nga Shipione De Monti, botuar në Vico Equinis - Salerno në vitin 1585, është ruajtur e plotë dhe për vlerat letrare, është ribotuar dy herë nga shtëpia botuese “Rubbettino” - Katanzaro, në vitin 2003 nën kujdesin e Soverio Mannelli dhe pas restaurimit të origjinalit në vitin 2005 në Laboratorin e Restaurimit San Giorgio di Adriano Pandimilio, u realizua botimi i dytë në vitin 2017, nën kujdesin e Pasquino Crupi (Paskuino Krupi), me shënime në tekst nga Serena Skordo.

Kjo vepër është ribotua me të njëjtin titull si botimi i parë i vitit 1585: “Rime in lode della Illustrissima et Eccellentissima Signora Donna Giovanna Castriota Carrafa, Duchessa di Nocera e Marchesa di Cività Santo Angelo” dhe është përfshirë në serinë e botimeve “Klasikët e Letërsisë Kalabreze”.

Dedikimi i kësaj vepre poetike imponente Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, dëshmon së ishte personalitet i kohës, e pranishme në jetën shoqërore të salloneve të fisnikërisë së Noçera dhe të Napolit, madje të Italisë, e vlerësuar për bukurinë, mençurinë, karakterin e fortë, autoritetin dhe dinjitetin, për elegancën mondane, por edhe për dhuntitë poetike. Xhiovana ishte drejtuese e rrethit letrar të Noçera dhe si rregull drejtuesi duhej të ishte poet, apo shkrimtar, por për fat të keq, krijimet letrare të Xhiovanës nuk janë ruajtur. [Orlando G, Storia di Nocera de Pagani, Napoli 1884, p. 7]

Në prezantimin e vëllimit “Rime in lode ...” botimi i vitit 1585, Xhiovani Xhiakomo de Rossi thekson:

1. Shipione de Monti, para se të shkonte të luftonte në Afrikë, më ngarkoi të botoi dhe dy faqe shtesë.

2. Në këtë vëllim nuk janë përfshirë të gjitha krijimet dedikuar Xhiovana Kastriotit Karafa, sepse disa kishin

humbur, disa i hoqi Regio Teologo, sepse ishin shitur për llogari të shkëlqyerit Reverendo Imzot Di Viko.

3. Shumica e poetëve që kanë shkruar këto Lode (lëvdata) janë të famshëm në krijimet lirike si Bernardino

Rota, Luigji Tonsillo, Xhirolamo Rushelli, Tarkuina Molza, Virginia N, Kamillo Pelegrino (autori i dialogut

“Il Carafa ovvero dell’epica poesia) etj, por ka dhe soneta të poetëve pak të njohur, por me krijime dinjitoze.

Ndërmjet poetëve të shumtë, në këtë vepër janë përfshirë dhe krijime të poetëve arbëreshë Xhiovan Batista Krispi, Xhiovan Batista Vitale, Honorato Markeze, Nikolò Degli Anxheli, Çesare Tomei, Alessandro Pera, Iani Palusii (Jani Palushi), Petri Pauli Russi etj.

Në botimin e vitit 1585 “Rime in lode ....” janë mbledhur krijime poetike të shkruara në kohë të ndryshme nga poetë të shquar të asaj kohe (Illustrium poetarum), por dhe nga poetë pak të njohur, por sejcili prej tyre ka thurur vargje me figura letrare, me epitete dhe metafora njera më e bukur se tjetra, duke e krahasuar Xhiovanën me personazhe mitike dhe hyjnore, me figura historike, me vargje me lëvdata si besimtare e përkushtuar, si bashkëshorte dinjitoze dhe si nënë shembullore, që shprehin vlerësime për personalitetin, karakterin dhe autoritetin shoqëror të Xhiovana Granai Kastrioti Karafa.

Prezantimi i të gjitha krijimeve të këtyre poetëve është e pamundur, andaj do të prezantoi më kryesorët.

Xhirolamo Rushelli, poet dhe kryetar i “Accademia degli occulti” i Breshias, mik i poetes arbërore Luçia Albani, të cilën e cilëson ndër poetet e shkëlqyera të Italisë, e njihte personalisht Xhiovana Granai Kastrioti, për cilën shkruan: “Ishte me bukuri të rrallë trupore, me pastërti morale dhe pasi i vdiq burri Xhiovani, u martua me Alfonso Karafa duka i Noçera”. [Aldimare, Historia Geanologica della famiglia Carafa, Libro II, Napoli, Bulifon 1691, p. 238]

Në veprën “Rime in lode ....., Scipione de Monti përfshinë dhe një sonetë me lavde të Rushellit, dedikuar Xhiovana Granai Kastrioti Karafa.

Poetia dhe kompozitoria Tarkuina Molza, në vepran e saj “Rime di diversi” botuar në Bolonja më 1575, i

kishte dedikuar Xhiovana Granai Kastrioti Karafa një sonetë, që Shipione De Monti e përfshiu në vëllimin “Rime, in Lode ......”

Në faqen e parë të botimit të vitit 1585, nën titullin “Rime in lode......”, është prezantuar soneta e poetit Adriano de Rossi, i cili shkruan:

Adriano de Rossi

Të tjerët i këndojnë luftave dhe mundimeve,

Të tjerë i këndojnë herojnvë të shquar,

Të tjerë përshkruajnë formën dhe orbitën e Saturnit dhe të Marsit,

Edhe bukuritë e yjeve ...

Unë do të këndoj bukurisë tënde o grua e sjellshme,

Mikja e vërtetë e Krishtit dhe e ndershmërisë,

Do të këndoj për virtytet tua të larta

Dhe për krenarinë tënde të zjarrtë .......

Shipione de Monti

O zotërit e Albanisë së lartë, me njerëz zulmëmadh,

Nga prindër albanë origjinën ti e ke

O fisnikja Xhioana Granai Kastrioti Karafa ...

Xirolamo Rushelli

Ndër vite zbulova sukseset e tua,

Dua të tregoj dhe për ata shumë virtyte,

O Grua, që kurrë nuk rrije nën hijen e yjeve ...

Në vitet 1544 – 1565, filozofi kalabrez Bernardino Telesio bujti në oborrin e Dukës Alfonso Karafa dhe ishte mësuesi privat i Ferdinandi II djali i parë i Alfonso dhe Xhiovana Granai. Kjo përvojë e ndihmoi filozofin Bernardino të shkruaj veprën e tij madhore “De rerum natura iuxta propria principia – rreth natyrë të sendeve, sipas parimeve të tyre”, vepër të cilën ia dedikoi nxënësit të tij të zellshëm Ferrante II Karafa Granai. [Somma S, C. Zarra, Storia Nocerina Sagra. Dissertazioni su chiese, Monasteri, Collegi e Conventi della città Nocera de Pagani. Print Art Edizioni, Nocera Superiore, anno 2018]

Historia e familjes Carafa – Granai dhe vepra e Bernardino Telesio, ndikuan ndër disa poetë, që në lavdet drejtuar Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, të përfshinin dhe të birin Ferrante II Karafa Granai Kastrioti, si shprehet në sonetën e tij poeti Alessandro Andrea.

Alessandro Andrea.

Në perëndim të vlerave antike, ashtu kot kërkoj,

Gratë e para të shquara dhe gjysëmperënditë,

Nënën Theti të Akilit te ty unë parashoh,

E ndërmjet zotërave je ti Xhiovana dhe Fernando,

Me ju do të ngre lavdinë time në postin më të lartë.

Shumë nga poetët që kanë shkruar soneta për Xhiovanën, të bazuar në mbiemërin Kastrioti dhe në stemën heraldike të Xhiovanës, me mburojën me sfond të artë dhe shqiponjën dykrenore ngjyrë të zezë me krahët e hapur dhe yllin me tetë cepa në trekëndëshin blu mbi kokat, e ngjashme me stemën e Gjergj Kastriotit, i thurnin vargje me lavde dhe vlerësime të larta, duke e konsideruar pasardhëse e denjë e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut, andaj shpesh i drejtohen Kastriota dhe ndonjë Skenderbega, ndërsa në fakt dihet se Xhiovana Granai Kastriota ishte pasardhëse e linjës të Kontit Uran Granai Kastrioti.

Stema heraldike e Xhiovana Granai Kastrioti

Në vazhdim po rendis disa nga poetët, që shprehen se Xhiovana ishte pasardhëse e Gjergj Kastriotit.

Virginia N, në sonetën e saj shkruan:

Xhiovana, ti grua e denjë e perandorisë antike të Kastriotëve,

O ylli shkëlqimtar, shpirt xhentile....

Çesare Tomei

Këtu nuk është Theti, Latonia, Iside dhe Klori,

Por hyjnesha e pavdekëshme, nën efektet mortale,

Xhiovana Kastriota, botën e nderon.

Giovann Battista Kostanzo

Është shpirti tënd i ndritur Kastriota,

Përherë e devotshme, për çdo zemër fisnike,

Që ty të duan dhe të nderojnë.

Ottavio della Rotta

Ashtu si lulzojnë brigjet e gjelbërta,

Për Vulturnon këndoi Rattilio* një ditë,

Dhe tringëllonte Kastriota në gurët dhe valët e lumit.

* Rattilio Della Pace është poet që i ka dedikuar një sonetë Xhiovana Granai Kastrioti Karafa.

Antonio Kastalio

Ti je jehonë e harmonisë qiellore,

Në mijëra gjuhë dhe me mijëra dhunti,

Xhiovana thërret dhe maleve iu thua,

Me zë të lumtur dëgjojnë Kastrioten,

Fama tënde në qiell fluturon ....

Don Çesare Karafa

Harqe, shtatore, trofe të mermerta dhe ari,

Janë ngritur në emrin tënd Kastriota ....

Mario Valinjano

E mençura Kastriota,

Me ty nuk ka tjetër të barabartë....

Pjesa më e madhe e poetëve, i kanë dedikuar soneta duke e theksuar Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, Dukesha e Noçera, ndër të cilët por rendis disa prej tyre.

Fabricio Kolonna

A cilës të devotshme i ndizen dritat e shenjta,

Febos, Muzave, heshtjes dhe miklimeve?

Te ti pasqyrohet dashuria, qartësisht pafund,

Vlerat shpirtërore të ndershmërisë tënde

Mario Valinjano

Më të çmuarën dhe shpirtin tënd fisnik zgjodha,

Dhe me dashuri flas, i lumtur dhe hareshëm,

Në ty Xhiovana shoh virtyte të larta e të rralla,

Shkëlqimi tënd bën të lumtur botën.

Paolo Xhovio Junior

Ti bashkëshorte e Alfonsit,

Me lavdi sublime mbuluar të dy,

I ke përkushtuar kujdes të madh Dukës ...

Alessandro Pera

Si rreze e ndritëshme dhe me shpirt të zjarrtë endacak,

Me dlirësin dhe bukurinë tënde bashkuar,

Krijojnë forcë të ëmbël o grua e çmuar,

Në sytë e tu shprehen mendimet ....

Në heshtje dhe me dorë në zemër përkulem para teje.

Angelo Kostanco

Me shumë bukuri qielli je mbushur,

Sa ty të therrasin hyjnesha Ciprinja.

....................

Sa shumë zgjuarsi, vlera dhe bukuri të gjinjëve,

Sa më lejojnë të quaj,

E denja hyjnesha Minerva.

.......................

Madhështia e trupit tënd lartësohet,

Në çdo pjesë të botës që takon,

Me lavdinë tënde ngjanë më Jupiterin.

...........................

Ti ke zemër të dlirtë dhe të ndrojtur,

Nuk gaboj të quaj hyjnesha Diana.

E në këto kohë emri i vërtetë është Xhiovana.

Faqja 185 e vëllimit “Rime in lode ...”

Kjo është letra në latinisht e Shipion De Monti, drejtuar Ferdinandit II Karafa Kastrioti, Duka i Noçera, me të cilën fillon kapitulli me soneta në latinisht të 31 poetëve italianë, cikël i mbyllur me një sonetë të Shipion De Monti. Në këtë cikël me soneta në latinisht është përfshira dhe një e arbëreshit Jani Pelushi (Pelusii).

Në këtë shkrim prezantova vetëm 15 fragmente sonetash, ndër 210 soneta të shkruara në italishte të shekullit XVI, krijime të 181 poetëve italianë, të cilët i dedikuan krijimet e tyre Xhiovana Granai Kastrioti Karafa. Ndofta në një shkrim tjetër do të prezantoj dhe soneta të poetëve të tjerë, por pa pretenduar në përkthimin e kësaj vepre voluminoze dhe imponente, dedikuar zonjës fsinike arbërore.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora