Speciale » Alia
Lutfi Alia: Xhubleta iliro-arbërore-shqiptare (2)
E diele, 04.02.2024, 09:00 PM
XHUBLETA ILIRO – ARBËRORE – SHQIPTARE
(Pjesa II)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Nga viti 2016, xhubleta ka
statusin: Kryevepra e trashëgimisë kulturore kombëtare. Xhubleta, veshje tipike
dhe unikale e grave dhe e vajzave të malësisë të Shqipërisë së Veriut, është studiuar nga etnologë,
albanologë, historianë, arkeologë, antropologë, sociologë vendas dhe të huaj,
të cilët kanë shkruar për historinë e lashtë 4000 vjeçare, për teknikën e prodhimit
të shajakut e të stofrave, për qepjen e fundit dhe anekseve të xhubletës, për
zbukurimet me figura, simbole, kode dhe për mesazhet që shprehin, si dhe për
stolitë e shumta shoqëruese. Ndër studiuesit shqiptarë janë shquar Zef Jubani,
Bernardin Palaj, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Abaz Dojaka,
Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, S. Shkurti, Agim Bido, Luljeta Dano, Linda
Spahiu, Aleksender Stipçeviç, Fahri Xharra, Ikbale
Kalaja, Uk Xhemaj, Sokol P. Lulgjuraj, Flamur Doli, Ndue Bacaj,
etj, ashtu si dhe studiues të huaj ndër të cilët Daniel Kornidez, George von
Hahn, Franz Nopcsa, Rosel de Fontanes, Edith Durham, J. Dechelette, Hoernes, Wide, Evans, Vasits, Edwin E Jacques etj. Xhubleta
është pasqyruar në akuarelet e vitit 1848 të piktorit anglez Edward Lear dhe në
pikturat e Kol Idromenos.
Historiani, albanologu dhe ilirologu Aleksander
Stipçeviç, me origjinë nga komuniteti Arbanasi i Zarës, në zbulimet dhe
studimet e tij shkencore për xhubletën si veshje e lashtë të grave iliro-arbërore
thekson: “Gratë ilire
vishnin një tip fustani, që ishte i prerë në brez në mënyrë të tillë, që pjesa
e sipërme i përshtatej trupit, ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur me formën
e kumbonës. Këtë formë rrobash e mbanin hyjneshat ilire lokale, si prezantohen
në monumentet e epokës të pushtimit romak si dhe gratë valltare, të paraqitura
në urnat japode të Ribiqit (shekulli V - IV para Krishtit). Me rroba të tilla
ishte veshur hyjnesha Diana, si është paraqitur në monedhat e mbretit ilir
Ballaeus (shekulli.II para Krishtit). Kjo formë rrobe e grave ilire është
ruajtur deri më sot te malësoret e Shqipërisë së veriut dhe në Kosovë (pjestarë
fisesh nga Kelmendi). [Aleksandër Stipceviç. Illyrians, 1966; “The Illyrian Art,
1963; The Illyrian Cult Symbols, 1981].
Monedhe bronzi me portretin e mbretit Ballaeus, në faqen e pasme emëri i tij ???????? dhe hyjnesha Diana
Franz von Nopcsa (ish konsulli i
pergjithshëm i Austrohungarisë në Shkodër) i studiues i apasionuar i etno-grafisë
në trevat veriore të Shqiperisë, në vitin 1925 shkruan:“Disa forma të veshjes popullore shqiptare vijnë
drejtpërdrejt nga veshja, që ka qenë në përdorim në këtë hapësirë nga koha
parahistorike. Këtu në rend të parë është fjala për tipin e fustanellës e
mbledhur në formën e kambanës, e quajtura xhubleta, e cila është pasqyruar në
shumë monumente ilire të kohës antike, e ruajtur e pandryshuar deri në ditët
tona në krahinat e Shqipërisë Veriore, mandej në zonat e fisit të Kelmendasve
në Kosovë dhe shqiptaret në Mal të Zi. Xhubleta në pikpamje kostumografike,
është shumë interesante, për aresye se përkon kryekëput me veshjet në formë
fundi në disa terrakota të zbuluara në Kliçevec të Bosnjes dhe me objekte të
tjera të ngjashme të gjetura në Mikenë dhe në Kretë (Greqi). Kjo terrakotë
tregon se në të gjitha këto raste, si e theksojnë Hoernes, Wide , Evans dhe
Vasits, kemi të bëjmë me një veshje në formë këmbane, e njohur në mijëvjeçari i
dytë para K.” [Franz
Nopzsa: Albanien. Bauten, Trachten und Gerate Nordalabneins. Berlin. De Gruyter
& Co. 1925].
Akademiku Mark
Tirta, thekson “Xhubleta është një veshje me zanafillë të lashtë, që vishej në Malësinë
e Madhe. Kështu ka ardhur dhe dalmatika, një këmishë e gjatë, që në të njëjtën
formë dhe prerje është ruajtur dhe ndër shqiptaret. [Mark Tirta, Etnologjia
e Shqiptarëve,Tiranë, GEER, 2003, faqe 102].
Lashtësinë e
origjinës të xhubletës e konfirmojnë me studime dinjitoze dhe Rrok Zojzi, Andromaqi
Gjergji, Afërdita Onuzi, Abaz Dojaka, Luljeta Dano, Linda Spahiu etj, etj, të
cilët pa rezerva theksojnë se xhubleta është veshje tipike me origjinë nga
qytetërimi minoiko – miçen, veshje e ruajtuar nga ilirët dhe arbërit.
Xhubleta, është
veshje komplekse grashë dhe vajzash, me fundin e
shajakut dhe veshjet e tjera plotësuese, si xhoka, jeleku, këmisha, shamija,
përparsja, çorapet etj, etj, të zbukuruara me
motive magjepse me karakter natyror, hyjnore dhe me simbole mitike, të shprehura
me figura floreale, gjeometrike dhe
atropozoomorfe. Këto elemente janë të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe, si ka
theksuar studiuesi hungarez Daniel
Kornidez:
“As palloi as ylberi nuk kanë aq
ngjyra, sa ka xhubleta e grave të Kelmendit”.
Karahas karakteristikave
kostumografike unike, që e njësojnë si kostum me funksionet dhe me bukurinë e
saj, xhubletat kanë veçori dalluese njera nga tjetra, të shprehura me
variacione sipas moshës, funksionit dhe në kompozimin e zbukurimeve me penjë
shumëngjyrsha, në qendisjen e figurave, të simboleve të ndryshme, në mesazhet
që transmeton. Pavarësisht nga struktura standarte, xhubletat kanë veçori
individuale, dallohen njëra nga tjetra, janë prodhime të personalizuara.
Etnografët,
kostumografët theksojnë se xhubleta është veshje e veçantë, komplekse dhe ndër
më të vështirat në punim, ndryshe nga tipat e tjera të veshjeve për vajzat dhe
gratë në Shqipëri, në Ballkan dhe me gjërë. Xhubleta nuk është thjeshtë vetëm
një veshje, është vepër arti.
Shajaku i përdorur
për fundin e xhubletës punohet me leshin e dhenëve, i larë dhe i shkriftuar me
krëhër. Shtëllunga e leshit vihet në furkë dhe tirret fija e penit me drugë (në
bosht). Fijet e leshit dridhen së bashku të trasha 16 fishe. Peri që përdoret
për prodhimin e shajakut ngjyroset në të zezë me gjethe arre. Gratë e thurin
stofin në tezgjah me penjë në katër liqe. Shajaku i prodhuar shkelet në
valanicë, pritet në shirita dhe qepen për të formuar fundin me formë këmbane kompakte
dhe të valëzuar, më të shprehura në pjesën e pasme.
Fundi i xhubletës formohet
nga 25 – 30 shirita shajaku (ivat), që në pjesën e fundit kanë tirk, spik,
rruaza, cohë dhe tertil. Fundi është i gjatë deri poshtë nëngju. Në buzën e
sipërme të fundit, mbi belin e gruas, fiksohen dy rrypat e shajakut, që
shërbejnë për ta veshur në supet e gruas. Buza e poshtëme e fundit të gjitha xhubletave
të grave, punohet
nga leshi me ngjyrë të bardhë, prej katër liqesh dhe quhet e poshtmja e
xhubletës. Të gjitha këto proçese gruaja malësore i kryen me mjeshtri admiruese
dhe me talent krijues, sidomos në realizimin e zbukurimeve, që janë galeri
elementesh shumëngjyrëshe me motive floreale, gjeometrike dhe atropozomorfe, të
shoqëruara me figura,
simbole, kode, mesazhe të ndryshme dhe me një kompleks zbukurimesh me stoli.
Zbukurimet
e xhubletës dhe të pjesëve përbërëse.
Në fundin e xhubletës, në xhokë, në jelek,
në këmishën, në përparset, në brez dhe në çorapet, gratë malësore qendisin një
seri figurash, simbolesh dhe kode me origjinë pagane të epokave të herëshme protoilire
dhe ilire, të ruajtura besnikërisht deri në kohët tona,
ndër të cilët më kryesoret janë:
Dielli - kulti i diellit, dielli Zot, dielli - jetë - begati dhe fertilitet.
Dielli prezantohet në dy varjante, si disk
rruzullak
ngjyrë të verdhë me rreze, si dhe në varjantin më të lashtë pagan protoilir dhe
ilir me svastikën.
Svastika është simbol i periudhës neolitike (mbi 5000
vjeçare), i përdorur nga shumë popuj euroaziatik, ndër ata dhe nga ilirët, si
rezulton në disa objekte arkeologjike të zbuluara në trojet tona. Në gjuhë
sanskrite swastika do të thotë fat, lumturi, mirëqenie. Sipas J. Dechelette
karakterizon diellin në lëvizje, ndërsa Heinrich Schliemann, i cili e zbuloi në
rrënojat e Trojës, e konsideron simbol i identitetit arian. Sipas studiuesve
René Guénon, Gennady Zdanovich, Reza
Assasi, Giorgio de Santillana, Hertha von Dechend, Joscelyn Godwin,
Peter Levenda etj, etj, svastika është simbol i lashtë, që shpreh lëvizjen në
qiell të yjeve rreth polit verior, pikërisht të yjeve të Arushës së
Vogël, të Arushës së Madhe dhe të konstelacionit Drago, që rrotullohen rreth
polit verior qiellor (Axis Mundi). Svastika përcakton dhe pikat kardinale të
katër sezoneve.
I përmenda këto opinione studiuesish për
theksuar se svastika është simbol i lashtë protoilir dhe ilir, i ruajtur
në kulturën arbërore, i transmetuar i
pandryshuar deri në ditët tona, i pasqyruar besnikërisht dhe mjeshtërisht nga
gratë malësore shqiptare, në kompleksin e veshjeve të xhubletës.
Kompleksi i simboleve pagane ilire, i prezantuar me motivet floreale (kalli gruri), me diellin, me figura gjeometrike, me shqiponjën e stilizuar, me dragoin, me svastikën dhe në pjesën e poshtëme kodi misterioz i pemës të fisit dhe të familjes
Svastika e qendisur me fije argjendi, e zbukuruar me pafte të vogla në përparësen e xhubletës
Hyjnesha
Selene (1), Hyjnesha Diana me simbolin Selen (2), grua nga Gruda (3) me
simbolin Selen
Hëna – kulti
selen. Është simbol vetëm femëror. Sipas mitologjisë greke, Selena hyjnesha
që personifikon hënën ishte motra e Helios (Diellit) dhe e Eos (Aurora), e
identifikuar me hyjneshën Artemisa, ndërsa romakët dhe ilirët u identifikonin
me hyjneshën Diana – Zana, që mban mbi kokë drapërin hënor në pozicion
horizontal.
Drapëri hënor
i pasqyruar si element zbukurues në qendisjet e xhubletës, ashtu i përdorur si
stoli, shpreh kultin selen të mbrojtjes të gruas, fertilitetin e grave,
mbrojtjen dhe vazhdimësinë e jetës në brezni, shpreh begati dhe zjarrin
ndriçues të jetës. Simboli selen është përdorur nga gratë shqiptare si element
zbukurues në komponentet e xhubletës, por dhe si stoli e vendosur në kapuçin
mbi kokë, si e ka dokumentuar mjeshtri i fotografisë Kel Marubi, në një grua të
re nga Gruda, madje e ka përjetësuar në një kartolinë të herëshme, ndofta fundi
i shekullit XIX. Përdorimi i hënës në zbukurimet e xhubletës dhe si stoli,
shpreh kultin selen, pra nuk është simbol i kulturës turke, që si dihet e ka
drapërin hënor (hënën e re) në pozicion vertikal.
Ylli – yjet. Qendisen me pesë, me gjashtë, me tetë, me shumë cepa
dhe simbolizojnë dritën, energjinë, lirinë, shpresën dhe përjetësinë. Ylli apo
yjet prezantohen të qendisur në zbukurimet e xhubletës dhe si komponent i
stolive, si
rezulton në një paftë të brezit të xhubletës, ashtu e përdorur si stoli e varur
në qafë.
Gjarpëri. Është simbol i lashtë, që shpreh mitin ilir të Kadmos
dhe të Harmonisë (Kandavias). Për ilirët gjarpëri ishte simbol mitologjik
totem, personifikim i mençurisë, i shëndetit, i pjellorisë, i shpirtitërve të
vdekurve dhe mbrojtës i vatrës familjare. Në zbulimet e shumta arkeologjike të
vendbanimeve ilire, janë gjetur objekte të shumtë me figurat e gjarpërit. Në
xhubletë gjarpëri prezantohet dhe në formën e dragoit.
Shqiponja. Është simbol hyjnor iliro – arbëror, që shpreh fuqi, fitore,
fisnikëri dhe madhështi. Në xhubletë dhe anekset e saj, shqiponja qëndiset e
stilizuar me penjë ngjyrë të verdhë, ndërsa si stoli në filigranë argjendi, ose
ari, prodhohet nga artizanë të kualifikuar dhe mbahet në gjoks. Artizanët
prodhonin dhe vathë me shqiponjë dykrenëshe.
(1) Pafta e brezit të xhubletës, në qendër shqiponja dy krenëshe, me yllin me pesë cepa dhe katër pëllumba.
(2) Shqiponja, prodhim në filigranë me fije argjendi, zbukuruar
me gurë ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër
(3) pafta e vendosur mbi kokë, nën shami, e prodhuar në filigranë me motive floreale, me në qendër simbolin selen dhe diellin, e zbukuruar me gurë ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër
Dragoi. Është figurë mitike - legjendare, i pranishëm në
xhubletat e grave në dy varjante, në formën Viverna - dragoi i maleve dhe në varjantin
e hidrës - dragoi me shumë koka. Në të dy varjantet dragoi është element me
fuqi magjike, i mbron gratë duke i larguar të këqiat, sëmundjet, fatkeqësitë.
Dragoi qendiset në fundin e xhubletës dhe në përparëse, së bashku me motive të
tjera floreale dhe me simbole gjeometrike. Në shumicën e xhubletave dragoi
qëndiset si komponent i kodit të familjes, pra si elementi mbrojtës i familjes
dhe i fisit.
Kodi i fisit dhe i familjes. Në zbukurimet e xhubletës integrohet
dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod misterioz i trashëguar nga lashtësia,
i pasqyruar me simbole të ndryshme floreale, gjeografike dhe antropo-zoomorfe,
ndër të cilët mbizotëron shqiponja, e shoqëruar me dragoin dhe svastikën. Kodi
i fisit dhe i familjes është enigmatik, i prezantuar me simbole të ndryshëm,
kuptimin e të cilave e di vetëm malësorja që i ka punuar në xhubletë, andaj
është tepër i vështirë të interpretohet. Shpesh këto simbole ngjasojnë me
grafema dhe me numëra, ndofta shprehin numërin e pjestarëve të fisit, ose të
familjes, ndofta moshën e të parit të fisit, ose të kryefamiljarit. Në qendër
të këtij kodi vendoset shqiponja e stilizuar dhe në të dy anët qendisen
simbolet e kodit, të kufizuara nga svastika dhe dragoi mbrojtës. Ky kod prezantohet
në dy pjesë, si imazhe të përmbysura në pasqyrë.
Figurat floreale, gjeometrike dhe
antropozoomorfe. Gratë malësore, fundin e
xhubletës, e zbukurojnë duke shtuar figura floreale, si zambak, lule dhensh,
gjethe dushku, meandra (lule me kërcell gjarpëruese), kalli gruri etj. Elementet
zbukurues janë dhe figurat gjeometrike (rrathët, trekëndëshat, kuadratet, rombet,
motivet lineare dhe zig-zage etj); figurat antropomorfe (stilizim i njeriut)
dhe figura zoomorfe (shqiponja, pëllumbi, gjarpëri, dragoi, flutura, bleta etj).
I gjithë ky kompleks figurash, motivesh dhe simbolesh, qëndisen me penjë me
spektër shumëngjyrësh si me penjë ngjyrë të kuqe (shpreh energji, vitalitet, kurajo,
entusiazëm), shumica e luleve qëndisen me penjë ngjyrë të verdhë (simbolizon hyjnoren,
shpresën, optimizmin), të tjerat me ngjyrë rozë (simbol i shpresës, i vajzërisë),
të gjelbër (harmoni, ekuilibër), blu (qetësi, paqe); ngjyrë lejla aristokratike,
e cila shpreh edhe mistere e magji; ngjyrë të bardhë (shpreh pastërtinë,
lealitetin dhe virgjërinë e vajzave, andaj në xhubletat e vajzave mbizotëron
ngjyra e bardhë). Në xhubletë mbizoteron ngjyra e zezë e fundit, e xhokës, e
përparëses, e gunës, e brezit, e çorapeve etj. Ngjyra e zezë, krahas mistereve
të territ dhe të panjohurës, shpreh elegancë, autoritet, seriozitet, prestigj,
pavarësi, energji të brendëshme, siguri dhe impulse krijuese.
Në zbukurimin e xhubletës, sidomos në formimin e figurave
gjeometrike, përdoren edhe rruazat shumë ngjyrëshe, paftet metalike me përmasa të
ndryshme, shpesh dhe prodhime bronxi, tunxhi, argjendi e më rrallë prodhime
ari. Sfondi i zi i xhubletës dhe i anekseve kompletohet me këtë kompleks elementesh
shumëngjyrash, kësisoj realizohet veshja unikale iliro - arbërore - shqiptare
me bukuri të rrallë magjepse, një vepër arti, që bashkëshoqëron bukurinë
natyrale të vajzave dhe grave malësore.
Këmisha. Është veshje e brendëshme,
përgjithësisht pëlhurë e bardhë, ose mëndafsh me ngjyra, e qepur nga gratë
malësore. Për këmishën nevojiten 2 m pëlhurë. Këmisha përbëhet nga trupi, mangët,
jaka e lartë, shpina, parmzat (pjesa e përparme). Jaka dhe parmëza e këmishës
zbukurohen me motive lineare, ose zig-zage, të qendisur me penjë me ngjyra të
kuqe, blu, të gjelbër, në disa raste zbukurohen me rruaza. Këmisha është e
gjatë deri nën bel dhe fundi i saj nuk zbukurohet, pasi mbulohet nga fundi i xhubletës.
Kraholi. Punohet nga coha me ngjyra të
ndryshme si e kaltër, e kuqe, e gjelbër. Kraholi ka mangët e gjata dhe grykë
pak sa të hapur. Në grykë ka qafetën e kraholit, e punuar me rruaza të vogla
dhe me rruaza të gjata. Përbëhet prej makave, grykës, qafetave, pasgrushtave,
parmzës dhe shpinëzës. Ka një gjatësi gjer në bel.
Mallota. Është sako kadifeje dhe përbëhet
nga shpina, dy parmzat, makat, pasgrushtat, xhepat, qafeta dhe brezi i gjatë me
gjerësi mbi 5 cm, që lidhet në vend të rripit dhe është i së njëjtës ngjyrë me
mallotën.
Grykcia. Është prej kadife me ngjyra të
ndryshme. Në pjesën e përparme në mes, grykcia ka një pjesë të zbukuruar që
quhet ”pafti i grykcës”, i punuar me fije argjendi. Pafti është pjesë
dekorative, sfondi i të cilit mbushet me motive floreale të punuar me grep, ndërsa
sinoret mbyllen me motive gjeometrike. Përmasat e kësaj pjese përafërsisht janë 40 x 40 cm, me
grykë të hapur vezake, që zbret gjer në gjysmën e grykcës.
Zbukurimet e brezit me qendisje figurash floreale,
gjeometrike dhe antropomorfe të stilizuara
Brezi. Në varësi të përmasave trupore të gruas, prodhohet dhe
brezi i xhubletës, i cili ka gjërësi të ndryshme, më i ngushti 5 cm dhe me i
gjëri deri 20 cm, i zbukuruar me motive floreale të qendisura me penjë ngjyrë
të
verdhë. Në brez varen viercat e peshtjellakut, bashkë me disa
zbukurime të tjera si vargjet metalike.
Xhubleta e vajzave nuk ka brez, sepse sipas
traditës brezi ishte atribut vetëm i grave të martuara.
Xhoka. Është veshje e pjesës së sipërme, e përshtatur formës të
bustit të grave dhe vajzave, që rri lirshëm, por e ngrirë dhe pa shumë palosje.
Xhoka qepet me copa stofi të zi për gratë dhe stof i
bardhë për vajzat. Në pjesën e poshtme mblidhet me pala të dendura dhe me
estetikë, për t’ia përshtatur perimetrit të belit të gruas apo të vajzës, një
proçedurë teknike e vështirë, por e realizuar me mjeshtëri të admirueshme nga
gratë malësore duararta. Dy buzët e pjesës së përparëshme të xhokës zbukurohen
me qendisje motivesh gjeometrike dhe floreale, përgjithësisht me ngjyrë të
verdha dhe shpesh vendosen pafta metalike. Në supet e xhokës vendosen thekë të shumtë e
të gjatë, shpesh me ngjyrë të kuqe, por edhe të verdhë e në raste të rralla
ngjyrë e zezë, që varen me hijeshi anash krahëve.
Përparësja
(Pështjellaku i parë, boçja). Prodhohet me gjërësi 30 – 40 cm dhe gjatësi 80 - 100
cm, e ndarë në pesë pjesë nga materiali i cohës, kurse pjesa e shtrojës është
punuar me tirk. Tirku punohet nga penjë leshi në tymen, i përzier, i tjerrë në
bosht dhe i thurur në tezgjah, pastaj i rrahur dhe i forcuar në valanicë. Pafti
i pështjellakut plotësohet me fije argjendi. Sfondi i paftit ndahet në tre
pjesë të barabarta, që përfundojnë si lart dhe poshtë me motivin me formë të
dhëmbëzuar, me vija zig-zage, e cila në pjesën e ngjitur me sfondin e përmbyll
formën e trekëndëshave. Në pjesën e poshtme, aty ku përfundon sfondi, qendiset
një motiv dekorativ në formë të një meandri (lule me kërcell gjarpërues), që zë
pozitë horizontale dhe quhet leqe. Secila pjesë e paftit është e zbukuruar me
rruaza me motive lulesh shumëngjyrëshe. Qëndisjet dhe thurjet e motiveve
floreale dhe gjeometrike janë realizuar me 12 - 20 lloje ngjyrash, me
mbizotërim i të verdhës dhe të kuqes. Në fundin e përparëses varen thekët me
gjatësi dhe me ngjyra të ndryshme. Përparsja vishet në pjesën e përparme mbi fundin
e xhubletës. Përparëset janë me shumë variacione dhe mund të jenë të thjeshta
ngjyrë të zezë ashtu si prodhohen në tezgjah (4), mund të plotësohen me
zbukurime të floreale dhe me figura zoomorfe, me në qendër shqiponjën (2), ose
me figura gjeometrike lineare horizontale dhe vertikale (1), ashtu si
plotësohet me qendisje komplekse floreale, gjeometrike dhe antropozzomorfe me
shumë ngjyra.
Përparsja me motive
të qendisura me penjë me 15 ngjyra të ndryshme dhe me rruaza
Xhubleta e veshur
nga gratë në Grudë (1), Kelmendi (2), Shala (3), Shkreli (4)
At Bernardin Palaj në një studim të tij me
titull “Veshja dhe zejtaria ndër male, botim i vitit 1943, në Bota shqiptare dhe në vitin 1944 në “Hylli i
Dritës”, ndër të tjera shkruan: “Në shkosh në festë ndër malet e
veriut të Shqipnisë, ke me u çuditë për ndryshimin e madh, që ka trajta e
petkut që veshin granitë e Malësisë së Madhe, të Mirditës, Zadrimës, Pukës, Dukagjinit.
Në katundet e Malësisë së Madhe bjen në sy Xhubleta në trajtë kumone,
ndërsa në Dukagjin trajta e saj është më e përmbledhët. Zadrimorja e ka ruejtë
koretin e vjetër; mirditorja djahengun (dallamë e
leshtë e bardhë e punueme me spik e gajtana që veshin mirditoret) dhe
stravecat (petk i vogël punue me tufa për
me shtërngue dallmen në ije), ndersa kosovarja paranikët, bohçe që vihet perpara e mund
të jetë leshi, ose pëlhure, e punueme për bukuri. Puna e
dorës per gratë e maleve ma me rëndësi është xhubleta”.
Shamia. Në kokë gratë dhe vajzat mbajnë shaminë
– rizen – rubën me thekë. Sipër saj vihet ”ruba rretit”, e cila punohet me penjë
rroxet me grepa, zakonisht me motive floreale – lule të ndryshme që rriten në
truallin e malësisë. Shamia mbulon pjesën e pasme të kokës, duke i lënë të
dukëshme flokët në pjesën e përparme që thuren kaçurrela, ndërsa prapa lëshohen
lirshëm. Ruba lidhej mbi gjysmën e prapme të kokës.
Kur vajza fejohej,
qepte në xhubletë nje ”tentene” të punuar me grep nga peri i zi me motive
gjeometrike, si shenjë që simbolizon dhe bën publike fejesën e saj.
Çorapet. Zakonisht punoheshin nga coha
dhe tirku, por kanë dhe spik. Meqë kanë trashësi të dukshme dhe paraqesin
vështirësi në të mbathur, iu bëhet një prerje për së gjati, që mbërthimi i tyre
deri te shputa të bëhet me kamca. Çorapet zbukurohen me rruaza dhe tertil (fije
teli). Këputa është punuar me penjë leshi me shtiza dhe përbëhet prej dy
pjesëve, thembrës dhe këputës. Vajzat mbathnin çorapet të zeza deri mbi kyçin e
këmbëve, ndërsa pjesa e sipërm është e bardha. Ky kombinim i të zezës me ta
bardhën në thurjen me shtiza të çorapeve të vajzave, është komponent që
shoqëron xhubletën e vajzave me spik të zi dhe rena të bardha.
Opingat. Punohen nga burrat me lëkurë të
regjur gjedhi, të thuruna me ”përcageza” (shirita të hollë të prodhuara me
lëkure dhije, të përdredhura në formë kordoni të hollë, me të cilët mblidhet
qarku i opingës). Kishte edhe opinga nga ”saftjani”, por pjesën e fundme e
kishin me lëkurë lope.
Kompleksi i stolive që shoqërojnë kostumin hirosh të xhubletës dhe që plotësojnë bukurinë natyrale të grave shqiptare
Stolitë. Në kompleksin e veshjeve me
xhubletë janë edhe stolitë e shumta, të cilat
shprehin nivelin ekonomuk të familjes. Ne disa veshje këto zbukurime mungojnë,
ndërsa në shumicën e rastev janë varëse ari, ose argjendi, ose bakri, bronxi,
tunxhi etj, vihen gjerdanë me rruaza, pafta të vogla filigrane, shirita
me fije ari dhe fije argjendi, byzylykë të tipave të ndryshëm, shogëza në vend të rrypit të
mezit, që në bashkësinë e tyre në kostumin hirosh të xhubletës,
plotësojnë bukurinë natyrale të vajzave dhe grave shqiptare.
Kësisoj e kombinuar, xhubleta përfaqëson një institucion
të lashtë të kulturës matriarkale, trashëgim i jetës dhe i kulturës materiale protoilire
– ilire – arbërore, që ka mbijetuar denjësisht dhe ka arrijt deri në ditët tona
me bukurinë dhe vlerat e saj historike, kulturore, estetike dhe etnografike
shqiptare.
Xhubleta si komponent i kostumografisë tonë kombëtare, të mahnit me
vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi, shajaku dhe
kadifja, e cila njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve,
por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike.
Më të
çuditshme se aspektet materiale, janë teknikat e punimit të xhubletëve, që
dëshmojnë lashtësinë 4000 vjeçare, pra si veshje me komponente arkaike, por me
sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe etnografik, duke e
sjellë antikitetin si postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike dhe kode
enigmatike.
Xhubleta është kryevepra e
kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori,
është
kulturë shekullore, është
traditë, është mit, është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale
dhe gjeometrike me plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe
dhe mistike, është vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal
shqiptar unikal.
Që prej vitit 2022,
xhubleta është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të
UNESCO, në pritje të miratohet dhe të shpallet publikisht.