Speciale » Alia
Lutfi Alia: E drejta romake dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit (IV)
E shtune, 02.08.2025, 06:59 PM
E DREJTA ROMAKE DHE KANUNI I LEK DUKAGJINIT
(Pjesa
IV)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Historianët e
antikitetit, konfirmojnë se ilirët kishin ligjet e veta të drejtës - Ius
Illyriense, ligje që i ruajtën gjatë pushtimit romak. Iliria ishte një nga
katër Prefekturat e Perandorisë Romake, e formuar nga reforma e tetrakisë e
Dioklecianit, perandori me origjinë ilire. Pas pushtimit romak, Iliria drejtohej
nga prefekti pretorian, i cili kontrollonte zbatimin e ligjeve të perandorisë
Romake (Ius Romanum), me ligje për organizimin e administratës lokale,
mobilizimin e ilirëve në legjionet romake, sistemin monetar, mbledhjen e
takasave etj. Ekzistenca e të drejtës Ilire vërtetohet nga burime të ndryshme
historike dhe nga analiza krahasuese me kodin romak, ku gjenden ligje të
ngjashme me ligjet e Kanunit të Lek Dukagjinit.
1.
Të dhënat më të
herëshme të ekzistencës të drejtës ilire, i jep juristi romak Domitius Ulpianus
(shekulli III pas K), eksponent i rëndësishëm i jurispundencës romake,
formuluesi i sistemeve dhe i normave të drejtës administrative dhe të drejtës
civile romake, shumë prej të cilave janë të pranishme dhe në të drejtën
moderne. Ulpiano ka merita se teorizoi dallimet mes Ius naturalis (e drejta
universale), Ius gentium (e drejta e popujve) dhe Ius civile (e drejta civile).
Aspektet juridike të veprës të Ulpiano, më pas u përfshinë në Digesto,
përmbledhja në 50 librave të drejtës romake, që u morën dhe u përdorën dhe nga
Justiniani, perandori romak i lindjes, i cili i shpalli më 16 dhjetor të viti
533 pas K, në veprën Corpus Iuris Civilis. [Tony Honoré, Ulpian: pioneer of human rights, Oxford University
press, 2002, p. 14]
Në veprën e Ulpiano:“Liber Singularis Regularum”, e njohur dhe
me titullin “Tituli ex corporae Ulpiani”, ndër të tjera thekson:
“Guvernatori romak i Ilirisë, i merrte në konsideratë ligjet e të drejtës
lokale dhe pas ligjit të Karakallës (212 pas K), e drejta zakonore Ilire, mbeti
në fuqi në praktikën juridike vëndase”. [Ulpiani Liber Singularis Regularum
– Primary Source Edition. Domitius Ulpianus, Julius Paulus, Paul Krueger.
Editore Nabus Press. 2013; p. 25].
2.
Një argument tjetër,
që dëshmon ekzistencën e të drejtës ilire, dokumentohet në një nga dekretet e perandorit
romak Teodosio (347 – 395 pas K), ku theksohet: “Legjislatori e kritikoi
prefektin Flavius Florenzius të Ilirisë, sepse kishte gabuar, duke mbështetur
ligjet lokale preçedente, që thonë se një person para se të shesi tokën, duhet
të marri miratimin e kushërinjeve dhe të fqinjëve të tij”. Ky ligj më parë
ekzistonte në të drejtën romake, por u ndryshua nga perandori Teodosio. [Mommsen
Meyer, Theodosiani, libri XVI cum constitutionibus Siemo-ndians et leges
Novellae ad Theodosianum pertinentes. Berlin, Wiedemann, 1905].
Sipas historianit Seeck, ky ligj i ishte i vitit 391
pas K, kur Prefekti i Protektoratit të Ilirisë ishte Flavius dhe Perandor ishte
spanjolli Teodosio, pra perandori nuk ishte ilir. [Otto Seeck, Notitia
dignitatum. Accedunt notitia urbis Costantinopolitanae et laterculi
provinciarum. Francfürt am Main, 1962].
Në përiudhën kur
ishte perandor Teodosio, ligji i të drejtën romake që theksonte se shitja e
tokës bëhet duke marrë miratimin e fqinjëve dhe kushërijëve, u ndryshua dhe shitja e tokës bëhej me
kontratë ndërmjet pronarit shitës dhe blerësit, e konkretizuar me kalimin
material të pronësisë blerësit (in iure cessio).
Ky ligj ishte
veprues dhe për ager publicus (pronat e shtetit perandorak), që jipeshin me
qera kundrejt një pagese, ose iu shiteshin blerësve.
a. Si theksova, Perandori Teodosio e kritikonte Flavius, prefektin e Ilirisë, sepse kish lejuar aplikimin e ligjeve ilire në lidhje me shitjen e tokës. Lidhur me ligjin romak të shitjes të tokës, Ernest Koliqi shkruan:“Ky ka qene një ligj i asaj kohe, që u shfuqizua nga e Drejta Romake, por i ruajtur në botën Ilire”. [Ernest Koliqi, Epica popolare albanese” Padova 1937 , pp. 14 – 15]
b. Rikujtojmë se e drejta ilire, pranohej nga perandorët romakë me origjine ilire si Aureliani, Diokleciani, Kostantini, Justini, Jiustiniani. [Giovanni Luccheti, Contributi di Diritto Giustiniano, Giuffrè Editor, 2004]
Ky ligj i lashtë ilir, për shitjen e tokës me miratim të kushërijëve dhe komëshijëve, është i pranishëm dhe në Kanunin e Lek Dukagjinit:
- Nyja 77, § 464: Para sè të shitet ndo'i tokë, a rendi i vadës, a rendi i mullînit, do t'u çohet tè dera kushrijve, e vllazniës e fisit.
- Nyja 77, § 468: Po u çue kush edhè shiti tokën, mullinin a rendin e ujit, pà jau leçitë kushërijve, vllaznisë, fisit a kufijtarit, tregu âsht i paligjshëm kah Kanûja”.
3.
Në se do të bëjmë
një krahasim ndërmjet Kanunit të Lek Dukagjinit dhe të Drejtës Romake, gjejmë
dhe ligje të tjerë të ngjashëm, si ligjet e organizimit të Conventus –
kuvendeve (Latinisht Conventus – shqipëruar Kuvend), të cilat janë pjesë
integrale e Kanunit të Lek Dukagjinit dhe të Kanuneve të tjera të Maleve
Shqiptare.
Gjatë pushtimit
romak, në kryeqendrat kryesore dhe dytësore të Prefekturës të Ilirisë,
funksiononin Kuvendi juridik - Conventus iuridicus, ku merrnin pjesë
fisnikë, të parët e fiseve, noterë dhe gjyqtarë lokalë, ndërsa për qytetarët
romakë, që jetonin jasht kufijëve të Romës dhe në provincaat e pushtuara nga
Roma, funksiononte Conventus civicum romanorum (Kuvendi qytetar romak).
Kur sundonte
Perandori Kostandin (274 – 337 pas K), në Iliri, organizimi i conventus
mori rëndësi të madhe si forum i të drejtës, të cilët mblidheshin priodikisht dhe
diskutonin mbi situatat politike, zgjidhnin ankesat dhe konfliktet mes
individëve dhe kolektivave, ndërhynin për të përmiresuar qeverisjen lokale etj.
Historia
dokumenton se në Provincën e Ilirise të pushtuar nga romakët, kanë funksionuar
tre “conventus iuridicus – kuvende
juridike”, në qyetet
Salona, Narona, Skardona, ndërsa në Lissus (Lezha) funksiononte një conventus
civicum romanorum (kuvendi qytetar
romak), por si theksojnë disa historianë të antikitetit, nuk përjashtohet
mundësia, që në Provincën e Ilirisë të kenë ekzistuar dhe kuvende të tjerë.
[Giuseppe I. Luzzatto, Guido A. Mansuelli. Roma e le province, in storia di
Roma, vol. 17: tomo primo, Organizzazione, economia, società; tomo secondo,
topografia, urbanizzazione, cultura. Bologna, Capelli, Istituto di studi
romani, 1985].
Ndonëse nuk kemi
njohuri çfarë kodi juridik kishin ilirët, nuk përjashtohet mundësia të ketë
ekzistuar një kod tradicional ilir dhe sigurisht gjatë pushtimit romak, mund të
ketë qenë i shkruar në latinisht, që ishte gjuha zyrtare e administratës, e
diktuar të gjithë popujve në dominin e Perandorisë Romake.
Nuk gabojmë kur
themi kuvendet shqiptare sipas Kanunit të Lek Dukagjinit dhe kanuneve të tjera
shqiptare, përfaqësojnë vazhdimësi e coventus iliro-arbërore, institucione të rëndësishme,
që kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimet sociale, politike, juridike,
kulturore dhe ushtarake të popullit tonë.
4.
Gjatë pushtimit romak, prefekti i Ilirisë kishte detyrë të inspektonte dhe të
kontrollonte rajonet e provincës, duke filluar me kryeqendrat, ku prezantonte
konkluzionet në conventus, verifikonte
shkaqet e prishjes të rendit publik, shkeljet e të drejtës civile, verifikonte
zbatimin e normave dhe ligjeve të kohës, mbledhjen e taksave, mobilizimin e
ilirëve në legjionet romake etj. Konkluzionet e kësaj analize prefekti i
prezantonte me “Edictum perpetuum”, si e dokumenton Juristi romak
Domicio Ulpiano, ne veprën e tij “Liber Singularis
Regularum”.
Edictum perpetuum
(shpallje e përherëshme) ishte njëkohësisht dhe Edictum pretorium (shpallje e
prefektit), i cili shpallte normat që rregullonin aktivitetin e administratës
dhe ushtrimin e drejtësisë në trevat e Ilirisë. Prefekti i Ilirisë, inspektimin
e bazonte në zbatimin e të Drejtës Romake, por dhe të Drejtës Lokale ilire, ashtu
dhe në ligjet e të drejtave të njeriut “Ius gentium”. Si shkruajnë historianët
e kohës, këto proçedura, kryheshin sipas parimeve të “equità” (barazia e të drejtes romake, me të drejtën lokale ilire).
Në conventus – kuvendi, gjykimi i çeshtjeve nuk bëhej vetëm nga prefekti, apo
nga kryetari i conventus civicum, por shoqëroheshin detyrimisht dhe me
Institutin e Recuperatio, që sipas koncetit modern përfaqëson jurinë
popullore (gjyqtarët popullor) dhe avokatët mbrojtës. [Danilo Dalla, Renzo
Lambertini, Istituzioni di diritto romano, Torino – Giappichelli Editore,
1966].
Çdo qytetar ilir i thirrur për gjykim (in ius), nga gjyqatari romak, ose nga gjyqtari ilir, ose kur në kuvend një antar i një komuniteti gjykohej nga një antar i një komuniteti tjetër, për të mbrojtur të drejtat e tij, kishte të drejtë të zgjidhte recuperatores, që ishin kolegj juristësh privatë, që kujdeseshin, verifikonin zhvillimin e proçesit gjyqësor për zgjidhjen e drejtë të një konflikti, apo të një mosmarrëveshje, pra asistonin të akuzuarit, ishin “ekspertët – avokatë”, në mbrojtje të drejtave të klientit të akuzuar, por dhe të akuzuesit.
E prezantova këtë
aspekt të drejtës Romake, sepse instituti i Recuperatores u aplikua dhe në të
drejtën ilire, madje është ruajtur dhe është i pranishëm në Kanunin e Lek
Dukagjinit, ku termi Recuperatores është i shqipëruar me metatezë, në formë të
shkurtër Porota. Në Kanunin e Lek Dukagjinit theksohet se, kur një person thirret
nga kundërshtari, për t’u gjykuar nga pleqtë gjyqtarë, ai në bazë të rëndësisë
të problemit dhe të cilësive sociale, ka të drejtë të prezantoi porotat,
personat e garantit, apo ekspertët e mbrojtjes, avokatët e tij, të cilët me ndërhyrjet
dhe diskutimet e tyre, ndikojnë në zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjes.
Në nyjen 144, në §
1044, § 1045, § 1046, § 1047 të Kanunit të Lek Dukagjinit, është stabilizuar e
drejta e thirrjes në proçesin gjyqësor
të Porota (ose Poronikët) (gjyqtarët popullor, ose ekspertët – avokatët),
që janë një numër personash të ngarkuar nga gjyqtari, para të cilit betohen të
thonë të vërteten në mbrojtje të akuzuarit, për ta çliruar nga akuzat, që i janë
bërë nga kundërshtari-akuzuesi, ashtu janë dhe porota nga ana e akuzuesit.
Në Kanunin e Lek Dukagjinit përcaktohen detyrat dhe të drejtat e porota, apo
poroniku, të cilët duhen të jenë përsona të ndershëm dhe ta pakorruptuar.
Nyja 144. Porota.
§.1044. Porotë a Poronikë me gojë të kanûnit thirren ata njerëz të cillt shenjohen me gisht prej gjygjit, për me bâ bé e nie xjerrë së keq ndokend.
§.1045. Porota a Poronikë do të.jené
asish:
a) që të mos të jenë gjetë në bé të
rrèjshme,
b) që mos të kênë ndo'i mllef as kundra
lagjes, qi bân bé, as kundra asaj qi vështron bénë,
c) që mos të jené gjind lloftaré. qi
vierrin shpirtin në krrabë per nji mullë bukë.
d) që, némos me hamende mund të gjiejn
ndo'i pûnë, a mùnd t'a hetojn mâ lehtas:
e) porota s'do të jenë gra, sè kanûja
s'i xèn.
f) që mos të jenë të betuem e mnisa.
Porota është term
teknik i përdorur me kuptim të qartë në Kanunin e Lek Dukagjinit dhe është term
i vjetër, me origjinë nga e drejta Romake, është fjala latine “Recuperatio”,
e cila në të folmen popullore iliro-arberore, është shqipëruar në formë të
shkurtuar Porota, njëlloj si janë shqipëruar dhe fjalë të tjera me origjinë
latine, nëpërmjet asimilimit të bashtingëlloreve dhe të metatezave, kësisoj kanë
hyrë në të folmen e shqipes, si fjala latine conventus, e përdorur fillimisht nga
ilirët dhe në vazhdim e shqipëruar me termin kuvent – kuvend.
Si thamë më sipër,
Kanuni i Lek Dukagjinit parashikon, që në proçeset gjyqësore të prezantohen
disa porota, pra jo vetem një, proçedurë e njejtë me të drejtën Romake dhe me të
Drejtën e Kostantinit, ku vepronte parimi “Testis unus, testis nullus – një dëshmitar, asnjë dëshmitar. Ky parim
aplikohej në të drejtën ilire, kësisoj u ruajt ndër shekuj, madje në të njejtën
formë sanksionohet dhe në Kanun, ku theksohet: jo një porota, por disa porota, nga 12 deri 24 pòorota - dëshmitarë, sepse si
spjegon Kanuni i Lek Dukagjinit:
Nyja 144, § 1049,
§ 1050: Nga të gjithë këta njerëz, në
mos i pari, së paku i dyti, apo i treti, do të ketë ndershmërinë të mos e shesi
shpirtin me bè fallso”.
5.
Element tjetër i të
drejtës Romake është Iusiurandum – beja – betimi, një akt proçesual
solemn i përcaktuar nga ligji, me të cilën sejcila palë në gjykim, gjyaktësit
dhe recuperatores (porota iliro-arberore), deklaronin garanci për të vërtetën e
rrethanave që i kishte detyruar të paraqiteshin në proçes gjyqësor. Forca e beja-betimi,
ishte me rëndësi fondamentale për Romën antike, ishte e njëjtë me vlerat e mbajtjes
së fjalës.
Në ligjet e Kanunit të Lek Dukagjinit, janë përcaktuar proçedurat e bërjes bè - beja, betimit, përbetimit, të sanksionuara në librin I, nyja 88, § 529 ku theksohet: “Beja dhe përtej saj nuk ka tjetër”.
Sipas “Legis
actiones” (veprimet ligjore) të drejtës Romake dhe sipas Kanunit të Lek
Dukagjinit, gjykatësit
dhe Këshilli i
Pleqëve, i kërkojnë personave në gjykim (akuzuesit dhe të akuzuarit) dhe
porotave (ekspertët – avokatët) të betohen para tyre dhe para kuvendit, se ato
që thonë janë të vërteta.
§.1046. Përgjithsisht beja pà Porotë
s'bahet.
§.1047. Parimi i kanûnit âsht:
"Beja kà Porotën, Porota kà mundin ndër hetime e të lidhmen".
Këto proçedura të lashta juridike, janë të pranishme në disa varjante në Kanunet tona, kësisoj çdo person mund të betohet sipas Kanunit, ose të bëj bè duke iu referuar objekteve të shenjta pagane, ose sipas kritereve të besimit fetar, duke u kryer në objekte dhe në institucionet e kultit.
Në Lirin I, nyja 88, § 533 i Kanunit të Lek Dukagjinit përcaktohet: Beja në Malet e Shqypnisë asht dy mënyrash:
a. Beja mbi gurë me Kanun;
b. Beja mbi Kryq dhe mbi Ungjill.
Pas shekullit XVI,
në kanunet e banorëve të besimit islam, u shtua beja - betimi me dorë mbi kuran.
Në Kanunin e Lek
Dukagjinit, në Nyjen 88, § 530 sanksionohet: Kjo dorë beje âsht e pëlqyeme prej Kanûnit të Malevet të Shqypnisë, si
për të dlirun prej zhgarkimesh, si edhè për të lidhun besë”, pra vlente si
për të dhënë pafajsinë, ashtu dhe për të lidhur besën mes familjeve, fiseve dhe
trevave.
Proçedura e beja -
betimi sipas Kanunit të Lek Dukagjinit kryhet e bazuar në objekte të caktuar,
që kanë vlerë garancie për të vërtetën dhe të shprehur me formula të mirëpërcaktuar
beje si: “Për atë qiell dhe për këtë tokë”,“për
këtë bukë”,“për këtë gurë”,“për këtë tokë”,“për kët dhè”, “për këtë vend”
etj, të cila janë renditur në disa paragrafe të nyjes 89 të Librit II të
Kanunit të Lek Dukagjinit.
Këto formula beje
- betimi, shqiptoheshin para gjykatësve, para Pleqëve gjyqtarë nga personat e
akuzuar, nga akuzuesit dhe nga porotat, për të vertetuar pafajësinë dhe për të
dëshmuar të vërtetën ndaj personit të marrë në mbrojtje, për të vertetuar akuzën
ndaj personit fajtor, pra të atij që akuzohet, p.sh për fyerje, apo për
gjak-marrje si dorzanës (i paguar nga një familje për të marrë gjakun, kur nuk
mundet ta kryej vetë).
Në kanunin e Lek
Dukagjinit në Nyjen 88, § 533, theksohet se betimi - beja mbi gurë, apo e thënë
“për kët gurë”, është beja më e randë, e ma të mndershmet, që
njeh shqyptari i maleve”.
Proçedurat e beja-betimi
sipas Kanuneve, janë laike dhe aplikoheshin si në gjyqet e organizuar nga Pleqtë
dhe në Kuvende, kur kërkohej bashkimi i fiseve, për të luftuar kundër
rreziqeve, që i kërcënoheshin fshatit, trevës, provincës dhe atdheut, ku të
gjithë kryetarët e familjes dhe të fisit betoheshin të luftonin së bashku dhe
me ata që ishin në hasmëri për gjakmarrje, si rasti i Marko Boçarit, i cili
bazuar në Kanunin e Çamerisë dhe në vendimin e këshillit të pleqëve, i fali
gjakun kapidan Xhavellës dhe se bashku luftuan kundër turqëve.
Formulat e betimit
në Kanunin e Lek Dukagjinit janë të lashta, me origjinë parakristiane, të
lidhura me mitologjinë pagane ilire, helene dhe romake. Të gjithë autorët e
antikitetit, i kanë përshkruar në veprat e tyre ritet dhe formulat e betimit,
si p.sh beja “për Uranin – për atë
qiell”; “për Demtren – për atë
dhè, për atë tokë” etj. Këto formula që zbatoheshin nga ilirët paganë, u
konservuan në kulturën ilire, u transmetuan brez pas brezi dhe kanë arrijt të
pandryshuara deri në ditët tona. Shpesh dëgjon ndonjë person, i cili betohet “Për atë qiell e për atë dhè”, për të
bindur të tjerët në vërtetësinë e veprimeve, apo të thënieve të tij publikisht.
Riti i beja - betimit
ishte ceremonial, sugjestiv, garantues dhe imponues për personat që betoheshin,
por me të njëtat efekte për pjesëmarrësit në kuvend dhe për publikun që
asistonte, madje në Kanunin e Lek Dukagjinit, beja ngrihet në kult, në të
njëjtat nivele si roli i pleqësisë dhe i gjyqit në kuvendin e maleve.
§ 1002: Plak mbi Plak, gjyq mbi gjyq dhe bé mbi bé,
kanûja nuk bân.
Krahas betimit
laik me origjinë të lashtë pagane, Kanuni i Lek Dukagjinit dhe kanunet e tjera
njohin dhe beja-betimi me natyrë fetare, të pranueshme për të gjitha besimet
fetare, pa dallime, çka shpreh karakterin tolerant, civil, human dhe ekumenik të
Kanuneve të Maleve Shqiptare. Ky respekt dhe kjo tolerancë në atmosferën e diversitetit
fetar shqiptar, ka qenë faktor i rëndësishëm harmonie dhe uniteti për popullin
tonë, madje shqiptarët, ndofta janë i vetmi popull, që nuk ka zhvilluar luftra
fetare.
Beja - betimi fetar
bëhej publikisht në Kuvende. Banorët e besimit të krishterë betoheshin në Kryq
dhe me dorë mbi Ungjill; myslimanët betoheshin me dorë mbi Kuran, bektashijt
betoheshin për tyrben dhe teqen dhe hebrejtë që banonin në trojet tona, bënin
bè (betoheshin) mbi rrotullën e Tora të Safareve.
Një formë e veçantë
betimi i përcaktuar nga të gjithë Kanunet shqiptare është beja “për derë shtëpie”.
Në Librin III, nyja
92, e Kanunit të Leka Dukagjinit, është sanksionuar:
§ 558 “Kanùja e kà lânë shtegun të lirë, qi t'epet
beja edhè për derë”.
§.559 “Në bé për derë, do të betohet i zoti i shpisë
n'emën të vet e n'emën të giindes së shpisë”.
Me këtë proçedurë
beje, Kanuni i Lek Dukagjinit e zgjeron përgjegjësinë e personit që bënë bè, e
rrit rëndësinë dhe i bën të besueshme provat e vërtetësisë. Jo vetem kaq, por në
respekt e në mbrojtje të nderit personal dhe nderit të familjes në mbrojtje të
vërtetës, malësori nuk e shkel kurre benë, pra nuk e shkel ligjin, rregullin
dhe normën kanunore.
Një formë e
veçantë betimi, karakteristike e malësorëve të trojeve veriore shqiptare, është
përshëndetja e dy burrave, që nuk njihen mes tyre dhe kur takohen në rrugë, apo
në një shesh, apo në shtëpinë e një miku të përbashkët, më i vjetri e përshëndet
dhe njëkohësisht e pyet:
- Tungjatjeta, a
je burrë?
Dhe tjetri i
përgjigjet:
- Tungjatjeta, po besa,
burrë me kanu!
Përshëndetjet e të
dy burrave përmbanë komponente kanunore, si në pyetjen “a je burrë”, në
kuptimin e je burrë me besë kanuni dhe përgjigjia është konfirmuese, është një
formë beje: jam burrë më besë kanuni.
Këtë përshëndetje,
studiues seriozë të huaj e konsiderojnë përshëndetje fisnike tipike shqiptare,
me vlera shpirtërore dhe kulturore më të larta se përshëndetja “Lunga vita a Re
– jetë të gjatë mbretit”.
Në dy dekadat e para
të këtij shekulli, një numër i konsiderushëm studiues italianë, i janë dedikuar
analizës të Kanunit të Lek Dukagjinit dhe të Kanuneve të tjera shqiptare. Nga
këto studime kam nxjerrë dy objeksione:
a. Konstatoj një prirje
tendencioze për studime të përqëndruar kryesisht në hakmarrjen – gjakmarrjen,
sikur të
ishte një akt
tribal vetëm shqiptar, duke lënë pa trajtuar kategoritë etiko – morale me vlera
të larta shkencore,
kulturore dhe
shoqërore, që përbëjnë 98 % të përmbajtjes të Kanunit të Lek Dukagjinit.
b. Disa autorë
italianë, kanë gabime në përkthimet e ligjeve të kanunit, për pasojë
interpretimet dhe komentet
nuk janë të sakta,
madje ndonjë bën interpretime qesharake, si rasti i D.M, i cili për
përshëndetjen Tungjatjeta
a je burrë, jep
përgjigjen: “Po, jam burrë”, e cila nuk ekziston në praktikën e raporteve mes
malësorëve.
6.
Një ngjashmëri tjetër
e Kanunit të Lek Dukagjinit, me Kodin e të Drejtës Romake, shihet në aspektet e
të drejtës të familjes (Kodi i familjes). Kanuni i Lek Dukagjinit përmban shumë
ligje, rregulla dhe norma, që janë pothuajse identike, me ato të drejtës romake.
Këto ngjashmëri i ka evidencuar kohë më parë Ernest Koliqi, studiuesi i
apasionuar i Kanunit te Lek Dukagjinit dhe njohës i të drejtës Romake.
Sipas të drejtës
romake, në strukturën e familjes Pater familias – i zoti i shtëpisë, ishte
i pari i familjes, ishte rregullatori suprem i familjes, “komandanti”,
organizatori, administratori i të gjitha aktiviteteve të pjestarëve të
familjes, ishte dhe gjykatësi unik për të mbajt drejtësi, për të ndëshkuar kur
gabonin pjestarët që ishin në varësi të patria potestas (pushteti i babait).
Në këtë plan, i zoti i shtëpisë
ishte autokrat, me të drejta të pa kufizuar për administrimin dhe
mbrojtjen e pronave, por dhe për të ndëshkuar fëmijët (ius vitae et necis)
kur ato gabonin. Këto të drejta dhe detyra të kryefamiljarit pasqyrohen në
Codex Theodosianus, në Institutiones të Gaio dhe në ligjet e Kostantinit.
Në të drejtën
romake, babai - pater familias, si zoti absolut i familjes, ishte
padroni i të gjitha pasurive të familjes. Gjithëçka, që djali ose djemtë
fitonin me punë, ose me tregëti, detyroheshin t’ia dorëzonin patria potestàs dhe të gjitha administroheshin
nga kryetari familjes. N raste të veçanta, kur i biri e fitonte të drejtën e
pronësisë me gjyq, i njihej e drejta e pronësisë për pjesën e tij. [Luigo
Capogrossi Colognesi, La famiglia romana, la sua storia e la sua
storiografia. Mélanges de l’école française de Rome. Nr. 122, 2010, pp 147 -
174] [Francesco Cerato, Il diritto di famiglia in età repubblicana: la
patria potestas e l’istituto dell’adozione. Studia Humanitas 2021]
Në Kanunin e Lek
Dukagjinit dhe në kanunet e tjera, sanksionohet pozicioni i “pater familias”
dhe i “patria potestas”, pra
i zoti i shtëpisë - kryefamiljari, ishte zoti absolut i pasurive të familjes, i
prodhimeve bujqësore, blegtorale, artizanale, i mullirit, i zabelit, i
livadheve etj. Zoti i shtëpisë kishte të drejtën dhe të administronte të
ardhurat e femijëve, qofshin rroga, apo dhurata, ose fitime me punët që i
kishte ngarkuar i zoti i shtëpisë etj.
Ai kishte të drejta të fitoi, të akumuloi, të ndryshoi, të blejë, të
shesi çdo pjesë të pasurisë, ndërsa të gjithë pjestarët e tjerë të familjes
privoheshin nga këto të drejta, sidomos gratë. Gjithashtu, zoti i shtëpisë
vendos mbi jetën e fëmijëve, e dërgon djalin në luftë së bashku me bashkëfshatarët,
ku përfaqëson autoritetin dhe nderin e familjes; jep ndëshkime të rrepta kur
djemtë gabojnë, madje ka të drejtë t’i leri pangrënë një ose dy ditë; u a hiqte
armën per një ose dy javë (dënim i rëndë dhe tepër poshtrues për djemtë),
vendoste për martesën e vajzës. Kur djemtë përfshiheshin në grindje e skandale,
i zoti i shtëpisë kishte të drejtë ta lidhte djalin, ta izolonte (burgosje) në
shtëpi, ose ta përzinte përkohësisht nga shtëpia.
Libri III, nyja
33, § 60 i Kanunit të Lek Dukagjinit.
a) Baba âsht me detyrë mu rrekë per të mirë të të bijve si kah ndera, si ka
pasunija.
b) Me u blé armë djelmve. si të bàhen per'to:
c) Mos me bâ testamende, si të ket të bijtë:
d) Trashigimin baraz m'u làn djelmvet.
Sipas të Drejtes
Romake, vetëm kush ishte “pater familias”, i gëzonte plotësisht të
drejtat civile dhe politike, madje këto të drejta janë të sanksionuara në Kanunin
e Lek Dukagjinit ku theksohet se vetëm i Zoti i shtëpisë ka të drejtë të marri
pjesë në Kuvend, në jetën sociale të fisit, të fshatit, të krahinës, të provincës.
Zoti i shtëpisë e përfaqëson familjen me të gjitha të drejtat dhe detyrat, si në
kohë paqe dhe në kohë lufte.
Libri II, nyja 9,
i kanunit të Lek Dukagjinit:
§. 20. Tagri, perlimi e detyrat e të zot’t të shpisë. Sipas Kanunit,
sundimi i shpisë i perket ma të vjetrit nën
kulm të shpis, ose vllaut të parë; po s’paten ato veti, qi duhen për me
krye kët zyrë si e lyp detyra, atbotë
zgidhet kuvendisht prej shtëpijakve njaj, qi të jet ma i mençëm, i urtë e
ma kujdestar. Zot shpije mundet
m’u ba edhe njeri i pamartuem. I zoti i shpis ka tagër:
1) Me ndejë në krye të vendit në
shpi të vet, edhe pse gjinden ma të vjetër se ky në shpi;
2) Mbi armët e veta edhe njiqind
qese n’i bashin; mbi kal të shalës; mbi shtrojë e mblojë të veten; mbi
veglat e kafes, e këto sende as kunja e dahes s’i prishin;
3) Mbi fitime të gjindes së shpisë,
të rrogës a të falmeve;
4) Me ble, me shitë e me ndrrue
tokë, si arë, livadhe, ograja, prozhme, rendin e vadës e gja të gjalla etj.
5) Me dhanë e me marrë uha e me hi
dorzanë;
6) Me ndreqë shpinë, ksollën,
vithna, etj;
7) Me çue në punë a në shtek gjinden
e shpisë;
8) Me çue gjinden e shpisë për
puntorë uha a edhe falë;
9) Mbi venën e rakinë, a me ble a me
shit a me dhanë uha;
10) Me ndëshkue gjinden e shpisë, kur mos të hecin si e lypë e mbara e
shpisë. Ndëshkimet jan njikëto:
a) Me lanë pa hangër.
b) Me u hjekun armët e krahit a të brezit per nji a dy javë.
c) Me lidhë a me burgosun në shpi;
d) Kryekcyemin me e da shpijet me pjesë, qi i përket, për me shporrë
shnerzimin e rrezikun.
11) Me hi dorëzanë kush i shpisë përtej se i ban arma; me shitë, me ble a
me ndrrue gja pa leje të zot’t të
shpisë, ka tager mos u pergjegjë, se Kanuja s’e xen për të zakonshme as të
shitmen, as të blemen as të
ndrruemen e as dorëzanin këso dore, e çdo send a gja do të shkembet, se
a’ba pa leje të zot’t të shpisë.
7.
Në të Drejtën
Romake, preçizohet se familja është qeliza e shoqërisë, por gratë nuk gezonin të
drejta, gruaja nuk mund të ishte kurrë “patria potestas”, ajo përjashtohej
nga të gjitha të drejtat, nuk mund të ushtronte asnjë lloj shërbimi publik. Ky
ligj ishte aq i fortë dhe imponues, sa të dy Perandoritë Romake, ajo e Perëndimit
dhe e Lindjes, janë drejtuar vetëm nga burra perandora dhe asnjë herë nuk u
zgjodh një perandoreshë, madje dhe në senatet romake, zgjidheshin vetëm burra dhe
kurrë nuk u zgjodh një grua senatore.
Para pushtimit
romak, jeta dhe aktivitetet adminsitrative, ekonomike, tregëtare dhe shoqërore,
bazoheshin ne ligjet e të Drejtës Ilire, madje ishte më i përparuar se Kodi i të
Drejtës Romake, pasi Iliria ka dijt t’i nderojë gratë e veta, si rasti i mbretëreshës
Teuta, ndër të rallat mbreteresha të kohëve antike.
Në Kanunin e Lek
Dukagjinit dhe në kanunet e Maleve Shqiptare, familja sanksionohet si guri
themelor i shoqërisë, por gruaja është pa të drejta, nuk ka shanse të barabarta
me Kryefamiljarin – Zotin e shtëpisë. Ashtu si e Drejta Romake dhe Kanuni i Lek
Dukagjinit, e ndalon gruan të marri pjesë në jetën publike:
Librin II, Nyja 34,
paragrafi 61:“Gruja nuk mund të marri
pjesë në Kuvend, nuk ka të drejtë të akuzojë, nuk
mund të jetë porota, nuk mund të jetë dëshmitare
dhe nuk ka të drejta trashëgimie”.
§. 33. Detyrët e grues ndaj burrin. Grueja a’në detyrë:
c) me i ndejë nën sundim të burrit;
d) m’u përgjegjë detyrve të kunorës;
g) mos me iu perzie në fejes të të bijve e të të bijave.
Nyja 29: Grueja
asht shakull per me bajt, grueja njifet si një calikë per me bajtë sa të jetë
në derë të burrit.
Në dukje ligjet e
Kanunit të Lek Dukagjinit janë tepër të rrepta, sidomos në nënshtrimine gruas,
por ka dhe ligje që e marrin n ëmbrojtje si në nyjen 28 ku theksohet: Gruja
s’bjen në gjak – Grueja lshon më gjak prinden“
Njimend se mbas kanunit t’onë gjaku shkon per gisht, porse kjo kanu s’e
perfshin gruen, per arsye, se Grueja s’bjen në gjak“ edhe me qillue se vret
kend.
Gjithashtu historia
ka vertetuar se kanuni i Lek Dukagjinit, në rrethana të veçaanta është tolerant,
jo vetëm e mbron grua, por e vendos në pozicion shoqëror të barabartë me
burrat, si dëshmojnë historitë e Nores të
Kelmendit, të Shote Galicës dhe të grave të tjera shqiptare, sidomos të
burrneshave, që kanë marrë pjesë në Kuvende dhe kanë luftuar krah burrave për
lirinë e vendit.
Sipas të Drejtës
Romake, autoriteti i “pater familias” ushtrohej ndaj nuseve të djemëve
dhe pasardhësve të linjës mashkullore (linja e gjakut), ndaj nipave, mbesave,
stërnipave e kushërijëve, ashtu dhe ndaj fëmijëve të adaptuar nga kryetari i
familjes. Ky autoritet i kryefamiljarit sanksionohet dhe në Kanunin e Lek
Dukagjinit sipas të cilit i zoti i shtëpisë - kryetari i familjes – i pari i
oxhakut, e ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë pjestarët e familjes, që
jetonin në të njejtën vatër zjarri, ose nën të njejtën çati, në një oxhak.
Sipas të Drejtës Romake,
me vdekjen e kryefamiljarit, grupi familjar nuk shpërbehej, por në bllok kalojnë
në varësi të kryetarit të ri, që e trashëgonte direkt këtë rol. Ai që zevendësonte
kryetarin e familjes, ishte ose pasardhësi i parë në rradhë i kryefamiljarit,
pra djali i parë adult, ose një mashkull tjetër, psh. vëllai, që kryetari
e kishte zgjedhur
vetë më parë dhe e kishte lënë amanet, që ta zevendësonte pas vdekjes. Të
gjitha pasuritë e familjes, kalonin tërësisht nën administrimin e kryetarit të
ri.
Këto ligje të
Drejtës Romake janë të njëjta në Kanunin e Lek Dukagjinit. Pas vdekjes të
kryefamiljarit, zgjedhja të kryetarit të ri të familjes, dëshmon se pushteti i
kryefamiljarit ishte i trashëgueshem vetëm në linjën mashkullore, pra të
djemëve të kryefamiljarit.
Në Kanunin e Lek
Dukagjinit në Libri II, nyja 35, § 63 tagri i Parbinis (djalit të parë)
sanksionohet: Djalit
të parë i përket sundimi i shpisë mbas dekës së t'et.
Në të Drejtën Romake
theksohet se trashëgimtari ishte jo vetëm i formës aktive, por dhe i formës
pasive, si
ndodhte kur
kryefamiljari nuk kishte fëmijë meshkuj, pra nuk kishte trashëgimtarin e tij.
Kjo proçedurë
ligjore është identike dhe në Kanunin e Lek Dukagjinit dhe në kanunet e tjera
shqiptare, kur kryefamiljari nuk kishte fëmijë meshkuj, aatëhre pas vdekjes së
tij, drejtimin e familjes e merrte nipi më i madh në linjën e gjaku (djali i vëllait):
Libri II, nyja 35,
§ 63, pika “e” sanksionohet: Me kên Plak katundi djalit të vllaut të parë i
përket strapleqnija. Oroe: Sà të jét pà u dà shpija, i ungji i të bijve të
vllaut të parë ndër zyrë të katundit e të Flamurit, si të dahen, s'kan tagër
m'u përzie ndër zyrë të naltpermenduna, as i ungji, as të bijt e tij, pse jânë
të bijve të vllaut të parë.
Kodi i të Drejtës Romake,
përjashtonte nga trashëgimia pjestarët e linjës femërore (linja e qumeshtit) dhe
në Kanunin e Lek Dukagjinit, vepronin të njejtat ligje, nuk gëzonin të drejtën
e trashëgimisë fëmijët e vajzave të martuara (pasardhësit e linjës së
qumështit), e shprehur konkretisht, të drejtë trashëgimie kishin vetëm nipat e
linjës së gjakut (fëmijët e djemëve) dhe jo të vajzave.
Në rastet kur
kryefamiljari vdes papritur dhe djali i tij është ende i mitur, drejtimin dhe
administrimin e shtëpisë, të pasurive dhe kujdesin për djalin e mitur, e marrin
kushërinjt më të afërt, si përcaktohet në Kanunin e Lek Dukagjinit:
Libri II, nyja 42,
paragrafi 116. Po vdiq i ati në të papritun, tuj lânë djalin férishte djepi,
kushrinija do t'a mârrë në kujdes pasunin dhe djalin mje qi të bâhet 15 vjeç.
Si në Kodin e të Drejtës
Romake dhe në Kanunin e Lek Dukagjinit sanksionohet se kur një shtëpi mbetej pa
trashëgimtar meshkuj, atëhere drejtimin e shtëpisë e merrte kushriri më i madh
në moshë, që i përkiste linjës së gjakut. Në rastet ekstreme, kur dhe në rradhët
e kushërinjeve nuk kishte meshkuj, atëhere sipas Kanunit të Lek Dukagjinit
caktohet një kushëri i largët:
Libri II, nyja 42,
paragrafi 109: “Njiqind breza në kjofshin, kanë tagër mbi gjâ, pronë e
pasuní të pangut të shuem”, çka do të thotë se zot i shtëpisë dhe
administrator i pasurisë, bëhet kushëriri më i largët i fisit dhe pse disa
breza i largët, por që është i linjës së gjakut. Në rastet kur kryefamiljari
kishte lënë borxhe, kryefamiljari i ri, detyrohej t’i paguante borxhet, duke
hequr pjesë nga pasuria e trashëguar, e cila me testament i ishte kaluar kushërinjëve
më të afërt.
8.
Me këtë studim,
nuk kam pas qëllim të analizoj të Drejtën Romake, por kam synuar të trajtoj
disa elemente ligjore, të ngjashëme me ato të drejtës ilire, për të treguar se
ka një lidhje historike dhe shkambimesh kulturore ndërmjet të drejtës Romake,
me të Drejtën Ilire, e cila i asimiloi, i përshtati në kushtet e veta sociale,
politike dhe kulturore. Këto ligje u ruajtën besnikërisht dhe u transmetuan gojarisht
brez pas brezi, si rezultojnë të pasqyruara në Kanunin e Lek Dukagjinit dhe në
Kanunet e tjera shqiptare. Dihet se ligjet janë të qëndrueshme për kohë të gjatë,
në ndryshim nga etika, normat morale, arti e kultura, që modifikohen,
rinovohen, pasurohen, sipas periudhave historike dhe të progresit shoqëror e
kulturor.
Origjina e vjetër
dhe stabiliteti shumëvjeçar i ligjeve, shprehen në Kanunin e Lek Dukagjinit, ku
theksohet “Ligjet tona ashtu si na i kanë lanë ligje të parët” dhe më tej: “Ligjeve të vjetra, të reja nuk i shtohen”, çka do të thotë, se askush
nuk mund t’i ndryshoi ligjet e vjetra të Kanunit të Lek Dukagjinit.
Prania e shumë
elementeve ligjore të drejtës antike helene, romake dhe ilire në Kanunin e Lek
Dukagjinit dhe në kanunet e tjera shqiptare, nuk është rastësi, madje ruajtja e
tyre në një formë pak a shumë të pandryshuar, ose e thëne më saktë, te përshtatura
në kushtet historike dhe sociale të shoqërisë iliro – arbërore – shqiptare, i
japin karakter origjinal të drejtës zakonore shqiptare, e pasqyruar dhe e
zbatuar nga të gjitha kanunet shqiptare.