Speciale » Alia
Lutfi Alia: Stema dhe flamuri i Gjergj Kastriotit në veprën e historianit Karlo Padilione - 1879
E merkure, 11.10.2023, 08:30 PM
STEMA DHE FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT
NË
VEPRËN E HISTORIANIT KARLO PADILIONE – VITI 1879
Nga
Lutfi ALIA, Siena – Itali
Historiani Karlo Padilione (Padiglione), është autori i veprës
“Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti”, shtypur në Stabilimentin
e Tipografisë Francesco Giannini, 1879 Napoli. Studimi fillon me letrën dërguar
të Shkëlqyerit Zotit Don Antonio Kastrioti Skenderbeg, Markezi i Auletta dhe
patric Venecian, si dhe pasardhësve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në
mbretërinë e Napolit, që kishin në pronësi feudet e Monte Sant Angelo, Shen
Xhiovanni Rotondo, San Piero në Galatina, Soleto, Galiano, Oria, Salinjano,
Ranjulo, Padula, Aradeo; si dhe Kastriotëve zotërinjëve të kahershëm të Shen
Demetrio, Makia, Shen Kosmo, Orria në Kalabri dhe Shen Anxhelo Le Fratte në
Potenca - Bazilikata.
Në pjesën e parë të veprës, Karlo Padilione thekson se Kastriotët, që jetonin në Mbretërinë e Napolit
ishin me origjinë nga dy linja, e para ishin pasardhës të Gjergjit dhe
Andronika Kastriotit me fëmijët e djalit Gjonit II Kastrioti, që zotëronin
feudet e më sipërme, me degët në Galatina, Leçe, Napoli, Kalabri dhe linja e
dytë me prejardhje nga Bernard Granai Kastrioti, të cilët nga viti 1494 kishin
në pronësi feudet e Kopertino, Galatola, Veglie e Liverano dhe nga viti 1505 feudin
e Ferrandina. [Tasselli: Antichità di Leuca. Lecce, Micheli 1603, pp 236]
[Napoli sacra. Napoli Beltrano, MDCXXIV, in4°, p. 459] [De Lellis.
Discorsi delle famiglie Nobili del Regno di Napoli. Parte I, Napoli, Savoia
1654, p. 153] [La Biblioteca del Museo Nazionale nella Cetosa di San
Martino in Napoli, ed i suoi manoscritti esposti e catologati. Napoli,
Giannini, 1876, pag. 273]
Vlen të theksohet se fëmijët dhe nipat e Bernrad Granai
Kastrioti kishin të njejtët emëra si fëmijët dhe nipat e Gjonit II Kastrioti –
Skenderbeut, çka ka krijuar konfuzion ndër historianët e huaj dhe shqiptarë në
trajtimin e tyre në historinë e mesjetës. Këto emëra janë përsëritur dhe në gjeneratat
pasardhëse të këtyre dy familjeve, madje i ndeshim dhe aktualisht në shekullin
XXI, por më një veçori, se ata me origjinë nga Gjergj Kastrioti, kanë mbiemër të dyfishtë Kastrioti
Skenderbeg, për t’u dalluar nga pasardhësit e familjes Granai Kastrioti. [Angelo
Fumagalli, Delle Istituzioni Diplomatiche, Milano, Civolli, 1802, Tom I, in 4°,
parte 2°, pp 4 - 6].
Në hyrje të veprës, Karlo Padilione prezanton dedikimin e
kësaj vepre Markezit Don Antonio Kastrioti Skenderbeg:
I shkëlqyeri Markez,
Nga arkivi i familjes tuaj dhe nga shkrimtarët e vendit
tonë, mblodha çfarë duhej, për të vertetuar se ju jeni pasardhësit legjitimë të
Gjergj Kastriotit Skenderbeut, burrit kreshnik mbi gjithë të tjerët në kohën e
tij dhe mbështetësit të fesë tonë. Ju ofroj Ju i shkëlqyeri dhe i nderuar mik,
dëshminë e stimës dhe të dashamirësisë time ndaj jush.
Napoli 2 gusht 1879
Don Antonio IV Kastrioti Skenderbeu, lindi më 18 gusht
1810 në Napoli dhe ishte djali i parë i Don Françesko I Kastrioti Skenderbeu. Më
12 gusht 1839, Don Antonio IV u martua me Emanuela De Genaro, nga e cila mori
dhe titullin Markez i Auletta. Don Antonio IV kishte dy vëllezër Gjergji V dhe
Gabrielli dhe dy motra Xhiovana dhe Mariana. Nga martesa e Antonio IV me
Emanuela lindën katër fëmijë: djali Gjoni V dhe tre vajza Elena, Maria Roza dhe
Maria. [Idem. Carlo Padiglione, Tavoletta II, p. 61]
Origjina e Don Antonio IV nga linja e Gjergj Kastriotit
Skenderbeut, dëshmohet nga testamenti i gjyshit Don Ferdinando IV, i cili ishte
i biri i Gjergjit III dhe i Fulvia Luzzi. Gjergji III ishte zot i Shen
Demetrio, Shen Kozmo dhe Makia. Don Ferdinando IV në testamentin që i la të birit Don Françesku I thekson:
“Di più voglio, ordino e comando che detto mio figlio
primogenito D. Francesco debba tenere presso di sè, e conservare i due
privilegi in carta pergamena, ed ogni de’quali sta pendente un suggello di oro
massiccio, in un firmato dal Doge Cristofaro Moro, e l’altro dalla manificenza
del Re Ferrante, come anche tutti gli altri privilegi, e le due monete
antichissime, una di argento e l’altra di rame coll’impronta di Giorgio
Castriota Scanderbech, come altresi li due dipinti in tela, in uno più piccolo
si ravvisa il ritratto di detto Giorgio alla greca, e nell’altro più grande un
tratto di sua storia. Ed anche tutte le scritture autentiche di Casa”.
“Mbi të gjitha dua të urdhëroj dhe të komandoj djalin tim
të parë Don Françesko, të mbaj në pronësi dhe të ruaj dy privilegjet në letër pergamenë,
sejcila prej tyre me vulë të artë, njëra pergamenë është e firmosur nga Dozha
Kristofor Moro dhe tjetra nga i madhërishmi mbreti Ferrante, i cili krahas
privilegjeve të tjera na ka dhuruar dhe dy monedha antike, njera e argjendët,
tjetra në bakër, të dyja me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, si dhe
dy portrete të pikturuara në tela, njeri i vogël me portretin e Gjergjit
alla-greke dhe tjetri i madh, ku është pikturuar një pjesë e historisë së tij.
Gjithashtu i dorëzoi të gjitha shkrimet autentike të shtëpisë tonë”. [Carlo
Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli
1879, pp. 46 - 47].
Si kuptohet dhe Diploma e Dozhës Kristofor Moro e 25 shtatorit 1463, me vulë të
artë, që e shpalli Gjonin II Kastrioti anëtar
i Këshillit të Lartë të Bujarëve të Venedikut është ruajtur nga Don Françesko I, babai i Antonio IV Kastrioti, ashtu si trashëgoi
dhe ruajti dy medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit, dhe dy pikturat, atë
me përmasa të vogla me portretin e Gjergj Kastriotit me profil majtas. Këto
informacione të Padilione, bazuar në testamentin e Don Ferdinando IV Kastrioti
Skenderbeu i la të birit Don Françesko I, na dhuruan një fakt të rëndësishëm, ekzistencën
e portretit të Gjergj Kastriotit i realizaur ne vitin 1463 nga Xhentile
Bellini, portret, që tashmë është bërë i njohur pasi u zbulua dhe u bë publik nga
dy studiuesit e apasionuar Fotaq Andrea dhe Dritan Muka. [F. Andrea & D. Muka:
Më në fund, Skënderbeu i G. Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik. Zemrashqiptare.net. më 23. 05. 2021]
Potreti i Gjergj Kastriotit i vitit 1463, me autor Gentile
Bellini
Përsa i përket pikturës së madhe, ajo ende nuk është gjetur, por ndofta
është tablloja që prezanton martesën e Gjergj Kastriotit me Andronikën,
përderisa cilësohet “kuadër i madh me pjesë të historisë të Gjergjit”. Në fakt
një kuadri i madh, që prezanton martesën e Gjergj Kastriotit me Andronikën,
është në pronësi të familjes arbereshe Skiroi, por ata ende nuk e kanë
ekspozuar në publik. [Lutfi Alia, Andronika dhe Gjoni II Kastrioti. Botimet
Streha 2023, f. 26]
Në faqet 46 – 47, Padilione thekson: “Sa ishte i nderuar dhe i vlerësuar
Kastrioti Skenderbe, e konfirmon vula e artë e mbretit, që jipej si privilegj
vetëm nga sovranët Aragonezë dhe kjo rrethanë sipas shkrimtarëve dhe
diplomatëve të kohës, ishte shenjë vlerësimi të lartë për Gjergj Kastriotin. Dhe
diploma e Dozhës të Venedikut me vulën e artë, dëshmon nderim për Kastriotët,
pasi vetëm Dozha kish të drejtë ta përdorte këtë vulë (Crisobolo). [Fumagalli Angelo: Delle istituzioni
Diplomatiche, Milano, Civolli, 1802, pp. 4 – 6]
Sipas testamentit të Don Ferdinando IV Kastrioti, rezulton se familja e
tij kishte ruajtur dhe dy medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit, njëra
prodhuar në bakër (viti 1451), e dhuruar nga mbreti Alfonsi V dhe tjetri i dhuruar nga mbreti Ferrante në vitin 1463, i
prodhuar me përzjerje argjendi, kallaj dhe bakri, me portretin në qendër dhe me
emrin Gjergj Kastrioti në kornizën rrethuese, ndërsa në faqen e pasme është
shkrimi: FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITUS ET T-HRACUM DO-MI(NA)TOR INDO-MABILIS –
Mbrojtësi i panënshtru-eshëm i fesë, triumfuesi i pamposhtur i thrakëve. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi
discendenti, Napoli 1879, pp. 46 - 47]. [Lutfi Alia, Dixit 2, Tetë
medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu në shekullin XV, botimet
streha 2022, f. 113 - 130]
Në hyrjen e studimit, historiani Karlo
Padilione bën një parashtresë rreth qëllimit të botimit të kësaj vepre, duke
theksuar: “I shkruajta këto faqe dedikuar familjes së shkëlqyer Kastrioti
Skenderbe, duke filluar me të famshmin Gjergjin, të mirënjohurin në botë me
veprimet luftarake fitimtare. Fillova me të dhëna gjeanologjike, të cilat
shprehin fisnikërinë e kësaj familje antike, por prezantova dhe faktet
historike që e pasurojnë. Dihet se ky zotëri i fuqishëm i Albania, ishte i biri
i një mbreti, por fillova me Gjergjin, sepse veprat e tij të shquara dhe emri i
tij janë transmetuar deri në ditët tona si luftëtar i famshëm, më tepër se
pasardhës mbreti dhe pse ai vetë ishte mbret”. [Carlo Padiglione, Di Giorgio
Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, 1879, pp 2 -28]
Padilione e konsideron Gjergj Kastriotin mbret i Albanisë,
por dihet se ai nuk ishte i kurorëzuar mbret, por Dominus Albaniae – Zoti i
Albanisë, i shpallur nga Kuvendi i Lezhës më 1444, ashtu si i ati i tij, Princi
Gjon Kastrioti ishte Dominus - Zot i Matit, i Dibrës dhe i Krujës, por jo mbret.
Natyrisht duke i cilësuar mbretër të Albanisë, historiani Padilione, kësisoj
Kaastriotëve ua rriti vlerat dhe prestigjin para lexuesve të kësaj vepre. Karlo Padilione thekson: “Duke u nisur nga
zanafilla e dinastisë Kastrioti, arrijta deri te Markezi Don Antonio Kastrioti
Skenderbeu, i cili përfaqëson pikën kulmore ndër pasardhësit e Gjergj Kastriotit,
andaj feudali i Auletta, Don Antonio Kastrioti Skenderbeu gëzon të drejtën të vlerësohet
e të nderohet si nga albanezët dhe nga banorët e mbretërisë, si një ndër
pasardhësit e denjë të Kastriotëve”. [Carlo Padiglione, Di Giorgio Castriota
Scanderbech e de suoi discendenti, 1879, pp. 3 - 5]
Don Antonio IV Kastrioti Skenderbeu, është ndër
pasardhësit e dinastisë Kastrioti, që bëri emër në fillimet e shekullit XIX dhe
për të konfirmuar prejardhjen e tij nga dega napolitane e Gjergj Kasstriotit, Padilione
prezanton fakte historike, dokumenta dhe të dhëna objektive të
pakundërshtueshme dhe në mënyrë të veçantë e diferencon nga pjestarët e
familjes Granai Kastrioti, të cilët ishin pasardhës të Bernard Granai Kastrioti
dhe të Maria Zardari, të cilët krahas mbiemërit Graanai mbanin dhe mbiemërin
Kastrioti.
Stema heraldike të Markezit Don Antonio Kastrioti
Skenderbeg:
Punuar në mozaik në dysheme e banesës; 2. Stema e gdhendur në mermer në portën e banesës në lagjen Stella - Napoli. 3. Stema e familjes Kastrioti në Napoli në shekullin XVI, 4. Në fasadën e pallatit të Baldassarre Sollazzo Kastrioti, stema e modifikuar me shqiponjën majtas dhe luanin në këmbë djaathtas.
Ndër argumentat e origjinës nga linja e Gjergj
Kastriotit, Padilioni përshkruan stemën heraldike në mozaik në dyshemenë e
banesës në Napoli të Markezit të Auletta Don Antonio IV Kastrioti Skenderbeg.
Stema është mburoja me sfond të verdhë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me
kurora e me krah të shpalosur, me yllin me gjashtëcepa në trekëndëshin ngjyrë
blu mbi kokat e shqiponjës. Pasi e përshkruan, Padilione thotë se kjo stemë
është e njejtë me atë të Gjergj Kastriotit dhe pasardhësve të tij në mbretërinë
e Napolit. Në portën e bënesës në lagjen Stella - Napoli të Markezit Don
Antonio, në kolonën anësore është gdhendur në mermer e njejta stemë e
Kastriotëve, mburoja me shqiponjën dykrenore me kurora, me yllin me tetë cepa
në trendësh mbi kokat e shqiponjës, stemë kjo pa ngjyra. [Carlo Padiglione,
Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti, Napoli 1879, p. 50].
Në fakt ky konkluzion nuk është i saktë, sepse stema e
markezit Antonio IV Kastrioti Skenderbeg në mozaik është mburoja me sfond të
verdhë (të artë), me shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora, me yllin me
gjashtë cepa në trekëndësh blu, ndërsa sipas Marin Barlecit, stema e Gjergj
Kastriotit është mburoja me sfond të kuq, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me
kurorat, me krahët shpalosur lart, me yllin gjashtëcepash në trekëndëshin blu
mbi kokat e shqiponjës. Gjithashtu, Barleci tregon se dhe flamuri i Gjergj
Kastriotit dhe i ushtrisë arbërore ishte me fushë të kuqe me shqiponjë
dykrenëshe ngjyrë të zezë, si e përshkruan në veprën e tij madhore: “Rubea
vexilla nigris bicitibus distincta aquilis – Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë
dykrenëshe në qendër”. [Marin Barleti, Historia de Vita et Gestis
Scanderbegi Epirotum Principis. Bernardino Vitali, Roma 1510, f. 15].
Në shumë komuna të mbretërisë së Napolit ku banonin pasardhës të Gjergj Kastriotit, si në Pulja, në Napoli, në Kalabri, në Bazilikata etj, në fasadat e banesave, mbi portat e kështjellave, në mjediset e brendëshme, në kisha dhe në monumentet funerale të Kastriotëve, janë ende stemat heraldike të Kastriotëve të gdhendura në mermer dhe qartësisht të lidhura më Gjergj Kastriotin, sepse mbizotëron shqiponja dykrenëshe me kurora dhe me yllin me gjashtë cepa në trekëndëshin mbi kokat e shqiponjave.
Fragment i tekstit në veprën e Marin Barleci, ku
përshkruan stemën dhe flamurin e Kastriotëve (Rubea vexilla nigris bicitibus
distincta aquilis)
Problemi i heraldikës të Kastriotëve është ndërlikuar nga
fisnikë të tjerë arbëror, të cilët i kanë përvehtësuar padrejtesisht si vepruan
pasardhësit e Bernard Granai Kastriotit, çka shpesh ka krijuar konfuzione dhe
interpre-time të gabuara në dedikimin njerës apo tjetrës familje, si ka ndodhur
me bazorilievin në murin anësor të navatës në kishën Shen Maria
Mëshirmadhe në komunën Mesagne – Brindizi, ku janë bashkuar stema e Muzakëve (me
shqiponjën dykrenëshe me kurora), me stemën e Gjon Granai Kastrioti (me luanin
në këmbë me shpatën drejtuar zaambakut). Për më tepër, ky konfuzion u shtua
pasi Gjon Granai Kastrioti përvëhtësoi stemën heraldike të Gjoni II Kastrioti
(djali i Gjergjit dhe Andronikës), stemë që e përdorën brezat pasardhës të
linjës Granai, madje Xhiovana Granai Kastrioti Karafa, stemën e saj heraldike e
kishte mburoja me sfond të artë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe, por me një
ndryshim të vogël, shëiponja është me krah të hapur anash.
Në vitet 1468 - 1485, Gjoni II Kastrioti, e ruajti stemën
tradicionale të Atit me mburojën me sfond të kuq, me shqiponjën e zezë dy
krenëshe në qendër, por pas gushtit 1485, kur mori në pronësi feudet e reja dhe titullin Duka i San Pietro në Galattina dhe Konti i
Soleto e Gagliano etj, e modifikoi stemën heraldike të Kastriotëve, duke e
prezantuar me mburojën me sfond të verdhë, me shqiponjën e zezë dykrenëshe me
kurorat, krahët hapur lart, me yll me gjashtë cepa sipër në trekendësh blu,
madje dhe flamuri i reparteve stratiote të Gjonit II Kastrioti dhe të
pasardhësve të tij, ishte me fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjën e zezë
dykrenëshe në qendër, si e ka theksuar dhe Princi Dr. Aleksandër Kastrioti
Skënderbeu, pasardhës i linjës Leçeze të Gjonit II Kastrioti. [Alessandro
Castriota Scanderbeg. I Castriota Scanderbeg d’Albania, Edizione Grifo,
Lecce 2021, p. 224 - 225]
Pra si kuptohet pasardhësit e Gjergj Kastriotit të degës
napolitane, në shekujt XVII - XIX përdorën stemën me sfond të artë, me
shqiponjën e zezë dykrenëshe me kurora në qendër.
Në lidhje me stemat heraldike të Kastriotëve të linjës të
Gjergj Kastriotit, historiani Karlo Padilione i trajton në kapitullin e dytë të
kësaj vepre: “Dell’arme del Castriota Scanderbeg - Stemat e Kastriotit
Skenderbeg”, që do t’i pasqyroj në numërin e ardhshëm.