E marte, 30.04.2024, 12:53 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, 1522 – 1592 (I)

E diele, 01.10.2023, 08:00 PM


XHIOVANA GRANAI KASTRIOTI KARAFA (1522 – 1592)

(Pjesa I)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Pas emigrimit në Itali, shumë pjestarë të familjeve fisnike arbërore dhe përfaqësues nga masa e madhe e popullit, u shquan në jetën politike, ushtarake, fetare, shoqërore dhe kulturore, duke u bërë pjesë aktive, madje dhe protagonista në historinë e Italisë. Krahas pasardhësve të familjes të Gjergj Kastriotit, në Itali u shquan dhe përfaqësues të familjeve Granai, Muzaka, Zgura, Gropa, Spani, Dukagjini, Balsha, Renes, Mansi etj.

Ndër pjestarët e këtyre familjeve arbërore u shquan dhe shumë femra si Andronika Kastrioti, Maria Granai Kastrioti me vajzat Xhiovana, Isabella, Kamilla; dy poeteshat Luçia Albani dhe Isabella Kastrioti Skenderbeg, si dhe Xhiovana Granai Kastrioti Karafa (1522 – 1592), dukesha e Noçera dhe Markeza e Cività Sant Angelo.

Në Itali, Kastriotët janë me prejardhje nga dy degë, e para nga familja e Gjergj Kastriotit dhe Andronikës me djalin Gjoni II Kastrioti; ndersa linja e dytë janë pasardhësit e Kont Urani Granai Kastrioti (Vrana Kontit), i cili kishte lidhje fisnore me Gjergj Kastriotin, andaj përdornin mbiemër të përbërë Granai - Kastrioti.

Karl Hopf, në pemën gjeanologjike të Kastriotëve, e ka përfshirë dhe Vrana Kontin me pasardhësit e tij në Itali, të cilët i prezanton pjestarë të dinastisë Kastrioti. [Charl Hopf, Chronique Gréco-Romanes: Inédites ou peu connues; avec notes et tables généalogiques. Berlin, 1873, pp. 47 - 48]

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Brana (i biri i Vrana Kontit) dhe gruaja e tij Maria Zardari (e bija e Pal Zardari dhe e Teodora Muzaka), erdhën në Itali, në të njejtën anije bashkë me Andronikën dhe të birin Gjoni II Kastrioti. Mbreti Ferrante I i Napolit, i sistemoi të dy familjet në mjediset e oborrit aragonez. Mbretëresha Xhiovana III krijoi lidhje miqësore dhe konfidenciale me Andronika Kastriotin, e cila ishte damën e parë e shoqërimit dhe këshilltare e mbretëreshës. Bashkë me Andronikën, në grupin e damave shoqëruese ishte dhe Maria Zardari, gruaja e Bernard Granai, të cilën e thërrisnin  "madama Porfida - kuqaloshja". [Lutfi Alia, Andronika dhe Gjoni II Kastrioti, Botimet Streha, Tiranë 2023, f.39 - 44]

Në Itali, pasardhësit e Kont Urani Granai, përdorin dhe mbiemërin Branai, nga emri Brana i djalit të madh të Kont Uranit, i italianizuar në Bernardo, si rezulton në dokumentat dhe kronikat e kohës Bernard Granai Kastrioti dhe Bernard Branai Kastrioti. Mbiemërin e dyfishtë Granai Kastrioti e mbajtën fëmijët, nipat, biznipat dhe stërnipat e Brana - Bernard Granai Kastriotit.

