Speciale » Alia
Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (1)
E enjte, 13.11.2025, 07:00 PM
SHËN NËNË ANGJELINA ARBËRORE (1)
Nga Dr. Lutfi ALIA,
Siena – Itali
Në historinë e Arbërisë - Albanisë mesjetare, janë shquar
shumë familje fisnike patronimike dhe prijësit e tyre kishin tituj perëndimor
princ, kont, duka, markez, baron dhe tituj bizantinë arhond, sevast,
sevastonkrator, protosevast, panhypersevast. Arbëria, porta lidhëse mes
perëndimit e lindjes, krahas individualitetit historik, u ndikua dhe nga
kulturat europiane dhe ajo bizantine, të cilat u ndërthurën në jetën e
arbërorëve, të shprehura në sistemin e
organizmit administrativ, në dy fetë e krishtera katolike dhe ortodokse, si dhe
në stemat heraldike të familjeve fisnike, që ishin sa origjinale, po aq pasqyrim
i heraldikës europiane dhe bizantine.
Familjet dinastike arbërore Progoni, Arianiti, Muzaka, Dukagjini, Balsha, Spani, Topia, Skura, Blinishti, Zaharia, Golemi, Matranga, Gropa, Kastrioti, Granai, Engjëlli, Gazuli, Dushmani, Jonima, Frangu, Martaseos, Manesi, Toka, Zenebishti, Losha, Bua Shpata etj, ishin të lidhura mes tyre me pakte aleance dhe me krushqi, rrethana këto, që ndikuan në formimin etnokulturor arbëror, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe teritorial të trojeve të principatave arbërore.
Një ndër familjet fisnike të shquara në mesjetën arbërore
është familja e Arianitëve, një ndër më të vjetrat e përfaqësuar me burra
fisnikë, por dhe me gra fisnike me personalitet dhe autoritet të shquara në
historinë arbërore, por dhe në disa vende europiane si Andronika Arianiti dhe
Shen Angjelina Arianiti.
Shen Angjelina arbërore, për shumë kohë nuk njihej nga
opinioni shqiptar, madje ishte harruar nga kisha ortodokse autoqefale
shqiptare, ishte harruar nga historianët, por u bë e njohur në vitin 2020, kur
shkrimtaria dhe gazetaria dinjitoze Zenepe Luka, botoi monografinë “Angjelina
Arianiti Komneni – shpirti i shenjtë arbëror”, vepër e kompletuar me historinë
e jetës të bijës të fisnikëve Arianiti, e bashkëshortes, e nënës të përkushtuar
fëmijëve, e murgeshës e kanonizuar shenjëtore nga kisha ortodokse e njohur Shen
Nënë Angjelina, e nderuar dhe e adhuruar nga popujt hungarezë, vllahë, sllavë, austriakë
dhe italianë.
Historia e Shën Angjelinës arbërore, bija e princit
Gjergj Arianiti dhe e Maria Muzaka, mishëron një nga historitë e shumta të
grave fisnike arbërore në shekujt XV – XVI, që u shquan si poete, shkrimtare,
fetare dhe adminsitratore pronash. Historia e jetës dhe e veprës të Angjelina
Ariantit duhet të tregohet dhe të njihet sepse ndaj saj mendimi studimor
shqiptar ndjehet debitor. Prezantimi i jetës dhe veprës të Shen Nënë
Angjelinës, shtrohet si domozdoshmëri dhe për faktin se është ndër gratë
arbërore e adhuruar nga popuj të tjerë europianë dhe më shumë e vlerësuar nga
studiues të huaj, se nga studiues shqiptarë.
Të tregosh për Shën Angjelinën, së pari duhet filluar të
njihemi me terrenin familjar, me Dinastinë Arianiti, me princin Gjergj Arianiti
dhe familjen e tij.
DINASTIA ARIANITI
Arianitët janë pasardhës të fiseve ilire Armistae - Arinstae, që banonin në trojet në
lindje të Durrësit (in partibus Durrachii). Në shekullin I pas K, këtë fis ilir
e përmend Plini Plaku në veprën “Naturalis Historiae, Apad Hackios, Edit. Anno
1669, tomus primus”, ku thekson se fiset Armistae/Arinste, bashkë me
Parthinët, Artitët, Hemasinët, Oksyejtë dhe Taulantët ishin tribu ilire pjestarë
në grupin e popullatave Deraemistae. [Alan
Bowman e al The Cambridge Ancient History, Vol. 10: The
Augustan Empire, 43 BC – AD 69, 1996, p. 577].
Lidhur me etimiologjinë e emrit Arianiti, disa autorë mendojnë me origjinë në fjalën
indoeuropiane “arya - fisnik”, të tjerë thonë se rrjedh nga
fjala shqipe “ara”, por bindës është mendimi se lidhet me emrin e fiseve
ilire Armistae - Arinstae, që banonin
trojet në lindje të Elbasanit, në të dy anët e traktit lindorë të rrugës antike
Egnacia. Në mesjetën e herëshme, mbiemëri Arniste i prijësve të këtij fisi, u shqipërua
në formën Arianiti, kesisoj u ruajt si mbiemër, madje edhe si topnim. Mbiemëri Arianiti në latinisht Haryanites rezulton
në një dokument të kancelarisë të mbretit të Francës Karli VII (1403 - 1461). [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni, botim në Issue.com, Mars 2014].
Arianitët përmenden në kronikat bizantine të shekullit
IX, si fise malësore, që jetonin në lindje të Themës së Durrësit. Në dokumentat
bizantine të shekullit XI, Arianitët rezultojnë sundimtarët e trevave në
rrjedhën e sipërme të Shkumbinit, në dy anët e rrugës Egnacia. [Paul Stephenson, (2003). The Legend of Basil the
Bulgar- Slayer. Cambridge University Press. fq. 39]
Në vitin 1000 dëshmohet prijësi i dinastisë të Arianitëve
Patrikios (Patrici) David Arianiti. Në vitin 1001 Perandori i Bizantit Vasili
II e emëroi Davidin strateg i Temës të Selanikut, detyrë që mbajti deri në
vitin 1014 Në vititn 1016, e ngarkoi komandant të ushtrisë në luftimet kundër
bullgarëve, për pushtimin e kështjellës të Strumicës, por dështoi dhe në
kompensim pushtoi kështjellën e Thermicës, Shkupin dhe Skraparin.
Në vitin 1017, perandori Vasili II, dërgoi ushtrinë e
komanduar nga David Arianiti dhe Kostantin Diogjeni, të pushtonin e të
plaçkisnin Pelagoninë, ndërsa vetë Vasili II tentoi të pushtoi Kosturin, por
nuk arrijti të thyej rezistencën e arbërorëve. [George Kedrenos, Lexicon des
Mittelaters, 1° edizione dell’originale. 1977, Artemis & Winkler, Vol. V,
p. 1093]
Pasi u thyen bullgarët, në vitin 1018 perandori e
transferoi David Arianitin strateg autokrat i Shkupit, me kompetenca të
ushtronte pushtet në provincat e Sirmium, Rashës dhe Temës së Durrësit. [Ralph-Johannes Lilie Claudia Ludwig, Thomas Pratsch,
Ilse Rochow: Prosopographie der mittelbyzantinischen
Zeit, "David Areianites”. Berlin-Brandenburgische Akademie der Wissenschaften.
Edit. De Gruyter, Incorporated, 2002]
Në vitet 1049 – 1050 në shërbim të Perandorit të Bizantit
përmendet Kostantin Arianiti (ndofta
i biri i Davidit). Kostantini u shqua si komandant në luftimet kundër
Peceneghëve, një tribu nomade turke e fiseve Oghuz, të cilët në mesin e
shekullit XI, zbritën nga stepat e Azisë dhe sulmuan trojet verilindore të
Pernadorisë Bizantine. [George Kedrenos, Lexicon des Mittelaters, 1° ediz.
origin. 1977, Artemis & Winkler, Vol. V, p. 1100]
Ipeshkëvi i Tiro Gullelmus
Tyrensis (1130-1186), përmend fisnikun Iohannes Carianica, si kuptohet
ishte tjetër mbiemër i familjes Arianiti, i lidhur me emrin e trevës Çermenika,
në zotërim të Arianitëve. [Guglielmo di Tiro, Historia rerum in partibus
transmarinis gestarum, A cura
di Emily Atwater Babock e A. C. Krey, traduzione di Emily A Babock e A. C.
Krey, Columbia University Press, 1943].
Karl
Hopf, në tabelën gjeanologjike të dinastisë, këtë trevë në zotërim të
Arianitëve e shkruan Cerminitzia (Çerminica)
me sundimtar baronin Arianit Cerminitza i martuar me Komita Muzakën. [Ch. Hopf, Chroniques, tab. XI/13
“Famille des Ariantii Comnénes”, Leipzig: 1867 – 1868, tabela f. 532].
Në vitin 1190, Progonët themeluan shtetin e Arbërit. Historiani bizantin Akropoliti (Giorgii Acropolitae, Annales – Immanuel Bekkerus, Bonnae, Impensis Ediiz. Weberi, 1836, sez. 1, pp 256 – 257), përmend Gulam Arianitin e Arbnonit sundimtari i trojeve të Arianitëve, që ishte bashkuar me shtetin e Arbërit të Progonëve. Arianitët janë pjesë e grupit të familjeve fisnike arbërore, që konsoliduan formimin etnokuturor të arbërorëve në shekullin XII. [Kristo Frashëri. Principata e Arbërisë 1190-1215. Botime M&B, Tiranë 2014, faqe 63 – 70]
Në kronikat e vitit 1253 përmendet Gulem Arianiti, zoti i
Albanon, i martuar me Irena Komnena, kushërira e gruas të perandorit të
Bizantit të dinastisë Engjëll Komneni. Fëmijët e lindur nga kjo martesë
përdorën dy mbiemërat Komneni dhe Gulemi. Studiuesi Aurel Plasari thekson se
Arianitët morën mbiemër Komnena, nga martesa e Gulem Arianitit me Irena
Komnena. [Plasari, Aurel. Arbni historik,
gjeografik, kishtar dhe politik, Tiranë 2020, f. 136 – 137]
Lidhjen e Arianiteve me dinastinë
perandorake Angelo-Komnena e konfirmojne shumë historianë, si humanistët Marin
Barleci, Dhimiter Frangu, Gjon Muzaka, historiani Karl Hopf dhe historiani
Françesko Sansovino, i cili shkruan se e bija e Gjergj Arianit Komneno Angelo, Doneca Kominata Komnena (Andronica),
u martua me princin Gjergj Kastrioti Skenderbeu, pra duke i vendosur si
mbiemera Komnena, ai shpreh lidhjen e Arianitëve me familjen perandorake
Komneni. [Francesco Sansovino. Del governo etamministrazione di diversi
regni et reppubliche, cosi antiche come moderne. In Venetia, Giovanni Antonio
Bertone 1578]
Në kohën e Mbretërisë së Albanisë me mbret Karli I
Anzhuin (1272-1373), principata e Arianitëve u përfshi në mbretërinë e Karlit
I. Në këtë periudhë, sundimtar i trojeve të Arianitëve përmendet Aleks Arianiti
- sebastus Albaniensi, çka dëshmon vazhdimësinë e dinastisë të Arianitëve, si e
trajton historiani Karl Hopf në tabelën e gjenealogjisë të familjes Arianiti. [Charl Hopf, Chroniques, tab. XI/13 “Famille des
Ariantii Comnénes”, Leipzig: 1867 – 1868, tabela f. 532].
Në vitin 1272, Arianitët ishin ndër familjet fisnike arbërore, që u bashkuan me mbretin Karli I Anzhu, në themelimin e Mbretërisë Albanisë. Në paktin e Viterbos të vitit 1267 të Karlit I, ndër firmëtarët rezulton edhe Aleks Arianiti, me titullin sebast. Më 21 shkurt 1272, në Napoli, me fisnikët arbëror dhe parinë e bashkësisë të Durrësit, Karli I Anzhuin dekretoi formimin e Regnum Albaniae (Mbretëria e Albanisë) dhe e shpalli veten mbreti i Siçilisë dhe i Albanisë: Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae. Ky dekret thekson:“Unë Karli I mbreti i Siçilisë dhe të pranishmit, duke marrë parasyshë besnikërinë dhe përkushtimin që prelatët, kontët, baronët, ushtarakët, banorët dhe sidomos qytetarët e Albanisë, që kanë treguar ndaj Kishës së Shenjtë të Romës e duke marrë parasyshë se ata na zgjodhën ne dhe trashëgimtarët tonë mbretin e tyre dhe si zotër të përjetshëm të kësaj mbretërie, zotohem se do t’i mbroj ata, sipas mënyrës që një Zot i mirë, përherë i ka ndihmuar vasalët vet dhe do t’iu njoh privilegjet, që u janë dhënë nga perandorët e lashtë të Bizantit, do t’iu njoh dhe zakonet e doket e mira të tyre”. [Acta Albaniae 1913, volum I, doc. 268; Acta Albaniae, op.cit. n. 14, vol. I, doc. 270].
në vitin 1272 në nënshkrimin e paktit me mbretin Karli I Anzhiun, në vititn 1304 në paktin me princin Filippi Anzhù i Taranto - Dominus Regnum Albaniae (1294 - 1331) dhe më 1375 me paktin e nënshkruar me mbretin e Napolit Karli II, Aleks Arianiti rezulton ndër fisnikët arbërore firmëtar dhe shtetformues. [Gianvito Campobasso. Alcune fonti per lo studio del Regnum Albaniae degli Angiò: documenti, epigrafi, araldica e visual evidences. 2016. Melangès e l’ècole Francaise de Rome].
Në traktatin e vitit 1295, të
gjenovezit Galvani di Levante Januensis, përmenden katolikët e rinj (neophil),
antarë familjesh finike arbërore: “Illustribus heroidibus Albaniae dominis” dhe
ndërmjet tyre rendit dhe Aleks Arianitin, të cilin e cilëson sundimtari i
principatës të Arianitëve. [Galvani di Levante Januensis Neophyta doctrine de inferno, Purgatorio et Paradiso ad Principes
Albaniae, Genova 1295]
Historiani Marin Drinov thotë se në fund të shekullit
XIII përmendet sebasti Materango Arianit Komneni (ndofta i biri i Aleks
Arianiti), i cili përfaqëson konsolidimin dhe vazhdimësinë e dinastisë
Arianiti. [Marin Drinov. (1900) O ????m???? m?????, ????. I, f. 340].
Në vitin 1300, Comneni
Budaresci Princeps (princi Budaresh Komneni), i familjes
Arianiti u martua me
një vajzë të familjes fisnike Golemi të Krujës dhe nga
kjo kohë e në vazhdim rezulton se pasardhësit e familjes Arianiti përdorën
mbiemërat Komneni dhe Golemi. [Franz
Babinger, Fundi
i Arianitëve, Plejad 2004, fq. 17]
Në dokumentin e 5 shtatorit 1304 theksohet: “Filippi,
princi i Tarantos iu garanton privilegjet dhespotëve: Albët, Shpatët,
Katarukët, Biskezini, Arianitët, Lecenët, Turbacejt, Markazeos, Skura,
Zenevisët, Bukeseos, Logoreskët, Matesët etj” [Acta Diplomata. Volume I,
Doc. Nr 563, i 5 shtatorit 1304]
Në letrën e Papa Gjoni XXII dërguar fisnikëve arbëror më
17 qershor 1319, mes tyre rezulton sundimtari i principatës të Arianitëve, protolegati
Gulelm Arianiti, çka dëshmon pozicionin e lartë politik, administrativ,
shoqëror dhe fetar të familjes Arianiti. [Farlato et Coletti,
Illirici sacri, vol VII, pp. 63 – 64].
Në vitin 1373, emëri i një pjestari të familjes Arianiti,
shihet i qendisur në epitafin e Gllavinicës. Ky epitaf është një ndër tre
punimet të njohura deri sot në botë. Në qendër të epitafit është qendisur
Krishti i vdekur, shtrirë mbi çarçaf, i rrethuar nga shenjtorë dhe serafinë.
Epitafi i Gllavinicës është objekt me vlera të mëdha i kulturës mesjetare
shqiptare, është një margaritar i krishtërimit, i historisë, i artit dhe i
mjeshtrisë artizanale arbërore. Në buzët e epitafit është qendisur shkrimi:"U plotësua ky areas (epitaf) gjithë të nderuarit dhe të Hyjëshmit
Mbishenjtor Hyjëlindësit të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të
gjithëhirëshmit Kalisi i Glavinicës dhe i Beratit, në muajin mars 22, viti 6881
(1373). Dora e Gjergj Arianitit arëqëndisësi".
Si kuptohet, mjeshtëri i punimit të këtij epitafi është
murgu Gjergj Arianiti, formuluesi i
mbishkrimit dhe padyshim një ndër pjestarët e dinastisë Arianiti. Në mesjetë, rezulton
se një ndër pjestarët e familjeve fisnike arbërore si Muzaka, Arianit,
Kastrioti, Dukagjini, Spani, Skura etj, iu dedikuan jetës eklaziastike, si ishte
dhe murgu Gjergj Arianiti. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni,
“Zemrashqiptare”e dielë, 9 Mars 2014]
Disa nga pjestarët e familjes Arianiti, në
shekullin e XIV - XV përdorën mbiemërin Golemi, si rezultojnë në dokumentat bizantine
dhe Marin Barleci përmendin fisnikët Arianit
Golemi de Albania, Arianites Thopia Golemus, Moisi Golemi i biri i Muzak
Arianitit. [Marin Barleci, Historia de vita et gestis Scanderbegi
Epirotarum princips (1510)].
Disa medievalista mendojnë se mbiemëri
Golemi është me origjinë greke - Golemis, por nuk spjegojnë lidhjen
etimiologjike, ndërsa të tjerë thonë është me prejardhje nga ebraishtja Golem –
gjigand, por shumica insistojnë se është deformim popullor i emërit Gulem,
mendim bindës, sepse në dokumentat e shekullit XIII zot i Arbanon quhej Gulem Arianiti dhe nga kjo kohë,
pasardhësit e tij, mbajnë këtë mbiemër. Populli ynë e ka traditë, që emëri i
babait të bëhet mbiemër i djemëve, kësisoj Gulielm – Gulemi – Golemi, u trashëguan
në gjeneracionet e tjera të dinastisë si mbiemër shtesë, si rezulton me një nga figurat e shquara të kësaj dinastie: Arianit Topia Golem
Komneni. [Charles Hopf. Chroniques Greco-Romainès, tables XI/13 Famille des
Ariantii Comnénes, Leipzig 1867 – 1868, p. 532].
Eqerem Bej Vlora thotë se mbiemëri Golemus ka kuptimin
“të vjetrit”, si ishte familja e derës fisnike e Arianit Komnen Topia Golemi.
[Eqerem Bej Vlora, Amelie Von Godin (2010) (1955-
1956): Ndihmesë për historinë e
sundimit turk në Shqipëri vëllimi I. Tiranë: 55. faqe. 94–95].
Në dokumenta të kancelarisë bizantine, fisnikët e
dinastisë Arianiti rezultojnë me disa mbiemëra, si Arianiti, Topia, Komneni,
Kominata, Cernika, Golemi, Spata, shpesh të kombinuar si Arianiti Komneni Topia
Golemi Spatensi etj. [Paolo Peta, Despoti d’Epiro e principi di Macedonia.
Edizione Argo, 2000, pp. 79 - 89]
Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, sundimtari i
Principatës të Arianitëve ishte princi Komneni II Arianiti.
Sipas Marin Barlecit dhe Gjon Muzakës, Komneni II
Arianiti ishte martuar me motrën e Nikolla Zakaria, zoti i qytetit-port
Budua dhe ishte vasal i Balshës II. Nga kjo martesë lindën tre djemë Gjergji,
Muzaka, Vlladani dhe një vajzë Maria. Në disa burime bizantine, thuhet se
Komneni II Arianiti, mbante dhe mbiemërin Spata Comnen Arianit Spatensis, pra ishte dhe
sundimtar i Shpatit.
Në vitet 1402, principata e Arianitëve u
pushtuan nga forcat e Perandorisë Osmane të sulltan Bajaziti dhe Komneni II
Arianiti i mundur u bë vasal i sulltanit, madje u detyrua të dërgoi Gjergjin
peng në Edrene. Në vitin 1427, Gjergj Arianiti u kthye në vendlindje dhe filloi
organizimin e popullit kundër pushtuesve osmanë. [Marin Barleci, Historia de
vita et gestis Scanderbegi Epirotarum princips 1510]. [John Musachi. Brief Chronicle on the Descendants of our Musachi
Dynasty by John Musachi 1515]
GJERGJ ARIANITI
Në gjysmën e parë të shekullit XV, sundimtar i principatës
të Arianitëve ishte princi Gjergj Arianiti (1383 – 1462), i biri i Komneni II
Arianiti dhe i motrës të Nikolla Zakaria. Gjergj Arianiti kishte dy vëllezër Muzak Arianitin -
sundimtari i Beratit dhe Vlladan Arianit Komneni Golemi - sundimtari i
Çermenikës dhe një
motër, e
martuar me Pal Dukagjinin, që ishte nëna e Lek III Dukagjinit. [Palaj Bernardin, Duka Gjini dhe Dukagjinët, “Hylli i
Dritës”, Shkodër 1941, nr 11012, f. 496]
Princi Gjergj Arianiti sundimtari i Principatës të
Arianitëve, ishte martuar me Maria Muzaka, e bija e Andrea III Muzakës,
dhespoti i Epirit, i Devollit, i Muzakisë, i Himarës, mareshalli i Albanisë dhe e Kirana Zenebishti, e bija e Gjon Zenebishtit
dhe zonja e Grabosës. Nëna e Andrea III Muzaka dhe gjyshja e Marie Muzaka ishte
Zanfina Arianiti Komnena, motra e fisnikut Materango Arianiti. [Charles Hopf, Chroniques Greco-Romainès, tables
XI/13 Famille des Ariantii Comnénes, Leipzig 1867 – 1868, p. 532]
Në dokumenta bizantine emëri i saj rezulton Maria Muzaka,
që ishte emëri i pagëzimit sipas ritit ortodoks, ndërsa emri i parë në lindje
ishte Marina, andaj jo rrallë, autorë të ndryshëm përdorin edhe emrin Marina.
Nga martesa me Maria Muzakën, Gjergji mori pajë trojet
nga Mallakastra deri në detin Jon, përfshi Vlorën dhe Kaninën. Principata e Arianitëve kishte dy kryeqendra, e
herëshmja Sopoti i Polisit dhe tjetra ishte Kanina. Dhimtër Shuteriqi thotë:
“S’ka dyshime se në vitin 1454, zotërimet e Arianitëve ishin viset e
Librazhdit, me kryqendër Komnenovilin - Qyteti i Komnenëve, që përkon me
Polisin dhe Vilanin, që janë lagje të Polisit”.
Gjergj Arianit ishte zot i Çermenikës, i Bjeshkës, i Dibrës,
i Polisit, i Shpatit, i Mokrës dhe trojeve deri në lumin Devoll, ku kufizohej
me Muzakajt dhe në lindje me principatën e Gropa. Pas martesës me Maria Muzakën
Gjergji mori në pajë Mallakastrën, Vlorën dhe Kaninën. [John Musachi. Brief Chronicle on the Descendants of our Musachi
Dynasty by John Musachi (1515)]. [Franz Babinger, Giorgio Fiori. Rivista di storia,
arte, archeologia per le Province di Alessandria e Asti, CVIII:1999, pp. 67 –
82]. [Jurlaro R, I
Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8]
Në lidhje me shtrirjen e trojeve të Arianitëve, Johann G.
von Hahn thekson se kishin në zotërim Dibrën, Çermenikën, Polisin, Shpatin,
Mokrën, Elbasanin deri në Kavajë dhe Mallakastrën, Vlorën e Kaninën, andaj i ka
konsideruar të ndarë në dy degë, Arianitët e malit dhe Arianitët e fushës [J.
G. Von Hahn. Reisa durch die Gebiete des Drin und Wardar. Erste Abtheilung:
Reisenskizzen. Wien 1867, f. 106]; ndërsa Athanas Gegaj këtë shtrirje të
gjërë të zotërimeve i ndanë në Arianitë të trojeve veriore dhe në Arianitët e
jugut. [Athanas Gegaj. L’Albanie e l’invasion turque
au XV siecle. Paris 1937, Université de Louvaine, f. 8]
Princi Gjergj Arianiti kishte stemën heraldike me shqiponjën dykrenore ngjyrë të artë, në qendër të mburojës me sfond blu, po me këto karakteristika kishte dhe flamurin, që ia kishin dhuruar artizanët e Raguzës.
Princi Gjergj Arianiti mbajti raporte bashkëpunimi më
sundimtarët e principatave fqinje si me Pavel Kurtik, me baronin Andrea Gropa,
sundimtarin e qytetit të Ohrit, me kontin Andrea Topia sundimtar i Krujës, me Gjon
Kastriotin, në jug me sebastokratorin Gjon Zenebishi etj. Këto aleanca u
fuqizuan dhe me krushqitë.
Në vitet 1430-1436, Princi Gjergj Arianiti
organizoi kryengritjet kundër turqëve, që u kurorëzua me çlirimin e trojeve të
principatës të Arianiteve dhe me largimin e spahinjëve dhe timarlinjëve osmanë.
Për të shtypur këtë kryengritje erdhi vetë Sulltan Murati II, i cili organizoi
disa ekspedita kundër Arianitëve, por arbërorët rezistuan heroikisht dhe i
zbrapsën sulmet e hordhive turke. [Fin John Van Antwerp. The
Late Medieval Balkans: A critical Survey from the Late Twelfth Century to the
Otoman Conquest. University of Michigan, Ann Arbor, 1994, f. 355]
Në vitin 1432, trojet e Arianitëve u sulmua
nga ushtria e komanduar nga Ali Bej Evrenozi, ish-sanxhakbeu i Arbërisë, por kur
hyri në luginën e Shkumbinit, u shpartallua nga luftëtarët e Gjergj Arianitit. Fitorja iu dha zemër arbërve, por dhe Europës
që u njoh me një luftëtar shpresëdhënës, që po thyente sulmet e egra të ushtrisë
otomane. Kjo ishte fitore e bujshëme e arbërorëve kundër ushtrisë osmane, për
të cilën kronisti bizantin Kalkokodilis shkruan: “Kjo fitore i solli lavdi
të shkëlqyer organizatorit të saj, Gjergj Arianitit, i cili u bë figura
qendrore e jetës politike arbërore në vitet tridhjetë”. [Leonikos Chalkokodilies. 2014, The
Histories. Vol. 1. Translëted by Kaldellis Anthony. Cambridge: Harvard
University Press.]
Kryengritjet e Gjergj Arianitit, nxitën dhe
princat e tjerë të ngrihen kundër pushtuesit turk. Në veri, luftëtarët e
Nikollë Dukagjinit morën kështjellën e Dèjës, në qendër Andrea Topia nuk mundi
ta çlirojnë Krujën, ndërsa në jug Depë Zenebishi, sundimtari i Gjirokastrës,
pësoi disfatë, u kap rob dhe turqit e varën. [Robert Elsie, 2003. Early
Albania A Reader of Historical Texts, XI – XVII Centuries. Harrassovitz. p. 53]
Në vitin 1433 luftëtarët e Gjergj Arianitit
thyen ushtrinë osmane në Kurvelesh, duke çliruar pjesë të mëdha të trojeve të
principatës të Arianitëve.
Në shkurt të vitit 1434 luftëtarët e Gjergj
Arianitit u përballën me forcat turke të Sinan Pashës, bejlerbeut të Rumelisë
dhe pas luftimesh të ashpra, luftëtarët arbëror u detyruan të tërhiqen dhe me
këtë humbje Gjergji u kthye vasal i sulltanit, duke ruajtur një territor të
vogël të zotërimeve të Arianitëve. Edhe pse e humbi këtë betejë, Gjergj Arianiti
vazhdoi të luftoi kundër Perandorisë Osmane. Në dhjetor 1434 shpartalloi forcat
e Isak Beut, sanxhakbeut të Shkupit; më 20 prill 1435 triumfoi dhe në një
betejë tjetër kundër hordhive turke. Pas dështimit të këtyre ekspeditave,
sulltan Murati II i ndërpreu sulmet kundër Gjergj Arianitit. [Demetrio Francu. Comentario
de le cose de' Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe d' Epyro, Roma
1539].
Në vitin 1438, forcat arbërore me në krye
Gjergj Arianitin thyen ushtrinë e Turhan Beut dhe çliruan Beratin.
Në vitin 1443 Gjergj Arianiti korri një
tjetër fitore kundër forcave turke në grykat e Labërisë kundër forcave të
Shehabedin Pashës. Fitoret e Gjergj Arianitit, e rritën besimin dhe
vendosmërinë e arbërve për të mbrojtur lirinë e për të luftuar kundër
pushtuesit të fuqishëm otoman. Këto fitore kundër turqëve, patën jehonë të gjërë
në Europë dhe sidomos në Vatikan. Papa Eugjen IV, mbreti Alfons V i Napolit,
perandori gjerman Sigizmund dhe Republika e Raguzës krahas urimeve, i dërguan
ndihma Gjergj Arianitit. Mbreti i Hungarisë Sigismundi, bëri marrëveshje me
Gjergj Arianitin dhe Andrea Topian, për të luftuar kundër pushtuesve osmanë,
por përpjekjet e tyre për organizimin e një kryengritje të përgjithëshme antiosmane,
nuk patën jehonë në vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës. [Athanas Gegaj. L’Albanie e l’invasion turque au XV siecle. Paris 1937,
Université de Louvaine, f. 8]
Më 2 mars 1444, Princi Gjergj Arianiti mori
pjesë në Besëlidhjen e Arbërit në Lezhë, ku mbështeti Gjergj Kastriotin në
aleancën me princat albanezë dhe luftoi krah tij, në të gjitha betejat kundër
pushtuesve osmanë. Në vitin 1446 princi Gjergj Arianiti lidhi aleancë
me mbretin e Napolit Alfonsi V Aragon, madje pas vdekjes të Alfonsit V, kjo
marrëveshje u ripërtëri mbretin pasardhës, Ferrante I i Napolit. [Schmitt O. J. Skanderbeg et les sultans Turcica, 43, 2011, f. 71]
Në vitin 1456, Gjergj Arianiti lidhi
aleancë me Republikën e Venedikut dhe në mërrëveshjen me dozhën Françesko
Foskari, theksohej se në rast rreziku për jetën e princit dhe të familjes së
tij nga sulmet e otomanëve, Serenissima i merrte në mbrojte dhe i strehonte në
trojet e veta. [F. S. Noli. George Catrioti Scanderbeg (1405 – 1468).
International Universtitaties Press 1947].
Nga martesa e parë e Gjergj Arianitit me Maria Muzaka
lindën tetë vajza, të cilat u martuan me djem të familjeve fisnike të shquara
arbërore. Martesat mes familjeve fisnike arbërore ishin të zakonshme dhe bëheshin
për të forcuar aleancat mes tyre, kësisoj bashkonin forcat për mbrojtjen e zotërimeve.
Vajzat e Gjergj Arianitit dhe Marie Muzakës janë:
1. Andronika (Donika) (1428 – 1506). Më 21 - 23
prill 1451,u martua me Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
2. Vojsava, u martua me Gjon (Johannes) Crnojevi?
sundimtari i Malit të Zi dhe i Zetës, me të cilin lindën dy
djemë: Gjergjin dhe Stanislao. Gjoni ishte i biri i
Stefan Crnojevi?it dhe i Mara Kastriotit, motra e Gjergj
Kastriotit. Vojsava vdiq para korrikut të vitit 1469 në
Cetinjë.
3. Kirana (Anna), u martua me Nikolla I Dukagjini.
Kishin dy djemë, Pali IV Dukagjini dhe Drago
Dukagjini. Pali IV u mor rob nga turqit, u konvertua në
fenë islame dhe shërbeu si komandant ushtrie,
ndërsa Drago Dukagjini vdiq në Venecia në vitin 1462.
