E shtune, 27.04.2024, 11:54 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Irena Kastrioti Skenderbeu, Dukesha II e Shen Pietro në Gallatina dhe Princesha Bisinjano

E diele, 26.11.2023, 09:00 PM


IRENA KASTRIOTI SKENDERBEU (1528 – 1561)

DUKESHA II E SHEN PIETRO NË GALLATINA DHE PRINCESHA E BISINJANO

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Gjoni II Kastrioti 18 vjeçar, më 28 tetor 1472 u martua me Dukeshën Erina Brankovi? Paleologa (Irina), vajza 13 vjeçare e dhespotit Lazar Brankovi?i dhe Elena Paleologa. [Zacaria Barbaro, Corrispondenze, 1472 – 1480, p. 408]

Nga kjo martesë lindën gjashtë fëmijë: Gjergji II (1476 – 1540), Kostandini (1447 – 1500), Federiku (1480 -1500), Alfonsi (1488 – 1503), Ferrante (1490 – 1561) dhe Maria (1493 - 1560). Ndër femijët u shqua Ferrante, Duka II i San Pietro në Galatina, i cili trashëgoi feudet e të atit Gjoni II Kastrioti. Duka Ferrante u martua me Andriana Acquaviva d’Aragona, e bija e Belisario Duka i Nardò dhe i Sveva Sanseverino. Nga kjo martesë lindën katër djemë Akile, Federiko, Alfonso, Pardo dhe vajza Irena Kastrioti (1528 – 1565), Dukesha III e San Pietro në Galatina, e pagëzuar me emrin e gjyshes Erina Kastrioti Brankovi?, e njohur dhe me sinonimet Erina, Jerina, Irina Kastrioti. Historiani Ammirato thekson: “Duka II Ferrante Kastrioti kishte dhe 15 fëmijë të paligjshëm, disa prej të cilëve, me vullnetin e tij morën mbiemërin Kastrioti, ndonjë trashëgoi dhe titujt e tij të fisnikërisë”. [Scipione Ammirato: I trasformati, Mario Congedo Editore, Firenze 1559, p. 92, ripubblicato gennaio 2004].

Irena (Erina) Kastrioti, është një ndër figurat e shquara të dinastisë të Kastriotëve në Itali, e mirënjohura Dukesha III e San Pietro në Galatina. Në vitin 1539 Irena Kastrioti u martua me Pietro Antonio Sanseverino IV, princi i Bisinjano. Irena ishte gruaja e tretë e princit e nga kjo martesë lindën dy fëmijë, djali Nikolò Bernardino Duka V i Bisinjano, i martuar me Isabella Della Rovere dhe vajza Vittoria e martuar me Ferrante di Capua, Duka i Termoli. [Arkudi A. T, Relazzione di San Pietro in Galatina. Genova 1709, p. 33]

Kur u martua, feudet që Irena Kastrioti i trashëgoi nga i ati, i kaloi në zotërim të princit të Bisignano Pietro Antonio Sanseverino IV, i cili i zgjeroi pronat e tij me ato të Pulias, kështu familja Sanseverino ishte një ndër më të rëndësishmet ndër “shtatë shtëpitë më të mëdha të mbretërisë së Napolit”, zotëronte pronat më të gjëra të mbretërisë ku përfshiheshin 34 feude, aq sa konsiderohej si një shtet feudal i vërtetë, madje e quanin “Shteti i Sanseverino”, i shtrirë në jug të Puljas, në pjesën e madhe të Bazilikatës dhe në Kalabrinë veriore. [Francesca Pugliesi, Pietro Antonio Sanseverino IV di Bisignano. Ca 1490/1495 – 1554. Galleria Dell’Accademia Cosentina, 2015, pp. 224 - 225].

Princi Pietro Antonio Severino IV dhe Princesha Irena Kastrioti u impenjuan në pritjen dhe sistemimin në trojet e tyre të imigrantëve arbërorë, që vazhdonin të zbarkonin në Pulja. Të dy bashkëshortët zbatuan politikën e integrimit të arbërorëve në komunat e Puljas, Bazilikatës dhe të Kalabrisë, duke i trajtuar me të drejta të barabarta me banorët vendas, madje dhe me privilegje në dhënien në pronësi të trojeve në vendbanimet e reja. [Curia R, I Sanseverino principi di Bisignano, Cosenza, 1997, Pellegrini, pp. 27 - 29]

Si theksojnë shumë historianë dhe kronista të kohës, Princesha Irena Kastrioti ndërmjetësoi në integrimin e arbëreshëve dhe të kulturës se tyre në atë vendase, si p.sh në Trikariko, që ishte një ndër feudet më të mëdha të Sanseverino në Lukania, arbërorëi ishin të pranishëm që në vitin 1468 dhe u shtuan në vitet e më pasme, sidomos pas politikës të mbretit Karli V, për të mirëpritur dhe sistemuar arbërorët, ku në këtë komunë në fund të shekullit XVI ishin 30 zjarre (shtëpi) me arbëreshë. Pikërisht në pallatin dukal në Trikariko ndodhet dhe stema heraldike e Irena Kastiotit. [Arkudi A. T, Relazzione di San Pietro in Galatina. Genova 1709]

Krahas sistemimit në trojet e reja dhe bashkëjetesës paqësore, Dukesha Irena Kastrioti ndikoi në integrimin fetar të arbëreshëve, si rezulton në kishën konventuale të Shen Antonio i Padova në Trikariko, ku është varrosur arbërori Gjon Matti, i biri i Lazar Mati dhe i Porfida Muzakës. Lazari me repartin e stratiotëve arbëror ishte në shërbim dhe në mbrojtjen e princit të Bisignano, ndërsa i biri Gjon Mati ishte kapiteni i 300 stratiotëve në shërbim të mbretit Ferdinandi II Katoliku. [Francesca Pugliesi, Pietro Antonio Sanseverino IV di Bisignano. Ca 1490/1495 – 1554. Galleria Dell’Accademia Cosentina, 2015, pp. 224 - 225].

Dukesha Irena Kastrioti dhe bashkëshorti Pietro Antonio Sanseverino IV, gjatë viteve 1540 – 1548, shprehën vokacion për letërsinë dhe artet. Salloni spektakular i rezidencës të Sanseverino, i konsideruar “Mrekullia e Napolit”, që princi kishte ndërtuar me rastin e vizitës të mbretit Karli V në mars të vitit 1536, ishte një mjedis ku celebroheshin festime dhe organizoheshin takime me intelektualë, artista dhe personalitete të shkencës e të kulturës. Në mënyrë të veçantë ftuan dhe organizuan takime me personalitete të shquar të kohës si poeti Luixhi Tansillo, i cili iu dedikoi të dyve një lode të bukur, poeti Nikolò Franko, senezi Xhianfranko Spanoki, poeteshat Laura Terraçina dhe Isabella Morra si dhe me shumë personalitete të tjera të letërsisë, të artit dhe të kulturës. [Rosario Curia, Bisignano nella storia di Mezzogiorno ... Pellegrini, 1985, p. 145] [Savaglio A, La corte, le passioni e gli svaghi di Pietro Antonio Sanseverino. Archivio Nisseno, 8, 2011, pp 55 - 57]

Montesano, në veprën dedikuar poeteshës Isabella Morra, e cila qëndroi në borrin e princit të Bisignano nga viti 1543 deri 1545, ndër të tjera tregon se në rezidencat e princit të Bisignano organizoheshin rregullisht gara kavalerie, garat e palios, shfaqie teatrale, recitime poezie, koncerte muzikale e plot aktivitete kulturore. Në këto aktivitete shquhej dashamirësia e Irena Kastriotit, kultura dhe reputacioni letrar i saj, madje merrte pjesë në këto aktivitete me krijimet e saj letrare, por për fat të keq shumë prej tyre kanë humbur. Princesha Irena Kastrioti impenjohej personalisht në organizimin e takimeve, në krijimin e miqësive dhe zhvillimin e këtyre aktiviteteve, madje për herë mbante pranë Feliçia Sanseverino, të bijën e bashkëshortit të saj me gruan e dytë Xhiulia Orsini. [Paskuale Montesano, Isabella Morra, alla corte dei Sanseverino”, Altrimedia Ediz. 2017].

Kur u martua me princin e Bisinjano, Dukesha Irena Kastrioti, tashti dhe Princesha e Bisignao, e ndryshoi stemën heraldike të dinastisë Kastrioti, atë të gjyshit Gjoni II Kastrioti dhe të atit Ferrante Kastrioti. Stemën e re Irena Kastrioti e thjeshtoi në kompozim, simbolet i vendosi në sfondin e mburojës duke ruajtur elementet bazë të stemës së parë të gjyshit Gjoni II Kastrioti dhe të atit Ferrante Kastrioti. Në brendësi të mburojës, në këndin e sipërm djathtas ruajti kryqin e Jerusalemit; majtas mbajti dy luanët në këmbë me shpata të kryqzuara, me kokën e demit nën këmbët e tyre; ndërsa në pjesën e poshtëme të mburojës vendosi dy shqiponja dy-krenëshe, me krah të shpalosur, me yllin me gjashtë cepa mbi kokat e tyre. Kjo stemë heraldike ende ruhet në pallatin dukal Trikariko-Lukania, si e përshkruajnë Padilione (faqe 55); Pompilio Totti [Pompilio Totti, Ritrati et elogi di capitani illustri. Roma 1630, in 4°, p. 215, 271], Pietrasanta [Pietrasanta Silvestro. Tesserae Gentilitiae ex legibus Facialium descriptae. Romae, Corbelletti, 1638, p. 401], Aldimari [Biagio Aldimari, Memorie historiche di diversa famiglie, 1691, p. 320 - 322].

Në vitet 1540 - 1548, Pietro Antonio Sansaverino IV dhe Irena Kastrioti kontribuan dhe në pasurimin e jetës shpirtërore të banorëve në feudet e tyre, duke financuar rindërtimin e kishave të vjetra dhe ndërtimin e kishave të reja, madje në feudet e tyre ishin të pranishëm të gjithë urdhërat monasterial, aq sa në vitet ‘600 Principata e Bisinjano konsiderohej selia e kuvendeve dhe e kishave. Në nderim të kontributit dhe mbështetjes të fesë së krishterë, Abacia e Akuaformoza kishte portretin e Irena Kastriotit. [Sandra Plastina, Galleria dell’Accademia Cosentina, Parte II, Roma, ILIESI CNR, 2016, pp. 224 -225]

Më 8 prill 1559, princi Pietro Antonio Sanseverino IV vdiq në Paris, në “Ile de France” dhe si e kishte lënë amanet dhe me kërkesën e Princeshës Irena Kastrioti, trupin e sollën në Kalabri dhe e varrosën pas altarit në kishën e Shen Françesku i Paola në Bisinjano. Pas vdekjes të bashkëshortit, me që djali Nikolò Bernardino Duka V i Bisignano ishte i mitur, drejtimin dhe adminsitrimin e feudeve e mori Irena Kastrioti. [Pellicano Castagna M, La storia dei feudi e dei titoli nobiliari della Calabria, pp. 226 – 227]

Gjatë dimrit të egër dhe thatësirës që zgjati në verën e viteve 1560 – 1561, Kalabria pësoi dëme të mëdha në kultivimin e drithrave dhe si të mos mjaftonte klima e ashpër, ato vite, me urdhër të Papa Piu V, u persekutuan Valdesinët, që banonin në trojet e tyre, atyre iu shkatërruan arat e mbjella dhe vreshtat, iu dogjën shtëpitë dhe ato pak që shpëtuan u fshehën në thellësi të pyjeve. Në këto rrethana të vështira, për të përballuar zinë e bukës që kishte përfshirë Kalbrinë, Princesha Irena Kastrioti, më 23 korrik 1561 dekretoi, që çdo qytet dhe komunë të ndërtoi “Magazina universale”, ku të mblidhej gruri nga 1000 tomoli (masë toke e kultivuar me grurë) të arave të mbjella nga familjet që kishin siguruar prodhim të madh gruri dhe t’i shpërndahej banorëve, sipas kritereve të përcaktuara në urdhërin e dukeshës. [Archivio Storico per la Calabria e la Lucania, volume 31, Roma 1962]. [R. Curia, Bisignano nella storia di Mezzogiorno, dalle origine al XIX secolo, Cosenza, Pellegrini, 1985, p. 87]

Ky vendim fisnik bamirësie i Princeshës Irena Kastrioti, nderohet dhe në ditët e sotme, si rezulton në Cività në provincën e Kozencës në Kalabri, ku komuna dhe Shoqata Kulturore “Xhenaro Plako”, më 25 shtator 2016 i kanë dedikuar një pllakë përkujtimore dhe nderimi, për ndihmën që iu dha banorëve të Cività, për të përballuar zinë e bukës. Arbëreshët e komunën Cività e quajnë Çifti, me origjinë nga shqipja: Çifti - shqiponja.

Në përshkrimin e jetës të Princeshës Irena (Erina) Kastrioti, vlen të përmend në veçanti një portret me ngjyra, i riprodhuar nga piktori dhe studiuesi i artit Pietro Cavoti (Kavoti), sipas tabllos origjinale e mezshekullit XVI. Gjatë një udhëtimi në Kalabri, pas vizitave në disa kisha, manastire dhe në shtëpi fisnikësh arbëreshë, në kërkim të veprave të artit të vjetra e sidomos ato të lidhura me historinë e arbëreshëve dhe të dinastisë Kastrioti, Pietro Kavoti ndaloi në Abacinë Shën Maria e Akuaformoza, e urdhërit Ciscersen dhe aty ndërmjet pikturave e ikonave të shumta, gjeti portretin e Irena Kastriotit. I mrekulluar nga bukuria e Irenës, në atë portret me fytyrën me bardhësi fisnike, me një vështrim të thellë e meditativ, me flokë bjonde të gërshetuara me hijeshi dhe të mbuluara me kapuç hirosh të qëndisur me motive floreale shumëngjyrëshe, me dy gjerdanët me smeraldë të varur në qafë dhe me veshjen elegante, Pietro Kavoti iu përvesh punës dhe e kopjoi portretin në akuarel, po me ato cilësi artistike, sa dhe origjinali. Ky punim i Pietro Kavoti, për fatin tonë të mirë ende ruhet, ndërsa origjinali, të cilin e gjeti në Abacinë e Akuaformosa në Kalabri, nuk gjendet, çuditërisht ka “humbur”. [Giancarlo Vallone: I volti dei Castriota Scanderbeg, della linea antica nel museo Pietro Cavoti. 2016].

Lexuesit mund të pyesin: “Pse ruhej në Abacinë e Akuaformoza ky portreti i Irena Kastriotit?” Duhet t’iu kujtoj se ashtu si në shumë komuna kalabreze, shumica e banorëve në komunën e Akuaformoza të provincën e Kozencës janë arbereshë, aty banonin grupet e para të vendosur në këto troje pas vitit 1468, si dhe pjesa më e madhe të ardhur me eksodet e viteve të më vonëshme dhe të ndihmuara nga Dukesha Irena Kastrioti dhe bashkëshorti i saj princi Pietro Antonio Sanseverino IV. Në këtë Abaci shërbenin shumë murgjër arbëreshë. Dukesha Irena nderohej dhe respektohej nga arbëreshët e Akuaformoza, madje tregojnë një histori të bukur: “Dikur, kjo qendër banimi quhej Ariosa (Vend plot ajër dhe me dritë), por gjatë një vizite në Abacinë e Shen Maries, Dukesha Irena Kastrioti pasi piu ujin e freskët të pusit në Badia, e lehtësuar nga vapa tha: “Che acqua formosa” dhe nga ajo ditë, kjo qendër banimi mori emërin Akuaformoza, ndërsa arbëreshët e quajnë Firmoza. [Alia L, Dixit 2, Portertet e Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të tij në Itali, botimet Streha, 2022, f. 172]

Dukesha Irena Kastrioti Skenderbeu, me titullin fisnik principeshë pas martesës me Princin Pietro Antonio Sanseverino, ishte e njohur në oborret e fisnikërisë, të kulturës dhe të botës letrare të asaj kohe. Në vlerësim të personalitetit të dukeshës Irena Kastrioti, poeti Girolamo Ruscelli i dedikoi një esse, e botuar në veprën: “Le imprese illustri del S.or Ieronimo Rvscelli. Aggivntovi nvovam il quarto libro da Vincenzo Rvscelli da Viterbo Al serenissimo principe Gvgliemo Gonzaga dvca di Mantova et Monferato: con espositioni, et discorsi. In Venezia: Appresso Francesco de Fraceschi Senesi MDLXXX de Rampazetto, 1583, pp. 245 -249]

Xhirolamo Rushelli (1518 – 1566), humanist, poet, shkrimtar italian me aktivitete në Akuilea, në Padova dhe Roma, ku në vitin 1540 themeloi “Accademia dello Sdegno”, në vitin 1541 shkoi në Napoli ku bënte pjesë në “Accademia Secretorum Naturae” dhe në fund të vitit 1548 u vendos në Venecia. Rushelli ishte një ndër personalitetet italiane të shquara në shekullin XVI. Ai i njihte dhe kishte shkruar komente dhe lode për dy arbëroret e mirënjohura të shekullit XVI, për poeten Luçia Albani (1534 – 1568) dhe për Dukeshën Xhiovana Granai Kastrioti Karafa (1522 – 1592), ashtu si shkruajti dhe një esse për Princeshën Irena Kastriotit. Të tria këto fisnike arbërore ishin shquar si protagoniste dinjitoze të historisë së letërsië dhe të kulturës së Italisë.

Shkrimi i Xhirolamo Rushelli, dedikuar Princeshës Irena Kastriotit është një esse e bukur, e shkruar me art, me plot figura letrare dhe metafora, me vlerësime objektive për aktivitetin dhe jetën e saj në shoqërinë e kohës, por shkruan dhe për rezistencën e arbërorëve ndaj sulmeve të vazhdueshme të hordhive osmane, shkruan dhe ngre lart figurën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, duke theksuar se Irena Kastrioti është pasardhëse e kësaj dinastie të lavdishme.

Në faqen 245 të veprës, nën titullin: “Irene Castriota, Principessa di Bisignano”, Xhirolamo Rushelli duke komentuar grafikën, me në qendër moton: Chi mi puo far di vera gloria lieta”, thotë: “Pas asnjë dyshim, ky qëndrim i shqiponjës, e cila vështron e fiksuar djellin me moton: Kush mund të më japi lavdinë dhe lumturinë e vërtetë, është perifrazim i vargjeve të shenjta të Petrarkës:

Tien pur gli occhi qual’Aquila in quel Sole?

Che ti può far d’eterna gloria degno:

Vështro me sytë e shqiponjës diellin,

Që mund të japi lavdinë e denjë të përjetëshme....

Kuptohet se këto vargje të Petrarkës të shprehura nga Irena Kastrioti, Rushelli i vendos në krye dhe si moto të vlerësimeve dedikuar Irenës duke theksuar: “Këtu shihet, se kjo Zonjë, që me shumë modesti foli për vehten, ka përdorur me mirësjellje fjalët e Petrarkës “E lumtur me dinjitet” dhe duke e perifrazuar thënien e Petrarkës evokon “lumturinë e përjetshme”, kësisoj, në një far mënyre ka dashur të tregoi se dëshironte ta bënte të përjetëshme lavdinë mondane, por vetëm nëpërmjet lavdisë së vërtetë. Çfarë fjalësh të tjera mund të shprehin lavdinë, veç këtyre që lindin nga virytet, nga sjelljet e shenjta dhe shembullore të kësaj zonje? Kur na duhet të përballojmë situata të vështira, sipas mënyrës tonë të folurit, ne thërrasim për ndihmë Çesarin, Aleksandrin dhe të tjerë, që përherë janë shquar me veprat e tyre, por nga ana tjetër themi se nuk është e vërtetë, por fallso lavdia e padrejtë, kur dikujt i dedikohet sentenca e të madhit Doktorrit të shenjtë i cili thotë:

Multorum nomina celebrantur in Terris, quorum animae cruciantur in inferno.

Shumë emëra të shquar në Tokë, po aq shpirtëra të kryqëzuar në ferr.

Essen dedikuar Irena Kastriotit, Rushelli e ka botuar në vitin 1583, pra rreth 25 vjet pas vdekjes të bashkë-shortit të saj. Në prill të vitit 1559, Princi Pietro Antonio Sanseverino ishte për vizitë në Spanjë, i ftuar nga mbreti Filipi, i cili e dërgoi në Paris, për t’i bërë nderimet mbretëreshës Isabella, bashkëshortes së re të tij, por pas pak ditësh u sëmur nga ethet e forta dhe vdiq në Paris. Pas kësaj fatkeqësie familjare, Irenës iu desh të përballoi dhe thashethemet dhe opinionet shtjerrakeqe ndaj saj dhe ndaj bashkëshortit. Në mbrojtje të Irena Kastriotit pozicionohet Rushelli, i cili në esse shkruan: “Disa persona, këtë qëndrim të Zonjës e interpretojnë ndryshe, sikur ajo kishte qëllim të përmendi Princin e Bisinjano, bashkëshortin e saj dhe për këtë inistojnë duke shprehur gjithfarë mendimesh, me synim të bëjnë t’iu besosh. Arsyeja e parë thonë ata, ky qëndrim i saj është mbajtur sekret për shumë kohë, ndonëse shumica në këto shprehje nuk shohin tjetër veç se Princin, bashkëshortin e saj, i cili atë kohë ishte në Spanjë, si e ka treguar një Zonjë e Madhe Spanjolle, nga i morëm këto lajme. Arsyeja e dytë është se kjo zonjë, që ka pak si ajo në Europë, ështe Donna Xhiovana Aragona. Sipas mendimeve të tyre dhe të disa shkrimtarëve, është e pamundur që Irena Kastrioti, kjo zonjë me fytyrën kaq të bukur dhe kaq shumë e sjellëshme, mund të rrinte pa bërë dashuri!”

Duke iu kundërvënë këtyre mendimeve shtjerrakeqe, Rushelli shkruan: “Duke e njohur anën e kundërt, që është e qartë, e shprehur me ndershmërinë dhe sjelljet e shenjta gjatë gjithë jetës së saj, kuptohet se ajo nuk ka mbajtur qëndrime të këqia, por veç qëndrime dhe veprime të mira, andaj nuk ka shprehur sjellje dhe shenja të papranushme, të paligjëshme, të padenja, përkundrazi ajo e do me gjithë zemër princin, bashkëshortin e saj, atij i ka përkushtuar të gjitha mendimet dhe devocionin e saj, pa qenë e nevojshme t’i demonstroi publikisht”.

Në vazhdim Rushelli shkruan: “Disa të tjerë thonë, se qëndrimi i kësaj Zonje për udhëtimin e fundit në oborrin spanjoll të bashkëshortit të saj, synon të tregoi se shqiponja në çdo pjesë të qiellit e shikon diellin, ashtu bëj dhe unë me shpirtin tim, me mendimet e mia, me dëshirën time të madhe ta shikoj, ta ndjek, ta survejoj, të bashkohem me shpirtin e tij dhe ndonëse nuk e shoh më, e shoh lart në qiell”.

Vdekja e bashkëshortit i krijoi dhimbje dhe dëshprim të madh Princeshës Isabella Kastrioti, të cilës i dërguan ngushëllimet vetë mbreti i Napolit, shumë fisnikë, klerikë dhe miq të familjes Kastrioti – Sanseverino. Rushelli thotë se botës shpirtërore të Irena Kastriotit dhe besnikërisë bashkëshortore, i përshtaten vargjet e poetes fisnike markezes Vittoria Kolona, me rimat dedikuar bashkëshortit Markezit të Peskara. Ariosto në “Orlando Furioso” e lavdëron Vittore Kolona për bukurinë e vargjeve në kujtim dhe për besnikërinë bashkëshortore. Në ato vite qarkullonin thashetheme nga më të ndryshmet dhe Rushelli thotë se Irena Kastrioti filloi të përflitet pas vdekjes të bashkëshortit, kësisoj thuhej se për të kontrolluar veprimet e princit në oborrin e Spanjës, Irena kishte dërguar një shërbëtorin e saj besnik, të tjerë thonë se kishte dërguar një nga vendi i saj.

Për personalitetin dhe dinjitetin e princeshës Irena Kastrioti, shprehet Andrea Begliocchi në një letër shumë të bukur dërguar një mikut të vet, letër në të cilën evidencon cilësitë e rralla të kësa Zonje, sjelljet e shenjta në shoqëri, si në rininë e saj dhe në veçanti pas vdekjes të bashkëshortit, duke treguar se ajo ruan dashurinë dhe mendimet e mira për princin, të cilin e quan Diellin e saj, kësisoj ka imituar markezen Vittoria Kolona, e cila në rimat e saj e quan Diell, bashkëshortin Markezin e Peskara Fernando Françesko d’Avalos.

Rushelli thekson me bindje: “Të gjitha këto mendime, hamendësime e thashetheme, sido që të inkuadrohen, nuk ia ulin aspak vlerat, ndershmërinë, lavdinë dhe shkëlqimin shoqëror të Irena Kastriotit, të kësaj zonje e dashuruar me bashkëshortin. Ashtu si u theksua më sipër, shprehja moto e Irena Kastritoti “Kush mund të më japi lavdinë dhe lumturinë e vërtetë”, është një ndjenjë shpirtërore drejtuar Zotit dhe njëkohosisht ka bërë të qartë, se e ka dashur bashkëshortin e saj më shumë se jeta e vet, ashtu si Ai e kishte dashur Irenën dhe me këtë moto, Ajo e bashkoi në zemrën e saj, dashurinë për Princin me dashurin për Zotin”.

Vlerat e Irena Kastrioti shprehen në origjinën e saj, nga i ati Duka II i San Pietro në Galatina, pasardhës nga dinastia e të madhit Kastrioti – Skenderbeu, por dhe nga martesa me një nga të parët e mbretërisë, me Princin shpirtmadh dhe me gjak fisnik, dinjitoz dhe zotëri me sjellje të shkëlqyera dhe me veshje elegante.

Të dy këta bashkëshortë kontribuan në ndërtimin dhe paisjen e kishave me ikona, në rindërtimin e shumë  institucioneve fetare si të kishës Shen Maria Kolorita në Murano të Kalabrisë. Shpirtmirësia e tyre shprehej dhe në bamirësi, si vepronin në festën e Shen Nikolla në qytetin e Kasano (Cassano), ku mblidheshin mbi 2000 mijë të varfër dhe ata uleshin e hanin së bashku me të varfërit, por dhe duke iu bërë dhurata dhe duke iu dhënë para. Në këtë ditë, të dy bashkëshortët paguanin shpenzimet e dasmës të katër grave nga familje të varfëra, madje Irena iu dhuronte atyre veshjet e veta. Këto veprimtari bamirësie shoqërore, Irena Kastrioti i vazhdoi rregullisht pas vdekjes të bashkëshortit Princit Pietro Antonio Sanseverino IV. Gjithëçka e kryente me dedikim, si shërbëtore e Zotit, pa asnjë lloj hipokrizie dhe pa mburrje, andaj gëzonte respekt dhe nderime nga banorët e të gjitha feudeve, që kishte në zoterim.

Me Irena Kastriotin bashkëjetonte halla e saj Donna Maria Ferrante Kastrioti, fisnike me formim arsimor dhe kulturor të lartë, njohëse edhe të gjuhëve latine e greke, e dalluar në njohjen e shkencave të kohës, zonjë dinjitoze, e virgjër në shenjtërinë e jetës së saj, e cila dhe pse e kërkuar me insistim për martesë nga zotërinjtë më të shquar të mbretërisë, Ajo nuk pranoi asnjërin prej tyre, duke theksuar: “Jam e martuar, i jam dedikuar përunjësisht Zotit tonë të madh”.

Në vazhdim Xhirolamo Rushelli rrëfen për origjinën e Irena Kastriotit nga dinastia e  Kastriotëve, familje e vjetër fisnike e Albania. Pasi përmend shkurtimisht Princin Gjon Kastrioti, rrëfen për veprat heroike të Gjergj Kastriotit, zoti i Arbërisë dhe kryekomandanti i ushtrisë arbërore, i shquar në rezistencën dhe luftimet kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, në mbrojtjen e kirishtërimit dhe të Europës, sepse turqit pushtimin e Arbërisë e shihnin si urë kalimi për të pushtuar mbretërinë e Napolit. Për veprat heroike dhe lavdinë e Gjergj Kastriotit janë shkruar shumë vëllime, andaj shkruan Xhirolamo Rushelli, e ndjeja detyrim ta përmend në shkrimin dedikuar pasardhëses të familjes së tij, Isabella Kastriotit, Princesha e Bisignano. [G. Ruscelli, faqe 247]

Princesha Irena Kastrioti Sanseverino vdiq më 15 shtator 1565 dhe e varrosën në kishën e Shen Françesku i Paola në Bisinjano. Jeta dhe vepra e saj nderohen dhe përkujtohen dhe në ditët e sotme me aktivitete, me konferenca dhe me ekspozita. Më 22 – 23 shtator 2018, me rastin e Ditës Europiane të Pronave, seksioni i Arkivit të Shtetit i Komunës Kastrovillari në Provincën e Kozencës, organizoi ekspozitën me titull “Minoranca albaneze në trevën e Pollino, prezantimi i kujtesës historike”, ku u ekspozuan dokumenta lidhur me jetën e arbëreshëve e mes tyre dhe testamenti i Princeshës Irena Kastrioti Sanseverino, që i la djalit  Nikolò Bernardino Duka V i Bisinjano.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora