| E premte, 21.11.2025, 07:30 PM |
SHËN NËNË ANGJELINA ARBËRORE (2)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Angjelina, vajza e
vogël e princit Gjergj Arianiti Komneni dhe e Maria Muzakës u lind
në vitin 1440 në Sopot, kryeqendra veriore e principatës të Arianitëve. Vitet e
fëminisë dhe të adoleshencës i kaloi në Sopot, në Shpat e në Kaninë, ndërsa nga
viti 1456 jetoi në Durrës me të Atin, njerkën Petrina Frankoni, me tre
vëllezërit dhe me motrën Maria. Nga babai Gjergji dhe nga nëna Maria, Angjelina
mori vlerat morale dhe virtytet, që çdo fëmijë dëshiron të trashëgoi nga
prindërit e vet.
Veprimtaria e
Angjelina Arianiti në 80 vite jete, shtrihet në tre periudha:
1. Fëmijëria dhe
adoleshenca në Sopot, në Shpat dhe në Kaninë.
2. Në vitet 1456 -
1462 jetoi në Durrës. Në vitin 1462 emigroi në Itali, Hungari, Austri,
Vojvodinë, Vllahi.
3. Nga viti 1486 e deri në vitin 1520, iu dedikua jetës ekleziastike, e shugruar murgeshë ortodokse, e dedikuar tërësisht Zotit, e shquar në hapjen e shumë manastireve në disa shtete ku jetoi në periudha të ndryshme kohe, me aktivitete fetare, që shprehnin virtytet e saj si e krishterë ortodokse, pastërtinë shpirtërore të jetës së saj askete, përkushtimin mëshirëmadh në ndihmë të varfërve dhe të vuajturve, gjithmonë duke vepruar me dashuri, me qetësi, me durim dhe me mençuri.
Më 30 korrik 1520, murgesha Angjelina Arianiti Brankoviç u nda nga jeta dhe e varrosën në manastirin e saj në Sretenja dhe pak kohë më pas, arkmortin me lipsanet e saj i transferuan në manastirin e Krušedolit.
1.
Si vajza e vogël e
familjes Arianiti, Angjelina ishte e përkëdhelura e të atit Gjergji, në veçanti
e nënës Maria e cila gjithmonë e mbante pranë, i mësonte sekretet e jetës, e
merrte në kishën e Shen Marisë në Sopot, ku faleshin para ikonës të Zonjës së
Papërlyeme, ndërsa në Kaninë frekuentonin përditë Qishë-Bardhën, ku ishte
celebruar martesa e motrës Andronika me Gjergj Kastriotin.
Nëna Maria i mësoi
Angjelinës rregullat e fisnikërisë, i zbuloi të fshehtat e të veshurit fisëm, i
mësoi si të respektonte ritualet dhe sjelljet fisnike sipas rregullave të
ceremonive bizantine, e mësoi të qëndiste, i mësoi këngët e bukura arbërore, por
dhe e lejonte të luante e të argëtohej me bashkëmoshatarët. Para nënës,
Angjelina ishte pasqyrë magjike, që lëshonte reflektime vezulluese dashurie,
mirësie dhe ciltërsie fëminore.
Angjelina Ishte 11
vjeçe kur motra e madhe Andronika u martua me Gjergj Kastriotin. Vitet e më
pasme Angjelina i kaloi në shoqëri dhe me përkdheljet e motrave, i përjetoi me
gëzim martesat e tyre, por ndjeu mall dhe boshllëk nga largimi i tyre njera pas
tjetrës.
Në kujtimet e saj
Angjelina shkruan: “Ishim tetë motra, por nuk ishin të njëjta njëra-me tjetrën.
Në sytë e nënës, si në një pasqyrë magjike, e ndryshmja e secilës nga ne merrte
reflektim vezullues.Të jesh e ndryshme, do të thotë të jesh e veçantë, më
kishte thënë njëherë nëna.
Nëna na mbronte me
besim në fe dhe me forcë në jetë. Përkujdesej përditë për të gjitha ne, na
krijonte atmoferë paqe dhe jete të zakonshme. Në kohën, që ne u rritem dhe po
hidhnim shtat, situata në trojet tona ishte e tronditur nga luftimet kundër
dyndjeve osmane, me shkatërrime dhe viktima të shumta, por ne ishin të mbrojtura
nga kjo e vërtetë e hidhur. Duke ndërtuar për ne një botë paralele si
kështjellë, nëna na mbante pranë, na ruante shpresat dhe të drejtën për të
jetuar të qeta e me ëndërra të bukura për të ardhmen. Unë u linda pak vite
përpara se Andronika, motra më e madhja në mesin tonë, të martohej me
Skënderbeun. Më pas u larguan Vojsava dhe Kyrana. Voisava iku në pallatin e
Ivan Crnojeviqit, ndërsa Kyrana në veri, te Nikoll Dukagjini. Dasmat e tyre nuk
i mbaja mend. Unë u rrita me Helenën dhe Despinën, por dhe ato, babai i martoi
te Gjergj dhe Tanush Dukagjini. Dasmat e tyre u organizuan në të njëjtën ditë
dhe ikën në Dukagjin në të njejtën ditë.
Mbetëm tre motrat
më të vogla, Katerina, Komita dhe unë, kështu i përcolla edhe ato të dyja: Komiten
me Gojkon Sundimtar i Zetës, kurse Katerina u martua me Andrea Spanin. Largimi
i shtatë motrave më trishtoi, Në atë kohë, për herë të parë ndjeva zbrazëti, por
vetminë time nëna ma mbushte me dashuri dhe përkujdesje”.
Shkrimtaria Ljiljana
Habjanoviç Çuroviç (Gjuroviç), në veprën “Le confessioni dell’anima – Rrëfimet
e shpirtit”, Secop Edizione 2012, ka përfshirë pjesë nga memoriet e Angjelinës,
e cila rrëfen për vitet e vështira të fëmijërisë, të adoleshencës dhe të rinisë
të përjetuara në Arbëri dhe për vitet e bukura dhe raportet me të atin Gjergj
Arianitin dhe me nënën e adhuruar Maria Muzaka.
“Im atë Gjergj
Aranit Komneni, ishte zotërues me hir të Zotit, i Aulonës, i Sopotit, i Kaninës
dhe i Elbasanit. Bir i një dere fisnike dhe trimash, reputacionit të paraardhësve
i shtoi reputacionin e vet. Gruaja e tij, nëna ime Maria, i solli në pajë
zotërimet e fisnikërisë së vjetër, aleancat dhe miqësitë e Arianitëve me të atin
Andrea III Muzaka. Kur Skënderbeu zgjodhi për grua motrën time Andronikën edhe
njëherë u bashkuan fuqia mbi fuqinë.
Im atë ka
organizuar kryengritjet e para kundër turqëve, shumë vite para lindjes sime dhe
që nga ajo kohë, nuk ka patur betejë, në të cilën nuk është valëvitur flamuri
me stemën e familjes tonë dhe nuk ka patur beteja ku nuk ka flakëruar shpata e tij,
as nuk ka patur mbledhje fisnikësh, ku nuk janë dëgjuar e marrë për bazë fjalët
e tij të mençura dhe plot përvojë.
Betejat e gjata
ishin përditshmia e popujve, që nga Bosfori deri në Danub, që atë natë kur turqit
kaluan detin dhe nga Azia hodhën hapin në Europë. Vitet kalonin, zgjateshin me
dekada dhe kështu u mbushën pothuajse dy shekuj, që shtetet e krishtera ishin nën
presionin e Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj kohe janë ndërruar sundimtarët, të
krishterë e myslimanë, kanë vdekur Papë dhe patriarkë, janë zhvilluar beteja të
shumta. Shkatërrimi shumohej nga ekspeditat e ushtrive osmane, që linin pas
qytete dhe fshatra të rrënuara, ara, fusha dhe pyje të djegura, të vrarë të
shumtë dhe robër që dërgoheshin në Anadoll. Secila palë kishte të vërtetën e
vet, çdo popull heronjtë e tij, të kujtuar në histori dhe me heroizmat të
kënduara në këngë, por kishin edhe vuajtjet e veta, të vrarët në fushat e
betejave, të gjymtuarit, jetimët, vejushat, motra pa vëllezër dhe nëna pa
fëmijë. Këmbeheshin fitoret me humbjet, gjendjet e luftës me armëpushimet.
Ndryshonin aleatët dhe armiqtë. Pabesitë vazhdoheshin me tradhëti dhe me
gënjeshtra. Humbeshin qytetet dhe rimerreshin përsëri, të njëjtët, ose dhe
qytete të tjerë.
Fëmijët e
sundimtarëve dhe të fisnikërisë martoheshin me njerëz të urryer, si garanci për
aleancat ushtarake. Princërit tanë merreshin robër në pallatet e armiqve
osmanë, si pengje dhe si garant të nënshtrimit. Rezultati përfundimtar i gjithë
këtyre përpjekjeve ishte humbja. Nga popujt e Ballkanit rrëmbyen djemë të
krishterët, të cilët i mobilizuan në rradhët e ushtrisë osmane, sidomos në
repartet e jeniçerëve. Turqit përparonin gjithnjë e më shumë në veri, thellë e
më thellë, në trojet e shteteve të krishtera të Europës. Kronistët matnin kohën
e zgjatjes së luftës dhe kohën e zgjatjes së paqes. Sipas dëshmive të tyre,
paqe të vërtetë nuk kishte patur. Fushatat ushtarake osmane ishin të gjata, të
egra, kurse armëpushimet të shkurtëra, të rreme, të paqëndrueshme dhe të
mbushura me përgatitje për luftërat e reja.
Babai im Gjergj Arianiti, sipas detyrimit të tij fisnik, ishte përherë në krye të ushtrisë. Megjithatë, edhe në kohën e mungesave të tij të shpeshta, prania e tij në familje dhe në jetën tonë të përditëshme ishte e vazhdushme dhe e gjallë e plot shpresa, sepse kështu na mbante nëna e jonë.
Nëna ime Maria
Muzaka ishte e bukur, fisnike, e mbushur me një paqe të veçantë, që dallohet te
gratë, që janë të ndërgjegjshme se e dashurojnë bashkeshortin. Mbante rroba të
zeza, të prera dhe qepura me elegancë, flokët e gjatë të thurur gërshet dhe të
kthyer në qafë, si dhe një unazë me fytyrën e Zonjës së Bekuar. Trupin e kishte
të drejtë, ndërsa ecjen të sigurt. Lindi tetë vajza, tetë fisnike të shquara
Njëherë, ndërsa
kaloja para dhomës së gjumit të prindërve, dëgjova pëshpëritjen e butë të tim Ati:
“Më ke dhënë të drejtën për të qenë krenar dhe më ke dhënë shpresë për
pleqërinë”,- thoshte ai. Ndalova dhe përgjova pas derës gjysmë të hapur. Babai
qëndronte para nënës duke e vështruar ngultas në sy dhe pa e hequr shikimin, ia
mori duart e saj, i afroi ngadalë tek buzët dhe i puthi pëllëmbët. Njërën,
pastaj tjetrën. “Kjo është dashuria”, thashë e ngazëllyer nga kjo skenë. Isha
vetëm nëntë vjeçe.
Për nënën time,
dashuria për atin tonë dhe për ne vajzat ishte mbështetja dhe bastioni i saj.
Duke dashuruar atin tonë, kishte mësuar të priste me durim, të ngushëllohej nga
shpresa dhe forcohej nga besimi. Çdo ngjarje e parëndësishme, një fjalë e thënë
rastësisht, aroma e barit të bjeshkës, kënga e shërbyeseve tona, e qeshura e
njerëzve të mbledhur pët t’u argëtuar në shesh, shija e gjellës së parapëlqyer,
hedhja e vështrimit mbi vathët ose mbi fustan, gjithçka, në të vërtetë
gjithçka, ishte shkak, që të kujtonte burrin dhe zotërinë e vet. Me çfarëdo
pune që të merrej, mendimet i silleshin rreth babait tonë. Me këdo dhe kudo që
të ishte, ishte krah me babanë. Gërmonte nëpër kujtime, i ndiqte gjurmët e tij.
Ëndërronte për kthimin e tij në krye të ushtrisë. Priste lajmëtarë, priste lajme.
Lexonte letrat e tij, të vjetrat, deri sa të vinin të rejat. Pastaj i lexonte të
gjitha bashkë, qëkur ai ishte larguar. Nëna, kur donte të na thoshte diçka të
rëndësishme zakonisht fillonte kështu: ”Babai juaj mendon, babai juaj do të
dëshironte, do të thoshte, nuk do të lejonte, do t’i vinte keq…”, kësisoj ne
përpiqeshim që të bënim gjithçka si thoshte nëna dhe si do t’i pëlqente babai
tonë, kështu do ta lumturonim kur të kthehej.
Babai kthehej i
lodhur, i dërrmuar si nga fitoret, ashtu dhe nga humbjet. Në rrobat, në flokët
dhe në lëkurë kishte kutërbimin e papastërtive të luftës, por kishte dhe buzëqeshjen
që i dridhej në buzë dhe që i ndriste në sy. Kthehej i dërrmuar shpirtërisht,
që kish mbetur i gjallë në mesin e gjithë atyre bashkëluftëtarëve që vdisnin dhe
gjymtoheshin nëpër beteja kundër turqëve. Kur e shihnim se po vinte, uleshim në
gjunjë dhe falenderonim Zotin, për gjithë atë hir dhe pastaj i hidheshim në
krahët e tij dhe e përqafonim me plot dashuri”.
Memoriet e
Angjelina Arianitit ruhen në Manastirin e Krušedol dhe janë studiuar e
komentuar nga shumë studiues të huaj, kryesisht serbë dhe të gjithë pa
përjashtim evidencojnë nivelin arsimor dhe formimin kulturor të Angjelinës. Në
një dokument dioqezian, Ipeshkëvi i Dioqezës të Srem-it, thekson: “Angjelina, nga
prindërit kishte marrë edukim arsimor të shkëlqyer, çka e shprehte me dashuri
për librat dhe me bibliotekën e pasur me libra që kishte krijuar në Manastirin
e Krušedol. Angjelina ishte grua e bukur, e mençur, kurajoze e me dashuri të madhe
për librat”. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina
Brankoviç Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8
- 14].
Në lidhje me
arsimimin dhe kulturën, vlen të theksohet se Angjelina fliste disa gjuhë:
arbërishte, italisht (ia mësoi njerka Petrina), gjermanisht, magjare
(hungareze), rumanisht, serbisht, latinisht dhe greqishte. Në përiudhën kur u
dorëzua murgeshë, në takimet dhe bisedat me besimtarët, gjatë liturgjisë dhe
predikimeve të ungjillit në kishë dhe në takimet me besimtarët, Angjelina
fliste në gjuhën e banorëve të vendeve ku shërbeu murgeshë, si në Itali, Hungari,
Austri, Vllahi, Vojvodinë, Slloveni, Serbi etj.
Jeta dhe
veprimtaria e shumë të adhuruarës murgeshës Angjelina Arianiti Brankoviç, është
shkruar dhe nga ipeshkëvi Žiça Cristosom, i cili e ka pasqyruar në një dorëshkrim
të shekullit XVI, që ruhet në Manastirin Žiçe të Dioqezës Žiçe. [SET: Žiçki
e Studenica Minej, seria muaji korrik, botim i Dioqezës së Žiça 2006/2007].
Kjo biografi e Andronikës është përkthyer në serbishten moderne nga hirësia i
tij Mitrofan
Ševiç, Ipeshkëvi i Eparkisë
Baçka, madje ruhet në Rimniçki dhe në Moska Srbljak, ndërsa në Beograd, prologu
i kësaj biografie ështe pak a shumë i ndryshuar.
Në memoriet,
Angjelina shpreh admirimin dhe dashurinë për të atin dhe nënën dhe mes afekteve
prindërore, ajo përshkruan nënën Maria të përkushtuar në edukimin dhe formimin
moral e kulturor të vajzave dhe babain Gjergjin prijës, luftëtar i shquar në
luftimet kundër hordhive turke. Krahas sukseseve të Gjergj Arianitit në betejat
kundër dyndjeve osmane në trojet e Arianitëve, në memoriet e saj, Angjelina
përmend dhe tragjedinë e Sopotit, duke theksuar se ushtria osmane i masakroi
banorët, dogji shtëpi, arat me të mbjella dhe mori burra, gra e fëmijë robër,
që i dërgoi në Anadoll. Tragjedia e Sopotit i la mbesa të pashlyera Angjelinës,
por kujtohet dhe nga banorët e asaj treve, madje është përjetësuar me Sagën e
famëshme të Gjorg Golemi (Gjergj Arianiti).
Nga viti 1427 deri në vitin 1456, Gjergj Arianiti udhëhoqi malësorët në luftimet kundër sulmeve turke, si shprehet rapsodi në Sagën e Gjorg Golemit, e cila këndohet nga banorët e Sopotit, të Shpatit, të Librazhdit, të Çermenikës e më gjërë, duke evokuar heroizmin e Princ Arianitit dhe malësorëve të këtyre trevave.
Ky Sulltani qan me lot.
Kam dhe një Skënder në Sopot,
Flakë në mal dhe flakë në breg,
Gjorg Golemi thotë jam mbret...
Principata e
Arianitëve ishte objekt i sulmeve të vazhdueshme të Perandorisë Osmane. Më 20
prill 1435, Gjergj Arianiti shpartalloi forcat turke
në Shalës të Elbasanit. Për të festuar këtë fitore, Gjergji dhe luftëtarët e
tij, shkuan në kishën e Shën Maria në Galigat të Shpatit, ku më 8 shtator
organizohej panairi i të premtes të Shën Maria, si tregohet në sagën e Gjorg Golemit:
Gjorg Golemi trim me fletë
N’Galigat shkon dy net’,
N’Galigat, për Shën Mëri
Do të shkoj me gjithë ushtri.
Komandanti i
ushtrisë turke, i informuar nga një tradhtar librazhdas për largimin e Gjergjit
me luftëtarët, u kthye nga rruga ikjes dhe të shtunën e 9 shtatorit sulmoi
Sopotin e pambrojtur, duke e djegur, plaçkitur dhe masakruar të gjithë banorët. Gratë dhe vajzat
e Sopotit, për të mos rënë në duart e turqëve u vetësakrifikuan, duke u hedhur
nga shkëmbi në humnerë. Këtë ngjarje tragjike populli e ka mishëruar në këngën
e njohur si saga e Gjorg Golemit. Në vitin 1938 pasi e dëgjoi të kënduar nga
malësorët, mësuesi patriot Shahin Zharri e transkriptoi këtë këngë, kështu e
përjetësoi, si dëshmi e rezistencë heroike të Gjergj Arianitit kundër sulmeve
të egra të ushtrisë osmane dhe të tragjedisë të malësorëve të Sopoti. Dhimitër
Shuteriqi mendon se kjo sagë është e shekullit XVIII, e shkruar nga një prej
intelektualëve arbëror me origjinë nga trevat e Librazhdit, i cili rrëfenjën
popullore për ngjarjet e Sopotit e shndërroi në këngë epike. [Dhimitër
Shuteriqi. Sesionin shkencor kushtuar 60 vjetorit të botimit të “Këngës së
Gjorg Golemit-Princit të Sopotit. Librazhd, më 28 shtator 1998]
Në këtë këngë
epike me 55 vargje, janë ndërthurur faktet historike me rrëfenjat popullore. Mendimi
i shumë studiuesve është se në këtë sagë janë bashkuar tragjedia e Sopotit e
vitit 1435, me pushtimin e trojeve të
Arianitëve në vitet 1466 – 1467. [Oreste Parise. La saga di Gjorgj Golemi.
Academia.edu. 2013, pp. 2 - 15]
Rapsodi e fillon
sagën me ngjarjen tragjike, që goditi Sopotin dhe këtë e tregon nëpërmjet
fjalëve të Maria Arianitit, vajzës të vogël të Gjergjit.
Zot, Maria ka një fjalë,
Mu te mani paska dalë,
Ti o princ, mos hyp në kal,
Do vij turku me na marrë.
Ndal o At, ku po shkon,
Do vij turku, na pushton,
N’Mollë të Kuqe ai na çon.
Pashë një ëndërr këtë natë,
Sopoti na mori flakë,
Ti, o At, dëgjomë këtë herë,
Se vjen turku e na ther.
Në këtë sagë,
rapsodi ka përdorur elementet Homeriane të Iliadës, pikërisht profecinë ndjellakeqase
të Andromakës për pushtimin e Trojës nga helenët. Maria ashtu si Andromaka,
parathotë tragjedinë, që do të godasë rëndë malësorët e pambrojtur te Sopotit.
Gjithçka ndodhi atë ditë të shtune. Masakrën makabre të barbarëve turq, poeti
popullor na e tregon thjesht, por dhimbshëm nëpërmjet thirrjes dëshpëruese të
princeshës Maria Arianiti, drejtuar të Atit dhe në vazhdim kuptohen pasojat. Në
kontrast me tragjedinë, poeti popullor shpreh dhe guximin e malësorëve, burrave
e grave sopotare, që luftuan me heroizëm kundër turqve, madje e tregon me
krenari si një sfidë të rrallë.
Tragjedia e
Sopotit, kujtohet me dhimbje të thellë dhe si mallkim dhe nga sopotarët që
emigruan ne Itali, si tregon A. Bellushi, për këngën popullore të kënduar nga
arbëreshët, që banojnë në komunën e Santa Sofia di Epiro. Në këtë këngë janë
vargjet: “Gjithë t’u shtunat ardhshin, ma vet e shtunia e Shalës kurrë mos
ardhtë”. [Antonio Bellusci. Magia e credenze popolari, ricerca
etnografica tra gli albanesi d’Italia.Cosenza, 1983].
2.
Në vjeshtën e vitit
1456, Gjergj Arianiti me bashkëshorten Petrina, me Angjelinën 16 vjeçare, me
djemtë dhe vajzën, u vendosën me banim në Durrës, si rezulton në urdhërin e
Dozhës Françesko Foskari, dërguar Kuirinit, bajlo dhe kapidan i Durrësit të
cilit i shkruan: “Zoti i shkëlqyer Arianit Komneni dhe familja e tij të
trajtohen me përparësi - Privilegium Magnifici Arianiti Commneni Domini”. [Joseph
Valentini. Acta Albaniae Veneta, Seculorum XIV – XV, Tomus XVII. Annos MCDLV
– MCDLVIII: 1456 – 1458]
Në vitin 1459, pranë familjes Arianiti në Durrës, erdhi despoti i
shfronësuar i Serbisë Stefani III Brankoviç, së bashku me nënën e tij Irena Kantakuzena,
mbesa e perandorit Gjoni VI Kantakuzen. Mavro Orbin (1563 – 1610) historian nga Dubrovniku dhe
prift benedektin, në traktatin e tij historiko-politik përshkruan mbretërinë
Sllave dhe për periudhën e pushtimit turk, ndër të tjera thekson: "Stefani
III Brankovi? iku në Albania, ku u martua më Angjelinën, një grua e virtytshme,
bijë e Arianitit, vjehrrit të Skënderbeut”. [Mavro Orbin: Regno degli Slavi
hoggi corrottamente detti Schiavoni, Pubblicato a Pesaro, Girolamo Concordia,
l’anno 1601].
Stefani III Brankoviç në vitin 1458 ishte kurorzuar Dhespot i Serbisë (Rashës). Pas rënies së
Smederevës, që ishte rezidenca e Brankoviçëve, Serbia u pushtua nga turqit.
Stefani III tashmë i çkurorzuar si dhespot, i përjetoi me dhimbje pushtimin nga
osmanët, por dhe u ndëshkua rëndë nga turqit, të cilët e verbuan Stefanin dhe i
vranë të vëllanë Gregorio, sepse sipas Sulltan Mehmetit II, i ati i tyre
Dhespoti Gjergj Brankoviçi, i kishte shkelur kushtet e marrëveshjes me
Perandorinë Osman.
Për të shmangur
përndjekjet dhe ndëshkimet nga turqit, Stefani III kërkoi strehim në mbretëritë
europiane, por ata refuzuan ta bujtin, nga frika e sulltan Mehmetit II. Në këto
rrethana, Stefani III së bashku me nënën u arratisën, fillimisht u strehuan në
Kroaci pranë të motrës konteshës Katerina, por aty nuk ndjehej i sigurtë, andaj
pas pak javësh shkoi në Dubrovnik dhe nga aty në Shkodër, asi kohe në zotërim
të Venedikut.
I ndjerë i
braktisur nga aleatët europianë, Stefani III iu drejtua për ndihmë Gjergj
Kastriotit, me të cilin njihej dhe kishte miqësi që në vitet e fëmijërisë, kur
të dy kishin qenë peng në oborrin e sulltan Muratit II. Gjergj Kastrioti e ftoi
në Arbëri Stefanin III dhe nënën e tij Irena Kantakuzeni dhe për të garantuar siguri
për jetën e tyre, i dërgoi në Durrës pranë familjes të princit Gjergj Arianiti.
Midis familjeve fisnike Arianiti dhe Brankoviç lindi një miqësi dhe respekt
reciprok. Krahas nënës Irena, për Stefanin e verbër kujdesej me përkushtim dhe
Angjelina, madje nga kjo përkujdesje dhe bisedat mes tyre lindi një miqësi dhe adhurim
nga të dy për njeri tjetrin, çka e nxiti Stefanin t’i kërkoi Gjergj Arianitit
të martohej më Angjelinën. Gjergj Arianiti pranoi dhe në vitin 1461, Angjelina
u martua me Stefanin III Brankoviç. Dasma u zhvillua në Durrës dhe martesa u
konsakrua në kishën ortodokse Shen Maria të Durrësit. Në vitet që jetuan në
Durrës, Angjelina u përkrah dhe u ndihmua nga motra Andronika Kastrioti, madje
dhe kur u shpërngulën në Itali Andronika i dërgonte ndihma finaciare. [Sima Çirkoviç,
Gli ultimi Brankoviçi. Storia del popolo serbo.Llibro 2. Belgrado: Cooperativa letteraria serba. 1982. pp. 445—464]
Gjatë 15 viteve
jete bashkëshortore, Stefani i verbër nuk e pa kurrë dhe nuk mundi të admironte
fytyrën e bukur, me buzqeshjen e çiltër të adhuruarës së tij Angjelinës.
Nga martesa e
Angjelinës me Stefani III, lindën pesë fëmijë, në Durrës lindi Gjergji (1461), ndërsa
në Friuli lindën Milica (1464), Jovani (1465); Maria (1466). Ata kishin lindur dhe
një vajzë, Jerina e cila vdiq në Durrës, pak ditë pas lindjes, si dëshmohet në
dorëshkrimet e Angelo Massarelli, i cili thekson: “Stefani III dhe Angjelina
kishin dhe një vajzë Jerina, e cila vdiq foshnje pas lindjes”. [Perego Stefano, Smilgevicius Kestutis. 2024, A proposito
del Diarium primum di Angelo Massarelli, p.4-10].
Në vitin 1462 vdiq
princi Gjergj Arianiti. Baronesha Petrina Frankone
Arianiti e mbetur e vè, bashkë me djemtë dhe vajzën Maria, në verën e vitit
1463 u kthye në Pulja, në trojet e prindërve në feudin e Taurisano në Salento e
më pas shkuan në Venecia. Angjelina me Stafanin dhe djalin Gjergji, u ndienë vetëm.
Në rrethanat e vështira që po kalonte Arbëria, Gjergj Kastrioti dhe e motra
Andronika Kastrioti i këshilluan Stefanin dhe Angjelinën të shkonin në Itali,
madje iu dhanë letër rekomandimi për Dukën Sforca të Milanos.
Stefani III,
Angjelina me djalin Gjergji, fillimisht shkuan në Venecia, me shpresë se do të
ndihmoheshin nga Serenissima, sepse Stefani III, nga viti 1441 ishte patric
venecian dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të vitit 1456, të Gjergj Arianitit
me Dozhën Françesko Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima.
Gjatë qëndrimit në Venecia, Stefani dhe Angjelina nuk gjetën përkrahje nga Serenissima. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovi?. Enciclopedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubb. di Infobase. pp. 93 - 94].
Në këto rrethana,
familjarisht u transferuan në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit pranë
lumit Taliamento, kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina (e
martuar me Ulriku II i Celje të Kroacisë), ia kishin blerë, kontit Leonardo i
Gorizia. [Altan Mario Giovanni Batista. Stefano Brankovi? despota di
Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli, secolo XV: Revista Friulane. Atti
dell’Accademia di scienze lettere e arti di Udine, 1981, pp. 15 - 29]
Në kështjellën
Belgrado në Friuli jetuan mbi 10 vite. Aty lindën vajzën Milica (1464 – 1554, u
martua me Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë; djalin Jovani (1465 – 1502, u
martua me Jelena Jakši?, e përmendur në një hartë të vitit 1502 si Elena
dhespota serbe) dhe vajzën Maria (1466 - 1495).
Djali i madh Gjergj
Brankoviç, në vitin 1487 u martua me Isabella del Balzo, e bija e Angilberto
del Balzo Orsini, duka i Nardò, konti i Ugento dhe Presiçe dhe i Jelisaveta
Milica Spani. Isabella Brankoviç vdiq në vitin 1498. Gjergji e përjetoi me
dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje thuhet se ishte kjo arsyeja që e nxiti
të dorëzohet murg. [Franca Petrucci. Angilberto del Balzo: Dizionario
biografico degli Italiani. Volume 36, 1988]
Ndonëse i ati i
Stefanit III, dhespoti i Serbisë Gjergj Brankoviç kishte qenë shumë i pasur, kishte
pasur në zotërim shumë treva dhe kështjella, vetëm nga minierat e Gilanit në
Kosovë merrte çdo vit 200 000 dukate veneciane, por e gjithë kjo pasuri u
sekuestrua nga pushtuesit osmanë, andaj Stefani me Angjelinën jetuan në
vështirësi të mëdha financiare, madje historianët theksojnë se jetonin në
varfëri. [Babinger Franz. Le vicende del castello friulano di Belgrado sul
fine del medioevo. Atti dell’Accademia di Scienze Lettere e Arti di Udine. VII,
1962 ]
Angjelina ishte
grua e virtytshme, e mençur, besnike, kurajoze dhe e sakrificave. Ajo bashkë me
burrin e verbër dhe katër fëmijët e saj, i përballoi të gjitha problemet dhe
vështirësitë e jetës, si ato ekonomike dhe zhvendosjet e padrejta të familjes
nga një shtet në tjetrin, nga një trevë në tjetrën.
Në vitin 1471
Stefani III i dërgoi letër fisnikëve të Dubrovnikut, të cilëve iu kërkoi të
ndihmonin gruan dhe fëmijët e tij: "Amanet ju lë Angjelinën dhe fëmijët Gjergjin,
Milicën, Gjonin dhe Marien, iu a le amanet përpara Zotit dhe para Kungimit dhe
para të gjithë shenjëtorëve“. Dhe fisnikët e Dubrovnikut u treguan indiferenta,
nuk kontribuan për të ndihmuar familjen Brankoviç. [Ljiljana Habjanoviç Çuroviç Le confessioni dell’anima, Secop Edizione 2012].
Më 9 tetor 1476, vdiq
Stefani III Brankoviç, E varrosën në Friuli. Angjelina jetoi edhe për disa kohë
në kështjellën e Belgradit në Friuli. E detyruar nga vështirësitë ekonomike që
po kalonte, në vitin 1478, Angjelina i u drejtua për ndihmë Perandorit të
Austrisë Frederikut III, i cili e ftoi dhe i dhuroi një kështjellë në Dukatin e
Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe me Slloveninë.
Angjelina me fëmijët jetoi rreth 10 vite në Stiria, natyrisht me mbështetje
financiare nga Perandori Frederiku III. Në Stiria, mori dhe arkmortin me
lipsanet e bashkëshortit. Angjelina frekuentonte rregullisht kishën Shen Maria
në Abacinë benedektine Admont në Stiria, ndofta gjatë kësaj periudhe, aty kreu
noviciatin dhe para se të largohet, u shugurua murgeshë. Në këtë kohë, rezulton
dhe një letërkëmbim i Angjelinës me Hijësinë e tij Nifonin Patriarku i
Kostantinopojës, i cili ishte me origjinë arbërore.
Në vitin 1485,
Perandori Frederiku III ndërmjetësoi te Angjelina për martesën e vajzës Maria
me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i
Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur, por i vjetër 61 vjeç, ndërsa Maria
ishte 19 vjeçe. Nga kjo martesë, lindën dy djem. Maria jetoi në mirëqenie,
madje pas vdekjes të Bonifacit III më 1494, bashkë me dajën e vet, Kostantin
Arianitin administruan pronat që trashëgoi, por pas dy vite, gjendja
shëndetësore e Maries u keqësua dhe në vitin 1496 vdiq. [Lutfi Alia, Kostantin
Arianiti Komneni, botim në Issue.com,
Mars 2014].
Në janar të vitit 1486, Angjelina mori një letër nga mbreti i Hungarisë,
Mattia Korvino, i cili e ftonte të jetonte në Hungari dhe me kusht që merrnin
trashëgimin dinastike dhe djali Gjergj Brankoviçi të pranonte dinjitetin e
dhespotit të Serbisë, ani se Serbia ende ishte pushtuar nga Perandoria Osmane,
por në këtë mënyrë të nxitej populli për të luftuar kundër pushtuesve.
Angjelina pranoi ftesën dhe së bashku me dy djemtë dhe me arkmortin me lipsanet
e bashkëshortit Stefani III Brankoviç, nga Stiria shkoi në Vjenë dhe nga aty me
anije lundruan në Danub për në Buda dhe në shkurt të vitit 1486 arrijtën në distretin
e Srem-it të Vojvodinës, asi kohe në zotërim të mbretërisë Hungareze. Në Srem u
sistemuan në kështjellën e qytezës Kupin, aktualisht Kupinovo, në një ishull të
lumit Sava. Aty Angjelina ndërtoi n jë kishë të vogël, të cilën banorët vendas
e quajnë Kisha e Shen Angjelinës.
Angjelina, tashmë murgeshë, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty
vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve
nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, serbë, sllovenë dhe Bosnjakë. Një
vit më pas ndërtoi manastirin e Obed dhe manastirin e Sretenje ku shërbeu
murgeshë. [Slobodan
Mileusniç, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].
Kur arrijti në Srem, Gjergj Brankoviçi, abdikoi titullin dhespot dhe u shugurua murg dhe sipas rregullave manastiriale mori emrin Maksim. Në vendin e tij, titulli dhespot i Serbisë i kaloi Johanit, djali i dytë. Në një kronikë të Bosnjës, dëshmohet një betejë e madhe kundër Perandorisë Osmane, betejë e udhëhequr nga djali i
Angjelinës,
dhespoti Johan, i cilit theksohet si ushtarak i aftë dhe strateg lufte.
Më 10 dhjetor 1502, dhespoti Johan Brankovi? vdiq dhe e varrosën në kishën
e Shën Luka pranë të atit Stefani III Brankoviç. Pas vdekjes të Johanit,
titullin dhespot e mori Ivani, nga familja e vjetër fisnike kroate Berislaviç. Në
këtë situatë, Angjelina dhe murgu Maksim humbën të drejtat e pronësisë, që i
ishin njohur me kusht nga mbreti Mattia Korvino, andaj u detyruan të braktisin Hungarinë
dhe shkuan në Vllahi, të ftuar nga e bija Milica dhe dhëndërri Duka Negoya i
Vllahisë, ku qëndruan 7 vite dhe ku u impenjua në organizimin e kishës
ortodokse.
Në vitin 1509, me
ndihmën e nipit Jakšiç Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia
mbi malin Fruška Gora në Vojvodinë, ku ndërtuan manastirin e Krušcedol. Në
vitin 1512, në këtë manastir u varrosën lipsanet e Stefanit III Brankoviç dhe
të Johanit, të cilët ishin shpallur shenjëtorë nga kisha ortodokse. Në këtë
manastir, u varros dhe djali mitropoliti Maksim, i cili vdiq në vitin 1516 dhe
pak vite më pas u shpall shenjëtorë nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol
është një santuar i rëndësishëm dedikuar të Lumturës Virgjëresha Maria.
Manastiri quhet “Fari shpirtëror” i ortodoksisë. [Spremic Momcilo,
2005. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili
didattici. p. 335.4]
Angjelina Arianiti
shpalosi vlera të rralla si bashkëshorte, si nënë e përkushtuar, si murgeshë
dhe humaniste, duke ia dedikuar jetën të varfërve, ajo ishte modeli i klerikes
dhe i gruas së shquar, që falë virtyteve, guximit dhe qëndresës gjatë gjithë
jetës, krijoi imazhin e shenjëtoes, e vlerësuar dhe e nderuar nga hungarezët,
vllahët, austriakët, serbët, sllovenët, italianët të cilët gjumjëzohen dhe luten
para Shenjtërisë së saj.
Vijon në numërin e ardhshëm.