Familja Bernard Granai Kastrioti, u mirëprit dhe kishte pozicion të privilegjuar në rrethin e personelit të mbretereshës Xhiovana III e Napolit. Sipas Gjon Muzakës, ky trajtim i familjes Granai i dedikohet ndikimit të Andronikës, e cila gëzonte respekte dhe nderim të veçantë nga familja mbretërore e Napolit. [Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della famiglia dei Muzaka. Napoli, 1510]

Brana – Bernardi dhe Maria kishin gjashtë fëmijë. Ne vitin 1468, në Napoli lindi djali i parë Giovanni - Gjon Granai Kastrioti dhe me pas Alfonsi, Ferrante dhe tre vajzat Isabella, Xhiovana dhe Kamilla. Fëmijët e Brana Granai dhe Marie Zardari u shkolluan në Napoli. (Paolo Giovio. Dialogo sugli uomini e le donne illustre, del nostro tempo. 1529, Pubblicato da Nino Aragno Editore, Vol. II 2011)

Në vitin 1508 vdiq Bernard Granai Kastrioti dhe djali Gjon Granai Kastrioti trashëgoi titujt e fisnikërisë të atit, Duka II i Kopertno, Baroni II i Galatone, Duka II i Ferrandina dhe mëkëmbës i mbretëreshës në Pulia dhe Basilikata. Gjon Granai Kastrioti, fillimisht ndoqi karrierën klerikale, ishte Ipeshkëv i Mazara del Vallo, por më pas e braktisi aktivitetin ekleziastik dhe u martua me Xhiovana Gaetani, e bija e dukës Trajeto dhe konti i Fondi. Nga kjo martesë lindi vetëm një djal Pirro. Gjon Granai Kastrioti vdiq në Mesagne në vitin 1515, ku mbeti i vrarë gjatë një dueli.

Djali i dytë Ferrante Granai Kastrioti, governatori i Abruco, markez i Sant’Angelo dhe kont i Spoltone, u

martua me Kamilla di Kapua, e bija e Kontit të Palena dhe kishin dy vajza: Xhiovana dhe Hipolita. Konti Ferrante Granai Kastrioti u vra nga mbreti i Francës, gjatë dyluftimit në betejën e Pavia më 1525.

Djali i tretë, Alfonso Granai Kastrioti, shërbeu komandant i repartit të stratiotëve të mbretërisë së Napolit dhe mbreti i akordoi titullin Duka i Ferrandina, Markez i Atripalda, guvernator i Trojeve të Barit e Otrantos. Pas vdekjes të Gjonit dhe të Ferrante, Alfonsi mori drejtimin e feudeve të familjes Granai – Kastrioti dhe për të shmangur ndarjet e pronave, i martoi djemtë e tij me mbesat. Djalin Antonio e martoi me mbesën Maria, dukesha e Ferrandina, por ata nuk kishin fëmijë. Duka Antonio Granai Kastrioti, pas një vizite në Gjermani në vitin 1596, u ndal në Venecia, ku u prit me nderime e respekte, madje e ftuan në një festë në Murano, por gjatë një grindje me një fisnik venecian, u plagos rëndë në kokë dhe vdiq.

Djalin e dytë Xhiovanin, në vitin 1544 e martoi me mbesën Xhiovana 22 vjeçe, markeza e Città Sant' Angelo, e cila kishte trashëguar titullin markeza dhe pronat nga i ati Ferrante Granai Kastrioti. [Gennaro Orlando, Storia di Nocera de’Pagani, Napoli 1888, p. 35 - 48].

Pas vdekjes të Xhiovani Granai Kastriotit, vejusha Xhiovana u martua me Alfonso Karafa Stadera, Duka III i Noçera dei Pagani, konti IV i Soriano Kalabro, patric napolitan, nga 1566 – 1568 guvernatori i Abruco. Me pajën në prona të Xhiovanës, Alfonis u fuqizua ekonomikisht.

Stemat heraldike e familjes Karafa pas martesës të Alfonsit me Xhiovana Granai Kastrioti

Nga martesa me Alfonso Karafa Stadera, krahas titullit markeza Xhiovana mori dhe titullin Dukesha e Noçera, madje në stemën heraldike të familjes Karafa, me mburojën me tre fasha të argjendëta në sfond të kuq, në anën e majtë vendosi stemën e familjes Granai Kastrioti me shqiponjën dykrenëshe me kurorat mbi kokë në sfond të artë dhe me yllin tetëcepash sipër në trekëndësh blu. Kjo stemë ende ndodhet në dyshemenë e varrit monumental të dukës Alfonso Karafa, në manastirin e Sant Andrea në Noçera, monument funeral që Xhiovana Granai ia dedikoi bashkëshortit.

Alfonsi dhe Xhiovana më pas e modifikuan stemën e familjes duke vendosur në qendër tre fasha të argjendëta të stemës të familjes Karafa, djathtas vendosi shqiponjën dykrenore me kurorat dhe majtas luanin në këmbë. Kjo stemë ruhet në fasadën e pallatit të familjes Karafa Granai Kastriuoti në Noçera dei Pagani. [Fortunato Teobaldo, Nuceria, scritti in onore di Raffaele Pucci, Postiglione (SA), 2006]

Në fakt, stema me shqiponjë dykrenëshe ishte e Gjonit II Kastriotit, djali i Gjergj Kastriotit, por më pas, arbitrarisht u përvehtësua nga Gjon Granai dhe nga pasardhësit e familjes Granai Kastrioti, çka shpesh ka krijuar konfuzion në trajtimin e stemave heraldike të këtyre familjeve fisnike. [Lutfi Alia, Familja e Vrana Kontit në Itali, në Dixit 2, Tiranë 2022, f. 172-180].

Nga martesë e Xhiovana Granai Kastrioti me Alfonso Karafa Stadera lindën katër fëmijë.

- Kamilla Karafa Stadera, më 1565 u martua me Ferrante Karaçiolo, duka i Airola.

- Ferdinandi II (Ferrante) Stadera, duka II i Noçera, në vitin 1578 u martua me Anna Klariçe Stadera.

- Pompeo I Karafa Stadera, duka i Noia; në janar1584 u martua në Napoli me Isabella Papakoda.

- Antonio II Karafa Stadera, Zot i Grotaglie, në gusht 1584 u martua me Hipolita Papakoda, dukesha e

Kançellara, motra e Isabellës. Antonio II Vdiq në vitin 1600.

Alfonso Karafa Stadera, vdiq në vitin 1581 dhe e varrosën në kishën e kuvendit të Shen Antonio, i urdhërit të Kapuçinëve. [E. Falcone, Nocera dei Pagani dalle origini ad oggi, Cava dei Tirreni, 1983].

Tabllo në katedralen e Noçera, ku janë pasqyruar pjestarët e oborrit të familjes Karafa dhe portretet e Dukës Alfonso Karafa dhe të bashkëshortes Xhiovana Granai (Branai) Kastrioti

Xhiovana Granai (Branai) Kastrioti, u shqua si bashkëshorte e Alfonso Karafa dhe zonjë fisnike me autoritet dhe prestigj shoqëror në Noçera dhe në Napoli. Në katedralen e Noçera të Poshtëme, në një podium të vogël, ndodhet tablloja flaminga Aert Mytens e Madonna del Rosario, ku janë pasqyruar pjestarët e oborrit të famijes Karafa – Granai Kastrioti dhe në kuadratin e poshtëm janë portretet e Dukës Alfonso Karafa dhe të Xhiovana Granai Kastrioti. [Salierno G, Piccolo V. La pinanoteca (altre opere conservate), nel convento di Sant’Antonio, Nocera Inferiore. Media. Com 1997].

Xhiovana Granai Kastrioti Karafa (1522 – 1592), dukesha e Noçera dhe Markeza e Cività Sant Angelo, është një ndër gratë arbërore të shquara në jetën shoqërore dhe letrare italiane të gjysmës së dytë të shekullit XVI. Ajo ishte e pranishme në jetën shoqërore të salloneve të fisnikërisë së Noçera dhe të Napolit, e vlerësuar për bukurinë, mençurinë, autoritetin, dinjitetin dhe kontributin letrar, si drejtuese e rrethit letrar të Noçera. Ndonëse krijimet letrare të Xhiovana Granai Kastrioti nuk janë ruajtur, Ajo nderohej për kontributet letrare dhe shoqërore, madje i është dedikuar një vëllim me soneta, i titulluar:

“RIME, in lode della Illustrissima ed Eccellenstissima Signora Donna Giovanna Castriota Carrafa”,

“Rima me lëvdata për të përndritshmen dhe të shkëlqyerën Zonja Xhiovana Kastrioti Karafa”.

Kjo vepër përmbanë një cikël me soneta të dedikuara Xhiovana Granai Kastrioti, të mbledhura nga Shipione De Monti dhe botuar në vitin 1585 në Vico Equense - Napoli. Xhiovana Granai Kastrioti është e para dhe e vetmja grua arbërore, të cilës i dedikohet një vepër e tillë imponente dhe voluminoze me sonetta.

Në këtë vëllim janë përfshirë krijime poetike, të shkruara në kohë të ndryshme nga poetë të shquar të asaj kohe (Illustrium poetarum), të cilët kanë thurur 181 soneta të dedikuara Ioanam Castriotam Carrafa (Xhiovana Kastrioti Karafa), krijime të mbledhura nga Shipione De Monti dhe të botuar në një vëllim me 215 faqe në vitin 1585. Sonetat janë krijime në Rime Toskane, me strofa me vargje tetë rrokëshe, me rima ABABABCC.

Kopertina dhe frontespici i botimit të vitit 1585, dedikuar Xhiovana Kastrioti Karafa

Shipione de Monti, markezi i Koriliano të Otrantos, i shquara si poet dhe luftëtar i shekullit XVI (De le muse cultor, di Marte alunno), është autor dhe i poemës heroike “Scanderbego”, si dhe mbledhës i sonetave të poetëve italianë, që ia kanë dedikuar Xhiovana Graanai Kastrioti Karafa. (Vincenzo Dolla, Scipione de’Monti, lo “Scanderbego” e la celebrazione Castriota, in: Rinascimento Meridionale ed altri studi in onore di Mario Santoro, Napoli, S.E.N, 1987, p. 49 - 70).

I mrekulluar nga jeta dhe vepra heroike e Gjergj Kastriotit, Shipione de Morti iu përkushtua prezantimit të pjestarëve të Kastriotëve në Itali, ndërmjet tyre në veçanti Xhiovana Granai Kastriotit Karafa, të cilën bazuar vetëm në mbiemërin Kastrioti, gabimisht e trajton pasardhëse e Gjergj Kastriotit (Discendente dell’eroe albanese Scanderbeg, noto come Giorgio Castriota: Croia 1403 – Alessio 1468).  Në vëzhdim Shipione de Morti thekson se ishte gruaja e Alfonso Karafa dhe nëna e Ferrante II, duka i Noçera.

Në fakt Xhiovana ishte pasardhëse e linjës të familjes Granai Kastrioti, ishte e bija e Ferrante Granai Kastriotit (Ferrante ishte i biri i Brana – Bernard Granai Kastriotit dhe nipi i Vrana Kontit).

Përmbledhja e sonetave nga Shipione De Monti, të botuara në Vico Equinis - Napoli në vitin 1585, është ruajtur e plotë dhe për vlerat letrare, është ribotuar dy herë nga shtëpia botuese “Rubbettino” (Katanzaro), së pari në vitin 2003 nën kujdesin e Soverio Mannelli dhe botimi i dytë në vitin 2017, nën kujdesin e Pasquino Crupi, me shënime në tekst nga Serena Skordo.

Kjo vepër është ribotua me të njëjtin titull si botimi i parë i vitit 1585: “Rime in lode della Illustrissima et Eccellentissima Signora Donna Giovanna Castriota Carrafa, Duchessa di Nocera e Marchesa di Cività Santo Angelo” dhe është përfshirë në serinë e botimeve “Klasikët e Letërsisë Kalabreze”.

Vijon në numërin e ardhshëm…



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora