Speciale » Alia
Lutfi Alia: Stema dhe flamuri i Gjergj Kastriotit në veprën e historianit Karlo Padilione - 1879 (2)
E shtune, 14.10.2023, 08:00 PM
STEMA DHE FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT
NË
VEPRËN E HISTORIANIT KARLO PADILIONE – VITI 1879
(PJESA
II)
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Kapitulli II me titull: “Dell’arme del Castriota Scanderbeg - Stemat e
Kastriotit Skenderbeg”.
Karlo Padilione
prezanton përgjithësime të literaturës italiane dedikuar stemave heraldike dhe
flamurit të dinastisë Kastrioti. Është kapitull interesant, me të dhëna
historike të sakta e të rëndësishme, por përmend dhe autorë me të dhëna jo të
sakta, ose ka interpretime të gabuara, ndaj të cilave Padiglione nuk shprehet
kundër, por i prezanton si të dhëna për t’u njohur, si janë trajtuar këto
aspekte nga historianë të ndryshëm italianë.
K. Padilione
thekson se historianët Kaburaçi, Kapecelatro, Kapobianko, Kreshenci-Romani, De
Anna, De Petris, Eskobar, Lukini, Menokio, si dhe shumë shkrimtar të materieve
juridike dhe të fisnikërisë, afirmojnë identitetin e familjes fisnike Kastrioti
bazuar në stemën e tyre heraldike, sepse asi kohe asnjë familje nuk mund te
përvehtësonte stemën e një familje tjetër. Në vazhdim, Padilione thekson se në
monumentin funeral të ipeshkëvit Kostantin Kastrioti (dedikuar nga gjyshja
Princesha Andronika Kastrioti) dhe ne një libër të vjetër të botuar nga P.
Totti, tregohet se pasardhësit e Gjergj Kastriotit në mbretërinë e Napolit, në
stemën heraldike dhe në flamurin e tyre, kishin shqiponjë dykrenëshe me
kurorat, me krah të shpalosur në sfond të kuq, me yllin e artë gjashtëcepash në
trekëndëshin blu mbi kokat e shqiponjës. [Pompilio Totti, Ritrati et elogi
di capitani illustri. Roma 1630, 4°, pp. 105 - 107]
Në fakt, me
fisnikët arbërorë në mbretërinë e Napolit ndodhi e kundërta, i shkelën
rregullat dhe normat e fisnikërisë. I pari filloi Gjon Granai Kastrioti, i cili
padrejtësisht përvehtësoi stemën e Gjonit II Kastrioti Skenderbeu, ashtu ndodhi
dhe në vitet e më pasëm, kur pjestarët e familjes Granai përvehtësuan stemën e
Ferrante Kastrioti Skenderbe. [Carlo Padiglione, pp. 52 - 53] [Andrea
Caravita, I codici e le arti a Monteca-ssino, Vol. III, 1870, in 8°, pp 117
-122]
Në vitet 1468 -
1472, Gjoni II Kastrioti e ruajti stemën heraldike të Atit, me mburojën me
sfond të kuq, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora në qendër. Edhe flamuri
i Kastriotëve ishte me
cohë të kuqe gjaku, me shqiponjë dykrenëshe të zezë në mes, si e përshkruan Marin
Barleci (Rubea vexilla
nigris bicitibus distincta aquilis). Flamuri i Kastriotëve ishte me fushë të kuqe dhe shqiponjën të zezë, pra e
kuqja dhe e zeza, ngjyra që shprehin qiellin dhe tokën. E kuqja shihej si
ngjyrë hyjnore, drita dhe gjaku i jetës, e errëta e tokës shprehej në shqiponjën,
që e çon lartësive qiellore purpurinë e agimeve dhe të muzgjeve të atdheut. E
kuqia është kozmogonke , "Udhëtimi i së Kuqes" i lidhur me dritën
biblike.
Flamuri i Gjergj
Kastriotit përmblidhte Veri dhe Jug të trojeve arbërore, mbi dy kokat e
shqiponjës kishte yllin e artë me 6 cepa, simbol i diellit, i vendosur në
trekëndëshin blu të qiellit të atdheut. Kastriotët përdorën yllin e artë që
ishte simbol dhe i stemës heraldike të Muzakajve.
Pas gushtit 1485, me shkëmbimin e pronave, Gjoni II Kastrioti, Duka i San Pietro në Galattina dhe Konit i Soleto dhe Gagliano, e modifikoi stemën heraldike të Kastriotëve, ku krahas shqiponjës të zezë dykrenëshe me kurorat dhe krahapur në sfond të artë, me yllin e artë sipër në trekendësh blu, në gjysmën e djathtë të mburojës, shtoi luanin në pozicion në këmbë, me shpatën në putër drejtuar zambakut mbretëror (Fleur de Lys). Luanin e shtuar në sfond blu, e mori nga stema e familjes të gruas Erina Brankovi?, me një modifikim, sipër luanit shtoi zambakun e artë mbretëror. Këto modifikime u pasqyruan dhe në flamurin e Kastriotëve, i përdorur nga repartet stratiote të mobilizuar nga Gjoni II Kastrioti. Në ato vite flamuri ishte me sfond të verdhë (i artë) me shqiponjën dykrenëshe me ngjyre të zezë. Stemën e Gjonit II Kastrioti e përdorën dhe pasardhësit, më saktë fëmijët dhe nipat e Ferrante Kastrioti, si rezulton në varrin e Gjonit III Kastrioti, i cili në vitet 1750 – 1762, shërbeu komandant i kështjellës të Barletta. [Vallone G, Famiglie nobili albanesi nella feudalità meridionale, in QS 31 (2012) pp. 25-79]
Në Itali janë ruajtur shumë stema heraldike të Kastriotëve, si rezulton në një fragment porcelani, i zbuluar në oborrin e pallatit baronal në Gagliano, botuar nga studiuesi Antonio Biasco, stema në portën e shtëpisë të Kastriotëve në lagjen Stella në Napoli, stema në mozaik në rezidencën e markezit Auleta në lagjen Stella në Napoli dhe stema e modifikuar me spostimin e shqiponjës dykrenëshe në të majtë dhe luanin djathtas, në portën e rezidencës të Baldasare Sollazzio Kastriota në Koriliano Kalabro.
Në vitin 1495,
Gjoni II Kastrioti u lidh me Karlin VIII të Francës, i cili si shpërblim për
pjesëmarrjen në përgatitjet e kryqëzatës kundër turqëve, i njohu Gjonit II Kastrioti
të drejtën të vendosi kryqet e Jeruzalemit në stemën e tij familjare dhe i
konfirmoi titullin Princi i Arbërisë, titull që Venediku ia kishte hequr pas
luftimeve të Gjonit kundër tyre në Pulja. [Carlo De Frede. L’impresa
di Napoli di Carlo VIII. Commento ai primi due libri della Storia d’ Italia del
Guicciardini, Napoli, De Simone, 1982. p. 132].
Stemën e re të
gdhendur në mermer, Gjoni II Kastrioti e vendosi në arkitraun e portës në hyrje
të katit të fisnikërisë në kështjellën e Soleto ku banonte me familjen. Këtë stemën
e vizatoi piktori Pietro Cavoti (1819 – 1890), i cili në bllokun e tij të
pikturave, ka bërë një përshkrim të detajuar, të shoqëruar me skicë me ngjyra
dhe me komente. [Giancarlo Vallone. “I
volti dei Castriota Scanderbeg, della linea antica nel museo Pietro Cavoti. Ribotim
i vitit 2023]
Stema e Gjoni II
Kastrioti e vitit 1495, në arkitraun e portës në kështjellën e Soleto dhe stema
e modifikuar nga Erina Kastrioti Skenderbeg, që ndodhet në pallatin dukal
Trikariko – Lukania
Nga viti 1495,
Gjoni II Kastrioti kishte stemën e re heraldike me formë mburoje të ndarë në
katër kuadrate, në dy në pozicion diagonale nga e djathta në të majtë, janë
shqiponjat dy krenare, me krahet e shpalosura, me kurorat mbretërore mbi kokat
e tyre dhe me yllin me gjashtë cepa, ndërsa në dy kuadrate të tjerë, në
pozicion diagonal nga e majta në të djathtë kanë kryqet e Jerusalemit. Në një
strukturë rombi në qendër të stemës, janë dy luanë në pozicion në këmbë, me
shpatat të kryqëzuara dhe mbi kokat e tyre zambaku mbretëror (Fleur de Lys),
ndërsa poshtë nën këmbët e tyre është koka e demit. [Marongiu A., Carlo
VIII e la sua.crociata, in Ricerche storiche ed economiche in memoria di C. Barbagallo, vol. II, Napoli, ESI 1970,
pp. 237- 258.in Marongiu, Carlo VIII e la sua crociata pp. 241 - 246 nt. 29].
Stemën heraldike
të Gjonit II Kastrioti, piktori Cavoti e shoqëroi me një skicë me ngjyra dhe me
spjegime të hollësishme: “Në kuadratin e parë dhe të katërt me sfond të artë të
mburojës, janë shqiponjat dykrenore me ngjyrë të zezë me krah të shpalosur, me
koronat; sipër trekëndëshi ngjyrë të kaltërt, me yllin e artë me gjashtë cepa.
Në kuadratin e dytë e të tretë, kanë kryqin e Jerusalemit me ngjyrë të artë. Në
rombin qëndror me sfond blu janë dy luanë të artë në këmbë, që mbajnë në putrat
shpata të kryqëzuara mes tyre, ndërsa nën këmbët e tyre, koka e demit të artë”.
[Lutfi Alia, Dixit. 2, Bot. Streha, Tiranë 2022, faqe 168].
Stemën e
modifikuar e përdori i biri Ferrante Kastrioti, Duka II i Galatina, ndërsa
vajza e tij, Erina Kastrioti Skenderbeg, Dukesha III e San Pietro në Galatina,
kur u martua me Pietro Antonio Sanseverino, princin e Bisignano, e modifikoi
stemën e familjes Kastrioti, duke e thjeshtuar në kompozim, por ruajti
elementet bazë të stemës të mëparëshme të stemës të gjyshit Gjoni II Kastrioti.
Në brendësi të mburojës, në këndin e sipërm djathtas ruajti kryqin e
Jerusalemit, majtas mbajti dy luanët në pozicion në këmbë me shpata të
kryqzuara, me kokën e demit nën këmbët e tyre, ndërsa në pjesën e poshtëme dy
shqiponjat dykrenëshe, me krah të shpalosur, me yllin me gjashtë cepa.
Stemën me sfond të
artë dhe me shqiponjën dykrenëshe ngjyrë të zezë e përshkruajnë Padilione (faqe
55); Dufresne, Pompilio Totti [Pompilio Totti, Ritrati et elogi di capitani
illustri. Roma 1630, in 4°, p. 215, 271], Mazzella dhe Pietrasanta [Pietrasanta
Solvestro. Tesserae Gentilitiae ex legibus Facialium descriptae.
Romae, Corbelletti, 1638, p. 401], Biagio Aldimari [Memorie historiche
di diversa famiglie, 1691, p. 320 - 322].
Nga ky grup
historianësh bëjnë përjashtim Giammaria Biemmi dhe arbëreshi P. P. Rodotà, të
cilët thonë se pasardhësit e Gjergj Kastriotit në mbretërinë e Napolit, kishin flamurin
e kuq me shqiponjën dykrenëshe të zezë në qendër. [Giammaria Biemmi, Istoria
di Giorgio Castrioto detto Scanderbeg, Brescia, Bossino, 1742, p. 23] [Rodotà
Pietro Pompilio. Dell’origine progresso e stato presente del rito greco
in Itali, 1763, p. 28].
Padilione thekson
se stemën heraldike të Gjonit II Kastrioti e përvehtësuan Gjon Granai Kastrioti,
i biri i Bernard Granai Kastrioti dhe pasardhësit e tij. Kjo stemë e pjestarëve
të familjes Granai është në Montekasino në monumentin funeral të Guido Ferramoska,
që ia dedikoi bashkëshortja Isabella Granai Kastriota, e bija e Bernard Granai
Kastrioti, kontit të Kopertino, ashtu si e përvehtësoi dhe Xhiovana Granai
Kastrioti Karafa, bashkëshortja e Antonio Karafa, e cila e kombinoi stemën e
familjes Karafa, me mburojën në të djathtë me tre shirita të artë dhe në
gjysmën majtas shqiponja dykrenëshe me kurora, me yllin me gjashtëcepa në
trekëndëshin mbi kokat e shqiponjës.
Në lapiden e varrit
të Guido Ferramoska në Montekasiono ndodhet stema e kombinuar e Ferramoska dhe
Granai Kastrioti, të cilën e përshkruan Mikiteli [Michitelli F, Ceni
storici di Guido e Cesare Ferramosca. Napoli, 1835, p. 68 - 69], nga i cili
e mori Karlo Padilione, të cilën po e përshkruaj në vazhdim: “Stema e Guido
Ferramoska dhe Isabella Granai është me mburojën me tetë pjesë, të ndara me tre
vija perpendikulare dhe në dy gjysma me një vijë horizontale. Në kuadratet 1 dhe
7 me sfond të argjendët, janë katër flamuj të kuq, që prezantojnë familjen
Ferramoska; në kuadratet 2 dhe 8, në sfond të kuq janë tre koka qeni njëra mbi
tjetrën, që mendohet se janë të stemës të nënës të Guido Ferramoska; në
kuadratet 3 dhe 5 janë stema e Kastriotëve me shqiponjën dy krenëshe me kurorat
dhe yllin gjashtëcepash në trekëndësh mbi kokat e shqiponjës, ndërsa në
kuadratet 4 dhe 6 në sfond blu, luani në këmbë me shpatë të artë në putër,
drejtuar për nga zambaku, që sipas disa autorëve përfaqëson Maria Zardari,
gruaja e Bernard Granai Kastrioti. Natyrisht ky është interpretim i gabuar, sepse
luani në këmbë i përket stemës të Gjoni II Kastrioti, të cilën e përvetësoi
Gjon Granai Kastrioti dhe pasardhësit e tij. [Idem Carlo Padiglione,
pp. 52 - 53] [Faraglia: Ettore e la casa Ferramosca, con docu-menti per
alcuni cavalieri della disfida di Barletta. Napoli, Giannini 1878, p. 68]
Në volumin XXXV të
“Processi dell’Ordine di S. Giovanni di Gerusaleme”, që ndodhen në arkivin e
Shtetit të Provincës së Napolit, në kartellën Nr. 79, që i përket Giuseppe
Felice Kastrioti Skenderbeg i degës Leçeze, përshkruhet një tjetër stemë e
Kastriotëve: “Shqiponja perandorake, dykrenëshe me kurorat, në sfond të artë
dhe ylli i artë me gjashtë cepa në trekëndëshin blu dhe në anën tjetër tre
zambakë (Fior da liso), me luanin në këmbë më shpatën në putër dhe në sfond të
gjelbër”. [Idem Carlo Padiglione, pp. 52 - 60]
Duke komentuar
këtë stemë heraldike Padilione thotë se luani në këmbë më shpatë aludon shpatën
fitimtare të Gjergj Kastriotit, ndërsa tre zambakët janë të dinastisë Anzhuine,
për të cilën luftoi Gjergji, ndërsa në stemën e Isabella Granai Kastrioti dhe
Guido Ferramoska është vetëm një zambak. [Carlo Padiglione, Di Giorgio
Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, pp. 55 - 60].
Historiani
Menestrier [Archivio Storico Italiano, Firenze 1878, in 8m p. 441], pa
prezantuar dokumenta dhe as referenca autorësh shkruan:”Kastriotët Skenderbeg
kishin flamur të kuq me tre kulla të arta, me kronizë të zezë”; ndërsa Retestap
[Edizione del 1533, p. 34] dhe Jouffroy d’Eschavannes [Edizione del 1729,
p. 34] thonë se Kastrioti Skenderbeg
kishte flamurin e kuq me tre kulla dhe me katër kthetra grifoni.
Një ndër stemat
heraldike të veçanta dhe pak të njohura është përshkruar nga historiani
Dufresne, i cili shkruan: “Giovanni Derbichio Kastrioti (Gjon Derbikio
Kastrioti), pjestar i familjeve fisnike veneciane kishte stemën heraldike me
mburojën me një krah ngjyrë ari, drejtuar në anën e djathtë të mburojës, me
shpatën në dorë, me majën e saj që çpon pjesën e poshtëme të hënës së re me
ngjyrë argjendi (Aureum brachium a destra parte proficiens, ensem tenens, cujus
capulus aereus, aciex rero lunulam argenteam in inferiori parte trajicit. [Dufrense.
Opus cit. Ediz. Del 1680, p. 339 -349; Ediz. Del 1729, pp. 263 e 270] [Carlo
Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli
1879, pp. 59 - 60].
Karlo Padilione
duke iu refruar të dhënave të Matteo Kamera në Memorie Storiche Critiche
Diplomatiche Città e Ducato di Amalfi. Salerno 1881, p. 626, referon se
Kamera shkruante se Kastriotët e Amaalfit kishin “shqiponjë dykrenëshe me kurora,
me një mburojë në gjoks me stemën e Kastriotit”. Padilione thotë se Matteo Kamera
nuk e specifikon cila ishte kjo stemë, por njohim stemën e Kastriotëve të
Amalfit, që ishte e njejtë me atë që përshkruan Aldimari [Biagio Aldimari,
Memorie historiche di diversa famiglie, 1691, p. 320 - 322]., ndryshimi
qëndron se stema që përshkruan Aldimari ka yllin me pesë cepa, ndërsa ajo e
Kastriotëve të Amalfit ka yllin me formën e kometës, mbi kokat e shqiponjës.
Karlo Padilione
thekson se në veprën e Araldo [Archivio Storico Italiano. Firenze, 1878, pp.
51 e 607] përshkruhet një tip tjetër steme e Kastriotëve, me mburojën me
sfond të argjendët, me shqiponjën dykrenëshe ngjyrë të zezë me kurora të arta,
me trekëndëshin blu me yllin ngjyrë të argjendët, mbi kokat e shqiponjës. [Carlo
Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli
1879, p. 59].
Nga kjo panoramë të
dhënash historike, Padilione thotë se nga vitit 1468 deri në fund të shekullit
XIX, pasardhësit e Gjergj Kastriotit kanë përdorur disa stema heraldike, të
cilat janë ndryshuara në vartësi të periudhave historike, nga rrethanat dhe
influencat politike dhe në raportet me Mbretërinë e Napolit.
Për stemat dhe
flamurin e Kastriotëve kanë shkruar shumë kronistë, historianë dhe shkrimtar italianë, ndër ata shquhet Karlo
Padilioni, i cili bëri një përmbledhje dhe pasqyrim kronologjik të stemave dhe
të flamurit të Gjergj Kastriotit, flamur që i individualizonte fisnikët e
dinastisë të Gjergj Kastriotit në Itali.
Stemën dhe atë flamur
të kuq me shqiponjën dykrenëshe të zezë, e morën me vehte Andronika dhe Gjoni
II Kastrioti kur erdhën në Napoli në mars të vitit 1468 dhe e përdorën
pasardhësit e tyre në mbretërinë e Napolit. Ata e ruajtën, e shpalosën, ai
flamur iu printe stratiotëve arbëror në betejat kundër turqëve, kundër
venecianëve, kundër kundërshtarëve që cënonin pronat dhe lirinë e arbërorëve në
feudet e tyre në mbretërinë e Napolit. Ai flamur i kuq Kastriotian u ruajt i
bukur dhe flakërues, i rezistoi shekujve dhe ende ruhet i shpalosur dhe krenar
nga arbëreshët kudo në Itali.
