Speciale » Alia
Lutfi Alia: Meditime – Jonufër, korrik 1966
E premte, 23.05.2025, 07:00 PM
MEDITIME: JONUFËR – KORRIK 1966
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Në qershor të
vitit 1966 përfunduam provimet e vitit të parë në Fakultetin e Mjekësisë. Atë
vit, qershori bëri shumë nxehtë, çka i shtoi më shumë emocionet dhe lodhjen që
na kishin krijuar përgatitjet për provimet. Më 29 qershor ishte provimi i
fundit në kimi inorganike dhe kimi organike. Në mëngjesin e asaj dite, erdhi
kryesekretaria e fakultetit Donika Buda, e cila na njoftoj se më 30 qershor, në
orën 8.00 të paraqiteshim në sheshin para korpusit të Universitetit, pasi nga
aty do të niseshim për në aksion në Jonufër të Vlorës.
Përfundimin me
sukses të vitit të parë e festuam në darkë te klubi i Mistos, me nga një gotë
birrë, një bërxollë e një panine. Ishim unë, Krist Morcka, Kujtim Kotorri dhe
Sofokli Eksarho. Ishte darkë gazmore, që e kaluam me humor, me kujtime të
shumta në frekuentimin e leksioneve, të praktikave mësimore, të laboratorëve, kuj-tuam
dhe çapkënlleqet tona të shumta.
1.
Në mëngjesin e ditës
së nesërme të atij fundqershori, shkuam në sheshin para korpusit të
universtietit, që ishte mbushur me studentët e fakulteteve të tjera, të caktuar
për në aksionin e hapjes të brezareve në Jonufër. Një kolonë e gjatë me kamiona
Škoda ishte rrjeshtuar në anë të sheshit. Organizatorët, me mikrofona njoftonin
numërin e kamionit për çdo fakultet dhe sipas kurseve. Pasi u sistemuam në
kamiona që ishin caktuar veç për djemtë dhe veç për vajzat, në orën 9.00 autokolona
e kamionave nisi udhëtimin e gjatë. Kaluam nga rruga e Ndroqit. Mëngjesi ishte
relativisht i freskët, por më pas filloi i nxehti përvëlues. Vetëm ata që ishin
kë krye të karrocerisë rrinin në këmbë, të tjerët të gjithë ulur dhe me diellin
e nxehtë mbi kokë. Vapa përvëlues na shtonte etjen, por asnjeri nga ne nuk
kishte marrë shishe, apo pagure me ujë. Asi kohe nuk kishte shishe plastike për
ujin e pijshëm. Para se të arrinim në Kavajë, i kërkuam shoferit të ndalej të
pinim ujë. Kështu ndaluam në Rrogozhinë, në Lushnje, në Fier dhe në Vlorë.
Rreth orës 13. 00 mbërrijtëm në Jonufër, ku ishte ngritur kampi i aksionit me
kapanonet buzë detit.
2.
Zbritëm nga
kamionat duke shkundur pluhurin që kishim marrë gjatë udhëtimit. Jonufri na u
prezantua me bukuritë magjepse të detit dhe të kodrave të ulëta në lindje të
mbuluara me gjelbërim. Të gjithë rendëm ne breg të detit, futëm këmbët në ujë dhe
duke qëndruar përballë detit kundronim shtrirjen e gjërë të ujit me ngjyrë blu-smerald,
ndjenim aromën e detit dhe flladin freskues. Në anën lindore të Jonufrës, përtej
kodrave me shkurre ndodhej fshati i Rradhimës, në jug-perëndim ishte Orikumi i
famshëm, më tej shtrihej gadishulli i Karaburunit dhe përballë ishulli
misterioz i Sazanit. Bregu i detit në Jonufër nuk kishte rërë, ishte breg i
ashpër, mbushur me gurëza të vegjël e me ndonjë shkurre zvarritëse të rrallë,
por na mbushi me gëzim dhe entusiazëm, se do të laheshim për ditë, madje
filluam të lahemi që ditën e parë, kështu vepruam gjatë gjithë muajit korrik.
Organizatorët kishin
ngritur dy tipe fjetoresh. Për djemtë ishte vargu i kapanoneve pesë metra larg
bregut të detit, të ndërtuara me gardh me thupra frashëri dhe të mbuluara me
beze të trashë. Na thanë se gjatë verës në Jonufër nuk bie shi, andaj të mos
preokupoheshim, por në fakt ndodhi e kundërta, një natë meskorriku rigoi aq
shumë shi, sa u lagëm të gjithë e të nesërmen nuk shkuam të hapim brezaret, por
ndemë bataniat dhe rrobat e lagura mbi gardhet e kapanoneve, që të thaheshin në
diellin përvëlues.
Nuk kishim
dyshekë, por një shtresë bari të thatë, dy batanie, njerën e përdorëm për
shtrojë dhe tjetrën për t’u mbuluar. Ne djemtë e vitit të parë na sistemuan në
kapanonin e parë, në vazhdim studentët e vitit të dytë dhe në të tjerët djemtë
e fakultetit Histori-Filologji. Pas kapanoneve të djemëve shtrihej një shesh i
gjërë, më tej dy ndërtesa me mure të mbuluara më eternit, që ishin fjetoret për
të gjitha vajzat aksioniste. Para këtyre ndërtesave ishte mensa, një ndërtesë
me kolona, por pa mure, me çatinë të mbuluar me eternite.
Pasi u sistemuam
nëpër fjetoret, na rrjeshtuan në shesh sipas brigadave. Komandanti i shtabit të
aksionit na komunikoi se ditën e nesërme do zgjoheshim herët pa lindur dielli
dhe do të ktheheshim në kamp, pas orës 11.00 kur të fillonte i nxehti i madh.
Drekën e hëngrëm vonë në mensë. Tavolinat ishin pa mbulesa, ushqimet na i
servirën në pjata alumini dhe si kamarjere na shërbyen vajzat e kursit.
Pasdreke u ulëm në
bregun para kapanonit duke kundruar detin me dallgët, që ndiqnin ritmikisht
njera tjetrën dhe çdo njera prej tyre, kur afrohej bregut shkumohej dhe
thërmohej në breg si një muzikë adaxhio e shtyrë nga flladi i freskët i pasditës.
Ishte një flladë përkëdhelës që fliste me detin dhe deti përgjigjej me dallgët,
që këndonin butësisht. Pëshpëritjeve të detit i shtoheshin dhe klithmat e
pulëbardhave, që fluturonin vrullshëm në grupe. Deti na bëri të harrojmë
lodhjen nga udhëtimi i gjatë dhe na largoi të nxehtin përvëlues të asaj dite
fundqershori. Në pasdite dielli filloi të zbriste në horizont dhe sa më shumë ulej,
gjithnjë e më shumë qielli përflakej, duke i dhënë dritë të ndryshme çdo dallge.
Ndërsa meditoja duke vështruar me kënaqësi vallen dhe këngën e dallgëve, m’u
kujtua një thënie e Albert Kamy: “Vetëm muzika është në lartësinë e detit”.
Rreth orës 20.00, dielli
zbriti dhe u fsheh pas në vijën e largët të horizontit, por rrezet vazhdonin ta
ndriçonin qiellin. Ishte çast i bukur, me natën që vinte nga lindja dhe ditën
që largohej në perëndim me diellin.
Përhumbjen tonë në
bukuritë dhe misteret e detit e të muzgut që afrohej ngadalë e me ndrojtje, e
ndërprenë thirrjet në altoporlant, që na njoftonin të rrjeshtoheshim në shesh
për të ngrënë darkën. Na servirën patate të ziera me nga dy feta buke. Hëngrëm
me uri dhe njeri pas tjetrit u ngritëm dhe shkuam përsëri buzë detit, që ishte
qetësuar me lëkundje të lehta valësh, që përfundonin me dallgë të vogla, që
preknin bregun me delikatesë e me një pëshpëritje kënge ujore të shurdhët. Shumica
e djemëve dhe vajzave shetisnin bregut të detit, ndërsa ne djemtë e grupit tonë
u ulëm në breg dhe kundronim detin e qetësuar dhe flisnin për bukuritë e detit,
kujtonim ditët e provimeve dhe komentonim regimet e pedagogëve ndaj
përgjigjieve tona.
Këtë atmosferë
magjike na e nderpreu thirrja në autoparlant, duke na urdhëruar të shkonim të
flinim, se të nesërmen me 1 korrik do të zgjoheshim pa lindur dielli. U shtriva
në “dyshekun” me bar, por nuk vinte gjumi, ishte çorientuar nga lodhja dhe nga
bukuritë e detit, andaj atë natë më braktisi. Rrija shtrirë me sytë mbyllur dhe
dëgjoja pëshpëritjet e dallgëve, që lehtë përkëdhelnin bregun. Tepër vonë zbriti
Morfeo e më pushtoi gjumi.
3.
Në orën 3. 30
ushtoi autoparlanti me muzikë dhe me thirrje të zgjoheshim e të rrjeshtoheshim
në shesh. U ngrita me vështirësi. Më dhimbte shpina nga shtrati i gurtë. U
vesha e së bashku me shokët e kursit dolëm dhe u rrjeshtuam në shesh. Qielli në
lindje kishte një ndriçim të bardhë me nuancë të kaltërt, ku ndahej nata me
ditën që po lindëte ngadalë, e shoqëruar nga ylli Aferdita që ende vezullonte.
Ishte një ditë e freskët, e pushtuar nga qetësia e mëngjezit, që ngadalë u shua
nga bisedat e aksionistave që kishin mbushur sheshin.
Pasi na dhanë
udhëzimet e para, u nisëm drejt kodrave të mbuluara me shkurre dhe me pemë të egra.
Pylli ishte i dendur dhe fillonte me shkurre të shumta, ndër ato dallohej një
bimë halore, e quajtura Sabina zvarritëse, që rritej me degët e dendura të shtrira
horizontalisht dhe vazhdonte me një lloj kaçube me degë të holla, që e quanin
Fshesa e bardhë; ashtu si kishte plot gjineshtra luleverdhake, ferra, shqopa,
dëllenja, trëndafila të egër, koçomare dhe pemë gjetherënëse si shkoza, driza,
frashëri, ndonjë dushk i vogël dhe ndërmjet tyre barishte të shumëllojshme,
shumica me lule, që shpërndanin një aromë të këndëshme.
Detyra e jonë
ishte t’i prisnim, t’i shkulnim të gjitha shkurret, pemët, barishtet dhe të
gërmonim dheun për të hapur brezaret, ku në të ardhmen do të mbilleshin
portokalla, limona, mandarina e pemë të ndryshme frutore. Pasi na paisën me
kazma, me lopata, me sopata dhe me karroca dore, normisti na caktoi frontet e
punës ku do të punonim, duke na porositur të respektonim nivelin horizontal të
brezares dhe pjerrësinë e skarpatës, ashtu si ishin përcaktuar me piketat që
kishin vendosur gjeometrat. Normisti na udhëzoi si të punonim, si t’i prisnim
shkurret dhe si t’i shkulnim me rrënjë, që të mos mbinin përsëri, ku dhe si do
ta zbraznim dheun e gërrmuar. Komandanti i brigadës tonë Sul Mema na njoftoi
orën kur do të hanim mëngjezin, që do të na e binin në vendin e punës dhe se do
të ktheheshim në kampin e aksionit pas orës 11. 00, kur zhegu i asaj vere bëhej
i padurushëm. Si të mos mjaftonin gjithë këto këshilla, Sula theksoi të
plotësonim normën, ta mbyllnim ditën e aksionit me realizimin 100 % të normave.
Në fakt ky objektiv nuk ishte preokupimi i jonë. Realizimi i normës varej nga
intensiteti i impenjimit tonë në punë, por dhe nga terreni, se kur kishte pemë
të shumta nuk arrinim të plotsonim normën, që na caktonte normisti. Një ditë,
pas një lodhje cfilitëse, u ulëm të pushonim dhe Kujtimi bëri një pyetje: “Në
seee neee nuk e realizojmë noooormën, çfarë dooo të na bejnë?” Ne qeshëm dhe iu
përgjigjëm: “Asgjë nuk do të na bëjnë, se ne do t’i themi, faji ishte i
Kujtimit që nuk punonte”.
Skuadrën tonë e
caktuan në një terren me mbizotërim të shkurreve dhe ne menduam se ishte me e
lehtë t’i prisnim e t’i çrrenjosnim, por në fakt na munduan shumë. Në skuadrën
tonë isha unë, Krist Morcka, Kujtim Kotorri, Sofokli Eksarho, Rifat Shahi,
Liman Sheshi, Vasil Kacorri, Bujar Isaku dhe pesë vajza Mine Struga, Drita
Kotrri, Manila Selimi, Xhevrie Karamuça, Mira Katragjini e Lamiha Laçi. Më
shumë punonin Kujtimi, Sofokliu, Rifati dhe Vasili, ne të tjerët më pak dhe me
ngadalë, ndërsa vajzat me rradhë shkonin dhe mbushnin gjymat me ujë, që e pinim
për të shuar etjen, por e përdornim dhe për t’u freskuar dhe pse na kishin
porositur të mos abuzojmë më ujin, ta përdornim vetëm për të pirë. Vajzat
shkonin e merrnin dhe na shërbenin mëngjesin, që ishte dy feta buke më djathë
të bardhë, ose me një fetë marmallatë molle. Me që vëllai i Kujtimit, student
në Fakultetin e Histori – Filologjisë ishte përgjegjësi i mencës, e ngarkonim Kujtimin
me mision të shkonte e të na merrte ndonjë racion suplimentar buke, ose djathi,
ose marmallate, që të shuanim urinë. Racioni i bukës dhe i djathit, që na
jipnin në mëngjes, nuk na mjaftonte për të përballuar intensitetin e punës.
Tre ditët e para
ndjenim dhimbje muskujsh, kuptohet pas një muaji mbyllur për provimet, muskujt ishin
plogështuar, nuk po përshtateshin punës fizike, ndjenim dhimbje dhe lodheshim
shpejt, por më pas muskujt u tendosën dhe u aktivizuan mirë, çka ndikoi në
rritjen e rendimentit të punës. Kështu punonim çdo ditë, të impenjuar e me
ritëm normal, ndërsa dita e djelë ishte pushim.
Me punën tonë
shkurret dhe pemët bregdetare u çdukën gradualisht dhe nga dita në ditë
brezaret filluan të merrnin formë, të vendosura paralel njera mbi tjetrën dhe
të shtrira si gjerdanë në gjërësinë e kodrinave, që e ndërruan pamjen dhe
ngjyrën natyrale. Pejsazhi kodrinor i Jonufrit pësoi metamorfozë, kodrat
filluan të çvishen, e gjelbërta u zhduk, rilievi ndryshoi formën dhe ngjyrën, nga
e gjelbërt u shndërrua në ngjyrë të hirtë - në bezhë të turbullt.
4.
Kohën pas pune e
kalonim duke u larë në det, duke pushuar në kapanonet dhe në mbrëmje duke
shetitur në
grupe buzë detit. Atë
muaj e përjetuam detin me bukuritë, me përmasat e paana, me ngjyrat që i
ndryshonte gjatë ditës dhe natës, me simfoninë joshëse të dallgëve, me misteret
e shumta që fshihte në thellësi. Deti ishte binomi i shpirtit tonë rinor, deti
ishte muzika që na frymëzonte ëndërrat e shpirtit. Ndërsa rrinim shtrirë në breg
duke marrë rreze dielli, vështronim dallgëzimin blu-smerald të detit dhe
kaltërsinë e qiellit, që bashkoheshin mes tyre në horizont me një kaltërsi të
ndritëshme. Qielli dhe deti janë si dy pasqyra, ditën reflektojnë njeri
tjetrin, ndërsa natën dëgjojnë njeri tjetrin dhe ne rrinim mes tyre si
spektatorë të vëmëndshëm, duke admiruar simfoninë e detit, që na krijonte kënaqësi
dhe qetësi shpirtërore.
Deti nuk është
kurrë i qetë, vazhdimisht lëkundet me valë, hidhet me dallgë duke zhurmuar
ëmbël, si një simfoni me melodi ritmike. Edhe ne jemi si dallgët e detit, të
cilat dhe pse thërmohen kur përplasen me bregun, ato vazhdojnë të rilindin përsëri
ritmikisht, ashtu si ne rifillojmë jetën çdo ditë nga e para. Dhe jeta është si
deti, një ditë e qetë, një ditë tjetër e trazuar. Deti kundrohet dhe dëgjohet
kur lind e kur perëndon dielli dhe ne i përjetuam këto situata të magjishme në
mëngjes dhe në darkë, por nuk patëm fatin të shikonim të egërsuar, si ndodhte
në dimër, kur zemërohej dhe përgjigjej me dallgë të larta e të shkumëzuara. Atë
verë, korriku ishte i ngrohtë dhe deti valëzonte butësisht dhe me qetësi
mahnitëse.
Detit i gëzoheshim shumë në mesditë, kur ktheheshim nga puna, sepse jo vetëm laheshim e pastroheshim nga pluhurat, por dhe freskoheshim dhe përballonim të nxehtin përvëlues. Të shtrirë në breg kundronim me qetësi dhe me endje të madhe bukuritë dhe madhështinë e detit. Paanësia e detit na nxiste fantazinë, memoria rendëte sa në të kaluarën, aq dhe me imagjinatën për të ardhmen. Kur kundronim bukuritë e detit fillonim të ëndërronim me sy hapur. Mos u çuditni për këto që iu tregoj, sepse ëndërrat si shprehje e jetës mendore për ne të rinjtë, janë një formë komunikimi simbolik i emocioneve dhe i mendimeve. Ëndërronim dhe bisedonim mes nesh për të ardhmen, kur pas katër vite do të përfundonim studimet në mjekësi dhe do të shkonim të punonim mjekë. Nuk ishin ëndërra në sirtar, por ëndërra frymëzuese dhe reale.
Në mënyrë të
veçantë i përjetonim bukuritë e detit në mbrëmje. Shtrirja në pafundësi, takimi
me horizontin, mbuluar me qiellin e yllëzuar, lëkundjet me valëzime të lehta
dhe ngjyra blu e errët e detit, na krijonin ndjenja hipnotike. Kënga e ëmbël e
dallgëve na frymëzonte meditime, na krijonte qetësi shpirtëror dhe relaks,
madje harronim kohën, mbeteshim rob i botës së madhe të detit, harronim
gjithçka për rreth, harronim lodhjen, urinë, gjumin, kështu atë muaj u
shndërruam në robër të detit, në një farë mënyre ishim spektatorë dhe
bashkautor me detin. Deti bëhej më i bukur në netët me hënë, sidomos kur hëna
fillonte të zbriste në perëndim dhe drita e saj e zbehtë projektohej në
sipërfaqen e valëve të detit, si një shirit i ndritshëm, që arrinte deri në
breg para nesh dhe ky shirit drite herë ngjyrë argjendi, herë ngjyrë të verdhë
na lidhte me hënën. Ne rrinim përballë dhe flisnim me Selenën, hyjneshën e
natës, që shtegëtonte ngadalë e shoqëruar nga moria e yjeve vezullimtar.
Deti, dielli dhe
hëna na kishin bashkuar në miqësinë tonë rinore të pastër e të sinqertë, sepse
ato shprehin momente melankolie dhe misterjoze, krijonin qetësi, paqe dhe
gëzim, kështu shpirtat tonë ndriçoheshin herë ngë dielli që na ngrohte, herë nga
deti që na relaksonte, por dhe nga hëna bukuroshe me rreze të argjendëta, që
ndriçonte mbrëmjet e jetës tonë rinore.
Dita bëhej më e
bukur dhe më romantike, kur në qiellin e kaltër të Jonufrit ishin të dy së
bashku, dielli rrezeartë dhe hëna e fildishtë, një duet hyjnor, që udhëtonin së
bashku në qiellin e kaltër. Në këto ditë hëna shoqëronte diellin që zbriste
ngadalë në perëndim dhe priste të arrinte nata.
Në netët e errëta pa hënën, ne shtriheshim në breg dhe vështronim yjet, duke bërë garë midis nesh kush të identifikonte më shumë konstelacione. Konstelcionet e Arushës së Madhe dhe të Arushës së Vogël i identifikonim shpejt, ndërsa konstelacionet e tjera me vështirësi.
Dielli dhe hëna,
atë pasdite korriku 1966, pas shiut që rigoi në Jonufër
5.
Deti fshihte dhe
të papritura të pakëndëshme. Që ditën e parë u përballëm me iriqat e detit, me
gjembat e shumtë e të mprehtë që na nguleshin në tabanet e këmbëve sapo hynim
në ujë. Fundi i detit në Jonufër ishte guror dhe i mbushur me iriqa deti. Nuk i
njihnim vlerat ushqimore të tyre, për pasojë, sa herë na çponin këmbët i kapnim
me kujdes dhe i hidhnim në breg. Kështu shfarosëm një numër të madh iriqa deti
dhe me siguri Poseidoni ishte zëmëruar më këtë masakër që kryem atë muaj. Ndërsa
shumica prej nesh nuk i njihte vlerat ushqimore të iriqave të detit, disa djem
vlonjatë i hanin krudo, pasi e hapnin guackën me thikë.
Pasdite dhe në
mbrëmje, kur rrinim në breg të detit dëgjonim muzikën që ushëtinte në
autoparlantet e kampit. I vetmi aktivitet argëtues që u organizua atë muaj
aksioni, ishte një lundrim me anije në gjirin e Vlorës, deri përballë shpellës
të Haxhi Aliut. Kjo shpellë gjithmonë kishte tërhequr vëmëndjen tonë për emrin
e veçantë dhe vendndodhjen dhe kur e pamë, u mahnitëm për madhësinë dhe formën
natyrale e me stalaknitet në harkun e sipërm të hyrjes. Kurioziteti na shtynte
të dinim pse kjo shpellë mbante emrin e Haxhi Aliut, por ciceroni që na
shoqëronte në këtë lundrim, nuk e kishte të qartë, nuk dinte të na spjegonte në
se Ali Ulqinaku ishte pirati që fshihej në këtë shpellë, apo ishte kapedani
ulqinak që luftonte kundër piratëve turqë dhe italianë, që i sulmonin dhe i grabisnin
banorët e trojeve tona bregdetare. Kjo enigëm mbeti pa një spjegim bindës.
Ky ishte lundrimi
i parë me anije dhe sinqerisht iu them, më ka lënë mbresa të këndëshme e të
pashlyshme.
6.
Aktivitetet argëtuese
na mungonin. Gjatë muajit të aksionit nuk organizuan asnjë koncert me
këngëtarë, as shfaqie estrade, as mbrëmje vallëzimi, vetëm muzikë në
autoparlantët e kampit dhe larja në det. Pasi hanim darkën, mbrëmjen e kalonim
me shetitje buzë detit. Në mbrëmjen e të shtunës së dytë të muajit, kur unë,
Krist Morcka dhe Kujtim Kotorri po shetisnim bregut të detit dhe larg nga kampi
i aksionit, takuam Kristofor Zhukën me të fejuarën e tij Teftën dhe ato studenta
në mjekësi, që kishin përfunduar vitin e dytë. Kristofori kishte në krah një
kitarë, madje e dinim se jo vetëm luante në kitarë, por dhe këndonte bukur, si
e dëgjonim shpesh kur luante me kitarë dhe këndonte bashkë me shokët e
kapanonit. Pasi u përshëndetëm, Kristofori na ftoi t’i shoqëronim. U larguam shumë
nga kampi dhe pasi nuk takuam aksionista të tjerë, u ulëm buzë detit. Bisedat
miqësore ndiqnin njerë tjetrën, tregonim barcaleta, flisnim për provimet,
kujtonim çaste të vështira, por dhe çaste të bukura, madje Krist Morcka
improvizonte me humor rastet kur ndonjë nga shokët e grupit, në provim gabonte
në përgjigjie dhe pedagogu jo vetëm e korigjonte, por dhe e ironizonte duke i
thënë: “Të lutem më thuaj ku i ke lexuar këto gjëra interesante, se unë nuk i
kam thënë në leksione?!”
Kështu kaluam një
pjesë të kohës atë mbrëmje e më pas Kristofori mori kitarën dhe filloi të
këndonte. Fillimisht ne e dëgjonim, por më pas kur këndoi këngë korçare, që
ishin shumë të preferuara nga rinia, sidomos kur subjekti ishte dashuria,
atëhere filluam të këndonim edhe ne, por stononim aq shumë sa Kristofori qeshte
dhe na korigjonte tonalitetin. Këtë koncert buzë detit e mbyllëm me këngën
përmetare “Do marr çiften do dal për gjah”, madje vazhduam ta këndonim dhe kur
po ktheheshim, por e ndërpremë kur u afruam shumë kampit, sepse Kristofori duke
qeshur tha: “E mbyllim se rrezikohet të zgjojmë shokët e shtabit, se ata flenë
me pulat”. Para se të ndaheshim Kristofori na tha: “Të shtunën tjetër do të
takohemi përsëri, se do të vij dhe një miku im, një këngëtar i talentuar, që në
të ardhmen do të bëhet i famshëm”. E
besuam Kristoforin, mbetej të prisnim deri të shtunën e ardhëshme, që të
njihnim e të dëgjonim këngëtarin misterioz. U përshëndetëm dhe shkuam në
kapanonet tona. Ndjeheshim të lumtur për atë mbrëmje të bukur e gazmore, por
ishim kureshtarë të dinim kush ishte ky këngëtar i talentuar. Përmendnim ndonjë
student të fakultetit tonë, që mendonim se këndonte bukur, por asnjeri prej
tyre nuk na bindëte. Takimi të shtunën e ardhëshme u shndërrua në një enigëm,
që na shoqëroi gjatë tërë javës.
Atë natë bëmë një
gjumë të qetë. Dihet se muzika dhe këngët ushtrojnë efekte pozitive në
mirëqenien psiko-fizike dhe shpirtërore të atyre që i dëgjojnë. Nuk është vetëm
kënaqësia që krijojnë, por melodia muzikore dhe këngët ndikojnë pozitivisht në
mendjet tona, në gjendjen tonë shpirtërore, ulin stresset, përmirësojnë
humorin, influencojnë në rregullimin e aktiviteteteve të zemrës e të
frymëmarrjes, largojnë lodhjen, fuqizojnë funksionet konjitive, shtojnë
endorfinat në sistemin nervor qendrorë, të cilat krahas efekteve të më sipërme,
rrisin dhe autostimën, rregullojnë një gjumë të thellë e çlodhës. Këto efekte i
përjetuam atë natë të shtune të muajit korrik dhe me padurim prisnim të
takoheshim të shtunën e ardhëshme.
7.
Erdhi dhe e shtuna
e tretë e atij muaji aksioni. Dita kaloi në rregullin e zakonshëm, zgjimi herët
pa lindur dielli, puna në brezaret, dreka në mensë, pasditja në det dhe pasi
hëngrëm darkën, unë Kristi, Kujtimi dhe Sofokliu, u nisëm ngadalë për në vendin
ku ishim takuar të shtunën e kaluar. Ndërsa po ecnim bregut të detit, takuam dy
shoqe të grupit, Drita Kotrri dhe Manila Selimi, që dhe ato po shetisnin. Pasi
u përshëndetëm i ftuam të vinin me ne, i treguam për takimin tonë dhe ato
pranuan ta kalonim atë mbrëmje së bashku. Manila ishte vajzë e shkathët dhe
hokatare, ndërsa Drita ishte serioze dhe e rezervuar, por shumë e mirë në
mësime. Ajo i filloi studimet në fakultet në moshën 16 vjeç dhe është e vetmia
studente shqiptare, e diplomuar mjeke në moshën 21 vjeçe. Me që ishte më e
vogla e grupit e ngacmoja me humor, duke i thënë Manilës: “Mama Manila, si po
shkon pioneria me mësimet? Drita rrinte serioze e nuk reagonte, ndonëse mes
nesh ishte krijuar një miqësi e bukur dhe me respekte reciproke, ndërsa Manila
e kishte gati përgjigjien: “Më mirë se ju çunat, merrni shembull nga Drita dhe
ju banda e dembelave ...”
Ndërsa shetisnim
bregut të detit, arrijtën Kristofori, Tefta, me ata ishte Sokrat Meksi dhe një
djalë simpatik, që e takonim përherë të parë. Pasi u përshëndetëm, Kristofori e
prezantoi: “Ky është miku im Sherif Merdani, student në fakultetin e dhaskalëve
dhe këngëtar i talentuar”.
U ulëm në rreth e
pas nje bisede të shkurtër miqësore ata filluan të këndonin, së pari këngë
korçare sepse Sherifi ishte mjeshtër i i këngëve qytetare korçare, më pas
vazhduan me këngët e Agim Prodanit, të dedikuar nënës dhe mjekut. Për ta bërë atmosferën
më gazmore dhe më miqësore, të dy kënduan këngë nga qytetet tona të origjinës,
si këngë qytetare elbasanase, tiranse, durrsake dhe shkodrane. Kristofori dhe
Sherifi këndonin, ndërsa ne të entusiazmuar admironim talentin e tyre, dëgjonim
zërat e tyre melodioz dhe të ëmbël, ndërsa ne vetëm dëgjonim, sepse si të
stonuar që ishim, nuk donim t’ua prishnim bukurinë e këngëve. Kur erdhi rradha
e këngëve shkodrane ndodhi e papritura më e bukur. Sherifi i tha Kristoforit se
do të këndonte një Jare shkodrane. Të gjithë u befasuam. Kristi e pyeti: “Ç’kuptim
ka fjala Jare?” Para se të fillonte të këndonte Sherifi na spjegoi: “Jare është
modifikim në të folmen shkodrane i emrit arie e operave lirike. Melodia e
Jareve shkodrane është si arie me një shtrirje të gjërë tonaliteti, kalon mbi
dy oktavë, rritet deri në notat akute, veçori që nuk i kanë këngët lirike, çka
i dallon jaret nga format homofonike liriko - epike dhe sidomos nga këngët e
ahengut qytetar shkodran, në të cilat ndjehet ndikimi i muzikës orientale. Kritikët
e muzikës, i konsiderojnë jaret krijime origjinale të këngës qytetare shkodrane,
plot ngjyra tingullore, pra nuk janë këngë folklorike”.
Sherifi filloi të
këndoi jaret “O moj Shkodër, Shkodra e jonë”, vazhdoi me “Për mua paska kenë
kismet”, “Edhe i herë du me kja hallin” dhe e mbylli me këngën “Lule borë”.
Kristofori e shoqëroi mjeshtërisht me kitarë, ndërsa ne dëgjonim dhe admironim
talentin dhe bukurinë e interpretimit të këngëve. Po përjetonim një mbrëmje
magjepse. Mëkat që askush nuk organizoi një koncert për të gjithë aksionistat
me këta dy artista. Grupi i jonë ishte i privilegjuar dhe i lumtur, që asistoi dhe
përjetoi bukurinë e kësaj mbrëmje të mrekullushme muzikore, plot emocione dhe
me gëzim të papërshkrushëm. Pasi përfundoi së kënduari dhe pas përgëzimeve nga
të gjithë ne, Kristofori e pyeti: “Sherif, na befasove me interpretimin e
jareve shkodrane, madje i këndove si shkodran i vërtetë. Ti je korçar, ku i i
mësove këto këngë, kush është mjeshtri tënd?”
Më një buzëqeshje
të çiltër, Sherifi na tregoi: “Nuk ka asnjë mister. Babai im është korçar, por
nëna ime është shkodrane, unë jam nip shkodre, gjyshi im Sait Hoxha është i
mirënjohur si autori i disa jareve shkodrane. Që kur isha i vogël, nëna dhe
gjyshi më mësuan këngë dhe jare shkodrane. Ju duhet të dini së jaret shkodrane
janë kompozuar mbi 250 vjet më parë dhe vazhdojnë të këndohen në ditët e sotme.
Gjyshi më tregonte për këngët dhe jaret e kompozuara nga Palok Kurti, Jonuz
Shiroka, Gjon Kraja, Kol Gurashi, Oso Dibra, Adem Mani, Nush Pali etj, etj. Gjyshi
im dhe këta kompozitorë popullor krijuan tempullin e këngëve qytetare shkodrane,
janë me mijëra këngë, por ne pak njohim prej tyre”.
Këto që tha
Sherifi ishin një syrprizë tjetër e bukur, që na e shtoi respektin dhe
simpatinë për këtë këngëtarë të talentuar dhe ne nuk reshtnim t’i bënim
komplimenta. Të gjithë ishim përfshirë në këtë atmosferë gazmore, po përjetonim
bukurinë dehëse të këngëve që këndoi Sherifi, disa prej tyre në duet me
Kristoforin.
Kështu kaluam një
kohë të gjatë, por nuk e ndjemë, se ishim përfshirë në entusiazmin dhe
kënaqësinë e këngëve. Edhe ky koncert buzë detit në atë natë të shtune, do të
duhej të mbyllej, duhej të ktheheshim në kamp, andaj Kristofori e pyeti Sherifin:
“Me çfarë kënge do ta mbyllim?” Pasi u mendua pak, i kërkoi kitaren Kristo-forit
dhe filloi të luaj një melodi melankolike, me një kreshendo të pëlqyeshme, që
befas ndalonte sapo fillonte të këndonte vargjet e këngës. Këndoi këngën
“Kaçarrulat e tu”. E dëgjonim për herë të parë këtë këngë, me një tekst
mallëngjyes, që tregonte një dashuri të thyer dhe të shprehur me një melodi që
të krijonte emocione drithëruese. Ende i kujtoj disa vargje: “Sytë e mi m’i
kanë verbu, m’i kanë verbu/kaçurrelat e tu,/se me ty moj vashë më ka zanë
maraku / oh marakun ma kanë shtue kaçurrelat e tu, ooo kaçurrelat e tu.......”.
Kur përfundoi
këngën ne rrinim shtangur e nuk po reagonim. Mga kjo gjendje na nxorri Manila,
e cila duke qeshur tha: “Unë nesër do të shkoj te parrukieria, t’i bëj flokët
kaçurrela, se me këto bishat që kam unë, s’ka për të më kënduar askush një
këngë”. Qeshëm të gjithë dhe përgëzuam Sherifin për këtë epilog të shkëlqyer e
me plot emocione. Para se ta mbyllnim, na tregoi se këtë këngë e kishte
kompozuar Gac Çuni, që kishte punuar mësues në Koplik, por kishte përfunduar në
burgun e Burrelit, ku dhe e kishte kompozuar këtë këngë për vajzën që kishte
dashuruar, e cila kishte mbetur imazh i largët dhe brengë e dashurisë së humbur
për zemrën e Gacit. Pasi na tregoi këtë histori të dhimbëshme të Gac Çunit, na
kërkoi me insistim të mos e diskutonim me të tjerët këto që na tregoi dhe na
tha ta ruanim në kujtesat tona si një mirazh i bukur, të asaj të shtune korriku
që kaluam së bashku në bregun e detit të Jonufrit. Natyrisht nuk do të tregonim
këtë ngjarje dhe nuk ua treguam të tjerëve, ishte me rrezik në ato kohë, por unë
nuk e kam harruar atë këngë të mrekullueshme.
8.
Ndërsa po
përgatiteshim të ngriheshim, nga larg dalluam një personi që vinte drejt grupit
tonë. Ishte Shezai Braho, komandanti i shtabit të aksionit dhe pedagogu i
lëndës së farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Pasi na përshendeti, u ul
me ne dhe buzagaz iu drejtua Kristoforit: “Po mua pse nuk më ftoni të dëgjoj
këngët tuaja? Pse nuk këndoni dhe këngë labe, apo nuk iu pëlqejnë?
Kaq u desht dhe
menjherë Sherifi filloi të këndoi këngën “Moj leshverdha trëndelinë”. Shezaiu
dhe Kujtimi ia kthenin dhe ne të tjerët mbanim isso, por një iso e çakorduar,
me një ioooeee që jehonte dhe thyente terrin e asaj nate, por Kristofori në
bënte shenjë ta ulnim tonalitetin, të ruanim bukurinë e asaj kënge popullore
labe. Pas këtij çasti të bukur, u ngritëm dhe u nsiëm për në kampin e aksionit
dhe për ta mbyllur atë natë ne filluam të këndojmë këngën përmetare “Do marr
çiften do dal për gjah”, këndonim dhe qeshnim me shpirt.
Nuk u mblodhëm
herë tjetër, se e shtuna tjetër ishte dita e fundit e aksionit dhe ne u kthyem
në Tiranë e të nesërmen më 31 korrik, nëpër qytetet tona.