Speciale » Alia
Lutfi Alia: Tempulli Diana i Kandavias (II)
E diele, 08.09.2024, 07:05 PM
TEMPULLI DIANA I KANDAVIAS - DIANAE AUGUSTAE CANDAVIENSIS (II)
Nga
Dr. Lutfi ALIA
Ilirët
kishin dhe nderonin perënditë e veta politeiste, që me pas u përzienë me
hyjnitë helene dhe pas pushtimit romak, u zëvendësuan me hyjnitë e panteizmit
romak, por helenët dhe romakët morën nga hyjnitë dhe nga politeizmi ilir. Ndër
hyjnitë ilire rendisim Joni (Deae Yonio - hyu i detit), Vidaso (hyu i pyjeve),
Thana-Zana (hyjnesha e pranverës), Nesti (hyu i kultit të ujit), Rodoni (hyu i
lundërtarëve dhe i detit), Bindus (hyu i burimeve, i lumejëve, i liqejve), Medauri (hyu i luftës), Tato i konsideruar Deus Patrius
(hyu i Atdheut), Bathas hyu i rrufeve dhe idritës etj. Mitologjia ilire, krahas
origjinalitetit, ngërthen në vete dhe një varg paralelizmash me mitologjinë
helene dhe romake. [Ceka N. The Illyrians to the Albanians, Tirana. Edit.
Migjeni. 2013].
Hyjnesha ilire
Thana/Zana.
Në
periudhën parahelene dhe pararomake, popullata ilire e kremtonte festën e
pranverës në tempujt e Thana/Zana, hyjnesha e pranverës, e pyjeve, e lëndinave
e burimeve. Banorët e Kandavias së lashtë ishin pagan dhe nderonin hyjnitë e
veta politeiste në tempuj të shumtë, ndër të cilët ishte tempulli i Thana/Zana,
hyjnesha e pranverës.
Në lidhje me hyjneshën Zana, thuhet se emëri i saj i lashtë është Thana, madje rreth këtij argumenti kemi një shpjegim të qartë nga Meyeri, i cili thotë: “Në emërin ilir Thana, mund të ruhet një shkallë e vjetër shqipe e emërit Zana”. [Gustav Meyer, Albanesische Studien 1883-1897; Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Wien: F. Tempsky, 1891, pp. 32].
Ky
version sugjerohet nga zbulimet arkeologjike në trevat e Ilirisë veriore të
banuar nga fiset Oseriate, ku janë gjetur altare blatues dhe kolona mermeri me
mbishkrimin: Thana patrona - Thana padrone dhe një gur altari me
emërat e hyjnive ilire Vidaso e Thana dhe fragment pllake mermeri
me mbishkrim dedikuar hyjnisë Jonio (Dea Jonio)..
Sipas
ilirologut Aleksandër Stipçeviç, nga mbishkrimet dhe nga figurat e hyjve në
altare, rezulton se Thana ilire, përkon tërësisht me profilin e Dianës romake,
madje emri Thana është forma arkaike e emrit Zana, si rezulton në një gur
altari kushtuar dy hyjnive ilire Vidaso e Thanae, i zbuluar në
Topusko të Kroacisë, çka tregon se para pushtimit romak, fiset ilire Oseriate,
që banonin në këto troje, e nderonin hyjneshën Thana. Në një vazo të fiseve
ilire Narensi, e zbuluar në Bosnje, hyjnesha Thana prezantohet me degë palme në
njerën dorë dhe një degë hardhie ne dorën tjetër, pra pa hark dhe pa shigjeta.
[Aleksander Stipçeviç. The Art of Illyrians, Edizione del Milione, 1963].
Kulti
i hyjneshes Thana ndeshet dhe në Scala di Furno, pranë Porto Cesarea (Lecce -
Itali) dikur troje të banuara nga Mesapët, si rezulton në një fragment vazo
blatimi e shekullit VII - VI para K, e zbuluar në Oria, ku është mbishkrimi
kushtuar hyjneshës Thana (?ana), çka dëshmon se nderohej
nga fiset ilire Mesape, për të cilët Thana ishte hyjnesha e hënës, e pyjeve dhe
e pranverës, ndërsa Themis ishte nimfa shoqëruese e saj. [Vincenzo
Scarpello, I Messapi, Etruschi di Terra d’Otranto. LecceSette, 2009, pp. 2
- 4].
Shumë
studiues italianë theksojnë se idiomat mesapike kanë lidhje me gjuhën ilire. [Philip
Baldi
The Foundations of Latin, Walter de Gruyter GmbH & Co
KG, 2018, p. 150].
Historiani
Ciro Santoro thekson: “Teonomia mesapike Thana, është pikërisht Thana ilire”.
Duke analizuar përputhjet teonomike të Thana ilire me Diana romake, Santoro
konkludon: “Është e sigurtë që Thana ilire është identifikuar me Dianën
romake”.[Ciro Santoro, Nuovi studi Messapici, Epigrafi e Lessico, Vol. II,
Congedo 1983, pp. 12 - 40].
Hyjnesha
Thana (Tana, Thaina) në shekujt IX – VII para K, nderohej nga etruskët si hyjnesha
e qiellit, e dritës e pjellshmërisë, e lindjes, njëkohësisht ishte hyjnesha e
magjisë dhe e transformimeve, e cila vepronte në errësirën e një shpelle, që
ishte strofkulla (Tana) e hyjneshës. Nëpërmjet magjisë, të cilës i friksoheshin
si etruskët dhe romakët, hyjnesha Thana vepronte në transformimet e njerëzve,
të kafshëve, të pemëve dhe bimëve, nëpërmjet ndërrimit të stinëve. Romakët e
përvehtësuan hyjne-shën etruske, andaj konsiderohet divinitet etrusko-romak. Më
pas, Thanën – Thaina etruske, romakët e asimiluan në hyjneshën Diana.
Në periudhën helene tempujt e Thana mesape, u shndërruan ne tempuj të Artemisës, si thekson historiani Santoro: “Është identifikuar se Thana mesape u shndërrua në Artemisën helene”. [Ciro Santoro, Il lessico del Divino e della religione messapica. Publisher Società di Storia per la puglia. 1989, pp. 65 - 80]
Gjatë
pushtimit romak të Ilirisë nuk u shkatërruan tempujt e Thana/Zana, as tempujt e
Artemisës, por romakët i përshtatën hyjneshës së pranverës Diana romake. Historiani
R. Del Ponte thekson: “Gjatë sinkretizmit fetar në periudhën e Romës imperiale,
hyjnesha Diana u identifikua me hyjnitë femëra orientale, dukuri që ndodhi dhe
me ilirët”. [Renato Del Ponte. Capitolo V: Nostra signora delle selve, in
opera “Dei e miti italici” Genova, ECIG, 1985, pp. 159 - 197].
Eqerem
Çabej, duke analizuar lidhjen e emërit Zana ilire, me Diana romake spjegon: “Kulti
i fortë i Dianës në Shqipëri dhe në mbarë vendet e tjera te Gadishullit
Ballkanik të kohës antike, si shihet nga dëshmia e mbishkrimeve latine, të
cilët na shtyjnë të pranojmë, se hyjnesha Diana është një ‘interpretatio
latina’ e hyjnisë epike vendase pararomake, pra e Zanës ilire.
Diana romake u shtri në Iliri, përmbi perëndeshën e vendit Zana, e cila i
ngjante asaj dhe i dha emërin e vet.”
Nga këto të dhënë shihet ngjashmëria e tre hyjneshave, Artemisa e ndjekur nga amazonat, Diana e shoqëruar nga nimfat dhe Zana iliro-arbërore e shoqëruar me Orët dhe Shtojzovallet.
Me
këto aspekte spjegohet përse Zana, shpesh herë në shqipe na del në numër shumës
si Zanat, Orët e Shtojzovallet. Në shumës shfaqet dhe në toponime si:
"Logu Zanave", "Shpella Zanave", "Pylli Zanave",
“Zanat e Mansit”, “Përroji i Zanave”, “Oret e Shalës”, “Orët e Dukagjinit”,
“Orët e Valit”. Në këto toponime, emërtimi Zana, përdoret në kuptimin hyjnesha
mbrojtëse e maleve, e pyjeve, e vendeve, si e Dukagjinit, e Shalës, e Valit,
ashtu si Artemise ishte mbrojtëse e Efesit dhe Diana mbrojtëse e pyjeve,
lendinave dhe burimeve. Vështruar në këto aspekte kuptohet se gjatë proceseve
të romanizimit të ilirëve dhe sinkretizmit fetar, romakët emrin Thana/Zana, e
zëvendësuan me emërin Diana, si theksojnë Meyer, Çabej, Santoro, Skarpello,
Baldi etj.
Krijimi
i kultit dhe rritja e hegjemonisë të hyjneshës Diana ndër fiset ilire të
Parthinëve, dëshmohet me tempullin e famshëm të Diana në Kandavia.
Një
ndër dokumentat e rëndësishme që dëshmon për ekzistencën e këtij tempulli është
Tabula Peutingeriane e shekullit III – IV pas K, ku tempulli Ad Dianam
Candaviense, vendoset në lindje të Skampës (Elbasanit), majtas mbi lumin
Genesis (Shkumbini), në stacionin VIII të rrugës Egnacia.
Njoftimin këtë tempull e dha austriaku Von Kamillo Prashniker, i cili në vitin 1916 zbuloi një pllakë mermeri me mbishkrimin Ad Dianae Augustae Candaviensis - E Madhërishmia Diana e Kandavias. Për këtë zbulim Prashniker shkruan: “Gjeta një përkushtim të gdhendur në mermer të bardhë, i cili ka të thyer këndin e sipërm majtas dhe me dëmtime në faqen e pasme. Këtë bllok mermeri e gjeta në bregun e majtë të lumit Moraça, jo shumë larg shtëpisë të Milo Stamatoviç, ku gjetëm dhe materiale të tjera prej guri, që ishin pjesë të urës romake. Pllaka e mermerit ka lartësi 67 cm, gjërësi 42 cm dhe trashësi 14 cm. Ky dedikim për Diana Augusta Candaviensis lidhet padyshim me Kandavian”. [Von C. Praschniker und A. Schober. Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro. Wien. In Komission Bei Alfred Holder. 1919, pp. 5 - 12].
Prashniker
e deshifroi dhe e plotësoi mbishkrimin e gdhendur në pllakën e mermerit ku
krahas emrit Diana Augusta Candaviensis, është dhe emri Titus Flavius, çka
sugjeron se ky tempull ishte i ngritur kur Perandor i Romës ishte Titus Flavius
Vespasiano (39 - 81 pas K).
Dian (ae)
Augustae
Candavie(n)si
T(itus)
Fl(avius)
Dionysi D(onum) P(osuit).
Në
frazën e fundit theksohet: “Aty hyjnia Dionisi vinte dhuratat” [Dionysi D(onum)
P(osuit)].
Ku ngrihej tempulli Diana i Kandavias?
Kjo
pyetje ka munduar arkeologët, historianët, albanologët, etnologët,
antropologët, gjeografët, të cilët janë munduar të identifikojnë vendin e saktë
ku ngrihej ky tempull i famshëm, madje kanë shtruar dhe pyetjen: A ishte vetëm
një tempull, apo ishin disa tempuj të dedikuar Dianës në trevën e gjërë të
Kandavias?
Vijon në numërin e ardhshëm...