Pavarësisht nga
kjo shumëllojshmëri stemash dhe të flamurit që mbanin pasardhësit e Gjergj
Kastriotit në mbretërinë e Napolit, rëndësi ka fakti se ata ruajtën thelbësoren
e stemës dhe të flamurit, i transmetuan brez pas brezi, duke mbajtur lart
kujtimin dhe nderimin për veprën heroike të Gjergj Kastriotit në rezistencën
dhe luftimet kundër ushtrisë së madhe të barbarëve të Perandorisë Osmane.
Ndryshe ndodhi në
Arbërinë e robëruar. Në shekujt e pushtimit nga
Perandoria Osmane, Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe i Arbërisë, u ndalua, u
mallkua, u dogj nga pushtuesit, por flaka e tij mbeti e pashlyer në kujtesën e kombit,
ashtu i kuq, i flakët me shqiponjën dykrenëshe dhe frymëzues për arbërorët.
Në vitet e errëta të
obskurantizmit otoman, rilindasit tanë e risollën Gjergj Kastriotin Skënderbeun
bashkë me flamurin. Në vitin 1896, kur Arbëria vuante ende nën zgjedhën e egër
otomane, eruditi Faik Konica, asi kohe djalë 26 vjeçar në mërgim në Bruksel, themeloi
dhe botoi gazetën “Albania”, madje në qendër të faqes së parë vendosi mburojën me
shqiponjën dykrenëshe Kastriotiane. Më 15 shtator 1901, ne gazetën “Albania”,
Faik Konica botoi shkrimin lapidar me titull “A ka Shqipëria një Flamur
Kombëtar? Faik Konica i ndershëm, i drejtë, patriot i flakët iu drejtua
popullit, atyre që e donin, por dhe atyre që nuk e donin Arbërinë dhe iu tha se
ne kishim flamurin tonë të kuq me shqiponjën dykrenëshe në qendër. Faiku
shkruante:“Flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavdruarit
e botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit. Flamuri përmbledh kujtimet
e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a kuptojnë syri dhe
zemra e çdo njeriu me ndjenja. Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjve, nuk
janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh. Janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime
të palodhura dhe me trimëri të gjata e të forta … Nga kjo pikëpamje, munt të
mburremi se Flamuri ynë është dhe një nga më të drejtët”.
Në vazhdim të
shkrimit Faik Konica prezantoi dhe poezinë e parë për flamurin e Gjergj
Kastriotit.
Kopertina e
gazetës Albania, themeluar nga eruditi Faik Konica në Bruksel në vitin 1896
Në fillimet e
shekullit XX, rilindasit tanë e shpalosën flamurin tonë të kuq me shqiponjën e
zezë dykrenëshe në qendër, i dhanë shpirtin Kastriotian, i dhanë forcën, i
dhanë identitetin e kombit arbëror e ngritën lart dhe ai flamur iu parapriu
luftëtarëve të lirisë në betejat kundër pushtusve osmanë.
Flamurin tonë kuq e
zi e shpalosën patriotët në shtator të vitit 1909 në Kongresin e Shkollave
Shqipe në Elbasan; e ngriti lart Ded Gjon Luli në vitin 1911, u valvit fitimtar
në Mirditë po në vitin 1911, ai flamur i priu luftëtarëve të çetave të lirisë në
Kryengritjen e Përgjithshme antiosmane në vitet 1911 – 1912, atë flamur e
ngriti patrioti Aqif Pashë Biçaku ditën e çlirimit të Elbasanit më 25 nëntor
1912, e ngriti Murat Toptani në Tiranë më 26 nëntor 1912 etj, etj.
Më 28 nëntor 1912,
patrioti Ismail Bej Vlora, bashkë më patriotët delegatë në Kuvendin e Shpalljes
së Pavarësisë dhe me popullin e Vlorës, ngriti lart flamurin e kuq me
shqiponjën dykrenëshe Kastriotiane dhe e shpalli simbol i identitetit dhe e
unitetit tonë kombëtar.