E premte, 21.11.2025, 09:05 PM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (2)

E premte, 21.11.2025, 07:30 PM


SHËN NËNË ANGJELINA ARBËRORE (2)

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Angjelina, vajza e vogël e princit Gjergj Arianiti Komneni dhe e Maria Muzakës u lind në vitin 1440 në Sopot, kryeqendra veriore e principatës të Arianitëve. Vitet e fëminisë dhe të adoleshencës i kaloi në Sopot, në Shpat e në Kaninë, ndërsa nga viti 1456 jetoi në Durrës me të Atin, njerkën Petrina Frankoni, me tre vëllezërit dhe me motrën Maria. Nga babai Gjergji dhe nga nëna Maria, Angjelina mori vlerat morale dhe virtytet, që çdo fëmijë dëshiron të trashëgoi nga prindërit e vet.

Veprimtaria e Angjelina Arianiti në 80 vite jete, shtrihet në tre periudha:

1. Fëmijëria dhe adoleshenca në Sopot, në Shpat dhe në Kaninë.

2. Në vitet 1456 - 1462 jetoi në Durrës. Në vitin 1462 emigroi në Itali, Hungari, Austri, Vojvodinë, Vllahi.

3. Nga viti 1486 e deri në vitin 1520, iu dedikua jetës ekleziastike, e shugruar murgeshë ortodokse, e dedikuar tërësisht Zotit, e shquar në hapjen e shumë manastireve në disa shtete ku jetoi në periudha të ndryshme kohe, me aktivitete fetare, që shprehnin virtytet e saj si e krishterë ortodokse, pastërtinë shpirtërore të jetës së saj askete, përkushtimin mëshirëmadh në ndihmë të varfërve dhe të vuajturve, gjithmonë duke vepruar me dashuri, me qetësi, me durim dhe me mençuri.

Më 30 korrik 1520, murgesha Angjelina Arianiti Brankoviç u nda nga jeta dhe e varrosën në manastirin e saj në Sretenja dhe pak kohë më pas, arkmortin me lipsanet e saj i transferuan në manastirin e Krušedolit.

1.

Si vajza e vogël e familjes Arianiti, Angjelina ishte e përkëdhelura e të atit Gjergji, në veçanti e nënës Maria e cila gjithmonë e mbante pranë, i mësonte sekretet e jetës, e merrte në kishën e Shen Marisë në Sopot, ku faleshin para ikonës të Zonjës së Papërlyeme, ndërsa në Kaninë frekuentonin përditë Qishë-Bardhën, ku ishte celebruar martesa e motrës Andronika me Gjergj Kastriotin.

Nëna Maria i mësoi Angjelinës rregullat e fisnikërisë, i zbuloi të fshehtat e të veshurit fisëm, i mësoi si të respektonte ritualet dhe sjelljet fisnike sipas rregullave të ceremonive bizantine, e mësoi të qëndiste, i mësoi këngët e bukura arbërore, por dhe e lejonte të luante e të argëtohej me bashkëmoshatarët. Para nënës, Angjelina ishte pasqyrë magjike, që lëshonte reflektime vezulluese dashurie, mirësie dhe ciltërsie fëminore.

Angjelina Ishte 11 vjeçe kur motra e madhe Andronika u martua me Gjergj Kastriotin. Vitet e më pasme Angjelina i kaloi në shoqëri dhe me përkdheljet e motrave, i përjetoi me gëzim martesat e tyre, por ndjeu mall dhe boshllëk nga largimi i tyre njera pas tjetrës.

Në kujtimet e saj Angjelina shkruan: “Ishim tetë motra, por nuk ishin të njëjta njëra-me tjetrën. Në sytë e nënës, si në një pasqyrë magjike, e ndryshmja e secilës nga ne merrte reflektim vezullues.Të jesh e ndryshme, do të thotë të jesh e veçantë, më kishte thënë njëherë nëna.

Nëna na mbronte me besim në fe dhe me forcë në jetë. Përkujdesej përditë për të gjitha ne, na krijonte atmoferë paqe dhe jete të zakonshme. Në kohën, që ne u rritem dhe po hidhnim shtat, situata në trojet tona ishte e tronditur nga luftimet kundër dyndjeve osmane, me shkatërrime dhe viktima të shumta, por ne ishin të mbrojtura nga kjo e vërtetë e hidhur. Duke ndërtuar për ne një botë paralele si kështjellë, nëna na mbante pranë, na ruante shpresat dhe të drejtën për të jetuar të qeta e me ëndërra të bukura për të ardhmen. Unë u linda pak vite përpara se Andronika, motra më e madhja në mesin tonë, të martohej me Skënderbeun. Më pas u larguan Vojsava dhe Kyrana. Voisava iku në pallatin e Ivan Crnojeviqit, ndërsa Kyrana në veri, te Nikoll Dukagjini. Dasmat e tyre nuk i mbaja mend. Unë u rrita me Helenën dhe Despinën, por dhe ato, babai i martoi te Gjergj dhe Tanush Dukagjini. Dasmat e tyre u organizuan në të njëjtën ditë dhe ikën në Dukagjin në të njejtën ditë.

Mbetëm tre motrat më të vogla, Katerina, Komita dhe unë, kështu i përcolla edhe ato të dyja: Komiten me Gojkon Sundimtar i Zetës, kurse Katerina u martua me Andrea Spanin. Largimi i shtatë motrave më trishtoi, Në atë kohë, për herë të parë ndjeva zbrazëti, por vetminë time nëna ma mbushte me dashuri dhe përkujdesje”.

Shkrimtaria Ljiljana Habjanoviç Çuroviç (Gjuroviç), në veprën “Le confessioni dell’anima – Rrëfimet e shpirtit”, Secop Edizione 2012, ka përfshirë pjesë nga memoriet e Angjelinës, e cila rrëfen për vitet e vështira të fëmijërisë, të adoleshencës dhe të rinisë të përjetuara në Arbëri dhe për vitet e bukura dhe raportet me të atin Gjergj Arianitin dhe me nënën e adhuruar Maria Muzaka.

“Im atë Gjergj Aranit Komneni, ishte zotërues me hir të Zotit, i Aulonës, i Sopotit, i Kaninës dhe i Elbasanit. Bir i një dere fisnike dhe trimash, reputacionit të paraardhësve i shtoi reputacionin e vet. Gruaja e tij, nëna ime Maria, i solli në pajë zotërimet e fisnikërisë së vjetër, aleancat dhe miqësitë e Arianitëve me të atin Andrea III Muzaka. Kur Skënderbeu zgjodhi për grua motrën time Andronikën edhe njëherë u bashkuan fuqia mbi fuqinë.

Im atë ka organizuar kryengritjet e para kundër turqëve, shumë vite para lindjes sime dhe që nga ajo kohë, nuk ka patur betejë, në të cilën nuk është valëvitur flamuri me stemën e familjes tonë dhe nuk ka patur beteja ku nuk ka flakëruar shpata e tij, as nuk ka patur mbledhje fisnikësh, ku nuk janë dëgjuar e marrë për bazë fjalët e tij të mençura dhe plot përvojë.

Betejat e gjata ishin përditshmia e popujve, që nga Bosfori deri në Danub, që atë natë kur turqit kaluan detin dhe nga Azia hodhën hapin në Europë. Vitet kalonin, zgjateshin me dekada dhe kështu u mbushën pothuajse dy shekuj, që shtetet e krishtera ishin nën presionin e Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj kohe janë ndërruar sundimtarët, të krishterë e myslimanë, kanë vdekur Papë dhe patriarkë, janë zhvilluar beteja të shumta. Shkatërrimi shumohej nga ekspeditat e ushtrive osmane, që linin pas qytete dhe fshatra të rrënuara, ara, fusha dhe pyje të djegura, të vrarë të shumtë dhe robër që dërgoheshin në Anadoll. Secila palë kishte të vërtetën e vet, çdo popull heronjtë e tij, të kujtuar në histori dhe me heroizmat të kënduara në këngë, por kishin edhe vuajtjet e veta, të vrarët në fushat e betejave, të gjymtuarit, jetimët, vejushat, motra pa vëllezër dhe nëna pa fëmijë. Këmbeheshin fitoret me humbjet, gjendjet e luftës me armëpushimet. Ndryshonin aleatët dhe armiqtë. Pabesitë vazhdoheshin me tradhëti dhe me gënjeshtra. Humbeshin qytetet dhe rimerreshin përsëri, të njëjtët, ose dhe qytete të tjerë.

Fëmijët e sundimtarëve dhe të fisnikërisë martoheshin me njerëz të urryer, si garanci për aleancat ushtarake. Princërit tanë merreshin robër në pallatet e armiqve osmanë, si pengje dhe si garant të nënshtrimit. Rezultati përfundimtar i gjithë këtyre përpjekjeve ishte humbja. Nga popujt e Ballkanit rrëmbyen djemë të krishterët, të cilët i mobilizuan në rradhët e ushtrisë osmane, sidomos në repartet e jeniçerëve. Turqit përparonin gjithnjë e më shumë në veri, thellë e më thellë, në trojet e shteteve të krishtera të Europës. Kronistët matnin kohën e zgjatjes së luftës dhe kohën e zgjatjes së paqes. Sipas dëshmive të tyre, paqe të vërtetë nuk kishte patur. Fushatat ushtarake osmane ishin të gjata, të egra, kurse armëpushimet të shkurtëra, të rreme, të paqëndrueshme dhe të mbushura me përgatitje për luftërat e reja.

Babai im Gjergj Arianiti, sipas detyrimit të tij fisnik, ishte përherë në krye të ushtrisë. Megjithatë, edhe në kohën e mungesave të tij të shpeshta, prania e tij në familje dhe në jetën tonë të përditëshme ishte e vazhdushme dhe e gjallë e plot shpresa, sepse kështu na mbante nëna e jonë.

Nëna ime Maria Muzaka ishte e bukur, fisnike, e mbushur me një paqe të veçantë, që dallohet te gratë, që janë të ndërgjegjshme se e dashurojnë bashkeshortin. Mbante rroba të zeza, të prera dhe qepura me elegancë, flokët e gjatë të thurur gërshet dhe të kthyer në qafë, si dhe një unazë me fytyrën e Zonjës së Bekuar. Trupin e kishte të drejtë, ndërsa ecjen të sigurt. Lindi tetë vajza, tetë fisnike të shquara

Njëherë, ndërsa kaloja para dhomës së gjumit të prindërve, dëgjova pëshpëritjen e butë të tim Ati: “Më ke dhënë të drejtën për të qenë krenar dhe më ke dhënë shpresë për pleqërinë”,- thoshte ai. Ndalova dhe përgjova pas derës gjysmë të hapur. Babai qëndronte para nënës duke e vështruar ngultas në sy dhe pa e hequr shikimin, ia mori duart e saj, i afroi ngadalë tek buzët dhe i puthi pëllëmbët. Njërën, pastaj tjetrën. “Kjo është dashuria”, thashë e ngazëllyer nga kjo skenë. Isha vetëm nëntë vjeçe.

Për nënën time, dashuria për atin tonë dhe për ne vajzat ishte mbështetja dhe bastioni i saj. Duke dashuruar atin tonë, kishte mësuar të priste me durim, të ngushëllohej nga shpresa dhe forcohej nga besimi. Çdo ngjarje e parëndësishme, një fjalë e thënë rastësisht, aroma e barit të bjeshkës, kënga e shërbyeseve tona, e qeshura e njerëzve të mbledhur pët t’u argëtuar në shesh, shija e gjellës së parapëlqyer, hedhja e vështrimit mbi vathët ose mbi fustan, gjithçka, në të vërtetë gjithçka, ishte shkak, që të kujtonte burrin dhe zotërinë e vet. Me çfarëdo pune që të merrej, mendimet i silleshin rreth babait tonë. Me këdo dhe kudo që të ishte, ishte krah me babanë. Gërmonte nëpër kujtime, i ndiqte gjurmët e tij. Ëndërronte për kthimin e tij në krye të ushtrisë. Priste lajmëtarë, priste lajme. Lexonte letrat e tij, të vjetrat, deri sa të vinin të rejat. Pastaj i lexonte të gjitha bashkë, qëkur ai ishte larguar. Nëna, kur donte të na thoshte diçka të rëndësishme zakonisht fillonte kështu: ”Babai juaj mendon, babai juaj do të dëshironte, do të thoshte, nuk do të lejonte, do t’i vinte keq…”, kësisoj ne përpiqeshim që të bënim gjithçka si thoshte nëna dhe si do t’i pëlqente babai tonë, kështu do ta lumturonim kur të kthehej.

Babai kthehej i lodhur, i dërrmuar si nga fitoret, ashtu dhe nga humbjet. Në rrobat, në flokët dhe në lëkurë kishte kutërbimin e papastërtive të luftës, por kishte dhe buzëqeshjen që i dridhej në buzë dhe që i ndriste në sy. Kthehej i dërrmuar shpirtërisht, që kish mbetur i gjallë në mesin e gjithë atyre bashkëluftëtarëve që vdisnin dhe gjymtoheshin nëpër beteja kundër turqëve. Kur e shihnim se po vinte, uleshim në gjunjë dhe falenderonim Zotin, për gjithë atë hir dhe pastaj i hidheshim në krahët e tij dhe e përqafonim me plot dashuri”.

Memoriet e Angjelina Arianitit ruhen në Manastirin e Krušedol dhe janë studiuar e komentuar nga shumë studiues të huaj, kryesisht serbë dhe të gjithë pa përjashtim evidencojnë nivelin arsimor dhe formimin kulturor të Angjelinës. Në një dokument dioqezian, Ipeshkëvi i Dioqezës të Srem-it, thekson: “Angjelina, nga prindërit kishte marrë edukim arsimor të shkëlqyer, çka e shprehte me dashuri për librat dhe me bibliotekën e pasur me libra që kishte krijuar në Manastirin e Krušedol. Angjelina ishte grua e bukur, e mençur, kurajoze e me dashuri të madhe për librat”. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Brankoviç Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 - 14].

Në lidhje me arsimimin dhe kulturën, vlen të theksohet se Angjelina fliste disa gjuhë: arbërishte, italisht (ia mësoi njerka Petrina), gjermanisht, magjare (hungareze), rumanisht, serbisht, latinisht dhe greqishte. Në përiudhën kur u dorëzua murgeshë, në takimet dhe bisedat me besimtarët, gjatë liturgjisë dhe predikimeve të ungjillit në kishë dhe në takimet me besimtarët, Angjelina fliste në gjuhën e banorëve të vendeve ku shërbeu murgeshë, si në Itali, Hungari, Austri, Vllahi, Vojvodinë, Slloveni, Serbi etj.

Jeta dhe veprimtaria e shumë të adhuruarës murgeshës Angjelina Arianiti Brankoviç, është shkruar dhe nga ipeshkëvi Žiça Cristosom, i cili e ka pasqyruar në një dorëshkrim të shekullit XVI, që ruhet në Manastirin Žiçe të Dioqezës Žiçe. [SET: Žiçki e Studenica Minej, seria muaji korrik, botim i Dioqezës së Žiça 2006/2007]. Kjo biografi e Andronikës është përkthyer në serbishten moderne nga hirësia i tij Mitrofan Ševiç, Ipeshkëvi i Eparkisë Baçka, madje ruhet në Rimniçki dhe në Moska Srbljak, ndërsa në Beograd, prologu i kësaj biografie ështe pak a shumë i ndryshuar.

Në memoriet, Angjelina shpreh admirimin dhe dashurinë për të atin dhe nënën dhe mes afekteve prindërore, ajo përshkruan nënën Maria të përkushtuar në edukimin dhe formimin moral e kulturor të vajzave dhe babain Gjergjin prijës, luftëtar i shquar në luftimet kundër hordhive turke. Krahas sukseseve të Gjergj Arianitit në betejat kundër dyndjeve osmane në trojet e Arianitëve, në memoriet e saj, Angjelina përmend dhe tragjedinë e Sopotit, duke theksuar se ushtria osmane i masakroi banorët, dogji shtëpi, arat me të mbjella dhe mori burra, gra e fëmijë robër, që i dërgoi në Anadoll. Tragjedia e Sopotit i la mbesa të pashlyera Angjelinës, por kujtohet dhe nga banorët e asaj treve, madje është përjetësuar me Sagën e famëshme të Gjorg Golemi (Gjergj Arianiti).

Nga viti 1427 deri në vitin 1456, Gjergj Arianiti udhëhoqi malësorët në luftimet kundër sulmeve turke, si shprehet rapsodi në Sagën e Gjorg Golemit, e cila këndohet nga banorët e Sopotit, të Shpatit, të Librazhdit, të Çermenikës e më gjërë, duke evokuar heroizmin e Princ Arianitit dhe malësorëve të këtyre trevave.

Ky Sulltani qan me lot.

Kam dhe një Skënder në Sopot,

Flakë në mal dhe flakë në breg,

Gjorg Golemi thotë jam mbret...

Principata e Arianitëve ishte objekt i sulmeve të vazhdueshme të Perandorisë Osmane. Më 20 prill 1435, Gjergj Arianiti shpartalloi forcat turke në Shalës të Elbasanit. Për të festuar këtë fitore, Gjergji dhe luftëtarët e tij, shkuan në kishën e Shën Maria në Galigat të Shpatit, ku më 8 shtator organizohej panairi i të premtes të Shën Maria, si tregohet në sagën e Gjorg Golemit:

Gjorg Golemi trim me fletë

N’Galigat shkon dy net’,

N’Galigat, për Shën Mëri

Do të shkoj me gjithë ushtri.

Komandanti i ushtrisë turke, i informuar nga një tradhtar librazhdas për largimin e Gjergjit me luftëtarët, u kthye nga rruga ikjes dhe të shtunën e 9 shtatorit sulmoi Sopotin e pambrojtur, duke e djegur, plaçkitur dhe masakruar të gjithë banorët. Gratë dhe vajzat e Sopotit, për të mos rënë në duart e turqëve u vetësakrifikuan, duke u hedhur nga shkëmbi në humnerë. Këtë ngjarje tragjike populli e ka mishëruar në këngën e njohur si saga e Gjorg Golemit. Në vitin 1938 pasi e dëgjoi të kënduar nga malësorët, mësuesi patriot Shahin Zharri e transkriptoi këtë këngë, kështu e përjetësoi, si dëshmi e rezistencë heroike të Gjergj Arianitit kundër sulmeve të egra të ushtrisë osmane dhe të tragjedisë të malësorëve të Sopoti. Dhimitër Shuteriqi mendon se kjo sagë është e shekullit XVIII, e shkruar nga një prej intelektualëve arbëror me origjinë nga trevat e Librazhdit, i cili rrëfenjën popullore për ngjarjet e Sopotit e shndërroi në këngë epike. [Dhimitër Shuteriqi. Sesionin shkencor kushtuar 60 vjetorit të botimit të “Këngës së Gjorg Golemit-Princit të Sopotit. Librazhd, më 28 shtator 1998]

Në këtë këngë epike me 55 vargje, janë ndërthurur faktet historike me rrëfenjat popullore. Mendimi i shumë studiuesve është se në këtë sagë janë bashkuar tragjedia e Sopotit e vitit 1435, me pushtimin e trojeve të Arianitëve në vitet 1466 – 1467. [Oreste Parise. La saga di Gjorgj Golemi. Academia.edu. 2013, pp. 2 - 15]

Rapsodi e fillon sagën me ngjarjen tragjike, që goditi Sopotin dhe këtë e tregon nëpërmjet fjalëve të Maria Arianitit, vajzës të vogël të Gjergjit.

Zot, Maria ka një fjalë,

Mu te mani paska dalë,

Ti o princ, mos hyp në kal,

Do vij turku me na marrë.

Ndal o At, ku po shkon,

Do vij turku, na pushton,

N’Mollë të Kuqe ai na çon.

Pashë një ëndërr këtë natë,

Sopoti na mori flakë,

Ti, o At, dëgjomë këtë herë,

Se vjen turku e na ther.

Në këtë sagë, rapsodi ka përdorur elementet Homeriane të Iliadës, pikërisht profecinë ndjellakeqase të Andromakës për pushtimin e Trojës nga helenët. Maria ashtu si Andromaka, parathotë tragjedinë, që do të godasë rëndë malësorët e pambrojtur te Sopotit. Gjithçka ndodhi atë ditë të shtune. Masakrën makabre të barbarëve turq, poeti popullor na e tregon thjesht, por dhimbshëm nëpërmjet thirrjes dëshpëruese të princeshës Maria Arianiti, drejtuar të Atit dhe në vazhdim kuptohen pasojat. Në kontrast me tragjedinë, poeti popullor shpreh dhe guximin e malësorëve, burrave e grave sopotare, që luftuan me heroizëm kundër turqve, madje e tregon me krenari si një sfidë të rrallë.

Tragjedia e Sopotit, kujtohet me dhimbje të thellë dhe si mallkim dhe nga sopotarët që emigruan ne Itali, si tregon A. Bellushi, për këngën popullore të kënduar nga arbëreshët, që banojnë në komunën e Santa Sofia di Epiro. Në këtë këngë janë vargjet: “Gjithë t’u shtunat ardhshin, ma vet e shtunia e Shalës kurrë mos ardhtë”. [Antonio Bellusci. Magia e credenze popolari, ricerca etnografica tra gli albanesi d’Italia.Cosenza, 1983].

2.

Në vjeshtën e vitit 1456, Gjergj Arianiti me bashkëshorten Petrina, me Angjelinën 16 vjeçare, me djemtë dhe vajzën, u vendosën me banim në Durrës, si rezulton në urdhërin e Dozhës Françesko Foskari, dërguar Kuirinit, bajlo dhe kapidan i Durrësit të cilit i shkruan: “Zoti i shkëlqyer Arianit Komneni dhe familja e tij të trajtohen me përparësi - Privilegium Magnifici Arianiti Commneni Domini”. [Joseph Valentini. Acta Albaniae Veneta, Seculorum XIV – XV, Tomus XVII. Annos MCDLV – MCDLVIII: 1456 – 1458]

Në vitin 1459, pranë familjes Arianiti në Durrës, erdhi despoti i shfronësuar i Serbisë Stefani III Brankoviç, së bashku me nënën e tij Irena Kantakuzena, mbesa e perandorit Gjoni VI Kantakuzen. Mavro Orbin (1563 – 1610) historian nga Dubrovniku dhe prift benedektin, në traktatin e tij historiko-politik përshkruan mbretërinë Sllave dhe për periudhën e pushtimit turk, ndër të tjera thekson: "Stefani III Brankovi? iku në Albania, ku u martua më Angjelinën, një grua e virtytshme, bijë e Arianitit, vjehrrit të Skënderbeut”. [Mavro Orbin: Regno degli Slavi hoggi corrottamente detti Schiavoni, Pubblicato a Pesaro, Girolamo Concordia, l’anno 1601].

Stefani III Brankoviç në vitin 1458 ishte kurorzuar Dhespot i Serbisë (Rashës). Pas rënies së Smederevës, që ishte rezidenca e Brankoviçëve, Serbia u pushtua nga turqit. Stefani III tashmë i çkurorzuar si dhespot, i përjetoi me dhimbje pushtimin nga osmanët, por dhe u ndëshkua rëndë nga turqit, të cilët e verbuan Stefanin dhe i vranë të vëllanë Gregorio, sepse sipas Sulltan Mehmetit II, i ati i tyre Dhespoti Gjergj Brankoviçi, i kishte shkelur kushtet e marrëveshjes me Perandorinë Osman.

Për të shmangur përndjekjet dhe ndëshkimet nga turqit, Stefani III kërkoi strehim në mbretëritë europiane, por ata refuzuan ta bujtin, nga frika e sulltan Mehmetit II. Në këto rrethana, Stefani III së bashku me nënën u arratisën, fillimisht u strehuan në Kroaci pranë të motrës konteshës Katerina, por aty nuk ndjehej i sigurtë, andaj pas pak javësh shkoi në Dubrovnik dhe nga aty në Shkodër, asi kohe në zotërim të Venedikut.

I ndjerë i braktisur nga aleatët europianë, Stefani III iu drejtua për ndihmë Gjergj Kastriotit, me të cilin njihej dhe kishte miqësi që në vitet e fëmijërisë, kur të dy kishin qenë peng në oborrin e sulltan Muratit II. Gjergj Kastrioti e ftoi në Arbëri Stefanin III dhe nënën e tij Irena Kantakuzeni dhe për të garantuar siguri për jetën e tyre, i dërgoi në Durrës pranë familjes të princit Gjergj Arianiti. Midis familjeve fisnike Arianiti dhe Brankoviç lindi një miqësi dhe respekt reciprok. Krahas nënës Irena, për Stefanin e verbër kujdesej me përkushtim dhe Angjelina, madje nga kjo përkujdesje dhe bisedat mes tyre lindi një miqësi dhe adhurim nga të dy për njeri tjetrin, çka e nxiti Stefanin t’i kërkoi Gjergj Arianitit të martohej më Angjelinën. Gjergj Arianiti pranoi dhe në vitin 1461, Angjelina u martua me Stefanin III Brankoviç. Dasma u zhvillua në Durrës dhe martesa u konsakrua në kishën ortodokse Shen Maria të Durrësit. Në vitet që jetuan në Durrës, Angjelina u përkrah dhe u ndihmua nga motra Andronika Kastrioti, madje dhe kur u shpërngulën në Itali Andronika i dërgonte ndihma finaciare. [Sima Çirkoviç, Gli ultimi Brankoviçi. Storia del popolo serbo.Llibro 2. Belgrado: Cooperativa letteraria serba. 1982. pp. 445—464]

Gjatë 15 viteve jete bashkëshortore, Stefani i verbër nuk e pa kurrë dhe nuk mundi të admironte fytyrën e bukur, me buzqeshjen e çiltër të adhuruarës së tij Angjelinës.

Nga martesa e Angjelinës me Stefani III, lindën pesë fëmijë, në Durrës lindi Gjergji (1461), ndërsa në Friuli lindën Milica (1464), Jovani (1465); Maria (1466). Ata kishin lindur dhe një vajzë, Jerina e cila vdiq në Durrës, pak ditë pas lindjes, si dëshmohet në dorëshkrimet e Angelo Massarelli, i cili thekson: “Stefani III dhe Angjelina kishin dhe një vajzë Jerina, e cila vdiq foshnje pas lindjes”. [Perego Stefano, Smilgevicius Kestutis. 2024, A proposito del Diarium primum di Angelo Massarelli, p.4-10].

Në vitin 1462 vdiq princi Gjergj Arianiti. Baronesha Petrina Frankone Arianiti e mbetur e vè, bashkë me djemtë dhe vajzën Maria, në verën e vitit 1463 u kthye në Pulja, në trojet e prindërve në feudin e Taurisano në Salento e më pas shkuan në Venecia. Angjelina me Stafanin dhe djalin Gjergji, u ndienë vetëm. Në rrethanat e vështira që po kalonte Arbëria, Gjergj Kastrioti dhe e motra Andronika Kastrioti i këshilluan Stefanin dhe Angjelinën të shkonin në Itali, madje iu dhanë letër rekomandimi për Dukën Sforca të Milanos.

Stefani III, Angjelina me djalin Gjergji, fillimisht shkuan në Venecia, me shpresë se do të ndihmoheshin nga Serenissima, sepse Stefani III, nga viti 1441 ishte patric venecian dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të vitit 1456, të Gjergj Arianitit me Dozhën Françesko Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima.

Gjatë qëndrimit në Venecia, Stefani dhe Angjelina nuk gjetën përkrahje nga Serenissima. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovi?. Enciclopedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubb. di Infobase. pp.  93 - 94].

Në këto rrethana, familjarisht u transferuan në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit pranë lumit Taliamento, kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina (e martuar me Ulriku II i Celje të Kroacisë), ia kishin blerë, kontit Leonardo i Gorizia. [Altan Mario Giovanni Batista. Stefano Brankovi? despota di Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli, secolo XV: Revista Friulane. Atti dell’Accademia di scienze lettere e arti di Udine, 1981, pp. 15 - 29]

Në kështjellën Belgrado në Friuli jetuan mbi 10 vite. Aty lindën vajzën Milica (1464 – 1554, u martua me Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë; djalin Jovani (1465 – 1502, u martua me Jelena Jakši?, e përmendur në një hartë të vitit 1502 si Elena dhespota serbe) dhe vajzën Maria (1466 - 1495).

Djali i madh Gjergj Brankoviç, në vitin 1487 u martua me Isabella del Balzo, e bija e Angilberto del Balzo Orsini, duka i Nardò, konti i Ugento dhe Presiçe dhe i Jelisaveta Milica Spani. Isabella Brankoviç vdiq në vitin 1498. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje thuhet se ishte kjo arsyeja që e nxiti të dorëzohet murg. [Franca Petrucci. Angilberto del Balzo: Dizionario biografico degli Italiani. Volume 36, 1988]

Ndonëse i ati i Stefanit III, dhespoti i Serbisë Gjergj Brankoviç kishte qenë shumë i pasur, kishte pasur në zotërim shumë treva dhe kështjella, vetëm nga minierat e Gilanit në Kosovë merrte çdo vit 200 000 dukate veneciane, por e gjithë kjo pasuri u sekuestrua nga pushtuesit osmanë, andaj Stefani me Angjelinën jetuan në vështirësi të mëdha financiare, madje historianët theksojnë se jetonin në varfëri. [Babinger Franz. Le vicende del castello friulano di Belgrado sul fine del medioevo. Atti dell’Accademia di Scienze Lettere e Arti di Udine. VII, 1962 ]

Angjelina ishte grua e virtytshme, e mençur, besnike, kurajoze dhe e sakrificave. Ajo bashkë me burrin e verbër dhe katër fëmijët e saj, i përballoi të gjitha problemet dhe vështirësitë e jetës, si ato ekonomike dhe zhvendosjet e padrejta të familjes nga një shtet në tjetrin, nga një trevë në tjetrën.

Në vitin 1471 Stefani III i dërgoi letër fisnikëve të Dubrovnikut, të cilëve iu kërkoi të ndihmonin gruan dhe fëmijët e tij: "Amanet ju lë Angjelinën dhe fëmijët Gjergjin, Milicën, Gjonin dhe Marien, iu a le amanet përpara Zotit dhe para Kungimit dhe para të gjithë shenjëtorëve“. Dhe fisnikët e Dubrovnikut u treguan indiferenta, nuk kontribuan për të ndihmuar familjen Brankoviç. [Ljiljana Habjanoviç Çuroviç Le confessioni dell’anima, Secop Edizione 2012].

Më 9 tetor 1476, vdiq Stefani III Brankoviç, E varrosën në Friuli. Angjelina jetoi edhe për disa kohë në kështjellën e Belgradit në Friuli. E detyruar nga vështirësitë ekonomike që po kalonte, në vitin 1478, Angjelina i u drejtua për ndihmë Perandorit të Austrisë Frederikut III, i cili e ftoi dhe i dhuroi një kështjellë në Dukatin e Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe me Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi rreth 10 vite në Stiria, natyrisht me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III. Në Stiria, mori dhe arkmortin me lipsanet e bashkëshortit. Angjelina frekuentonte rregullisht kishën Shen Maria në Abacinë benedektine Admont në Stiria, ndofta gjatë kësaj periudhe, aty kreu noviciatin dhe para se të largohet, u shugurua murgeshë. Në këtë kohë, rezulton dhe një letërkëmbim i Angjelinës me Hijësinë e tij Nifonin Patriarku i Kostantinopojës, i cili ishte me origjinë arbërore.

Në vitin 1485, Perandori Frederiku III ndërmjetësoi te Angjelina për martesën e vajzës Maria me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur, por i vjetër 61 vjeç, ndërsa Maria ishte 19 vjeçe. Nga kjo martesë, lindën dy djem. Maria jetoi në mirëqenie, madje pas vdekjes të Bonifacit III më 1494, bashkë me dajën e vet, Kostantin Arianitin administruan pronat që trashëgoi, por pas dy vite, gjendja shëndetësore e Maries u keqësua dhe në vitin 1496 vdiq. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni,  botim në Issue.com, Mars 2014].

Në janar të vitit 1486, Angjelina mori një letër nga mbreti i Hungarisë, Mattia Korvino, i cili e ftonte të jetonte në Hungari dhe me kusht që merrnin trashëgimin dinastike dhe djali Gjergj Brankoviçi të pranonte dinjitetin e dhespotit të Serbisë, ani se Serbia ende ishte pushtuar nga Perandoria Osmane, por në këtë mënyrë të nxitej populli për të luftuar kundër pushtuesve. Angjelina pranoi ftesën dhe së bashku me dy djemtë dhe me arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III Brankoviç, nga Stiria shkoi në Vjenë dhe nga aty me anije lundruan në Danub për në Buda dhe në shkurt të vitit 1486 arrijtën në distretin e Srem-it të Vojvodinës, asi kohe në zotërim të mbretërisë Hungareze. Në Srem u sistemuan në kështjellën e qytezës Kupin, aktualisht Kupinovo, në një ishull të lumit Sava. Aty Angjelina ndërtoi n jë kishë të vogël, të cilën banorët vendas e quajnë Kisha e Shen Angjelinës.

Angjelina, tashmë murgeshë, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, serbë, sllovenë dhe Bosnjakë. Një vit më pas ndërtoi manastirin e Obed dhe manastirin e Sretenje ku shërbeu murgeshë. [Slobodan Mileusniç, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].

Kur arrijti në Srem, Gjergj Brankoviçi, abdikoi titullin dhespot dhe u shugurua murg dhe sipas rregullave manastiriale mori emrin Maksim. Në vendin e tij, titulli dhespot i Serbisë i kaloi Johanit, djali i dytë. Në një kronikë të Bosnjës, dëshmohet një betejë e madhe kundër Perandorisë Osmane, betejë e udhëhequr nga djali i

Angjelinës, dhespoti Johan, i cilit theksohet si ushtarak i aftë dhe strateg lufte.

Më 10 dhjetor 1502, dhespoti Johan Brankovi? vdiq dhe e varrosën në kishën e Shën Luka pranë të atit Stefani III Brankoviç. Pas vdekjes të Johanit, titullin dhespot e mori Ivani, nga familja e vjetër fisnike kroate Berislaviç. Në këtë situatë, Angjelina dhe murgu Maksim humbën të drejtat e pronësisë, që i ishin njohur me kusht nga mbreti Mattia Korvino, andaj u detyruan të braktisin Hungarinë dhe shkuan në Vllahi, të ftuar nga e bija Milica dhe dhëndërri Duka Negoya i Vllahisë, ku qëndruan 7 vite dhe ku u impenjua në organizimin e kishës ortodokse.

Në vitin 1509, me ndihmën e nipit Jakšiç Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia mbi malin Fruška Gora në Vojvodinë, ku ndërtuan manastirin e Krušcedol. Në vitin 1512, në këtë manastir u varrosën lipsanet e Stefanit III Brankoviç dhe të Johanit, të cilët ishin shpallur shenjëtorë nga kisha ortodokse. Në këtë manastir, u varros dhe djali mitropoliti Maksim, i cili vdiq në vitin 1516 dhe pak vite më pas u shpall shenjëtorë nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol është një santuar i rëndësishëm dedikuar të Lumturës Virgjëresha Maria. Manastiri quhet “Fari shpirtëror” i ortodoksisë. [Spremic Momcilo, 2005. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4]

Angjelina Arianiti shpalosi vlera të rralla si bashkëshorte, si nënë e përkushtuar, si murgeshë dhe humaniste, duke ia dedikuar jetën të varfërve, ajo ishte modeli i klerikes dhe i gruas së shquar, që falë virtyteve, guximit dhe qëndresës gjatë gjithë jetës, krijoi imazhin e shenjëtoes, e vlerësuar dhe e nderuar nga hungarezët, vllahët, austriakët, serbët, sllovenët, italianët të cilët gjumjëzohen dhe luten para Shenjtërisë së saj.

Vijon në numërin e ardhshëm.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (1) Lutfi Alia: Kongresi XVI mbarëkombëtar i pneumologjisë shqiptare Lutfi Alia: Prof. Luan Tashi në artet pamore, muzikore dhe në studimet historike Lutfi Alia: Mbretëresha Teuta dhe lufta e parë romako-ilire Lutfi Alia: E drejta romake dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit (IV) Lutfi Alia: Ritet e vajtimit dhe të gjamës - Apologjia e jetës në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe në kanunet e tjera shqiptare (III) Lutfi Alia: Elemente të ligjeve të Gortyna helene të Kretës, të pranishme në Kanunin e Lekë Dukagjinit (II) Lutfi Alia: Elemente të drejtës antike helene dhe romake në Kanunin e Lekë Dukagjinit (I) Lutfi Alia: Meditime – Jonufër, korrik 1966 Lutfi Alia: Bektashizmi Lutfi Alia: Tempulli Diana i Kandavias (II) Lutfi Alia: Andronika Arianiti Komnena Kastrioti, jeta në oborret e Mbretërisë së Napolit dhe të Spanjës Lutfi Alia: Kandavia - Treva, malet, rruga dhe tempulli Diana Lutfi Alia: Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe Andronika Arianiti Kastrioti, në tre operat muzikale të shekullit XVIII Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (III) Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (II) Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (I) Lutfi Alia: Xhubleta iliro-arbërore-shqiptare (2) Lutfi Alia: Xhubleta iliro-arbërore-shqiptare (I) Lutfi Alia: Françeskanët në Arbëri në shekullin XIII

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx