Speciale » Alia
Lutfi Alia: Kandavia - Treva, malet, rruga dhe tempulli Diana
E merkure, 14.08.2024, 08:00 PM
KANDAVIA: TREVA, MALET, RRUGA DHE TEMPULLI DIANA I KANDAVIA
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Në dorëshkrime, në
kronika, në veprat historike, në vepra letrare, në hartat antike, në dokumenta
kishtare, Kandavia rezulton emër treve -
Candavia; emër mali - Candavii Mons (Malet e Kandavias); emër tempulli -
Diana Candaviense dhe emëri i rrugës së lashtë - Via Candaviense, që fillonte
në Durrës, përshkonte tërthorë Epirin e Ri, kalonte përmes trevës malore të
Kandavias, kalonte në Ohër e Manastri dhe pasi zbriste në Selanik, vazhdonte
dhe arrinte në Bizanc.
Origjina e emrit Kandavia e trevës.
Sipas historianëve dhe arkeologëve N.
Ceka dhe L. Papajani: Kandavia ishte emri i lashtë i Ilirisë. [Neritan
Ceka, Lazër Papajani. Rruga në luginën e Shkumbinit në kohën antike.
Revista Monumentet 1971, Nr. 1, f. 43].
Sipas historianit
Luigi Bossi: “Emri Kandavia është shumë i vjetër, vjen nga kohët e lashtësisë,
me origjinë nga gjuhët sanskrite dhe pellazge, i ruajtur si toponim në
Albania”. [Luigi Bossi. Quadro
Geograficofisico e storico - politico di tutti i paesi e popoli del mondo.
Edizione Carlo Bertoni, Milano 1829].
Në se marrim në
konsideratë mendimin e historianit Luigi Bossi, i cili thekson origjinën
sanskrite të emrit Kandavia, duhet të pranojmë se Kandavia ekzistonte në vitin
1900 para K, pra rreth 4000 vite më parë.
Emri Kandavia
lidhet me legjendën e Dardanit dhe Kandavia (Harmonia). Sipas mitologjisë,
mbreti Korito i Tegea, i martuar me Elektra, e bija e Atlasit me Pleiona,
kishin katër djemë: Iasio, Dardani, Italo, Sikano dhe vajzën Kandavia. [Pseudo-Apollodoro, Biblioteca III, 5 e 4, 10,1].
Bokaçio shkruan se
motra e Dardanit ishte Kandavia: “Huic Iasius fuit frater, esto sint qui addant
Ytalum et Sycanum atque Candaviam sororem; et cum Coritho sola civitas”. [Giovanni
Boccaccio. De Geneologia Deorum Gentilium. Libri VI. Tradotta ed adornata Messer Giuseppe Betussi da
Bassano.1547, Ripubblicato da Edizione Gius. Laterza & Figli. Bari 1951. f.
107].
Diodor Sikulo
tregon tjetër varjant. Pasi lindi djalin Ytalo, Elektra pati lidhje të fshehta
dashurore me Jupiterin, me të cilin lindi tre fëmijë Iasio, Dardani e Kandavia.
Pas vdekjes të mbretit Korito, pretendent i fronit ishte Iasio, por Dardani
ambicioz, për të zënë fronin, e vrau vëllanë Iasio. Ky akt kriminal e revoltoi
popullin, që u ngrit kundër Dardanit, i cili për t’i shpëtuar ndëshkimit, mori
disa anije e bashkë me Kandavian dhe me mbështetësit e tijë besnikë, zbarkuan
në Samothraka. Më pas Dardani zbriti në Helespont dhe trojet që i pushtoi,
morën emërin Dardania. Në Helespont Dardani ndërtoi një qytet të ri dhe një
kështjellë të madhe. [Diodoro Siculo. Bibliotheca Historica, libri V, f. 47-
48].
P. Peruxhino,
bazuar në kronikat e Eusebio di Cesarea, ipeshkëvi i ?esareas (260 - 339
pas K) [Chronicon id est temporum
breviarium], thekson se ngjarjet e Dardanit dhe Kandavias, kanë ndodhur në
kohën e Moisiut dhe kur në Argo mbretëronte Steleni e në Frigia mbretronte
Tantalo, periudhë kohe që përkon rreth vitit 1300 para K. [Paolo
Perugino. Collectiones. Trattato di Mitologia. Edizione anno 1340].
Atë kohë, Kadmo, i
biri i mbretit Agenore në Tiro, ishte nisur në kërkim të motrës Europa, që e
kishte rrëmbyer Zeusi. Kur arriti në Samothraka, Kadmo njohu dhe u dashurua me
Kandavian, të motrën e Dardanit. Këtë lidhje dashurie e shfrytëzoi Zeusi, i
cili i propozoi Kadmos martesën me Kandavian, me kusht, që ai t’i ndërpriste
kërkimet për të motrën Europa. Kadmo e pranoi këtë kompromis dhe u martua me
Kandavian. Në dasmën e tyre, Zeusi dërgoi 12 hyjnitë e Olimpit. [Pierre
Grimal & A. R. Maxwell-Hyslop, The Dictionary of Classical Mythology, 1996,
p. 230]. [Roberto Calasso. Le nozze di Cadmo ed Armonia. Milano,
Adwlphi, 1991, pp. 20-280].
Kur Samothraka u
shkatërrua nga Dionisi, Kadmo me Kandavian dhe fëmijët, u detyruan të ikin e
pas një udhëtimi mundues, arrijtën te fisi ilir i Enkelejve, i cili atë kohë
ishte në luftë me fiset fqinje. Gjatë lutjeve të enkelejve në tempull, orakulli
u tha se, me në krye Kadmon, do ta fitonin luftën dhe atëhere populli e emëroi
komandant të ushtrisë dhe pas fitores, Kadmo u bë sovrani i Enkelejve. Në
nderim të kontributit të Kadmos, trevën veriperëndimore të mbretërisë të
Enkelejve e quajtën me emërin e Kandavia (Candavia - ?????????) dhe vargmalin në lindje të trevës me
emrin Malet e Kandavia - Candavii Mons. [Karl Patsch. Ilirët. Viena 1923. Përkthyer në shqip nga Karl
Gurakuqi. 1925]. [Maria Rocchi, Kadmos e Harmonia. Un matrimonio
problematico. Roma, L’Erma di Bretschneider, 1989, pp. 21 - 30]
Në moshë të
avancuar, Kadmo me Kandavia lindën një tjetër djalë, Ilirin (Illyrios). Sipas
mitologjisë, Iliri u bë mbreti i fiseve Liburne, me kryeqendër Rizonin. [Francis
Vian. Les Origines des Thèbes. Cadmos et les Spartes, Klincksieck, Paris 1963].
[Grimal & Maxwell-Hyslop 1996 , p. 230] [Apollodorus & Hard,
1999 , p. 103 (Libri III, 5.4)].
Historianët
Wilkes, Middlton dhe Jacques, theksojnë se mbreti më i hershëm i Kandavias
ishte Iliri, i cili vdiq në vitin 1225 para K. Nga kjo kohë, bashkësia e
popujve të epokës të hekurit në trojet ku mbretëroi Iliri, morën emrin e tij
Iliria (për grekët I????i?, për romakët Illyricum). [John Wilkes, Gli
Illirici, Genova, ECIG. 1998] [John Middleton, world Monarchies and
Dynasties – 1st. Edition, Routledge. New York 2015, p. 428] [Edwin
Jacques. The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the
Present, 1995, p. 124]
Ovidi, tregon një
varjant tjetër. Kadmo dhe gruaja Harmonia - Kandavia, të lodhur nga peripecitë
dhe fatkeqësitë në fisin e tyre, e braktisën Tebën dhe shkuan në Beoci. Pas
shkatërrimit të pallatit mbretëror nga Dionisi, Kadmo dhe Kandavia shkuan të
jetonin në Iliri. Në ditët e fundit të jetës, Kadmo mori përsipër mëkatet dhe
gabimet që kishte kryer në jetë, andaj si vetëndëshkim kërkoi të shndërrohej në
gjarpër, ashtu si kishte parathënë orakulli Febo i Delfit, pasi Kadmo kishte
vrarë gjarpërin gjigand (draguan). Kandavia nuk e braktisi bashkëshortin, por
shkoi pas tij, duke u shndërruar në gjarpër e të dy shkuan të jetonin në
thellësi të pyjeve të maleve Kandavias ilire. [Publio Ovidio Nasone.
Metamorphosis: IV, 562 – 8]. [Roberto Calasso. Le nozze di Cadmo ed Armonia. Milano,
1991, p. 20 – 280].
Treva Kandavia.
Në shekullin VII -
V para K, Kandavia ishte provincë e mbretërisë ilire të Enkelejve; në fillim të
shekullit IV para K u pushtua nga Ardianët, në gjysmën e dytë të shekullit IV
para K u pushtua nga Taulantët, ndërsa në fund të shekullit III para K, u shkëput
nga mbretëria e Taulantëve dhe kaloi në bashkësinë ilire të Parthinëve. [Myzafer
Korkuti. Revista Pera; Viti X
2005. Nr. 2, f. 32-45].
Në vitin 168 para
K, trojet ilire u pushtuan nga romakët dhe me organizimin e ri të territoreve,
romakët ia ndryshuan emrin Kandavias duke e quajtur Kunavia. Senati i
Republikës Romake, ashtu si bashkësive të tjera fshatare (Civitates ruralis)
dhe Kandavias – Kunavisë në Epirin e Ri në Provincën Illiricum, i njohu
statusin e principatës autonome, të qeverisur nga veteranët e legjioneve
romake, por jo nga dinastët vendas.
Ciceroni (Marcus
Tullius Cicero), në një letër dërgur Atikut më 28 maj 58 para K, e njoftonte se
fillimisht donte të kalonte përmes maleve Kandavia të Epirit, por
udhëtimi nëpër Kandavia ishte i vështirë, andaj pranoi këshillën e kuestorit
Gneus Plancio dhe së bashku udhëtuan nëpër via militaris - rruga e
ushtrisë”. (Marcus Tulli Ciceronis. Epistulae Tomus III:
Epustulae ad Atticum. Oxford Classical Texts, Calderon Press 1982].
Sipas Strabonit (60 para
K – 24 pas K) “Kandavia ishte treva malore e Ilirisë lindore, e banuar nga
parthinët. Luftat dhe revolucionet e kishin shkatërruar atë vend, sa shume
fshatra ishin shkretuar, aq sa për shumë vite nuk mundën të rindërtohen. Quod
est Candavia - kjo është Kandavia dhe vargmalet në lindje quhen Candaviae
Montes, ashtu dhe rruga që përshkonte trevën quhet Via Candavia. Ky rrugëkalim i lashtë, në shekullin
II pas K, u quajt rruga Egnatius. [Straboni: Geographica, libri i 7°, 7,6].
Në vitin 48 para
K, Jul Çezari tregon se gjatë marshimit për në Maqedoni, kapërceu lumin Emathia
në Kandavian e banuar nga parthinët ... praesidium que ibi Parthinorum
habitat. [Julius Cesare, Commentarii de bello Gallico e
bellis civilis”, lib III, p. 79. Venetis 1783].
Marcus Junnius
Brutus e përmend trevën e Kandavias në letrën dërguar Ciceronit me 19 maj të
vitit 43 para K, me të cilën thekson se e kishte shkruar letrën, kur u largua
nga një kështjellë e Kandavias së poshtëme: ex castris ad imam Candaviam.
[Clarke Martin Lowther. The noblest Roman: Marcus Brutus and his
Reputationa. Cornell University Press 1981]
Seneka (4 para K –
50 pas K), tregon se ?ezari marshoi nëpër terrenet e thyera
malore të Kandavias, ku kaloi lumin Emathia. [Lucius Annaeus Seneca. Tutte
le opere. Dialoghi, trattati, lettere e opere in poesia. Editore
Bompiani. Milano 2000].
Historiani romak
Lukani (39 – 65 pas K) thekson: “Çezari marshoi drejt lindjes në rrugën e
vjetër (Via Vetus), ku kapërceu lumin Emathia të Kandavia, duke kaluar nëpër
terrene të thyera me male të larta e gryka të thella: “Qua vastos aperit
Candavia saltus, contigit Emathiam, bello quam fata parabant. [Marcus
Annaeus Lucano, Bellum civile – Pharsalia, vol. II, p. 24].
Si në antikitet
dhe në mesjetë treva herë quhej me emrin e lashtë Kandavia, pas pushtimit romak
përmendet me të dy emërat Kandavia – Kunavia, por shpesh quhej Kunavia, si
rezulton në kronikat bizantine të Gjergj Akropolitit, kur përshkruan kufirin
veriore të kësaj treve të gjërë (emensa): “Dyrrachiique negotiis
compositis, in viam deducor, & Chunavia emenfa & montem,
quam Malam Petram cognominant, permeans, Matem progredior, inde que Derbem
appello cum universis ...” [Georgii Acropolites, Historia bizantinae.
Venetiis. Ex Typographia Bartlolemei Javarina. 1229, XX, 17. Doc. 39. f. 59 –
60].
Johann George von Hahn,
pasi vizitoi Martaneshin në vitin 1849 shkruan: “Kjo pamje malore e
Martaneshit, që është fqinje me Mollagjeshin, formon hyrjen e pjesës
perëndimore të Kandavias së vjetër,”. [Johann George von Hahn. Albanesiesche
Studien. Jena Verlag von Frodrich Mauke. Edit. in Wiena. 1854. f. 240].
Kandavia - Kunavia kishte shtrirje të gjërë. Kufiri verior ishte Mala Petra - Guri i Keq i fshatit Shkalla të Matit dhe në këtë trevë përfshiheshin Petralba (Guri i Bardhë), Klosi, Plani i Bardhë (Piana Bianca), Bulqiza, Martis - Martana (Martaneshi); Çermenika; në perëndim Tomadhea dhe Benda; në lindje Ternova, Gryka e Vogël; në juglindje Golloborda, Ohri (Lychnides), Pogradeci; në jug Librazhdi (Liberars), Qukësi, Prrenjësi, Bërzeshta, Mokra; në jugperëndim Mollagjeshi, Labinoti, Shmili, Polisi dhe Elbasani.
Vargmalet Kandavia - Candaviae Montes.
Straboni (60 para K
– 24 pas K), thekson: Quod est Candavia - kjo është Kandavia dhe vargmalet në
lindje quhen Candaviae Montes – Malet e Kandavia. [Straboni: Geographica,
libri i 7°].
Plini i Vjetër (23
- 79 pas K), duke përshkruar Kandavian, tregon “Malet Kandavia shtrihen 78 milje në lindje të qytetit Durrësit”. [Gaius Plinius Secundus: Naturalis Historiae,
Libri 3, 23. p. 26].
Vargmalet Kandavia
shtrihen në lindje të trojeve të Parthinëve ndërmjet lumit Mati dhe Drini i Zi,
fillojnë me malin e Bardhë në Bulqizë (Mons Bianca), vazhdojnë me malet e
Lopës, Dhoksit, Gretës, me vargmalet në lindje të lumit Shkumbin me malet e
Shebenikut, të Bërzeshtës, Prrenjësit, Pishkashit, të Qaf Thanës dhe
përfundojnë me malin e Thatë dhe Malin Bagora në jugperëndim të Pogradecit, me
kufirin jugor trojet e fiseve Dasarete, si e përshkruan Ana Komnena në vitin
1148 në veprën “Alessiade”. [Anna Comnena, Alessiade. Ediz. italiana 1846 -
1849, Biblioteca Laurenziana Firenze pag. 120].
Rruga Kandavia – Via Candaviense.
Në antikitetin
para romak, rrugëkalimi që niste në Durrës dhe përshkonte tërthor Ilirinë,
fillimisht njihej me emrat Rruga e Vjetër (Via Vetus) dhe Rruga e Ushtrisë (Via
Militaris, si tregon Ciceroni), ndërsa nga shekullit II pas K, romakët e
quajtën Via Egnatia (Rruga Egnacia), me emrin e Gnaeus Egnatius,
konsulli romak i Maqedonisë, i cili drejtonte punimet e kësaj rruge të lashtë
transperandorake. Rindërtimi i kësaj rruge filloi në vitin 146 para K dhe
përfundoi në shekullin II pas K dhe ishte e gjatë 1120 km. Ky rrugëkalim pasi
përshkonte tërthor Epirin e Ri, kalontë në Ohër, arrinte në Manastir (Heraklea
Lynkestidos), zbriste në Selanik dhe përfundonte në Bizanc. [Michele Fasolo,
La Via Egnatia I, da Apollonia e Dyrrachium ad Heraklea Lynkestidos. Istituto
grafico Editoriale Romano. II edizione Roma, 2005]
Sipas Strabonit (60 para
K – 24 pas K) rruga që përshkon Kandavian quhet Via Candavia.
Në shek. II pas K,
kjo rrugë u quajt Egnatia. [Straboni: Geographica, libri i 7°].
Rruga Egnazia
fillonte me dy degët, njëra niste në Apolloni, tjetra në Durrës dhe pasi
bashkoheshin në Clodiana (Peqini), stacioni i parë Mansio (Mansi), vazhdonte me
një trase, arrinte Nimfeun dhe termat e stacionit Mansio Ad Quintum
(Bradashesh), përshkonte përmes kështjellën Scampa, ku ishte Mansio i tretë. Në
lindje të Elbasanit kalonte para Teqes së Mansit të sotëme, ku ngrihej një
tjetër stacion Mansio; vazhdonte në bregun e majtë buzë lumit Shkumbin
(Genesis) dhe nëpërmjet urës me harqe (aktualisht quhet Ura e Haxhi Beqarit),
kalonte djathtas, ngjitej shpatit verilindore të Polisit dhe më pas zbriste në
stacionin Grandavia, që përkon me Rrafjet e Spatharit të sotëm, ku ndodhej një
stacion tjetër Mansio. Traseja e rrugës Egnacia
arrinte në stacionin Tres Tabernas (Qukësi – sipas Burdigala), që ishte
tip bujtine, më tej vazhdonte dhe arrinte stacionin Pont Servilio (Uraka e
sotme), ngjitej shpatit të malit, kalonte anash Përrenjësit, përmes fushës së
Domozdovës dhe arrinte stacionin Glaudanon në Qafë Thanë e në vazhdim zbriste
në Ohër (Lychnidòs) dhe vazhdonte për në Manastir (Heraklea Lynkestidos).
Emri Mansio (në
shumës Mansiones), është latinisht Mansus, që do të thotë ndalesë, bujtinë, pra
Mansio ishin stacione shërbimi, të ngritura në distanca 12 – 18 milje larg
njëri tjetrit gjatë rrugës Egnacia. Në periudhën perandorake Mansio shërbenin
si stacione poste, ku udhëtarët pushonin dhe ndërronin kuajt, për të ndjekur
rrugën deri në Bizanc. Ndërmjet dy stacioneve Mansio dhe në vartësi të terrenit
ishin Mutationes, ndërtesa me destinacion ndërrimin e kuajve dhe shërbime
restoranti (Taverna), si ai në Qukës, i quajtur Mutationes Tres Tabernas.
Ekzistenca e Mansio në rrugën Egnacia, është ruajtur në toponomastikën e
trojeve të Kandavias së lashtë, ku rezultojnë disa toponime Mansi, duke filluar
nga Mansi i Durrësit, Mansi në Klodiana e në vazhdim Mansi në dalje të
Elbasanit, me toponimin Rrapi i Mansit, me lëndinën hiroshe ku elbasanasit
festojnë ditën e verës dhe më Manset në Babje, në Qukës, në Prrenjës, në Qaf
Thanë, në Ohër, në Manastir etj.
Me shthurjen e sistemit skllavopronar dhe pas shkatërrimeve që shkaktuan dyndjet barbare në shekujt IV – VI pas K, rruga Egnacia e humbi rëndësinë e saj ekonomike dhe strategjike, pra e humbi rolin, që historia i pati njohur asaj gjatë periudhave të herëshme ilire dhe më pas gjatë sundimit të romakëve.
Tempulli Diana i Kandavias. (Dianae Augustae Candaviensis).
Banorët e
Kandavias së lashtë ishin pagan dhe nderonin hyjnitë e veta në tempuj të
shumtë, ndër të cilët ishte dhe tempulli i Thana/Zana, hyjnesha e pranverës. Në
periudhën helene tempuj e Thana/Zana ilire nuk u shkatërruan, por u përshtatën
hyjneshës helene Artemise. Edhe romakët nuk i shkatërruan tempujt e Thana-Zana,
as tempujt e Artemisës, por i përshtatën hyjneshës së pranverës Diana romake.
Historiani R. Del Ponte thekson: “Gjatë sinkretizmit fetar në periudhën e Romës
imperiale, hyjnesha Diana u identifikua me hyjnitë femëra orientale, dukuri që
ndodhi dhe me ilirët”. [Renato Del Ponte. Capitolo V: Nostra signora delle
selve, in opera “Dei e miti italici” Genova, ECIG, 1985, pp. 159 - 197].
Eruditi Eqerem
Çabej duke analizuar lidhjet ndërmjet Zanës ilire me Dianën romake ka
thënë: "Diana romake u shtri në Iliri, përmbi perëndeshën e vendit
Zana, e cila i ngjante asaj dhe i dha emërin e vet".
Vështruar në këto
aspekte kuptohet se gjatë proceseve të romanizimit të ilirëve dhe të
sinkretizmit fetar, romakët emrin Thana/Zana, e zëvendësuan me emërin Diana.
Krijimi i kultit dhe rritja e hegjemonisë të hyjneshës Diana ndër fiset ilire
të Parthinëve, dëshmohet me tempullin e famshëm të Diana në Kandavia.
Një ndër
dokumentat e rëndësishme që dëshmon për ekzistencën e këtij tempulli është
Tabula Peutingeriane e shekullit III – IV pas K, ku tempulli Ad Dianam
Candaviense, vendoset në lindje të Skampës (Elbasanit), majtas lumit Genesis
(Shkumbini), në stacionin VIII të rrugës Egnacia. [Annalina Levi e Mario
Levi. La Tabula Peutingeriana in scala 1 : 1. Edizione Edison 1978] [Ciurletti
G, Tabula Peutingeriana. Codex Videbonensis, Trento. U.C.T, 1991]
Njoftimin e parë për këtë tempull e dha austriaku Von Camillo Praschniker, i cili në vitin 1916 zbuloi një pllakë mermeri me mbishkrimin Ad Dianae Augustae Candaviensis - tempulli i të Madhërishmes Diana i Kandavias. Për këtë zbulim Praschniker shkruan: “Votivara aus vv'eißem Marmor, oben und links alter Bruch, der rückwärtige Teil vom Finder abgeschlagen. Gefunden knapp am linken Ufer derMoraca, unweit des Hauses Milo Stamatovic, zusammen mit zahlreichem, von der römischen Brücke stammenden Steinmaterial. Höhe 67 cm, Breite 42 cm, Dicke 14 cm. Diese Weihung an die Diana Augusta Candaviensis steht augenscheinlich mit der Candavia ... Një përkushtim në mermer të bardhë, në këndin e sipërm majtas ka një thyerje, si dhe dëmtime në faqen e pasme. Këtë bllok mermeri e gjetëm në bregun e majtë të Moraça, jo shumë larg shtëpisë të Milo Stamatoviç, ku gjetëm dhe materiale të tjera prej guri pjesë të urës romake. Pllaka e mermerit ka lartësi 67 cm, gjërësi 42 cm, trashësi 14 cm. Ky dedikim për Diana Augusta Candaviensis lidhet padyshim me Candavia”. [Von C. Praschniker und A. Schober. Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro. Wien. In Komission Bei Alfred Holder. 1919, pp. 20 - 80].
Camillo
Praschniker e deshifroi dhe e plotësoi mbishkrimin e gdhendur në pllakën e
mermerit ku krahas emrit Diana Augusta Candaviensis, është dhe emri Titus
Flavius, çka sugjeron se ky tempull ishte ngritur kur Perandor i Romës ishte
Titus Flavius Vespasiano (39 - 81 pas K).
Dian (ae)
Augustae
Candavie(n)si
T(itus) Fl(avius)
Dionysi D(onum) P(osuit).
Në frazën e fundit
theksohet: “Aty hyjnia Dionisi vinte dhuratat” [Dionysi D(onum) P(osuit)].
Ku ngrihej tempulli Diana i Kandavias?
Kjo pyetje ka
munduar arkeologët, historianët, albanologët, etnologët, antropologët,
gjeografët, të cilët janë munduar të identifikojnë vendin e saktë ku ngrihej ky
tempull i famshëm iliro-arbëror, madje kanë shtruar pyetjen: A ishte vetëm një
tempull, apo ishin disa tempuj të dedikuar Dianës në trevën e gjërë të
Kandavias?
Vijon në numërin e ardhshëm ...