Përjetësi » Kadare
Artan Nati: Si e solli Kadare Shqipërinë në Letërsinë Botërore
E diele, 23.11.2025, 06:55 PM

Përtej Kufijve: Si e solli Kadare Shqipërinë në Letërsinë Botërore
Nga
Artan Nati
Çdo
komb, në thelb, është pasqyra e idhujve të vet. Ajo që një popull adhuron,
tregon mënyrën se si mendon, se si beson dhe se si ëndërron. Idhujt nuk janë
vetëm njerëz të mëdhenj, por janë projeksione të ndërgjegjes kolektive, simbole
të asaj që një komb do të ishte, nëse do të kishte guximin ta përmbushte veten.
A
mund të quhet Shqipëria “Shqipëria e Kadaresë”? Pyetje që ngjan si një provokim
kulturor, por që në thelb ngre dilemën e madhe të identitetit tonë letrar dhe
moral: a kemi ne një shkrimtar që mishëron shpirtin e kombit, apo kemi vetëm
figura që i shërbyen kohës së tyre?
Emri
i tij, në këtë krahasim, del i vetmi që mund të mbajë peshën e një kombi në
shpatulla. Jo sepse s’ka pasur të tjerë që kanë shkruar me talent, por sepse
askush tjetër nuk arriti të krijojë mitin e Shqipërisë përmes fjalës, ashtu siç
Shekspiri krijoi shpirtin anglez, Volteri mendimin francez apo Gete universin
gjerman. Kadare e ngriti Shqipërinë nga baltat e historisë në dimensionin e
simbolit. Ai i dha një kombi të vogël një letërsi të madhe, ndoshta më të madhe
se vetë shteti që e lindi.
Por
përtej tyre, në një cep të vogël të hartës, Kadareja krijoi Shqipërinë që
ekziston në fjalë, jo në kufij. Ai e shpiku një atdhe që jeton në metaforë, në
legjendë, në mitin e përditshëm të mbijetesës. Në romanet e tij, Shqipëria nuk
është një vend, por një gjendje e përhershme e ndërgjegjes, një truall ku
historia është gjithmonë një tragjedi dhe fjalët janë e vetmja mënyrë për të
shpëtuar prej saj.
Gjenialiteti
i Kadaresë qëndron pikërisht këtu: në aftësinë për ta kthyer dhimbjen kolektive
në estetikë, për ta bërë absurditetin e diktaturës të flasë me madhështinë e
tragjedisë antike. Ai ndërtoi një “polis” imagjinar, ku shqiptarët mund të
shohin më në fund veten e tyre pa maska, pa uniforma, pa frikë.
Në
fund, Shekspiri, Dantja, Volteri, Gëte dhe Kadare janë ndoshta pesë udhëtarë të
të njëjtës rrugë, ajo që shkon nga fjala në komb. Por Kadare, i vetmi që nisi
nga skajet e Ballkanit, bëri diçka të pamundur: e bëri Shqipërinë të ekzistojë
përmes letërsisë, në një univers ku fjala është më reale se historia vetë
Cili
është elementi që bashkon Shekspirin, Danten, Volterin, Gëten dhe së fundi,
Kadarénë? Sekreti qëndron tek fuqia për ta bërë kombin të marrë formën e
imagjinatës së tyre.
Në
vendet e tyre, këta autorë nuk janë vetëm shkrimtarë; janë arkitektët e
shpirtit kombëtar. Dhe Shqipëria, me vonesë karakteristike, nuk mund të mbetej
pas. Ajo mori emrin e saj të dytë: “Shqipëria e Kadaresë”, një vend që ekziston
paralelisht me atë të hartës, por shumë më i saktë në përshkrim. Një vend ku
burokrati flet në stil homerik, fshatari është filozof i heshtur dhe diktatori
reciton mitologji greke para se të firmosë arrestimet.
Në
këtë kuptim, Kadare nuk është vetëm një shkrimtar: është një gjuhë më vete, një
territor simbolik që shtrihet nga “Kronikë në gur” deri tek “Pallati i
ëndrrave”. Ai bëri për Shqipërinë atë që bëri Shekspiri për Anglinë: i dha një
pasqyrë ku ajo mund të shohë fytyrën e vet, qoftë edhe të përçudnuar.
Prandaj,
kur themi “Shqipëria e Kadaresë”, nuk flasim për një vend të ri, por për
versionin e vetëm të saj që kuptohet. Dhe ky është elementi i përbashkët i
madhërishëm dhe i rrezikshëm: kur letërsia bëhet më reale se realiteti, dhe
kombi fillon të jetojë në librin e vet.
Ai
nuk i mësoi shqiptarët të jenë krenarë për historinë e tyre, sepse krenaria,
kur lind nga harresa, është një formë tjetër verbërie. Kadare nuk kërkoi të
ngrejë monumente, por pasqyra. Ai nuk u tha njerëzve të duan historinë e tyre,
por t’i përballen me të: me heshtjet, me fajet, me plagët e pashëruara që koha
nuk i mbulon dot me lavdi.
Në
vend të heroizmit të shpikur, ai ofroi ndjeshmërinë e ndërgjegjes. E kuptoi se
një komb nuk bëhet i pjekur duke fshehur plagët, por duke i njohur, duke i parë
pa frikë, pa glorifikim dhe pa turp. Ai na mësoi se dinjiteti nuk qëndron në të
kaluarën që tregojmë, por në mënyrën se si e përballim atë që kemi qenë.
Kadareja
i dha shqiptarëve një pasqyrë filozofike, jo për t’u admiruar, por për t’u
ballafaquar. Një pasqyrë ku shfaqet një fytyrë që shpesh nuk duam ta shohim: e
lodhur, e përgjakur, e ndarë, por gjithsesi njerëzore. Dhe pikërisht aty
qëndron transformimi i tij i madh: në aktin e njohjes së vetvetes përmes
dhimbjes.
Në
thelb, vepra e tij është një psikoterapi kombëtare: një udhëtim në pavetëdijen
historike të shqiptarëve. Ai i zbriti në “ferrin e vetes” si Dantja, por pa
premtuar parajsë; i ftoi të shohin plagën si kujtesë, jo si mallkim. Sepse
vetëm kur një komb guxon të shohë fytyrën e vet pa iluzione, ai mund të fillojë
të jetë vërtet i lirë.
Kjo
është vlera e Kadaresë: nuk ka krenari pa ndërgjegje, as komb pa reflektim. Dhe
ndoshta, në atë pasqyrë të thyer që ai na dha, Shqipëria për herë të parë pa
veten, jo si mit, por si e vërtetë.
Kadare
mund të krahasohet, me plot të drejtë, me Danten për shpirtin kombformues, me
Shekspirin për dramatizmin universal, me Volterin për ironinë filozofike dhe me
Gëten për thellësinë shpirtërore. Secili prej këtyre gjigandëve i dha kombit të
vet një pasqyrë, një gjuhë, një mënyrë për të parë botën. Kadareja, nga ana e
tij, i dha Shqipërisë vetëdijen se ekziston.
Në
një vend të vogël, ku historia ka qenë shpesh më e madhe se njeriu, ai krijoi
një univers letrar ku shqiptari nuk është më një figurë folklorike apo viktimë
e fatit, por një qenie tragjike, etike, dhe menduese. Ai e ngriti shqiptarin
nga errësira e miteve dhe kronikave, në dritën e letërsisë botërore.
Merita
e veçantë e Kadaresë është universalizimi i një populli të panjohur, kthimi i
dhimbjes shqiptare në art që flet në çdo gjuhë. Ai e bëri Shqipërinë të
lexueshme, të kuptueshme, të respektueshme, jo përmes politikës, por përmes
fjalës së bukur dhe të hidhur njëkohësisht. Në duart e tij, historia shqiptare
mori frymë si tragjedi klasike, mitet u bënë alegori moderne, dhe absurdi u
kthye në poezi.
Në
*Gjenerali i ushtrisë së vdekur*, ai vendosi Shqipërinë në qendër të kujtesës
evropiane. Një gjeneral italian vjen për të kërkuar eshtrat e ushtarëve të tij
– por ajo që gjen nuk është vetëm vdekja, por absurdi i luftës, boshllëku i
kuptimit, misteri i një toke që e përpin kujtesën. Ky roman është “dialogu i
parë i shqiptarëve me botën”, një mënyrë e heshtur për të thënë: “Edhe ne kemi
histori, edhe ne dimë të kujtojmë.”. Në “Kronikë në gur”, qyteti bëhet
personazh, fëmijëria, një mit, dhe absurdi i luftës, një lojë që nuk pushon
kurrë. “Prilli i thyer” është tragjedia e nderit dhe e gjakut, ku shqiptarët
lëvizin në kufirin midis ligjit dhe fatit, midis jetës dhe vdekjes.
Në
“Pallati i ëndrrave”, Kadare ngriti një alegori të frikshme për pushtetin dhe
shpirtin njerëzor nën diktaturë, një metaforë që flet jo vetëm për Shqipërinë,
por për çdo vend ku liria zëvendësohet me frikë. Ndërsa në “Kush e solli
Doruntinën” dhe “Ura me tri harqe”, historia dhe legjenda u bënë një: Shqipëria
si mit që refuzon të vdesë.
Karakteret
e tij janë figura të pashlyeshme: Gjenerali i huaj që kërkon kuptim në tokën e
vdekjes, Besian Vorpsi që endet mes qytetërimit dhe kanunit, Kostandini që
ngrihet nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë, Mark Alemi që zbret në ferrin
burokratik të pushtetit totalitar, kronisti i gurit që sheh botën përmes syve
të fëmijës dhe të historisë njëkohësisht.
Këta
janë njerëzit e Kadaresë: shqiptarë që flasin me gjuhën e botës, njerëz që
jetojnë në skajet e absurdit, por që mbajnë dinjitetin si një emblemë të
pashlyeshme.
Në
fund, Kadareja nuk i dha vetëm letërsisë një emër shqiptar; ai i dha Shqipërisë
një letërsi që qëndron krah për krah me të mëdhenjtë e botës. Ai krijoi një
komb që mund të njihet jo për luftërat, por për fjalën. Dhe kjo është, ndoshta,
mrekullia më e rrallë që një shkrimtar mund t’i bëjë vendit të vet.
Në
të gjitha këto vepra, Kadareja ndërtoi “karaktere që nuk janë thjesht njerëz,
por arketipe të shqiptarisë”: kronisti që sheh dhe nuk flet, gjenerali i huaj
që kërkon kuptim, i riu që duhet të zgjedhë midis jetës dhe detyrës, vëllai që
mban besën përtej vdekjes, njeriu që ëndërron në hijen e pushtetit.
Vlera
e tyre qëndron në këtë: Kadareja nuk e zbukuroi Shqipërinë, por e “shkroi ashtu
siç është: tragjike, e bukur, e thellë,
njerëzore”. Ai e ngriti nga pluhuri i historisë në lartësinë e letërsisë
botërore, duke e bërë shqiptarin pjesë të dramës universale të njeriut.
Në
fund, Kadareja nuk krijoi vetëm libra; ai krijoi një “pasqyrë të shpirtit
shqiptar”, ku çdo brez mund të shohë veten, me plagët, krenarinë dhe heshtjet e
veta. Dhe në atë pasqyrë, Shqipëria më në fund u bë një vend që flet me zërin e
artit.
Merita
më e madhe e Ismail Kadaresë qëndron në faktin se ai e shpëtoi Shqipërinë nga
rreziku i harresës, duke i dhënë një zë që tingëllon në gjuhën universale të
tragjedisë njerëzore. Ai nuk kërkoi t’u mësonte shqiptarëve krenarinë për
historinë e tyre, por guximin për ta parë atë në sy me dinjitet, me dhembje, me
ndershmërinë e atyre që pranojnë plagët si pjesë të vetes. Në duart e tij,
letërsia u bë pasqyrë, ndoshta e ashpër, ndoshta e pamëshirshme — ku ky komb,
për herë të parë, mund të shihte fytyrën e vet të vërtetë.
Ashtu
si Dantja që zbriti në ferr për t’u ngjitur në parajsë, Kadareja udhëtoi nëpër
purgatorin e historisë shqiptare, duke nxjerrë nga errësira figurat, mitet dhe
fajet tona kolektive. Ai i dha formë tragjedisë kombëtare pa e zbukuruar, por
edhe pa e përdhosur, duke treguar se fjala, kur është e vërtetë, mund të bëhet
më e madhe se çdo pushtet.
Ndoshta
ky është gjenialiteti i tij më i thellë: se në një vend të vogël, në një cep të
historisë ku shpesh mbretëron heshtja, ai dëshmoi se letërsia mund të jetë
fryma e një kombi, jo vetëm kujtesa e tij, por edhe mënyra më e lartë për të
ekzistuar.
Si
Dostojevski që zbriti në thellësitë e shpirtit rus, si Kafka që e zbuloi
burokracinë në simbol të absurdit, si Camus që i dha kuptimin jetës nëpërmjet
revoltës ndaj absurditetit, Kadareja e ktheu një komb të vogël në një zonë
universale ku njeriu, faji dhe liria përballen me pamjen e vërtetë.
Po,
mund ta them me dinjitet: Kadareja është shkrimtari më i madh modern i
Ballkanit, jo vetëm për veprën e tij, por për atë që ajo paraqet: një
ndërgjegje kombëtare që arrin të flasë me gjuhën e përbotshme të letërsisë së
madhe. Shumë pak shkrimtarë kanë arritur: në aftësitë për të bërë fatin e një
kombi të vogël një pjesë të fatit të njerëzve në botë.
Në
fund, Kadareja nuk është vetëm më i madh ndër shkrimtarët e Ballkanit; ai është
ndër të paktët që e kanë tejkaluar kufirin e gjeografisë për t’u bërë pjesë e
ndërgjegjes botërore. Ai nuk është thjesht një kronikan i historisë shqiptare,
ai është arkitekti i shpirtit të saj. Dhe ndoshta për këtë arsye, përtej
Kazanxakisit, Andriçit, Pamukut apo edhe Kunderës, Kadareja mbetet i vetmi që e
ka kthyer letërsinë e një kombi të vogël në pasaportën shpirtërore të
njerëzimit.
Cili
është, vallë, vendi i Ismail Kadaresë në historinë e letrave shqipe?
Pyetja
tingëllon e madhe, por përgjigjja është më e thjeshtë se duket: Kadareja nuk
është vetëm një emër brenda letërsisë sonë, ai është vetë historia moderne e
saj. Me të nis epoka e shkrimit shqiptar që flet gjuhën e botës, që matet me
letërsinë e madhe, që kërkon të mos jetë më vetëm pasqyrë e kombit, por
ndërgjegje e tij.
Në
një vend ku shkrimtarët kanë qenë shpesh dëshmitarë të heshtur ose viktima të
historisë, Kadareja zgjodhi të jetë përkthyesi i saj. Ai e mori gjuhën shqipe,
të vogël dhe të brishtë, dhe e ngriti në lartësinë e një gjuhe universale.Ai
pohonte: Nuk kam ndjere asnjehere veshtiresi per te shprehur me shqipen
gjitheçka qe kam dashur te them. Në veprat e tij, letërsia shqiptare nuk është
më provincë e Europës, ajo bëhet pjesë e saj. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,
“Pallati i ëndrrave”, “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur” janë gurë themeli të
një tempulli që askush para tij nuk e kishte guxuar ta ndërtonte.
Ka
pasur e do të ketë emra të mëdhenj në letërsinë shqipe – Fishta me epikën e
tij, Migjeni me revoltën e tij, Kuteli me magjinë e tregimit, Camaj me dritën e
gjuhës – por asnjë prej tyre nuk ka arritur të ngjitet në atë dimension ku
Kadareja e ktheu letërsinë në formë të ekzistencës kombëtare. Ai nuk është më
vetëm shkrimtari më i madh shqiptar – ai është “figura që i dha kombit
vetëdijen e të qenit”.
E
megjithatë, historia shqiptare shpesh ka hezituar t’ia japë plotësisht vendin
që meriton. Kjo ndoshta sepse Kadareja nuk ishte vetëm shkrimtar, por edhe pasqyrë:
dhe pasqyrat, në një shoqëri që shpesh i shmanget së vërtetës, nuk janë të
rehatshme. Ai guxoi të fliste në kohë kur duhej heshtur, të mendonte në kohë
kur duhej bindur, të krijonte në një sistem që i frikësohej çdo frymëmarrjeje
të lirë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, Kadareja është i papërsëritshëm.
Nëse
Shqipëria do të donte ta nderonte me dinjitet figurën e tij, nuk mjafton një
bust apo një rrugë me emrin e tij. Nderimi i vërtetë duhet të jetë “kthimi i
fjalës në vlerë”, i letërsisë në pjesë të kulturës kombëtare, i mendimit në
mënyrë jetese. Duhet që në çdo shkollë të mësohet jo thjesht Kadareja si autor,
por Kadareja si mendim: si prova se një njeri i vetëm mund ta shpëtojë një komb
nga harresa përmes fuqisë së fjalës.
Po,
ai duhet të konsiderohet figura më e madhe e të gjitha kohërave në Shqipëri –
jo sepse nuk kemi pasur të tjerë, por sepse askush tjetër nuk ka arritur të
bëjë atë që bëri ai: të kthejë Shqipërinë nga një copë histori në një copë
pavdekësi.
https://www.facebook.com/artan.nati