4. Helena, e martuar me Gjergjin III Dukagjini,
lindën disa fëmijë, njeri nga djemtë Nikolla III, quhej dhe
Skenderbe. Sipas Gjon Muzakës, në vitin 1515 Nikolla III
u kthye në myslyman dhe turqit i dhanë detyrën
e Sanxhakbeut.
5. Maria Despina, u martua me Tanushi IV
Dukagjinin. Lindën dy fëmijë, një djalë dhe vajzën me emrin
Teodora. Helena dhe Despina u martuan me princat e
Dukagjinit dhe dasma u zhvillua në të njëjtën ditë.
6. Komina (Komnina), u martua me Gojko Balshën,
sundimtar i Musies (Krujës dhe Lezhës), me të cilin pati
dy djemë dhe një vajzë. Djemtë vdiqën në Hungari ndërsa vajza, Maria, u martua me Kontin Jakopo Alfonso i Mazeut të Farriles në Itali. Pas vdekjes të Maries më 1459, konti u martua me Marie Granai Kastrioti, të bijën e Vrana Kontit.
7. Katerina, në fillim u martua me fisnikun Andrea Spani dhe kishin një vajzë, e cila u largua Hungari me të shoqin. Pas vdekjes të bashkëshortit nga dera e Spanëve, Katerina u martua me Nikolla Bokale, baroni i Moresë dhe lindën dy djem e dy vajza, njera quhej Marie, e cila u martua me fisnikun Giacomo de Pagnanin.
8. Angjelina, u lind në vitin 1440. Në vitin 1461 u martua me Stefan Brankoviçin, djalin e Gjergj Brankoviçit, dhespoti i Serbisë dhe i Irena Kantakuzenit, mbesë e dinastisë Paleologa. Pas vdekjes të bashkëshortit në vitn 1471, Angjelina iu dedikua jetës fetare, shërbeu murgeshë në disa manastire, së bashku me dy djemtë murgjit Maksimi dhe Johani (Gjoni).
Angjelina Arianiti vdiq më 30 korrik 1516. Kisha ortodokse e konsakroi shenjëtore, Shen Nënë Angjelina e adhuruar nga popullatat hungareze, vllahe, sllave, austriake dhe italiane.
* * *
Në vitin 1449, vdiq Maria Muzaka, bashkëshortja e Gjergj
Arianitit. Pak muaj më pas, Gjergji u martua me baroneshën italiane Petrina
Frankone (Despotina), e bija e Oliviero Frankone, baroni i feudit Taurisano në
Pulja, dhe mëkëmbës i mbretit Aragonez në Leçe.
Nëna e Petrinës ishte arvanite, e bija e Centurione II Zakaria
(princi i Akaia) dhe i Kreusa (e bija e Leonardo II Toka, sundimtari i Zante
dhe i Leukade). [Mihail-Dimitri Sturdiza, Dictionaire historique et
généalogique des grande familles de Grèce, d’Albanie et de Costantinopole. Edizione
2, Chez l’auteur, Paris 1999]
Nga martesa e dytë e Gjergji Arianitit me Petrina
Frankone, lindën 4 fëmijë, 3 djemë: Tommasi, Kostantini, Arianiti dhe vajza Maria.
Me të dy martesat, Princi Gjergj Arianiti u trashëgua me 12 fëmijë.
Në vitin 1456, Gjergj Arianiti me bashkëshorten Petrina, me
Angjelinën, me djemtë dhe vajzën Maria, u vendosën në Durrës, në mbrotje të
Venedikut, si rezulton në urdhërin e Dozhës Françesko Foskari, dërguar
Kuirinit, bajlo dhe kapidan i Durrësit të cilit i shkruan: “Zoti i shkëlqyer
Arianit Komneni dhe familja e tij të trajtohen me përparësi - Privilegium
Magnifici Arianiti Commneni Domini”. Në një dokument tjetër të vitit 1457 i
Arkivit të Senatit Venecian, rezulton se Dozha i Venedikut, përsëri e
urdhëronte Paolo Kuirinin, bailò dhe Kapidani i Durrësit: ”... Të përkujdesesh me përparësi për familjen e Arianiteve”. [Joseph Valentini. Acta Albaniae Veneta, Seculorum XIV –
XV, Tomus XVII. Annos a MCDLV – MCDLVIII: 1456 – 1458]
Gjergj Arianiti vdiq në vitin 1462 dhe e varrosën në kishën
ortodokse të Shen Maria në Durrës.
Baronesha Petrina Frankone Arianiti Komnena
e mbetur e vè, bashkë me djemtë dhe vajzën Maria, në vitin 1463 u kthye në
Itali, fillimisht shkoi në trojet e prindërve në feudin e Taurisano në Salento dhe
më pas shkoi në Venecia. Më 3 shtator 1463 Petrina u
prezantua para Senatit të Serenissima dhe bazuar në marrëveshjen e aleancës të
Gjergj Arianitit me Venedikun, kërkoi mbrojtjen e fëmijëve nga Serenissima. Si
përherë, Venediku ishte i ngadaltë në vendimet dhe vetëm pas 9 muaj, më 13 maj 1464 Senati i shpalli Patrica Venecian tre
djemtë e Gjergj Arianitit - Tommasin, Kostantinin dhe
Arianitin. [Arch. Stato. Venez. Senato
Mar, vol VII, X, c. 23]
Pasi mori vendimin e Senatit
Venecian, Zonja Petrina u kthye në Salento në trojet e prindërve, ku qëndroi
pak muaj e më pas u transferua në Romë, ku përfitoi mbështetjen e Kurias Pontifike,
e cila i akordoi asaj një pension dhe ndihmë financiare për fëmijët. Gjatë
viteve që jetoi në Romë, Zonja Petrina kaloi situata të vështira, në veçanti
vuajti ngjarjet e rënda familjare, vdekjen e dy djemëve.
09. Tomasi nuk u martua, ishte shëndetlig dhe vdiq në vitin 1484.
10. Arianiti u kthye në Albania, ku u konvertua në
fenë islame dhe mori pjesë në ekspeditat ushtarake të
turqëve kundër arbërorëve dhe në vitin 1551mbeti i vrarë
në luftimet me himarjotët.
11. Maria Arianiti u martua me Bartolemo Xhiuppo
Della Rovere, zot i dukatit të Urbino.
12. Konstantin Arianiti Komneni, hyri në shërbim
të Papës Sisto IV me detyrën e protonoterit apostolik dhe
pse nuk ishte klerik. Ky vendim i Papës Sisto IV ishte
respekt për mikun e tij Gjergj Arianiti. Me aftësitë
dhe devotshmërinë në shërbim të Selisë së shenjtë, fitoi
besimin e Papës Sisto IV, i cili e dërgoi ambasador
në bisedimet me austriakët. Më pas e ngarkoi komandantët
i reparteve të Selisë së Shenjtë. Në vitin 1486,
Kostantini shkoi administrator i pronave të
mbesës së tij të bukura dhe të mençura Maria Brankoviçi, që
ishte martuar me markezin
e Monferrato Bonifaci III. Maria ishte e bija e të
motrës Angjelina Arianiti
Komnena dhe Stefan III Brankoviçit.
Pas vdekjes të Tomasit më
1484, baronesha Petrina së bashku me Kostantinin ishin ende në Romë, të ndihmuar
nga Kuria e Selisë së Shenjtë, që i u akordoi pensione të dyve.
Në vitin 1483, Senati i Serenissima i rikonfirmoi Kostantinit privilegjet e patricit venezian. [A.S.V, Misti del Consiglio dei X, vol. XXI, c.117, vol. XXXI, c. 228, vol. XXXII, cc. 29 MCDLXIV.]
Kostantini u martua me fisniken Franceska Paleologa,
dukesha e Montferrato, me origjinë nga dinastia Paleologa e Bizantit dhe lindën 6 vajza e një djalë me
emrin Arianit. Vajza e parë Andronika, u martua me kontin Karli III Toka,
Dhespoti i Zante dhe i Artës dhe princi titullar i Leukadës. Vajza e dytë Pentesilea, u martua me Leka IV Dukagjini, i cili prej
vitesh jetonte dhe shërbente në oborrin e mbretërisë së Napolit.
Vajzat e tjera u martuan me fisnikë italianë: Hipolita me Zenobio de Medici dhe pas vdekjes të bashkëshorit u martua me Lionello Pio da Carpi i dinastisë Savoja; Poliksena me Rinaldo di Matelica; Deianira me Giorgio Trivulzo; Helena me Juan de Luna. [Babinger Franz, Arianiti Costantino,1962, Rome].
Kostantin Arianiti vdiq më 8 maj 1530 në Montefiore dhe e
varrosën në Kishën 12 Apostujt në Romë.
Në vitin 1489, Perandori Federiku III i dërgoi letër Papës Iinoçenci VIII, të cilin e porosiste të vazhdonin ndihmat financiar për Petrina Arianitin, por në fund të vitit 1489, Petrina Arianiti vdiq dhe u varros në Romë.
SHEN NËNË ANGJELINA
ANGJELINA ARIANITI KOMNENA TOPIA GOLEMI
SHPATI BRANKOVIÇ
Angjelina ishte vajza e vogël e princit Gjergj Arianiti
dhe e Maria Muzakës. Angjelina u lind në vitin 1440 në Sopot,
kryeqendra veriore e principatës të Arianitëve. Nga babai Gjergji dhe nga nëna
Maria, Angjelina mori vlerat dhe virtytet, që çdo fëmijë dëshiron të trashëgoi
nga prindërit e vet. Si vajza e vogël e familjes Arianiti, Angjelina ishte e
përkëdhelura e nënës Marie, e cila gjithmonë e mbante pranë, i mësonte sekretet
e jetës, e merrte në kishë ku faleshin para ikonës të Zonjës së Papërlyeme. Nënë
Maria i mësoi Angjelinës rregullat e fisnikërisë, i zbuloi të fshehtat e të
veshurit fisëm, i mësoi të përshtatej me ritualet dhe me sjelljet fisnike,
sipas rregullave të ceremonive bizantine, i mësoi të qëndiste. Para nënës,
Angjelina ishte pasqyrë magjike, që lëshonte reflektime vezulluese dashurie,
mirësie e ciltërsie.
Vitet e fëminisë i kaòoi në Sopot dhe në Kaninë, ndërsa vitet
e e rinisë i kaloi në Durrës bashkë me të atin me njerkën Petrina, me
vëllezërit dhe motrën e vogël.
Pas martesës me dhespotin Gjergj Brankoviç, Angjelina
jetoi në Itali, në Austri dhe në Vojvodinë.
Jeta dhe përkushtimi shpirtëror murgeshë ortodokse i
Angjelinës, ishte shprehje e jetës, edukimit, i kulturës dhe i historisë të
familjes fisnike Arianiti.
Vijon në numërin e ardhshëm









